Kreu Blog Faqe 278

Manipulim i rrezikshëm…, kur lufta e UÇK-së paraqitet si islamike?!

0
Po bëhet një manipulim i rrezikshëm kur lufta e UÇK-së paraqitet si fetare. Serbia nuk i shkatërroi xhamitë sepse qenkan “identitet i shqiptarëve” apo sepse po luftonte islamin, por sepse po pastronte terrenin nga çdo gjë që nuk i duhej për kontroll dhe rindërtim sipas interesit të vet; po të kishte pasur pagoda, tempuj hindu apo çfarëdo objekti tjetër joserb, do t’i kishte rrëzuar njësoj, thjesht në Kosovë objektet fetare jortodokse ishin kryesisht xhami. Në të njëjtën kohë, Serbia ishte shumë e kujdesshme me imazhin ndërkombëtar dhe nuk donte të paraqitej para Evropës si shtet që shkatërron kisha të krishtera, sepse synonte ta shiste konfliktin si luftë kundër “rrezikut islamik” dhe jo si spastrimin etnik të një populli. Ironikisht, sot disa shqiptarë po e përsërisin pikërisht këtë narrativë serbe pa e menduar fare.
Nëse lufta do të ishte fetare, shqiptarët katolikë do të ishin kursyer, por realiteti është krejt i kundërt: masakra e Mejës, një nga krimet më të rënda të luftës, kishte kryesisht viktima nga familje katolike, gjë që e rrëzon përfundimisht tezën e “luftës kundër muslimanëve”. UÇK-ja nuk kishte program fetar, statut fetar, betim fetar apo simbolikë fetare; ajo ishte lëvizje çlirimtare kombëtare dhe nuk mbante as nuk njihte përkatësi fetare të pjesëtarëve të saj. Në terren u vranë, u dëbuan dhe u masakruan njësoj shqiptarë muslimanë, katolikë, ateistë dhe njerëz indiferentë ndaj fesë, ndërsa as NATO, as OKB dhe as organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut nuk e kanë përkufizuar kurrë këtë konflikt si fetar, por si spastrimin etnik dhe represionin shtetëror ndaj shqiptarëve.
Çdo përpjekje për ta kthyer luftën e UÇK-së në “luftë muslimane” nuk është as e vërtetë historikisht dhe as e ndershme moralisht; është zvogëlim i sakrificës kombëtare dhe riprodhim i propagandës serbe me gojën e shqiptarëve.

Økokrim nis hetim kundër Jagland

0

Oslo 13.11.2025. Torbjørn Jagland jep të enjten një ligjëratë gjatë një ngjarjeje në kishën Ullern. Në ligjëratë ai ndan përvojat e tij nga koha si kryeministër, ministër i jashtëm, president i Parlamentit, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës dhe anëtar i Komitetit të Nobelit. Foto: Thomas Fure / NTB

/ Document.no

Økokrim ka hapur hetim ndaj Thorbjørn Jagland bazuar në informacionet në dokumentet e Epstein, thotë shefi i Økokrim, Pål K. Lønseth.

– Ne mendojmë se ka arsye të arsyeshme për të hetuar, pasi ai qëndronte në pozitë si udhëheqës i Komitetit Nobel dhe Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës gjatë periudhës së përmendur në dokumentet e publikuara, thotë shefi i Økokrim, Pål K. Lønseth.

Jagland është ish-kryeministër, udhëheqës i Komitetit Norvegjez të Nobelit dhe Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës. Økokrim ka hapur hetim për dyshimet e korrupsionit të rëndë.

Çka dëshiron të hetojë Økokrim, është ndër të tjera, nëse janë marrë dhurata, udhëtime dhe hua në lidhje me pozicionin e tij.

– Duke qenë se Jagland ka imunitet si ish-udhëheqës i një organizate ndërkombëtare, Økokrim i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme të marrë iniciativën për heqjen e këtij imuniteti, shkruan Økokrim.

Tani, ministri i Jashtëm Espen Barth Eide gjithashtu propozon që imuniteti i Jagland të hiqet, dhe kështu rezultati duhet të konsiderohet i sigurt.

Është e paprecedentë që një ish-kryeministër të nënshtrohet hetimeve për korrupsion të rëndë.

