Kreu Blog Faqe 1566

Një ditë e paharrueshme pranvere në Kranjë të Shkodrës

Nga: Gjokë Dabaj
Reportazh i shkruar në Durrës, më 15 mars 2020    

Pata marrë me telefon një ftesë disi enigmatike nga drejtori i Shkollës 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të Ostrosit në Kranjë të Shkodrës, Zoti Tahir Berjashi. Zilja: “A je ti Gjokë Dabaj?” “Po.” “Më datën 10 mars kemi përvjetorin e gazetës … dhe je i ftuar të marrësh pjesë… Kam porosi të veçantë nga djali i Ramazan Markajt.”

As drejtorin nuk e njihja, as djalin e Ramazan Markajt nuk e njihja. Ramazanin e kam pasur shok shkolle në Nikshiq para më shumë se 60 vjetësh. Dhe as gazetën, të cilën e përmendi drejtori, nuk e kisha parë asnjëherë e le më lexuar…
Por unë vetë jam nga Kranja e Shkodrës! A s’është turp për mua të kem të këtilla mangësi informimi në lidhje me vendrrënjën time?!

Për lexuesin më duhet të bëj disa sqarime të domosdoshëm. Emërtimi KRANJA E SHKODRËS historikisht përfshin hapësirën gjeografike nga Shiroka e Zoganjt deri në Krricë, Selcë e Godenjë. Emri KRANJË, krahinë, vjen nga fjala arbërishte-shqipe KRAH, anë, terren, emër i cili është përdorur dhe përdoret, edhe si emër i përgjithshëm, edhe si toponim, që nga kufijtë midis Bosnjës dhe Kroacisë (Krajina), deri te emri gjeografik-shtetëror i Ukrainës, midis Rusisë dhe Rumanisë.
Jam shprehur lidhur me këtë emërtim topik në një vështrim analitik të zgjeruar. Shih librin „Kraja me veçantitë shestanase në rrjedhën e shekujve“, Ulqin 2013, f,280-303. KRANJA E SHKODRËS, si duket, e ka marrë këtë emër dikur në Mesjetë ose edhe më heret, sepse ndodhej në KRAH të liqenit dhe në KRAH të qytetit të Shkodrës. Në kohën e Perandorisë Osmane Kranja përbënte njësi apo nënnjësi më vete administrative, në të cilën jetonin arbër të të tre besimevet: kaolikë, myslimanë dhe ortodoksë.
Në gjysmën e dytë të sh.19, si rezultat i lëvizjevet të shtuara antiosmane, të parët që iu shkëputën Kranjës dhe iu bashkuan shtetit të sapokrijuar malazias, ishin Krrica, Selca dhe Godenja, fshatra ortodoksë, të cilët, nën ndikimin e kishës pravosllave sërbe, e kishin ndryshuar pjesërisht edhe gjuhën, nga arbërishte në sllavishte. Për një kohë të gjatë ata kanë qenë dygjuhësh, ndërsa sot askush prej tyre nuk e përdor më gjuhën shqipe.

Në vitin 1877 Kranja e Shkodrës u sulmua dhe u pushtua nga ushtria malaziase, falë një manovre dritëshkurtër politiko-strategjike të Perandorisë së atëhershme Austro-Hungareze. Austro-Hungaria, me qëllim për të mbajtur për vete Hercegovinën, të cilën donte ta aneksonte edhe principata e Malit të Zi, i ofroi knjaz Nikollës Tivarin me gjithë bregdet dhe me krahinat tona malore midis liqenit dhe detit. Me këtë rast, Kranjës së Shkodrës iu shkëput edhe një pjesë tjetër, e quajtuar Kranja e Epërme, dhe kufiri shtetëror, midis Malit të Zi dhe Turqisë, u vendos në lindje të fshatit Thtjan. Nën Mal të Zi, përveç Krricës, Selcës dhe Godenjës, këtë herë ranë edhe fshatrat: Uzhdabiq, Pecanj, Bujgër, Ndrekanj, Gjuraç, Rud, Dedanj, Lukiq, Bardhanj, Gurrzë, Rjeps, Pinç, Babsul, Muriq i Sipërm, Muriq i Poshtëm, Bes, Ljare, Dobrec, Brisk i Sipërm, Brisk i Poshtëm dhe Thtjan.
Në vitin 1913 ra nën Mal të Zi edhe Kranja e Poshtme me fshatrat: Draganj, Koliq, Kshtenjë, Ostros i Madh, Ostros i Vogël, Martiq, Arbnesh, Madgush, Runj, Bobosht, Qyrjan, Sjerç, Skje. Ndërkaq, brenda kufijvet të shtetit shqiptar të sapokrijuar, mbetën vetëm Zogajt dhe Shiroka. Në këtë mënyrë, Kranja e Shkodrës filloi të quhej “Crnogorska Krajina” (“Kranja e Malit të Zi”). Në gjuhën shqipe nuk është quajtur kurrë “Kranja e Malit të Zi”, por kjo nuk i ka penguar gjeografët, hartografët dhe historiografët e gjithfarshëm ta shkruajnë këtë emër “Crnogorska Krajina”, pa i pyetur fare banorët e kësaj krahine.
Por historia e tjetërsimit të këtij bregliqeni nuk mbaron me kaq. Kranja e Epërme, u quajt ndryshe edhe Shestan, mbështetur në atë që pjesën më të madhe të Kranjës së Epërme e përbënin Shestani Nalt dhe Shestani Poshtë. KJO PJESË E KRANJËS, në vitet 1942-1944, me kërkesën e vetë banorëvet, mbledhur në një kuvend në Shestan Poshtë dhe shprehur zyrtarisht me anën e një delegacioni dërguar në Tiranë, u shpall PJESË E SHTETIT SHQIPTAR, sado që në ata vite krejt Shqipëria ishte e pushtuar prej Italisë. Me vendim të qeverisë kuislinge së Tiranës, kjo pjesë e Kranjës u emërtua „ZONË E LIRË NEUTRALE“, me arsyetimin që fati afatgjatë i kësaj krahine do të vendosej mbasi të përfundonte lufta. Por, sado që, jo vetëm kjo hapësirë shqiptare fare e vogël, por të gjitha krahinat shqiptare të pushtuara prej fqinjëvet, filluar nga Preveza e rretherrotull deri këtu në Tivar, kërkuan bashkim në një shtet të vetëm, përfundimi i Luftës së Dytë Botërore nuk e solli bashkimin e shqiptarëvet në një shtet të vetëm.
Në këtë kohë thyerjeje, tepër të rëndë për Kombin Shqiptar, krahina e Shestanit, pra Kranja e Epërme, përfshirë aty edhe dy Muriqët, dy Briskët, Ljaren e Pinçn, pësoi një godije krahasimisht shumë më të rëndë se Kranja e Poshtme. Me anë të njerëzvet kombëtarisht të pavetëdijshëm, u arrit që aty, në vitin 1946, të mos vazhdonte shkollimi shqip, por të vendosej shkollimi në gjuhën sllave. Ky ka qenë momenti më fatkeq për banorët e kësaj krahine mbas pushtimit malazias të vitit 1877. Që në ditën kur, në këtë krahinë u vendos shkollimi fillor në gjuhën e huaj, nisi dhe tatëpjeta e përgjithshme kulturore dhe ekonomike, deri në shkallën më tragjike të VETASGJËSIMIT.
Nuk është vetëm kjo krahinë e Shqipërisë Veriperendimore që e ka pësuar këtë degradim. Janë edhe Tivari me rrethinë, Plava me rrethinë, Rozhaja, Sanxhaku, brezi tretë i të cilëvet sot po përpëlitet midis pyetjevet aspak të lehta kulturore, politike, shoqërore dhe ekonomike: Ç’jemi ne? Kush jemi ne? (Sepse njeriu duhet të jetë dikush! Duhet të jetë diçka! Dhe ajo diçka fillon që nga prejardhja.) Cila është historia jonë? Ç’gjuhë kanë përdorur gjyshërit, deri edhe prindërit tanë?! Dhe kjo quhet KRIZË IDENTITETI! Krejt kjo pjesë e Shqipërisë Veriperendimore sot po përjeton një krizë të rëndë identiteti. Jo për faj të Jugosllavisë së quajtur titiste, sepse ajo Jugosllavi, ndryshe nga Greqia e Turqia, me ligje i kish garantuar të drejtat nacionale. Themi „me ligje“, pavarësisht se ç’veprime kryheshin fshehtas nën rrogoz apo me shantazhe. Pra, jo për faj të atij shteti, por sepse këtyre krahinave u ka munguar (në sasi e cilësi të mjaftueshme) LIDERSHIPI KOMBËTAR. Ndërsa në Krahinën Autonome të Kosovë-Metohisë dhe në Republikën e Maqedonisë, shqiptarët ia dolën të gjejnë forca për t’i realizuar, sado pjesërisht, ato të drejta që Jugosllavia e Re ua kish garantuar me kushtetutë, në këto krahina, midis të cilavet edhe Shestani, munguan ose qenë të pamjaftueshëm PRIJËSIT VETËSAKRIFIKUES. Lekën e Macit Kol’s e disa të tjerë i pushkatuan, të tjerë si ata nuk dolën. Nuk u krijua në ato rrethana një shtresë njerëzish largpamës dhe të guximshëm, të gatshëm për t’u sakrifikuar, e cila t’u dilte zot gjuhës dhe kulturës vendore, sidomos në atë situatë politike, kur ato të drejta ua kish garantuar kushtetuta shtetërore.
Në po ata vite, kur në Shestan nuk u hapën shkolla shqipe, përkundrazi, nëpër të quajturat konferenca, “udhëhequr” prej dallkaukësh, u kërkua që shkollimi të bëhej “në gjuhën e shtetit”, në Kranjën e Poshtme u kërkuan dhe u hapën shkolla në gjuhën shqipe. Po kështu ndodhi edhe në krahun jugor të vargmalit Rumi-Tarabosh, në krahinën e Anës së Malit.
Ky akt, ky moment jetik në historinë e këtyre anëve, shkaktoi përmbysje në raportet kulturorë midis Kranjës së Poshtme dhe Anës së Malit, nga njëra anë, dhe Kranjës së Epërme nga ana tjetër. Në kohët e mëparshme, nga pushtimi osman e këndej, Kranja e Epërme, si edhe Tivari, janë konsideruar treva më të përparuara se sa Kranja e Poshtme e Ana e Malit. Por, që nga dita kur në Kranjë të Poshtme e në Anë të Malit, u hapën shkolla në gjuhën amëtare, për ne shestanasit dhe shqiptarë të tjerë të këtij krahu, filloi rënia e përgjithshme dhe sot askush nuk mund të thotë që “kranjanët janë më të prapambetur se shestanasit”. E kundërta ka ndodhur! Për shestanasit mund të thuhet me plot gojën, “s’janë askund”. Jemi shuar si etnitet, jemi tjetërsuar dhe thuajse shndërruar në një popullatë latente, as mish, as peshk!
Ndërsa, psh, në Shestan të Sipërm, të dyzet kullat dykatëshe që ishin dikur plot me njerëz, sot janë shembur që të gjitha dhe në shkollën e Gjuraçit në Shestan të Poshtëm kanë mbetur vetëm 11 nxënës, në Kranjë të Poshtme, me qendër në Ostros, jeta vazhdon ashtu siç do ta përshkruaj në vazhdim.

