Kreu Blog Faqe 167

Nana Kadë

0
Për shkak se anadollizmi feudal na ka lënë pasoja, shumë shpesh ne nuk i përmendim paraardhëset tona të gjinisë femërore. Unë nuk kam mundësi t’i harroj gjyshet e mia, e sidomos tregimet për stërgjyshet e mia, të cilat kanë qenë më burra për nga karakteri i qëndresës sesa shumë burra të ditëve të sotme.
Stërgjyshja ime, Nana Kadë, ishte bijë e Kabashëve të Gurakocit të Podgurit. Siç përshkruhet nga familjarët, ajo ishte një burrëreshë me plot kuptimin e fjalës, sepse përveç që ka lindur shtatë (7) fëmijë, ka mbajtur mbi supe gjithë shtëpinë e asaj kohe, me maxhe e me të gjitha punët që i takonin një jete të vështirë. Ishte shtylla e familjes, drita e oxhakut dhe forca që nuk u shua kurrë, pavarësisht vështirësive.
Nana Kadë, siç kujtohet edhe sot, e bekonte bukën, djathin dhe kosin me kryqin e shenjtë. Shën Gjergjet që ajo i festonte brenda familjes përmenden edhe sot si ditë gëzimi të madh, jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit. Ajo dinte ta kthente jetën e rëndë në festë, duke mbjellë dashuri, dhe gëzim në zemrat e të gjithëve.
Me veshjen e saj të katundit, të cilën nuk e hoqi kurrë nga trupi deri në ditën që mbylli sytë, Nana Kadë mbeti simbol i traditës dhe krenarisë. Ajo u kujdes që edhe nuset e djemve të saj të mbanin të njëjtën veshje, duke ruajtur kështu identitetin dhe trashëgiminë. Tirqit për djemtë i punonte vetë, me vekun e vjetër që më vonë u dogj në luftën e fundit në Kosovë, e që deri atëherë ishte ruajtur me një krenari të ligjshme nga bijtë e saj.
Dashuria e saj nuk kufizohej vetëm te njerëzit. Nana Kadë edhe kalit të shtëpisë, lopës në ahër dhe dashit të kopesë u qëndiste një lule në ballë në formë kryqi. Ajo nuk e bekonte vetëm familjen, por edhe gjallesat që i rrethonin. Aq e madhe dhe e thellë ishte dashnia e saj për Krishtin, sa që edhe pa u thënë drejtpërdrejt, nga këto tregime kuptohet qartë se ajo e mbajti të ndezur dritën e Krishtit në familjen ku kam lindur edhe unë.
Sa të mira ishin këto tregime që para disa viteve i tregonin më të vjetrit nëpër shtëpitë tona, kur mblidheshim, e sidomos kur ndalej rryma, me një çiri, me një fenër të ndezur që na ndriçonte. Këto tregime na kënaqnin kur i dëgjonim. Kuptonim në këto tregime se ishim më të kompletuar në kohët më të lashta se sot që jemi të shpërndarë. Kur na larguan nga Krishti, vëllezër e motra, neve na larguan edhe nga njëri tjetri, u ftoh respekti dhe dashuria për qiellin, tokën, njeriun, kafshën. U zbeh edhe interesimi për ata që ishin e më nuk janë. U zbeh edhe respekti për të kaluarën tonë të lavdishme, të bukur, që rinia e sotit jo vetëm që nuk e ka dëgjuar, por nuk mundet as ta imagjinojë se është e vërtetë. Vëllezër e motra, Nana Kadë edhe gurët e bjeshkës i ka bekuar dikur, e ne sot nuk i shprehim paqe njëri tjetrit, sepse djalli, që është armik i popullit tonë, është futur në mesin tonë dhe po na përçan çdo ditë. Mos lejoni që të harrohet e kaluara, po ju përgjërohem me tërë fuqinë e shpirtit. Mos lejoni që të harrohen Nanat tona, bekimet e të cilave na ruajnë edhe neve sot në ditët tona.
Të dashur lexues, jam i bindur se secili prej jush ka pasur një Nanë të tillë siç e kishim ne Nanën Kadë. Por me kalimin e kohës, tregime të tilla janë fshehur, herë me qëllim e herë pa qëllim, duke na lënë më të varfër shpirtërisht.
Është e rëndësishme që secili të dijë nga i ka rrënjët dhe t’i mbrojë ato. E nëse nuk i njeh, atëherë t’i gjurmojë dhe të kthehet tek to. Rrënjët tona janë të lashta, shumë të lashta, por sidomos në dy mijë vitet e fundit ato lidhen me Krishtin. Dhe për këtë duhet të jemi krenarë.
Në përjetësi qoftë kujtimi për stërgjyshen time, Kadë Kabashi prej Gurakocit të Podgurit.
Më 25 prill 2026

