Kreu Blog Faqe 1488

Filozofia përbën kodin gjenetik të mendimit shkencor. Ky kod e ka një emër të mirënjohur: Shpirti kritik

1

Nga Prof. Blerim Latifi, Prishtinë

  • Me rastin e Ditës Botërore të Filozofisë

Hegel : Institucionet e lira politike dhe filozofia shkojnë dorë për dore! Liria e mendimit dhe liria politike janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme me njëra tjetrën! Filozofia është shfaqur në skenën e historisë vetëm atëherë kur kanë lindur institucionet e lira politike.

I

Filozofia ka një histori të gjatë, e cila shtrihet në harkun kohor të dhjetëra shekujve, prandaj, nisur nga kjo pikëpamje, është vështirë të jepet një përkufizim brenda të cilit do të mund të përmblidhej e gjithë tradita e mendimit filozofik.

Termi filozofi, sikurse dihet, është sajuar në Greqinë e Lashtë, por domethëniet që i janë përshkruar këtij termi kanë ndryshuar në rrjedhën e shekujve. Këto domethënie gjenden në vetë historinë e filozofisë, por ajo që është më rëndësi të theksohet është se në shumësinë e këtyre domethënieve mund të dallojmë dy koncepe themelore të filozofisë: konceptin e filozofisë si emër i përbashkët për dituritë e një kohe dhe konceptin e filozofisë si një degë e veçantë e diturisë apo njohjes.

Koncepti i parë ka dominuar në pjesën më të madhe të historisë së filozofisë, deri në fillimet e Idealizmit Gjerman.

Sikurse vëren filozofi amerikan Richard Rorty, me Kantin ndodhë kthesa e profesionalizmit të filozofisë, që nënkupton shndërrimin e saj një profesion të veçantë, të dallueshëm nga profesionet tjera të diturisë. Nga Kanti e tutje filozofia nuk është më ombrella nën të cilën futen të gjitha dituritë, as e ashtuquajtura mbretëresha e shkencave, por një mënyrë e veçantë e mendimit dhe e njohjes, e cila i ka çështjet e sajm dhe fushën e saj të përkufizuar të hulumtimit. Kanti mendonte se kjo fushë përbëhet prej tri çështjeve themelore : çështjes epistemologjike, çështjes etike dhe çështjes estetike. Me fjalë të tjera filozofia ka për detyrë të përgjigjet në tri pyetje : çfarë mund të njohim? çfarë mund të bëjmë? çfarë mund të shpresojmë?

E gjithë filozofia postkantiane, në mënyra të ndryshme, merret me këto detyra të përcaktuara nga Kanti. Në këtë kontekst, sot, të jesh filozof do të thotë të kesh një kompetencë diskursive në fushën e njohjes, në atë të etikës dhe atë të estetikës. Secila prej këtyre tri fushave pastaj diversifikohet në rryma e drejtime të ndryshme teorike. Për shembull: të marrim çështjen e njohjes. Angazhimi filozofik në këtë çështje mund të marrë formën e filozofisë së shkencës ose të filozofisë së religjionit.

II

Më lart e bëmë dallimin midis filozofisë si emërtim i përbashkët për të gjitha dituritë dhe filozofisë si degë e veçantë e diturisë?

A kanë diçka të përbashkët këto dy koncepte? Sigurisht që kanë. Jo vetëm emrin formal, por edhe diçka substanciale. Kjo diçka është mendimi kritik.

Filozofia, gjatë gjithë historisë së saj, është dalluar nga format tjera të mendimit njerëzor, pikërisht përmes dimensionit të mendimit kritik. Mendimi kritik parasegjithash nënkupton qëndrimin e mospranimit të të vërtetave të gatshme. Nënkupton shqyrtimin e një të vërtete para pranimit të saj si të tillë. Ky shqyrtim në filozofi merr formën e shqyrtimit logjik dhe racional. Dekarti në tekstet e tij “Ligjërata mbi metodën” dhe “Parimet e filozofisë”, e paraqet në mënyrën me të mirë thelbin e kriticizmit filozofik. E vërteta nuk është një e dhënë e gatshme. Ajo duhet të gjurmohet me instumentet e mendimit të lirë. Filozofia fillon aty ku ndahet çështja e autoritetit nga çështja e të vërtetës. Ose thënë ndryshe: filozofia fillon aty ku e vërteta kërkohet dhe përcaktohet në mënyrë të pavarur nga autoriteti, qoftë ky politik ose religjioz. Filozofia fillon me shpalljen e autoritetit të së vërtetës, si kundërvënie ndaj të vërtetës së autoritetit. Kjo gjë është definuar herë si kundërvënie midis kriticizmit dhe dogmatizmit, e herë si kundërvënie midis dyshimit dhe besimit. Pushtetet e ndryshme, qofshin ato politike apo religjioze gjithmonë synojnë që të vërtetat e tyre të pranohen si të vërteta finale, të padiskutueshme, të pacenueshme dhe nëse ky synim i tyre shndërrohet në ligj, atëherë aty shkatërrohet çdo mundësi për zhvillimin e filozofisë. Kjo gjë ka ndodhur në kush e di sa raste gjatë historisë dhe filozofia në po aq raste ka rënë viktimë e të tilla synimeve. Pushtetet sajojnë ideologjitë për të ruajtur veten. Këto ideologji kanë për qëllim të mirëmbajtjen masën e besimtarëve të pushteteve, do të thotë masën e atyre që e pranojnë pushtetin dhe nuk revoltohen kundër tij. Filozofia lëviz në kahun e kundërt. Ajo, në mënyrë imanente, është e prirur t’i shndërroj besimtarët në dyshues, marrësit e pandërmjetësuar të të vërtetave, në marrës shqyrtues të tyre. Ideologjitë dhe religjionet e organizuara, duke qenë se kanë për qëllim besimtarët dhe jo dyshuesit, gjithmonë janë të prirura drejt politikave të tkurrjes së kapaciteteve të njeriut për të menduar në mënyrë të pavarur . Filozofia synon saktësisht të kundërtën : zgjerimin e këtyre kapaciteteve. Në këtë pikëpamje, filozofia është edukim në mendimin logjik dhe autonom. Filozofia është ngritje në nivelin më të lartë e lirisë së mendimit. Shelingu e thotë në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë : Liria është fillimi dhe qëllimi i filozofisë. Do të thotë: ajo lindë nga liria e njeriut dhe i shërben asaj. Në rradhë të parë, lirisë së mendimit, e pastaj edhe lirisë si praktikë sociale e politike.

Edhe Hegeli e thotë të njëjtën gjë në veprën e tij “Leksione mbi Historinë e Filozofisë”: “Institucionet e lira politike dhe filozofia shkojnë dorë për dore! Liria e mendimit dhe liria politike janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme me njëra tjetrën! Filozofia është shfaqur në skenën e historisë vetëm atëherë kur kanë lindur institucionet e lira politike”.

Po çfarë kupton Hegeli me institucione politike të lira?

Ai e ka fjalën për ato institucione të cilat nuk i kundërvihen të vërtetës racionale, e cila përbën substancën e mendimit filozofik. Në këtë pikëpamje, të jesh filozof do të thotë të përdorësh lirinë e mendimit në mënyrë racionale dhe të angazhohesh edhe në mbrojtje të lirisë si praktikë sociale dhe politike. Indiferenca e filozofit ndaj fatit të institucioneve të lira politike është braktisje e etikës së filozofisë, në mos tradhëti e saj.

A ka ndodhur ndonjëherë kjo tradhëti ndaj etikës së filozofisë?