Barth Eide thotë se do të kërkojë nga Këshilli i Europës heqjen e imunitetit të Jagland. Kjo është një poshtërim i madh për Jagland.

Økokrim åpner etterforskning mot Jagland

“Evladi-i-fatihan” për shqiptarët emigrant në Turqi, dhe minoritetet turke në Kosovë e Maqedoni

0

Nikollë Loka, historian, Tiranë

STANDARTET TURKE TË PARTNERITETIT- MINORITET TURK NË KOSOVË E MAQEDONI-DEKLARIM “EVLAD-I FATIHAN”(ME PREJARDHJE TURKE) PËR SHQIPTARËT EMIGRANTË NË TURQI

Përdorimi i termit evlad-ı fatihan(fëmijët e atdheut) për emigrantët shqiptarë në Turqi, mund të shihet si një manovër e shtetit turk për të realizuar asimilimin e shpejtë të ryre, duke i detyruar ata të identifikohen me një histori të caktuar kombëtare dhe fetare, që është kryesisht turke dhe myslimane.

Ky term, i lidhur ngushtë me trashëgiminë osmane dhe përvojën e pushtimit të Ballkanit, është përdorur si një mjet për të ligjëruar legjitimitetin e të ardhurve në një shoqëri të re, e cila ka në themel idenë e unitetit kombëtar turk.

Për emigrantët që përdorin këtë etiketë, është një akt konformizmi ndaj normave dhe vlerave të shtetit turk, kundër mundësisë për të ruajtur identitetin e tyre etnik, që i jepet më pak hapësirë në shoqërinë turke.

Evlad-ı fatihan(fëmijët e atdheut) mund të shikohet si mjet i fuqishëm për asimilimin e shpejtë të emigrantëve shqiptarë në shoqërinë turke, për të shmangur dallimet etnike dhe kulturore. Kjo është një manovër që i shërben shtetit turk për të krijuar një komb të unifikuar, ku çdo formë diversiteti shikohet si një kërcënim dhe pengesë për unitetin kombëtar turk.

Evlad-ı fatihan është një instrument i ksenofobisë shtetërore, që i detyron emigrantët të heqin dorë nga identitetet e tyre etnike dhe kombëtare për t’u bërë pjesë e një shoqërie që pranon vetëm identitetin dominues turk për ata që duan të jetojnë në Turqi.

Përdorimi i evlad-ı fatihan ngre një pyetje të rëndësishme për margjinalizimin e grupeve që nuk i përkasin kësaj etikete. Pse ata që janë jashtë kësaj etike konsiderohen më pak të “integruar”? Ky proces i ndarjes dhe etiketimit është gjithashtu një manovër për të krijuar një hierarki brenda emigrantëve: ata që përqafuan turqizmin dhe identitetin turk (përmes evlad-ı fatihan) si më të pranueshëm dhe që nuk e bëjnë këtë, si të papranueshëm.

Përdorimi i këtij termi gjithashtu injoron shumë herë identitetet kulturore dhe etnike të ndryshme që ekzistojnë brenda grupeve të emigrantëve, duke i zëvendësuar ato me një etikëtë të përgjithësuar që i shikon ata si “të turqizuar” dhe “myslimanë”.

Ky fenomen ka pasur një ndikim të thellë në procesin e asimitimit të emigrantëve shqiptarë, që shpesh janë të detyruar të provojnë se janë “mjaftueshëm turq” për të përfituar nga mundësitë që ofron shteti.

Duke përdorur termat si evlad-ı fatihan(fëmijët e atdheut), shteti turk kërkon të krijojë një lidhje të natyrshme dhe të pandashme me të kaluarën osmane, duke e bërë këtë një kërkesë për emigrantët që kërkojnë të përfshihen në shoqërinë turke.

Ky proces mund të shpërfaqet si një mënyrë për të shmangur diskriminimin dhe përjashtimin që emigrantët mund të përjetojnë, kur është edhe një akt i nënshtrimit të identitetit individual dhe grupor ndaj një diktati shtetëror që kërkon homogenizimin e shoqërisë.

Në përgjithësi, qëndrimi shtetëror turk ndaj pakicës shqiptare në Turqi mund të shihet si një politikë asimilimi që shpesh identitetin etnik të shqiptarëve. Ndërsa shteti turk mund të ketë bërë përpjekje për të integruar shqiptarët dhe pakicat e tjera, kjo ka ndodhur në kurriz të ruajtjes së identiteteve etnike të tyre.

