




(Reagim përkitazi me shkrimin e “profesor” Milazim Krasniqit publikuar në internet, me titullin ROLI I VEPRIMTARËVE ISLAMË NË KAUZËN KOMBËTARE, Marrë nga fjala e tij mbajtur më 13 tetor 2005, në Pallatin e Kulturës në Tetovë, organizuar nga Forumi Rinor Islam dhe Myftinia e BI-së të Tetovës)
Duke e lexuar këtë shkrim përshtypja e parë që të krijohet është se Milazim Krasniqi është një antikombëtar, akrobat, sepse, në të njëjtën kohë, di të anojë herë në një krah e herë në krahun tjetër. Por kryesorja është se ky vdes për fe. Ky vdes për Perandorinë Osmane.
Kështu, krejt rastësisht, duke hulumtuar në internet më ra në sy ky shkrim i gjatë i “prof.” Krasniqit. U bëra kureshtar dhe e lexova me një frymë. Të them të drejtën titulli më ngacmoj të mësoj se kush qenkan këta “veprimtarë islamë” që paskan kontribuar në kauzën kombëtare?
Lexo e lexo hiç. Dhe shkrimi filloi të më dilte, mu si dredhëza e Nasradinit. E dini punën e dredhëzës Nastradinit, që në pamje dukej e madhe, po në realitet doli krejt e vogël. Kështu edhe “profesori” në fillim ishte marrë krejt me çështje të tjera, e tek shumë më vonë doli “dredhëza”. Fillimi i përkiste historisë se kur paskan ardhur osmanët në Ballkan, kë e kishin gjetur aty dhe se si shqiptarët kishin kaluar në fenë islame! Dhe tani në rolin e një hulumtuesi shkencor thotë: ”Sipas rezultateve të padiskutueshme të historianëve…një pjesë e tyre shqiptarë (po emra nuk ka) por edhe atyre evropianë, të cilët edhe janë korrekt (nga kjo nënkuptohet se historianët evropianë qenkan korrekt !, kurse këta shqiptarë e di Milazimi) dihet qartë se viset shqiptare, veçanërisht Kosova, Maqedonia kanë qenë nën juridiksionin e Mbretërisë serbe” . Dhe vazhdon.
Në shekullin XIV në Kosovë thotë “profesori” kishte një numër të vogël shqiptarësh, sepse pjesa më e madhe ishin bërë (asimiluar) serbë. Ai, kur e përmend këtë mbështetet në librin e Noel Malcolmit “Kosova – një histori e shkurtër”. Por unë e kam lexuar këtë libër dhe në asnjë vend nuk thuhet se në shekullin e XIV në Kosovë kishte një numër të vogël shqiptarësh. Nuk di nga i paska marrë autori këto “të dhëna”? Në regjistrat e defterëve turk të kësaj kohe përmenden se Kosova kishte 250 mijë deri në 400 mijë banorë, po se a ka pasur ma shumë serbë a shqiptarë nuk thuhet.
Nga historiografia shqiptare dihet se në Luftën e Kosovës, që u zhvillua më 20 qershor të vitit 1389, ka marrë pjesë Perandoria Osmane në një anë dhe në anën tjetër koalicioni Ballkanik, që, përveç Serbisë, me në krye Car Llazarin, kanë marrë pjesë edhe boshnjakët të udhëhequr nga Vlatko Vukoviqi. Nga shqiptarët kanë marrë pjesë Balshajt dhe Muzakajt. Millosh Kopiliqi, i cili e vrau sulltan Muratin (që serbët ia ndërruan mbiemrin në Obiliqi) historia e thotë se ishte shqiptar. Vetëm Milazim “profesori” thotë ndryshe. Ai thotë: “Ata që kanë luftuar, siç është Millosh Obiliqi e disa të tjerë, për të cilët thuhet(!) se kanë pasur prejardhje shqiptare, në fakt kanë qenë pjesë integrale e ushtrisë serbe…” Pra ai thotë se Millosh Kopiliqi është serb! Çka të thuhet tjetër për këtë “historian”?
Tashi vjen margaritari tjetër i Milazimit! Lexojeni me kujdes ju lutem! “ Gjendja e shqiptarëve ka qenë e tillë, prandaj ardhja e osmanëve në Kosovë dhe në viset shqiptare, nuk ka nënkuptuar robërimin e shqiptarëve, por zëvendësimin e një robërie shfarosëse !?(fjalën e ka për mbretërinë serbe)) me një sundim që ka qenë shumë i butë !?(me Perandorinë Osmane), dhe me një Perandori që ka sjellë mesazhin hyjnor të islamit, i cili ka qenë shpëtimtar jo vetëm për shqiptarët, por edhe për botën(!?), sepse islami është thirrja e fundit, thirrja më universale dhe thirrja më komplete, që është dërguar nga Mëshiruesi si mëshirë dhe si shpëtim për mbarë njerëzimin”! Po ta kishte thënë kështu ndonjë injorant, pra pa shkollë dhe pa edukim të lartë edhe do të mund të justifikohej disi, por ta thotë një “intelektual” , një “profesor universiteti” kjo nuk kapërdihet.
Po more “profesor” a nuk je në dijeni se çfarë masakra ka bërë edhe Perandoria mbi shqiptarët bre? Kujtoji pak sa gjak shqiptari është derdhur nga sundimtarët “të butë” për t’i shtruar ata. Kujtoji luftërat më të përgjakshme që i ka bërë mu kjo Perandori kundër shqiptarëve.