Sigurisht që po. Ka shumë raste që filozofët kanë hequr dorë nga lidhja filozofi-institucione të lira dhe janë rreshtuar në taborrin e ideologjieve të ndryshme politike e religjioze, të cilat e kanë shkatërruar lirinë. Ata janë shndërruar nga kritikues të dogmave e miteve në apologjet të tyre. Julien Benda e quan këtë fenomen “tradhëtia e intelektualëve”.

Por ne po flasim për tradhtinë e filozofëve? Sigurisht, ama përkufizimi që Benda u bën intelektualëve është një përkufizim që u përshtatet edhe filozofëve. Benda i quan intelektualë ata që flasin për botën në mënyrë transcendentale. Mënyra trasncendentale të folurit është mënyra e vetë filozofisë. Të flasësh në mënyrë transcendentale mbi botën do të thotë të mendosh mbi të i pavarur nga kushtet dhe interesat e saj. Do të thotë të kërkosh të vërtetën i pandikuar nga interesat e ndryshme. Do të thotë të kesh për interes vetëm të vërtetën. Kur filozofi apo intelektuali ia nënshtron interesin e të vërtetës ndonjë interesi tjetër politik, religjioz apo ekonomik, atëherë ai kryen aktin e tradhëtisë ndaj filozofisë. Atëherë ai shndërrohet, siç thotë vetë Benda, në lojtar të pasioneve politike, prapa të cilave gjithmonë qëndrojnë interesat pushtetore. Kemi rastin e Hajdegerit. Në vitin 1927 ai botoi njërën nga veprat më të rëndësishme në gjithë Historinë e Filozofisë Perëndimore, veprën “Të Qenit dhe Koha”. Vetëm pak vite më vonë ai pranoi të bëhej shërbëtor i sistemit nazist, duke u bërë rektor i Universitetit të Freiburgut. Kemi rastin tjetër, atë të filozofit hungarez Gjergj Lukaç. Një filozof që shkruan tekste të arrira në fushën e estetikës, befas një ditë ulet dhe shkruan tekste filozofike në të cilat bëhet apologjia e sofistikuar e stalinizmit. Ka plot raste të tjera. Jogjithëherë filozofët i kanë rezistuar joshjes së pushtetit dhe kanë përfunduar duke bërë punën e pandershme të ideologut të tij. Kështu ata, siç thotë Morin, nga kritikues të miteve, janë shndërruar në sajues të tyre. Të përdorësh filozofinë për të sajuar mite, do të thotë të tradhtosh vetë origjinën e saj, e cila lidhet me emancpimin e mendimit njerëzor nga shpjegimi mitik i botës. Ky emancipim së pari ka ndodhur në Greqinë e Lashtë. Ishin grekët e lashtë të cilët morrën guximin për të zhvilluar një pikëpamje mbi zanafillën e botës të ndryshme nga pikëpamjet mitike. Grekët mahniteshin mbi botën në të cilën jetonin. Ata mendonin shumë për zanafillën e kësaj bote dhe një ditë vendosën që të mos pajtoheshin me ato që tregonin mitet dhe legjendat e tyre mbi këtë zanafillë. Grekët guxuan të mendojnë se natyra mund dhe duhet shpjeguar vetëm përmes natyrës. Ky guxim bëri të mundur lindjen e natyralizmit, metodës e cila qëndron në themel të filozofisë dhe vetë shkencës.

Natyralizmi metodologjik i grekëve të lashtë është revolucioni ma i madh intelektual në historinë e njerëzimit. Ky revolucion i ka tri etapa të mëdha : çlirimin e natyrës nga shpjegimet mitike, çlirimin e institucioneve sociale nga shpjegimet mitike dhe çlirimin e konceptit të zotit nga përmbajtjet natyralisto-antropomorfike. Shkencat e sotme të natyrës, shkencat sociale, por edhe teologjia, e kanë zanafillën në këto tri çlirime intelektuale.

Kështu mund të thuhet se filozofia përbën kodin gjenetik të mendimit shkencor. Dhe ky kod e ka një emër të mirënjohur: shpirti kritik.

Kryeministri Albin Kurti priti në takim të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Giacobbe

0

Prishtinë, 18 nëntor 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe Shefin e Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, zhvilloi takimin e rregullt javor me të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Giacobbe, i shoqëruar nga zyrtarja për çështje politike, Mia ter Haar.

Në këtë takim të rregullt, kryeministri Kurti dhe i ngarkuari me punë në ambasadën e ShBA-ve, Giacobbe diskutuan për zhvillimet në vend, bashkëpunimin në mes dy vendeve dhe për procesin e bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për angazhimin e saj për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që në qendër të saj ka njohjen reciproke dhe nga e cila përfitojnë popujt dhe qytetarët e dy vendeve.

I ngarkuari me punë në ambasadën e ShBA-ve, Giacobbe shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës, sidomos në lidhje me strehimin e qytetarëve afganë në Kosovë. Falë këtij bashkëpunimi, sot në mëngjes edhe 54 qytetarë afganë që kishin gjetë strehim të përkohshëm në Kosovë tashmë kanë udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të filluar jetën e tyre të re. Ai po ashtu tha se ka mirëpritur ftesën e Qeverisë amerikane për Kosovën në Samitin e Demokracisë.​

“Çfarë buzë kanë puth buzët e mia, dhe kur, dhe pse”

0

Edna St.Vinsent Millei

” Çfarë buzë kanë puth buzët e mia, dhe kur, dhe pse”
(Sonet XLIII)

Çfarë buzë kanë puth buzët e mia, dhe kur, dhe pse,
Kam harruar, dhe çfarë duar janë shtrirë nën kokën time gjer në mëngjes; por shiu është plot me fantazma sonte, që trokasin dhe psherëtijnë
Mbi qelqin dhe presin me vëmendje të dëgjojnë përgjigje,
Dhe në zemrën time trazon një dhembje të qetë
Për çunat e harruar mos të kthejnë përsëri tek unë me një klithmë në mesnatë.

Kështu në dimër qëndron druri i vetmuar
As që di çfarë zogj janë zhdukur një nga një
Por di degët e veta më të heshtura se përpara:
Nuk mund të them çfarë dashurish kanë ardhë e kanë shkuar,
Unë vetëm di që vera këndoi në mua
Për pak kohë, dhe nuk këndon në mua më.


Përktheu: Vera Xerxa
Londër 18 nëntor 2021

Les Amoureux – Të dashuruarit

nga Man Ray

Rreth librit ”Varri i fshehtë” të Petraq Kolevicës

0
Ilir Canhasi, Suedi
Bozhidari që kishte ardhur nga ish – Jugosllavia të ”ndihmonte” Shqipërinë nuk e kishte harruar Selim Zymen, inxhinierin/topografin që me 1921 ishte në komisionin ndërkombëtar të kufijve së bashku me gjeneralin italian Eriko Telini.
Atentatit që i shpëtoi në fund të vitit 1923, që i bënë grekët ku mbeti i vrarë gjeneral Telini, nuk mund ti shpëtoi diktaturës komuniste ku e pushkatuan pa gjyq më 1947.
Në këtë roman me ngjarje të vërteta të autorit Petraq Kolevica mësoni edhe historinë e dhimbshme të grave të tyre austriake, gjermane e të tjera ku ata ishin martuar me to gjatë studimeve jashtë atdheut dhe kishin vendosur të jetonin së bashku në Shqipëri.
Kur zonja Hilda pas 15 vitesh tortura nga komunistët kthehet në atdheun e vetë me ndihmën e konsullit austriak, me shkeljen e parë të tokës aty i kujtohet Ismeti kur ishte ulur në gjunjë për ta puthur tokën shqiptare pas kthimit nga Austria, dhe ajo ulet në gjunjë dhe puth tokën austriake.
Libër që më përloti disa herë kur lexon vuajtjet e tyre, vuajtje që i bëri të lotonin edhe mësueset dhe nxënësit kur zonja Hilde ( gruaja e Selimit) tregoi historinë e saj në Vjenë, e nuk vonoi shumë, të nesërmen edhe gazeta e Vjenës doli me titullin e shkrimit: “Një përrallë e vërtetë nga lindja”.
Dëshira e fundit e zonjës Hilda për vajzën e saj Ismetin e mbetur në Shqipëri vjen nga letra e dërguar nga vëllau i saj Eni që kishte mbetur në Austri dhe shpëtuar torturave ishte se ajo një ditë duhet ti tregojë botës vuajtjet që pësoi familja jonë nga sistemi komunist në Shqipëri.
E gjithë bota po mëson tani hollësisht krimet e masakrat që bënë nazistët e Hitlerit në të gjithë Europën kundër popullit hebre.
Mos është hakmarrje kjo?
Jo! Libermann thotë;
”Nuk kërkojmë gjak, por drejtësi! Sot ka rëndësi vdekja morale e kriminelëve të djeshëm”.
Mos e leni pa lexuar këtë libër, libër që ju bënë të kuptoni se sa të thjeshta dhe të vogla janë problemet tona.
“Nuk jam fajtor ndaj atyre që u vranë, por e ndjej veten fajtor, sepse nuk kam bërë asgjë për ta. Ne e kemi për detyrë të punojme për të gjithë të vrarët”, – thotë Solzhenicin.