Numrin tim të telefonit, drejtorit të shkollës së Ostrosit, ia kish dhënë Ismet Kallaba, veprimtar kulturor i palodhshëm në Ulqin dhe në krejt pjesët e Shqipërisë Veriperendimore që sot gjenden në shtetin malazias.
Dhjetë marsi ishte dita kur tashmë koronavirusi ishte shfaqur edhe në Republikën e Shqipërisë. Familjarët e mi nuk deshën të më lejonin të udhëtoja. Ata që i kisha në shtëpi, ngulnin këmbë, ndërsa ata që jetojnë në Durrës e Tiranë, më merrnin në telefon dhe vinin në dukje që kjo sëmundje i mbyt sidomos pleqtë. Megjithatë, mbasi unë kisha vendosur të mos mungoja në një ngjarje të krahinës sime, ku ftohesha për herë të parë, vajza ime më e madhja, Ulkina, më solli deri në Tiranë, pastaj udhëtova me autobus deri në Shkodër dhe, me një taksi, arrrita në Ostros para orës 10. Veprimtaria fillonte në orën 14, kështu që pata kohë ta shikoja shkollën në të gjithë ambientet. Shkova fillimisht te drejtori, Zoti Tahir Berjashi. Ai po merrej me përgatitjet e fundit. Më erdhi mirë që pashë mbi tavolinën e tij, midis shumë librash, edhe librin “Në rrugë rrëziqesh me vetëdije”, ku unë jam bashkautor me birin e çmuar të kësaj ane, shokun tim qysh në moshën rinore, Fadil Cukajn. Drejtori më qerasi me raki e me kafe dhe më shetiti nëpër disa kabinete.
Ish për mua një këndellje e shpirtit, shoqëruar me një ndjenjë trishtimi që po e përjetoja në mënyrën ndoshta më të fuqishme se kurrë më parë. Si një atë, i cili takon mbas shumë vitesh një bijë apo bir të vetin, ndërsa kujton të tjerë bij e bija që i kanë vdekur. Kam shkuar në shkollën e Dedanjvet, ku i pata kryer, pjesë-pjesë e copa-copa, në gjuhë të huaj, 4 klasë të shkollës fillore. Tani ajo shkollë është mbyllur, rrethuar nga të katër anët me ferra e me gjithfarë barërash të egër. Kam shkuar edhe në shkollën e Gjuraçit. Aty kish më shumë mësues se sa nxënës. Këta ishin përjetimet që ma kishin gërryer e do të ma gërryenin shpirtin deri sa të kem frymë. Përjetimi që më mbushte me kënaqësi e me shpresë se, megjithkëto, mbase nuk do të shuhet krejt kjo krahinë e jona, ishte ajo që po shihja këtu, në shkollën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Emri i është vënë kësaj shkolle në një kohë të mëhershme, ndërsa bustin e Gjergj Kastriotit e ka porositur dhe sjellë këtu drejtori i atëhershë i kësaj shkolle, Ismail Doda, një nga shokët e mi të shkollimit në Nikshiq, prej të cilit kam shumë kujtime.
Biblioteka ish plot e përplot me libra shqip. Raftet, të bukur, vendosur paralel njëri me tjetrin. Në të katër muret, tejpërtej, renditur portretet e korifejvet të kulturës shqiptare, vënë hijshëm në korniza të njëllojta.
Në korridoret e gjatë, stolisur me të gjithë llojet e mjetevet mësimsqarues, në të dy katet, m’u hapën dyert e kabinetevet të të gjitha lëndëvet: Gjuhë shqipe e letërsi shqiptare, gjuhë e letërsi malaziase, gjuhë angleze, gjuhë gjermane, matematikë e fizikë me mjetet përkatës të laboratorit, informatikë pajisur me numrin e nevojshëm të kompjuterëvet, biologji e kimi edhe këta me mjetet e preparatet përkatës të konkretizimit të mësimit. Në një kabinet të klasavet të ulëta të 9-vjeçares gjeta mësuesin, një djalë i hollë e shumë dashamirës. Ai më tregoi që, në atë kabinet, mësimi bëhej me klasa kolektive, sepse nuk kish nxënës të mjaftueshëm për klasa më vete. Kjo ma drithëroi shpirtin: Mos edhe Kranja e Poshtme po boshatiset si dhe Kranja e Epërme?!
Midis kabinetevet, binte në sy, si një pasuri e pazëvendësueshme kulturore, dhoma e muzeut etnografik krahinor. Veshjet kranjane, qilimat karakteristikë të punuar në tullarë, veglat e artizanatit dhe të punëvet të tjera, deri te fragmentet e qeramikës të kohëvet të hershme, ndoshta edhe të kohës ilire.
Të gjithë ambientet, klasat dhe korridoret ishin të shtruar me pllaka qermike, ngjyrash të ngrohta. Muret, të lyer me gëlqere e të mbajtur pastër. Në hollin e katit të parë ishin disa rafte e stenda plot me piktura, vizatime e punë dore nxënësish të vegjël e të rritur.
E gjithë shkolla, sado që është më shumë se dyzetvjeçare, ngjante e re, sikur të ishte ndërtesë e vitevet të fundit.
Duke e parë këtë qendër arsimi dhe kulture të Kranjës, nuk mund të mos vihet në dukje merita e madhe e Zotit Tahir Berjashi, 24 vjet drejtor i kësaj shkolle, pastaj e mësimdhënësvet të kësaj shkolle e deri te dy pastrueset, falë punës së të cilavet ndrinte i gjithë ambienti. Shihej qartë që pastërtia aty nuk ish vetëm e asaj dite, por ish rezultat i dukshëm i mirëmbajtjes së përditshme.
Pjesa e parë e veprimtarisë ishte një orë letrare me lexime e recitime, marrë nga numri i fundit jubilar i revistës që botonte shkolla. Lexuan dhe recituan krijues, që nga më të vegjlit deri te nxënësit, por sidomos nxënëset e klasavet të larta. Ra në sy që vajzat, edhe këtu, janë më të pranishme, më krijuese dhe më serioze se çunat. Drejtues të kësaj veprimtarie letrare dhe artistike, deri në hartim dhe vënie në skenë të disa veprave dramatike, ishte çifti Gjeçbitraj, Ali Gjeçbitri dhe bashkëshortja e tij, një mësuese tepër mbresëlënëse, krijuese e mirëfilltë e cilësisë së lartë, si në fushën e pedagogjisë, gjegjësisht didaktikës, ashtu edhe në krijimtari letrare.
E lamë atë ambient, i cili, i plotësuar me portretet e të gjithë personalitetevet të kulturës sonë kombëtare, frymonte atdhedashuri, dhe shkuam në palestrën e madhe të edukimit fizik, ku do të shikonim një koncert të bukur me valle e me këngë të thesarit folklorik krahinor. Koncertin e kish përgatitur një udhëheqës artistik shkodran. Valltaret dhe valltarët ishin vërtet fëmijë dhe nxënës të moshës së hershme rinore, por interpretimet e tyre ishin në lartësinë e ansamblevet tanë folklorikë, që jemi mësuar t’i shohim në skenat tona të festivalevet. Një grup artistik i ardhur nga Shkodra e plotësoi dhe e pasuroi koncertin me një valle dhe me disa këngë motivesh të Shkodrës dhe të Malësisë së Madhe përtej liqenit.
Mbas të gjitha këtyre veprimtarive, në orët afër mbrëmjes, të gjithë pjesëmarrësit, të shtuar në numër prej shumë të porsaardhurve, u mblodhëm në njërin prej restoranteve të Ostrosit. Aty na u shtrua një darkë e pasur, e cila zgjati deri mbas orës 21. Në darkë merrnin pjesë mbase 200 vetë. Çdo gjë i ngjante një dasme të madhe. Muzikë dhe këngë shqiptare me dixhei, por edhe të kënduar drejtpërdrejt, të quajtur laiv. Shërbimi ishte i shkëlqyer. Menyja aq e shijshme, sa nuk dije ç‘të zgjidhje e ç’të lije, por dhe aq e bollshme, sa jo veç ne të moshuarit, por edhe të rinjtë nuk i mbaronin dot Të gjithë ushqimet që shërbeheshin njëri mbas tjetrit. Edhe pijet, lëngjet pa alkol, rakia, birra, shërbeheshin pa kursim. E gjithë kjo, s’ish tjetër, veçse shprehja e asaj që quhet MIKPRITJE KRANJANE.
Doemos që u ndjeva i nderuar, kur organizuesi Zoti Tahir Berjashi, edhe kur e hapi koncertin, edhe në darkën e pritjes, më përshëndeti në mënyrë të veçantë. Në krye të tavolinavet, ku ishim ulur, përballë meje gjendeshin: Kryetari i Këshillit Komunal të Tivarit, një burrë i moshuar nga Selca, një djalë i ri dhe i bëshëm, ndoshta nja 35 vjeç dhe një vajzë e hijshme, bijë e vëllazërisë Bardhaj nga Shestani i Sipërm, gjyshin e së cilës e kam njohur mirë. Asnjëri prej tyre nuk fliste shqip. Ndërsa në krahun me shpinë nga muri, në të djathtën time ishte Zoti Dimitrov Popoviqi, një intelektual nga Vraka, i cili po kryente një punë të lavdërueshme në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Malit të Zi në fushën e marrëdhënievet kulturore e letrare malazezo-shqiptare. Pranë meje në krah të majtë qe ulur gazetarja e njohur e Radio-televizionit të Tivarit, bijë nga Malësia e Madhe, Zonja Drane Marvuçiq, nuse ndër shestanas. Pranë saj në vazhdim ishin: Gjekë Gjonaj, gazetar dhe intelektual i dalluar midis shqiptarëvet në Republikën e Malit të Zi, Faik Nika dhe Ismet Kallaba, edhe këta intelektualë të njohur të atyre anëve.
Në harkun e gati 4 orëve që zgjati ajo pritje, në pauzat fare të shkurtëra midis këngëvet dhe vallevet plot hare e hijeshi, ashtu siç dinë t’i improvizojnë njerëzit tanë, ne që ishim afër e pranë njëri-tjetrit, shkëmbenim edhe nga ndonjë bisedë të shkurtër.
Vajza shestanase, që e kisha përballë, nuk dinte shqip dhe unë u detyrova të komunikoja me të në gjuhën sllave. Më dukej sikur e kishin asgjësuar krejt personalittin e saj, ata që nuk ia kishin mësuar qysh në vegjëli gjuhën e të parëvet të saj. Gjyshi i saj, Vuka i Macit Preçit Vuk’s, një mekanik duarartë, i cili punonte në Cetinjë dhe njihej gjithandej për mjeshtrinë e tij dhe që ish bërë proverbial për disa inovacione në profesionin e tij, kur vinte në Shestan, i përmalluar për vendlindjen, e mbante gjithë natën vallen me këngë. Vallen e famshme të Shestanit, e cila tashmë pothuaj ka vdekur! Dinte shumë këngë, nga të gjithë zhanret, por sidomos nga baladat, që unë i kam botuar më vonë, dhe kish një zë sa kumbues aq edhe melodioz. Unë, që isha i vogël, nja 7-8 vjeç, e adhuroja të kënduarit e tij. Edhe lahutës, që në Shestan i thonë gudë, Vuka i Macit Preçit i binte bukur dhe e shoqëronte me këngë kreshnikësh shqip, po edhe me variantet e shumtë të atyre këngëve në gjuhën malazeze. Tani, kjo vajzë që e kisha përballë, mbesa e tij, nuk dinte asnjë fjalë shqip! Nuk e kish fajin kjo. Nëse shestanasit do ta kishin organizuar më mirë jetën e tyre në Shestan e në Tivar, me siguri, edhe kjo vajzë do ta kish përdorur gjuhën e vet dhe, ndosha, në gjurmët e gjyshit, do ta kish kënduar edhe kjo sonte ndonjërën prej baladave tona trimijëvjeçare: „Larg ma lulldonjin nji vashë/ Larg e larg-e përte detit//“
Me Kryetarin e Këshillit Komunal të Tivarit shkëmbyem gjithashtu disa fragmente dialogu. Disa fragmente, për shkak të muzikës që na e pamundësonte të biseduarit shtruar. Midis tjerash, i thashë: „Ne të dy, më parë duhet të miqësohemi, pastaj ndoshta do të mund të të bëja edhe ndonjë kërkesë.“ Ia tregova edhe pikëpamjen time mbi marrëdhëniet midis shqiptarëvet dhe malazezëvet. „Para se Mali i Zi të shkëputej nga Sërbia“, i thashë, “unë kam mbrojtur pikëpamjen që krejt trevat shqiptare, përfshirë aty edhe Tivarin, duhej të shkëputeshin prej Jugosllavisë. Por, që kur Republka e Malit të Zi doli shtet më vete, jam për atë që të ruhet tërësia territoriale e këtij shteti, me kusht që shqiptarëvet t’u jepen realisht dhe praktikisht të gjitha të drejtat që u takojnë.“ Ai më tha: „Ky banket ku po marrim pjesë edhe unë edhe ti, e dëshmon që shqiptarët në Mal të Zi i gëzojnë të gjitha të drejtat.“ Muzika e fortë nuk më lejonte që ta shtyja më tej bisedën.
Në një tjetër pauzë Kryetari i Këshillit Komunal të Tivarit më bëri edhe këtë pyetje: „Si shpjegohet që ti, nga Gurza e Shestanit, more këtë rrugë në jetën tënde?“ E kish fjalën, si u orientova unë në drejtim të gjuhës dhe kulturës shqiptare, në një kohë kur të gjithë bshkëkrahinasit e mi tashmë pothuaj i kanë braktisur, edhe gjuhën, edhe kulturën shqiptare. Unë iu përgjigja: „Gjatë shkollimit tim në gjuhën sllave, pata mësuar që Gjura Jakshiqi kish punuar e luftuar për gjuhën dhe për kombin sërb, pata mësuar që Branko Radiçeviqi kishte shkrirë edhe talentin edhe shëndetin në përkushtim ndaj kombi sërb, po kështu edhe Ivan Mazhuraniqi për kombin kroat e France Presherni për kombin slloven. Atëherë në mua qe formuluar pyetja: Po unë, a duhej të punoja për kombin tim?!“ Nuk e di si e priti këtë sqarim timin tepër të sinqertë.
Me gazetaren Drane Marvuçiq njihemi prej kohësh dhe jemi tashmë miq të ngushtë. Ajo kish shumë dëshirë të bisedonte me mua, ndoshta pikërisht sepse jam edhe unë prej Shestanit, ku ajo është martuar. Më mori një intervistë të shkurtër për emisionin e saj dhe, kur dola për të përshëndetur të tubuarit, erdhi edhe ajo ta incizonte fjalën time. Ndërkaq, Ismet Kallaba, megjithëse rrugën e kish për në Ulqin, më çoi deri në Shkodër dhe priti atje deri sa gjeta makinë për të ardhur në Tiranë.
Kalova vërtet një ditë të paharrueshme. I kujtova shokët e mi kranjanë, bashkënxënës kur ishim në shkollë të mesme: Rexhep Gjeçbitrin e Ramazan Markajn, të cilët nuk jetojnë më, Ismail Dodën që ish i pranishëm, Selatin Gjenahin dhe Fadil Cukajn. Me Fadil Cukajn kemi një jetë të tërë shokë si me qenë vëllezër dhe, kur u gjenda në vendlindjen e tij, më pushtoi një dëshirë që të ish edhe ai aty. Megjithatë, një tjetër i Cukaj më shoqëroi pothuaj gjithë kohën.
Në çastet kur po dëgjonim recitimet e krijuesvet të rinj, udhëhequr nga Ali Gjeçbitraj dhe Zonja Gjeçbitraj, më zuri mallëngjimi dhe, me një pikë loti në cep të syrit, u thashë: „Jam 82-vjeç, kam qenë një çerek shekulli mësues, por është hera e parë që gjendem midis nxënësish të krahinës sime.“