Profesori apo Profesoresha Ganimete Musliu

2
____
NË DEMOKRACI VOTUESI ËSHTË PROFESORI, E JO PROFESORESHA GANIMETE MUSLIU
Zgjedhjet e fundit do të duhej më në fund t’i shërbenin opozitës bllokuese si një paralajmërim serioz.
Por vetëm pak muaj më vonë, krerët e opozitës – pas një faze të shkurtër zhgënjimi dhe reflektimi – në vend që të nxirrnin mësime nga gabimet katastrofike të së kaluarës, po i ndjekin me bindje dhe vetëbesim të palëkundur këshillat e “mjeshtres botërore të fitoreve madhështore”, dr. Ganimete Musliu.
Ajo tashmë po i jep leksione popullit se si duhet të sillet dhe të vendosë, derisa ta arrijë “vetëdijesimin” për gabimin e tij “fatal”, të cilin – sipas saj – po e konfirmon vazhdimisht duke e votuar dhe ri-konfirmuar qeverinë e Albin Kurtit.
Një eksperiment i tillë ndoshta mund të funksionojë në xhungël, te fisi “hajvaniç-budalliç”, por jo te populli shqiptar, i cili tashmë e ka provuar supën fekale të gatuar nga “kuzhinieri” i famshëm botëror “Rambo Lumi Hamziç” dhe e ka vjellë nga gërdia në tualetin e kuzhinës së hotelit “Mutibariç”.
Siç duket, opozita jonë nuk e ka problem që po i humb zgjedhjet, sepse humbjen e ka shndërruar në një lloj sporti ekstrem, respektivisht në një disiplinë olimpike ku medalja e artë jepet për vetësabotim artistik.
Mirëpo, krerët e opozitës, në vend që ta pyesin veten: “Ku gabuam ne?”, ata përmes gojës së Ganimete Musliut po e pyesin popullin: “Pse nuk je aq i mençur sa ne që humbëm?”
Dhe këtu fillon komedia e zezë:
Populli, sipas tyre, është një lloj nxënësi i paditur që duhet të ulet në bankë dhe t’i dëgjojë me vëmendje ligjëratat e profesorëve të dështimit, të cilët kanë doktoruar në shkencën e humbjes spektakolare.
Në këtë universitet imagjinar të absurdit, lënda kryesore quhet: “Si t’i humbasësh zgjedhjet dhe prapë të sillesh si fitues moral.”
Ligjëratat i mban “akademikja e triumfeve imagjinare”, dr. Ganimete Musliu, ndërsa asistentët e saj janë dr. Hyqmete Bajrami, dr. Lirim Mehmetaj, dr. Baton Haxhiu, dr. Berat Buzhala dhe dr. Leonard Paquki.
Sipas logjikës së tyre “brilante”, problemi nuk është opozita që nuk e bind më pothuajse askënd – problemi është populli që vazhdon të mos mashtrohet.
Pra, sipas kësaj logjike absurde, problemi është populli “kokëfortë” dhe “i paditur”, që refuzon ta hajë sërish të njëjtën supë të djegur dhe helmuese, edhe pse kuzhinierët po i ndërrojnë vazhdimisht përparëset dhe emrat e tyre.
Por ata po harrojnë një gjë thelbësore: populli tashmë e njeh recetën : shumë arrogancë, shumë përçmim ndaj votuesit, shumë nostalgji për pushtetin e humbur dhe shumë propagandë të përzier me vetëkeqardhje.
Rezultati?
Një gjellë politike që nuk hahet as nga ata që e gatuajnë.
Dhe ndërsa populli vazhdon të votojë sipas bindjes së vet, opozita vazhdon të jetojë në një realitet paralel, ku çdo humbje shpallet “fitore e shtyrë”, çdo dështim “sukses i keqkuptuar” dhe çdo kritikë “dëshmi e padijes kolektive”.
Në fund, mbetet vetëm një pyetje që duhet t’ua djegë krerëve të opozitës ndërgjegjen si spec djegës:
Nëse populli gabon gjithmonë… atëherë pse, sa herë që voton, nuk ju zgjedh juve?
Populli nuk ka nevojë për ilaçe të shtrenjta farmaceutike për t’i shëruar krerët e opozitës nga injoranca kronike.
Jo. Kjo është një sëmundje më e thellë – një përzierje e narcizmit politik, amnezisë selektive dhe alergjisë ndaj realitetit.
Por si çdo sëmundje, edhe kjo ka terapinë e vet:
KËSHILLA E PARË: TERAPIA ME PASQYRË
Vendoseni çdo lider opozitar përballë një pasqyre të madhe. Jo për t’i rregulluar flokët si Lumiri, por për ta parë fytyrën e humbjes pa grim.
Le ta shohin veten pa propagandë, pa analistë të paguar, pa iluzione. Sepse ndonjëherë problemi nuk është se populli nuk të kupton – por se ti nuk e kupton veten.
KËSHILLA E DYTË: DIETA KUNDËR ARROGANÇËS
Arroganca është si kolesteroli politik – nuk ndihet menjëherë, por bllokon arteriet e komunikimit me qytetarin.
Prandaj opozita duhet ta ndjekë një dietë të rreptë: më pak fyerje ndaj votuesve, më pak mendjemadhësi, më pak “ne dimë gjithçka”.
Sepse një politikan që e trajton votuesin si budalla, përfundon duke folur vetëm me pasqyrën e vet.
KËSHILLA E TRETË: TERAPIA E HESHTJES SË DETYRUAR
Një muaj pa intervista. Dy muaj pa konferenca për shtyp. Tre muaj pa analiza televizive.
Thjesht pushim nga zhurma që e prodhojnë vetë.
Sepse ndonjëherë mënyra më e mirë për të rifituar besimin është të ndalosh së foluri dhe të fillosh të mendosh.
KËSHILLA E KATËRT: KONTAKT I DREJTPËRDREJTË ME REALITETIN
Dërgojini krerët e opozitës në terren – jo për t’u fotografuar, por për të dëgjuar.
Le të ulen në kafene pa kamera.
Le t’i dëgjojnë njerëzit pa i ndërprerë.
Sepse realiteti nuk është panel televiziv – është shumë më i ashpër dhe shumë më i sinqertë.
KËSHILLA E PESTË: TERAPI KUNDËR “UNIVERSITETIT TË HUMBJES”
Duhet mbyllur përkohësisht ai universitet imagjinar ku mësohet “si të humbasësh dhe të sillesh si fitues moral”.
Diplomat e tij nuk vlejnë as për CV politike, e lëre më për besimin e qytetarëve.
KËSHILLA E GJASHTË: PËRGJEGJËSI PERSONALE
Një ushtrim i thjeshtë:
çdo lider të shkruajë në një fletë: “Kam gabuar këtu, këtu dhe këtu.”
Pa justifikime. Pa e fajësuar popullin. Pa teori konspirative. Vetëm e vërteta.
Nëse nuk e bëjnë dot këtë, nuk janë liderë – janë aktorë në një teatër që publiku e ka braktisur.
KËSHILLA E SHTATË: VAKSINË KUNDËR VETËKEQARDHJES
Vetëkeqardhja është droga më e lirë politike: të bën të ndihesh viktimë, edhe pse je autori i dështimit tënd.
Prandaj nevojitet një vaksinë e fortë: kritika e drejtpërdrejtë dhe mosbesimi ndaj justifikimeve të tyre.
Në fund, nuk është populli ai që duhet të ndryshojë për opozitën.
Është opozita ajo që duhet të ndryshojë për popullin.
Sepse në demokraci, votuesi nuk është nxënësi – është profesori.
Dhe profesori tashmë e ka dhënë notën.
Problemi i vetëm është se disa studentë refuzojnë ta pranojnë.