Fëmijët e tyre u vranë nga kriminelë pedofilë të rritur

0

Aurel Dasareti

Fëmijët e tyre të vegjël e të ëmbël të pafajshëm janë zhdukur përgjithmonë. Ata vogëlush dhe vogëlushe u masakruan dhe u vranë nga kanibalë të ndyrë, nënat e të cilëve nuk duhej t’i kishin lindur, por t’i kishin abortuar.

Tani prindërit e mbijetuar po luftojnë për mbrojtje më të mirë ligjore dhe të drejta për të afërmit.

Marie ka treguar se si është të shtrihesh në dyshemenë e banjës në pozicionin e fetusit, kur ankthi paralizon, lotët shteren – pastaj mungojnë dhe malli i bën copë-copë ditën e re. Kur qan si një fëmijë i vogël dhe nuk është në gjendje të ndalë ulërimat. Ajo tregoi për ditën e tre viteve më parë, kur mësoi se vajza e saj Elisabet, vogëlushja e mirë shtatëvjeçare që tregohej bujare me përqafimet, e cila ishte lart e poshtë, që i pëlqente të hidhej në shtrat pas gjumit, u gjet pasi kishte munguar për pesë ditë. E goditur me thikë, përdhunuar dhe vrarë. Vajza, një 7-vjeçare e cila ishte për një vizitë fundjave te gjyshërit e saj, kishte qenë në dyqan gjatë rrugës së kthimit. Ajo nuk u kthye në shtëpi më 23 qershor 2015.

…Nëna e saj qëndron në një dhomë pritjeje në sallën e gjyqit në qytet. Përballë saj janë disa gra dhe burra të rritur. Ata janë të gjithë të mbijetuar të cilëve u është vrarë fëmija gjatë viteve të fundit. Ata kërkojnë dënimin me vdekje për përdhunuesit-vrasësit e fëmijëve. Duan që takimi i tyre me drejtësinë të jetë ndryshe nga tani e tutje. Ata duhet të përballen me drejtësi, dinjitet dhe respekt. Ata kanë nevojë për informacion më të mirë dhe ndihmë për të kaluar përmes gjyqësorit…

Pas vrasjes së vogëlushes së tyre nga ai bir kurve prej kanibali , Marie dhe bashkëshorti i saj kanë shpenzuar energji jo vetëm për punë për interesat e prindërve që u kanë vrarë fëmijët, por edhe për prindër të cilët janë më të shqetësuar se fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë sot duhet të kenë një përditshmëri të sigurt…

Jam i inatosur dhe i provokuar si është e mundur që shteti shqiptar (shoqëria) toleron të mbeten në liri kanibalët vrasës dhe pedofilët…

https://www.syri.net/kronike/465320/videolajm-fjalet-prekese-te-nenes-se-mateos-do-jem-ketu-cdo-dite/

https://www.syri.net/kronike/465314/familjaret-e-mateos-nisin-mbledhjen-e-firmave-kerkojme-varjen-e-autorit/

Për një komb të caktuar, për këso vrasjesh makabre duhen gjetur ligjet që i përshtaten.