Gjokë Dabaj Durrës, 11-14 mars 2020

Në kujtim të Fahredin Etemit-Ladës, veprimtarit dhe dëshmitarit të ngjarjeve historike për Kosovën

1

Në foto: Fahredin Etemi – Lada me Adem Demaçin

Shkruan: Nuhi Bytyçi

Lajmi për ndarjen nga jeta të Fahredin Etemit-Ladës, jehoi me dhembje të madhe në Kosovë dhe më gjerë. Largimi i tij nuk është humbje vetëm për familjen Etemi, por edhe për kolegët, shokët dhe miqtë e tij. Fahredini-Lada ishte njëri ndër fotografët më të njohur në kryeqytetin e Kosovës, i cili krahas kryerjes së punës së tij profesionale si fotograf dhe dëshmitar i ngjarjeve më të rëndësishme të historisë sonë më të re, para gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë, ai ishte edhe veprimtar i Lëvizjes së pajtimit të gjaqeve, mbështetës dhe veteran i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbështetës i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe i të gjitha zhvillimeve të periudhës së ndërtimit të shtetit të pavarur e demokratik të Kosovës. Kujtimet për Ladën si fotograf dhe para së gjithash si njeri human, atdhetar dhe shok i vërtetë janë të shumta. E kisha njohur në vitet 80-të përmes vëllait të tij Isa Etemit, me të cilin kemi punuar në TV e Prishtinës deri më 5 korrik 1990.               

Lada ka qenë fotograf personal i simbolit të rezistencës sonë kombëtare Bacës Adem Demaçi, i Komandantit të UÇK-së të Zonës së Llapit, Rrustem Mustafës-Remit, fotograf i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, i Shoqatës së ish-të burgosurve politikë të Kosovës, i TMK-së dhe FSK-së, Ushtrisë së Kosovës, fotograf i Kryetarit të komunës së Prishtinës pas çlirimit, si dhe ka përcjellur dhe fotografuar në shumë ngjarje politike, kulturore, arsimore dhe të tjera me interes kombëtar. Ai ka fotografuar edhe protestat dhe demonstratat e shumta që mbaheshin në Prishtinë e jashtë saj duke kundërshtuar veprimet e regjimit serb mbi shqiptarët. Të gjitha këto punë me interes të veçantë Lada i bënte gratis dhe nuk mund ta gjesh edhe një fotograf të tillë në Prishtinë që ka kontribuar më shumë se ai në këtë mënyrë për institucionet dhe komunitetin në përgjithësi.                                                  

MLadën jam takuar më së shpeshti pas luftës përmes takimeve që kishim me Bacën Adem Demaçi, Shqiptar DemaçinRrustem Mustafën– Remin, Selatin Novosellën, Shemsi Sylën,Fatmir Sopin, Xhelal Pakashticën dhe veprimtarë të tjerë.                                                     

Mbaj mend kur në dyqanin e tij Foto Canon prapa Teatrit Kombëtar  në Prishtinë të gjithë familjarëve të dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës, ish-të burgosurve dhe njerëzve të sakrificës ua bënte dhe përgatiste fotografitë pa asnjë kompensim.                                  

