
“Thirrjet publike” të Mulla Mustafë Bajramit nga “minarja” e Facebook-ut!

Iftari i hipokrizisë politike, apo kur sofra e pushtetit shtrohet për të ngopurit, ndërsa të varfërit mbetën duke shikuar

Kreshmët katërdhjetëditëshe dhe epika e kthimit, e rilindjes së ndërgjegjes sonë shpirtërore dhe kombëtare
Shkruan: Don Fran Sopi
Kjo kohë e shenjtë e Kreshmëve, për Kishën Katolike dhe grigjën e saj, nuk është vetëm një periudhë përmbajtjeje apo një zakon kishtar që përsëritet çdo vit në kalendarin liturgjik, por është një kohë e thellë e hirit hyjnor: një moment vendimtar në historinë personale të secilit prej nesh dhe në ndërgjegjen e një populli të tërë. Është një kohë që na grish të ndalemi, të reflektojmë dhe të kthehemi te burimi i dritës.
Kreshmët, këto dyzet ditë të bekuara që po i jetojmë, janë një thirrje që zbret nga qielli dhe ngjitet në ndërgjegjen tonë si kushtrim shpirtëror. Ato janë zgjimi i njeriut nga gjumi i rehatisë morale; janë përballja me të vërtetën pa maska; janë kthimi në thelb. Fjala ungjillore e Jezu Krishtit që i shoqëron është e qartë dhe e prerë: “Kthehuni dhe besoni Ungjillin.” Në këtë thirrje përmblidhet e gjithë epika e Kreshmëve: kthimi si çlirim dhe besimi si ringritje.
Mbi të gjitha, Kreshmët janë shkretëtira e brendshme ku njeriu zhvishet nga iluzionet e veta. Në shkretëtirë nuk ka zbukurime, role apo duartrokitje; aty ka heshtje dhe të vërtetë. Aty rrëzohen arsyetimet e rreme me të cilat kemi mbrojtur gabimet tona. Aty bie maska e hipokrizisë. Aty shpirti përballet me vetveten. Është koha kur Hyji nuk flet me zhurmë, por me një zë të butë e të thellë që depërton në ndërgjegje dhe thotë: “Kthehu.” Kjo fjalë nuk është vetëm një ftesë; ajo është njëkohësisht gjykim dhe premtim. Është dritë që zbulon plagën, por edhe balsam që e shëron atë. Hyji nuk na e zbulon mëkatin për të na dënuar, por për të na shpëtuar; nuk na thërret për të na poshtëruar, por për të na ringritur në dinjitetin tonë si bij të Tij.
Sot, jetojmë në një kohë ku duket sikur flaka e ferrit është ndezur në shumë drejtime. Shohim përçarje në familje, padrejtësi në institucione, korrupsion që maskohet si mençuri, rebelim e anarkizëm që paraqiten si liri, indiferencë që shitet si neutralitet. Shohim dhunë në fjalë, ashpërsi në gjykim dhe ftohtësi në marrëdhënie. Por e vërteta e hidhur është kjo: flaka e ferrit nuk ushqehet vetëm nga ata që bëjnë të keqen hapur; ajo forcohet nga heshtja e atyre që mund ta ndalonin, por zgjedhin të heshtin. Indiferenca është terreni ku rritet padrejtësia. Kur shohim të keqen dhe nuk reagojmë, kur dimë të vërtetën dhe e fshehim, kur justifikojmë gabimin për hir të interesit apo frikës, bëhemi pjesë e errësirës që na rrethon.
Prandaj Kreshmët janë thirrje për ta ndalur këtë rrjedhë të rrezikshme. Janë kohë për ta larguar mëkatin jo vetëm nga veprimet tona, por nga vetë vullneti ynë. Sepse mëkati nuk fillon në dorë, por në mendje; nuk lind në veprim, por në qëllim; nuk forcohet në rrethana, por në kompromis. Kompromisi i vogël me të keqen është fara e kaosit të madh. E vetmja udhë e vërtetë për njeriun është drejtësia. Jo drejtësia e ashpër që kërkon vetëm ndëshkim, por drejtësia që lind nga e vërteta dhe ushqehet me dashuri. Drejtësia që rikthen rendin hyjnor në zemrën e njeriut, çliron ndërgjegjen dhe i jep dinjitet jetës. Kjo drejtësi duhet të fillojë në familje. Familja është altari i parë i kombit tonë shqiptar. Aty formohet ndërgjegjja e brezave. Aty mësohet dallimi ndërmjet së drejtës dhe së padrejtës. Aty mësohen fjalët “falje”, “sakrificë” dhe “ndershmëri”. Nëse prindërit nuk jetojnë në të vërtetë, fëmijët mësojnë dyfytyrësinë; nëse mungon falja, rritet krenaria; nëse mungon drejtësia, lind përçarja, e cila depërton më pas në shoqëri dhe në kombin tonë.