Masakra e Manastirit e datës 9 gusht 1830, pushteti osman vrau afër 1000 dhe arrestoi 400-500 shqiptarë në Manastir. Dhe vari shumë të tjerë. Këta të vrarë dhe të arrestuar nuk ishin njerëz të thjesht, ishin elita e kohës nga mbarë Toskëria
Nëse Perandoria Otomane paska qenë “e butë” dhe shqiptarët e paskan pranuar me “dëshirë” sundimin e saj, si u bë që kjo Perandori të gjithë popujve që i pat nën pushtim e vet (si serbëve, bullgarëve, grekëve) tua njeh edhe pavarësinë, e shqiptarëve nuk u dha as edhe një shkollë. Ky qenka “sundim i butë”. Mos paskan ardhur otomanët për t’i poshtuar viset tona me lule në duar apo ma shpata e topa e gjyle e zjarr? Më trego! Mos fol dokrra!
Po shqiptarët nuk e duruan asnjë regjim të huaj. Gjithnjë kanë luftuar kundër secilit pushtues, pra edhe kundër Perandorisë. Duke e parë shqiptarët se nuk do të kishin ndihmë nga askush, më vitin 1878, ata u mobilizuan ta zgjidhnin fatin me forcat e veta. Kjo ndodhi pikërisht para se të mbahej Kongresi i Berlinit, kur u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Porta, le që nuk i përkrahu kërkesat e shqiptarëve, përkundrazi ajo “e buta”, pas dy vjetësh e shoi Lidhjen me dhunë.
Milazim “profesori”, më tutje shprehet: “Në shekujt XVII dhe XVIII kemi një lulëzim të kulturës islame brenda trojeve shqiptare dhe pikërisht këtu fillon edhe periudha e veprimtarëve islamë (kush janë?), të cilët filluan të krijojnë edhe vlera artistike, politike si dhe vlera kombëtare, brenda komunitetit shqiptar( ?), të cilat , siç do të shohim , kanë qenë vendimtare për krijimin e identitetit shqiptar, për krijimin e projektit për kombin shqiptar dhe për krijimin e shtetit shqiptar”. Ja kjo është fjalia e “profesor” Milazimit. Kjo fjali po të ishte shkruar nga një nxënës i shkollës mesme, ndoshta do të justifikohej disi, po të shkruhej nga ai që rreh gjoks se “është ekspert i letërsisë” , se është akademik është e pa kuptueshme.
Po ai nuk e lë me kaq. Milazimi duke e futur në funksion fantazinë e tij shumë të frytshme, nis tash të shpik falsifikatorët e tij (as për këta nuk ka asnjë emër as mbiemër, por sipas tij ata janë rreth tij!) dhe thotë: “Por, falsifikatorët kanë arritur që edhe këto gjëra t’i fshehin, t’i minimizojnë dhe t’i injorojnë, siç ka ndodhur për një periudhë shumë të gjatë”
Nostalgjinë për Perandorinë Otomane Milazimi e shpreh kështu: “Në shekullin e XVII-të (duhet: shekulli XVII) në një pjesë të Shqipërisë kemi lulëzim të madh ekonomik në qytetet shqiptare dhe ky lulëzim ekonomik ishte bërë falë ekspansionit ( duhet: zgjerimit), e cila fitonte vazhdimisht territore, fitonte vazhdimisht prona dhe ishte në gjendje që t’u krijonte shtetasve të vet mirëqenie ekonomike “( Por jo edhe shqiptarëve për të drejtën e shkollimit në gjuhën e tyre!?). Qe se si lumturohet Milazimi për Perandorinë, e cila elementin themelor të emancipimit, pra të shkollimit të gjuhën shqipe e ndalonte. Po kjo qasje për një “intelektual” të shitur te turku është gjë normale. Pastaj “profa” i përmend Beratin, i cili, sipas tij, në këtë kohë kishte “më shumë se 30 medrese, dhjetëra xhami- mesxhide, shkolla letrare” dhe s’ka faj që i mbetet merak se “ato shkolla nuk i kemi as sot aq tamam”, përfundon ai! Pra sipas “profes” ato shkolla paskan qenë më të mira se këto të sotme!
Milazimi në vazhdim shkruan për Elbasanin si qendër kulturore, dhe shton: “ Elbasani në këtë kohë quhej “qytet i poezisë” dhe ku kishte shkolla letrare, debate letrare(!), ku zhvillohej poezia shqipe, kultura shqipe në gjuhë shqipe, por që shkruhej me alfabet arab”.por ankohet se: “Tash falsifikatorët e historisë shqiptare duan që krejt këto t’i fshehin vetëm për një arsye: për faktin se ato janë shkruar me alfabet arab”.
Për Milazimin, kam përshtypjen, se edhe sot ai është gati ta ndërroi alfabetin që e kemi, pra alfabetin latin, me alfabetin arab! Po si mund të pajtohet ore që gjuha shqipe të shkruhet me alfabet arab? Është absurde të mendohet se gjuha shqipe do të mund të shkruhej me alfabet arab “profë”! Paj “profë” hurmat e shkretëtirës nuk bëhen kurrë në tokën shqiptare! E pse bejtexhinjtë , në atë kohë, kanë shkruar me këtë alfabet, e kanë bërë prej zorit “profë”! Po lëri kulturat dhe alfabetet arabe në vendin e vet! Bejtexhinjtë si Nezim Frakulla, Hasan Zuko Kamberi, Muhamet Kyçyku e ndonjë tjetër kanë shkruar me alfabetin të cilin e kanë pasur në dispozicion.
Mashtrimi i radhës dhe demagogjia e “profës” është kur i përmend Rilindasit edhe atë nën sintagmën VEPRIMTARËT ISLAMË. Ata që i kategorizon si “islamë”, nuk janë islamë. Ata janë shqiptar, pavarësisht se çfarë pushtuesi kanë pasur. Tjetër është substanca tjetër është forma. Tjetër është kombi tjetër është feja, apo jo? Duhet ta kuptosh se e vetmja fe perandorake është feja islame që nuk është reformuar kurrë. Ka mbetur ajo e para 16 shekujve, kur themeluesit e saj kanë jetuar nëpër shpella. Fetë e tjera abrahamike jahudizmi, ortodoksizmi, katolicizmi janë reformuar para pesë shekujve. Kjo ndodhi më vitin 1517 nga Martin Luteri. Ti si “profesor” duhet ta dish këtë. Kjo reformë bëri kthesë të madhe tek të gjitha religjionet. Pa i llogaritur ceremonitë fetare, secili popull kishte të drejtë të falej(të lutej) në gjuhën e vet amtare. Pse feja islame nuk u reformua? Apo, ndoshta se “fjalët e zotit” nuk po u përkthyekan!
Nostalgjia për Perandorinë Osmane i kthehet prapë Milazimit. Atij i vjen keq që Perandorisë i kishte hasur sharra në gozhdë kur më vitin 1683 e kishte rrethuar Vienën, e që nuk arriti ta pushtonte!. Prej asaj kohe filloi kriza e osmanëve! Po tani, Milazimi, si magjistar, apo si evlia që është, me një abrakadabra e gjen shkaktarin dhe thotë: ”Në atë kohë sulltan Sulejmani, një ndër sulltanët më të mëdhenj, ishte një njeri që mbi dashurinë ndaj islamit, kishte dashurinë ndaj një gruaje ruse, e cila ishte në haremin e tij dhe e cila me mbrapshtitë e saj kishte arritur ta bindte sulltanin që ta vriste djalin dhe gruan e vet (duhet gruan e tij) legjitime bashkë me kryeministrin. Prandaj ndëshkimi prej zotit (pse e paska vra djalin dhe gruan e tij, si dhe kryeministrin, nuk i paska shkuar mirë përhapja e islamit!) vjen atëherë kur bëhen padrejtësi dhe punë të mbrapshta. Kështu që edhe disfata e Vjenës është një farë fature për devijimin që kishin filluar të bënin sulltanët në bazë të qejfeve të tyre dhe kënaqësive tokësore, në dëm të islamit.” E shihni pra Milazimi nuk është vetëm “profesor” por edhe evlia!
Po Milazimi vazhdon e nuk ndalet, se, siç u pa, i pëlqen shumë Perandoria. Bile kur flet për pashallëqet e mëdha të Shkodrës dhe të Janinës, përdor fjali shumë interesante, që veç Milazimi di kështu: “Ndërtimi (duhet: krijimi, formimi) i këtyre pashallëqeve filloi të krijonte njëfarë administrate lokale, dhe filloi (këtu nuk dihet vënë presje) të ndërtonte disa interesa (interesat nuk ndërtohen) lokale që lidhen me fatet e njerëzve në lokalitetet në të cilat jetonin. Kështu që nga disa pikëpamje (nga pikëpamjet nuk ndërtohet asgjë s.I.) brenda këtyre pashallëqeve filloi të ndërtohej – një strukturë e veprimtarëve dhe dijetarëve islamë që punonin për administratën dhe për ndërtimin e një identiteti (identiteti nuk ndërtohet por formohet). Çka mund të thuhet për fjalitë e përdorura? Ky nivel i shkrimit për një “profesor” të universitetit është turp.
Rilindasit shqiptarë NaimFrashëri, Sami Frashëri, Ismail Qemali, Hoxha Tasini etj. ndikuan shumë në nxitjen e ndjenjës kombëtare dhe patriotike të shqiptarëve. Por Milazim “profesori” të gjithë këta shkrimtarë, poetë, diplomatë që po punonin për çështjen shqiptare nuk i quan “shqiptarë”, por “myslimanë”. Dhe ja fjalia e tij: “…Falë organizimit të këtyre myslimanëve u arrit që të ruhej një ide kombëtare dhe të ndërkombëtarizohej çështja shqiptare” (Jo të këtyre myslimanëve, për të këtyre shqiptarëve zotëri S.I.)!