Me Ladën kam bashkëpunuar ngusht pas luftës edhe unë si gazetar dhe autor i dokumentarëve për dëshmorët e lirisë, me çrast më ka ndihmuar shumë për dizajnimin e fotografive të dëshmorëve dhe figurave të tjera kombëtare. Punën që e bënte ai dhe fëmijët e tij, vajza Ajla dhe djemtë Endriti e Petriti  ishte me përkushtim të veçantë dhe profesionalizëm. Edhe me këtë rast, asnjëherë nuk pranonte që të kompensoheshin për punën e bërë, duke shprehur respektin dhe vlerësimin më të lartë për ata që kanë sakrifikuar jetën për lirinë e Kosovës.                                                                             

Lada ishte mysafir special edhe me rastin e promovimit të librit tim monografik “LIBRI I LUFTËS” më 4 mars 2019, ku nuk e la pa i bërë edhe disa fotografi të rralla me kolegët, shokët dhe familjarët e mi të pranishëm në këtë ngjarje.                                                 

Mirëpo, nuk do ta harroj kurrë 17 gushtin e vitit 2020, ditën kur ditën e fundit të punës shkova në Radiotelevizionin e Kosovës për tu përshëndetur me kolegët e mi. Te porta e RTK-së takoj Ladën me fotoaparat në dorë. Atë e kishte ftuar djali im – Arianiti  dhe nuk më kishte informuar fare se menaxhmenti i RTK-së bashkë me koleget dhe kolegët e mi kishte organizuar përcjellje  befasishme, të veçantë me rastin e pensionimit tim. Lada nuk dëshironte ta zbulonte “sekretin” dhe nuk më tregoi fare për skenarin e përgatitur enkas për mua. Dita e fundit e punës sime si gazetar dhe redaktor në RTK ishte dhe mbetet ditë vërtetë e paharrueshme për mua. Këtë Lada e dëshmoi me fotografitë e tij profesionale që mi bëri me rastin e organizimit të ceremonisë së pensionimit tim në studion e RTK-së, ku nga udhëheqja dhe kolegët e RTK-së mora edhe Mirënjohje të posaçme për punën time gati 50 vjeçare si gazetar.                                                                             

Takoheshim shpesh me Ladën në dyqanin e tij dhe këmbenim mendime për projektet e reja dokumentare. Në dyqanin e tij kishte një arkiv të jashtëzakonshëm të fotografive dhe xhirimeve që kanë të bëjnë me shumë ngjarje me rëndësi të posaçme për sakrificën e popullit shqiptar të Kosovës gjatë rrugëtimit të tij drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe të ndërtimit të shtetit të ri demokratik të Kosovës. Kur më tregonte për pjesëmarrjen në shumë tubime të pajtimeve  të gjaqeve në Drenicë, Llap e rajone tjera të Kosovës, për bashkëpunimin me Prof. Anton ÇettënZekeria Canën, për demonstratat e shumta kundër Serbisë, për vizitat dhe aktivitetet e ndryshme të simbolit të rezistencës sonë kombëtare Bacës Adem Demaçi, për fotografitë e luftëtarëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për përcjelljen si dëshmitar dhe dokumentues faktik përmes objektivit të aparatit të tij, i pata propozuar që ti seleksionoj fotot në të rëndësishme para, gjatë dhe pas luftës dhe ta realizojmë një film dokumentar për punën dhe kontributin e tij, Lada me modestinë e tij të tepruar më thoshte: “Jo, ska nevojë, sepse kjo i bjen me e reklamu veten. Më vjen keq, por për tjerët mundem me fole, por për veti jo!”. I tillë ishte Lada. I sinqert, korrekt, i afërt, bashkëpunues dhe shok i vërtetë.

Mbaj mend edhe një takim para disa muajve, saktësisht më 8 maj të këtij viti, kur disa prej shokëve dhe miqve na ftoi në një darkë në dyqanin e tij. Ishim bashkë me djalin e Bacës Adem – Dr. Shqiptar Demaçin, me vozitësin e  Bacës Adem – Xhelal Pakashticën, Ibrahim Arsllanin, Agim Krasniqin, Enver PakashticënBahri Rexhën dhe Sallah Fetën, na tha: “Kisha dëshirë që tju takoj bashkë dhe vetëm për qef!” Si zakonisht edhe kësaj radhe ishte i hareshëm,  i këndshëm dhe shumë i afërt, bashkë me fëmijët e tij të edukuar na pritën dhe shërbyen sikur priten dhe respektohen miqtë e kohëve të vështira. Na i bëri edhe disa fotografi, të cilat i ruaj me kujdes të posaçëm.   

Ai merrte pjesë në të gjitha promovimet e veprave të Adem Demaçit. Herën e fundit, më 26 korrik 2021 ishim bashkë edhe me rastin e promovimit të  librit të Demaçit  “BURGJET E MIA  –  FATI IM I MADH”në organizim të Selatin Novosellës nga Shoqata e ish-të burgosurve politikë të Kosovës. Aty bëmë bashkë edhe një fotografi me Ladën, Shqiptar Adem Demaçin dhe Xhelal Pakashticën. Unë insistova që Lada të fotografohet me ne, sepse ai ishte mësuar që të fotografonte të tjerët, kurse veten jo. Edhe këtë foto do ta ruaj si ndër kujtimet më të mira të jetës sime.                                                                           

Gjatë muajve në vijim takoheshim herë pas here në dyqanin e tij dhe pinim ndonjë kafe në qendër të Prishtinës. Përherë na ofronte ushqime dhe pije bio dhe kishte energji pozitive, gjithmonë optimist për jetën. Mirëpo, sëmundja e rëndë që e kishte prekur në moshë ende të re, na e shkëputi nga jeta dhe na la pa kolegun, shokun, mikun e njeriun e madh prej humanisti e atdhetari për të kontribuar ende për interesa të përgjithshme.                                                                                                                                                             

Ne kolegët, shokët e miqtë do ta kujtojmë përherë me mburrje, si njeriun tonë të respektuar. Familja dhe farefisi i tij duhet të jenë krenare që e kishte një prind, bashkëshort, vëlla dhe familjar të tillë, të dashur dhe të çmuar nga të gjithë. 

Ilir Meta, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, e përshkruan si shumë të ngrohtë takimin me historianin dhe shkrimtarin Jusuf Buxhovi në Tiranë

0
Ilir Meta, President i Republikës së Shqipërisë, në pritjen e sotshme me historianin dhe shkrimtarin nga Prishtina, Jusuf Buxhovin
Shumë i ngrohtë bashkëbisedimi, që zhvillova sot, me historianin e njohur nga Kosova, Jusuf Buxhovi dhe dy botuesit e veprave të tij, shqiptaro-amerikanin Ramiz Tafilaj dhe Milaim Avdullahun.
E përgëzova për punën e jashtëzakonshme për nxjerrjen në dritë të historisë sonë të lashtë kombëtare, deri në ditët e sotme.
Duke i uruar shëndet të mirë dhe energji të pashtershme për vazhdimin e angazhimit të tij shkencor, theksova se të dy shtetet tona dhe institucionet përkatëse studimore duhet të bashkëpunojnë edhe më ngushtësisht në hartimin e veprave të përbashkëta historike, që zbardhin të vërtetat për shqiptarët dhe historinë e tyre, si e vetmja mënyrë për të hedhur poshtë me fakte pretendimet e pabazuara, që mohojnë ose shtrembërojnë historinë tonë kombëtare.
E falenderova historianin Buxhovi për dhurimin e veprave të tij “Kosova”, “Maqedonia” dhe “Kosova – histori e shkurtër”.

15 Shtatori 2021 është një datë e rëndësishme historike për shqiptarët , për familjet e viktimave që ishin target i luftës politike të organizuar nga QPK -SHIK-u

0

Familja e Haki Imerit 

Kryprokurori i nderuar Amerikan Jack Smith dje ne fjalen e tij hyrese ne Gjykimin e Salih Mustafes deshmoj se si kemi ardhur deri te formimi I Gjykates Speciale.Kjo eshte e verteta e mbashtetur ne fakte .
Ajo qe theksoj dje , Kryeprikurori Amerikan i i Dhomave te Specializuara te Kosoves ishte shume permbajtesore , konçize dhe e sakte.
Pra ‘skeptiket’ dhe shumeftyreshit qe thirreshin LDK e qe bashkepunonin per interesa personale me ata qe kishin vrare , kundershtare politik dhe pjestare te LDK-se qe dje u hodhen ne koshin e pleherave te historise.
Fale Amerikes u çliruam u pavaresuam dhe do te ndriçohen te gjitha vrasjet politike .
Ata zera qe propagandonin se Gjykata Speciale nuk do te merret me vrasjet politike pra po rezultojne te lajthitur e shume prej tyre edhe edhe te shitur…
I urojme Sukses Kryprokurorit Amerikan Jack Smith dhe ekipes se tij shume profesionale qe kane bere nje pune fenomenale ne ndriçimin e vrasjeve politike. i kane dhene nje shtytje ndertimit te shtetit te Kosoves.
Gjykata Speciale do te deshmoje te verteten rreth varsjeve politike ,rreth viktimave dhe urdherdhenesve – vraseve…
-historia e Kosoves duhet te shkruhet sipas fakteve dhe provave…
Vrasjet politike pa gjykaten Speciale nuk do te ndriçoheshin kurre , dhe pa ndriçimin e tyre Kosova nuk do te behej shtet i pranuar nderkombetarisht..!
Zoti e bekofte Ameriken !

Nënshkruhen 11 marrëveshje, Kurti: Etapë e re e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

0

Shkup, 16.09.2021

Me nderimet më të larta ushtarake-shtetërore nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, është pritur Kryeministri i Republikës së Kosovës, Abin Kurti, me rastin e mbajtjes së mbledhjes së përbashkët ndërqeveritare.

Kryeministri Kurti ka mbajtur takim tête à тête  me Kryeministrin Zoran Zaev, ndërsa ministrat zhvilluan takime dypalëshe me ministrat homolog.

Në mbledhjen e përbashkët që po zhvillohet, mes tjerash, do të nënshkruhen marrëveshje dhe memorandume për ndërlidhjen infrastrukturore të të dyja vendeve, për lehtësimin dhe avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe komunikimin, si dhe memorandume dhe programe tjera, që përfshijnë bashkëpunimin e projekteve ndërkombëtare me mbështetjen e programeve IPA të BE-së, bashkëpunim në fushën e energjetikës, si dhe në plan të turizmit, kulturës dhe avancimit të iniciativave të përbashkëta të inovacioneve dhe zhvillimit teknologjik.

Mbledhja e përbashkët e të dy qeverive është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë më intensive të bashkëpunimit të ndërsjellë, por edhe shprehje e vlerësimit për marrëdhëniet e mira fqinjësore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.

Nënshkruhen 11 marrëveshje, Kurti: Etapë e re e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në konferencën për media pas mbledhjes së dy qeverive ka thënë se me kryeministrin Kurti nuk e ndajnë opinionin e njëjtë për “Open Balkan” por që nuk e pengon në bashkëpunimin ndërshtetëror. Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se Kosova mbështet iniciativat rajonale që kanë BE-në brenda tyre.

“Sa i përket “Open Balkan”, kemi opinione të ndryshme por kjo nuk na pengon në bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve. Unë mund të them se Kosova është e pavarur dhe i ka qëndrimet e veta”, tha Zaev para gazetarëve.

Ndërkaq, sa i përket iniciativës “Ballkani i Hapur”, Kryeministri Kurti ripërsëriti atë që tha në Tiranë para dy ditësh, se iniciativat rajonale që kanë BE-në brenda përkrahen nga Kosova.

“Ne dëshirojmë sa më shumë bashkëpunim dhe zbatim të marrëveshjeve në aspektin bilateral me Maqedoninë e Veriut, jemi të orientuar kah e ardhmja e për neve e ardhmja është Bashkimi Evropian. Pra BE është fati ynë, anda edhe si republikë e Kosovës ne i mbështesim iniciativat rajonale që janë nga Bashkimi Evropian . Asnjëra nga marrëveshjet e nënshkruara nuk mund të cenohen në zbatim pavarësisht dallimeve që mund të kemi”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tutje foli edhe për marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive.