Një familje e rrënuar nga egoizmi, mashtrimi dhe mungesa e respektit është një gur i lëkundur në themelin e atdheut. Harmonia nuk është rastësi; ajo është fryt i përpjekjes së përditshme, i sakrificës së heshtur dhe i drejtësisë së jetuar me përulësi.
Një nga plagët më të rënda të kohës sonë është mendësia e rreme se “qëllimi justifikon mjetin”. Kjo ide ka helmuar histori, ka shkatërruar sisteme morale dhe ka deformuar lirinë e njeriut. Kur njeriu e vendos veten mbi ligjin e Hyjit, duke justifikuar të keqen për një qëllim që e quan të mirë, lind kaosi. Kaosi në jetën publike nuk është rastësi; ai është pasqyrë e ndërgjegjes së turbullt. Nuk mund të presim drejtësi nga strukturat, nëse nuk ka drejtësi në zemrat tona. Reforma e vërtetë fillon nga brenda.
Dimensioni atdhetar i Kreshmëve është po aq i thellë sa ai shpirtëror. Historia jonë kombëtare shqiptare nuk është vetëm një varg datash e ngjarjesh; ajo jeton në ndërgjegjen tonë. Ne jemi bij të një populli që ka kaluar përmes vuajtjeve, sakrificave dhe sfidave, por që ka mbijetuar sepse ka ruajtur besimin, nderin dhe dinjitetin.
Nëse sot duam një të ardhme më të drejtë për atdheun, nuk mjafton të kërkojmë ndryshim nga institucionet; duhet ta kërkojmë nga vetja. Atdheu nuk ndërtohet me slogane, por me moral. Nuk forcohet me zhurmë, por me ndërgjegje të pastër. Një komb që humb drejtësinë humb shpirtin e vet; një komb që ruan të vërtetën mbetet i gjallë dhe i fortë.
Kreshmët na japin mjetet për këtë rilindje: lutjen që ndriçon mendjen dhe e lidh zemrën me Hyjin; agjërimin që disiplinon trupin dhe forcon vullnetin; bamirësinë që hap zemrën ndaj tjetrit dhe mposht egoizmin. Këto nuk janë formalitete, por armë shpirtërore. Me to njeriu mposht krenarinë, shuan urrejtjen dhe pastron ndërgjegjen.
Kur ndërgjegjja pastrohet, fillon transformimi i vërtetë – një transformim që prek familjen, shoqërinë dhe kombin. Epika më e madhe nuk është ajo e betejave të jashtme; epika më e madhe është beteja kundër vetvetes. Të fitosh mbi egoizmin, mashtrimin, frikën dhe indiferencën – kjo është fitorja që e ndryshon historinë. Një njeri i kthyer është dritë. Një familje e pajtuar është fortesë. Një popull me ndërgjegje të pastër është shpresë për të ardhmen.
Andaj, unë, si meshtar i Kishës Katolike, nuk e shpall këtë fjalë si një gjykatës, por si bashkudhëtar në këtë udhë kreshmore. Edhe unë kam nevojë për kthim. Edhe unë jam në këtë betejë të brendshme. Përpara Kryqit jemi të gjithë të barabartë – të varfër në mëkate, por të pasur në mëshirë. Përpara Kryqit lind shpresa më e madhe, sepse Kryqi nuk është fundi; ai është porta e Ngjalljes. Pas pendesës vjen paqja. Pas lotit vjen drita. Pas errësirës lind agimi.
Le të jetë kjo kohë e Kreshmëve një pikë kthese në jetën tonë personale, familjare dhe kombëtare. Le të jetë një rilindje e ndërgjegjes sonë shpirtërore e kombëtare. Le të jetë një betim i heshtur për drejtësi, për të vërtetë dhe për dritë.
