Kreu Blog Faqe 168

Adriatik Riza Dosti, e analizon testamentin e Akademik Qosjes dhe thekson se “ty nuk ta kanë asnjë faj Kosova e as Shqipëria”

0

Adriatik Riza Dosti, Tiranë

Prehu i qetë, Profesor R. Qosja… se as Kosova e as Shqipëria nuk të kanë ndonjë borxh…
Je ti ai që ndoshta u ke borxhe atyre… madje jo pak.
Figura jote dhe vepra jote letraro–albanologjike ekzistojnë pikërisht në sajë të Shqipërisë dhe Kosovës, e jo anasjelltas… ok.

Më fal atje ku je, o Profesor… por sinqerisht u ndjeva keq si shqiptar, qoftë edhe prej faktit se për vdekjen tënde të parët që reaguan “fort dhe me dhimbje publikisht” ishin Edi Rama e pas tij Rudina Xhunga… pffff, o Zot, çfarë neverie.

U nxitova t’i bëj publike këto radhë të mia pasi lexova me vëmendje amanet–testamentin për vdekjen e tij (Rexhep Qosjes), lënë për së gjalli 10 vjet më parë dhe që u bë publik dje (pas vdekjes së tij) nga familjarët e vet.

Është e drejta jote absolute, i ndjeri Akademik e Profesor, të ikësh nga kjo botë ashtu siç dëshiron ti… pa klerikë te koka, pa lule prej askujt, thjesht fare, pa homazhe shtetërore, pa ceremoni të tilla, pa politikanë hipokritë rreth teje dhe pa fjalimet e tyre hipokrite etj., etj.

Është po e drejta jote të vdesësh e të varrosesh brenda ditës, të kërkosh të ikësh me kaq ngut dhe të kërkosh që edhe përmes vdekjes tënde t’i fshihesh gjithkujt… e të ikësh kësisoj si në ato historitë me Robinson Kruzo… sikur s’ke jetuar kurrë mes njerëzish.

Por është fyese, provokuese, njësoj si t’i hedhësh benzinë zjarrit, shprehja jote në fund të amanet–testamentit tënd mortor, teksa thua: “iki i qetë nga kjo botë pasi Kosova nuk më ka asnjë lloj borxhi; nëse ajo më ka mua borxhe, këtë le ta thonë historianët që do të vijnë pas meje.”

Shqipëria dhe Kosova “kundër dëshirës tënde” po të nderojnë ende dhe më shumë sesa duhet e sesa ke pritur ti, Profesor.

Të dyja parlamentet, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, u ngritën në këmbë në një minutë heshtje – nderim në respekt të jetës dhe veprës tënde.
Homazhe, përkujtimore, nderime e respekt për figurën dhe veprën tënde, dhe krejt media shqipfolëse në mbarë botën hapet e mbyllet me ty, Profesor, ani pse “kundër dëshirës” dhe amanetit tënd.

A ke qenë ti fort i hidhëruar me Shqipërinë dhe Kosovën, i mbushur me mllef ndaj tyre, apo kanë qenë këto të dyja të hidhëruara e të vrerosura ndaj teje ndër vite – këtë po, pritet në vijim ta zbulojnë historianët që përmend ti… madje me arsye, fakte konkrete dhe me logjikë të ftohtë, larg gjaknxehtësisë tipike shqiptare.

Por…

Nuk të ka asnjë borxh Kosova pse ti dëshiroje të arsimoheshe në Beograd dhe të formoheshe si intelektual po në kryeqytetin serb, e jo në Prishtinë apo qoftë edhe në Tiranë.
Nuk ta ka fajin Kosova që ti, me dëshirën tënde, u bëre anëtar i Partisë Komuniste Jugosllave që në vitin 1972.
Nuk ta kishte për borxh Kosova dhe as populli i saj kur ti, Profesor, ishe ndër të parët që denove publikisht demonstratat e Prishtinës të vitit 1981, madje ashpër kërkove edhe dënimin e organizatorëve të tyre.
Nuk është faji i Kosovës pse ti iu kundërvure aq ashpër udhëheqësit paqësor të trevës tënde, dr. Ibrahim Rugovës, ndërkohë që vendi dhe populli i tij e donin dhe e respektonin shumë.

Nuk ta kishte Kosova fajin, z. Qosja, pse ti hyre në politikë asisoj, ndërsa bashkëatdhetarët e tu u detyruan të të mbyllin derën.
Çfarë faji dhe çfarë borxhi të ka Kosova ty në përplasjen tënde publike “në mbrojtje të identitetit kombëtar shqiptar” me Kadarénë, ndërsa ky i fundit kishte dukshëm më shumë të drejtë se ti për çështjen në fjalë?

Borxh të Kosovës ndaj teje e quan ti qëndrimin tënd kontradiktor në Rambuje, aty ku vendoseshin fatet e vendit dhe të popullit tënd?

Sa i përket Shqipërisë…

Ajo të ka shpallur “Nderi i Kombit” dhe sot shqiptarët po ndihen keq për ikjen tënde nga kjo botë, sepse respektojnë së pari figurën dhe veprën tënde letraro–albanologjike në shërbim të kombit të tyre dhe tëndit bashkë.