Elisa Spiropali e sjell letrën e Rexhep Qosjes në aktivitetin për 90-vjetorin e Ismail Kadaresë, pas vdekjes

Elisa Spiropali, ish-ministre e Jashtme e Shqipërisë, Tiranë 

TË ZGJUARIT JANË BASHKË NË BOTË, KURSE TË FJETURIT JANË VEÇ

Në nderim për largimin nga kjo botë, po ju sjell për kënaqësinë e leximit dhe kuptimit, letrën e plotë nga Rexhep Qosja në aktivitetin për 90-vjetorin e Ismail Kadaresë, pas vdekjes.

Dritë udha, Rexhep Qosja!🙏
“Shumë e nderuar Ministre e Jashtme, Elisa Spiropali,

Shumë të dashura Helena, Gresa dhe Besiana,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Sot, më 28 janar 2026, po shënohet 90-vjetori i lindjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare. Kjo datë është ditëlindja e një krijuesi të jashtëzakonshëm, por edhe ditë kujtese, sepse Ismail Kadare nuk është më fizikisht mes nesh. Ai u nda nga jeta në vitin 2024, duke lënë pas një vepër që ka tejkaluar kohën e vet dhe kufijtë e gjuhës së vet.

Ismail Kadare është një nga emrat më përfaqësues të letërsisë shqipe. Ai është shkrimtari që e futi përvojën historike, mitike dhe etike të shqiptarëve në hartën e madhe të letërsisë evropiane dhe botërore. Me romanet, esetë, poezinë dhe publicistikën e tij, ai i dha gjuhës shqipe një përmasë universale dhe i dha kulturës shqiptare një zë të dallueshëm, të dëgjuar dhe të respektuar.

Ismail Kadare dhe unë jemi njohur dhe jemi afruar qysh në vitet shtatëdhjetë. Kemi qenë miq, bashkëbisedues, lexues dhe kritikë të njëri-tjetrit. Kemi shkruar për veprën e njëri-tjetrit dhe kemi ndarë vlerësime të ndërsjella.

Ne, të dy, secili në anën e vet të kufirit që na ndante, u përballëm me fate të ndryshme, të rënda dhe shpeshherë të padrejta. Rrethanat historike, politike dhe shoqërore, të cilat nuk i zgjodhëm ne, por që na u imponuan, na vunë përballë provave morale dhe intelektuale që kërkonin jo vetëm qëndresë, por edhe vendime të vështira personale.

Kërkimi i azilit politik nga Ismail Kadare në Francë, në vitin 1990, u keqkuptua nga shumëkush që nuk e kuptonte peshën morale të asaj kohe. Në disa paraqitje publike në media, dhe veçanërisht në një deklaratë të dhënë për Zërin e Amerikës, unë arsyetova se ky akt nuk ishte arratisje nga atdheu, por refuzim i një sistemi që i kishte vënë kufij të padukshëm, por të hekurt, mendimit të lirë. Kadare nuk iku për të shpëtuar veten, por për të shpëtuar veprën dhe lirinë e saj. Azili i tij ishte akt intelektual dhe etik: zgjedhja e fjalës së lirë përballë dhunës së heshtur të diktaturës. Historia e ka vërtetuar se shkrimtari që kërkon liri nuk e braktis kombin; ai i shërben atij në mënyrën më të lartë të mundshme.

Këtë qëndrim do ta dëshmoj shpejt duke e vizituar Ismail Kadarenë në banesën e tij në Paris.

Por, siç ndodh shpesh mes intelektualëve që mendojnë thellë dhe ndryshe, kemi pasur edhe mospajtime, edhe polemika.

Polemika jonë më e njohur lidhej me çështjen e identitetit të shqiptarëve. Ishin mendime të ndryshme, argumente të ndryshme, këndvështrime të ndryshme mbi të njëjtën çështje themelore. Këto mospajtime nuk ishin personale; ato ishin intelektuale dhe kulturore. Megjithatë, siç ndodh ndonjëherë në jetën njerëzore, ato lanë pasoja edhe në raportin tonë personal. Shoqëria jonë u zbeh dhe rrugët tona, mjerisht, nuk u takuan më.

Sot, duke e kujtuar Ismail Kadarenë në 90-vjetorin e lindjes së tij, unë ndjej nevojë të theksoj diçka të rëndësishme: madhështia e tij si shkrimtar dhe rëndësia e tij historike për kulturën shqiptare janë përtej çdo mospajtimi. Letërsia nuk matet me pajtime apo mospajtime personale, por me thellësinë e mendimit, me fuqinë e gjuhës dhe me ndikimin e saj afatgjatë.

Ismail Kadare ishte dhe mbetet para së gjithash shkrimtar i kombit të vet. Ai e deshi Shqipërinë jo në mënyrë deklarative, por krijuese. Ai e deshi atë duke e shndërruar historinë, dramën dhe shpirtin shqiptar në letërsi të madhe.