Keqardhje për “Botën Islame” që nuk e ka ende një filozof si Niçe

2
Ibrahim Kelmendi, shkrimtar, Gjermani
KEQARDHJE PËR “BOTËN” ISLAME – NUK E KA ENDE NJË NIÇE
[Edhe për hir të Ditës ndërkombëtare të Filozofisë!]
Kur trajtoj tematikat që i përmbajnë islamistët si protagonistë, pothuajse përherë më shkaktohet mrekulllimi që ma dhuron Filolozofi Fridrih Niçe (Friederich Nietsche) me veprën e tij “ANTIKRISHTI. Mallkim Krishterimit!” [Origjinali: “Der Antichrist. Fluch auf das christenthum”]. Ky mrekullim përbehet nga shumë arsye, të cilat kur filloj t’i konkretizoj, më ngjajnë në lëmsh me fije të humbur. Më kryesori është guximi i atëhershëm iluminist i Niçës.
Këtë kryevepër Niçe e ka shkrua në vitin 1888, ndërsa i është botuar gjashtë vite më vonë (1894). Atëherë pra, para 133 vjetëve, në Gjermani dhe në Europë kishte censurë dhe kërcënim pothuajse më të ashpra, nga kleri e besimtarët katolikë, se tani nga islamistët në Avganistan. Ende dominonte kleri kristian, edhe pse Iluminizmi dhe Renesanca Europiane kishin përparuar shumë. Prandaj edhe botuesit e atëhershëm trembeshin që ta botonin “Antikrishtin…”, siç janë frikësuar në rastin tim, 128 vjet më vonë, kur kërkoja botues për ta botuar veprën time: “Islami – religjion agresiv(?!)”. Megjithatë: nuk kam has në informim se Niçe është kërcënuar siç jam kërcënuar për veprën time.
Këtë Vepër të Niçës fatmirësisht e kemi edhe në shqip, të shqipëruar nga Taulant Hatia, e botuar nga “Plejad”në Tiranë në vitin 2009. I ka vetëm 84 faqe. Megjithatë si kryevepër, është përkthyer, e botuar dhe ribotuar në qindra gjuhë dhe në dhjetra milionë ekzemplarë.
Qysh kur fillova të frekuentoja ligjëratat e filozofisë në Ruhr-Universität në Bochum (Gjermani), në vitin 1977, pata dëshirë ta shqipëroja “Antikrishtin…” e Niçës. U dorëzova shpejt sepse Niçe shquhej për stil filozofik tepër të ngjeshur, më shumë përmbatje të thellë misionare iluministe. Fatkeqësisht nuk i zotëroja as shqipen as gjermanishten, sa të isha i sigurt se do ta shqipëroja mirë (ndërsa dramën e Bertolt Brecht’it “Jeta e Galile Galileut” pata guxuar ta shqipëroj.).
Vlera ekstra e “Antikrishtit…” është: Niçe ka qenë filozofi i parë klasik, i cili Krishterimin e ka kritikuar deri në palcë, duke e diskualifikua e diskreditua si ideologji agresive, amorale, shpëfytyruese, shoviniste…
Niçe, duke e përvijuar konceptin e shkrimeve të tij pararëndëse, i ka zgjeruar kritikat e tij ndaj Krishterimit, të cilave u jep një mprehtësi e thellësi të panjohur deri atëherë. Në gtekst të ngjeshur ai kritikon Krishterimin, i cili është themeluar nga “shën” Pali (Paulus) dhe që, ndër të tjera, i pat shkatërruar edhe trashëgiminë e lashtësisë “greke” dhe romake, pasi ia doli t’i imponohet Perandorisë Romake, në vitin 380, si religjion i vetëm, “zyrtar”, i shoqëruar me agresivitet e dhunë tejet fashistoide! Për më tepër, Niçe i bën një interpretim origjinal psikologjik Jezusit. Ai flet kundër etikës kristiane për dhembshuri, sulmon edhe filozofinë gjermane, e cila sipas tij, ndikohej e varej shumë nga Krishterimi. Diskrediton edhe konceptin judeo-kristian për “një-zot”.
Edhe vet autori Niçe është alarmues në informimin hyrës të Veprës se tij “Antikrishti…”:
“Ky libër u përket pak njerëzve. Ndoshta asnjëri prej tyre ende nuk është lindur. Qofshin nga ata që e kuptojnë Zarathustran time: si mundem unë të ngatërroj veten time me ata që tashmë sapo kanë zënë t’u rriten veshët [për të dëgjuar/kuptuar]? – Vetëm e pasnesërmja më takon mua.” [Origjinali: “„Dies Buch gehört den Wenigsten. Vielleicht lebt selbst noch Keiner von ihnen. Es mögen die sein, welche meinen Zarathustra verstehn: wie dürfte ich mich mit denen verwechseln, für welche heute schon Ohren wachsen? – Erst das Übermorgen gehört mir.“]
Mua më ka impresinuar sidomos diskreditimi që Niçe ua ka bërë filozofëve klasikë: Fichte, Schelling, Schopenhauer, Hegel, Schleiermacher, Kant, Leibniz… “Që të gjithë janë thjeshtë mjegullues!” – ka (ç)vlerësuar Niçe. Energjik ka qenë në kritikën e tij sidomos kundër Kantit, të cilin e ka bërë përgjegjës kryesor për mungesë të distancës se domosdoshme të filozofisë se tij nga Krishterimi.
As unë nuk kam konsideratë ekstra për filozofë që besojnë në “zot”, “zotra” dhe në religjione të çfarëdollojshëm! Ndonjëherë dominohem nga diskualifikimi arrogant: sidomos (pseudo)filozofët, që kanë filozofua pas Galileut, Kopernikut e plejadës se tyre shkencore, por që, megjithatë, kanë besuar e besojnë religjione, nuk janë filozofë, por teologë, të veshur për kamuflim imponues me kostum filozofi…
Niçe ndoshta e ka tepruar me diskualifikim të filozofëve të mëlartëpërmendur edhe si armiq të tij. Ai në kapitullin “për ne – sërish neve”, priftërinjtë dhe teologët i diskualifikon si gënjeshtarë të skllavëruar nga instikti për t’u imponuar sundimtarë, dhe prandaj të gjitha vlerat i kanë përmbys kokëposhtë. Ndërsa filozofinë, sidomos ate gjermane, e diskualifikon si një teologji, por me varacion e mjete tjera, e për qëllim të njëjtë.
Niçe ka qenë energjik kundër spekulimit të filozofëve me “zotin”, të cilit ia kanë zgjat ekzistencën si protagonist gogol, duke e kamufluar edhe si “Ideal” (Spinoza), “shpirt fisnik” (Hegel), “absolutist” (Fichte) apo “gjesënd në vetvete” / “Ding an sich” (Kant dhe Schopenhauer).
Edhe prezantimin glorifikues të Jezusit nga Ernest Renans Niçe e ka diskualifikuar si prezantim tepër naiv. Në të kundërtën, prezantimin diskreditues që ia ka bërë Dostojevski Jezusit, e ka pëlqye.
Po e përmbyll këtë shkrim me citim të Niçës: “… sot është e pahijshme të jesh kristian. […] Edhe me pretendimin më modest për drejtësi, duhet ditur se sot teologu, prifti, papa, jo vetëm që gabojnë në çdo fjali që shqiptojnë, por edhe gënjejnë […] Tashmë edhe prifti e di, siç e dinë të gjithë se nuk ka më ‘zot’, ‘mëkatar’, ‘shpëtimtar’ – se ‘vullneti i lirë’, ‘rendi moral botëror’ janë gënjeshtra […]”
***
Fatkeqësisht “botës” islame i ka munguar dhe po i mungon një Niçe – me ndikim e përmasa të mëdha iluministe, si Niçe në “botën” kristiane. Mund që “botës” islame i ka munguar dhe po i mungon eminenca iluminste intelektuale, prandaj nuk ka qenë në gjendje të nxjerrë e afirmon një Niçe anti-Mohamed, siç ishte Niçe anti-Krisht. Që do të thotë, “bota” mohamedane duhet të jetë mbrapa “botës” kristiane, të paktën rreth 130 vjet, sepse ende nuk kemi vepër anti-mohamedane, siç e kishte “Antikrishtin…” “bota” kristiane në vitin 1894!
PS.:
Keqardhje që shqipëruesit Taulant Hatia i është përvjedh një pasaktësi përmbajesore në nëntillin e veprës së Niçës; e ka shqipëruar: “Mallkim i krishtërimit”. Do të duhej të shqipërohej: “Mallkim Krishterimit!”
Niçe e ka mallkuar Krishterimin, nuk ka evidentura mallkim nga Krishterimi. Origjinali: “Fluch auf das Christenthum”. Përkthim “juridik”: “Mallkim mbi Krishterimin”. Në shqipërim kemi variantin më të sakt e më “poetik”: Mallkim Krishterimit!
AMEN!?

Thaçi prej kohësh ishte në relacione me Serbinë, ai e kontrollonte radikalizmin islamik

0
Idriz MorinaNga Idriz Morina (Bota Sot)

Thaçi në Hagë, bashkëpunimi me BIA-n serbe dhe islami radikal!

Foto ilustrim: Hashim Thaçi kokë më kokë me Putinin!

Është e habitshme se si nuk ka thuajse aspak më probleme me islamin radikal, që kur Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli u burgosën nga gjykata speciale.

Kishte disa vite, që një pjesë e policisë dhe disa media punën kryesore e kishin me islamin radikal.

Pas luftës Kosova çuditërisht është vërshuar nga rite apo sekte të ndryshme islamike, që sillnin mënyra të ndryshme ritualesh, veshjesh, e deri tek mënyra tjetër e jetesës. Nuk ka ende një studim për burimet e këtyre ndryshimeve apo zhvillimin aktual e të mëtutjeshëm të tyre, përveç se disa ngjarje ishin pasojë e hapjes, se bashkë me ndihmat disa shtete e sollën edhe ndikimin e tyre. Por, në tërë këtë zhvillim, më e interesuara për ta përdorur dhe shumëfishuar pamjen e re, ishte Serbia.

Këshillohej nga BIA?!

Deri në luftë, prej shekujsh thuaja, që kur shqiptarët përqafuan islamin, tek ata, ekzistonte një besim dhe sjellje shumë tolerante, kryesisht kjo e ndikuar nga sistemi kanunor i jetesës, që i rregullonte marrëdhëniet mbi bazën e linjës së gjakut, madje edhe martesat, duke ndaluar përzierjen edhe në linjën e nënës deri në shtatë breza, ndërsa në linjë atërore me qindra breza.

Kjo mënyrë jetese tradicionale kishte bërë që të ruhej vëllazëria, dhe shqiptarët e tri besimeve të mëdha të ishin jashtëzakonisht tolerant me njëri-tjetrin, dhe të jetonin pa vështirësi kudo, duke u parë si vëllezër sepse vinin nga e njëjta linjë gjaku.