Ndërsa ti i poshtërove rëndë shqiptarët e Shqipërisë, teksa si askush tjetër i more publikisht në mbrojtje regjimin e tyre komunisto–bolshevik dhe kriminalo–gjakatar.
Ti iu bëre karshillëk atyre dhe i more në mbrojtje kryekriminelin e tyre, Enver Hoxhën, o Profesor… dhe kjo nuk është pak për ata qindra mijëra që ai burrë shteti yt, Enveri, vrau dhe zhduku për dekada me radhë.

Ti vajte në Vlorë dhe me tre gishtat lart të simbolit çetnik serb u rreshtove në krah të kriminelit Zani Çaushi… dhe të “palaçove” Ceka, Gjinushi e F. Çupi me shokë… turp për ty!

Ti erdhe në mes të Tiranës dhe ngjarjet e vitit ’97, ose më saktë luftën vëllavrasëse shqiptare të nxitur nga “evgjitët – komunistë shqiptaro–serbo–grekë”, i cilësove si një “revolucion demokratik të vonuar” (…???)

Tani dua sinqerisht dhe dashamirësisht ta kuptoj siç duhet atë fjalinë e fundit në amanet–testamentin tënd, i ndjeri Profesor, ku bëhet fjalë për borxhet mes teje dhe Kosovës, por edhe Shqipërisë… por ja që disa fakte historike dhe të vërteta kokëforta nuk më lënë dot të mendoj ndryshe, sepse borxhliu i madh më del ti, e jo Kosova dhe aq më pak Shqipëria.

Agim Vuniqi thotë se “Rexhep Qosja nuk debatohet më me slogane — lexohet me vepër”

0
Ka një çast në historinë e kombeve kur polemika e ditës humb peshë përballë trashëgimisë. Me Rexhep Qosjen kemi hyrë pikërisht në atë çast.
Vjen një kohë kur dialogu politik me një shkrimtar përfundon, jo sepse mendimet shuhen, por sepse vepra mbetet më e madhe se debatet që e rrethuan. Atëherë nuk polemizohet më me njeriun, por lexohet trashëgimia që la.
Dhe trashëgimia e Qosjes nuk është vetëm bibliografi.
Është pjesë e kujtesës shqiptare.
Çdo vepër e tij është një copë Shqipërie — herë dhimbje, herë krenari, herë kryengritje e mendimit.
Ai nuk shkroi vetëm për kombin.
Shkroi brenda tij.
Në veprën e tij historia nuk është kronikë; është ndërgjegje.
Gjuha nuk është instrument; është atdhe.
Kritika nuk është zanat; është akt moral.
Ky është dallimi.
Ata që e gjykojnë Qosjen vetëm përmes animeve politike, shpesh e zvogëlojnë një figurë që nuk hyn në kufijtë e politikës ditore.
Si kritik letrar, ai e ngriti mendimin shqiptar në dialog me modernitetin.
Si studiues i gjuhës dhe letërsisë, ai e trajtoi shqipen jo si objekt filologjik të ftohtë, por si organizëm historik të kombit.
Si eseist, ai i dha polemikës shqiptare dinjitet intelektual.
Dhe kjo është rrallë.
Është e vërtetë: mes Rexhep Qosja dhe Ibrahim Rugova pati rivalitet politik.
Po çfarë intelektuali serioz nuk polemizon?
Debati mes mendjeve është shenjë kulture.
Jo skandal.
Qosja dhe Rugova mund të kenë ndarë rrugë politike, por jo çështjen shqiptare.
Secili e mbrojti me mënyrën e vet.
Njëri me kritikën si zjarr.
Tjetri me durimin si strategji.
Historia nuk i përjashton.
I vendos në të njëjtin horizont.
Është e panatyrshme t’i gjykosh intelektualët si militantë.
Sepse intelektuali nuk është ushtar partie.
Ai është shqetësim i kombit.
Dhe Qosja ishte i tillë.
Ai polemizoi jo për pushtet, por për ide.
Dhe kombet pa ide treten.
Në shkencën gjuhësore të shqipes, kontributi i tij nuk është vetëm akademik.
Është civilizues.
Ai e trajtoi gjuhën si themel identitar, si kujtesë historike dhe si arkitekturë kulture.
Në këtë kuptim, ai nuk shkroi vetëm për shqipen.
Ai e mbrojti shqipen.
Kjo është tjetër gjë.
Ka shkrimtarë që prodhojnë libra.
Ka të rrallë që prodhojnë epoka mendimi.
Qosja hyn te të dytët.
Prandaj sot, para veprës së tij, pyetja nuk është me cilën anë politike ishte.
Por çfarë lartësie mendimi i la kulturës shqiptare?
Dhe përgjigjja është e madhe.
Shumë e madhe.
Rexhep Qosja nuk është thjesht autor për t’u pëlqyer apo kundërshtuar. Është institucion për t’u lexuar.
Dhe ndoshta ky është nderimi më i drejtë për një shkrimtar:
jo ta mbrosh nga polemikat,
por ta lësh veprën të flasë mbi to.