Sulltan Mehmeti Fatihu që e pati bërë rrafsh me tokë Shkodrën dhe një varg qytetesh shqiptare në kohën e pushtimeve të tij. Në vend të popullatës vendëse të Shkodrës, ai e kishte kolonizuar qytetin me familje myslimane nga mbarë Perandroria Osmane. Këto metoda “paqësore” të luftës mizore për përhapjen e islamit, nuk i bëjnë fare përshtypje islamisit Milazim Krasniqi.
Milazimi si fundamentalist fetar përpiqet të shitet si patriot. Fundamentalizmi dhe hipokrizia e tij duket qartë në një konstatim si ky: “Pa dyshim se në lëvizjen nacionale kanë dhënë kontributet e veta edhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera, katolikët dhe ortodoksët”. Ky i shesh, si shqiptarët e besimit katolik, po ashtu edhe ata ortodoks, si komunitete, sikur të ishin këta të ndonjë përkatësie tjetër kombëtare e jo si shqiptar! Ç’është puna jote kështu pse ke urrejtje për shqiptarët e besimit katolik dhe të atij ortodoks? Ata janë vëllezërit tanë Milazim.
“…Por ne jemi të pa kënaqur- vazhdon ai- me faktin se kontributet e tyre (fjala është për shqiptarët katolikë dhe ata ortodoksë!) zmadhohen dhe ekzagjerohet, ndërsa kontributet që kanë dhënë myslimanët ( shqiptarët e besimit mysliman) minimizohen, injorohen dhe shumë herë edhe fshihen. Prandaj kjo nuk i kontribuon as harmonisë kombëtare”
Kur flet “profa” për intervenimin e NATO-s në Kosovë thotë: “Por vetë fakti i intervenimit ndërkombëtar në Kosovë, në vitin 1999 tregon se kjo Evropë e ka ndier nevojën që të ndihmojë një popullsi shqiptare, e cila është myslimane me shumicë absolute…”
Jo nuk është ashtu Milazim! Ku e di ti se shumica e shqiptarëve të skosovës janë myslimanë? Nga e more vesh ti këtë, apo në bazë të çfarë regjistrimi po flet? Nuk janë shumica e shqiptarëve në Kosovë myslimane. Pse e them këtë është se kurrë nuk është bërë regjistrimi i popullsisë, që përfshin edhe përkatësinë fetare. Kur të bëhet regjistrimi duhet të pyetet secili banor i Kosovës edhe se çfarë religjioni ose feje ka, e vetëm atëherë del pasqyra e saktë, jo kështu me shabllon. Unë për vete nuk jam mysliman dhe, po të bëhej sot regjistrimi i popullsisë së Kosovës jam i bindur që kështu si unë do të deklarohen edhe nja 60 për qind të tjerë, duke të përjashtuar ty!
Kur flet për shkollat tona thotë: “Me të vërtetë njeriu dëshpërohet për shkallën e madhe të falsifikimeve që janë bërë në këto programe shkollore. Për shembull në librat e lekturave shkollore, që u jepen fëmijëve tanë…mësohen “Meshari” i Gjon Buzukut, “Çeta e profetëve” e Pjetër Bogdanit, ose “Gjella e Shën-Mërisë së Virgjër”, e Jul Varibobës. Unë jam specialist i letërsisë, jam filolog, dhe mund të garantoj, duke e ftuar madje edhe në polemikë publike cilindo që mendon se nuk është ashtu siç po them unë, se “Meshari” i Gjon Buzukut nuk është vepër letrare dhe nuk ka lidhje me letërsinë. Ajo është shkruar si letërsi, por është vepër fetare dhe në të vërtetë, nuk është vepër origjinale, por vepër e përkthyer” . Ndërsa fëmijët tanë i konsumojnë veprat e tilla si letërsi, dhe përmes tyre, në fakt, u injektohen dy gjëra: çoroditja e identitetit, sepse fëmija në klasën e tetë ose të nëntë , mëson për kristianizmin(!), atij i çoroditet identiteti, meqë është në fazën e formimit. E njëjta gjë bëhet edhe me veprat e tjera që janë letrare, por që janë krejtësisht me kristiane, ( po ti the pak më lart se “Meshari” nuk është vepër letrare! Ç’u bë tash?) siç është për shembull “Juda Makabe” e Gjergj Fishtës. Unë e kam lexuar me kënaqësi,(tani “profesori është më tolerant) sepse jam specialist i letërsisë, por ai nuk është libër për ta lexuar nxënësi në klasën e nëntë, ose në klasën e dytë të shkollës së mesme, sepse nxënësi nuk di të dallojë vlerën estetike prej vlerës religjioze në letërsi”
Po ti “ Profë” i çove në qiell veprat e Bjtexhijve dhe të Rilindasve. Edhe ata kanë shkruar vepra dhe poezi me përmbajtje fetare. Ja disa: Nazim Frakulla “Divani” poezi me përmbajt fetare dhe filozofike, Hasan Zuko Kamberi , poezi fetare e satirike, Muhamet Kyçyku, Erveheja – poemë me temë fetare morale, Sulejman Naibi, Poezi fetare dhe didaktike, Naim Frashëri , Qerbelaja, vepër fetare islame, Fletore e bektashinjve, filozofi dhe besim bektashi, Shahin Kolonja etj.
Kjo që po thua ti është punë me dy standarde! Në njërën anë edhe pse kanë përmbajtje fetare thua se janë të mira (Bejtexhinjgte dhe Rilindasit që i përmenda më lart, e që i ke përmendur edhe ti), kurse në anën tjetër thua se nuk bën të lexohen ato letërsi se janë fetare (Buzuku, Budi, Matgrënga etj) sepse fëmijëve po iu “çoroditka” identiteti! Hajde Milazim, hajde!
Të them se me këto çka lexova nga ti jam shumë i habitur! Të shkruhet me këtë urrejtje për krishterimin nuk më ka bë vaki të njoh njeri tjetër, aq më keq për një njeri që e mban vetën për intelektual profesor universiteti madje edhe “akademik”.
Po ti Milazim duhet ta dish historinë tënde bre? E di sigurisht që 5-6 gjenerata më herët krejt baballarët tanë gjyshër dhe stërgjyshër kanë qenë të krishterë. Të krishterë kanë qenë edhe ata gjyshërit e tu! E çfarë do të thuash tash?
Dhe, në fund, qershia mbi tortë e Milazimit është kjo:” Unë po përmend në fund edhe një thënie të Omerit… Ai ka thënë se islami na ngriti në lartësi, jashtë islamit jemi asgjë”. Unë them se islami na ka ndarë prej botës moderne. Islami është religjioni më i prapambetur. Për ditë në botë ekstremizmi islam është në lajmet e para të mediave evropiane e botërore. Në emër të zotit dalin dhe bëjnë masakra. Pra as Omeri, as ti nuk e keni mirë. Omeri sigurisht ka shkuar në atë botë, por ti ke mbetur në këtë planet veç për të zeza!
Megjithatë ke edhe pak kohë të reflektosh dhe të mendosh ndryshe për islamin.
Deri tani besoj se t’i kam thënë krejt çka kam pasur t’i them. Edhe një fjali më duhet ta kontestoj “profë”. Ti the se popujt janë produkt i zotit, kurse unë dua ta ndërroj pak këtë fjali: Zoti është produkt i popujve! Pra njeriu e krijoi zotin, e jo zoti njeriun!

Gjergj Kastrioti, luftëtari i madh që i udhëheqi luftërat kundër pushtimit të Perandorisë Osmane, luftëra që kishin si kryeqëllim përhapjen e islamit me dhunë.
Fig. 1- Protestat e serëve në vitin 2001 në Shtudgard
Qazim Namani , Prishtinë, Dr. Arkeologji-Trashëgimi Kulturore
Pas luftës së viteve 1998-1999, filloi krijimi i institucioneve në Kosovë. Në administratën e përkohshme të UNMIK-ut u themelua Departamenti i Kulturës, i cili veproi deri në vitin 2002, kur dhe u themelua Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Administrata e UNMIK-ut filloi punën në këtë fushë me shumë probleme si pasojë e monumenteve të shkatërruara gjatë luftës dhe mungesës së dokumenteve dhe dosjeve të monumenteve, por situata në fushën e trashëgimisë kulturore u përcoll me probleme të njëjta edhe pas themelimit të MKRS-së[1].
Në prill të vitit 2001, u hartuan disa udhëzime administrative për Arkiva dhe Institucione për Mbrojtjen e Monumenteve. Bazuar në “Rregulloren 2000/45 mbi Vetëqeverisjen e Komunave në Kosovë” dhe duke marrë parasysh që në komuna nuk kishte ekspertë për punë arkivore dhe mbrojtje të monumenteve të kulturës, u kërkua konsolidimi me ish Enteve Komunale për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, të cilat do të zhvillonin aktivitete nën autoritetin qendror. Në këtë kohë, Zëvendësi i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe përgjegjës për Administratë Civile, Tom Koenings, merr vendim administrativ që Institucionet Regjionale të Trashëgimisë Kulturore të shndërrohen në Institute.
Politizimi i Trashëgimisë Kulturore
Prej vitit 1999, Serbia më qëllim të politizimit të trashëgimisë kulturore, i kishte filluar protestat e shumta ne qytetet e Serbisë, por edhe në diasporë për mbrojtjen e interesave të popullatës serbe dhe kishave ortodokse në Kosovë. Protestat e serbëve organizoheshin nga Qeveria e Serbisë, Kisha Ortodokse Serbe dhe Akademia e Shkencave të Serbisë.

2- Protesta në vitin 2004 në Shtudgard
Përveç protestave, serbët kishin përgatitur edhe shumë material propagandues, ku përmes publikimeve të librave, revistave dhe raporteve shpërndanin edhe shumë harta dhe dokumente tjera te stafi ndërkombëtar në Kosovë dhe në shtetet perëndimore.

