Kreu Blog Faqe 1484

Kryeministri Kurti në vizitë dy ditore në Austri

0

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, për të zhvilluar një vizitë zyrtare dy ditore. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti do të zhvillojë takim bilateral me Kancelarin e Austrisë, Alexander Schallenberg me të cilin do të diskutojë mbi marrëdhëniet në mes Republikës së Kosovës dhe Austrisë dhe mënyrat e fuqizimit të tyre nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët. Krahas takimeve tjera zyrtare, kryeministri Kurti do të marrë pjesë edhe në diskutimin e organizuar nga Instituti “Karl Renner”, me temën “Kosova: Një rreze shprese për demokraci në Evropën Juglindore”, që do të mbahet sot në ora 18:00. Transmetimi i drejtpërdrejtë i këtij diskutimi do të bëhet në kanalin zyrtar të Institutit “Karl Renner” në YouTube dhe në rrjetin social Facebook.

Informacionet e plota mbi këtë organizim mund t’i gjeni në vegëzën më poshtë:

https://www.renner-institut.at/eventdetails/artikel/albin-kurti-kosovo-a-ray-of-hope-for-democracy-in-south-eastern-europe/

“Referendumi” i Albin Kurtit!

0

Diana Rexhepi, gazetare, Zagreb

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dëshiroka bashkim me Shqiperinë? Hmm… Po, a? E po e pyet Shqipërinë se a do bashkim me Kosovën. Shqipërisë i takon ta hapë një kësi çështje, nëse duhet hapur. E jo Kosovës. E as Albin Kurtit. Referendum në Kosovë, kure Shqipëria në Referendum thotë thot PO. Nëse thotë. E pastaj, Referendum në Kosovë. Te të gjithë qytetarëve të Kosovea. Jo diasporës. JO! Dhe JO diaspora! PO qytetarët, takspagues në Kosovë. E në Referendum dhe serbët, qytetarë të Kosovës. Dhe ata në Referendum të marin pjesë. Pastaj, me radhë pika e rendit të ditës e diskutimit: Kërkim falje qytetarëve të Kosovës nga Albin Kurti, pse garoi në Zgjedhje Parlamentare në shtetin e Kosoves, ai, Albin Kurti dhe Vetëvendosje, partia në krye së cilës është ai, Albin Kurti. E për të ashtuquajturat “Lojna Pa Kufi” e me kufij?!

A u tremb Albin Kurti pse fitoi në zgjedhje dhe kuptoi që të jesh Kryeministër nuk është Lojë e fëmijëve, por përgjegjësi tejet e madhe? Dhe serioze. Nëse shprehet tash Albin Kurti për bashkim me Shqipëri, e para se te thotë Shqipëria a don që ta bëjë një kësi referendumi e sidomos nëse thotë JO , atëhere le te jep Dorëheqje të pakushtëzueme në vend të postit të Kryeministrit të Kosovës. E sipas Ligjeve të Kosovës, Kushtetutes së Kosovës, sigurisht është i parapam, i parashikuar edhe rasti kush e zëvendëson Kryeministrin e Kosoves nëse ai dorëhiqet. Dhe ta e merr përgjegjësinë, PERGJEGJESI për humbje më se të sigurtë të një pjese të territorit të Kosovës e që do të ndodhë PA DYSHIM në atë Bashkim me Shqipëri. Dhe lënje në të ashtuquajturin terren të spastruar/ Hapësirë të pambrojtur të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Dhe në mes tjerash Letër, LETER PUBLIKE dhe kërkim Falje çdo shtetit në Botë që e ka njohur Kosovën deri tash si shtet të pavarur.

Dhe asnjë herë më, asnjë herë të mos përzihet në politikë Albin Kurti. Deri sa të jetë gjallë të mos merret më me politkik.

Le ti shkruai memoaret dhe ndoshta poezi në manire të analizës të domethënies simbolike, metaforike dhe metafizike e të titullit, po e përsëris: Vetëm të titullit të vjershës së Fan Stilian Nolit: Syrgjyn gjalle e syrgjyn vdekur.

Thaçi dhe Rama si liderë anti-shqiptarë, kërcënonin Europën me islamin radikal!

0
Iftaret antishqiptare në rrugët publike … Foto nga një paradë e tillë panislamike në rrugën kryesore të qytetit të Kamenicë në Kosovë, (Dardanës).
Arnita ZeneliNga Arnita Zeneli, Bota Sot

Institucionet e Kosovës, mund të hetojnë për figurën e Hashim Thaçit, edhe nga një këndvështrim tjetër, jo vetëm ai i krimeve të drejtpërdrejta.

Thaçi, sikur të kishim një shtete funksional të së drejtës, do të mund të hetohej për raportet e tij me shoqatat kestremiste në Kosovës, ato islamike. Ekzistencën e këtij islamizmi, edhe nëse nuk e çoi më tej, ai u tregua i gatshëm, dhe madje publikisht e përdori, si një lloj shantazhi ndaj vendeve perëndimore, që e kundërshtonin ndarjen e Kosovës.

Por, para se këtë ta bënte Thaçi, Serbia në vazhdimësi lobonte në botë (jashtë vendeve islamike), se Kosova është shtet shumicë myslimane, dhe se ajo është vatër e radikalizmit, prandaj ajo nuk duhet niihet si shtete, nga ato që e kanë njohur, dhe ta pranojnë ndarjen, vendet që e kanë njohur.

Lidhur me atë se a mund të hetohet Thaçi dhe klani i tij, për kërcënimin e perëndimit me islam radikal nëse e refuzonte shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi, për “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

“Të ngrihej aktakuzë nga prokurorët e pavarur”

Image

Prof. Dr. Asoc Enver Bytyçi

FOTO GALERI

Lidhur me këtë, analisti politik Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se është e vërtetë se gjatë qeverisjes nga Thaçi, islami radikal është toleruar, madje ai thekson se jemi edhe dëshmitarë se shoqata islamike me veprimtari të terrorizmit kanë hyrë në Kosovë.

Bytyçi potencon se gjatë asaj kohe u shfaqen edhe disa sekte si vehabistët, gjë që të cilat i toleroi Thaçi, dhe përveç kësaj, ai u mbështet tek to vetë për përfitimet elektorale.

“Është e vërtetë se gjatë periudhës së qeverisjes së Hashim Thaçit në Kosovë është lejuar, toleruar e madje promovuar islami radikal në këtë vend deri në atë masë sa Serbia e ka shfrytëzuar situatën e krijuar që ta akuzojnë atë si “rrezik për stabilitetin rajonal”, thotë Bytyçi.

Ai pohon se janë faktike organizimet e disa shoqatave me financime terroriste në Kosovë.

“Ne jemi dëshmitarë të faktit se shoqata islamike me veprimtari të dyshimta të financimit të terrorizmit kanë hyrë në Kosovë në ato vite, sidomos pas shpalljes së pavarësisë. Politikanë të caktuar kanë prit dhe përcjellur krerët e shoqatave të tilla, të maskuara si shoqata humanitare”, thotë ai.