Dhe kur të kthehemi me gjithë zemër dhe të besojmë Ungjillin, flaka e ferrit do të shuhet nga drita e Hyjit, sepse drita gjithmonë ka fjalën e fundit – dhe ajo fjalë është jetë.
Pejë, më 15 mars 2026
Asimilimi dhe orgazma e trefishuar
Mos e përdhosni Prekazin – Gjaku i Jasharajve nuk është dekor për ideologji të huaja!

Luan Dibrani, Gjermani
Ka vende në historinë e një kombi që nuk janë thjesht pika në hartë. Ato janë altare të shenjta të kujtesës kombëtare, vende ku historia nuk shkruhet me fjalë, por me gjak, me sakrificë dhe me dinjitet. Për shqiptarët, një nga këto vende është Prekazi.
Prekazi nuk është një shtëpi për vizita ceremoniale dhe fotografi të rastit.
Prekazi është tempulli i sakrificës shqiptare.
Në atë oborr u derdh gjaku i një familjeje të tërë për lirinë e Kosovës. Në atë truall u ngrit një simbol që nuk i përket vetëm një familjeje, por gjithë kombit shqiptar. Prandaj çdo shqiptar duhet të ndjejë përgjegjësi kur sheh përpjekje për ta përdorur atë simbol për interesa që nuk kanë lidhje me sakrificën e tij.
Prekazi nuk është skenë propagande
Sot po shohim një fenomen shqetësues që po përsëritet gjithnjë e më shpesh. Individë dhe grupe të ndryshme shkojnë në Prekaz, kërkojnë një vizitë, një takim ose një fotografi me familjarët e Adem Jasharit.
Pastaj ajo fotografi përfundon në rrjetet sociale.
Dhe pikërisht aty fillon manipulimi.
Fotografia përdoret për të krijuar një përshtypje të rreme sikur sakrifica e Jasharajve përfaqëson një ideologji të caktuar fetare apo një projekt ideologjik që nuk ka qenë kurrë pjesë e historisë së asaj lufte.
Kjo është një keqpërdorim i rëndë i historisë.
Sepse lufta e Jasharajve nuk ishte luftë për një ideologji fetare.
Ajo ishte luftë për lirinë e Kosovës dhe dinjitetin e popullit shqiptar.
Radikalizmi fetar dhe përpjekja për të përvetësuar simbolin e Prekazit
Në hapësirën shqiptare, vitet e fundit janë shfaqur rryma të ndryshme të radikalizmit fetar që përpiqen të fitojnë ndikim në shoqëri. Një nga mënyrat që përdorin është përvetësimi simbolik i figurave dhe ngjarjeve historike të kombit shqiptar.
Prandaj shohim gjithnjë e më shpesh individë që kërkojnë një fotografi pranë familjarëve të Adem Jasharit dhe më pas e përdorin atë fotografi për propagandë në rrjetet sociale.
Në këto publikime krijohet narrativa sikur familja e Jasharajve përfaqëson një projekt ideologjik fetar.
Por kjo nuk është historia e Prekazit.
Historia e Prekazit është historia e rezistencës shqiptare kundër pushtimit serb dhe e një familjeje që u bë simbol i lirisë së Kosovës.
Historia nuk mund të tjetërsohet
Historia e Jasharajve nuk mund të rishkruhet sipas interesave të momentit.
Ajo është shkruar me gjak dhe me sakrificë.
Çdo përpjekje për ta futur këtë histori në një kornizë ideologjike të huaj është një shtrembërim i së vërtetës historike.
Prekazi është simbol i një lufte që kishte një ideal të qartë:
lirinë dhe dinjitetin kombëtar shqiptar.
Ai nuk është platformë për propagandë ideologjike.
Kujtesa kombëtare nuk është pronë e askujt
Simboli i Jasharajve nuk është pronë e një partie, e një grupi apo e një ideologjie.
Ai është pjesë e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.
Prandaj çdo shqiptar ka detyrimin moral ta mbrojë këtë simbol nga çdo përpjekje për manipulim apo përvetësim.
Sepse kur një komb fillon të relativizojë simbolet e tij më të shenjta, ai rrezikon të dobësojë edhe themelet e identitetit të tij.
Amaneti i Prekazit
Gjaku që u derdh në Prekaz nuk është një histori për fotografi dhe propagandë.