Për të ndikuar ato grupime të reja u vu pas Serbia, duke pasur infrastrukturën inteligjente dhe njerëzit e gatshëm, përfshirë shqiptarë, qytetarë të lirë apo të manipuluar nga rrjeti inteligjent i saj, që sipas vetëlavdërimeve të ish shefave të inteligjencës së saj, shtrihej deri në nivelet më të larta.

Image

Branisllav Nikoliq, ish këshilltar i Thaçit dhe agjent i BIA-s serbe, tani deputet për herë të dytë

Në koincidencë me këtë, në vitin 2019 bëri bujë lajmi se presidenti i kohës Thaçi e kishte këshilltar një agjent të BIA-s serbe. Ai quhej Branisllav Nikoliq, dhe për çudi ai qe arrestuar së bashku me dy serbë të tjerë, nën dyshimin se po jepnin para për të falsifikuar dëshmi, të trafikimit të organeve njerëzore gjatë luftës. I shkarkuar në qershor, në nëntor do të zgjidhej deputet në Kuvendin e Kosovës, i Listës serbe, për t’u rizgjedhur pa problem sërish në zgjedhjet e 14 shkurtit deputet.

Vasaliteti ndaj Serbisë

Kjo edhe ishte periudha e kulminacionit të raporteve të Thaçit me Vuçiqin. Pjesë e këtij bashkëpunimi, që në fakt ishte vasalitet i Kosovës ndaj Serbisë, duket të jetë edhe imazhi i rënduar i Kosovës me islamizëm radikal. Operacione policore, kërcënime për helmim të liqeneve, dhe lloj-lloj kërcënimesh të tjera, që sot kanë pushuar, çuditërisht.

A mos ishin shumë prej tyre inskenime, në trekëndëshin shërbime inteligjente-polici-grupe kriminale?

Madje kjo propagandë në njërën anë mund të jetë bërë për interesa të Serbisë, që Kosovën ta paraqiste para botës së krishterë si një vend të rrezikshëm, që mund të prodhojë destabilitet si vendburim i ekstremizmit, dhe në anën tjetër për nevoja të veta, meqë ishin nën vëzhgim të hetuesve për krimet e kryera gjatë viteve 1998-2000, ta paraqisnin vetën si shpëtimtarë dhe që ishin të vetmit që mund ta luftonin pa problem ekstremizmin.

Këtë hipotezë time të dytën e konfirmon Hashim Thaçi në nëntor të vitit 2018, në një intervistë për “The Telegraph” kur mundohej ta kërcënonte perëndimin, shtetet që kundërshtonin ndarjen e Kosovës dhe po ashtu shqiptarët që kundërshtonin një marrëveshje të atillë.

“Nëse nuk ka marrëveshje (Kosovë-Serbi për ndryshim kufijsh), atëherë do të ketë një vakum që do të përdoret nga ideologjitë që nuk janë perëndimore”, kërcënonte Thaçi për ‘The Telegraph’, duke aluduar qartësisht në ideologji lindore.

Por, një vit pas arrestimit të tij, askush nuk flet më për islamin radikal, as në media dhe as nuk shihen aksione policie pompoze. Nëse ka raste individuale apo të tjera, me ato merret vetë policia, jo politika dhe mediat.

A nuk është një vit i plotë qetësie. Kjo qetësi a nuk të bën të dyshosh se në organizimin radikal fetar në Kosovë, kishin dorë struktura të dyshimta me pozita shtetërore në bashkëpunim me ‘këshilltarët’ e BIA-s?

A nuk duhet të hetohet se çfarë kishte ndodhur realisht gjatë këtyre viteve me të ashtuquajturin islam radikal!

Pse ishte ky kërcënim kaq i thellë, dhe pastaj asgjë. Asgjë nuk ndodhi!

A mos ndoshta ky kërcënim i Thaçit për ideologji lindore ishte një paralajmërim për mundësi të veprimit të ideologjive sovjetike? Ka mbetur i paharruar takimi i tij me Putinin, diktatorin rus!

Ishte hera e parë, që duke dashur të tregohet se është tejet perëndimor, të kërcënojë (perëndimin) me ideologji lindore! Kjo ishte dhe ende është shumë shqetësuese, sepse nuk ka marrë përgjigje nga shteti i Kosovës. Me shumë gjasë unë isha i vetmi, që i kisha analizuar thuaja deri në imtësi qëndrimet e tij të asaj kohe, duke zbuluar personalitetin e rrezikshëm të Thaçit, ku ai paralajmëronte hapur se po të kishte mundësi se çfarë do të bënte (për fat, ai nuk mund ta sfidonte Amerikën, ashtu edhe ndodhi)!

Thaçi, si një tempullarë!

Me ato mesazhe ai e zbulonte se është prej kohësh në relacione me Serbinë, se radikalizmin islamik, de fakto ai e kontrollonte.

Po në këtë intervistë ai për herë të parë pat folur për një të krishterë në familje, dhe me këtë donte të paraqitej mbase edhe si një ‘luftëtarë’ tempullarë, si dukur në Mesjetë për ta shpëtuar krishterimin! Por, nga kush!?

Shqiptarët nuk e kanë rrezikuar asnjëherë asnjë popull, komunitet e lëre më një qytetërim, përkundrazi kanë ndihmuar duke u vënë në shërbim të plotë thuaja të çdo qytetërimi!

Sigurisht që ai në vetvete llogariste se mund të përdorte levat e pushtetit për ta destabilizuar Kosovën derisa t’i viheshin në ndihmë nga jashtë për këtë destabilitet, si Serbia, Rusia, Arabia, Turqia etj., të cilat vende vlerësohen se janë investitorët kryesorë të islamit radikal në Kosovë.

 

 

Përfaqësimi autentik eleminon asimilimin politik

0

Nail Draga, Ulqin

Diskursi politik

Në sajë të analizës tridhjetëvjeçare te pluralizmit politik, kur bëhët fjalë për përfaqësimin autentik të popujve pakicë në Mal të Zi, del qartë se pushtetit i intereson përfaqësimi sa më formal i partive nacionale në parlament, pa ndikim në vendimmarrje dhe në popullsinë e përfaqësuar, duke injoruar raportin e partneritetit si parim i demokracisë parlamentare, që është në kundërshtim me barazinë qytetare e nacionale sipas standardëve ndërkombëtare

Organizmi i qytetarëve përmes subjekteve politike apo atyre nga shoqëria civile mori përmasa të mëdha mënjëherë pas miratimit të pluralizmit(1990). Dhe nuk ka si të ishte ndryshe, sepse sistemi monist ndalonte organizimin e lirë të qytetarëve, sepse çdo gjë e kishte nën kontroll partia-shtet përmes organizatave te tyre, përmes parullës ideologjike të “vëllazërim-bashkimit”, që ishte fasadë e vendeve të ish kampit socialist.
Nga një politikë të tillë përfide të ideologjisë së kohës më së shumti ishin të dëmtuar kombësitë, që ishte sinonim për pakicat kombëtare, përkatësisht popujt e ndarë. Në ketë aspekt ne pozitë më të pavolitshme ishin ata që ishin numërikisht më të pakët, ku shqiptarët në Mal të Zi, ishin rast tipik i kësaj kategorie. Kemi të bëjmë me kohën e sfidave dhe mbijetesës për ruajtjën e identitetit kombëtar në këtë mjedis.