Është e drejta e çdo pasardhësi të kërkojë prejardhjen, asnjë dekret i Sulltanit dhe asnjë rregull i Patrikanës nuk mund ta ndryshojë ADN-në tënde

0
GABIMIN” HISTORIK TË IDENTITETIT NË JUG: KUR FEJA DHE PUSHTIMI TË NDËRROJNË GJUHËN
​Shumë njerëz sot habiten me hartën etnike të Jugut, por harrojnë se identiteti nuk ka qenë gjithmonë zgjedhje, por shpeshherë MBIJETESË.
​1. Aleanca e Heshtur (Osmanët & Patrikana):
Sipas sistemit të “Miletit” në Perandorinë Osmane, kombësia nuk ekzistonte. Kishte vetëm besimtarë.
​Osmanët kishin interesin që shqiptarët të mos zgjoheshin si komb (sepse një komb i zgjuar kërkon pavarësi). Ndaj, e ndaluan gjuhën shqipe me ferman të Sulltanit, duke e quajtur “gjuhë të mallkuar”.
​Patrikana e Stambollit, nga ana tjetër, kishte monopolin e arsimit dhe fesë për të gjithë ortodoksët. Për ta, çdo besimtar që hynte në kishë duhet të dilte “Grek”. Kush fliste shqip ose vllahisht në kishë, anatemohej (mallkohej).
​2. Rasti i Vllehëve dhe Shqiptarëve të Dropullit:
Vllehtë, si popullsi pa një shtet mbrojtës, ishin preja më e lehtë. Në mungesë të shkollave vllahishte apo shqipe:
​U detyruan të mësonin greqishten për të bërë tregti.
​U detyruan të luteshin në greqisht për të mbajtur besimin e krishterë.
​U detyruan të ndërronin emrat dhe mbiemrat për t’u dukur pjesë e “Miletit Rum” (Grek).
​3. Kur Gjuha bëhet “Maskë” e Gjakut:
Ajo që sot quhet “Minoritet Grek” në shumë zona, në të vërtetë është një shtresëzim historik: Gjak vllah dhe shqiptar, i mbuluar nga një kulturë greke e imponuar nga rrethanat. Është e drejta e çdo pasardhësi sot të kërkojë rrënjën e tij. Nëse stërgjyshi yt ka folur vllahisht apo shqip, asnjë dekret i Sulltanit dhe asnjë rregull i Patrikanës nuk mund ta ndryshojë ADN-në tënde.
​Përfundimi: Historia mund të manipulohet, pasaportat mund të blihen, por gjuha e zemrës dhe e gjakut mbetet ajo që kemi trashëguar nga të parët, përpara se “politika e miletit” të na ndante.

U nda nga jeta Akademik Rexhep Qosja

1

Frank Shkreli 

Një figurë e madhe e kulturës shqiptare dhe zëri që nderoi Gjergj Fishtën   

Bota shqiptare e letrave dhe mendimit humbi një nga figurat e saj më të ndritura: akademikun Rexhep Qosja, studiuesin, shkrimtarin dhe intelektualin e angazhuar, e që për dekada me radhë ka ndikuar fuqishëm në formësimin e vetëdijes kulturore dhe kombëtare shqiptare.

I lindur më 1936, në Plavë-Guci nën Malin e Zi, Qosja u bë një nga zërat më autoritarë të albanologjisë dhe kritikës letrare. Veprimtaria e tij përfshiu një gamë të gjerë shkrimesh — nga studimet shkencore e deri te romanet dhe esetë — ku spikaste një mendim i thellë, analitik dhe shpeshherë polemizues, por gjithmonë i mbështetur në dije dhe përgjegjësi intelektuale.

Nga pikëpamja ime, një ndër dimensionet më të veçanta të veprimtarisë së tij ishte edhe thirrja për rivlerësimin dhe mbrojtjen e figurave madhore të letërsisë shqipe të përjashtuar nga regjimi komunist shqiptar sllavo-aziatik, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.  Por që deri në ditët e sotme, mbeturinat nostalgjike të atij regjimi kriminal vazhdojnë të përjashtojnë e të anashkalojnë Gjergj Fishtën dhe veprën e tij, duke filluar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë e deri tek institucionet e tjera akademike e shkencore, si në Tiranë ashtu edhe në Shqipëri.  Në këtë kuadër, të rivlersimit të figurave të ndaluara e të përjashtuar, admirimi i Akademik Rexhep Qoses për Gjergj Fishtën, zë një vend të rëndësishëm diskursin kombëtar. Në një kohë kur Fishta ishte lënë në harresë apo i anatemuar nga regjime të caktuara komuniste — ai shqiptar dhe ai si vëlla jugosllav, Qosja e ka vlerësuar hapur dhe shpesh At Gjergj Fishtën si një nga shtyllat themelore të kulturës shqiptare.  Se pa të, historia e letërsisë, por edhe ajo kombëtare nuk ishte shkencore , por vetëm një trung i gjymtuar. Ai e konsideronte autorin e “Lahutës së Malësisë” si një ndër përfaqësuesit më autentikë të shpirtit kombëtar dhe një monument të letërsisë shqipe që duhej studiuar dhe nderuar pa paragjykime ideologjike. Qosja e ka konsideruar Gjergj Fishtën si një lis mbi të cilin, për pothuaj gjysëm shekulli, fatkeqsisht, mbi të ranë rrufetë e dënimeve e përjashtimeve politike për një gjysëm shekulli e deri në ditët e sotëme. Por për fat të mirë – përjashto ideologët shqiptarë që ende kontrollojnë e përjashtojnë, zyrtarisht, figura të mëdha kombëtare –siç ka venë në dukje shpesh edhe Rexhep Qosja, At Gjergj Fishta mbetet se mbetet shkrimtari që populli nuk e ka harruar, pavarsisht, përpjekjeve të nostalgjikëve komunistë në Tiranë dhe në Prishtinë, për ta zhdukur atë nga kujtesa.