“Kthema adresën”, Ardita Sinani: protesta e Medvegjës sot u bë simboli i zërit të çdo shqiptari

1
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka thënë se protesta nën moton “Kthema adresën” në Medvegjë ishte një zë i fuqishëm për barazi e drejtësi.

Me anë të një postimi në Facebook, ajo tha se Medvegja sot u bë simboli i zërit të çdo shqiptari që kërkon të drejtat e tij.

Sinani shtoi se përmes kësaj proteste kërkuan mbështetje ndërkombëtare për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie.

“Protesta e sotme “Kthema adresën” në Medvegjë ishte një zë i fuqishëm për barazi dhe drejtësi, një sfidë ndaj përpjekjeve për pasivizimin e adresave dhe për fshirjen e identitetit tonë kombëtar nga këto troje.

Medvegja sot u bë simboli i zërit të çdo shqiptari që kërkon të drejtat e tij. Me flamurin tonë kombëtar qëndruar krenar, kërkuam mbështetje ndërkombëtare për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie”, ka shkruar Ardita Sinani.

Marrë nga: medvegjasot.com

Si dështuan Rugova & Demaçi në momentet vendimtare për Kosovën, Veton Surroit i shkruan Adem Demaçit (6)

Nga: Ismet Hasani, Suedi
Si dështuan Rugova & Demaçi në momentet vendimtare për Kosovën?! (6)
Letër e hapur e Veton Surroit drejtuar Adem Demaçit (Pa ndërhyrje – IMH)

Nga Veton Surroi

Deshira për ta thënë se pari fjalën e fundit

1.Mbi shkaset për të shkruar

I nderuari Baca Adem,

Shkaset për këtë letër janë të shumta. I menjëhershmi është paraqitja jote mediale e këtyre ditëve,në këtë kohë që edhe ti e unë i identifikojmë si fillim të etapës së re të krizës politike në Kosovë.Brenda kësaj paraqitje,ke kerkuar nga unë,si njëri prej nënshkruesve të Marreveshjes së Rambouillet-se(Parisit) te distancohëm nga akti im i para tre vjetëve,meqe sipas teje kriza të cilën po e përjetojmë rrjedh mu nga ky nenshkrim.Se dyti, e rrjedhimisht, shkas për këtë letër është një borxh që kam ndaj teje,e që nuk kam mundur të ta sqaroj,ngase për tre vjet nuk kemi kontaktuar si para Clirimit.Para tre vjetësh, dhe me t’u kthyer nga Rambouillet-ja, pata deklaruar në pyetjen e gazetarëve lidhur me kundërshtimin tënd ndaj kësaj marrëveshje (e ti në atë kohë konsideroheshe përfaqësues politik i UCK-së), se ti je një prej dy milion njerëzve në Kosovë. Kam borxh, gjithashtu të të informoj se vetë kam kërkuar, po atë ditë, dhe ditët e mëvonshme, nga diplomatët amerikanë dhe britanikë, që të nderpritet kontakti me ty,për të të bindur rreth kësaj marrëveshjeje.Ky qendrim më vonë u bë i përgjithshem Perendimor dhe,me sa di unë, akullin e ka thyer vetëm pas luftës Daan Evertsi,shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, kur janë parë efektet evidente të Merrëveshjes së Rambouillet-së, shporrja e regjimit serb nga Kosova. (Me sa di unë, mu me insistimin e këtij diplomati holandez ti je emërtuar në krye të Bordit të RTK-së). Më kanë thënë se je ofenduar me të dy veprimet e mia dhe mund të kesh të drejtë. Qëllimi im ka qenë që të të merret prej dore e drejta të cilën e vetshpalle asokohe, që të flasesh në emër të UCK-së. Njëkohësisht ashtu si nuk mendoj se kam gabuar ne te dy këto veprime ashtu mendoj se fjalët që thua dhe veprimet që i bën janë konsekuente. Pra, shkasi i tretë është konsekuenca, e cila të ka karakterizuar gjithnjë e që të bën të mos i ndryshosh pikëpamjet në këto tre vjetët e fundit. Debati të cilit ti po i prinë tash është po ai kur kam zbritur në Aeroportin e Prishtinës duke u kthyer nga Rambouillet-ja, pra sërish po insiston se shqiptarët që e nënshkruan Marrëveshjen në fund do ta kthejnë Beogradin në Kosovë. Mëqë disa gjëra kanë mbetur të pasqaruara, shpresoj se më këtë letër do të mund t’i kontriboj që në kokën tënde dhe timen të përfundojë pranvera e vitit 1999.