Ai është një amanet për brezat shqiptarë.
Një amanet që na kujton se liria e Kosovës u ndërtua mbi sakrificën e njerëzve që besuan në një ideal të vetëm: Kosovën e lirë dhe dinjitetin e kombit shqiptar.
Prandaj Prekazi duhet të mbetet gjithmonë ajo që ka qenë:
një vend i shenjtë i kujtesës kombëtare.
Jo një dekor për ideologji të huaja.
Shkrim lamtumirës për LDK-në!
Florim Zeqa
Të dashur qytetar të Republikës së Kosovës, elektorat i respektuar i LDK-së!
Nga mbi 3 mijë shkrime autoriale, gjysma prej tyre janë në funksion të mbështetjes së LDK-së. Nga mijëra shkrime në përkrahje të LDK-së, ndoshta kam qenë i rrezikuar nga rivalët politik, por asnjëherë deri më sot nuk më ka ardhur asnjë kërcënim prej asnjërit krah politik!
Në vend të mirënjohjes, në LDK e priten fatkeqësinë time
Mirëpo, nga momenti i fillimit të kritikave parimore ndaj rrugës së gabuar të LDK-së, katër herë jam kërcënuar me jetë nga eksponentët e këtij subjekti politik!
Mbase dikujt në LDK i ka konvenuar dhe i konvenon fatkeqësia im, për t’a përdorur si alibi, se si sulmohen veprimtarët dhe gazetarët që dalin publikisht në përkrahje të LDK-së, për t’u bërë më pas fatkeqësia ime objekt i fushatave elektorale dhe si subjekt i sulmeve ndaj rivalëve politik!
Në LDK iu duken pak mijëra shkrime në përkrahje të saj, për të më nderuar së paku me një “Mirënjohje” kortezie në një nga përvjetoret e partisë, por, as kjo nuk ndodhi, siq nuk ndodhi asnjë përkujdesje minimale e asnjërit prej liderëve të LDK-së post-rugoviane, e aq më pak e Degës së LDK-së në Klinë, për të cilët kam bërë më shumë sesa të gjithë ata që kanë përfituar nga ky subjekt politik!
Duket qartë, se në LDK, në vend të respektit dhe mirënjohjes e priten me padurim fatkeqësinë time!
I penduar për kohën e humbur kot
Asgjë nuk më dhimbset më shumë përveq kohës, si dhurata më e çmuar nga i madhi Zot, që nuk e shfrytëzova për familjen time, por ia dedikova grupeve të interesit duke menduar se po e ndihmoja LDK-në!
E ndihmova secilin që e kërkojë ndihmën time për këto 16 vite që merrem me shkrime, gjegjësisht me gazetari dhe publicistikë!
Por, asnjëri prej tyre nuk më mbështeti kur unë e kërkova ndihmën e tyre!
Edhe pse nuk isha i kyqur drejtëpërdrejt në politikë, në mënyrë indirekte isha pjesë e të gjitha zhvillimeve politike në vendin tonë.
Pavarësisht kush ishte në pushtet, gjithmonë e kam luajtur rolin e opozitarit duke u bërë mbrojtës besnik interesave të shtetit dhe qytetarëve (mërgimtarëve).
E gjithë punën time deri më tani e kam bërë në baza vullnetare, pa stimulim finaciar nga askush, as nga shteti dhe as nga partitë politike.
Pra, nuk jam ushqyer nga ‘grazhdi’ i asnjë partie politike!
Për këtë ndjehem i lumtur dhe krenar përjetësisht!
I lumtur që i kam shërbyer me nder dhe atdhedashuri vendit tim!
Krenar që nuk i hyra në grusht askujt për para të pista!
Do t’i ruaj me krenari vitet e krenarisë kombëtare në LDK
Nga tani e tutje, nuk do të merrem më me LDK-në, pra as nuk do ta lëvdoj dhe as kritikoj! Le të kënaqen strukturat drejtuese të LDK-së me lëvdatat e ‘ushtrisë së faccebook-ut” dhe duartrokitjet e grupeve të interesit, të cilët gjithçka mund të jenë, por rugovist asnjëherë!
Do t’i ruaj me krenari dhe xhelozi vitet e krenarisë kombëtare në LDK, nën udhëheqjen e liderit historik Ibrahim Rugova, ku isha pjesë aktive e organizimit politik.