Këtë vit, në muajin qershor, edhe unë do të bëhem 90 vjeç. Është e pamundur të mos mendoj sa domethënëse dhe sa njerëzore do të kishte qenë po të ngrinim një dolli së bashku për këtë moshë të rrallë, për këto dy jetë të kaluara mes librave, polemikave, dashurisë për gjuhën dhe për kulturën shqiptare. Ndoshta kjo mbetet një peng i imi njerëzor, por jo një peng kulturor, qytetërues, sepse dialogu ynë vazhdon nëpërmjet veprave tona.

Ismail Kadare sot nuk ka nevojë për lavde të rastit. Ai ka nevojë për lexim, rilexim dhe kuptim. Ai ka nevojë që vepra e tij të trajtohet me seriozitet shkencor dhe me ndjeshmëri kulturore. Brezat që vijnë mund ta lexojnë ndryshe, por gjithmonë do ta lexojnë dhe do ta adhurojnë.

Ndarja e tij nga jeta, po rithem, është vetëm ndarje trupore. Emri, vepra dhe mendimi i tij, po rithem, janë të gjithmonshëm. Në këtë 90-vjetor të lindjes së tij, Ismail Kadare, po rithem, mbetet personalitet madhor historik i kulturës shqiptare, një nga figurat që do të vazhdojë të na sfidojë, të na shqetësojë dhe të na frymëzojë.

Të kujtoj me mall e nderim, miku im, Ismail Kadare. Gjithmonësia jote në shpirtin dhe në mendjen time është gjithmonësi, përjetësi, amshim. Është gjithmonësi madhështore: është e kaluar, e sotme dhe e ardhme.”

LVV fton PDK-në dhe LDK-në që të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri

0
Kur me një akt të urtë sjell dritën në fund të tunelit: Demokracia çan rrethimin…
Teksti i plotë i kumtesës:
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti mbrëmë mbledhjen e Kryesisë, në të cilën u diskutuan zhvillimet politike si dhe veprimet e qëndrimet e nevojshme në shërbim të interesit publik e shtetëror dhe të mirës së përgjithshme e të përbashkët.
Në situatën e krijuar rreth zgjedhjes së Presidentit dhe dëmin e madh që do t’i shkaktonte vendit një proces i panevojshëm dhe i përsëritur zgjedhor, Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë për të gjetur zgjidhje.
Pavarësisht propozimeve tona të shumta dhe gjeneroze, përgjigjja që kemi marrë ka qenë vetëm refuzimi.
Në këto rrethana, për të shmangur një proces tjetër zgjedhor që nuk zgjidh gjë, dhe për të ruajtur stabilitetin institucional, Lëvizja VETËVENDOSJE! ndërmerr edhe një hap tjetër me një propozim të ri, konkret dhe përbashkues.
Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të.
Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike.
Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
Koha është e kufizuar. Për shkak të afateve kushtetuese, presim përgjigje nga subjektet opozitare deri të dielën në mbrëmje.
Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës.
25 prill 2026
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Politikë pa parime

0
Sikur Machiavelli të rikthehej në jetë, e të kishte shancin të shihte se çfarë po ndodhë në skenën politike në Kosovë, jam e bindur se do e rishkruante “Princin”.
Pasi që ne vuajmë nga sindromi i harresës kolektive, çdo mashtrues pa asnjë trik magjie, ngjiten mbi besimin,andrrat dhe shpresat tona duke e na thithur energjinë dhe duke na ba viktima të mjerimit të tyre.
Shteti i Dardanisë është krijuar nga idealistët, luftëtaret dhe herojtë. Çdo dy dekada toka jonë ka qenë e shtruar me varre të reja, ndërsa pushtuesit veç që na e kanë shkatërru pragun e shpisë, s’na i kanë lanë as varret e stërgjyshërve…
Përderisa politikanët nuk kanë vizion, nuk kanë ide se ku do ishte e mira e përgjithshme, por çdoherë pushteti dhe ambicia personale nga Ç’kapja në Kapje dhe nga mungesa e përgjegjësisë e kanë sjellur një klimë toksike deri në vlla vrasje.
Sot askush nuk mendon për shtetin,të gjithë mendojnë për pushtetin dhe aty ku luhen kartat për një pushtet absolut ka rrezik të vdekjes së demokracisë.
Në kohën e një rreziku global po të kishte një klasë të përgjegjshme politike, shteti nuk do të lihej pa institucione funksionale.
Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një cirk, me vite nuk flitet një fjalë e mirë,por rrugaqëria është shndërruar në “standard”përkufizues për ata që marrin paga nga taskat e popullit,që thirren në emrin e popullit por nuk mendojnë për popull.
Nuk na e falë as Zoti, nëse ky shtet që u ngrit si Feniksi nga hiri i tij, do humbet nga shkaku i budallakisë…

The Evening Post (1936) / Historia e rrallë e koleksionistit të autografeve me Mbretin Zog

Burimi : Revista finlandeze “Eeva”, 1 janar 1936, faqe n°10

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Prill 2026 

The Evening Post” ka botuar, të shtunën e 6 qershorit 1936, në faqen n°29, historinë e rrallë të një koleksionisti autografësh me Mbretin Zog, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Gjuetia e autografëve

Burimi : The Evening Post, e shtunë, 6 qershor 1936, faqe n°29

Burimi : The Evening Post, e shtunë, 6 qershor 1936, faqe n°29

Disa përvoja interesante të një koleksionisti autografësh jepen në revistën Windsor Magazine nga Michael Raitchevitch, i cili pretendon se zotëron në dy vëllime të çmuara firmat e 13 mbretërve, 10 presidentëve, shumicës së kryeministrave të gjallë në botë dhe 30,000 personave të tjerë të famshëm.

Asnjëherë, thotë ai, nuk është treguar më qartë njerëzillëku i thjeshtë i një mbreti sesa në takimin tim me Mbretin Zog të Shqipërisë, i cili rastësisht është i interesuar për autografet. Mbreti Zog e shqyrtoi koleksionin tim me vëmendje eksperti dhe u kthye vazhdimisht te firma e Presidentit von Hindenburg.