“Ndërkaq disa sekte ekstreme si Vehabistët u shfaqën papritmas në Kosovë asaj kohe. Prandaj dhe ky shqetësim kaploi jo vetëm njerëzit atdhetarë, por edhe qytetarët e vendit, ndërkaq që shteti, ish-kryeministri e ish-presidenti Thaçi i toleroi ato, madje deri diku u mbështet teka to për të përfituar elektorat për partinë e tij, Partinë demokratike”, thotë ai.

Kosova rrezikonte të perceptohej si shtet islamik e radikal

Sipas Bytyçit, këto ndodhi pastaj i përdori Beogradi për propagandimin e akuzave politike ndaj shqiptarëve, si shtet islamik e radikal, me qëllim që Kosova të paraqitej si rrezik për Europën, gjë për të cilën është ende e paqartë pse disa liderë politikë të Kosovës ia shërbyen këtë si një lloj menyje Serbisë.

Sipas Bytyçit, qëllimi i kësaj strategjie ka gjasa të ishte se kërcënim i islamit, dhe të përdorej si presion ndaj perëndimit për zgjidhjen e konflikteve me Serbinë.

Ai shtoi më tej se skemat e presionit se nëse nuk lejohet ndarja e  Kosovës do të përhapej islami radikal, përndryshe do të destabilizohet Ballkani, por kjo mirë që nuk funksionoi, sepse politikanët evropianë që ishin kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan kanë instrumente të shumta për tu informuar për çdo gjë që ndodhë në rajon.

“Ka gjasa që kërcënimi islamik të përdorej prej zotit Thaçi si presion ndaj perëndimit që ta pranonin ndarjen e Kosovës si opsion të zgjidhjes së konfliktit me Serbinë dhe vendosjes së paqes në rajon. Pra, që të impononte te aktorët që ishin kundër ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve ndryshimin e mendimit të tyre. Në fakt unë kam vërejtur një budallaki të kësaj manovre. Skemat e presionit se “nëse nuk na lejoni të ndajmë Kosovën do të përhapet islami radikal. Nëse nuk e lejoni këtë do të destabilizohet Ballkani” etj nuk funksionojnë, as nuk mund të funksiononin, sepse vendet dhe politikanët europianë që ishin e janë kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan kanë njëmijë instrumente për t’u informuar për gjithçka që ndodhte e ndodhë në rajonin tonë”, ka theksuar Bytyçi.

Por, më thelbësorja në gjithë këtë, është fakti se Thaçi dhe ndihmësit e tij, angazhohen për llogari të Serbisë.

Dy kryeterroristët nga Kosova, Lavdërim Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi, që u islamizuan dhe shkuan në luftën për të ashtuquajturen “Toka e Shamit”, të cilët u rritën, forcuan dhe morën krah në kohën e Hashim Thaçit … 

Prokurorët kanë lidhje politike …

Bytyçi e quan të turpshëm, faktin se si një lider politik shqiptar për përfitime të veta kërcënon Europen me islamin radikal.

“Ideja se me presionin e Hashimit, Edit e Sandër Vuçiqit do të ndryshonin ose do të ndryshojnë mendje (kundërshtarët e ndryshimit të kufijve) ishte dhe mbetet një ide provinciale ballkanike. Por, ajo që na shqetëson e duhet të na shqetësojë ka të bëjë me faktin se si politikanë të caktuar shqiptarë, si Hashim Thaçi dhe ndihmësit e tij angazhohen për llogari të Serbisë në aventura, të cilat i nxjerrin namin e keq bashkëkombësve të vet. Kjo është jo vetëm e turpshme, por edhe e dënueshme, së paku nga pikëpamja politike dhe morale. Një lider politik shqiptar, i cili për llogari të vetat politike e përfitime personal kërcënon Europën me islamin radikal, siç ka ndodhur me Thaçin, por kujtoj këtu edhe Edi Ramën, është lider anti-shqiptar”, shtoi tutje ai.

Bytyçi më tej ka theksuar se nëse do të kishte prokurorë të pavarur, mund të ngrihej një aktakuzë, në të cilën do të duhej të përfshihej akti i tradhtisë kombëtare me tentimin e ndarjes së Kosovës.  Por, sipas tij, kjo nuk mund të ndodhë, sepse prokurorët kanë lidhje politike dhe nuk janë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë.

“A mundet dhe a duhet dërguar për hetime dhe ndëshkim penal? Kjo është një pyetje e ndërlikuar, sepse është zor t’i përgjigjesh. Por, nëse do të kishte prokurorë të pavarur, të cilët do të merrnin të gjitha deklaratat dhe do të shtinin në dorë të gjitha provat në Kryeministri e Presidencë, mund të ngrinte një akt-akuzë. Brenda kësaj akt-akuze do të duhej të përfshihej edhe akti i tradhtisë kombëtare me tentimin e ndarjes së Kosovës. A mund të ndodhë kjo? Nuk shoh që prokurorët e Kosovës të jenë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë. Kanë frikë. Kanë lidhjet politike, që i pengojnë. Nuk duan të prishin rehatinë e tyre për interesat e Kosovës! Shkurt, nuk shoh as vullnet, as guxim, as përkushtim në këtë drejtim. Por, të kishte iniciativa të tilla spiunët e Serbisë në ekranet e televizioneve shqiptare do të bënin më shumë kujdes kur flasin e cicërojnë në emër të interesave të Beogradit”, ka përfunduar Enver Bytyçi.

“Thaçi nxitës i shkëmbimeve territoriale”

Image

Blerim Burjani

Ndërsa, juristi Blerim Burjani, ka potencuar se marrëveshja Kosovë-Serbi ka të bëjë me dialogun Vuçiq – Thaçi, sepse Thaçi ka nxitur temën e shkëmbimeve territoriale.

“Marrëveshja Kosovë – Serbi nuk ka të bëjë me fenomene të tjera të paraqitura në Kosovë, por me dialogun Vuçiq –Thaçi. Këta të dy kanë negociuar me vite. Thaçi ka nxitur temën e shkëmbimeve territoriale dhe ka lobuar. Ajo temë tani është e mbyllur, pra nuk ka faktor tjerë ndikues përveç bisedimeve Thaçi-Vuçiq, tani nuk ka rëndësi fare më. Thaçi nuk është në dialog më, pasoja për shtetin e Kosovës nuk ka pas. Pra, nuk ka pas marrëveshje Kosovë-Serbi për shkëmbime, kjo histori është mbyllur”, deklaroi Burjani.

Gëzuar 22 Nëntori, Dita e Alfabetit Shqip!

0
Ahmet Asani, Zvicër
▪︎Me rastin e 113 vjetorit të themelimit të alfabetit të gjuhês shqipe, në qytetin e Manastirit, përshëndes dhe percjell urimet më vellazerore gjithë shqiptarëve në Atdhe e Diasporë!
▪︎Shfrytëzoj nga rasti që në këtë ditë të shënuar, t’a përshëndes vendlindjen time Kumanovën, qytet i cili në v.1908, në mungesë të abetareve, kishte bërë vet abetaren e parë për nxënësit e shkollës së parë shqipe në Kumanovë!
▪︎Përshëndes gjitha gjeneratat e atdhetarëve që kontribuan për hapjen dhe mbrojtjen e shkollës, gjuhes e flamurit kombëtar shqiptar!
Gëzuar!
Kan være et bilde av 6 personer

Shkupi në vitin 1912 kishte 80 për qind shqiptarë, sot kanë mbetur në përqindje simbolike!