Në një intervistë me Dr Elez Biberajn, Shefin e atëhershëm të Zërit të Amerikës në gjuhën shqip (13 Qershor 1990), pyetjes se cili ishte vlersimi i tij për veprën e Gjergj Fishtës, Rexhep Qosja është përgjigjur kështu:

Elez Biberaj: Duket se në Kosovë ka filluar një fushatë për riabilitimin e Gjergj Fishtës. Në Shqipëri, Ismail Kadare ka kërkuar që të ribotohen veprat e Fishtës.  Si e vlersoni veprimtarinë letrare të Fishtës dhe përpjekjet për reabilitimin e tij?

Rexhep Qosja: “Ismail Kadare është jo vetëm poet e prozator i madh por edhe intelektual i madh, i çmuar dhe i dashur fort edhe në Kosovë. Mendimi i tij gjithmonë ka jehonë të madhe. Kërkesa e tij (Kadares) që të ribotohen veprat e Gjergj Fishtës ka shkaktuar vërtetë një valë shkrimesh për Fishtën në Kosovë. Fishta është një prej shkrimtarëve më të mëdhej shqiptarë. Me De Raden dhe Naimin, (Fishta) përbën tri majet e traditës letrare dhe kulturore shqiptare. Sado që disa vepra të tij të shikuara jo vetëm nga aspekti stilistik paraqiten si të vonuara, konservatore, në procesin stilistiko-letrar shqiptar. Por, pa studimin e veprës së Fishtës nuk mund të njihet drejt, as të paraqitet megjithë dinjitetin e saj artistik, letërsia shqipe e gjysmës së parë të shekullit tonë (XX).

Doktoratën kam dashur ta bëj për veprën e Fishtës, por nuk më është bërë e mundëshme ta regjistroj tezën në institucionet ku ajo duhej të mbrohej. Vepra e Fishtës, mjerisht, për 45-vjet (komunizëm) ishte ekskomunikuar prej letërsisë shqipe. Natyrisht, në dëmin e saj, të lexuesve të saj, në dëmin e kulturës shqiptare, përgjithsisht. Fishta duhet të kthehet atje ku e ka vendin, si vlerë e saj e madhe, që dëshmon mundësitë krijuese të gjeniut shqiptar”, është shprehur Rexhep Qosja në intervistën e tij me Dr Elez Biberajn, me 13 Qershor, 1990.

Tani, para se ndonjë lexues të reagojë duke thënë, po Qosja ishte “enverist”, more. Pikëpamjet e mia për Enver Hoxhën dhe krimet e tija kundër interesave të Kombit dihen për të gjithë ata që mund të kenë ndjekur dyzina nga shkrimet e mia modeste mbi periudhën e zezë kombëtare, pasojat sshkatëruese të së cilës ndjehen gjithnjë në shoqërinë shqiptare. Por, në mendimin tim, ky është një prej aspekteve më interesante dhe deri diku paradoksale të figurës së Rexhep Qosjes. Megjithse ai shpesh është akuzuar nga kritikët e tij për simpati ndaj sistemit të Enver Hoxhës, apo për qëndrime “enveriste” në rrafshin politik dhe ideologjik, roli i tij në reabilitimin e Fishtës është i pamohueshëm dhe historik. Për Qosjen, Gjergj Fishta ishte një vlerë kombëtare që qëndronte mbi partitë. Ai ka shkruar e argumentuar se një komb nuk mund të jetë i plotë nëse mohon “Homerin” e vet.

Qosja nuk ishte vetëm studiues i së kaluarës, por edhe një zë aktiv në kohën e tij. Ai u angazhua në debatet më të rëndësishme politike e kulturore, sidomos në periudhat vendimtare për Kosovën, duke mbrojtur të drejtat dhe identitetin e shqiptarëve me guxim intelektual dhe qëndrueshmëri morale. Vepra e tij mbetet një pasuri e çmuar për brezat që vijnë — një arkiv mendimi, reflektimi dhe angazhimi. Humbja e tij lë një boshllëk të madh, por trashëgimia që ai lë pas do të vazhdojë të frymëzojë studiues, shkrimtarë dhe lexues në mbarë hapësirën shqiptare. Në kujtesën kolektive, Rexhep Qosja do të mbetet si një figurë e pakompromis në kërkimin e së vërtetës, sipas tij, natyrisht, dhe si një intelektual që, mes të tjerash, kontribuoi në rikthimin e dinjitetit të figurave si At Gjergj Fishta, në panteonin e kulturës kombëtare. Të gjithë jemi duke pritur që dëshira e Rexhep Qosjes të çohet në vend, sepse ndalimi zyrtar i veprës së Fishtës vetëm po vazhdon zgjërimin e një hendeku të rrezikshëm midis kulturës zyrtare dhe asaj shpirtërore të Kombit shqiptar. Megjithë përpjekjet zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë për të hedhur në harresë veprën dhe figurën e madhe të Fishtës, ndryshe nga regjimet majtiste sot në Shqipëri dhe Kosovë, shqiptarët jo vetëm në trojet e veta iliuro-arbërore por edhe kudo gjënden anë e mbanë botës, nuk e kanë harruar kurrë Gjergj Fishtën, duke kujtuar dhe mësuar përmendësh Lahutën e Malësisë, duke venë edhe jetë në rreyik kur Fishta ishte i ndalauar nga regjimet komuniste.