Oh, çfarë firme ! tha mbreti, duke treguar vijat e guximshme e të trasha, drejtimin krejtësisht të drejtë dhe harkimin e bukur piktoresk. A përdori Presidenti një stilolaps të veçantë?

Ai përdori një pendë, Madhëria Juaj, u përgjigja unë, i kënaqur që gjeta një monark që ndante admirimin tim për shembullin më të jashtëzakonshëm të kaligrafisë në albumin tim, përndryshe ai nuk do të mund të bënte ato harkime të trasha.

Atëherë, deklaroi Mbreti Zog, duhet të firmos me pendë. Ai thirri një shërbëtor, i cili tha se nuk kishte një të tillë në pallat.

Në fillim Mbreti Zog u argëtua ; pastaj humbi durimin.

Duhet të kem një pendë, këmbënguli ai, duke refuzuar stilolapsin që i ofrova.

Lëre albumin tënd tek unë, tha ai, dua t’ia tregoj familjes sime. Natyrisht pranova, dhe për herë të parë pas 20 vitesh albumet e mia të autografeve dolën nga zotërimi im për dy ditë. Arsyeja e vërtetë e kërkesës së mbretit ishte, siç e dyshoja, se ai kishte vendosur të firmoste me pendë ose hiç fare, dhe një zyrtar i oborrit më tha më vonë se një pendë e veçantë iu dërgua me aeroplan nga Roma në pallatin e Mbretit Zog.

Pas gjithë këtij mundimi, pena mezi i përshtatej mbretit, dhe Zog-u i shkarravitur në albumin tim ofron më pak interes se Hindenburgu për studiuesit e kaligrafisë. Marshalli 80-vjeçar firmosi ashtu sikur do të udhëhiqte një betejë, me një rrotullim të vërtetë luftarak të pendës, të mbajtur fort mes gishtave të tij të shkurtër e të trashë.

Rishikimi i trashëgimisë toponimike në hapësirën shqiptare

0

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan

Një domosdoshmëri shkencore, kulturore dhe institucionale për Kosovën dhe Shqipërinë

Hyrje
Toponimet përfaqësojnë një nga shtresat më të qëndrueshme të kujtesës historike të një populli. Ato nuk janë vetëm shenja gjeografike, por bartëse të identitetit kulturor, historik dhe gjuhësor. Në hapësirat shqiptare, veçanërisht në Kosovë dhe Shqipëri, sistemi toponimik përfaqëson një mozaik kompleks që reflekton shtresime të ndryshme historike, politike dhe kulturore.
Zhvillimet bashkëkohore në arkeologji, histori, gjuhësi historike dhe gjenetikë të popullatave kanë rritur interesin për vazhdimësinë historike të popullsisë shqiptare në Ballkan. Në këtë kontekst, rishikimi kritik dhe shkencor i trashëgimisë toponimike nuk duhet parë si akt politik apo simbolik, por si proces i nevojshëm për ruajtjen e autenticitetit kulturor dhe historik të hapësirës shqiptare.
Toponimet si dëshmi e shtresimeve historike
Toponimia e hapësirës shqiptare është rezultat i ndërveprimit të gjatë ndërmjet kulturave dhe pushteteve të ndryshme historike. Migrimet e popullsive dhe ndryshimet politike gjatë historisë, veçanërisht në periudhat e mesjetës së hershme, ndikuan ndjeshëm në sistemin e emërtimit të vendbanimeve.
Megjithatë, një analizë e kujdesshme gjuhësore dhe historike tregon se në shumë raste ekzistojnë shtresa më të hershme të toponimeve, të cilat mund të lidhen me tradita vendase para periudhave të ndryshme të sundimit të jashtëm. Kjo sugjeron se procesi i dokumentimit dhe analizës së toponimeve duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i mbështetur në metodologji shkencore ndërdisiplinore.
Në këtë drejtim, kërkimet moderne në arkeologji dhe gjuhësi historike kanë krijuar mundësi reale për të identifikuar elemente të hershme të trashëgimisë kulturore dhe gjuhësore në rajon.
Nevoja për një qasje aktive institucionale
Në kushtet e shtetësisë së konsoliduar të Kosovës dhe funksionimit të shtetit shqiptar, krijohet një mundësi reale për të ndërmarrë politika të mirëfillta kulturore dhe shkencore për dokumentimin dhe rishikimin e trashëgimisë toponimike.
Rishikimi i toponimeve nuk duhet të shihet si akt emocional, por si proces racional dhe shkencor që synon:
● ruajtjen e trashëgimisë autentike
● përforcimin e identitetit kulturor
● dokumentimin e historisë reale të territorit
● rritjen e ndërgjegjes historike të qytetarëve
Në këtë kuptim, institucionet shtetërore dhe akademike duhet të marrin rol udhëheqës në këtë proces.

Argumente shkencore për rishikimin e toponimeve

Një qasje akademike për rishikimin e toponimeve mund të mbështetet në disa shtylla themelore:

1. Parimi i autenticitetit historik
Në rastet kur ekzistojnë dëshmi të dokumentuara për emërtime më të hershme vendase, rikthimi i tyre përbën një akt të rivendosjes së autenticitetit historik.
Ky proces është i justifikueshëm shkencërisht kur mbështetet në:
● dokumente historike
● analiza etimologjike
● dëshmi arkeologjike
● traditë gojore të verifikueshme

2. Parimi i vazhdimësisë kulturore
Toponimet nuk janë vetëm emra, por bartin memorie kolektive dhe vazhdimësi kulturore. Rikthimi ose promovimi i toponimeve vendase kontribuon në forcimin e identitetit kulturor dhe ndërgjegjes historike.
Ky proces ka rëndësi të veçantë për shoqëritë që kanë kaluar periudha të gjata sundimi nga struktura politike të jashtme.