0
Nga Sheradin Berisha
Një histori e hidhur në 109 vjetorin e pavarësisë!
Vilajeti i Kosovës u formua në vitin 1877 dhe përfshinte një sipërfaqe të gjerë gjeografike prej 32.900 km katrorë. Brenda kufirit administrativ të Vilajetit të Kosovës bënin pjesë gjashtë sanxhaqe: Sanxhaku i Prishtinës, i Shkupit, i Prizrenit, i Jeni Pazarit, i Pejës dhe i Tashllixhes (Plevljes).
Sipas shënimeve zyrtare të Perandorisë Osmane të shpallura në gazetën zyrtare të qeverisë së atëhershme Osmane ‘La Turquie’ (maj 1878), thuhet se Vilajeti i Kosovës i kishte 1.199.154 banorë, ndërsa sipas statistikave turke të viteve 1896 dhe 1900, Vilajeti i Kosovës kishte një popullsi të përgjithshme prej 996.738 banorësh. Sipas regjistrimeve të viteve 1896-1900, Sanxhaku i Shkupit kishte 324.982 banorë.
Bazuar në regjistrimet osmane të vitit 1900, vetëm kryeqendra e Vilajetit të Kosovës – Shkupi, i kishte 4.682 shtëpi me afër katërdhjetë mijë banorë, pjesën më të madhe të të cilëve e përbënin shqiptarët myslimanë.
Ndërkaq një dokument i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Italisë, të zbuluar në arkiva nga historiani Skënder Hasani, 106 vjet më parë (në vitin 1912) Shkupi, kryeqendra e Vilajetit të Kosovës popullohej me 80% shqiptarë. Kishte rreth 50 mijë banorë, prej të cilëve 40 mijë ishin shqiptarë, katër mijë bullgarë dhe 150 serbë dhe të tjerë. Historiani Hasani ka thënë se ky dokument është shumë argumentues, sepse informatat dalin nga një zyrtar (këshilltar) në Kuvendin e qytetit të Shkupit. Në brendësinë e këtij dokumenti argumentohet prejardhja ilire e popullatës shqiptare në Shkup, si dhe përfshin periudhën e fundit të sundimit të Perandorisë Osmane. Në aspektin demografik nga ky dokument kuptohet se Shkupi historikisht – në vazhdimësi ka qenë me shumicë shqiptare.
* * *
“Menjëherë pas pushtimit të Shkupit nga serbët në vitin 1912, qeveria serbe ka nisur jetësimin e projektit të tyre ku përmes reformës agrare kanë sjellë kolonë nga ‘Shumadia’ dhe brendia e Serbisë dhe mes dy luftërave botërore ndjeshëm e kanë ndryshuar strukturën e popullsisë…” ka thënë Hasani.
Në këtë dokument thuhet se, gjatë luftës së dytë botërore Shkupi ka pësuar një ngritje të madhe të popullsisë, gjegjësisht në Shkup dhe rrethinë kishin ardhur mbi 40 mijë kolonë. Në vitin 1943-1944 Shkupi numëronte 87 mijë banorë, prej të cilëve 33 mijë ishin shqiptarë. Pas luftës së dytë botërore, saktësisht në shkurt të vitit 1953 me marrëveshjen jugosllavo – turke (Tito-Kypërli), nga Shkupi dhe rrethina shpërngulën shumë shqiptarë.
Në këto bisedime Titoja ka thënë: “Do të ishte në interes të të dyja vendeve që të punojmë për harmoninë e popujve në të ardhmen. Kjo do të thotë se nuk do të na ngarkojë fare e kaluara. Sa u takon shqiptarëve të religjionit musliman në Kosovë dhe Maqedoni, atyre përmes vizave që do t’u lejohen nga Qeveria e Juaj (turke), do të kenë mundësi të integrohen me familjet e tyre që i kanë andej në Turqi. Ato lidhje familjare janë krijuar shekuj me radhë. Për mënyrën e vizave të pasaportave, ne nuk do të vendosim, por ne do të përkujdesemi që të keni sa më tepër kërkues. Atyre u nevojitet t’u sigurohet pasuri tokësore, sepse afër 90% e tyre janë bujq… Besoj se deri në vitin 1959 atje do të keni përafërsisht një milion qytetarë bujq të zellshëm. Kështu flasin informatat nga terreni, për të cilat ne kemi punuar që nga viti 1951… Bartja le të fillojë nga Shkupi, sepse prej andej shqiptarët ndjehen më të sigurt që të lëvizin. Kosovarët janë më të egër, por do të përkujdesemi që të natyralizohen aty për fillim…” .
Në vitet 1950-1966 u formuan komisione të posaçme, me qendër në Shkup, që paraqiteshin në opinion duke u ofruar ndihmë dhe kushte lehtësuese atyre që do të shpërnguleshin në Turqi.
Gazeta “Nova Makedonija” e Shkupit ndërmjet muajve janar 1956 – janar 1957 i botonte emrat e 2.976 kryefamiljarëve, familjet e të cilëve po shpërnguleshin në Turqi. Qyteti i Shkupit, veçanërisht stacioni i tij hekurudhor, ishte dhe mbeti nyja më e rëndësishme tranzitore e largimit të shqiptarëve drejt tokës së panjohur turke.
Pas tërmetit të vitit 1963 që goditi Shkupin e deri më sot, regjimet jugosllave – maqedone sollën mijëra sllavo-maqedon nga Egjeu dhe Europa Lindore, të cilët ngritën në mënyrë enorme popullatën sllave në Shkup dhe nga këto politika antishqiptare, shqiptarët u dëmtuan shumë në përbërjen e popullsisë në këtë qytet të lashtë shqiptar. Dhe, Shkupi nga një qytet me 80% shqiptarë, sot ka mbetur me një përqindje simbolike!
***
EDHE PRILEPI ME QYTETET E TJERA LINDORE TË MAQEDONISË PËR NJË SHEKULL JANË PASTRUAR NGA SHQIPTARËT!!
Në një reportazh të gazetës “New York Daily Tribune”, datë 3 maj 1903 me titull “Konfliktet etnike ballkanike” shkruan se në Prilep, shqiptarët, turqit dhe bullgarët kanë qenë afërsisht të barabartë në numër.
“Ne shkuam për një shëtitje rreth qytetit. Kur ra terri na thanë se ne nuk duhet të jemi jashtë. Roje ruanin derën e dhomës sime dhe shkallët gjithë natën. Rëndësia e kësaj ishte se Prilepi është qendra e zonës ku shqiptarët, turqit dhe bullgarët në numër janë thuajse të barabarta. Nëse unë dal para një shqiptari ose turku, i cili nuk është në humor të mirë, ndonjëherë ndodh që ai të drejtojë pistoletën drejt meje. Këtë mund të bëjnë dhe burrat bullgarë për të tërhequr vëmendjen e disa prej kombeve të mëdha në çështjet e Ballkanit. Në mëngjes ne u larguam nga qyteti dhe hasëm në një kazermë ushtarake të madhe, më të madhe sesa ajo që mund të gjendet në afërsi të ndonjë qyteti të SHBA-ve. Rreth nesh dhe para nesh ecnin ushtarët, ndërsa përpara dhe në kodrinat përreth, ushtarët mbikëqyrnin rrugën. Patrullat kalorësish me 20-200 njerëz ishin të zakonshme. Kohë pas kohe me vete ata bartnin edhe të burgosur të lidhur me zinxhirë. E tillë është situata në Maqedoni edhe në linjat hekurudhore, jo vetëm në rajonin e Prilepit, por në çdo krahinë”, shkruan gazeta “New York Daily Tribune” e vitit 1903.
– Por, ku janë sot shqiptarët që kanë pas jetuar në Prilep?
– Çka ndodhur me ta?
– Në Prilep sot shqiptarë kanë mbetur vetëm në disa fshatra si Zhitosha, Cërnëlishtja etj. Të tjerët janë zhdukur, janë asimiluar e shpërngulur. Trena të mbushur me shqiptarë i dërgonin ata për në Eldorado.
Historianët sqarojnë se menjëherë pas përfundimit të Luftës së parë Ballkanike shqiptarët që kanë jetuar në Prilep dhe në qytetet e tjera lindore të Maqedonisë i kanë shpërngulur me dhunë për në Turqi.
“Menjëherë pas luftës së parë Ballkanike shqiptarët u shpërngulën për në Turqi, ndërsa një pjesë ortodokse që mbeti u asimiluan. Ata shpërngulen, detyrohen me dhunë nga administrate serbe, ndërsa pjesa tjetër për ti shpëtuar shpërnguljes janë asimiluar. Aty kalonte linja hekurudhore Prilep-Manastir-Selanik dhe vazhdonte për Turqi. I kanë transportuar me trena, i kanë dëbuar me dhunë”, thotë për gazetën “Lajm” historiani, Nebi Dervishi.
Historiani Skënder Hasani thotë se shpërngulja e shqiptarëve që kanë jetuar në qytetet e Maqedonisë lindore ka vazhduar edhe pas luftës së parë ballkanike. “Ka qenë marrëveshja turko-Jugosllave për shpërnguljen e shqiptarëve. Ne kemi të dhëna që tregojnë se jo vetëm Prilepi, por edhe Krusheva dhe Velesi kanë qenë të populluara me shqiptarë. Numri i shqiptarëve në këto qytete ka qenë i përafërt ose edhe më i madh se i komuniteteve të tjera”, sqaron Hasani.
Sot në Prilep, shqiptarët jo vetëm që nuk janë shumicë, por në qytet ata numërohen me gishta. Për një shekull Prilepi është “pastruar” nga shqiptarët. Pastrimi etnik ka ndodh edhe në disa qytete të tjera të Maqedonisë Lindore.
(Burimi: Para 100 viteve shqiptarët ishin shumicë në Prilep)