Lahuta e Malcis (Gjergj Fishta), ka dy vargje që përbëjnë një roman: “Bukën n’strajcë e shpi senjurin, Dyshek tokën, jastek gurin”.  Shqiptari! Çfarë drame. Çfarë jete e rëndë tragjike!” (Akademik Rexhep Qosja)

Gjergj Fishta, Françeskan dhe poet kombëtar

Rexhep Qosja, Shkrimtar dhe akademik nga Kosova

   Rexhep Qosja me delegacionin e parë të përfaqsuesve të Kosovës që vizituan Uashingtonin, prill, 1990, në shtëpinë e Dr Elez Biberajt në Virxhinia 

Ti vdiqe kur ia ktheve fjalën Gramenos, Bogdanit, Fishtës, Idriz Seferit, Ibrahim Rugovës dhe the se “Turkun e kemi vëlla dhe Islamin fe”

1
Dhimbja dhe zhgënjimi
Lamtumirë, malesor që frymëzove breza dhe mbajte të ndezur flakadanin e lirisë. Akademik, djalë Shqipnije, syzet e tua karakteristike të dallonin në mesin e njerëzimit. Dallohej fjala jote, pesha e saj, e sidomos pesha e heshtjes, ajo heshtje që nuk thuhet me fjalë, por me ofshamë.
Breza janë rritur me emrin tënd. Djem e vajza kanë qëndruar pa u thyer përballë burgjeve politike të armikut, duke e mbajtur emrin tënd në mendje, jo vetëm në gojën e heshtur, por si një bindje të brendshme dhe si një qëndresë të pashprehur.
Edhe unë jam rritur me ty, me bisedën e pambaruar dhe me porosinë e madhe. Si dëshmitar i kohës tënde historike, në një periudhë kur Shqipërisë dhe Kosovës vdekja u vinte nga të fshehtat e treguara, nga të vërtetat e vonuara, nga ideologjia e shpërbërjes, nga pushteti i korruptuar dhe sidomos nga zemra e plagosur prej vuajtjeve të një populli të ndaluar, siç ishim ne.
Shumë vite do të kalojnë dhe vendin tënd nuk do ta zëvendësojë askush. Hija e syzeve tua, me të cilën dikur shkruhej liria, sot është kthyer në lot.
Dhe as lotin e fundit për ty nuk na lejove ta derdhim, të çmalleshim me ty. Na i thave zemrat kur, në fund të jetës, fillove të arsyetosh një ideologji që deshi dhe vazhdon të kërkojë asimilimin tonë.
Akademik, në të vërtetë, vdekja jote nisi më herët, në çastin kur ia ktheve fjalën Mihal Gramenos, Pjetër Bogdanit, Gjergj Fishtës, Idriz Seferit, Teki Dervishit, Ibrahim Rugovësdhe the se “Turkun e kemi vëlla dhe Islamin fe”.
Gjergj Kastrioti do të ishte hidhëruar nga amshimi për këtë fjalë. U hidhëruam edhe ne. U mërzitëm. Dhe sot nuk dimë më si të mërzitemi, sepse na u mor figura e akademikut që e njihnim dhe u shndërrua në një simbol që na dhemb.
Më 24 prill 2026

Ndoc Bushgjoka me “Dy fjalë për rahmetliun Qose”