3. Parimi i sovranitetit kulturor
Shtetet moderne kanë të drejtën dhe përgjegjësinë për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e tyre kulturore. Aq më parë në rastin e Kosovës, Shqipërisë dhe viseve tjera shqiptare kur dihet që Serbia është vazhdimisht agresive në synimet e saj për të përvetësuar trashëgimin tonë kulturore dhe propaguar për autoktonin serbo-sllave në këto hapësira, kur botërisht dihet se dyndja sllave ndodhi tek ne shekullin VI dhe VII të erës sonë. Në këtë kuptim, rishikimi i toponimeve duhet të jenë prioritet shtetëror i rëndësisë së veçantë të politikave kulturore dhe arsimore i dy shteteve sovrane shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë.

Rreziqet e mosveprimit institucional
Mungesa e një politike të qartë për toponimet mund të sjellë pasoja afatgjata:
● humbjen e emërtimeve autentike
● deformimin e trashëgimisë historike
● dobësimin e ndërgjegjes identitare
● mungesën e dokumentimit të saktë historik
Nëse nuk ndërmerren hapa sistematikë, shumë emërtime tradicionale shqiptare rrezikojnë të zhduken me kalimin e kohës.

Rekomandime konkrete për Kosovën dhe Shqipërinë
Në bazë të praktikave ndërkombëtare dhe nevojave të kontekstit shqiptar, mund të propozohet një paketë konkrete masash:

1. Themelimi i Institutit Kombëtar të Toponimisë
Kosova dhe Shqipëria duhet të krijojnë institucione të specializuara për studimin e toponimeve, ose të forcojnë strukturat ekzistuese.
Detyrat kryesore duhet të janë:
● hartimi i atlasit toponimik kombëtar
● dokumentimi i të gjitha emërtimeve ekzistuese
● analizimi etimologjik i toponimeve
● publikimi i studimeve shkencore

2. Krijimi i një regjistri zyrtar të toponimeve historike
Ky regjistër duhet të përfshijë:
● emërtimet aktuale
● variantet historike
● prejardhjen gjuhësore
● periudhën historike të përdorimit
Një regjistër i tillë do të ishte bazë për çdo vendimmarrje institucionale lidhur me rishikimin e toponimisë.

3. Rishikimi selektiv i toponimeve problematike
Ndryshimet duhet të bëhen vetëm në raste të justifikuara shkencërisht, duke u bazuar në:
● dëshmi historike të forta
● analiza gjuhësore të verifikuara
● konsultim publik
Ky proces duhet të jetë gradual, i vazhdueshëm dhe transparent.

4. Vendosja e tabelave me emërtime historike paralele
Në vendet me rëndësi historike mund të përdoret një model dygjuhësor ose dyemërtues:
emri aktual
emri historik shqiptar
Kjo do të ndihmonte në edukimin historik pa krijuar tronditje administrative.

5. Integrimi i toponimisë në sistemin arsimor
Lidhur me çështjen e toponineve kurrikulat shkollore duhet të përfshijnë:
● historinë e toponimeve lokale
● analizën e prejardhjes së emrave
● rëndësinë e trashëgimisë gjuhësore
Ky hap është thelbësor për ruajtjen e identitetit kulturor në afat të gjatë.

6. Digjitalizimi i trashëgimisë toponimike
Duhet të krijohen:
● harta digjitale interaktive
● databaza online
● platforma kërkimore për studiuesit
Kjo do ta bënte trashëgiminë toponimike të qasshme për publikun dhe për çarqet akademike.

7. Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë
Duhet të krijohet një program i përbashkët kombëtar për:
● standardizimin e toponimeve
● harmonizimin e dokumentacionit
● zhvillimin e projekteve kërkimore të përbashkëta
Ky bashkëpunim do të krijonte një qasje të unifikuar në nivel kombëtar.

Përfundim
Rishikimi i trashëgimisë toponimike në Kosovë dhe Shqipëri nuk duhet parë vetëm si akt simbolik apo politik, por si proces shkencor dhe institucional që synon ruajtjen e autenticitetit historik dhe forcimin e identitetit kulturor.
Një politikë e mirëstrukturuar në këtë drejtim do të kontribuonte jo vetëm në dokumentimin e historisë reale të territorit, por edhe në edukimin e brezave të rinj dhe në forcimin e vetëdijes historike kombëtare.
Në një epokë globalizimi dhe transformimesh kulturore, ruajtja dhe rivlerësimi i trashëgimisë toponimike përbën një nga mjetet më të rëndësishme për ruajtjen e identitetit historik dhe kulturor të një populli.

Më 25 prill 2026

Adriatik Riza Dosti, e analizon testamentin e Akademik Qosjes dhe thekson se “ty nuk ta kanë asnjë faj Kosova e as Shqipëria”

0

Adriatik Riza Dosti, Tiranë

Prehu i qetë, Profesor R. Qosja… se as Kosova e as Shqipëria nuk të kanë ndonjë borxh…
Je ti ai që ndoshta u ke borxhe atyre… madje jo pak.
Figura jote dhe vepra jote letraro–albanologjike ekzistojnë pikërisht në sajë të Shqipërisë dhe Kosovës, e jo anasjelltas… ok.

Më fal atje ku je, o Profesor… por sinqerisht u ndjeva keq si shqiptar, qoftë edhe prej faktit se për vdekjen tënde të parët që reaguan “fort dhe me dhimbje publikisht” ishin Edi Rama e pas tij Rudina Xhunga… pffff, o Zot, çfarë neverie.

U nxitova t’i bëj publike këto radhë të mia pasi lexova me vëmendje amanet–testamentin për vdekjen e tij (Rexhep Qosjes), lënë për së gjalli 10 vjet më parë dhe që u bë publik dje (pas vdekjes së tij) nga familjarët e vet.