Fig. 3 dhe 4- Hartë, paraqitja e popullatës serbe në Kosovë në vitin 1999, dhe popullata serbe në vitin 2002.
Qendrën Koordinuese të Republikës së Serbisë dhe Malit të Zi për Kosovë e Metohi – Pas raporteve të hartuara në Beograd gjatë vitit 2002 dhe 2003, Serbia themelon në Graçanicë “Qendrën Koordinuese të Republikës së Serbisë dhe Malit të Zi për Kosovë e Metohi”, me qëllim të mbrojtjes së interesave të popullatës serbe dhe kishave e manastireve ortodokse në Kosovë.
Në bazë të dokumentit nr. 06-5363/2003 të datës 25.08.2003 të lëshuar nga “Qendra Koordinuese e Republikës së Serbisë dhe Malit të Zi për Kosovë e Metohi”, në Graçanicë dhe të nënshkruar nga kryetari i saj, Nebojsha Ćović, drejtuar Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Harry Halkery, mes tjerash, kërkohet: “që nënkryetari i Qendrës për Koordinim, prof. Branisllav Krstiq dhe Mr. Jovan Qirilov, Kryesues i Komitetit të UNESKO-së të kësaj qendre të vizitojnë Prishtinën në fillim të shtatorit 2003, për të filluar bashkëpunimin”. Nebojsha Çović në përfundim të letrës shkruante: “e shfrytëzoi këtë rast të ju dërgoi një kopje të publikimit tonë juve dhe z. Brayshaw, që është publikuar së fundi nga misioni ynë i UNESKO-s[2].
Në dhjetor 2003, bashkësia ndërkombëtare, e dorëzoi dokumentin “Standardet për Kosovën” në institucionet e Kosovës.
Nga ky publikim po japim disa të dhëna: “Kampanja e bombardimeve të NATOS kundër Jugosllavisë dhe qeverisja lokale nga UÇK[3] e kanë rrezikuar trashëgiminë kulturore të Serbisë në Kosovë e Metohi”[4]. Gjatë luftimeve ushtarake në mes të ushtrisë Jugosllave dhe UÇK, janë dëmtuar 3 xhamia dhe 14 kulla të shqiptarëve të regjistruara si monumente kulturore, si dhe një numër i minareve të xhamive të paregjistruara si monumente kulturore, u rrëzuan. Sidoqoftë, në periudhën që nga ndërhyrja e trupave të NATO-s më 10 qershor 1999 e deri në gusht 2001, u dëmtuan këto monumente të trashëgimisë kulturore, të cilat janë klasifikuar në 4 kategori: kategoria I: 18 monumente, kategoria II: 30, kategoria III: 55 objekte të regjistruara si monumente kulturore, ku të gjitha ishin ortodokse dhe kategoria IV: 107 ndërtesa tjera të religjionit[5].
Në vijim ofrojmë gjendjen e monumenteve në vitin 1994 në Kosovë të publikuara në raportin e vitit 2003 nga Qendra Koordinuese e Republikës së Serbisë dhe Malit të Zi për Kosovë në Graçanicë, dërguar përfaqësuesit special të Sekretarit të Përhershëm në Kombe të Bashkuara.
| Totali | Bizantine | Serbe | Katolike | Osmane | Shqiptare | Hebraike | Te tjera | |
| Gjendja në vitin 1994 | 372 | 29 | 179 | 3 | 78 | 38 | 1 | 44 |
| Monumente kulturore të dëmtuara gjatë dhe pas konfliktit të armatosur | 69 | 0 | 52 | 0 | 3 | 14 | 0 | 0 |
| Monumente të rrënuara | 25 | 0 | 22 | 0 | 1 | 2 | 0 | 0 |
| Monumente të dëmtuara | 44 | 0 | 30 | 0 | 2 | 12 | 0 | 0 |
Tabela 1. Monumentet kulturore të dëmtuara dhe rrënuara gjatë dhe pas luftës së vitit 1998/99.
Sipas këtij dokumenti, më tutje thuhet se në periudhën pas luftës në Kosovë ndodhën dy procese paralele jo civilizuese, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore krishtere dhe i vendbanimeve autentike të serbëve, malazezëve dhe kroatëve, të cilët kryesisht e kanë lëshuar Kosovën[6].
Këto të dhëna propaganduese në këtë publikim paraqiten edhe të ilustruara në harta. Në dokument përshkruhen dhe monumentet kulturore në Kosovë të regjistruara në vitet 1986, 1994 dhe gjendja e tyre pas luftës së vitit 1998 dhe 1999.
Dokumente të tilla të shoqëruara me të dhëna të falsifikuara që përmbanin harta dhe fotografi të shumta, shpërndaheshin nga serbët te stafi ndërkombëtar i punësuar në Kosovë dhe në përfaqësitë e ambasadave të shumë shteteve perëndimore në Prishtinë.
Krahas këtyre dokumenteve serbe, studiuesit shqiptarë nuk kishin përgatitur ndonjë raport apo publikim të përgjithshëm për dëmet e monumenteve të kulturës nga forcat ushtarake e policore serbe në Kosovë gjatë luftës 1998 dhe 1999.
Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Harry Halkery, mes tjerash, kërkohet: “që nënkryetari i Qendrës për Koordinim, prof. Branisllav Krstiq dhe Mr. Jovan Qirilov, Kryesues i Komitetit të UNESKO-së të kësaj qendre të vizitojnë Prishtinën në fillim të shtatorit 2003, për të filluar bashkëpunimin”.
Nebojsha Çović në përfundim të letrës shkruante: “e shfrytëzoi këtë rast të ju dërgoi një kopje të publikimit tonë juve dhe z. Brayshaw, që është publikuar së fundi nga misioni ynë i UNESKO-s[7].
Në vijim po e japim dokumentin e hartuar nga Nebojsh Ćović, dërguar z. Harry Holkery.



Fig. 5, dhe 6- Hartat, paraqesin kthimin e popullatës serbe në vitin 2003,dhe kinse spastrimet në vitin 2004
Këto harta shpërndaheshin te stafi ndërkombëtar i UNMIK-ut, dhe në shtetet e Evropës, më qëllim që sa më shumë të akuzohen shqiptarët si qytetarë që shkatërrojnë vlerat etno-kulturore të pakicave etnike në Kosovë.
Standardet për Kosovën
Në dhjetor te vitit 2003, institucionet e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, siç ishin: Bashkimi Evropian dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (UNMIK), përmes “Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara”, Harri Holker, iu dorëzuan autoriteteve kosovare dokumentin “Standardet për Kosovën”.
Dokumenti përmbante detyrat kryesore që Kosova duhej t’i realizonte deri në vitin 2005, në mënyrë që pastaj të vlerësoheshin arritjet dhe nëse gjykohet se “standardet janë përmbushur”, do të iniciohej faza e ardhshme e përcaktimit të statusit final të Kosovës. Të gjitha kërkesat për zgjidhjen e statusit nga ndërkombëtarët kishin të bëjnë me “standardet para statusit”.
Në këtë dokument ishte përfshi edhe trashëgimia kulturore dhe historike e Kosovës. Për të përmbushur kërkesat e faktorëve ndërkombëtar, në MKRS dhe në Qeverinë e Kosovës u formuan grupet punuese.
Konferenca ndërkombëtare për donator
Konferenca ndërkombëtare për donatorë, e organizuar nga UNESKO, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, Misionin Administrativ në Kosovë UNMIK, Këshillin e Evropës dhe Komisionin Evropian, për ruajtjen dhe konservimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Për tërheqjen e donatorëve në konferencë, është hartuar lista e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe lokaliteteve, duke u bazuar në dy raporte të Misionit të UNESKO-s nga viti 2003 dhe prill 2004, dhënë katër raporte nga Këshilli i Evropës.
Të dhënat për të gjitha këto monumente u përpiluan në një dokument nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë, si: nga CHwB, Suedi: Francisco Mondanes, Alex Mills dhe znj. Susanne Wik, ekspertë të UNESCO-s: Alessandro Bianchi, dhe Horst Godicke, nga Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian ekspertët: Alkiviades Nicolaos Prepis dhe David Johnson, nga Ministria e Kulturës së Republikës së Serbisë: Borislav Surdić, dhe nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit znj. Gjejlane Hoxha.
Dokumentet e përpiluara nga këta ekspertë u publikuan të përmbledhura në një libër që u botua në Parisë në disa gjuhë. Në vijim ofrojmë disa nga dokumentet e publikuara për disa nga monumentet e kulturës në Kosovë. Dokumenti është botuar dhe publikuar në vitin 2005 në Paris.
Nga analiza e këtij dokumenti, kuptohet se të dhënat historike për të gjitha monumentet e përshkruara sipas listës, janë marrë nga raportet dhe publikimet serbe. Pothuaj se gati të gjitha monumentet e kulturës përshkruhen si monumente serbe të ndërtuara në shekujt XI- XIV.
Protestat e 17 marsit 2004
Raportet e acaruara në mes të shqiptarëve dhe serbëve si dhe mos gatishmëria për zgjidhjen e shpejtë të Statusit të Kosovës, çuan deri te protestat e 17 marsit 2004, me ç ‘rast kishte dhjetëra qytetarë të vdekur, si dhe djegie të disa objekteve të kultit ortodoks. Pas këtyre ngjarjeve, u shtuan aktivitetet e propagandës serbe kundër kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi.
Materiali propagandues ishte shtypur ne letër dhe ishte shumëzuar në CD. Ky material u zbulua në kompjuterin e Sasha Iliqit, atëherë zyrtar për trashëgimi kulturore në MKRS-së.
Sasha Iliqi, ishte një i ri i lindur në Prishtinë, i cili u punësua në vitin 2003, në Departamentin e Kulturës, si zyrtar për trashëgimi kulturore. Pasi mori pjesë në disa takime të rëndësishme për trashëgimi kulturore edhe jashtë Kosovës në vitin 2005, shkoi për të punuar në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.
Për të dëshmuar se ishte material propagandues i përgatitur nga qarqet e ndryshme politike serbe, po veçojmë dy foto nga materiali propagandues për ngjarjet e 17 marsit 2004, në qytetin e Prizrenit i titulluat “Palestina”, në të cilin paraqiteshin objektet e kishave ortodokse në qytetin e Prizrenit. Nga ky material veçojmë dy foto:


Fig. 7 dhe 8- Hartat, paraqitja e djegieve të kishave dhe manastireve pas 17 marsit 2004; Paraqitja e Kishave të dëmtuara

Fig.9 dhe 10- Fotot, janë nga materiali propagandues për ngjarjet e 17 marsit 2004 në qytetin e Prizrenit, vërehet qartë si është manipuluar kjo vajëz e mitur rome.
– Në foton e parë vërehet qartë një vajzë kinse duke shkruar grafit në portën e një objekti të dëmtuar “Vdekje për serbët”. Për vajzën në foto shkruan “Albanka” (Shqiptarja)! Nga ajo që shihet në foto, kuptojmë se kemi të bëjmë me një vajzë të mitur rome.
-Në foton e dytë po ashtu vërehet lënda djegëse kinse e përdorur për djegie të kishave dhe manastireve ortodokse në qytetin e Prizrenit.
Në dokumentet propaganduese serbe ishin përmbledhur në mënyre kronologjike të gjitha ngjarjet që kishin ndodhur që nga data 15-20 mars 2004 dhe ishin bërë me mijëra fotografi në të gjitha qytetet dhe komunat e Kosovës.
Raporti preliminar për vlerësimin teknik të ndërtesave dhe asambleve fetare dhe tërësive kulturore të dëmtuara në muajin mars 2004
Pas ngjarjeve të 17 marsit 2004, u hartua Raporti preliminar për vlerësimin teknik të ndërtesave/asambleve fetare dhe tërësive kulturore. Misioni i vlerësimit teknik është kryer prej datës 10-16 maj 2004.
Ky mision është organizuar nga Këshilli i Evropës (Drejtoria e Kulturës dhe e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore) dhe Komisioni Evropian (Drejtoria e përgjithshme për Arsim dhe Kulturë), me kërkesë të Misionit të përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), dhe institucioneve të përkohshme të Kosovës[8].
Misioni kishte mbështetje aktive nga “Qendra koordinuese për Kosovë dhe Mal të Zi dhe Republika e Serbisë për Kosovë e Metohi”, Kisha Ortodokse Serbe (KOS) dhe Ministria e Kulturës e Serbisë[9].
Për ta hartuar raportin dhe për të vlerësuar dëmet në 35 monumente, objekte ortodokse dhe ansamble kulturore, u formua grupi i ekspertëve, i cili kishte këtë përbërje: z. David Johson (Mbretëria e Bashkuar), z. Alkiviades Prepis (Greqi), përfaqësuesja e UNMIK-ut, zsh. Melinda Taylor dhe z. Stefano Sgabbo, përfaqësuesit e IPVQ, z. Bujar Demjaha dhe z. Xhavit Lokaj, përfaqësuesit e autoriteteve serbe, z. Dragoljub dhe Ati Jezekilj[10].

Fig. 11- Dokument, Ekspertet që e hartuan raportin për 35 monumente objekte ortodokse dhe ansamble kulturore
Kushtet teknike dhe përmbledhja e meremetimeve është përgatitur nga tre eksperte të Këshillit të Evropës. Gjatë punës u shfrytëzuan dokumente nga “Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës”, Ministria e Kulturës së Serbisë, nga raporti i kryer nga CHwB (Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Suedi) dhe nga publikimi “Trashëgimia e Kosovës dhe e Metohisë”, të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës të Republikës së Serbisë, Beograd, 2002[11]. Raporti u hartua nga vizitat në objekte dhe literatura e shfrytëzuar profesionale dhe shkencore.
Institucioneve të Kosovës, për marrjen e vendimeve të duhura, u kërkohej koordinimi me institucionet ndërkombëtare, kishën ortodokse serbe dhe autoritetet serbe.
Memorandum i Mirëkuptimit
Memorandum i mirëkuptimit në pajtushmëri për principet Gjenerale për rekonstruimin e Kishave.-Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes (“IPVQ”) dhe Kisha Ortodokse Serbe (KOS), në qershor 2004, në lidhje më ndërmarrjen e masave urgjente në kisha dhe tërësi dhe objekte tjera të religjionit ortodoks serb, të dëmtuara në mars 2004. Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes (IPVQ) dhe Kisha Ortodokse Serbe (KOS), pajtohen që të rifillojnë procesin e rindërtimit si në vijim:
Ky memorandum i mirëkuptimit është i kufizuar për periudhën verë-vjeshtë të vitit 2004. Sido që të jetë, nëse mekanizmat e zhvilluar tregojnë se janë efikas, afati i tij mund të zgjatet.
Trashëgimia kulturore në këtë fazë kishte marrë drejtim shumë të gabuar, udhëhiqej nga një staf i papërgatitur për t’i përballuar kërkesat e faktorëve ndërkombëtarë dhe Kishës Ortodokse Serbe. Buxheti shkonte në renovimin e pasojave pas 17 marsit 2004, dhe në projekte tjera të parëndësishme për identitetin e popullatës shqiptare në Kosovë.
Pas këtyre ngjarjeve, kërkesat dhe presioni i ndërkombëtareve ndaj institucioneve të Kosovës ishte shtuar. Në të gjitha bisedimet për Kosovën kërkohej plotësimi i standardeve për trashëgiminë kulturore dhe historike dhe në veçanti kërkohej renovimi i kishave dhe manastireve ortodokse të dëmtuara pas luftës së viteve 1998/99 në Kosovë.
Në vijim po e japim Memorandumin e mirëkuptimit në pajtueshmëri për principet gjeneralë për konservimin dhe restaurimin e kishave, të nënshkruar nga Sekretarja e përhershme në Ministrinë e Kulturës Rinisë e Sportit, zj. Zana Kryeziu, dhe Artemijes, arqipeshkv i Rashkës në Prizren.

Fig. 12- Dokument, Memorandumi i mirëkuptimit në pajtueshmëri për principet gjeneralë, për konservimin dhe restaurimin e kishave
Përveç renovimeve kërkohej edhe siguri e plotë e objekteve ortodokse dhe objekteve tjera në zonat e banuara me popullatë shumicë serbe.
Politika e Beogradit këtë rast e shfrytëzoi për të aktivizuar tërë potencialin intelektual në instancat më të larta ndërkombëtare për ta kthyer vëmendjen në çështjen e viktimizimin e popullatës serbe në Kosovë.
Qeveria e Serbisë në koordinim me Kishën Ortodokse Serbe parashtruan kërkesa që disa nga kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë të merren në mbrojtje UNESCO-së. Kërkesa e palës serbe u miratua dhe disa nga këto objekte u morën në mbrojtje të përkohshme nga institucionet më të larta ndërkombëtare si Këshilli i Evropës dhe UNESCO.
Pala shqiptare kishte presione te mëdha andaj dhe kërkohej nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit për konservimin dhe restaurimin e kishave ortodokse.

Fig. 13- Letra që kryetari i Serbisë dhe Malit të Zi, zt. Svetozar Marković, ia dërgon Drejtorit Gjeneral për UNESCO, zt. Koichiro Marsuura.
Ky program ka vazhduar edhe pas vitit 2005, me plotësimin e kushteve dhe përpilimin dokumentacioneve për fushën e trashëgimisë kulturore dhe monumentet e kulturës.
Për përpilimin e këtyre dokumenteve janë përfshirë ekspertë shqiptarë të njohur nga fusha e Trashëgimisë kulturore, por edhe zyrtarë në fushën e historisë dhe monumenteve të kulturës.
Përveç protestave të shumta, materialit propagandues të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), pas këtyre ngjarjeve të 17 marsit të vitit 2004, edhe kryetari i Serbisë dhe Malit të Zi, zt. Svetozar Marković, me datën 19 mars, i dërgon letër Drejtorit Gjeneral për UNESCO-s, zt. Koichiro Matsuura.
Përveç protestave të shumta, materialit propagandues të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), pas këtyre ngjarjeve të 17 marsit të vitit 2004, edhe kryetari i Serbisë dhe Malit të Zi, zt. Svetozar Marković, me datën 19 mars, i dërgon letër Drejtorit Gjeneral për UNESCO-s, zt. Koichiro Matsuura.