Propaganda kundër partive nacionale

Nga ana e pushtetit themelimi i partive nacionale nuk është pritur mirë, sepse përmes tyre demaskohej politika moniste në lidhje me çështjet e pabarazisë nacionale për pjesëtarët e popujve pakicë, në Mal të Zi. Ishte koha e mohimit të lirisë se fjalës dhe shprehjes së mendimit, për rreth pesë dekada të kohës së monizmit, me pasoja për pjesëtarët e popujve pakicë. Duke qenë të vetëdijshëm se pluralizmi politik ishte realitet se ka kaluar koha kur të gjithë i kishte nën obrrelen e vet, pushteti u angazhu me propagandë përfide kundër partive nacionale, sidomos për shqiptarët dhe boshnjakët.
Një propagandë e tillë ishte në sinkron me kohën kur shteti i përbashkët ish-Jugosllavia ishte në prag të shkatërrimit si rezultat i politikës hegjemoniste serbe, që si aleat besnik në atë kohë e kishte edhe Malin e Zi.
Të pa përgatitur emocionalisht se koha e monizmit ka përfunduar pushteti nuk kishte guxim të pranojë pabarazinë praktike të popujve pakicë andaj ka munguar shpjegimi nga ana e tyre se cilat ishin arsyet e formimit të subjekteve të tilla politike që ishin në favor të përfaqësimit politik të popujve përkatës në këtë mozaik multinacional.
Pikërisht në rrethana të reja(1991), në vend që DPS-i të kishte qendrim kritik për kohën e kaluar e madje të kërkonin falje ndaj popujve pakicë siç quhen këtu pakicat kombëtare, ata vazhduan kursin e vjetër si në monizëm pa përfillur kërkesat e pakicave. Qendrimi i tillë i ngurtë dhe propaganda ndaj subjekteve nacionale të posaformuara, duke proklamuar konceptin e shtetit qytetar nën vellon e hegjemonizmit dëshmoi strategjinë e pushtetit ndaj subjekteve të tyre!

Koha e mbijetesës dhe fushata antishqiptare

Nëse në monizëm, koncepti i përfaqësimit autentik ishte sintagmë e panjohur, sepse çdo gjë filtrohej nga partia-shtet, me qellim të përfaqësimit formal me pjesëtarë të pakicës kombëtare, me individ me identitet të zbehtë kombëtar. Dhe nga të tillët ku në rend të parë ishte përshtatshmëria politike ka qenë iluzion të angazhoheshin në avancimin e pozitës dhe statusit të shqiptarëve. Edhe pse ka pasur përjashtime, ata ishin të rrallë, sikurse ishte periudha kohore nga viti 1968 e më pas, kur edhe u realizuan disa të drejta të mohuara të shqiptarëve në Mal të Zi. Ndërsa periudha më e errët është koha pas vitit 1981, kur u zyrtarizu politika antishqiptare nga pushteti i kohës, për të luftuar gjoja dukuritë e “nacionalizmit” e “irredentizmit” shqiptarë në Mal të Zi, që pati efekte negative në këtë mjedis, sidomos në fushën e arsimit. Dhe nga një veprim i tillë i pushtetit shqiptarëve iu mohuan edhe ato pak të drejta të realizuara në praktikë, që zgjati deri më miratimin e pluralzmit politik(1990). Ishte kjo koha e mbijetesës së shqiptarëve në hapësirën e tyre etnogjeografike me pasoja shumëdimensionale, që janë të pranishme deri në ditët tona.

Nga opozitë në koalicionin qeveritar

Me miratimin e pluralizmit, përfaqësimi i shqiptarëve filloj të realizohej përmes përfaqësuesve të tyre nga ana e subjektëve politike nacionale. Eshtë tjetër gjë se sa është arritur në këtë drejtim, por angazhimet nuk kanë munguar përmes deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi. Duhet cekur se nga viti 1991-1997, çdo tentim i përfaqësuesve shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi injorohej, sepse kishim vazhdimësi të mentalitetit politik si në monizëm, ndërsa ndryshimi filloj nga viti 1997. Ishte kjo kohë e kthesës politike, me ndarjen në dy pjesë së partisë shtet(DPS), ku shqiptarët për të parën herë u bënë pjesë e Qeverisë(1998), me vendin e ministrit në Ministrinë e popujve pakicë. Duke qenë pjesë e koalicionit qeveritar, disa çështje filluan të ndryshojnë në aspektin pozitiv, por është dashur të arrihet më shumë sepse shqiptarët kanë dhënë kontribut në demokratizimin e Malit të Zi, ndërsa votat e tyre ishin vendimtare në pavarësinë e këtij vendi(21 maj 2006).
Përfaqësuesi i partisë nacionale, në nivele të ndryshme qeveritare duhet të angazhohet për përfaqësim të denjë autentik në resorët përkatës për të dëshmuar jo vetëm përfaqësim nacional por edhe dëshmi profesionale. Andaj subjektët politike duhet të jenë të kujdesshëm kur përzgjedhin individët të cilët duhet të jenë profesionist të dëshmuar dhe të guximshëm për tu ballafaquar me çështjet e ndryshme, e jo oportunist apo vazal të pushtetit, sepse të tillët janë të dëmshëm për subjektin që e përfaqësojnë.

Përfaqësimi autentik obligim e përgjegjësi

Në spektrin politik dallimi ne mes partive politike nacionale e atyre qytetare është se ata nacionale janë në mbrojtje të drejtave të popullatës përkatëse ndërsa ata qytetare janë identike si nga koha e monizmit, me përfaqësim të përgjithshëm të qytetarëve. Nëse ne monizëm ishte rrezik të trajtohej pozita dhe statusi i pakicave kombëtare në pluralizëm një mundësi e tillë është praktike. Pikërisht në lidhje me këtë çështje u themeluan partitë nacionale, që të jenë zëdhënëse e popujve të tyre, për avancim të pozitës dhe statusit të tyre. Dhe nga një moment i tillë na paraqitet edhe sintagma përfaqësimi autentik, që nënkupton përfaqësuesit e partive nacionale, duke eliminuar një mundësi të tillë atyre shqiptarëve që janë në partitë qytetare-malazeze. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse shqiptarët në partitë malazeze nuk kanë trajtuar kërkesat e shqiptarëve për barazi nacionale e qytetare. Më një fjalë ata janë aty për interesa të ngushta personale dhe si të tillë janë të pazëshëm për çështjet preokupuese të popullsisë shqiptare, sepse të tillat sipas tyre janë në ingerencë të partive nacionale. Pikërisht një qasje e tillë dëshmon dallimin ne mes shqiptarëve në partitë qytetare-malazeze dhe ata nacionale!

Injorohet parimi i partneritetit

Në sajë të analizës tridhjetëvjeçare te pluralizmit politik, kur bëhët fjalë për përfaqësimin politik të popujve pakicë del qartë së pushtetit i intereson përfaqësimi sa më formal i partive nacionale në parlament, pa ndikim në vendimmarrje dhe pa efekte pozitive për popullsinë e përfaqësuar, duke injoruar raportin e partneritetit si parim i demokracisë parlamentare.
Madje në këtë linjë nga ana e pushtetit(DPS) janë bërë ndryshime në ligjin zgjedhor(2011) ku pakicave(boshnjake e shqiptare) iu është rezervuar 0.7% e votave të vlefshme për pjesëmarrje në ndarjen e mandatëve që më së shumti mund të jenë 3 mandate deputeti, ndërsa për kroatët kjo përqindje është 0.35%. Nga një formulim i tillë shqiptarët humbën të drejtat e arritura, që u dëshmu nga zgjedhjet vijuese(2012) e më pas. Ndryshimi i ligjit zgjedhor, në favor të popujve pakicë, sipas standardëve ndërkombëtare duhet të jetë obligim shtetëror, sepse vetëm përfaqësimi autentik eliminon asimilimin politik.
Përfundimisht del qartë se pushtetit i konvenon që pakicat të jenë të përfaqësuar sa me pak deputet, e mundësisht edhe ata të jenë formal me kostumin e pushtetit, pa ndikimin e duhur në vendimarrje, ku në një situatë të tillë pakicat humbin peshën e tyre politike, ndërsa pushteti ka realizuar objektivin e vet duke zbehur apo eliminuar identitetin politik të popujve pakicë.