Mesazhi lamtumirës i këtij shkrimi vlen vetëm për strukturat e LDK-së, ngase opinionet dhe analizat e mia politike në shërbim të vendit dhe qytetarëve nuk do të ndalen asnjëherë derisa të më punoj pena dhe mendja, pa kursyer asgjë nga vetja ime!
Lamtumirë “miq” virtual të LDK-së që nuk ua ditët vlerën shkrimeve të mia!
P.S: Ky ishte vetëm një shkrim i shkurtër lamtumirës për LDK-në. Gjitha të tjerat do t’i shkruaj në një libër monografik nga anëtarësimi në këtë subjekt politik, që e kishte rolin e lëvizjes paqesore për çlirim nga pushtuesit serbë e deri në ditët e sotme!
Florim Zeqa, ushtar besnik i atheut!
Treviso (Itali), 15.03.2026
Bashkimi Europian tepër vonë do të merret me Serbinë

Megjithatë më mirë vonë se hiç. Kur Serbia sulmonte ushtarët e KOFR-it në vitin 2023, dënohej Kosova dhe përkëdhelej Serbia nga Lajçaku, Borelli e Eskobari.
Tani, janë duke e parë realitetiun në të vêrtetë, por Kosova vuajti mjaft me masat e vëna nga BE.
Ne nuk jemi kundër së vërtetës as tani, por sikur është dashur t’i kërkohet falje Kosovës, të paktën dhe, edhe në të ardhmen, të shikohet mirë e qartë se kush çka meriton, që t’i jepet.
Kosova, dhe asnjë shtet tjetêr i dalë nga Jugosllavia, nuk ka sulmuar askë, përveç që është mbrojtur nga Serbia, e cila, jo vetëm Jugosllavinë, por kishte intenca të shkonte edhe më tutje në pushtime tjera për të pushtuar toka tjera dhe t’ia bashkonte Serbisë.
Nëse nuk i ndalet turri, ajo sërish do të provokojë luftë, duke filluar me Kosovën e më pastaj me Bosnjen.
Ulutash i KFOR-it thot se prersin që Serbia të luajë rolin e saj!…
Dhe ajo do e luajë rolin e saj, por varet se çfarë roli do të luajë. Ajo është mësuar të luajë rolin, ashtu si i pëlqen asaj, si të pushtojë toka të shqiptarëve në veçanti, mbasi me të tjerët nuk e ka guximin, sepse janë shumë të lidhur si kombe e si popuj dhe, ata nuk janë të përçarë kështu sa shqiptarët, nuk janë lakmues të pasurisë në dëm të shteteve të tyre.
Dhe, Serbia do e luajë lojën e saj, ashtu si do ajo, jo ndryshe.
Si do që të jetë, mirë që Ulutash i ka përmendur edhe pse me vonesë, protestat e dhunshme të serbëve kundër ushtarëve të KFOR-it në maj të vitit 2023 dhe kërkon përgjegjësi, ashtu sikur dorëzimin e Radojçiqit për sulmin terrorist ndaj policicë së Kosovës, ku u vra oficeri Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër.

Mirëpo, Vuçiqi nuk e dorëzon Radojçiqin, sepse vetë ai e ka urdhëruar të bëjë sulmin, për çka edhe e priti në rezidencën e tij menëjḧerë pas sulmit, duke i dhënë mirënjohje.
Jo, jo. Agresori, çdo agresor që sulmon tjetrin, do duhej të dënohet që të paguajë dëmëshpërblimet në njerëz dhe dëmet tjera materiale, në mënyrë që ai të ulë bishtin e të mos çojë krye më për të sulmuar dikë. E Serbia nuk u dënua as pas gjiutha atyre luftêrave që i shkaktoi kundër popujve të tjerë, me të vetmin qëllim që të krijojë Serbinë e madhe.
Më mirë vonë se hiç, thotë populli.
Mbetet të shohim…
Politika emocionale dhe sfida e dialogut racional në Ballkan
Në foto është Peter Sørensen

Nga Isuf Bajraktari, Suedi
Ky shkrim argumenton se, në shumë vende të Ballkanit, emocionaliteti politik ka zëvendësuar debatin e arsyetuar, duke dobësuar kulturën e dialogut dhe cilësinë e vendimmarrjes. Duke shqyrtuar faktorët historikë, kulturorë dhe mediatikë, trajtohet pse dhe si mund të kthehet fokusi te argumenti racional.