“Mbajtëm mbledhjen e përbashkët e cila është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë të re të bashkëpunimit të ndërsjellë.  Deri tani kemi pasur 42 marrëveshje, sot nënshkruam 11 marrëveshje bashkëpunimi në ekonomi, bujqësi, turizëm, siguri, kontrollin e transportit hekurudhor, lidhjen e Brezovicës me Kodrën e Diellit, bashkëpunimi ndërkufitar”, tha Kurti.

Kurti: Etapë e re e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka quajtur moment historik takimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

“Maqedonia e Veriut sivjet ka kremtuar 30 vjet të pavarësisë e Kosova 13 vjet të pavarësisë dhe kjo ishte mbledhja e parë ndërmjet dy qeverive tona për të intensifikuar dhe zgjeruar bashkëpunimin në shumë fusha”, tha ai.

Kryeministri ka shprehur edhe ngushëllime për vdekjen e 14 personave në spitalin e Tetovës.

Dialogu Kosovë-Serbi, Zaev: Do të mbështesin marrëveshjen që është e pranueshme për dy vendet

Derisa i paraqiti disa nga 11 marrëveshjet e nënshkruara sot ndërmjet dy qeverive, Zaev tha se interesi i të dyja shteteve është bashkëpunimi bilateral.

“Na lidhin shumë interesat e përbashkëta, por edhe ekonomia që janë të udhëzuara dhe drejtuara drejtë njëra tjetrës. Në plan të parë i kemi vendosur marrëveshjet dhe memorandumet për përmirësimin infrastrukturor që të rritet ekonomia në dy vendet”, tha ai.

Në një konferencë për medie së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Zaev tha se e mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“I japim një mbështetje të rëndësishme dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të mbështesin marrëveshjen që është e pranueshme për dy vendet”, tha Zaev, duke shtuar se Maqedonia Veriore e përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur moment historik dhe etapë të re të bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut mbledhje e sotme të përbashkët ndërmjet dy qeverive në Shkup. Ai tha se me nënshkrimin e 11 marrëveshjeve të bashkëpunimit përfitojnë qytetarët nga dy vendet.

Zaev krah Kurtit: Kosova është një nga partnerët tanë më të mirë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka konfirmuar se janë nënshkruar 11 marrëveshje në mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Kosovës.

Ai në konferencë të përbashkët me kryeministrin kosovar, Albin Kurti, e ka quajtur Kosovën partner të rëndësishëm.

“Për Maqedoninë e Veriut, Kosova është një nga partnerët më të mirë”, është shprehur ai.

“Shkëmbimet tregtare presim që këtë vit të kalojnë mbi 400 milionë mes dy vendeve tona. Ne i japim mbështetje dialogut Kosovë-Serbi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Mbështesim një marrëveshje për normalizim që kontribuon në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i ndajë me Kosovë përvojat e veta”.

***

Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, të enjten, në Shkup në kuadër të seancës së përbashkët, kanë nënshkruar 11 marrëveshje bashkëpunimi.

Marrëveshjet kanë të bëjnë me sfera të ndryshme bashkëpunimi.

Të dyja vendet nënshkruan: Marrëveshjen për studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren–Tetovë, marrëveshjet për bashkëpunim në sferën e diasporës, rregullimin kufitar të komunikacionit hekurudhor, bashkëpunim në sektorët e energjisë, turizmit, kontrollit të mallrave strategjike, inovacionit, zhvillimit teknologjik dhe ndërmarrësisë, dhe në qeverisje lokale.

Kjo është mbledhja e parë e përbashkët mes qeverive të dy vendeve, e cila, siç kanë thënë nga qeveria në Shkup “konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në drejtim të thellimit të bashkëpunimit në fushate e interesit të ndërsjellë mes dy vendeve dhe shkëmbimit të përvojave për bashkëpunimi më intensiv në rajon”.

Delegacioni i qeverisë së Kosovës i udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti në Shkup u prit me nderime të larta shtetërore.

***

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të nënshkruajnë 11 marrëveshje bilaterale në takimin e sotëm të përbashkët në Shkup.

Njëra ndër to do të jetë edhe studim i fizibilitetit për rrugën Prizren–Tetovë dhe rregullimi kufitar të komunikacionit hekurudhor.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, përmes një postimi në Facebook.

Image“11 marrëveshje me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Disa nga marrëveshjet: studim i fizibilitetit për rrugën ’Prizren–Tetovë’; bashkëpunim në sferën e diasporës, rregullim kufitar të komunikacionit hekurudhor, bashkëpunim në sektorët e energjisë, turizmit, kontrollit të mallrave strategjike, inovacionit, zhvillimit teknologjik dhe ndërmarrësisë, dhe në qeverisje lokale”, ka shkruar ai.

Mbledhja e dy qeverive është duke vazhduar, derisa pritet që përmes një ceremonie solemne të nënshkruhet marrëveshjet.

Image

Nis mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Ka filluar mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në Shkup, ku pritet të nënshkruhen disa marrëveshje bilaterale.

Kryeministrit i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i uroi mirëseardhje kabinetit qeveritar nga Kosova.

Pas diskutimeve do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve, derisa në orën 13:30 do të mbahet konferenca e përbashkët për medie ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe homologut të tij nga Maqedonia e Veriut, Zoran Zaev.

ImageKurti pritet nga Zaev me ceremoni të lartë shtetërore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur me ceremoni të lartë shtetërore nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Pas përshëndetjeve dhe prezantimeve të dy kabineteve qeveritare pritet të fillojë mbledhja, ku do të nënshkruhet disa marrëveshje bilaterale.

Paraprakisht do të ketë një takim ndërmjet dy kryeministrave, ndërsa në orën 11:30 do të fillojë mbledhja e qeverive.

ImageNë orën 12:30 do të jetë ceremonia e nënshkrimeve të marrëveshjeve, ndërsa në orën 13:30 do të mbahet konferenca për medie e kryeministrave Kurti-Zaev.

Me ceremoni zyrtare fillon seanca e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Ka filluar ceremonia e pritjes zyrtare të Qeverisë së Kosovës nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ku sot të dy qeveritë do të mbajnë mbledhje të përbashkët.

Kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga ministrat e Qeverisë së Kosovës, janë pritur nga Zoran Zaevi dhe kabineti i tij qeveritar.

Siç njoftuan dje nga Qeveria e RMV-së, në këtë seancë pritet nënshkrimi i marrëveshjeve nga sfera e infrastrukturës, energjetikës, ekonomisë, turizmit dhe sigurisë, inovacionit teknologjik si dhe marrëveshje për diasporën.

Pas përfundimit të seancës, kryeministrat Zoran Zaev dhe Albin Kurti do të mbajnë konferencë për shtyp me fillim prej orës 13:30.

Kurti e Zaev pa maska – Thyjen rregullat antiCovid

Pas intonimit te himneve të të dyja shteteve, dhe pas parakalimit para gardës kombëtare të Maqedonisë së Veriut, kryeministri Zoran Zaev dhe homologu i tij nga Kosova, Albin Kurti, kanë përshëndetur ministrat e tyre.

ImagePërshëndetjen, ashtu siç e bënë edhe ministrat në fillim, e bënë edhe kta, pa respektuar masat antiCOVID, duke shtrënguar duart. Por tek të dy kryeministrat, u vërejt edhe mosmbajtja e maskës, edhe kjo një nga masat kryesore antiCOVID.

Përveç këtyre masave në këtë ceremoni u vërejt se nuk është respektuar as distanca sociale.

Pas pak, fillon mbkedhja e të dy qeverive, ku pritet për nënshkrim të marrëveshjeve për bashkëpunim mes të dyja vendeve.

Ministrat e Kosovës priten nga homologët e tyre në Shkup, shkelet masa kryesore antiCovid

Sapo ka filluar ceremonia e pritjes së Qeverisë së Kosocvës nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ku sot të dy qeveritë do të mbajnë mbledhje të përbashkët.

Pak pa arritë kryeministrat, siq e do zakonit, ministrat e të dy shteteve janë përshëndetur njëri me tjetrin, teksa kanë shkelur masën e parë anti-COVID. Ata kanë shtrenguar duart derisa kanë zënë vendet e tyre.

Pas pak pritet të arrijn ë edhe kreministri Zaev dhe kryeministri Kurti, ku më pas edhe do të fillojë mbledhja e përbashkët.

ImageMinistrat e Kosovës priten nga homologët e tyre në Shkup

Në Shkup të Maqedonisë së Veriut kanë arritur ministrat e Qeverisë së Kosovës.

Ata janë pritur nga ministrat shqiptarë e maqedonas në prag të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Pas pak aty pritet që të arrijë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili do të pritet nga kreu i qeverisë maqedonase, Zoran Zaev.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut mblidhen në Shkup

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut sot do të mbajnë seancën e parë të përbashkët qeveritare në Shkup.

Kjo seancë do të drejtohet nga nikoqiri i takimit, kryeministri maqedonas Zoran Zaev bashkë me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti.

Për delegacion e Qeverisë së Kosovës do të ketë pritje protokollare në pikën kufitare në Bllacë nga ana e ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë Bujar Osmani.

Më pas, Zaev do ta pres Kurtin me nderime të larta shtetërore.

Dy kryeministrat do të zhvillojnë edhe një takim, njëjtë sikurse takime do të ketë edhe mes ministrave të dy qeverive.

Gjatë takimit të përbashkët do të të nënshkruhen marrëveshje në fusha të ndryshme si në atë: të energjetikës, infrastrukturës, ekonomisë, turizmit, etj.

Në kuadër të kësaj, Zaev e Kurti do të kenë edhe një adresim për media.

Edhe pse shqiptarët harrojnë, serbët nuk e harrojnë vetveten. Moj Shqipëri shumë po gabon !

1

Nga: Fahri Xharra, Gjakovë

Në Galerinë e Arteve në Tiranë ishte hapur më 17 shtator 2015 ekspozita për një ngjarje të madhe të historisë së Serbisë gjatë Luftës I Botërore, e njohur si “Tërheqja e madhe”.

“100 vjet më parë, në fillim të Luftës I Botërore, Mbretëria Serbe u gjet përballë një sulmi frontal të ushtrive gjermano-austro-bullgare.

Duke mbetur pa rrugëdalje, armatat serbe, të demoralizuara dhe pa shpresë, u detyruan të tërhiqen nëpërmjet maleve të Shqipërisë.

Shtigjet plot borë dhe malet e ashpra, mungesa e ushqimeve dhe tifoja e morrave, bëri që kur trupat serbe të dilnin në bregdetin shqiptar, të kishin lënë pas një varg të gjatë me kufoma.