Arab Times (1990) / Thirrja e Leka Zogut I për lirinë e Kosovës

0

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Nëntor 2021

“Arab Times” ka botuar, të martën e 30 janarit 1990, në faqen n°6, thirrjen e Mbretit Leka Zogu I për lirinë e Kosovës, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 Thirrje për lirinë e Kosovës

Burimi : Arab Times, e martë, 30 janar 1990, f.6

Bruksel, 29 janar (Reuter) : Pretendenti në mërgim (ekzil) për fronin shqiptar, “Mbreti” Leka, bëri sot thirrje për pavarësi për krahinën jugosllave të Kosovës, ku policia qëlloi për vdekje shqiptarët etnikë gjatë demonstratave të fundjavës.

“Në vitin 1913 Kosova ishte viktimë e copëtimit të territorit shqiptar. Mbi të gjitha, ajo është bërë një republikë e pavarur, krejtësisht më vete”, tha Leka në një intervistë për gazetën belge “La Dernière Heure”.

“Kosova, një enklavë prej 1.7 milionë shqiptarësh etnikë kryesisht myslimanë në Republikën Jugosllave të Serbisë, duhet të bëhet përfundimisht pjesë e Shqipërisë”, tha Leka.

Tani jeton në Afrikën e Jugut me gruan dhe djalin e tij, por Leka ishte vetëm dy ditësh kur një pushtim gjerman dhe italian (në fakt italian) detyroi të atin, Mbretin Zog, të ikte nga Shqipëria në vitin 1939.

Leka, i cili thotë se synon të përmbysë regjimin stalinist të Shqipërisë për t’i hapur rrugën demokracisë së stilit perëndimor, ishte në Bruksel në një turne në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara për të mbledhur (marrë) mbështetjen e të mërguarve shqiptarë për një kryengritje.

 * Aurenc Bebja, Francë), Blogu © Dars (Klos, Mat – Albania), : https://www.darsiani.com/la-gazette/arab-times-1990-thirrja-e-leka-zogut-i-per-lirine-e-kosoves/.

Dhjetë vjet të punës së suksesshme dhe përmbajtësore të SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi

0


Nga XHAVIT ÇITAKU

Ängelholm, Suedi, 20.11.2021

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi i XI Albani” në Suedi (SHSHASHS) shënoi dhjetëvjetorin e veprimtarisë së saj të begat në fushën e krijimtarisë letrare dhe artisitike. Në këtë ditë të madhe jo vetëm për krijuesit e vyer të kësaj shoqate, morën pjesë një numër i madh edhe i mbështetësve dhe donatarëve që ishin shtyll e fort për mbnarvajtjen dhe aktivitetin përmbjtësor e këtij asosacioni krijues. Në fillim të këtij eventi me një minut heshtje u nderuan anëtarët që tashmë kanë shkuar në amshim.
Libri “ Thesari Kombëtar..” është një eciklopedi për shqiptarët në Suedi
Pas përshëndetjes që ua bëri të pranishmëve nikoqiri i këtij tubimi të rëndësishëm, Rrahman Rrahmani, arkëtar i Kryesisë, fjalën e mori Kryetari i kësaj shoqate Hysen Ibrahimi, i cili ndër të tjera tha se Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi i XI Albani” në Suedi, gjatë një dekade ka botuar njëmbëdhjetë libra të “Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi” me mbi shtatë mijë faqe material me vlerë e peshë kombëtare.

Në këta libra janë përfshi i gjithë aktiviteti i madh, mundi e sakrfica e njerëzve vullnetmirë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi. Është fond i gjerë i këtij libri që tashmë janë arkivuar edhe në arkivat shqiptare dhe në institucionet më të larta shtetërore në Kosovë, Shqipëri, Iliridë por edhe në bibliotekat dhe në shkolla suedeze. Më tej ai spikati me konstatimin e shumë njohësve të kohës se ky “Thesar” është një enciklopedi për shqiptarët në Suedi, ndaj në historinë tonë kombëtare vend të rëndësishëm duhet të këtë edhe kjo shoqatë dhe kjo vepër e madhe që do të mbaj gjurmë të një aktviteti të madh të zhvilluar nga bashkatdhetarët tanë në këtë vend të largët. I gjithë aktiviteti i pandërprerë që është zhvilluar me dekada është i bazuar në mijëra dokumente, pastaj janë përfshi të gjitha ndihmat që janë për Kosovën, referime e opinione, intervista, promovime, publikime të mediave, aktivitete e fotografi nga ngjarjet e rëndësishme të shqiptarëve dhe për shqiptarët në mërgatë. Janë organizuar edhe sesione shkencore, në të cilat kanë kontribuar me punimet e tyre intelektual të shquar shqiptar, por edhe të huaj. Libri “Thesari Kombëtar…” do të vazhdoj rrugëtimin e tij edhe me numra të tjerë, duke pasuar në këtë mënyrë fondin librar shqiptar , i cili në të ardhmen do të përkthehet edhe në gjuhë të tjera, posaçërisht në atë suedeze. Në fund Hysen Ibrahimi falenderoj të gjithë anëtarët, mbështetësit dhe donatorët që ndikuan në suksesin e madh që ka arritur kjo shoqatë tashmë e njohur në të gjitha trojet etnike shqiptare, në mërgatë dhe jo vetëm.