(Nëntor 2021)

Kisha e Janullatosit e greqizon jugun e Shqiperisë

2

Fahri Xharra, Gjakovë

Sikur shqiptarët ortodoks të lexonin këtë libër “ Mitropolia e Korçës” nga Andrea Llukani ( Tiranë 2020 ) do të ishin më shumë shqiptar ortodoks dhe nuk do ti lejoni vetes greqizimin e tyre . Në libër lexojmë :” Korça përmendet në shek. XIII nën zotërimin e një princi shqiptar të quajtur Andrea Muzaka, i cili mbante titullin Sebastokrator. “E piu posedi (il sinjor Andrea Muzachi sebastocrator) e signoreggio la citta di Corizza per insiamo alla villa Sovoiana”. Në pjesën testamentale të kodikut Gjon Muzaka i lë trashëgim djalit të tij, Andrea Muzakës rajonin e Korçës dhe qytetin e Korçës. “Ty Zoti Andria po të le Tomorricën me gjithë katundet Serki, Midigu e Serezi, Duskari, Opari, Lavdari, marjani, Voskopoveci si kam thënë më për tej, shtetin Opari e Lavdari deri tek vendi Marjan i përmendur edhe po të lë krahinën e Devollit të Madh me qytetin Korça e vendin Soviana”. Historia Genealogia della Casa Musachia scrita da Giovani Musachia, Despoto d’Epiro, a

suo figli nel 1510, nel Carles Hopt “Croniques Greco Romanes”, Berlin 1873, pagina 280; Muzaka. Memorje, përkthyer nga Dhori Qirjazi, Tiranë 1996, faqe 42; Arben Gjata, Të dhëna dokumentare për mesjetën e qytetit të Korçës, Tempulli, Nr. 2, Korçë 2000, faqe 46-52; Bashkim Jahollari, Ili Mitkë Qafzezi për qytetin e Korçës, Tempulli, Nr. 1, Korçë 2000, faqe 64. “….

… Më 9 dhjetor 1921 Noli, i shoqëruar nga deputetët Leonidha Frashëri dhe Agathokli Xhitoni bëri një vizitë në qytetin e Korçës, ku u prit mes një entuzjazmi të madh të besimtarëve. Më 10 dhjetor Noli drejtoi mbledhjen e Pleqësisë Kishtare, ku u vendos ndryshimi i emrit nga “Bashkësia Orthodhokse Greke e Korçës”, në “Bashkësia Orthodhokse Shqiptare e Korçës”. Më 21 dhjetor 1921 Noli meshoi në kishën e Mitropolisë së Korçës, por dy klerikë nuk pranuan të merrnin pjesë në meshë, sepse Noli celebroi meshën peshkopale, ndërkohë që nuk ishte shpallur ende peshkop. Gjithashtu edhe deputetët Agathokli Xhitoni, Koço Tasi dhe Sotir Peci e cilësonin veprimin e Nolit të nxituar dhe përdhosje të fesë. Sipas deputetëve Noli duhej të merrej vesh me deputetët ortodoksë, si përfaqësuesit ligjorë të bashkësisë, të priste sa të bëhej kongresi kishtar, i cili do të propozonte të niste një dërgatë në Patriarkanën Ekumenike, e cila do të caktonte dy peshkopë që do të dorëzonin Nolin në gradën peshkopale70. Më 4 dhjetor 1923 Jerotheu dhe Kristofori dorëzuan në gradën episkopale Theofan Nolin (Fig.5) në kishën e Shën Gjergjit në Korçë. Shërbesa u zhvillua me pjesëmarrjen e Ministrit të Jashtëm, Pandeli Evangjeli, kryebashkiakut Vasil Avrami, si dhe të mjaft personaliteteve të tjerë. Sinodi I Shenjtë : Në meshën e datës 12 shkurt 1929 në katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë, Hirësi Visarioni me Hirësi Viktorin dorëzuan në gradën episkopale arkimandrit Vangjel Çamçen, i cili pas dorëzimit mori emrin Agathangjel. Në ceremoninë e dorëzimit merrnin pjesë Kryeministri Koço Kota, deputetë, përfaqësuesi i Mbretit, kolonel Sereqi etj. Visarion Xhuvani foli për vullnetin e Mbretit dhe qeverisë për zgjidhjen e çështjes së Sinodit të Shenjtë. Hirësi Agathangjeli në fjalën e tij, vlerësoi vullnetin e Mbretit dhe të Kryeministrit dhe u zotua që do të plotësonte detyrat e ngarkuara. Më 13 shkurt 1929 Imzot Vizarioni, Imzot Viktori dhe Imzot Agathangjeli dorëzuan në gradën episkopale atë Efthim Konomin, i cili mori emrin Eugjen72.

Mbreti Zog ishte për shqiptarizimin e Kishës Ortodokse Shqiptare

Më 17 shkurt 1929 në katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë u dorëzua në gradën episkopale Thanas Ambrozi ‘ Sipas ligjit për bashkësitë fetare dhe Statutit të Kongresit të Beratit duhej që Sinodi i Shenjtë të pëlqehej nga Mbreti dhe anëtarët duhet të betoheshin para tij. Më 26 shkurt të vitit 1929, Sinodi i Shenjtë bëri betimin para Naltmadhnisë së Tij, Mbretit Zog I dhe u dekretua nga Qeveria Shqiptare. Në mbarim të ceremonisë së betimit të episkopëve e mori fjalën Mbreti, i cili ndër të tjera tha: “Shqiptari lirinë e ka aq të nevojshme dhe të shtrenjtë sa dhe jetën e tij. Si gjithë bota edhe shqiptari lirinë e ka fitue me mundime të çmueshme. Në këtë vepër të randësishme duket edhe mundi i priftnave shqiptarë. Bota le ta dijë se shqiptari, i cili me modesti të plotë respekton të drejtat e popujve të tjerë, nuk lejon dhe nuk i ulet asnji force në botë që do të dhunojë të drejtat që ia ka falë natyra. Mos harroni se në kohën e detyrës së shenjtë, për të cilën jeni ngarkue, para çdo gjaje dhe mbi çdo send duhet të jetë Atdheu”

Na erdhi Enveri i cili me të drejt e quajmë antishqiptar dhe i rrënoi Kishat dhe xhamitë dhe e harroj që: ” Bota le ta dijë se shqiptari, i cili me modesti të plotë respekton të drejtat e popujve të tjerë, nuk lejon dhe nuk i ulet asnji force në botë që do të dhunojë të drejtat që ia ka falë natyra. Mos harroni se në kohën e detyrës së shenjtë, për të cilën jeni ngarkue, para çdo gjaje dhe mbi çdo send duhet të jetë Atdheu”

Por edhe bijt e Katovicës (pas 1991) nuk iu përmajtën këtyre fjalëve :” Mos harroni se në kohën e detyrës së shenjtë, për të cilën jeni ngarkue, para çdo gjaje dhe mbi çdo send duhet të jetë Atdheu”

Tema e sotme është për vazhdimin e Greqisë dhe KOASH-it të sotëm . që Kishën që e rrënoi Enveri Kisha e Korçës e rrënuar nga Enver Hoxha

Pra , në foto është Kjo është Kisha te Mitropolia. Enveri e shkatërroi me 1967. Tani po ndërtohet nga e para por me stil grek. Po pse me stilin grek ? Ne e kemi Kishën tonë Ortodokse, pse të humbim gjurmët tona dhe të greqizohemi në tërësi . Ku janë qeveritarët që nuk guxojnë të bëjnë gëk me gojë ? Në një portal të Korçës e lexova se çka shkruan Lorenc Bellovoda : “Mirdita miq. Kam një shqetësim dhe kërkoj qe dikush te me ndihmoje. Ky rindërtimi i Mitropolisë se shenjte sikur po bije arome ndryshimi. Këto Trancep-tet anësore kane qene me kulm dhe jo me hark. Shoh qe këta restauratorët e kohës po i bëjnë me hark. Mos valle ky quhet kthim ne identitet. Edhe fasadat e vjetra te zbuluara kane forme kulmi dhe nuk janë ne hark. Mos duan ta bëjnë ndonjë kopje te Katedrales duke i fashitur identitetin e kohës ? “.