Është e drejta jote absolute, i ndjeri Akademik e Profesor, të ikësh nga kjo botë ashtu siç dëshiron ti… pa klerikë te koka, pa lule prej askujt, thjesht fare, pa homazhe shtetërore, pa ceremoni të tilla, pa politikanë hipokritë rreth teje dhe pa fjalimet e tyre hipokrite etj., etj.

Është po e drejta jote të vdesësh e të varrosesh brenda ditës, të kërkosh të ikësh me kaq ngut dhe të kërkosh që edhe përmes vdekjes tënde t’i fshihesh gjithkujt… e të ikësh kësisoj si në ato historitë me Robinson Kruzo… sikur s’ke jetuar kurrë mes njerëzish.

Por është fyese, provokuese, njësoj si t’i hedhësh benzinë zjarrit, shprehja jote në fund të amanet–testamentit tënd mortor, teksa thua: “iki i qetë nga kjo botë pasi Kosova nuk më ka asnjë lloj borxhi; nëse ajo më ka mua borxhe, këtë le ta thonë historianët që do të vijnë pas meje.”

Shqipëria dhe Kosova “kundër dëshirës tënde” po të nderojnë ende dhe më shumë sesa duhet e sesa ke pritur ti, Profesor.

Të dyja parlamentet, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, u ngritën në këmbë në një minutë heshtje – nderim në respekt të jetës dhe veprës tënde.
Homazhe, përkujtimore, nderime e respekt për figurën dhe veprën tënde, dhe krejt media shqipfolëse në mbarë botën hapet e mbyllet me ty, Profesor, ani pse “kundër dëshirës” dhe amanetit tënd.

A ke qenë ti fort i hidhëruar me Shqipërinë dhe Kosovën, i mbushur me mllef ndaj tyre, apo kanë qenë këto të dyja të hidhëruara e të vrerosura ndaj teje ndër vite – këtë po, pritet në vijim ta zbulojnë historianët që përmend ti… madje me arsye, fakte konkrete dhe me logjikë të ftohtë, larg gjaknxehtësisë tipike shqiptare.

Por…

Nuk të ka asnjë borxh Kosova pse ti dëshiroje të arsimoheshe në Beograd dhe të formoheshe si intelektual po në kryeqytetin serb, e jo në Prishtinë apo qoftë edhe në Tiranë.
Nuk ta ka fajin Kosova që ti, me dëshirën tënde, u bëre anëtar i Partisë Komuniste Jugosllave që në vitin 1972.
Nuk ta kishte për borxh Kosova dhe as populli i saj kur ti, Profesor, ishe ndër të parët që denove publikisht demonstratat e Prishtinës të vitit 1981, madje ashpër kërkove edhe dënimin e organizatorëve të tyre.
Nuk është faji i Kosovës pse ti iu kundërvure aq ashpër udhëheqësit paqësor të trevës tënde, dr. Ibrahim Rugovës, ndërkohë që vendi dhe populli i tij e donin dhe e respektonin shumë.

Nuk ta kishte Kosova fajin, z. Qosja, pse ti hyre në politikë asisoj, ndërsa bashkëatdhetarët e tu u detyruan të të mbyllin derën.
Çfarë faji dhe çfarë borxhi të ka Kosova ty në përplasjen tënde publike “në mbrojtje të identitetit kombëtar shqiptar” me Kadarénë, ndërsa ky i fundit kishte dukshëm më shumë të drejtë se ti për çështjen në fjalë?

Borxh të Kosovës ndaj teje e quan ti qëndrimin tënd kontradiktor në Rambuje, aty ku vendoseshin fatet e vendit dhe të popullit tënd?

Sa i përket Shqipërisë…

Ajo të ka shpallur “Nderi i Kombit” dhe sot shqiptarët po ndihen keq për ikjen tënde nga kjo botë, sepse respektojnë së pari figurën dhe veprën tënde letraro–albanologjike në shërbim të kombit të tyre dhe tëndit bashkë.

Ndërsa ti i poshtërove rëndë shqiptarët e Shqipërisë, teksa si askush tjetër i more publikisht në mbrojtje regjimin e tyre komunisto–bolshevik dhe kriminalo–gjakatar.
Ti iu bëre karshillëk atyre dhe i more në mbrojtje kryekriminelin e tyre, Enver Hoxhën, o Profesor… dhe kjo nuk është pak për ata qindra mijëra që ai burrë shteti yt, Enveri, vrau dhe zhduku për dekada me radhë.

Ti vajte në Vlorë dhe me tre gishtat lart të simbolit çetnik serb u rreshtove në krah të kriminelit Zani Çaushi… dhe të “palaçove” Ceka, Gjinushi e F. Çupi me shokë… turp për ty!

Ti erdhe në mes të Tiranës dhe ngjarjet e vitit ’97, ose më saktë luftën vëllavrasëse shqiptare të nxitur nga “evgjitët – komunistë shqiptaro–serbo–grekë”, i cilësove si një “revolucion demokratik të vonuar” (…???)

Tani dua sinqerisht dhe dashamirësisht ta kuptoj siç duhet atë fjalinë e fundit në amanet–testamentin tënd, i ndjeri Profesor, ku bëhet fjalë për borxhet mes teje dhe Kosovës, por edhe Shqipërisë… por ja që disa fakte historike dhe të vërteta kokëforta nuk më lënë dot të mendoj ndryshe, sepse borxhliu i madh më del ti, e jo Kosova dhe aq më pak Shqipëria.