3
Ndoc Bushgjoka, Tropojë-Tiranë
____
Dha shpirt e u gropos ala minut, ashtu si jetoi si islamik.
Shqiptarët, theksoj shqiptarët, në traditën e tyne, kur des njeri, burrë a grue qoftë, qitnin zanin e dekës. Atëbotë nuk kishte telefon, as fb, as-as, dmth asnjë mundësi tjetër njoftimi.
Rrugëtimi i Zanit, ishte i përcaktuem, nga kulla- në kullë, nga katundi- në katund, nga fisi- në fis. Zani ishte një thirrje pikëllimë, tingulli ishte i përmortshëm, jo si në ditët e zakonshme:
– O Lek Mariani ! Qite zanin në fis se ka dekë Mirash Marini i filan fisi e kulle.
– O ndjeva more ndjeva.
Me të marrë lajmin niseshin burrat e gratë. Me solemnitetin e dëshprimit e nderimin shqiptar. Burrat përkundruall ku kishte ndodhë deka fillonin gjamën e burrave. Gjama ishte një ushtimë: – “Oooooo mjeri unë për ty o vlla” – nëse ishte i fisit, apo “Mjeri unë për ty miku ‘ëm” nëse ishte fis tjetër. masandej kjo përseritej në oborrin e të dekunit dhe së treti rreth të dekunit në dërrasë. Kjo e fundit ishte një korale e madhështisë funebre. Burrat bërtisnin sa tundeshin malet tuj çjerrë faqet, gjaku u pikonte faqeve, dhe gratë plotësonin koralen me ooooo – ho – ho – hooo.
Burrat e konakut, ndërhynin me da gjamën, si nderim për të ardhunit. E masandej qitej duhani, kafe e raki.
Ishte një pamje sa madhështore aq dhe pikëllimtare.
Kur kryhej ceremonia funebre dhe gjamtarë ktheheshin në votrat e tyne, pleqtë etj pyesnin:
– A mund e ndreqën?
– Amanet si u dok në dërrasë?
Se ishte e randsishme si e kishin veshë, stolisë për në banesën e fundme.
Kjo ka kënë tradita shqiptare.
E jo, kurrsesi sa des njeri me i hapë një gropë, si me pas cofë e me lëshue në të.
Por, rahmetliu Rexhep efendiu, siç po thonë e ka lanë me gojë a me gisht, me e groposë, pa muamelere e pa kurrgja. Si me pas cofë një kalë plak.
Aferim !
Dhe shteti i Kosovës shpalli zi sot. Për çfarë? Për gropën?
Siç duket Rexhep efendiu e dinte se ç’ emën kishte lanë mbrapa:
Deri në vitet nëntëdhjetë, këndej kufirit i lexonim me interes ato që shkruante Qosja.
Pas nëntëdhjetës, Qosja, tregoi anën e tij më të keqe.
Pati tri inate që e mavijosën nga shpirti e çehrja, sa i pikon mjekra koçifos, e shpirti vred:
1- Mori inat të madh me dr Berishën. Dhe për inat të Berishës ra në prehërin komunisto-lokalist të revanshistëve të Bllokut. Këta , bllokmenët, për inat të Berishës, Gegnisë, Kosovës dhe dr Rugovës, e shpallën shtatë herë qytetar “nderi”, në fshatrat e zonës së Kurveleshit. Qosja u rrokullis në ato humbëtira, dhe nuk arriti të analizonte se ai “nder”, kishte qëllim thjesht përçarjen. Ndaj e vazhdoi rrokullisjen në hundë e buzë, në atë baltovinë, sa të merrte në mbrojtje edhe ministrin e drogës – pushtin Tahiri.
2 – Mori inat të madh me dr Rugovën. Dhe për inat të dr Rugovës hyri në politikë dhe rrëshqiti me të katët këmbët mbi baglat e veta.
3- Mori inat edhe më të madh me Kadarenë. Dhe për inat të Kadaresë që mbronte identitetin europian të shqiptarëve, Kastriotin, Nënë Terezën, trashëgiminë tonë etj etj, Qosja, shpalli “Identitetin musliman të shqiptarëve”. Për inat të Kadaresë vajti e u fut në shtratin vehabiko -anadollak.
Ishte e padëshifrueshme se si u katandis në atë derexhe, sa të merrte në mbrojtje Haxhi Qamilin, apo të denonte me idhni të pashoqe emërtimin e aeroportit të Tiranës me emrin e bamirëses shqiptare Nanë Tereza.
Puna e Qoses pas viteve nëntëdhjetë është jo letërsi, por një çervish politiko-letrar.
Për këtë mjeshtri i madh i letrave Frënge, Stendal, ka thënë:
“Politika, në një vepër letrare, është si me qitë allti në mes të një koncerti. Një gjë trashamane…”
E megjithkëto pastë rahmet.

Së shpejti vije filmi Dokumentar i regjisorit Mentor Haziri rreth “Masakrës së Tivarit”

Mentor Haziri, regjisor
____
Dje, ishim te nderuem qe kishim personalitetin e madh shqiptar dhe mohikanin e fundit te historiografise shqiptare prof Jusuf Buxhovi.
Pervoja e tij mbi shkrimin, gazetarine e historine tone daton shume heret qe nenkupton se ai vet i ka perjetuar shumicen e ngjarjeve per te cilat ka shkruar.
Pena e tij eshte e stolisun me nje dijeni akademike qe bazohet gjithmone ne vlerat e medha Europiane dhe vijimesise tone nga fiset ilire.
Buxhovi qendron stoik ne ate qe thote dhe kjo me befason sa here qe takohemi e flasim per historine sepse hulumtimi i tij eshte, i detajuem dhe shume i pasur ne shkrimet e tij.
Kur profa filloj te fliste ne ekipa u shtangem te gjithe sepse tregimi i tij mbi ngjarjen e Tivarit me detaje e fakte qe ne si dinim qe i kishte bere Çubrilloviçësia e asaj kohe per shfarosjen e djelmnise kosovare ne perfundim te luftes se dyte boterore ishte behemothe. Buxhovi vazhdon te jetr shtylla ku ne duhet te mbeshtetemi, ne ato vlerat europiane e perendimore qe shume njerez u sakrifikuan gjate pushtimit shqiptar. Buxhovi eshte vet tregimi – pasunia e madhe e shqiptareve. Na u nderum e mbetem pa fjale gjithmone duke e falenderuar ate.
Por pasi e xhiruam intervisten ne hollin e bibliotekes u takova me Kryeministrin Kurti. Ai e dinte mire qe po punohej dokumentari “Masakra e Tivarit” dhe m’tregoi se njeri i aferm i tij ne Kraje e kishte strehu nje te mbijetuar per nje muaj ne shtepi, duke e shpetu ate i cili kishte rrnu per me tregu.
Kryeministri m’tha se deshira e tij eshte me qen prezent ne promovimin e dokumentarit dhe m’uroi per suksesin e kesaj pune madhore qe prek çdo shqiptar, duke me urue pune te mbare ne realizimin e projektit. Tivari po vjen .
Ps!
Mentor Haziri është autor i filmit, skenarist dhe regjisor. Jusuf Buxhovi në filmin dokumentar flet si historian, fjalët e të cilit kanë peshë të madhe si njohës i tematikës historike që dokumentohet me flimin.