Ndihma për zt. Lorenc Bellovoda duhet të vjen nga vet Korçarët dhe më gjerë sepse : :” Mos harroni se në kohën e detyrës së shenjtë, për të cilën jeni ngarkue, para çdo gjaje dhe mbi çdo send duhet të jetë Atdheu” . E atdheu është Shqiperia !

Shqiptarët ortodoks të Shqipërisë duhet ta dinë dhe të këmbëngulin që :ORTODOKSIA NUK ESHTE GREQIA !

Shqiptarëve , është duke na u përsëritur historia e fillim shekullit njëzet . Fill pas shpalljes së Pavarësisë (1912 ) ishim shumë të dobët ( as ushtri , as financa e as vetëdije kombëtare ), po sot ?

Sot kur dy flamuj të dy shteteve shqiptare valojnë nëpër botë , i kemi të gjitha por prapë po çalojmë në ruajtjen e asaj që Europa nuk kurseu as para as armë si atëherë ashtu edhe tani ,për të bërë atë që vetëm s`kishim mundur kurrë .

“Që ta ruajmë kujtesën dhe falënderimin për atë që jemi dhe ekzistojmë edhe sot duhet t’i tregojmë botës se kush ishim dhe kush ishin ata që na katandisen në këtë gjendje. Fatkeqësia e jonë më e madhe është që jemi një popull me tri fe ; por edhe kështu si jemi duhet të pajtohemi , të jetojmë dhe të projektojmë ardhmërinë tonë. Është fatkeqësi e madhe se tek popujt ende të pa civilizuar njerëzit mundohen të tregojnë veten me anën e fesë .”

Edhe qarqet ortodokse të Athinës e kanë futur në mendje të shqiptarëve të fesë ortodokse të Shqipërisë se “ Ortodoksia është vetëm Greqia “ Si t`spjegojmë që kjo nuk qëndron ? Si t`binden shqiptarët ortodoks se ortodoksia është vetëm besim fetar e asgjë më shumë?

Ku mbetet shqiptaria ? Mos të harrojmë që flasim shqip disa mijëra vjet para se të shfaqen fetë Abrahamike ? Shqiptar së pari , e pastaj fesë që i takon. Edhe ajo fe , ai besim të jetë vetëm për suazat familjare apo individuale.

Si të binden shqiptarët ortodoks të Shqipërisë se Greqia nuk feja e tyre, se ortodoksia është edhe kur e hap derën e kishës shqip , edhe kur je shqiptar dhe edhe kur flet gjuhën shqipe- gjuhën e lashtë të perëndive. ?

” Mos harroni se në kohën e detyrës së shenjtë, për të cilën jeni ngarkue, para çdo gjaje dhe mbi çdo send duhet të jetë Atdheu”

Më 18.11.2021

Trakalaçët e Tanushës, në Kabash

0

Shënime u morën në Kabash nga Emin Trakalaçi Tanusha. (Shihet në këtë foto).

Feri Arifi, Viti

Të pushkatuarit e Trakalaçët të vitit 1913 nga Tanusha , që ishin në Kabash. Ploja serbe, që ishte pjesë e strategjisë për boshatisjen e këtyre trojeve dhe kolonizimin me popullatë serbo-sllave vazhdoi edhe më tutje me intensitet më të madh.

“Më 28. nëntor 1913, pasi i ranë Kabashit të Vitisë, të njohur si bastion i rezistencës kundër serbëve, forcat serbe rrëmbyen popullatën civile, kryesisht meshkujt, burra dhe ndjemë të rinj, të cilët në një moment të përshtatshëm mund të ishin pjesëtarë të forcave kryengritëse kundër serbëve.

Së bashku me kabashasit vendor, ishin dhe persona që kohë më parë ishin shpërngulur nga Tanusha dhe njiheshin si Lagja e Trakalaçëve të Kabashit nga Tanusha. Forcat terroriste kinse të ”Ushtrisë së shtetit serb”, pasi i “lidhin të marrurit peng, kabashasit, bashkë me ata edhe pesë burrat e lagjes së përmendur, fshatit ia japin zjarrin. Burrat i mbajnë të lidhur në hyrje të Vitisë, tek “Arat e Sllatinëve”, pas një dite i nisin me pretekst se po i dërgojnë ne gjykatë, në Gjilan, ndërsa në të vërtetë ua kishin bërë varret gati, në Kllokot të Vitisë, ku do t’i varrosnin pas ekzekutimit.

Të lidhur dorë për dore me shoka,si pjesë e petkut tradicional shqiptar të cilët shqiptarët e lidhin për brezi dhe e mbajnë si veshje specifike kombëtare, duke shkuar në afërsi të Kllokotit, mulla Haziz Sallah Beqa nga Tanusha, sheh se i kanë përgatitur varret. Pas disa lutjeve që i bëjnë xhandarmërisë serbe për lirimin e disa fëmijëve, që ishin në moshë të mitur, shefat e xhandarmërisë nuk e bënë këtë gjë.

Mulla Hazizi prapë u thotë fshatarëve që nëse dikush mundet të ikë ose të paktën, të bëjnë përpjekje për t’ ua rrëmbyer ndonjë pushkë.

Serbët i zë paniku dhe duke gjuajtur në drejtim të kabashasëve ata qëlluan edhe disa serb. Nga kjo gjuajtje në panik pos shqiptarëve, pati të vrarë edhe nga serbët. Megjithatë, gjatë kësaj përleshjeje shpëtojnë nga masakra gjashtë vetë dhe, ndonëse të lidhur, arrijnë të ikin. Të masakruarit i varrosin , madje disa nga ta gjysmë të gjallë, duke i hudhur të gjithë në një gropë në territorin e fshatit Kllokot të Vitisë.

Së bashku me kabashasit e tjerë u varrosen edhe trakalaçët e Tanushës, ata që jetonin një kohë goxha të gjatë në fshatin Kabash. Trakalaçët e vrarë ishin: 1. Mulla Aziz Sallah Beqa Trakalaçi 47 vjeç, 2. Faik Aziz Sallah Trakalaçi, i biri i mulla Azizit, 19 vjeç 3. Ali Sallah Beqa Trakalaçi , vëlla i mulla Azizit 50 vjeç, 4. Hebib Ali Sallah Trakalaçi, 25 vjeç. 5. Veli Sallah Beqa Trakalaçi, vëlla i mulla Azizit, 45 vjeç. Këta ishin tre vëllezër e dy djemtë e tyre që i vranë nga forcat serbo çetnike.

Në shtëpitë e Kabashit, të cilave serbët ua kishin vënë flakën, digjen edhe dy tanushasë, në mullarin me tallë, ku ishin fshehur.

6. Rrustem Veli Salla Trakalaçi, 19 vjeç, 7. Shaban Veli Sallah Beqa Trakalaçi, 17 vjeç. Rrustemi e Shabani ishin të Velisë edhe pse Velia ishte vrarë në Kllokot, kurse serbët e tërbuar ia djegin dhe shtëpinë dhe të dy djemtë, që ishin fshehur në mullarin e tallesë.

E ëma e tyre, bashkëshortja e Velisë, Hanifja, del dhe bërtet që të dalin nga talla që digjej. Por, në pamundësi për t’i shpëtuar, sepse zjarri kishte marrë hov të madh dhe kështu të dy djemtë digjen para syve të saj”