Demokracia nuk qëndron vetëm mbi zgjedhjet e lira dhe institucionet formale; ajo mbështetet edhe mbi kulturën e debatit publik, ku argumenti racional dhe respekti institucional janë themel. Në shumë vende të Ballkanit, megjithëse strukturat demokratike ekzistojnë, diskursi politik mbetet i dominuar nga emocionaliteti dhe konfrontimi, duke lënë më pak hapësirë për një debat të arsyetuar dhe konstruktiv.
Historiku dhe identitetet kolektive
Prirja drejt politikës emocionale nuk është rastësore. Historia e rajonit ka lënë pas konflikte, trauma kolektive dhe narrativa të forta identitare. Politikëbërja shpesh ndërtohet mbi këto kujtime, çka e bën debatin publik më emotiv dhe më pak analitik. Kur çështjet politike lidhen me identitetin, diskutimi nuk zhvillohet rreth fakteve, por rreth perceptimeve dhe ndjenjave. Narrativat historike përdoren si instrument politik, duke politizuar kujtesën kolektive dhe duke i ngarkuar debatet me ndikim emocional te publiku.
Kultura konfrontuese dhe roli i kompromisit
Kultura politike konfrontuese, e trashëguar nga periudhat e tranzicionit, e sheh politikën si arenë përplasjesh, jo si proces bashkëbisedimi. Kundërshtari shpesh konceptohet si rival që duhet mposhtur, jo si partner në debatin demokratik. Në këtë kontekst, kompromisi interpretohet si dobësi, ndërsa retorika e ashpër duket si shenjë vendosmërie. Si pasojë, parlamentet dhe hapësira publike shndërrohen në skena polemikash emocionale, duke kufizuar debatin racional.
Fushatat, mediat dhe motivimet e komunikimit
Fushatat elektorale mbështeten shpesh në emocionalitet, sepse emocionet mobilizojnë më shpejt sesa argumentet e detajuara. Edhe mediat, të orientuara nga logjika e spektaklit dhe e klikimeve, i japin përparësi konfliktit dhe deklaratave të forta, duke anashkaluar analizën e thelluar. Kjo krijon një cikël vetë‑forcues: politikanët përdorin retorikë emocionale për të fituar vëmendje, ndërsa mediat e amplifikojnë, duke reduktuar më tej hapësirën për argumentim.
Besimi te institucionet
Niveli i ulët i besimit qytetar tek institucionet e dobëson edhe më shumë dialogun racional. Kur institucionet perceptohen si joefektive, politika shihet si arenë përplasjeje, jo si mekanizëm zgjidhjeje. Në këtë klimë mosbesimi, retorika delegjitimues bëhet mjet i shpejtë mobilizimi, ndërsa argumentimi racional mbetet në hije.
Rruga drejt një kulture më të arsyetuar
Megjithatë, kjo situatë nuk është e pandryshueshme. Konsolidimi demokratik nënkupton zhvillimin gradual të një kulture politike të arsyetuar, ku debati zhvillohet mbi fakte dhe analiza. Profesionalizimi i mediave, rritja e edukimit qytetar dhe kërkesa publike për transparencë janë shtylla që mund ta transformojnë diskursin. Shndërrimi nuk vjen menjëherë, por është proces i domosdoshëm për një demokraci funksionale dhe të qëndrueshme.
Demokracia vlerësohet përtej procedurave formale: ajo matet edhe me cilësinë e bisedës publike. Pa dialog racional, demokracia mbetet vetëm një kornizë; me të, ajo kthehet në një realitet funksional. Në thelb, politika ka dy zgjedhje: të ushqehet nga emocionet që ndezin konflikt, ose të ndërtojë kulturën e argumentit që mbron demokracinë. E ardhmja e rajonit do të përcaktohet nga kjo zgjedhje.
Új Ifjúság (1968) / “Për të ardhmen dëshiroj vetëm një gjë : paqe dhe qetësi.” — Intervista me Mbretëreshën Geraldinë në Madrid
Burimi : Új Ifjúság, 23 prill 1968, faqe n°9.