Model më i mirë se si punohet për atdhe dhe si duhet atdheu

Bashkimi i mendjeve të ndritura të shqiptarëve rreth Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi i XI Albani” në Suedi, për dhjetë vjetë pune e aktiviteti ka ndikuar në pasurimin shpirtëror e mendor të mërgatës shqiptare kudo në botë, duke kultivuar kulturën, artin, gjuhën, traditën dhe historinë, si argumenti më i mirë për të vazhduar këtë rrugë të trasuar nga gjeneratat e ardhshme. Kjo shoqatë mbajti në këmbë krenarinë kombëtare dhe vlerat e larta shqiptare. Me punën e juaj të madhe, në të mirë të kombit dhe atdheut, jeni bërë pararojë e mërgatës sonë në Evropë. Për ne jeni modeli më i mirë se si punohet për atdheun dhe si duhet atdhu. Duke iu përgëzuar për këtë përvjetor të veprimtarisë suaj, në radhë të parë kombëtare, në krijimin e unitetit dhe dashurisë ndërmjet mërgimtarëve, në emër të Bibliotekës Popullore Shqiptare “Akademik Mark Krasniqi”, në Gjermani, tha kryetari i saj Maxhun Smajli.

Bilanc i pasur veprash atdhetare, social- kulturore, arsimore, artistike dhe të traditës

Ndërkaq, Viron Kona, anëtar nderi i shoqatës, shkrimtar e publicist i shquar nga Shqipëria, tha se 10- vjetori i themelimit të shoqatës sonë është një ngjarje dhe gëzim i madh yni, por edhe për të gjithë bashkëkombësit tanë shqiptarë në Suedi, në Kosovë, Shqipëri, në të gjitha trojet shqiptare dhe në mërgatë. Kjo ngjarje merr edhe më shumë vlerë e shkëlqim, sepse në këtë përvjetor shoqata vjen me një bilanc të pasur veprash atdhetare, social- kulturore, arsimore, artistike dhe të traditës. Kontributet dhe veprat tuaja kanë emra konmkret, ato janë qindra libra të botuara nga anëtarët, të cilat, të mbledhura bashkë, përbëjnë një buqetë lulesh të freskëta me aromë humanizmi e shqiptarie, ndërkohë që mes tyre lartësohet vepra madhore e shoqatës “ Thesari Kombëtar”, i cili e jep shkëlqim
të dukshëm gjerdanit të artë shkrimor të shoqatës. Në këto dhjetë vjet, sjell në kujtesë përvojën e mrekullueshme të krijuar nga ju në dobi të arsimit shqip në Suedi, e materrializuar kjo, veçanërisht në tekstet e shkruara nga ju, ato shkollore, shkencore, artistike, leksografike, vizatimore etj, e ku shfaqet kujdesi dhe veprimtarinë tuaja teorike e praktike për të mbajtur gjallë dhe vazhdimisht të freskët gjuhën e bukur shqipe dhe mësimin e saj nga fëmijët dhe të rinjtë. Më tej ai lartëson veprimtaritë e shoqatës që janë të panumërta, përfshi këtu edhe ato të 100 vjetorit të pavarësisë, ato folklorike dhe etnografike, që kanë burim popullin shqiptar në shekuj, veprimtaritë me karakter shkencor e mëmedhetarë, festivalet e poezisë, ekspozitat figurative, ato të veshjeve, të simboleve kombëtare, konceret me raste festash, vepritaritë e përbashkëta me institucionet suedeze në fusha arsimore e kulturore, atom me karakter integrues e dhjetra të tjera që tregojnë nivelin e lartë, zotësit organizative dhe vizionet e përparuara të anëtarëve të shoqatës sonë. Kombi dhe shoqëria shqiptare, do t’ju jetë vazhdimisht mirënjohës për këto vepra dhe veprimtari të kryera, që kanë në themel atdhedashurinë, vëllazërimin, bashkimin dhe ardhmerinë, përfundoi fjalën e tij Viron Kona.

Qindra libra të botuar në zhanre të ndryshme

Se vërtetë kjo shoqatë ka zhvilluar një aktivitet të pasuer e me përmbajtje tregojnë qindra libra të botuara në zhanre të ndryshme si në fushën letrare e artistike, shkollore, shkencore, leksikografike e vizatimore të shkruara nga anëtarët e saj,, . Një numër i madh i anëtarëve për herë të parë filluan të shkruajnë libra në mërgim, për të cilën gjë ka ndikuar edhe jeta e rëndë mërgimtare. Promovimi i këtij fondi kaq të madh krijimesh, të vlerësuara lartë nga kritika letrare, është bërë në të gjitha trojet shqiptare dhe kuptohet edhe në Suedi. Po ashtu vetëm gjatë këtij eventi u promovuan pesëmbëdhjetë libra nga anëtarët e vyer të kësaj shoqate.
Në këtë manifestim u mbajt edhe një orë letrare në të cilën me poeszitë e tyre u paraqiten, Albina Ibrahimi, Donika Sallahu, Luiza Gashi, Adnan Jetullahu, Fetah Bahtiri, Isuf Bajraktari, Emine Hoti, Hysen Ibrahimi, Selami Çitaku, Fahredin Berisha, Remzi Basha, Bedri Paci. Një duartrokitje frenetike morën fëmijët Edward Krasniqi, Bertina dhe Lorian Imeri për interpretim të shkëlqyeshëm të recitalit “Në zemrën time”. Të njëjtën përshtypje lanë edhe dy vajzat e reja Albina Ibrahimi dhe Donika Sallahu.
Suksesi i shoqatës i lidhur ngusht me emrin e Kryetarit Hysen Ibrahimi
Osman Ahmetgjekaj, Rexhep Jashari, Avdyl Uka, Isuf Bajraktari, Idriz Gashi, Ramadan Hyseni, Emine Hoti, Afërdita Avdyli, Fetah Bahtiri, Remzi Basha, Adem Ahmeti, Isak Bunjaku, Afërdita Hoti dhe folës të tjerë pasi shprehen fjalë admirimi për punën e madhe që ka zhvilluar Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi i XI Albani”, në suksesin e saj të deritashëm e lidhën me emrin e përveçëm të kryetarit të kësaj shoqate z. Hysen Ibrahimi.
Pjesëmarrësit e këtij manifestimi i argëtuan këngëtarët Afërdita Avdyli, Robert Hoti, Premtim Krasniqi, Astrit Shkupolli, Burhan Beqiri, Elton Krasniqi dhe Selami Çitaku.
Për punën e tyre të pakursyer që dhanë anëtarët, mbështetësit dhe donatorët u ndanë dhjetra dekorata.