Fig. 14- Letra që Drejtori Gjeneral për UNESCO, zt. Koichiro, me datën 23 mars, i përgjigjet me një letër kryetarit të Serbisë dhe Malit të Zi
Për të sanuar dëmet e shkaktuara pas ngjarjeve të 17 marsit 2004, është formuar komisioni i përbërë prej dy ekipeve të ekspertëve për vlerësimin teknik të dëmeve në 35 monumenteve dhe ansambleve ortodokse. Komisionet janë formuar nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë, Këshilli i Evropës, Komisionit Evropian[12].
Në mars të vitit 2005, është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit nga Kisha Ortodokse Serbe (KOS)[13] dhe MKRS, duke e themeluar Komisionin Zbatues të Rindërtimit (RIC)[14] për të rishikuar dhe menaxhuar procesin e rindërtimit.
Ky memorandum është nënshkruar nga Patriarku, dhe nga Sinodi i Shenjtë si përfaqësues i Kishës Ortodokse Serbe, u emërua peshkopi Teodosije. Komisionin Zbatues i Rindërtimit (RIC) e ka hartuar programin e punës për vitin 2005/06, sipas të cilit punët kanë filluan prej datës 10 tetor 2005, dhe komisioni e formoi Ueb-faqen në gusht të vitit 2005.
Në shtator të vitit 2005, Komisionin Zbatues i Rindërtimit (RIC) u zotua se do të jetë në gjendje të shpenzojë 1.5 milion Euro, nga 4.2 milion të ndara për këtë qëllim nga buxheti i konsoliduar i Kosovës për vitin 2005, kurse nga Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse (IPVQ)[15] kërkojnë edhe 2.7 milion, kurse Agjenciono Europian i rindërtimit (AER), i ka ndarë edhe 2 milion për rindërtimin e objekteve fetare ortodokse[16].
Komisioni implementues për rindërtimin (KIR)[17], në vitin 2006 i ka kryer punët në restaurimin e këtyre objekteve: riparim i i kulmit të plumbit, punët konservuese në kambanarë, katakombe, ezonarteks dhe riparime të brendshme në kishën e Shën Premtes në Prizren; në Manastirin e Deviçit: rindërtimi i konakut të vjetër, rindërtimi i murit mbrojtës, riparime të brendshme, konsolidimi i konakut qendror; rindërtimi i Kishës Sinodale në Prizren; restaurimi i kishës së vjetër të Shën Gjergjit në Prizren; rindërtimi i kishës Shën Elijës në Vushtrri; rindërtimi i shtëpisë së famullisë, pagëzimorës, kambanarët dhe kishës së Shën Nikollës në Prishtinë; rindërtimi-faza e dytë e kishës të dëftimit të Zonjës së Bekuar në Bellopole-Pejë; rindërtimi i murit rrethues të lokacionit të kishës zonja e bekuar në Gjakovë[18].
Kuvendi i Kosovës për këtë qëllim për vitin 2007, zotoi 3.4 milion euro[19]. Gjatë vitit 2005, për këtë qëllim u shpenzuan 778,397.57 euro, për vitin 2006 u shpenzuan 1,925,001.38 euro, për të dy vitet gjithsej u shpenzuan 2,703,408.95 euro[20].
Kontakt person në Komisionin për implementimin e rindërtimit të tërësive religjioze ortodokse serbe nga MKRS-it ishte caktuar të jetë Tomorr Buza[21]. Pas këtyre ngjarjeve shumë monumente dhe objekte të kultit ortodoks kaluan nën përkujdesjen e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare.
Përveç objekteve të kultit ortodoks, gjatë ngjarjeve të 17 marsit nga popullata serbe u sulmua edhe shtëpia në Çagllavicë e skulptorit shqiptar Agim Çavdarbasha, ku u shkatërruan artefaktet e gurit dhe drurit, dhe vetëm një numër i vogël i tyre ka mbijetuar. Atelieja “Galeria e Hapur” u restaurua në kuadër të projektit për restaurimin e dëmeve të 17 marsit të vitit 2004.
KFOR-i i kishte shtuar masat e sigurisë për ruajtjen e kishave ortodokse në Kosovë sidomos pas trazirave të 17 marsit të vitit 2004. Në Kosovë janë 24 objekte të trashëgimisë kulturore, të cilat deri me tani kanë qenë nën përkujdesjen e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare. Prej tyre njëzet e tri kanë kaluar nën përkujdesjen e njësitit të policisë së Kosovës. Manastiri i Deçanit, objekt i trashëgimisë kulturore të Kosovës që UNESCO e njeh si trashëgimi serbe, është i vetmi që ende e ruan KFOR-i[22].
Shef i njësitit të policisë së Kosovës për ruajtjen e monumenteve të kulturës është caktuar kapiteni Drazho Božović. Njësia për mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore përbëhet prej afro 200 policë dhe është fryt i marrëveshjes së mëhershme midis Beogradit dhe Prishtinës.
Kjo marrëveshje është arritur në Bruksel gjatë bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Marrëveshja parashihte që të themelohej një njësit i veçantë prej shumë etnive, brenda policisë së Kosovës, mandati i të cilit do të ishte ruajtja e monumenteve të kultit ortodoks në Kosovë[23].
Ministria e Kulturës dhe Institucionet përgjegjëse për ruajtjen e trashëgimisë kulturore janë krejtësisht jashtë këtij procesi. Pjesëtarët e këtij njësiti kanë pasur disa trajnime të organizuara në tërë Kosovën nga OSBE-ja. Projekti ka përfshirë një seri prej tetë trajnimesh në mbarë Kosovën për njohjen e oficerëve të policisë me kornizën ligjore për objektet kulturore e fetare, përgjegjësitë e reja të policisë si dhe qasjet e komunikimit me publikun e klerin[24].
Krijimi i këtij njësiti të veçantë u arrit në nëntor të vitit 2012, në Bruksel. Njëra nga katër pikat që ish presidenti i Serbisë, Boris Tadić, i kishte parashtruar në planin e tij, pas dështimit të planit të tij për ndarjen e Kosovës. Plani ishte quajtur “Zgjidhja për veriun e Kosovës”: “Mbrojtja e manastireve dhe trashëgimisë së Serbisë, mbrojtja e pronës së shtetit dhe qytetarëve në Kosovë, garancitë dhe sigurinë dhe të ardhmen e serbëve që jetojnë në enklava”.
Në policinë e Kosovës janë të evidentuara një numër prej më shumë se 100 objekte, të cilat i ruan policia e Kosovës, ndërsa 24 prej tyre do të kenë roje 24 orë, 7 ditë në javë, kurse tjerat janë objekte që sigurohen kohë pas kohe me vizita varësisht prej vlerësimit të rrezikshmërisë së tyre.
Nga shoqëria civile dhe ekspertë të kësaj fushë disa herë është kritikuar një vendim i tillë, duke shprehur bindjen se trashëgimia kulturore në Kosovë nuk ka nevojë për mbrojtje të KFOR-it dhe policisë, por ka nevojë që të hartohen projekte dhe politika kulturore serioze për udhëheqje të projekteve të restaurimit dhe promovimit të vlera kulturore. Objektet e trashëgimisë kulturore në Kosovë nuk janë të rrezikuara nga popullata e Kosovës. Këto objekte të trashëgimisë duhet të ruhen sipas ligjit për trashëgimi kulturore dhe nuk duhet politizuar monumentet e kulturës.
Popullata e Kosovës që nga ajo periudhë kohore është vetëdijesuar për pasojat e atyre ngjarjeve dhe është e gatshme të ruajë vetë objektet e trashëgimisë kulturore dhe historike në truallin e Kosovës, si dhe të japë kontribut në konservimin dhe mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës.
Kontribut të madh në restaurimin dhe konservimin e trashëgimisë arkitektonike pas luftës në Kosovë kanë dhënë Këshilli i Evropës, UNESKO, INTERSOSI[25] (Itali), CHwB dhe SIDA (Suedi), TIKA[26] (Turqi) etj, por për këto OJQ-re, ka vërejtje rreth përshkrimit të historisë së Kosovës dhe monumenteve të kulturës.