Historia serbe flet për humbjen e 150 -200 mijë ushtarëve dhe civilëve serbë.

E gjithë familja mbretërore serbe, e hipur në qerre dhe e tërhequr nga buaj të paushqyer prej një jave, mbërriti në shtëpinë e Esat Pashë Toptanit, ku pasi morën veten, me anijet franceze, arritën të largoheshin nga Shqipëria.

Kjo tërheqje tragjike dhe humbjet e mëdha të serbëve hynë në histori si “Tërheqja e Madhe”, një histori krejt e panjohur për opinionin tonë.

Për këtë arsye dhe në mbështetje të thirrjes së UNESCO-s për përkujtimin e ngjarjeve të mëdha të Luftës së Parë Botërore, AKB organizon një ekspozitë nga kjo ngjarje historike me foto nga Arkivi Ushtarak i Beogradit dhe të mbështetur nga Konsullata Austriake e Nderit e Shkodrës dhe Ambasada e Republikës së Serbisë..

Kurse Serbia me 15.Shtator 2021 në Beograd:

Serbia e Aleksandër Vuçiqit është duke e marrë shumë seriozisht thirrjen e për të harruar të kaluarën dhe për të shikuar në të ardhmen: kjo është një pamje nga Beogradi mbrëmë. Uniforma të vjetra, gjuhë e vjetër, politikanë të vjetër, kërcënime të vjetra, ikonografi e vjetër hegjemoniste, lamentime e përvajtime mbi «serbët e kërcënuar» në rajon, që në përkthim i bie: kërcënime nga Beogradi ndaj popujve të tjerë. Po mungojnë vetëm eshtrat e Car Llazarit, të nxjerra nga dheu për t’i shëtitur mes serbëve.

Për ditën e sotme (15.09.2021) Vuçiq ka shpikur një festë të re: “ditën e unitetit serb, të lirisë dhe të flamurit kombëtar”. Do të kujtohet 15 shtatori i vitit 1918, kur “serbët shpërthyen frontin e Selanikut”, pastaj ushtria serbe marshoi drejt Kosovës (të cilën e ripushtoi) dhe u kthye edhe në Serbi, prej nga ishte ndjekur nga Austro-Hungaria më 1914/1915 pasi një rrjet terrorist serb (i tipit të Al-Kaidës së sotme) kishe vrarë në Sarajevë – më 28 qershor 1914 – trashëgimtarin e fronit austro-hungarez, Franz Ferdinandin. Ushtria serbe kishte ikur nëpër Shqipëri, pjesërisht falë garancive që ia kishte dhënë Esad Pashë Toptani.

Vuçiq ditë më parë u bëri thirrje prindërve serbë që të martën, më 14 shtator, të vijnë me fëmijët e tyre te Shtëpia e Mallrave Ushçe në Beograd, ku ushtria do të prezantojë armët që ka blerë viteve të fundit. Sepse ushtria serbe, kështu ka thënë ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin, duhet të jetë gati për të mbrojtur serbët “kudo ku jetojnë ata”.

Një kërcënim i hapur ndaj Kosovës, Bosnjës, Malit të Zi.

Por mos u habiteni fare nëse ndonjë pushtetar i Tiranës duke shikuar pamjet nga Beogradi bërtet: “Albin Kurti i ka fajet”. ( Ancient Illyria )

Çoki …

0

Tregim nga Bajram Sefaj, Paris

rilexim nostalgjik

Tejet i vogël që t’ia dijë kuptimin fjalës që shqipton. E do të thotë: shok(i)u. E shkurton, e zvogëlon këtë fjalë për t’ia përshtatur madhësisë miniaturale të trupit të vet.

Çoki im, kështu e thërret një mik, që është “moshatar” i tij, hiç më i moçëm se ai, pos për nja gjashtë dhjetëvjetësha.

Garant!

Sado që rrëfimi është i hidhur në brendinë  e tij të hidhur, ka një subjekt me histori të çiltër, por edhe të rrastë jetësore. Shumë herë më të vëllimshme e më tragjike sesa mund të bartin supet e tij të pafuqishme, kur janë sa grima, me pak tejkalim, mund të thuhet, mikro-optike.

Dy histori nguten që, përnjëherësh, të hyjnë në kallëzim.

E para qet krye para së dytës, ngase është më e re.

“Transmetohet” e riprodhohet tamam ashtu siç ka ndodhur, realisht, në paketim origjinal, pa iu shtuar as pa iu munguar asgjë:

“… derisa rrinim e gjerbnim nga një kafe-makiato (me assugrin gold, aman, se na mbyti diabeti!) të mëngjesit, në njërën nga kafet më të frekuentuara të qytetit, tretur pas temash që i shoshitim çdo ditë, kur, për ditë e më shumë, zhytemi në llumin e tyre të dendur, tavolinës sonë i afrohet silueta e një krijese aq të vogël, sa të mos e vëresh fare, kur koka s’i dilte mbi lartësinë e tavolinës. Biseda jonë, e nxituar e me ritme të shpejta e gjeste të ashpra, atë krijesë të imët, sikur e bënte si të padukshme. Si nëpër ëndërr dëgjoj refrenin, shpesh të përsëritur: ik, shmangu tani, lërna rehat!

Hiç më shumë nuk regjistrova në diskun e rradakes së stërmbushur me probleme jetësore. Miku im, ishte paksa më i pakujdesshëm, më i egër se zakonisht ndaj dorës së shtrirë… Vetëm atëherë kur m’u afrua ngat silueta e brishtë e tij, duke bërë me  dorë nga unë, shqiptoi fjalë plot inat e mllef ndaj vrazhdësisë së bashkëbiseduesit tim: “ky çoki (lexo: shoku!) ka pale në xhep!” – dhe doçkën e vogël sa grima, si pa gishtërinj ta kishte, e palosi për xhepin e setrës sime të kadifenjtë. Sikur të më shkoqte kllapie gjumi të rëndë një lajm i mirë, përnjëherësh u kthjellova dhe para vetes pashë një qenie të imët hyjnore, si të kish pikur nga pala e shtatë e qiellit të paanë.

– Po, axha ka “pale!” sa të duash! i thashë dhe, me nxitim e zjarrmi, lëshova dorën në thellësinë e errët të xhepit të shterur dhe, që andej, e ktheva me ca centë të imët, destinuar për një bukë, a nja dy gazeta të ditës.

Vogëlushi, a hija e tij e tejdukshme, bashkë me lekët e imët mbyllur në grushtin e vogël, u shmang duke më falur një përshëndetje të bardhë miqësore.

Me doçkën e ngritur në ajër, u zhduk si  të ish hije fantazme, në pikë dite me diell. Ditë vere që sa nusërohej e bëhej vjeshtë…

Tjetër nuk di. Asgjë nuk mbaj mend.

Ç’u bë, nga vajti, nga humbi, nga treti.

Njëmend, ç’u bë me të, o Zot!?

E përpiu toka.

E gëlltitën avujt e ditës së nxehtë të vjeshtës së parë.

U shndërrua në zogth krahëlehtë.

Fluturoi!

*

Një ditë, tek këpusja shtegun e shëtitjes së përditshme mëngjesore, një zë i ëmbël, si një cicërimë kanarine, sikur me hyri për nënxhaketë, m’u ngjit trupit për të m’u ndalur në guacën e veshit..

– Hej, çoki im, çoki!

Ai zë i çiltër, melodik, sa hyjnor, o Zot! – nuk vinte nga larg. Për cepin e setrës me ishte  kacavarur,  po kush tjetër pos Çoki-t tim që, për pak, sa nuk e kisha harruar e shlyer kujtese.

Tani sikur nis rrugën një miqësi e paprerë dhe, kjo, lirisht mund të thuhet, është gjysma e dytë e rrëfimit.

Tashmë kur jemi çokë (shokë) në kuptimin fisnik të fjalës.

*

Si fidan i brishtë mbjellë aty, midis lisave shtatgjatë të avenysë, që, një ditë të afërt, do të bëhet edhe më e bukur sesa është, veçse të shmanget perdja e llamarintë dhe të kallëzojë shtatin e lartë katedralja në ndërtim, Çoki ngjan edhe më i imët sesa është vërtet.

Ka zënë atë pikë strategjike, pas hamendjes dhe besimit të atyre që e kanë hak rritën dhe ekzistencën  e tij, si pjesëtarë të familjes së tyre, se: përballë një tempulli fetar, në ndërtim e sipër, zemrat e kalimtarëve do të jenë më të buta, e duart më të lira!

Cila është familja e Çokit?

Çoki nuk ka familje. Ose e gjithë bota është familje e tij.

Nuk është as i falur, as i gjetur rastësisht.

Është zog shtegtar pa fole, as pa strehë. Shtrojë ka tokën e dheut të Kosovës,  mbulojë qiellin e paanë të gjithësisë. Nuk ka as babë, as nënë. Ose i ka që dy bashkë, kur ndoshta matanë lisave shtathedhur të avenysë, me shikim të fshehur ndjekin çapkënllëqet e tij. Kurrë nuk i afrohen, sa për t’ia shpupurishur flokët e shpeshtë e kaçurrel, së paku.

Kur miqësia me Çokin zuri të rritej, të lëshonte shtat, kur racionet e kafjallit a të drekës nuk mungonin, kur bashkë kthenim edhe në shitore këpucësh e veshmbathjesh të tjera, një mesogrua u shkoq nga lukuni fëmijësh barkzbrazur e symëdhenj, në lakmi të përhershme, grumbull në livadh para Filologjikut, si për të larë një borxh ndaj meje. Shkurt e më zë të shterur, me tha: Eduard e ka emrin. E thërrasim Edi. Është katër vjeç. Nuk është zog imi. Është pjesëtar i tufës sime. E dua, shumë e dua. Nuk e ndaj prej fëmijëve që i kam lindur. Edhe fëmijët e mi e duan shumë. Beniamin e kemi. Do ta shkollojmë, sa të bëhet shtatëvjeçar, është i zgjuar, do të jetë më i miri i shokëve në shkollë.

E si të mos e duan, – i flas vetes në heshtje të thellë intime, kur është aq i bukur, krijesë lozonjare, bonbone…, ta pish të tërin me gotë uji, si sherbet! Me ata sy të zinj zjarr e të lëvizshëm minuku.

Sytë, gati të rrëmbushur lotësh, përnjëherë i lëshoj andej nga katedralja në ndërtim, ku është sektori ose territori i përkohshëm i punës së Edit!

Nuk guxoj t’i bëj shenjë me dorë, as t’i lëshoj zë Çoki-t tim të dashur, tani kur emrin  ia di në të dy motërzimet: Eduard dhe Edi.