Jehona e veprës heroike të Adem Jasharit në diplomacinë botërore dhe lidhjet e familjes Jashari me Lahutën e Malcisë të At Gjergj Fishtës

2

Nga: Frank Shkreli

Përshëndes organizatorët e këtij tubimi: Kryetarin e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skënderbej”, Zotin Mark Qehaja, me bashkëpunëtorët e tij të Shoqatës, e cila me krenari mban emërin e Kryetrimit dhe të Përgjithëmonshmit të Kombit Shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, si dhe Shkollën Shqipe “Alba Life” – Ambasador i Kombit. U falënderoj përzemërsisht për ftesën. Gjithmonë qofshi faqebardhë!

I am humbled and so honored to be here with one of the greatest friends of the Albanian nation, His Excellency Ambassador William Walker. I don’t know what would have happened if Ambassador Walker had not gone to Reçak that cold day of January 1999. We newd more ambassadors like William Walker — to speak the truth to the World. Ambassador Walker may God give you health and a long life, so that you may continue to be a Witness.

And Mark Gjonaj, our Councilman – how great is this place for our community – the best thing that has ever happened for the Albanian-American community. You have given a voice to this community, like never before. Thank you for your exemplary service to our community.  God bless you, and w wish you the best in whatever new endeavor you decide to pursue, my friend!

Të nderuar pjesëmarrës: do preki, shkurtimisht, dy tema: Jehonën që bëri vepra heroike e Adem Jasharit në diplomacinë botërore, perëndimore – dhe frymëzimin e fuqishëm që familja Jashari si dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjetën në veprën “Lahuta e Malcisë” të At Gjergj Fishtës, një ndikim idesh dhe ndjenjash të forta që besoj se mund të kenë gjallëruar dhe ngritur aftësinë vepruese të UÇK-së dhe të udhëheqësit moral dhe komandantit legjendar të saj, Adem Jasharit.

Pak kohë më parë më tërhoqën vëmendjen deklaratat e historianit të njohur shqiptar, Profesor Jusuf Buxhovit në një intervistë, me Blendi Fevziun në programin “Opinion”. Ai tha se në takimet me amerikanë, pas “paralajmërimit të Krishtlindjes” i Presidentit Xhorxh Bush në vitin 1992: sipas tij, u ishte thënë përfaqësuesve të Kosovës, se “deri tani keni bërë rezistencë institucionale, me fjalë të tjera deri tani keni bërë “politikë pa luftë dhe kështu do të vazhdoni”. Por do vijë koha që “do bëhet luftë-pa politikë”, sipas historianit Buxhovi.

Duke folur për librin e tij të fundit, ai shtoi se amerikanët i kishin thënë grupit të intelektualëve kosovarë të asaj kohe se: “Ne do t’i kontrollojmë të dyja”, politikën dhe luftën. Kjo u është thënë shqiptarëve të Kosovës që në vitin 1992,- shtoi ai. Sipas Prof. Buxhovit, përveç amerikanëve edhe gjermanët ishin, “vendosmërisht”, të interesuar të stimulonin disa grupe të armatosura, madje i kanë ushtruar e stërvitur ato,- tha Buxhovi, duke shtuar se ka qenë vetë pjesëmarrës në ato bisedime. Bazuar në dokumentat që posedon, Prof. Buxhovi tha se, definitivisht, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë qenë të interesuara që t’i stimulojnë disa grupe të armatosura në Kosovë. “Lufta e diplomacisë do të këthehej tani në diplomaci të luftës”,- citon ai zyrtarët amerikanë, të kenë thënë në takimet me elitën kosovare të atyre viteve.

UÇK-ja ka qenë e orientuar shumë kah Perëndimi dhe larg grupeve terroriste dhe si e tillë, ajo ka qenë e interesuar që të ruhej uniteti i brendshëm kombëtar”,- tha në bisedën e tij me gazetarin Blendi Fevziu, historiani Buxhovi dhe njëri prej pjesëmarrësve në takimet e para me zyrtarët amerikanë dhe gjermanë, që në fillim të 1990-ës dhe më vonë.

Dy ngjarje, kanë bërë jehonën heroike të veprës së Adem Jasharit për liri, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e diplomacisë perëndimore dhe medias ndërkombëtare. Ndër të tjera, ishin dy skena krimesh kundër njerëzimit dhe një takim diplomatik me UÇK-ën, para ndërhyrjes së NATO-s:  ngjarje këto që ndodhën brenda një viti e që ndryshuan epokën dhe bënë kthesën e madhe për Kosovën dhe për Kombin shqiptar. Masakra e Reçakut, lufta heroike dhe vrasja e Adem Jasharit me familje dhe takimi i Ambasadorit Holbrooke me përfaqësuesin e UÇK-ës, Hajdin Abazi. “Kishte ardhur, pra, koha për luftë, pa politikë”. “Lufta e diplomacisë do të kthehej në diplomaci të luftës”. Ky ishte momenti i jehonës së veprës dhe sakrificës së Adem Jasharit, familjes së tij dhe UÇK-ës.

Historiani Buxhovi tha në intervistën e tij se, UÇK-ja ishte e orientuar kah Perëndimi. Unë nuk di se kush mund të jetë më properëndimor se At Gjergj Fishta.  Dikush mund të pyesë, po ç’kanë të përbashkët familja Jashari dhe At Gjergj Fishtën?

Të dy këta, Adem Jashari dhe Gjergj Fishta – burra dhe shtylla të fisit shqiptar, njani me urti në mendje e tjetri me trimëri në zemër – me të njëjtin mendim e me të njëjtin qëllim. Ka ardhë koha, pra, t’ia kthjellojmë shqipes kujtesën: Ndoshta pak njerëz e dinë se At Gjergj Fishta, nëpërmjet Lahutës së Malcisë, është i lidhur ngushtë me familjen Jashari dhe me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I pari i familjes Jashari -Shaban Jashari – e kishte mësuar përmendësh të gjithë Lahutën e Malcisë të Gjergj Fishtës (pasi ishte e ndaluar në atë kohë) dhe e recitonte në familje dhe në odat e burrave, sipas një burimi të historianes amerikane Anna Di Lellio. (“Sacred Journey to a Nation: The Construction of a Shrine in Postëar Kosovo Anna Di Lellio, Independent Scholar and Stephanie Schwandner-Sievers School of Slavonic and East European Studies, UCL, London”.) Ishte në odën e burrave të familjes Jashari aty ku Ademi i ri ka dëgjuar më së pari recitimet e babait të tij, nga Lahuta e Malcisë e At Gjergj Fishtës.

Takimi i Përfaqësuesit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Z. Bill Clinton, Ambasadori Riçard Holbrooke me Hajdin Abazin, anëtar i UÇK-ës, në kryeqendrën e UÇK-ës në Junik, 24 qershor 1998 – rezultat i jehonës së veprës heroike të Adem Jasharit në korridoret e fuqive të mëdha perëndimore.