2. Mbi vendin dhe kuvendin

Njëri prej mendimeve të cilin e ke shprehur ka tre vjet është se në Kështjellën e Rambouillet-së delegacioni i shqiptarëve të Kosovës ka hequr dorë nga pavarësia dhe e ka pranuar sovranitetin e Beogradit mbi Kosovën. Ky është një mit të cilin e ke artikuluar ti, por në një formë a tjetër, është treguar lehtësisht i kapshem në formë miti edhe për njërëzit tjerë publik. Madje, te ta them, më një rast gjatë negociatave, njeriu i cili këtu në Kosovë ka famën prej njeriut prej ekspertëve më të mëdhenj juridik, na dergoi një faks prej njëzet faqësh rekomandimesh se c’duhet bërë, dhe që në faqën e parë ishte kërkesa e tij që delegacioni i Kosovës të mos oranonte të bisedonte për asgjë pos pavarësisë. E për cka të bisedonim atëherë? Vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Beogradin në momentin kur Beogradi kishte 100 mijë ushtarë e policë në Kosovë? Koncepti i këtillë, do të befasohesh, nuk është vetëm i yti, apo i këtij akademiku, por është pjesë e një tradite politike të krijuar në Kosovë e cila karakterizohet me aktin e të shqiptuarit fjalën e fundit që në fillim.

    
Adem Demaçi
1 shtator 2002

Pra, që të thuhet se populli i Kosovës e do pavarësinë dhe nuk do të bisedojë për gjë tjetër. E të rrije derisa të përmbushet ky kusht. Sado që nuk do të të pelqejë ky krahasim, më duhet të them se përfaqësuesi më i mirë i kësaj tradite politike është Ibrahim Rugova. Edhe ai e kaloi një dhjetëvjetësh të tërë duke thënë se Kosova është shtet i pavarur, ndërsa e paralizoj tërë jetën shoqërore duke e pritur atë ditë. Po të mos ishte paraqitja e UCK-së, ne ende do ta prisnim atë ditë dhe ende do ta prisnim nën sundimin e Beogradit. Natyrisht, ky veprim merr përmasa mitike në popull. “Krisi pushkë filani”, thotë populli, kur i dëgjon këto fjalë. Por në politikë kjo funksionon ndryshe. Sa e sa herë na ka ndodhur edhe mua edhe ty që kemi folur për statusin dhe kemi shprehur pavarësinë si opcion të vetmin tonin dhe kemi ardhur në konstatimin se nuk ishte as vendi e as kuvendi. Këtë e ka parë edhe Ibrahim Rugova, jo vetëm në Perendim. kur shkuam në Beograd për t’u takuar me Millosheviqin në maj të vitit 1998, që në fillim të bisedës i tha se “opcioni ynë është pavarësia” dhe e mbylli gojën gjatë tërë kohës deri në momentin kur Millosheviqi ofroi nga një gotë uiski me c’rast Rugova tha: “Po, e pijmë nga një gotë”. Bashkëbiseduesi ynë, kur i dëgjoi fjalën e fundit të parën, buzëqeshi dhe kaloi në temë tjetër. Për të biseda për pavarësinë me një njeri i cili i priu stagnimit kishte efekt të njejtë si njohja e Republikës së Kosovës nga Domonioni i Malchidezekut.
V i j o n

Rasti i Elma Xhankoviqit nuk është folklor, Sanxhaku nuk po radikalizohet, po kujtohet