Më duket emër i madh për atë cep trotuari që zë.

Nuk guxoj ta thërras me zë të lartë, ngase, jam i bindur, do të merrte vrapin të këpuste trup rrugën me shumë automjete në fugim. Do t’ia këpusnin vrapin!

Pamëshirshëm do të ndrydhnin Çokun, qenushin e dashur, mikun, çokin tim Eduard. Edi… Lulin e Vocërr, të ditëve më të reja të shekullit të njëzetenjëtë!

(Ati ynë, bukën tonë të përditshme, falna sot!).

– Hej, Edi, Eduard … i flas vetes, a bisedoj me hyjnitë e qiellit…

Kryekuvendari Konjufca priti në takim përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak

0

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Në takim u bisedua për ecurinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Kryekuvendari Konjufca u shpreh se dialogu duhet të rezultojë me njohje reciproke dhe përsëriti qëndrimin se rendi kushtetues, sovraniteti, integriteti territorial dhe pavarësia e Kosovës janë të panegociueshme.

“Asnjëherë nuk do të pranojmë që këto postulate të shtetit tonë të jenë temë e bisedimeve me Serbinë”.

Kreu i Kuvendit po ashtu vuri në spikamë angazhimet parlamentare lidhur me miratimin e ligjeve dhe harmonizimin e tyre me ato të BE-së, duke ritheksuar se perspektiva e Kosovës është në Bashkimin Evropian.

Një lajm i mirë nga selia e UEFA-s: Anglia në podium, Kosova arriti lartësi të reja

0
Kosova nuk ndalet. Anglia në podium, Kosova arriti lartësi të reja, njofton Nefail Maliqi, gazetari i gazetes zvicerane ne shqip Le Canton27.ch nga selia e UEFA-s

• 177 ndërkombëtarë luajtën në shtator
• Ndryshimet në pozicionet e podiumit në FIFA/Coca-Cola World Ranking
• Libia ka bërë përparimin më të madh, Kosova arrin nivelin më të lartë të të gjitha kohërave

Me jo më pak se 152 lojëra kualifikuese të Kupës së Botës IF, si dhe 25 miqësore të luajtura në të gjithë globin në gjysmën e parë të shtatorit, Renditja Botërore e FIFA/Coca-Cola e publikuar më 16 shtator është pa dyshim shumë e ndryshuar.

Ndërsa Belgjika (1) dhe Brazili (2) vazhdojnë të udhëheqin rrugën, ka një fytyrë të re në podium. Pas rezultateve të përziera në kualifikimin e Katarit 2022 këtë muaj (dy barazime dhe një fitore), Franca (4, – 1) u largua nga Top 3, duke lejuar që Anglia (3, +1) të zërë vendin e tyre me dy fitore dhe një barazim nja nëntë vjet pasi ishte atje e fundit.

Me tre fitore në po aq ndeshje, Danimarka (10, + 1) depërton në Top 10, ku Portugalia (7, + 1) dhe Spanja (8, – 1) ndërrojnë pozicionet.

Ngjitjet më të dukshme në TOP 50 erdhën nga IR Iran (22, + 4), Rusia (37, + 4), Norvegjia (39, + 4), Skocia (45, + 4) dhe Irlanda Veriore (47, + 4 )

Sidoqoftë, është nën vendin e 50 -të që shohim përparimet më të mira në këtë botim, përkatësisht ato të Libisë (110, + 12), Kanadasë (51, + 8), Liberisë (144, + 6), Maltës (171, + 6 ), Panamaja (68, + 6), Bullgaria (70, + 5) dhe Arabia Saudite (56, + 5).

Përmendje e veçantë duhet t’i bëhet Kosovës (109, + 6) e cila, pasi mundi Gjeorgjinë (1-0) dhe mbajti Greqinë (1-1), u ngjit në vendin e 109-të dhe një rekord të të gjitha kohërave.

Renditja Botërore e FIFA/Coca-Cola do të publikohet më 21 tetor 2021.

Leader Belgjikë (i pandryshuar)
Vendet që hyjnë në Top 10 Danimarka (10, + 1)
Vendet që dalin nga Top 10 SHBA (13, – 3)
Gjithsej ndeshje të luajtura 177
Shumica e ndeshjeve të luajtura në Etiopi, El Salvador, Kosta Rika, Niger, Sudan (4)
Rritja më e madhe në pikë Libia (+ 27.27 pikë)
Rritja më e madhe në vende Libi (+ 12 vende)
Rënia më e madhe në pikë Qipro (- 32.65 pikë)
Rënia më e madhe në vende Venezuela, Xhamajka (- 9 vende)
Vendet që i bashkohen Renditjes Asnjë
Vendet që lënë Renditjen Asnjë
Ekipet joaktive joaktive Ishujt Kuk

Interesat e Shqipërisë dhe Parlamenti i ri

0
Romeo Gurakuqi, Tiranë

Interesat e Shqipërisë dhe Parlamenti i ri kryetarët e partive dhe të votuem nga elektorati i dorëzuem vendimit të tyre arbitrar, jotransparent dhe jostatutor, u betuan në Parlamentin e Tiranës. Një histori projektimesh artificiale të përfaqësisë që përsëritet prej shumë kohësh. Një Parlament që nuk përfaqëson ma vendin, por veç interesat private të pak familjeve, që, përmes liderëve të partive që nuk njohin dhe nuk respektojnë interesat publike të Shqipërisë, sundojnë këtë vend duke djegur në varfëri, mjerim, dëshpërim dhe pasiguri breza të qytetarëve shqiptarë.

Parlamenti i ndërtuar kështu nga “arsyetimet” e panjohura të kryetarëve nuk përfaqëson ma vendin, por grupe interesash oligarkike, që përmes partive që operojnë jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjore rregullatore, kontrollojnë dhe sundojnë më dorë të hekurt të gjithë jetën politike, ekonomike, ende atë gjyqësore, prirjet e jetës së vendit, krijojnë krizat dhe i zgjidhin ato me gjysmakërinë tipike orientale që i karakterizon. Si në asnjë vend tjetër në rrugën e demokracisë dhe europianizimit, mbledhja e parë, konfirmimet, votimet, grisjet dhe rrahjet e pakuptimta të tavolinave, u zhvilluan pa praninë e përfaqësuesve diplomatike të Aleatëve Strategjikë të Shqipërisë, të lodhur tanima me “senjorët” dredharakë të skenës “teatrore” në Tiranë.

Ndodh sërish kështu të mos kemi një Parlament përfaqësues, elitar, zonjash dhe zotërinjsh që dinë rregullat dhe etiken e sjelljes, sepse:

1. Reformimi i kuadrit ligjor, mbi të cilin funksionojnë partitë politike, ngrihen burimet njerëzore elitare dhe qytetare, nuk u pranua të kryhej në ditët e qershorit 2020. Për rrjedhojë, fasada e pluralizmit dhe e përfaqësisë e garës së prillit 2021 mbeti e gozhduar njëlloj mbi të njëjtët binarë antidemokratikë të pilotimit të kotësisë në organin sovran;

2. Reforma Elektorale, ajo që do të transformonte vullnetin e familjeve të kryetarëve, grave, kunetërve, fëmijëve me rreth të fortë, në vullnet të qytetarëve, nuk u realizua asnjëherë, në marrëveshje të plotë mes krahëve të politikës;

3. Ligji kundër korruptimit elektoral enkas nuk u vendos kurrë në rendin e ditës për t’u aprovuar nga udhëheqësit, që nga mëngjesi deri në darkë bërtasin për zgjedhje të lira dhe të ndershme;

4. Emigrantët, të pakontrollueshmit nga partitë, edhe një herë në mënyrë të koordinuar në heshtje, u penguan të votonin për fatet e atdheut, që ata e dëshirojnë aq shumë të jetë një Arbni Adriatikase;

5. Zhbalancimi administrativ antikombëtar i Shqipërisë mbeti ashtu siç e kishte realizuar PS, e lirë nga opozita në përsheshjen e vendit. Për këto arsye dhe të tjera të nënkuptuara, vendi ndodhet i ngrirë në kuadrin institucional, politik dhe zhvillimor, sikur ka qenë katër vite ma parë, duke pritur përsëritjen e të njëjtave skena në Parlament. Ndaj, një shfaqje teatrale si ajo që po ndodh në këto orë e ditë në Tiranë, mund të inskenohet vetëm në këtë vendin tonë, në selinë kryesore sovrane të tij, të kthyem në modelin tipik të një Bazari Allishverishesh, në të cilin interesat publike të Shqipërisë prej 30 vitesh nuk përkufizohen aksiomatikisht, për rrjedhojë, lihen mënjanë ose shtypen brutalisht.

Është kjo arsyeja pse, publikut, në të shumtën e rasteve, në mënyrë të turbulluar, interesat sovrane të Shqipërisë iu shfaqen enkas të ngatërruara me interesat e individëve të gjithëpushtetshëm, që një ditë janë pro amerikanë dhe pro europianë, ndërsa pas një jave bëjnë të kundërtën nga brigjet e Azisë, ose nga resortet e dhuruara nga oligarkët në bregdetin Adriatikut dhe Jonit. Në çdo vend institucionalisht të perëndimizuar, Parlamenti ka virtyte përfaqësuese, mirëpo në Shqipërinë tonë reformat që do t’i duhet t’i jepnin fund regjimit plutokratik të krijuem nga kontrollorët e mëdhenj, ushqyesit e tyre me para, nuk u realizuan; rregullimet që do të duhet të përfaqësonin komunitetet përbërëse të kombit nuk u respektuan; pengesat ligjore që ndalojnë individët pa shkollime të rregullta të zënë vendet në organin e naltë sovran, u kapërcyen në heshtje, përderisa vetë zotat e punëve janë mbartës të shkollimeve jo të qarta, të tejzgjatura dhe asnjëherë të përfunduara në kohë. Kësisoj, as Parlamenti i vitit 2021, sipas gjykimit tim, nuk përfaqëson vendin, krahinat, komunitetet kulturore, njerëzit e Shqipërisë, por është një strukturë e imazheve dhe interesave të kryetarëve miliarderë, që nuk dinë cilën banesë të zgjedhin më parë për rezidencë zyrtare për ta regjistruar në sistemin e transparencës publike.