Agim Vuniqi thotë se “Rexhep Qosja nuk debatohet më me slogane — lexohet me vepër”

0
Ka një çast në historinë e kombeve kur polemika e ditës humb peshë përballë trashëgimisë. Me Rexhep Qosjen kemi hyrë pikërisht në atë çast.
Vjen një kohë kur dialogu politik me një shkrimtar përfundon, jo sepse mendimet shuhen, por sepse vepra mbetet më e madhe se debatet që e rrethuan. Atëherë nuk polemizohet më me njeriun, por lexohet trashëgimia që la.
Dhe trashëgimia e Qosjes nuk është vetëm bibliografi.
Është pjesë e kujtesës shqiptare.
Çdo vepër e tij është një copë Shqipërie — herë dhimbje, herë krenari, herë kryengritje e mendimit.
Ai nuk shkroi vetëm për kombin.
Shkroi brenda tij.
Në veprën e tij historia nuk është kronikë; është ndërgjegje.
Gjuha nuk është instrument; është atdhe.
Kritika nuk është zanat; është akt moral.
Ky është dallimi.
Ata që e gjykojnë Qosjen vetëm përmes animeve politike, shpesh e zvogëlojnë një figurë që nuk hyn në kufijtë e politikës ditore.
Si kritik letrar, ai e ngriti mendimin shqiptar në dialog me modernitetin.
Si studiues i gjuhës dhe letërsisë, ai e trajtoi shqipen jo si objekt filologjik të ftohtë, por si organizëm historik të kombit.
Si eseist, ai i dha polemikës shqiptare dinjitet intelektual.
Dhe kjo është rrallë.
Është e vërtetë: mes Rexhep Qosja dhe Ibrahim Rugova pati rivalitet politik.
Po çfarë intelektuali serioz nuk polemizon?
Debati mes mendjeve është shenjë kulture.
Jo skandal.
Qosja dhe Rugova mund të kenë ndarë rrugë politike, por jo çështjen shqiptare.
Secili e mbrojti me mënyrën e vet.
Njëri me kritikën si zjarr.
Tjetri me durimin si strategji.
Historia nuk i përjashton.
I vendos në të njëjtin horizont.
Është e panatyrshme t’i gjykosh intelektualët si militantë.
Sepse intelektuali nuk është ushtar partie.
Ai është shqetësim i kombit.
Dhe Qosja ishte i tillë.
Ai polemizoi jo për pushtet, por për ide.
Dhe kombet pa ide treten.
Në shkencën gjuhësore të shqipes, kontributi i tij nuk është vetëm akademik.
Është civilizues.
Ai e trajtoi gjuhën si themel identitar, si kujtesë historike dhe si arkitekturë kulture.
Në këtë kuptim, ai nuk shkroi vetëm për shqipen.
Ai e mbrojti shqipen.
Kjo është tjetër gjë.
Ka shkrimtarë që prodhojnë libra.
Ka të rrallë që prodhojnë epoka mendimi.
Qosja hyn te të dytët.
Prandaj sot, para veprës së tij, pyetja nuk është me cilën anë politike ishte.
Por çfarë lartësie mendimi i la kulturës shqiptare?
Dhe përgjigjja është e madhe.
Shumë e madhe.
Rexhep Qosja nuk është thjesht autor për t’u pëlqyer apo kundërshtuar. Është institucion për t’u lexuar.
Dhe ndoshta ky është nderimi më i drejtë për një shkrimtar:
jo ta mbrosh nga polemikat,
por ta lësh veprën të flasë mbi to.

Është e drejta e çdo pasardhësi të kërkojë prejardhjen, asnjë dekret i Sulltanit dhe asnjë rregull i Patrikanës nuk mund ta ndryshojë ADN-në tënde

0
GABIMIN” HISTORIK TË IDENTITETIT NË JUG: KUR FEJA DHE PUSHTIMI TË NDËRROJNË GJUHËN
​Shumë njerëz sot habiten me hartën etnike të Jugut, por harrojnë se identiteti nuk ka qenë gjithmonë zgjedhje, por shpeshherë MBIJETESË.
​1. Aleanca e Heshtur (Osmanët & Patrikana):
Sipas sistemit të “Miletit” në Perandorinë Osmane, kombësia nuk ekzistonte. Kishte vetëm besimtarë.
​Osmanët kishin interesin që shqiptarët të mos zgjoheshin si komb (sepse një komb i zgjuar kërkon pavarësi). Ndaj, e ndaluan gjuhën shqipe me ferman të Sulltanit, duke e quajtur “gjuhë të mallkuar”.
​Patrikana e Stambollit, nga ana tjetër, kishte monopolin e arsimit dhe fesë për të gjithë ortodoksët. Për ta, çdo besimtar që hynte në kishë duhet të dilte “Grek”. Kush fliste shqip ose vllahisht në kishë, anatemohej (mallkohej).
​2. Rasti i Vllehëve dhe Shqiptarëve të Dropullit:
Vllehtë, si popullsi pa një shtet mbrojtës, ishin preja më e lehtë. Në mungesë të shkollave vllahishte apo shqipe:
​U detyruan të mësonin greqishten për të bërë tregti.
​U detyruan të luteshin në greqisht për të mbajtur besimin e krishterë.
​U detyruan të ndërronin emrat dhe mbiemrat për t’u dukur pjesë e “Miletit Rum” (Grek).
​3. Kur Gjuha bëhet “Maskë” e Gjakut:
Ajo që sot quhet “Minoritet Grek” në shumë zona, në të vërtetë është një shtresëzim historik: Gjak vllah dhe shqiptar, i mbuluar nga një kulturë greke e imponuar nga rrethanat. Është e drejta e çdo pasardhësi sot të kërkojë rrënjën e tij. Nëse stërgjyshi yt ka folur vllahisht apo shqip, asnjë dekret i Sulltanit dhe asnjë rregull i Patrikanës nuk mund ta ndryshojë ADN-në tënde.
​Përfundimi: Historia mund të manipulohet, pasaportat mund të blihen, por gjuha e zemrës dhe e gjakut mbetet ajo që kemi trashëguar nga të parët, përpara se “politika e miletit” të na ndante.