0

Sak Muji, Rugovë 

Rasti i Elma Xhankoviqit nuk është folklor.
Është sinjal politik dhe shoqëror.
*
Në Sanxhak po shfaqet një brez i ri
që nuk e pranon asimilimin e heshtur
dhe as mohimin e prejardhjes.
Të rinjtë po rikthehen te rrënjët familjare,
te trashëgimia e gjyshërve
dhe te identiteti shqiptar si fakt historik.
*
Fotografia e një gjyshi me lahutë
dhe veshje tradicionale shqiptare
është më e fortë se çdo deklaratë politike.
Ajo thotë qartë:
ne kemi qenë, jemi dhe do të mbetemi këtu.
*
Kjo nuk është kundër askujt.
Është për veten.
*
Feja është e drejtë personale.
Por identiteti kombëtar është çështje kolektive
dhe historike.
Ai nuk negociohet,
nuk fshihet
dhe nuk zëvendësohet.
*
Sanxhaku nuk po “radikalizohet”.
Sanxhaku po kujtohet.
*
Dhe një komb që kujtohet,
nuk zhduket.
Për Amina Nuraj dhe Elma Xhanka – dy drita shqiptare të Sanxhakut
Ka njerëz që lindin në një vend, por e mbajnë Atdheun brenda vetes.
Dhe ka gra që, pa zhurmë, bëhen shtyllë e një kujtese, e një gjuhe, e një shprese.
Amina Nuraj dhe Elma Xhanka – dy dama shqiptare të lindura në Sanxhakun Shqiptar – janë dëshmi se rrënja nuk thahet, edhe kur jeta të shpërndan larg. Ato i japin kuptim fjalës vetëdije: jo si slogan, por si veprim, si guxim, si përkushtim.
Respekt i veçantë për këtë vetëdijësim të rinisë me prejardhje shqiptare në vendin ku jeton. Ju lumtë, duke filluar nga Amina Nuraj e deri te të gjithë të tjerët që e ruajnë emrin shqiptar me dinjitet e e kthejnë në vepër.
Dhe kur Amina hap shkollën shqipe në Tregun e Ri / Novi Pazar, ajo nuk hap vetëm një derë mësimi — hap një portë të shpirtit kombëtar. Aty ku dikur heshtja ishte e detyruar, tani fjala shqipe bëhet dritë. Aty ku shumëkush u mësua të mbijetojë, Amina zgjedh të ndërtojë.
Shqiponja nuk është vetëm simbol në flamur; është shikim, është qëndrim, është krenari. Dhe kur e shohim këtë shikim te njerëzit tanë — sidomos te gratë që mbajnë barrën e kulturës pa u lodhur — ne kuptojmë se kombi jeton jo vetëm në histori, por në zemra që nuk dorëzohen.
Kjo është arsyeja pse emrat tuaj vlejnë: sepse i japin formë shpresës dhe e bëjnë prejardhjen një mision.
smuji’26

Dhimbja që bëhet dritë, romani Sad Nallbani i Sevëme Fetiqit për ata që jetuan historinë dhe për ata që nuk duhet ta harrojnë

0

Sak Muji, Rugovë

Në letërsinë shqiptare të kujtesës historike, ka vepra që nuk synojnë vetëm të tregojnë një histori, por të mbajnë gjallë ndërgjegjen e një populli.

Romani Sad Nallbani i shkrimtares Sevëme Fetiqi hyn pikërisht në këtë rrafsh: si rrëfim letrar, si dëshmi shpirtërore dhe si akt moral kundër harresës. Ky vlerësim synon ta lexojë veprën jo vetëm në planin artistik, por edhe në dimensionin e saj etik e kombëtar. Vlerësim letrar dhe emocional Sad Nallbani nuk është thjesht një narrativë e mbështetur mbi kujtime familjare; ai është një akt kujtese morale që e vendos letërsinë në shërbim të së vërtetës historike dhe të ndërgjegjes kombëtare.

Duke u mbështetur në rrëfimet për gjyshin e saj dhe në përvojën e trashëguar familjare, autorja ndërton një univers letrar që kapërcen kufijtë e historisë personale dhe bëhet pasqyrë e fatit kolektiv shqiptar. Pesha e romanit ndihet veçanërisht nga ata që e kanë jetuar historinë nga brenda.

Për mua, leximi i tij mori një dimension edhe më të thellë, sepse në faqet e librit shfaqet edhe shoku im i Pranverës Studentore të vitit 1981, Ali Lajçi — jo si figurë e zbukuruar, por si pjesë e gjallë e një brezi që e pagoi lirinë me burg, përndjekje dhe jetë të thyera.