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Mars 2026
Gazeta hungareze “Új Ifjúság” ka botuar, me 23 prill 1968, në faqen n°9, intervistën ekskluzive të Mbretëreshës Geraldinë në Madrid me reporterin e gazetës gjermane “Neue Post”, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Dëshmia e gruas së Zogut

Në kohën e martesës së saj, në vitin 1938, Geraldina ishte një bukuri e spikatur. — Burimi : Új Ifjúság, 23 prill 1968, faqe n°9.
Epoka e mbretërve tashmë ka perënduar; ata po zhduken ngadalë në humnerën e historisë. Nganjëherë gazetarët i nxjerrin nga mërgimi i tyre, kur duan të shkruajnë diçka “që ende e intereson lexuesin”. Në një gazetë perëndimore hasëm intervistën e mëposhtme me një mbretëreshë të internuar me origjinë hungareze, Geraldinën, ish-mbretëreshën e Shqipërisë, e lindur kontesha Apponyi, e cila sot jeton në Spanjë.
Kush është kjo grua dhe si jeton ajo sot ? Le të kujtojmë pak ngjarjet historike. Shqipëria për më shumë se një mijë vjet ka qenë nën sundime të ndryshme. Pas luftërash të pafundme dhe të rënda, në vitin 1922 Ahmet Zogu, një udhëheqës me prejardhje nga një familje e vjetër shqiptare, arriti të marrë pushtetin në duart e tij. Fillimisht u vetëshpall (në fakt është zgjedhur) president i republikës, pastaj në shtator të vitit 1928 u kurorëzua si Mbret i Shqipërisë me emrin Zogu I. Ai sundoi për dhjetë vjet e gjysmë, derisa në pranverën e vitit 1939 italianët pushtuan Shqipërinë dhe Mbreti Zog, së bashku me bashkëshorten e tij, u detyrua të shkojë në mërgim.
Çfarë shkruajnë sot gazetat për këtë mbretëreshë në ekzil ?
- Ajo ka një pasuri tmerrësisht të madhe.
- Është e varfër si miu i kishës dhe mbahet nga fisnikët që jetojnë në mërgim.
- Në Los Gavillanes, pranë vilës së Fabiolës, mbretëreshës së Belgjikës, ndodhet vila e saj luksoze.
Në të vërtetë, Geraldina jeton në Madrid. Dhe reporteri e përshkruan kështu takimin e tij me të :
Adresa e saj nuk gjendet në librin e telefonit, por në postë, kundrejt disa qindra pesetash, megjithatë ma treguan. Kopshti përpara shtëpisë, e lyer me ngjyrë rozë, është mjaft i pa mirëmbajtur. Qepenat janë të ulura; duket se mbretëresha nuk e pëlqen diellin.

Geraldinën e rrethojnë copëra të çmuara mobiljesh antike që dëshmojnë për një shije të rafinuar në shtëpinë e saj në Madrid. Mbretëresha i pëlqen gjërat e holla dhe të thjeshta. — Burimi : Új Ifjúság, 23 prill 1968, faqe n°9.
— Çfarë të bëj, a të bie thjesht ziles ? Ndoshta është më mirë të telefonoj, mendova me vete.
U dëgjua një zë i thellë dhe i ngjirur i një gruaje.
U prezantova dhe pastaj pyeta nëse mund të flisja me Madhërinë e Saj, mbretëreshën.
Meqë nuk e kuptova në çfarë gjuhe foli zëri i mëparshëm, fola në anglisht dhe mora përgjigje po në anglisht :
— Këtu flet Mbretëresha e Shqipërisë.
— Uau ! Një mbretëreshë në linjë! Papritur nuk dija si të reagoja. Belbëzova diçka nga hutimi dhe pastaj i shpjegova se doja të flisja me të.
— Nuk më pëlqen të jap intervista — u përgjigj këtë herë në gjermanisht, por me një shqiptim të pastër hungarez. Nuk jam interesante. Dhe mbi të gjitha nuk më pëlqen të merrem me politikë.
— Ju siguroj se nuk do të flasim për politikë. Por do të doja të njihesha me një mbretëreshë.
— Dhe çfarë prisni nga kjo ? Mirë pra, nuk ka gjë, ju pres në orën pesë pasdite.