Fig. 15. Foto të përzgjedhura nga materialet e botuara nga Kisha Ortodokse Serbe dhe institucionet shtetërore të Serbisë, të cilat shpërndaheshin të botuara dhe me anë të Cd, te stafi ndërkombëtar në Kosovë , dhe në shtete të ndryshme, duke i paraqitur shqiptarët si rrënues të objekteve të krishtera ortodokse në Kosovë.
Përfundim
Pas luftës së viteve 1998/99 gjitha aktivitetet dhe kompetencat lidhur me trashëgimin kulturore dhe historike në Kosovë u koncentruan në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në kuadër të Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS). Mirëpo, dëmet e luftës, politizimi i trashëgimisë kulturore dhe historike në 15 vitet e kaluara, mungesa e politikave të mirëfillta në këtë fushë dhe organizimi i dobët institucional e sollën në një gjendje të rëndë situatën e trashëgimisë kulturore dhe historike në vend.
Duke pasur parasysh situatën aktuale sa i përket trashëgimisë kulturore dhe historike në Kosovë konsiderojmë se mungesa e politikave të mirëfillta kulturore, çrregullimet administrative, mungesa e publikimeve, menaxhimi jo efikas i projekteve të konservimit dhe restaurimit të objekteve, mos respektimi i ligjeve, akteve nënligjore dhe rregulloreve, si dhe organizimi i dobët dhe mbi baza partiake i stafit administrativ kanë ndikuar dukshëm në keqësimin e gjendjes në këtë fushë. Gjithashtu, investimet e gabuara dhe dhënia e kompetencave pushtetit lokal dhe sektorit të OJQ-ve vendore e ndërkombëtare, ndikuan që shumë monumente të kulturës në Kosovë të humbin vlera autentike kulturore.
Në fushën e trashëgimisë kulturore edhe pas shpalljes së pavarësisë nuk ndryshoi gjendja. Edhe pse pritej që të fillohet me reforma për rregullimin institucional dhe marrjen e shume kompetencave një gjë e tillë nuk ndodhi.
Mungesa e politikave të mirëfillta kulturore, çrregullimet administrative, mungesa e publikimeve dhe organizimi i stafit administrativ mbi baza partiake ndikuan dukshëm në keqësimin e gjendjes. Investimet e gabuara, dhënia e kompetencave pushtetit lokal dhe OJQ-ve vendore e ndërkombëtare ndikuan që shumë monumente të kulturës të humbin autenticitetin e vlerave kulturore.
Pas pavarësisë shumë kompetenca iu besuan OJQ-së turke TIK-së, OJQ suedeze CHwB-së, komunave, dhe OJQ-ve tjera vendore e ndërkombëtare. Një memorandum të mirëkuptimit MKRS e nënshkruan me CHwB më 12.12 2008. Në pikën 2.5 shkruan: CHwB kurdo që është e mundur, do të shërbejë si pikë lidhje mes MKRS-së dhe komunitetit ndërkombëtar. Ky memorandum i nënshkruar ia mundësoi CHwB-së që të ndërhyjë edhe më shumë në punën e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Me donacione të siguruara kjo OJQ e shtoi stafin e punës dhe e bëri shtrirjen në disa qytete të Kosovës.
Disa nga projektet për konservim dhe restaurim të monumenteve të kulturës iu dhanë kësaj OJQ-je. Kjo organizatë që e kishte një përvojë të madhe në Kosovë që nga viti i parë pas luftës 1998/99, organizoi shumë trajnime me staf vendor, dhe botoi disa publikime. Shumë nga publikimet ishin të ndikuara nga politika ditore dhe historiografia serbe për trashëgiminë tonë kulturore dhe historike.
[1] Përfaqësues i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) për kulturë u emëruar Gonzalo Retamal dhe bashkëdrejtuese e Departamentit të Kulturës në vitet 2000 dhe 2001 ishte Edi Shukriu. Në këtë kohë u miratuan disa dokumente që e rregullonin fushën e trashëgimisë kulturore.
[2] Dokument i lëshuar nga “Qendra Kordinuese e Serbisë & Mali i Zi dhe e Republikës së Serbisë për Kosovë e Metohi”, Graçanicë, 25.08.2003
[3] Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
[4] Branislav Krstić, “Saving the cultural heritage of Serbia and Europe in Kosovo and Metohia”, Beograd, 2002
[5] Po aty
[6] Po, aty
[7] Dokument i lëshuar nga “Qendra Kordinuese e Serbisë & Mali i Zi dhe e Republikës së Serbisë për Kosovë e Metohi”, Graçanicë, 25.08.2003
[8] Raporti preliminar për vlerësimin teknik të ndërtesave/asambleve fetare dhe tërësive kulturore të dëmtuara në mars 2004 në Kosovë, 24.05.2004, Prishtinë.
[9] Po, aty
[10] Po, aty
[11] Po, aty
[12] Raport preliminarë për vlerësimin teknik mbi ndërtesat, “Ansamblet fetare dhe tërësitë kulturore të dëmtuara në muajin Mars 2004 në Kosovë”.
[13] Studijuesi bullgar, Ivan Duridanov, në librin e tij, KAM, Etimologijata na njakoi starini mestini nazvanjija, izsledivanja V cesta na Dimiter Decev, Sofija, 1958, fq.164, shkruan se Servus është emër i vjetër roman ballkanik, nga ky emër kanë dal emrat Sarban, serban, serbu, dhe në gjininë femërore Serba. Emri mesjetar Servu, Serva, dhe nga RUM Serb (bujkrob), nga ky burim dhe shumë burime tjera mund të kuptojmë se ndërtuesit e kishave ortodokse mesjetare në truallin e Kosovës nuk ishin Servet si kategoria e ulët sociale apo bujkrobërit dhe se një kategori e tillë nuk ka mundur të krijoi mbretëri në mesjetë, andaj Mbretëria mesjetare Serbe dhe Kisha Ortodokse mesjetare Serbe kanë hyrë në terminologjinë e sotme shkencore pas falsifikimeve të shumta dhe krijimit të mitit serbë për Kosovën në shekullin XIX.
[14] RIC- Reconstruction Implementation Commission (Komisioni Implementus i Rindërtimit
[15] IPVQ, Institucionet e Përkohshme vetëqeverisëse
[16] Arkivi i Departamentit të Trashëgimisë, në MKRS
[17] KIR- Komisioni implementus për rindërtimin e tërësive religjioze ortodokse në Kosovë
[18] Raport i vitit 2006, Komisionit për implementimin dhe rindërtimin e tërësisë religjioze ortodokse serbe, Prishtinë, 2006, fq .9
[19] Po aty. fq. 8
[20] Po aty, fq. 46
[21] Po aty, fq. 47
[22] Artan Krasniqi, “Koha Ditore”, e mërkurë 28 gusht 2013
[23] Po aty
[24] Po aty
[25] INRERSOS – Organizata joqeveritare Italiane e cila ka kryer restaurimin e disa monumenteve të kulturës në Kosovë.
[26] TIKA- Turkiye Isbirlik Ve kordynasion Ajansi (Agjencioni turk për koperim dhe kordinim).

Shkrimin e Ardianë Pajazitit për Lulejta Pulen, politikanen, atdhetaren dhe profesoreshën e njohur nga Prishtina, e lexova me kurreshtje dhe dëshirë të madhe, se Luljetën e kam njohur dhe e përcillja aktivitetin e saj të bujshëm – jo vetëm politik, sa ishte aktive në politikën kombëtare të Kosovës së paraluftës.
Pas luftës une isha në mërgim dhe i detyruar që të merresha me “punët e mija”, që nuk më kishin lënë t’i zgjidhja në Kosovën e paraluftës ata që kishin ndikim në gazetari dhe që kryesisht ishin në shërbime të partisë së LDK-së, andaj edhe i kisha humbur lidhjet me Luljeta Pulen si me shumëkend tjetër.
Pa Luljeta Pulën paralufta në Kosovë, nuk do ta kishte as kuptimin e as porosinë e duhur. Megjithë faktin se u munduan që ta mënjanonin, që të mos ishte zë që dëgjohej, Luljeta ishte një femër e guximshme, intelektuale dhe mjaft e ditur, që e theu stereotipin për femrën shqiptare që janë munduar ta ndërtonin serbët, duke i dhënë asaj femre karakteristike jomoderne, që nuk kanë qenë shenja të kohës.
Leljeta Pula është si metalet e çmuara, që edhe nëse i mbulon me dhe për vite e vite, atë ditë që u heqet dheu “prej fytyrës”, rikthehet me shkëlqimin dhe shndritjen e vjetër.
Shumë vite pas luftës nuk kisha dëgjuar gjë për të për shkak të rrugëve të ndryshme, e sigurisht as ajo për mua, por botimi i librave të saj që i kishte shkruar ndër vite, e rikthyen Luljeta Pulen në vendin që i takon si mendimtare që ka bërë shumë për vendin.
Pastaj, me aktin e rikthimit në religjionin e të parëve në familje, që e bëri para disa muajsh në Kishën Shën Abrahami të Llapushnikut, Luljeta Pula u rikthye plotësisht me aftësitë e veta të veçanta në vendin që i takon, vend që natyrshëm nuk mund t’ia zë askush.
(Gjergj – Bajram Kabashi, www.drini.us)
***
Është e kuruar deri në detajin e fundit. E veshur me shumë shije, veshje që i dominon ngjyra e zezë. Flokë të krehura mirë, me një buzëkuq me ngjyrë të dukshme e që nëpërmjet një pasqyreje të vogël e që e nxjerr shpesh nga çanta e kontrollon dukjen e jashtme për tu siguruar se është në përpikshmërinë e duhur. Dhe krejt këtë pamje sikur e forcon edhe më shumë me perlat e saj në qafë, perla që më kanë lënë shumë përshtypje te kjo grua. Jo vetëm në këtë takim, por edhe atëherë kur isha shumë e re. E shihja nëpër emisione televizive, në protesta, në kongrese, dhe kjo zonjë kishte po këtë detaj. Perlat në qafën e saj tepër delikate.
Dhe më habisnin. Sepse, këtë aksesor e kisha menduar për zonjat që shkonin vetëm në teatër, zonjat që frekuentonin vetëm operat, apo zonjat që shkonin vetëm nëpër gosti dhe pinin ndonjë gotë verë, por kurrë nuk e kisha menduar një aksesor te një grua kaq rebele, një grua që luftoi sistemin, një grua që ishte në çdo protestë të Kosovës, një grua që e arrestuan dhe e mbajtën për tetë herë, një grua që drejtoi për herë të parë një parti politike dhe një grua që për herë të parë e shpalli kandidaturën për presidente të Kosovës.
Por jo vetëm perlat, por krejt dukja e Luljeta Pulës ishte tejet delikate dhe elegante, një dukje që ‘mbulonte’ skajshmërisht shpirtin e saj prej rebeli.