Këtu qëndron forca më e madhe e veprës: romani nuk romantizon vuajtjen dhe nuk krijon mite të rreme. Personazhet paraqiten siç ishin — njerëz të zakonshëm të detyruar nga rrethanat të bëhen të jashtëzakonshëm.

Edhe pse emër letrar, Sad Nallbani shndërrohet në figurë morale kolektive: shqiptari që nuk kërkon lavdi, por mban në heshtje barrën e përgjegjësisë historike. Letërsia e këtij romani nuk synon rehati shpirtërore; ajo synon zgjimin. Ajo rikujton se historia nuk është vetëm varg datash, por jetë konkrete: familje të shkatërruara, nëna që presin, burra që heshtin dhe breza që rriten nën hijen e frikës.

Prandaj kjo vepër nuk lexohet si nostalgji, por si thirrje për përgjegjësi. Nga pikëpamja artistike, romani mbështetet mbi një gjuhë të thjeshtë, të drejtpërdrejtë dhe emocionalisht të ngarkuar, ku çdo fjali bart peshën e një përvoje të jetuar. Në planin kombëtar, ai bëhet kundërpeshë ndaj harresës dhe relativizimit të së kaluarës — rreziqe që kërcënojnë çdo shoqëri që synon dinjitet dhe shtetësi të qëndrueshme.

Përmbyllje

Sad Nallbani dëshmon se arti i vërtetë nuk është neutral. Ai mban anë: anën e njeriut, të së vërtetës dhe të lirisë. Vlera e kësaj vepre nuk qëndron vetëm në cilësitë e saj letrare, por në guximin për ta kthyer kujtesën historike në përgjegjësi morale. Një komb që nuk i njeh, nuk i shkruan dhe nuk i mbron historitë e njerëzve të vet, rrezikon t’i humbasë ato përsëri.

Epilog për autoren

Jeta dhe krijimtaria e Sevëme Fetiqit lidhen ngushtë me kujtesën, familjen dhe fatin historik shqiptar. Duke e shndërruar trashëgiminë shpirtërore të gjyshit në vepër letrare, ajo nuk shkruan vetëm për të kaluarën, por për të ardhmen e ndërgjegjes sonë kolektive.

Në këtë mënyrë, autorja vendoset në radhën e atyre zërave që e kuptojnë letërsinë si mision — jo thjesht si art i fjalës, por si përgjegjësi ndaj së vërtetës dhe njeriut.

Ky është kuptimi më i thellë i dritës që lind nga dhimbja: kur kujtesa bëhet shkrim, dhe shkrimi bëhet shpresë.

Sak Muji

Greqia mbyll 60 xhami të paligjshme në Athinë dhe dëbon imamet

1

Miinistri i migracionit Athanasios «Thanos» Plevris. Foto: © European Union, 1998–2026

Arnt Jensvoll / Document.no

Gjatë një dëgjimi në komitetin për administratën publike të parlamentit grek, ministri i Migracionit, Thanos Plevris, shpalli një aksion për të identifikuar dhe mbyllur të gjitha xhamitë e paligjshme në Athinë.

Njoftimi erdhi pas një rasti konkret në të cilin një banor i Bangladeshit iu revokua leja e qëndrimit dhe iu dha urdhër dëbimi sepse ai drejtonte një xhami të paligjshme në zonën Agios Nikolaos në Athinë.

– Xhamitë do të vulosen dhe të përfshirët do të dëbohen
– Ajo që ndodhi në Agios Nikolaos, sipas Plevris, – do të ndodhë kudo. Të gjitha vendet e paligjshme të adhurimit të Allahut do të vulosen dhe dokumentet ligjore të atyre që i drejtojnë do të revokohen paralelisht. Në bashkëpunim me ministritë përkatëse, xhamitë e paligjshme do të vulosen dhe të përfshirët do të dëbohen. Ata që nuk respektojnë ligjin grek, do të dëbohen automatikisht.

Neni 28 i ligjit 5224/2025 i jep autoriteteve greke mundësinë për të revokuar lejet e qëndrimit për drejtimin e vendeve të paligjshme fetare.
Athina ka një xhami të miratuar zyrtarisht që operon normalisht, ndërsa ka rreth 60 të paligjshme, shumica e të cilave drejtohen nga emigrantë nga Bangladeshi dhe Pakistani. Ata që shkelin ligjin, do t’u tërhiqet leja e qëndrimit.