Fatkeqësisht, për shkak të shtrembërimit të historisë nga historianët nostalgjikë të komunizmit kombëtar dhe ndërkombëtar, nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, shumë njerëz nuk dinë se i Pari i familjes Jashari, Shaban Jashari – i uritur për mësim e dije, për lexim e shkrim – i mori njohuritë e para në gjuhën shqipe nga mësuesit që kishte dërguar Ernest Koliqi anë e mbanë trojeve shqiptare, përfshirë Drenicën. Madje ai shërbeu edhe si mësues për një kohë, megjithëse nuk kishte përgatitjet e duhura, por as pajtimin me regjimin e ri komunist të asaj kohe, as miratimin e tyre.

Jam i sigurtë se, përveç familjes së Jasharëve, ka shumë raste të tjera frymëzimi nga vargjet e At Gjergj Fishtës, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por dua të përmend vetëm edhe rastin e Heroit kombëtar Agim Ramadani. Bashkëshortja e Heroit legjendar, Zonja Shukrije Ramadani, me një rast ka treguar për dashurinë e bashkëshortit të saj për poezitë e Fishtës, duke thënë se para se ishte nisë për në betejën e fundit, Agim Ramadani, sipas saj, kishte marrë me vete kasetën me poezinë e At Gjergj Fishtës, recituar me zërin e Reshat Arbanës. “Deshta me ju lanë një kujtim”,- tha ajo.  “Agimi, kur u nis për në luftë, nga gjithçka që mori me vete, ishte një kasetë, në të cilën kishte të regjistruara me zërin e Reshat Arbanës, poezitë e Fishtës së Madh. Kur e pyeta pse po e merr, ai më tha: – “Shiqo.  Ky është zëri i Atdheut, zëri që na ndihmon, na jep shpresë, na jep fuqi, që të vazhdojmë luftën ashtu siç duem, deri në çlirimin e plotë të Atdheut. Me atë zë (të Fishtës) ai u dha zemër ushtarëve të tij në betejat më të forta që u zhvilluan në luftën çlirimtare të Atdheut tonë”, -ka thënë Shukrije Ramadani.

Qëndresa dhe sakrifica sublime e familjes së Adem Jasharit i kishte rrënjët thellë në shqiptarizëm të pastër fishtjan, ashtu siç i kishte edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe jo në ndonjë lëvizje majtiste, ose terroriste siç mund të pretendojnë edhe sot disa mendje të humbura.  Ishte kjo trashëgimi, sakrificë dhe vendosmëri e një populli dhe e komandantit legjendar, për të siguruar lirinë, njëherë e përgjithmonë. Ishin, pra, sakrifica dhe lufta e Adem Jasharit që, më në fund, bëri jehonën që tingëlloi në veshët e diplomacisë perëndimore për angazhim serioz ushtarak të NATO-s , vepër, e cila, përfundimisht bëri që, “Lufta e diplomacisë (së deri atëhershme) të kthehej në diplomaci të luftës”, për çlirimin përfundimtar të Kosovës nga pushtuesi serb.

Shqiptarët sot janë me dy shtete të pavarura, Shqipërinë dhe Kosovën. Jemi të mbledhur sot këtu për të festuar Pavarësinë e Kombit:  ditëlindjen e komandantit legjendar të Kombit, Adem Jasharit dhe njëherazi kujtojmë edhe 150-vjetorin e lindjes së Poetit kombëtar, At Gjergj Fishtës.  Sipas të dhënave edhe babait shpirtëror të Familjes Jashari dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, Adem Jashari dhe At Gjergj Fishta kanë një porosi për shqiptarët: sidomos për klasën politike aktuale në Tiranë dhe në Prishtinë. Komandanti legjendar Adem Jashari, besoj se do të urdhëronte: Mjaft me intrigat dhe me flirtimet me të huajt që nuk ia duan të mirën Kombit shqiptar dhe boll me sjelljet tragji-komike të brendshme politike, tepër të rrezikshme ndaj interesave kombëtare. Gjergj Fishta do të paralajmëronte për rrezikun e përbrendshëm!  “Shqyptarë! Atdheu nuk mbahet me dokrra e me pallavra, por me fli e me punë”. At Gjergj Fishta.

Dëshmori i Kombit Agim Ramadani për At Gjergj Fishtën: “Ky është zëri i Atdheut, zëri që na ndihmon, na jep shpresë, na jep fuqi, që të vazhdojmë luftën ashtu siç duem, deri në çlirimin e plotë të Atdheut”.

Të gjithë së bashku: shqiptarë nga të gjitha trojet e fisit tonë arbëror para Altarit të Atdheut në këtë log të kuvendit të “Mbledhur bijt e Shqipërisë përpara këtij Alltari të madh të Atdheut! Faluni! Përunjuni përpara këtij Senotafi të shenjtë! Adhuroni shpirtërat e Dëshmorëvet! Dhe lavduroni këtë ditë madhështore!  Gëzohuni o shqiptarë të arratisur në çdo anë të botës. Këndoni ju zogjt e bukur e fluturoni në qiellin e Shqipërisë! Lulëzoni ju fusha! Gjëmoni ju male! Buçitni ju lumenj dhe dete të Shqipërisë!  Bekonani ju o Dwshmorët e shenjtë t’Atdheut. Kurajo, durim dhe shpresë, Ti Shqipëria irredente!” (Ilia Dilo Sheperi).

Ju falënderoj nga zemra dhe ju përshëndes me fjalët e Ilia Dilo-Sheperit!

Gëzuar Pavarësia!

 

00:00
01:43

Terror i ri, i përgjakshëm, e tronditë Jerusalemin: Hamas e lavdëron vrasësin

0

Edhe një akt terrorist i zhvilluar ndaj civilëve izraelitë në Jerusalem. Foto: AP Photo/Mahmoud Illean.

Një palestinez i veshur si një hebre ultra-ortodoks ka qëlluar për vdekje dy izraelitë në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit. Terroristi u vra nga policia.

NTB-AFP raporton se Qyteti i Vjetër i Jerusalemit Lindor u rrethua pas incidentit terrorist dhe siguria u rrit. Kjo sipas gazetës Haaretz.

Dy civilët izraelitë që u sulmuan u dërguan në spital. Një burrë rreth të 30-ave, i cili u qëllua në kokë, vdiq më vonë nga plagët që i kishte marrë. Për burrin e dytë, një 46-vjeçar, gjendja është serioze.

Grupi islamik Hamas, i cili kontrollon Rripin Palestinez të Gazës, e përshëndet sulmin si “një operacion heroik.”

Grupi ende nuk distancohet nga vrasjet arbitrare të civilëve, por theksoj në një deklaratë se është e ligjshme të kryesh atë që e quan “luftë rezistence” me çdo mjet të nevojshëm.

Sipas Hamasit, kjo do të vazhdojë «derisa fuqia pushtuese sioniste të dëbohet nga të gjitha vendet tona të shenjta dhe nga të gjitha territoret tona».

Shumëcka sugjeron se Hamasi është pak a shumë i përfshirë në incident, Ministri i Sigurisë i Izraelit Omer Barlev i referohet keqbërësit si një anëtar i Hamasit.

Terroristi ishte banor i Jerusalemit Lindor dhe, sipas policisë, ishte i armatosur me një mitraloz.