Alma Lama: Nuk jam pajtuar me Qosjen në shpjegimin e islamit si një lloj identiteti, por me amanetin për varrim e vulosi këtë temë

2
Akademik Rexhep Qosja, me vdekjen e tij nuk pranoi te perdoret politikisht.
Me amanetin per tu varrosur pa ceremoni fetare deshmoi se eshte intelektual i shquar.
Dhe padyshim ishte i tille. Veprat e tij, kritika letrare flasin per nje studiues te madh, nga me te rendesishmit e kombit shqiptar. Si shkrimtar, romani i tij “Vdekja me vjen prej syve te tille” per vleresimin tim eshte nga romanet me te mira ne gjuhen shqipe, eshte nje lloj perjashtimi ne stil, dramacitet, figuracion letrar. Per mua kur e kam lexuar gjate viteve te stidimeve, ka qene edhe nje njohje me Kosoven dhe shoqerine e saj. Nje pamje tjeter, gati surealiste, qe nuk te hiqet nga imagjinata.
Profesor Qosen e kam vizituar disa here me shtepine e tij, te tejmbushur me libra, per ta intervistuar.
Nuk kam pare kurre shtepi me interesante. Gjithcka ishte ne perfeksion. Me dukej si mendimet e tij te strukturuara, si studimet e tij.
Politikisht mund te mos cmohet ne Kosove, por politika baltos edhe njerezit me te shquar. Ai ishte ze i fuqishem per mbrojtjen e kombit, e deshmoi me veprat e tij te shkruara historike dhe politike.
Nuk do ta harroj fjalinë e tij për një personazh që organizonte protesta gjatë procesit të negociatave për pavarësinë e Kosovës. “Ky është teatër politik” më tha. Eshtë shfaqje pra, inskenim, e si i tillë i dëmshëm. Koha e vërtetoi plotësisht fjalën e profesor Qoses.
Nuk jam pajtuar me te ne shpjegimin e islamit si nje lloj identiteti per Kosoven dhe qe nuk e shihte realisht rrezikun e rrymave ekstreme, ne kohen e ekspansionit digital, por askush nuk mund te gjeje strehe ne mendimet e tij per kete ceshtje. Me amanetin per varrimin, e vulosi kete teme.
Prehu në paqe profesor Qosja!

DioGuardi akuzon Hashim Thaçin se e ka paguar 2 milionë e 300 mijë euro, ish-senatorin Robert Dole vetëm që t’ia shkruajë parathënien e librit

1
DioGuardi akuzon presidentin, Hashim Thaçi se e ka paguar 2 milionë e 300 mijë euro, ish-senatorin Robert Dole vetëm që t’i shkruajë parathënien e librit të tij, “New State, Modern Stateman”, i cili është shkruar nga gazetarët britanikë Suzy Jagger dhe Roger Boys.
Pse u kthye DioGuardi kundër Thaçit?
Kjo është histori më komplekse sesa duket, sepse Joseph DioGuardi nuk ishte kritik periferik, por një nga zërat më të hershëm pro Kosovës në Washington DC.
Ka disa shtresa:
1. Përplasja mbi trashëgiminë e UÇK-së
DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi për vite e mbështetën çështjen shqiptare përmes Albanian American Civic League.
Por me kalimin e kohës, ai filloi të argumentonte se elita e dalë nga lufta, sidomos rreth Hashim Thaçit, e kishte devijuar projektin shtetformues drejt klientelizmit dhe kapjes së shtetit.
Pra konflikti ishte edhe moral, jo vetëm personal.
2. Zhgënjimi i diasporës së vjetër
Kjo lidhet me atë që po diskutonim.
Një pjesë e diasporës shqiptaro-amerikane të viteve ’90 mendonte se pas pavarësisë, energjia kombëtare u zëvendësua nga interesa pushteti.
DioGuardi u bë zë i këtij zhgënjimi.
3. Përplasja për dialogun me Serbinë
Ai ka qenë veçanërisht kritik ndaj ideve për korrigjim kufijsh/shkëmbim territoresh që lidhnin emrin e Thaçit me Aleksandar Vučić.
Për DioGuardin, kjo prekte dëmtonin vetë themelin e shtetësisë së Kosovës.
Këtu kritika u radikalizua.
4. Edhe rivalitet i narrativave
Kush përfaqësonte më shumë çështjen shqiptare në Washington DC?
Diaspora historike e AACL, apo diplomacia e re shtetërore e Prishtinës? Këtu kishte tension real.
Por duhet kujdes
DioGuardi ka bërë akuza shumë të rënda — përfshirë këtë të 2.3 milionëve — por akuzat politike nuk janë vetvetiu prova.
Këto duhen ndarë.
Paradoksi interesant
Është ironike:
Një njeri që ndihmoi fuqishëm Kosovën, më vonë u bë një nga kritikët më të ashpër të elitës së saj.
Kjo flet për krizën e pasluftës po aq sa për vetë DioGuardin.
Teza që del:
Konflikti DioGuardi–Thaçi ishte më pak konflikt mes dy individësh, e më shumë përplasje mes dy vizioneve të shtetësisë së Kosovës.