Qeveria e Kyriakos Mitsotakis, përmes ministrit të migracionit Plevris, ka pezulluar trajtimin e kërkesave për azil për ata që vijnë përmes rrugëve të caktuara, ka futur shirit të kyçit për kandidatët për deportim dhe ka procedura kthimi më të shpejta.

Plevris më parë e ka quajtur migracionin një «pushtim» dhe ka shtyrë për rregulla më të ashpra të BE-së.

Hellas stenger 60 ulovlige moskeer i Athen og deporterer imamene

Klithmë , vargje proteste të Arif Ejupit

0

KLITHMË
(Vargje proteste ndaj lojës së pafund me votuesit)

Partiakë e kuvendarë,
mos u qofshim falë,
nga zgjedhjet në zgjedhje
na çuat —
për ne fare s’menduat.

Na iku moti
kot së koti,
u dënoftë Zoti!

Do vijë dita
që Donald Trump
t’ju kapë për veshi
e t’ju tubojë si macet
rreth përsheshit.

Gjithmonë në emër të popullit
u thirrët,
por vullnetin e tij
kurrë s’e përfillët.

Vetëm për xhepat tuaj
punuat,
ju bindët e u bindeni
atyre që japin
lekun
e me mito u marrin
tenderin.

Deri kur
do t’ua shohë populli
sherrin?

Me ju gjatë
do të lëngojë demokracia —
mbajeni mend:

as celulë
s’do t’ju mbetet
partia.

ARIF EJUPI
Gjenevë, 6 shkurt 2026

Shqipëria, zemra e tij , poezi e ish komandantit Arbër Shabanaj për luftëtarin e lirisë kombëtare Astrit Sulin

2

Hyrje përkujtimore

Kjo poezi është shkruar nga dora dhe zemra e një dëshmitari – një komandanti dhe bashkëluftëtari. Ajo është një kujtim i gjallë dhe një nderim i përjetshëm për Astrit Sulin, një burrë, i cili nuk kërkoi lavdi, por fitoi përjetësinë me gjakun e tij.

Astriti nuk është më vetëm një emër. Ai është zë në erën e lirisë, flamur në gjoksin e atdheut dhe gur themeli në historinë e Shqipërisë, të cilën e deshi deri në frymën e fundit.

✍️ SHQIPËRIA, ZEMRA E TIJ

Poezi përkujtimore për Astrit Sulin

Luftëtarit dhe shokut tim, Astrit Sulit,

i cili flijoi jetën për lirinë e Kosovës

***

Aty, në luftë, ku zjarri s’ndalej as natë, as ditë,

ku fjala “jetë” peshonte sa një britmë e mpitë,

ku flinim në tokë, me pushkën mbi gjoks si mburojë,

ti re për liri – për tokën që sot s’njeh robëri e plojë.

 

Ti ishe ai që më priste me buzëqeshje në ag,

në Burrel, kur stërvitjet nisnin e toka ngrinte si plag’.

Ai që Kadarenë e mbante në mendje si himn,

me sytë si poezi që s’njohin asnjë gabim.

 

Mos ishe vallë poet që s’kishte shkruar asnjë varg,

por që në heshtje fliste më shumë se çdo fjalë me zë të larg?

Në netët me shi e frymë baruti,

kur s’dallohej shpresa nga plumbi, as nata nga druri …

 

E megjithatë, ti ishe dritë në atë errësirë,

luftës i qeshje – jo nga guximi, por nga një brengë e mirë.

Dhe kur ti re për liri, me sytë nga qielli i lartë,

zemra jote s’u gjet – veç një shqiponjë me kraharor të artë.

 

Nga shoku yt, që s’pati fjalë për lamtumirë,

nga komandanti Arbër, me plagë e me kujtim të dëlirë.

Sot emri yt valon i gjallë, si flamur,

në zemrën e Shqipërisë – tokë pa pranga, pa mur.

📜 Autori

Arbër Shabanaj

Ish-Komandant dhe bashkëluftëtar i Astrit Sulit

Në kujtim të përjetshëm të një trimi, i cili nuk e njohu frikën,

dhe në nderim të të gjithë atyre, të cilët u bënë gurë në themelet e lirisë.