Mbase kësaj here, në Parlament nuk ka njerëz me precedentë penalë, por ushqimi dhe lejimi nga ana e kryetarëve firmatarë të listave, e familjarëve të të njëjtëve, angazhimi i tyre në zhvendosje, dorëheqje të papritura dhe hapje rruge për përfaqësuesit e të fortëve në atë institucion, e shpie rezultatin në situatën e para dekriminalizimit. Kjo do të thotë që Procesi Dekriminalizues ishte veç një lojë politike në duar të njerëzve joseriozë, kulima, të pavërtetë, syluajtës, por jo një program parimor drejt ndërtimit të një Parlamenti elitar. Dhe s’ka si të ndodhte ndryshe me njerëz të pilotuar nga askundi në majë të drejtimit të ekzekutivëve, pa shënuar asnjë ditë pune në sistemin publik shqiptar të punësimit dhe pa i njohur askush në këtë vend. Edhe shpresa e publikut që Reforma në Drejtësi do të jepte efektet e veta në çmontimin e këtij kontrolli piramidal nga këto pak duar, ende nuk ka pasur impaktin e duhur, pavarësisht gjithë angazhimit të jashtëzakonshëm të perëndimorëve, për shkak të frenimeve procedurale të padukshme edhe në formimin e organeve të reja të drejtësisë, gabimeve metodike në programim e rekrutimit të burimeve njerëzore.

Dhjetëra të rinj shqiptarë të shkolluar me cikël të plotë ndër universitetet perëndimore në drejtësi, enden rrugëve pa shpresë punësimi, sepse baballarët socialistë të reformës, i kanë përjashtuar nga e drejta e shërbimit ndaj vendit të tyre. Ndaj, Republika vazhdon të jetë një ndërtesë shumëkatëshe oligarkike, me kasta të mbylluna robsh pa lidhje mes vedit, të vendosun nën urdhna të kryefamiljarëve që i kanë pilotue (e dinë ata se si), në Parlament dhe Qeveri e kudo ku kontrollohet shpërndamja e pasunive të Shqipërisë dhe mbrohet i paprekun Kontrollori i madh respektiv i linjës politike. Publiku nuk pret asgja të re nga shumë prej këtyre protagonistëve, që nuk kanë shkëlqyer as në profesionet e tyre të para, përveç se për bindjen e verbër për të votue çdo koncesion, çdo falje taksash ndaj oligarkëve, mbi Portin e ndërtuem në Muret Antike të Dyrrachium-it, në tokën e Teatrit Kombëtar dhe gatishmërisë për të rrëshqit me buton prej Parlamentit kur nuk duhej me kenë të pranishëm në mëkatet qeveritare të faljes së taksave ndaj oligarkëve.

Askush nuk harron koordinimin perfekt të padronëve, kur vinte puna për të ndihmuar të “mëdhenjtë e ekonomisë”, nga të cilët varen. Kontrollorët e Mëdhenj të Teatrit Parlamentar vërtet mund të jenë yjet e oligarkëve të caktuar, mbase edhe personazhe kalimtare të projektuar nga dikush për të pastruar rrugën e Shqipërisë drejt një vendi të sigurt dhe serioz në Aleancë, por ato nuk janë në asnjë rast modelet e udhëheqësisë së një Shqipërie të lirë, laike, të balancuar kulturalisht dhe krahinarisht, demokratike, parlamentare dhe Perëndimore, të cilën kombi e ka fuqinë dhe mundësinë e vërtetë me e krijue me aq shumë njerëz të ditur dhe vullnetmirë në dispozicion. Ata vërtet mund të jenë kujdesun me i paraqitë interesat e tyne të ngushta sikur janë interesat e Shqipnisë dhe qytetarëve, por në fakt asgjë të tillë nuk ka pasur në thelbet e qëndrimeve të tyre. Ndër grupimet politike që ata drejtojnë, ose mungon urtësia dhe guximi me folë lirisht, ose ajo është në minorancë.

Kudo ndër sjelljet dhe veprimet e tyre mungon respekti ndaj rregullave të vendosuna, mungon besnikëria e arsyeshme ligjore dhe korrektësia qytetare ndaj kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, mungon vendimmarrja e përcaktueme mbi bazë të kolegjialitetit. Thikat pas shpine, inskenimet dhe kurthet e gatshme përbëjnë mjetet e tyre për të siguruar heshtjen e përhershme të “kryengritësve” potencialë brenda radhëve. Në mënyrë të njëllojtë, Kontrollorët Politikë të Shqipërisë e përdorin për mbrapshtë zgjuarsinë që u ka falë natyra, për të krijuar rrjete njerëzish shërbenjës terminalë, për veten, klanin e tyre dhe bizneset e tyre të lulëzuara, ndërkohë që popullin e thjeshtë, fëmijët tanë, rininë e Shqipërisë, e kanë demoralizuar, hutuar, dëshpëruar dhe vënë në rrugën e ikjes nga sytë këmbët nga atdheu.

Nga ana tjetër, sundimi kaq i gjatë i personazheve të këtyne familjeve oligarkike, që interesat publike të partive i konceptojnë bazuar mbi interesat e tyre private, të qenies ose mosqenies në tavën e politikës, përulja e njerëzve ndaj një të keqeje që e shohin dhe vijojnë ta ndjekin mbrapa, tregon se jena një shoqni e paaftë me u organizue vetvetiu, krejt e ndryshme nga ajo që ditën dhe realizuan të parët tanë; ne sot jemi një shoqni qe nuk i qëndrojmë më besnikë ligjit, rregullit, parimeve themelore, mbi të cilat ndërtuan shtetin tonë të përbashkët etërit tanë në dekadat e agimit të lirisë.

Kjo, sepse kontrollorët politikë, mbasi na kanë lidhur me bukën e gojës dhe mbijetesën, kanë fshirë nga prioriteti, nga respekti dhe nga zbatimi, tërësinë e parimeve të interesave shqiptare, të brendshme dhe të jashtme, të shkrueme nga Sami Frashëri, Faik Konica, Pader Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Mid’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Padër Anton Harapi etj., etj. dhe që në vitet 1912, 1918, 1920, 1930, u vunë në jetë në një masë të madhe, pavarësisht devijimeve sekondare.

Ne prej kohësh shohim drejtues të vetëquajtur të djathtë, por asnjëherë nuk kemi vërejtur që atyre t’u shkojë ndërmend, që detyra kryesore e nji partie konservatore është respektimi i njimendtë dhe i qëndrueshëm i parimeve themelore të ndërtimit të Shqipërisë, interesave të saj strategjike perëndimizuese, demokratike dhe laike; ata nuk e dijnë dhe mbase nuk dojnë ta dijnë, se janë aty për me drejtue politikisht shoqërinë, me shpëtue çka ka pasë të mirë e kaluemja dhe njiheri me përgatitë të ardhmen, me një politikë gjeneroze, modernizuese dhe konstante (dhe jo me hope sipas interesave të shfaqjes personale), pro europiane dhe pro amerikane.

Nji ndër objektivat që do të duhej të kishte parasysh në program një forcë politike konservatore, duhet të ishte një reforme e njimendtë për krijimin e një shërbimi civil të shkëlqyeshëm. Ndërkohë, ne nuk shohim askund që ai objektiv të na shfaqet në programet politike. Dhe kjo na ban me mendue, se njëlloj si socialistët, ata mendojnë, se në një ditë të nesërme fitoreje, do të mbajnë në kambe regjimin e rekomandimit dhe tarafit. E papranueshme në këndvështrimin qytetar, shkatërruese në aspektin e efikasitetit të veprimit governativ. A kemi pa ne të shkrueme në rreshta të thukët dikund, se cilat janë interesat shqiptare, të brendshme dhe të jashtme, në mënyrë që kur të vihemi para kërkesave për strehime të pafundme refugjatësh nga Lindja, të dimë si t’u përgjigjemi dhe si të sillemi me aleatët, për të qenë njëkohësisht edhe humanë e civilë, por, edhe konform bazamenteve dhe ekuilibrave të ndërtueme me kohe?! Askund!

Spontaniteti dhe Përulja Servile ka qenë dhe mbetet i vetmi motor që vë në veprim fjalën dhe vendimmarrjen e këtyre njerëzve pa konstitucion formativ dhe civil, që nuk njohin vendin dhe janë të mbarsur me paragjykime dhe urrejtje ndaj komponentëve të caktuar kulturorë të Shqipërisë. Vetëm mënyra se si e kanë pilotuar përfaqësinë, ose asgjësuar atë përfaqësi reale në Veri të vendit, është një shembull i mjaftueshëm i konstruktit formativ të tyre. Dhe vijmë në fund te sjellja parlamentare: Ai institucion siguron konstitucionalisht rend dhe dinjitet në kuvendim. Mirëpo, ne edhe dje, pamë sjellje të improvizueme dhe krejt foshnjarake, pamë së në organin sovran, si prej kohësh të kalueme të tranzicionit, kemi dëmtue mësimin e themeluesve për shfrytëzimin e ndenjjes aty për rrahjen e çështjeve publike me kompromis.

Të metat që ka mekanizmi ynë konstitucional bajnë që debati parlamentar të marrë trajtën e një lufte të organizueme në dy kampe ose kasta të mbylluna, të mbarsuna me urrejtje të mëdha, që në pamje të parë ngjajnë të papajtueshëm. Mirëpo, mua nuk e di se si kjo e pardjeshmja në Parlament më ngjan me një teatër me aktorë të pavërtetë, inskenuar enkas për një ditë të veçantë, ku luheshin paralelisht dy “drama”. Mirëpo, ata janë aq të errësuem sa nuk shohin se njerëzit e Shqipërisë janë të lodhun prej diskutimeve të tyre të vjetra dhe gjakftohtësia e kombit është ezauruar.

Mbase ato e dëshirojnë këtë lodhje, këtë dorëzim pa kushte të opinionit publik, të intelektualëve dhe qytetarëve që e dojnë vendin e tyre, sepse ky ezaurim i lejon ata me vijue punën e nisur, shfaqjen e radhës në teatrin e tyre të dashur, pa të cilin nuk jetojnë dot. Dhe pyetja që të gjithë bajmë në këto ditë përplasjesh të jashtëzakonshme, asht kjo: A do ketë Shqipnia në këtë mandat një Parlament të bazuem në luftën e mirësjellshme politike të partive prezente në ketë institucion? Në qoftë se një ndërhyrje themeltare nuk ndodh për të ndërprerë këtë teatër rrënimtar të këtyre figurantëve, për të vendosur një listë reformash prioritare për interesin e vendit, zgjidhjesh të sakta politike të përgjithshme dhe krahinore, rivendosjes së kompetencës në drejtimin legjislativ dhe ekzekutiv për një periudhë tranzitore deri në rikthim të sovranitetit në “Atdheun Legal”, unë mendoj se edhe më tutje nuk do kemi korrigjim të pamjes së shëmtuar të dhuruar prej shumë vitesh në publik nga Skena e Parlamentit të Shqipërisë.