Testamenti i Qosjes, një shkrim i shkurtër, por me një peshë të jashtëzakonshme kuptimore për kulturën shqiptare

0

Lis Bukuroca, Gjermani

Fjala e fundit e Rexhep Qosjes

Gati para dhjetë viteve, Rexhep Qosja paska shkruar testamentin e tij: një shkrim i shkurtër, por me një peshë të jashtëzakonshme kuptimore për kulturën shqiptare. Me pak rreshta, ai kishte shprehur një qëndrim të prerë në disa drejtime: raportin me dijen, fenë, politikën dhe etikën publike.

Qysh në fillim, Qosja vendos në qendër mendimin shkencor dhe ngritjen shpirtërore duke i dhënë përparësi arsyes përballë besimit të verbër. Ai shpreh një qëndrim të qartë kundër rolit të klerikëve që predikojnë vetëm të besuarit, por aspak të menduarit racional, prandaj e ka ndaluar pjesëmarrjen e tyre.

Një tjetër fakt i rëndësishëm është përjashtimi edhe i politikanëve nga varrimi i tij. Edhe pse gjatë jetës ka shprehur simpati për individë të caktuar, në fund ai vendos një kufi: politika nuk duhet të instrumentalizojë dhe keqpërdorë as vdekjen. Ky është një refuzim i qartë i kulturës së spektaklit dhe i përdorimit të figurave publike për kapital politik.

Për shembull,te ne, si askund në Europë, bëhen sfilata para varrit të Ibrahim Rugova, dhe aty fotografohen edhe kundërshtarët e tij të djeshëm, për të përfituar kapital për vete nga i ndjeri, jo pse e duan.

Kjo është një nekrofili; ndoshta si nocion nuk është aq i përshtatshëm, por paturpësia ka kaluar çdo kufi moral.

Në atë testament, Qosja refuzon shndërrimin e varrimeve në skena publike vetë-promovimi – me fjalime, fotografi dhe rituale që synojnë më shumë imazhin personal sesa respektin për të ndjerin.

Aty mund të bëhet një krahasim me ritualet në Gjermani, ku ceremonitë mortore ruajnë një etikë të fortë të privatësisë dhe dinjitetit. I paftuari, nuk mund të marrë pjesë. As në dasmë, as në ceremoni mortore.

Sa për ilustrim, Helmut Kohl apo Günter Grass trajtohen me një respekt institucional dhe qytetar, por nuk lejohet banalizimin e hapësirës mortore për qëllime personale apo mediatike.

Për personalitete mbahen akademi përkujtimore, në amfiteatër apo para një publiku të zgjedhur, jo fotografi te varri.

Qosja ka nënvizuar mospajtimin me ndikimet e jashtme, me profetët e huaj dhe me predikimin e prapambetjes si program themelor për rrënimin e identitetit nga kultura të huaja.

Ai sugjeron se imitimi i profetëve të huaj shpie në deformim të vetëdijes kolektive dhe në humbje të autenticitetit kulturor. Të identitetit. Pra të mos ndryshohemi si do njeriu, por të mbetemi si na krijoi natyra apo zoti. Me liri për të menduar, dyshuar dhe për vepruar.

Qosja mbetet një nga intelektualët më ndikues të hapësirës shqiptare për dekada, një autor që ka kontribuar thellësisht në kritikën letrare, historinë e letërsisë dhe publicistikën. Ai ishtr edhe si një kompas moral që ka vendosur standarde për sjelljen publike dhe përgjegjësinë ndaj shoqërisë.

Rexhep Qosja ka luajtur edhe një rol mobilizues në rezistencën tonë politike në ish-Jugosllavia, veçanërisht para dhe pas protestave të vitit 1981.

Nuk e harroj kurrë: gjersa po kalonim pranë Institutit Albanologjik, ai nga ballkoni na vështronte. Aty pata menduar: ndoshta është krenar që po sheh rezultatin e vet. Nëse po, ka pasur të drejtë të ndihej ashtu, unë e besoj edhe sot. Ai për ne, si studentë, ishte ndriçuesi nacional dhe moral.

Ajo periudhë dëshmon se shtetet që ushtrojnë diskriminim sistematik ndaj një komb, ia garantojnë vetvetes rrënimin.

Në fund, pavarësisht largimit fizik, Rexhep Qosja do të mbetet gjithmonë këtu. Dhe, mënyra se si ai e dëshiroi largimin e tij është pjesë e mesazhit që ai lë pas.

Unë e falënderoj për kënaqësinë që më ka dhuruar gjatë leximit të veprave të tij.

U lind për të menduar, për të krijuar dhe për të lënë veprën e vet përgjithmonë këtu.
Kjo nuk është pak. Kjo është monumentale.

Dhe, u largua si iluminist…