Vrapova shpejt në dyqanin më të afërt të luleve dhe zgjodha një tufë me lule pranverore. Vajza shitëse e luleve u habit shumë kur shkrova se lulet duhej të dërgoheshin në adresën e një mbretëreshe. Ndoshta mendoi se edhe unë isha mbret.
Mbretëresha Geraldinë është përshkruar në mënyra të ndryshme. Thuhej se ishte një grua me pamje të ashpër dhe me syze. Një zonjë e dëshpëruar, e keqe dhe grindavece. Por që kur fola me Geraldinën në telefon, nuk besoja se ajo ishte e tillë.
Kur i rashë ziles, derën e hapi një grua e re spanjolle dhe më çoi në një dhomë të thjeshtë, por të rregulluar me shumë shije. Nuk prita gjatë. U dëgjuan hapa gruaje që po afroheshin dhe Geraldina hyri brenda. Me shikimin e parë kuptova se ajo nuk i ngjante Liz Taylorit, por më tepër Lil Dagoverit. Por ajo kishte padyshim temperamentin e Marika Rökk. Manikyrin e thonjve e kishte saktësisht në të njëjtën nuancë me buzëkuqin e saj.
— Ju lutem, uluni zotëri. Çfarë do të pini, një vermut apo më mirë një sheri ?
Ajo nxori vetë gotat nga bufeja antike.
— Si duhet t’ju drejtohem ? Jam në siklet : “Lartmadhëria Juaj” apo “Lartmadhëria Juaj Mbretërore” ?
— A nuk mendoni se “Madame” është plotësisht e mjaftueshme ?
Pastaj ajo vuri re me kënaqësi se unë nuk pi duhan.
— Nëse më lejoni, Madame, do ta filloj me një pyetje paksa të guximshme. Si jetoni, nga çfarë jetoni dhe si e shihni të ardhmen ?
— Po bëni shumë pyetje. Do të përgjigjem shkurt. Për të ardhmen dëshiroj vetëm një gjë : paqe dhe qetësi. Gjithmonë kam frikë se po më ndjekin, se edhe nga këtu do të duhet të largohem përsëri.
Madame flet ngadalë ; më pëlqen që bën kaq shumë gabime në të folur.
— Do të doja të jetoj aq sa ta shoh Lekën, djalin tim, të martohet dhe të ketë shumë fëmijë të bukur. Shpresoj… — dhe Geraldina buzëqesh e lumtur.
— Pra dëshironi të bëheni gjyshe. Dhe mendoni se djali juaj mund të bëhet mbret dhe ju përsëri mbretëreshë një ditë ?
— Djali im është dy metra i gjatë. Sot është njëzet e tetë vjeç dhe pas vdekjes së të atit, në vitin 1961, në hollin e një hoteli në Paris, në prani të tridhjetë patriotëve shqiptarë të mërguar, ai mori simbolikisht fronin shqiptar. Ai e përforcoi këtë me një betim, duke premtuar se do të mbrojë integritetin territorial të Shqipërisë. Natyrisht, e di se e gjithë kjo ishte vetëm një skenë si në operetë. Shqipëria nuk do të jetë më kurrë një mbretëri dhe gjithmonë do të mbetet nën sundimin komunist. Por ne thamë se nuk do të bënim politikë ! — buzëqeshi me një buzëqeshje paksa dinake.
— Sa për mua, nuk mendoj kurrë të jem një mbretëreshë që sundon. Sepse, e dini — shtoi ajo me besim — është diçka tjetër të sundosh pranë një bashkëshorti mbretëror. Kur munda të ulesha pranë burrit tim, e pranova me mirënjohje që populli shqiptar më kishte dashur aq shumë mua, një konteshë hungareze. Por të sundosh ? Gjithmonë sundojnë burrat, sepse nëse gratë do të bashkoheshin, do të arrinin shumë në politikë. Ato madje mund ta shpëtonin edhe çështjen e paqes në botë.
Sipas revistës “Neue Post”
- Aurenc Bebja, Francë. (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/uj-ifjusag-1968-per-te-ardhmen-deshiroj-vetem-nje-gje-paqe-dhe-qetesi-intervista-me-mbretereshen-geraldine-ne-madrid/.
Mentor Llugaliu: Dal në mbrojtje të Vjosa Osmanit dhe i përkujtoj të gjitha shpifjet e Vetëvendosjes ndaj saj