Dy sulme për një kohë të shkurtër

Të shtënat ndodhën pranë Murit Perëndimor, i njohur gjithashtu si Muri i Pikëllimit, në hyrje të Qytetit të Vjetër të Jerusalemit Lindor të dielën në mëngjes.

Ka qenë për një kohë të gjatë një situatë shumë e tensionuar në zonë, pjesërisht si rezultat i polemikave në lidhje me hyrjen në faltoret që myslimanët dhe hebrenjtë i konsiderojnë të rëndësishme në fenë e tyre.

Të shtënat të dielën janë sulmi i dytë në Qytetin e Vjetër historik të Jerusalemit brenda një kohe të shkurtër. Të mërkurën, dy policë izraelitë u goditën me thikë nga një 16-vjeçar palestinez. Të dy u shtruan në spital. Terroristi i ri u qëllua dhe u vra.

E duan Jerusalemin Lindor si kryeqytet

Palestinezët kanë qëndruar pas dhjetra sulmeve kundër civilëve izraelitë dhe forcave të sigurisë në vitet e fundit. Ndonjëherë përdoren thika, ndonjëherë armë zjarri dhe ndonjëherë njerëzit, mes të cilëve edhe forcat izraelite të sigurisë, janë shkelur me  makina.

Është një rast shumë brutal terrori.

Popullsia e Jerusalemit Lindor është kryesisht palestineze, dhe disa palestinezë e duan zonën si kryeqytetin e tyre në një shtet palestinez që përbëhet nga Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës. Për të arritur këtë qëllim, ende përdoret terrori i përgjakshëm, shpesh kundër civilëve.

Shumë do të pyesin veten se çfarë mendojnë krerët palestinezë se mund të arrijnë me këtë. document.no

Kryeministri Kurti hapi edicionin e 23-të të Turneut ndërkombëtar të boksit “Adem Jashari”

0

Prishtinë, 21 nēntor 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka hapur edicionin e 23-të të Turneut ndërkombëtar të boksit “Adem Jashari”, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë.Kryeministri Kurti në fjalen e hapjes tha se sikur edhe sportet e tjera luftarake, edhe sporti i boksit reflekton traditën tonë në fushën e sportit, por edhe historinë e suksesit, rezistencës dhe luftës së vendit tonë.

Ky turnir sportiv, që padyshim reprezenton suksesin e sportit vendor, sipas kryeministrit,  tregon edhe shumë çka tjetër për vendin dhe popullin tonë.  Emërimi i tij, “Adem Jashari”, shënon sakrificën dhe flijimin e Familjes Jashari që sot është simbolika e Pavarësisë së popullit tonë, tha kryeministri, ndërsa shtoi se organizimi i parë i këtij turniri daton që nga viti 1999, dhe po vazhdon traditën e mbajtjes në vendin e njëjtë, në Prishtinë.Dhe e treta, siç tha kryeministri Kurti, kjo ngjarje reprezenton punën dhe mundin e sportistëve, trajnerëve dhe punëtorëve sportiv të cilët pa ndalur, ndër-gjenerata e breza të tërë kanë zhvilluar sportin e boksit në vend, duke i vazhduar kështu sukseset e kampionëve shqiptarë të periudhës së ish-Jugosllavisë.

Kjo nuk është vetëm ngjarje sportive, ky turnir është pjesë e historisë tonë, që edhe kësaj radhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe nën organizimin e Federatës së Boksit të Kosovës po zhvillohet nën patronatin e Kryeministrisë së Kosovës. Kjo traditë duhet vazhduar, e duhet përgëzuar cdo vit.

Kryeministri ju uroi mireseardhje të gjitha shteteve pjesëmarrëse në këtë ngjarje, ndërsa sportistëve ju uroi suksese në finalet e sotme, në ring të boksit.Turniri  ndërkombëtar i boksit “Adem Jashari” që ështē organizim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Federatën e Boksit të Kosovës, po zhvillohet nën patronatin e Zyres së Kryeministrit.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:I nderuari Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku,I nderuari president i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Ismet Krasniqi,I nderuari kryetar i Federatës së Boksit të Kosovës, z. Enver Krasniqi,E nderuara zëvendësministre e Sportit, znj. Daulina Osmani,Të nderuar ish-boksierë, ish- kampionë të vendit tonë,Të nderuar sportistë pjesëmarrës dhe ju të tjerë të pranishëm,Të nderuar miq të cilët keni ardhur prej jashtë Kosovës në këtë turnir kaq të rëndësishëm,Unë e kam kënaqësinë e jashtëzakonshme që të jem këtu me ju, me rastin e hapjes së edicionit të 23-të të turneut ndërkombëtar “Adem Jashari”, i cili kësaj radhe po zhvillohet në Prishtinë, këtu në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, në vatrën e zhvillimit të sportit vendor, e në të cilin unë si spektator kam ardhur qysh në moshën 10 vjeçare.Sikur edhe sportet e tjera luftarake, edhe sporti i boksit reflekton traditën tonë në fushën e sportit, por edhe historinë e suksesit, rezistencës dhe luftës së vendit tonë.Ky turnir sportiv, që padyshim reprezenton suksesin e sportit vendor, tregon edhe shumçka tjetër për vendin dhe popullin tonë:Filluar nga emërimi i tij, “Adem Jashari”, kjo ngjarje është thirrje patriotike, që shënon kryengritjen dhe flijimin e Familjes Jashari që sot është simbol i çlirimit i Pavarësisë e i bashkimit;

Organizimi i parë i këtij turniri të rëndësishëm në vendin tonë daton që nga viti 1999, po në të njëjtin vend, në qytetin e Prishtinës – këtu ku po zhvillohet edhe kësaj radhe. Kjo ngjarje e inicuar e themeluar nga legjenda e boksit kosovar, Aziz Salihu së bashku me shokët e tij.Dhe e treta, kjo ngjarje përfaqëson punën dhe mundin e sportistëve, trajnerëve dhe punëtorëve sportivë të cilët pa u ndalur, ndër-gjenerata e breza, kanë vazhduar sportin e boksit në vend, duke i vazhduar kështu sukseset e kampionëve shqiptarë të periudhës së ish-Jugosllavisë.
Kjo nuk është vetëm një ngjarje sportive, ky turnir është pjesë e historisë tonë, që edhe kësaj radhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë edhe të Sportit, dhe nën organizimin e Federatës së Boksit të Kosovës po zhvillohet nën patronatin e Kryeministrisë së Kosovës. Kjo traditë duhet vazhduar, e duhet përgëzuar për cdo vit.
Me lejoni të ju uroj mireseardhje të gjitha shteteve pjesëmarrëse në këtë ngjarje madhështore, të cilat gjatë ditës së djeshme kanë vizituar Kompleksin Memoral “Adem Jashari” në Prekaz e ku nga afër kishin mundësinë të njoftohen më shumë me historinë më të re të vendit tonë.Për fund, ju uroj suksese sportistëve të cilët në finalet e sotme, në këtë ring të boksit, do të tregojnë përgatitjet, shkathtësitë dhe forcën sportive.Le të fitojnë më të mirët.Ju faleminderit dhe shumë suksese.​