Tashti, një zonjë që ka mbushë 73 vjet, para meje gjurmon shkakun e krijimit të këtij shpirti rebel, që sipas saj, edhe sot, në këtë moshë vazhdon të mos i bindet.
Rrëfimet e vazhdueshme të prindërve për çështje kombëtare janë njëra anë e medaljes që Luljeta Pulën, atëherë si pesë vjeçe e kishin provokuar shumë, dhe këto rrëfime kishin ndikuar që karakteri i saj të shndërrohej në një karakter luftarak. Diskutimet e tyre për Bujanin, për Tivarin e masakrën e Gjilanit, po ia rrisnin kureshtjen kësaj vajze të vogël që daja e saj e kishte pagëzuar me emrin Luljeta, e ata kishin uruar të jetë një Lule Jete për familjen e tyre, por se kishin menduar se kjo do të ishte Lulja e Jetës për gjithë Kosovën.

Por, përderisa në familje merrte këtë zjarr kombëtar, ajo si nxënëse përjetonte një ndjesi tjetër. Ajo po vërente se në shkollë, nxënëset serbe po e nënvlerësonin, dhe ky nënvlerësim i bënte shumë përshtypje. Ky detaj ishte i mjaftueshëm që të kuptonte se ajo dhe gjithë shqiptarët nuk po trajtoheshin të barabartë. Edhe pse, ajo nuk mbanë në mend që ta kenë fyer ose t’ia kishin thënë ndonjë fjalë, e kishte ndjerë zhvlerësimin, supremacinë. “Trajtohesha ndryshe, ishte shumë ndryshe prej mënyrës se si e trajtonin njëra tjetrën”, kujton Pula kohën kur po formonte mozaikun e asaj se çfarë po ndodhte me popullin e saj, por pavarësisht kësaj supremacie që shfaqnin shoqert serbe ndaj saj, ajo asnjëherë nuk është ndjerë inferiore.
Dhe, në njërën anë rrita me dashuri kombëtare, dhe në anën tjetër supremacinë që shpërfaqnin nxënësit serb, dalëngadalë po zgjonte ‘bishën’, brenda kësaj vajze të brishtë, ‘bishë’ që ia mori fëmijërinë dhe e shndërroi në një vajzë, grua luftarake.
“Kurrë nuk më kanë interesuar lojërat e fëmijëve, dhe e ndjej se kurrë nuk kam qenë fëmijë. Qysh në atë moshë e kuptova që serbet nuk i kemi miq” tregon ajo për fëmijërinë e ‘humbur’, fëmijëri që e shkëmbeu me aktivizmin për çështje kombëtare e që çmimin e këtij aktivizimi filloi ta paguajë qysh në moshë të vogël.
Është edhe një figurë që ka pas një rol të madh në formësimin e Luljeta Pulës, figurë që e përcjell edhe sot, e që nuk mjaftohet me veprat e tij, edhe pse, veprën e tij e ka më se të njohur. Është figura e Gjergj Fishtës, e cila përderisa më flet për rolin e kësaj figure në jetën e saj, sytë e saj marrin tjetër shkëlqim.
Përderisa më flet për kohën kur e kishte lexuar veprën e Fishtës, si 14 vjeçe, Luljeta Pula merr tjetër pamje, kopertinat ngjyrë kafe të atij libri, fletët e shkëputura dhe era e fletëve të vjetra vijnë natyrshëm edhe te unë, prej atij shpjegimi kaq emocional, libër, që sipas saj e kishte lexuar brenda nate, sepse, të nesërmen i duhej që ta kthente.
“Edhe sot më kujtohet ai libër, që kishte një kopertinë ngjyrë kafe, me fletë të shkëputura, një libër shumë, shumë i vjetër. Por që e lexova brenda natës, se nesër më duhej t’ia ktheja shoqes time që ia kisha huazuar. Gjergj Fishta është fanari i kombit tonë, veprat e tij me qetësojnë dhe përsëri, përsëri e përsëri më frymëzojnë”, thotë Luljeta Pula për formësimin e saj në rrugëtimin e saj politik, e që edhe pas gjithë këtyre viteve e quan aktivizëm për çështje kombëtare e asnjëherë politik.
Përderisa bashkëmoshatarët e saj merreshin me çështje të moshës së tyre, Luljeta Pula kishte zgjedhur një tjetër rrugë, aktivizëm që mundohej ta shtrinte te njerëzit që e rrethonin. Jo me sforcim, por me ndjenjë të pastër, ajo mundohej që të rriste dashurinë për kombin, për lirinë, për ndërtimin e një shteti që e ëndërronte.
Dhe e denoncuan. Shokët e paraleles tjetër e kishin denoncuar për rolin e saj në shoqëri, për aktivizimin e saj për çështje kombëtare, për angazhimin e saj për Kosovën Republikë. Dhe pas denoncimit, Këshilli i Arsimtarëve kishte marr vendim që ta përjashtonte nga shkolla këtë vajzë rebele që po synonte të prishte rendin, e këtë denoncim e kishte përjetuar në një moshë të vogël, ishte vetëm 16-të vjeçe kur kishte kuptuar se ajo për një grup të caktuar ishte halë në sy.
“Edhe përkundër faktit se isha nxënësja më e mirë në gjimnaz, Këshilli i Arsimtarëve e mori vendimin që të më përjashtonte. Riza Bicaj, kujdestari i klasës ma kumtoi vendimin e Këshillit të Arsimtarëve të gjimnazit “Ivo Llolla Ribar” në Prishtinë, dhe pikërisht kujdestari bëri të pamundurën që vendimi të zbutej dhe të zëvendësohej me vendimin me parapërjashtim”, kujton Luljeta Pula, vendim që nuk e frikësoi. Dhe jo vetëm që nuk e frikësoi por nuk e vuri në asnjë mëdyshje zmbrapsjen.
Ishte një lëvizje kur edhe e vulosi se kjo vajzë nga Prishtina do te jetë pjesë e protestave, pjesë e kryengritjeve, pjesë e kongreseve e pjesë e zhvillimeve të Kosovës, pikërisht në kohët më të vështira.
Dhe zhvillimet po merrnin hov, ajo po e ndjente se momentet që i kishte ëndërruar tashmë e sa kohë, ishin momente të kohës që po i jetonte. Po në atë vit kur e denoncuan, po në atë vit po rebelohej edhe shpirti i të pakënaqurve me sistemin e kohës. Po organizoheshin demonstratat e vitit 1968, dhe ishte hera e parë kur ajo po i bashkohej një turme, turmë që kishte për qëllim ndryshimin, kryengritje që zgjoi përfundimisht të pabindurën e sistemit, aktivizëm që nuk u shua asnjëherë, moment që e shkundi sa ishte gjimnaziste, e pastaj vazhdoi si studente, profesoreshë, aktivizëm që i rikthehet herë pas here edhe në ditët e sotme.
Shqipërinë e pashë me sytë e mi në vitin 1976, nuk pata guxim të flas për të vërtetën që e kisha parë
Idetë kombëtare, Pavarësia e Kosovës, krijimi i shtetësisë, ishin dashuritë e Luljeta Pulës si nxënëse. Dhe kur flasim për idetë kombëtare, pishtarët e asaj kohe kishin sytë në një drejtim, drejt Shqipërisë. Dhe si një mollë e ndaluar, ata e adhuronin po atë Shqipëri me të mirat dhe të këqijat, ku këto të fundit nuk i shihnin as në figurën e Enver Hoxhës.
Ajo nuk e mbanë të fshehtë edhe tashti, se në atë moshë të vogël e kishte adhuruar Enver Hoxhën, edhe pse, sipas saj, shumë bashkëkohanik të saj, tani e fshehin admirimin e asaj kohe.
“E kam mbajte fotografinë e tij gjithmonë me vete, sepse në atë kohë ne nuk e dinim të vërtetën e Shqipërisë, nuk dinim për politikën e tmerrshme që Enver Hoxha e udhëhiqte ndaj popullit të vet. Ne nuk dinim për vrasjet dhe likuidimet e intelektualeve, ne nuk dinim për presionin e madh që i bënte popullit të vet, për internimet, burgosjet, vrasjet, për tmerrin që ai e ushtronte” rrëfen Pula, e cila shpjegon më tutje se edhe pse e ka kuptuar më vonë se ajo qasje ishte krejt gabim.
“E adhurova deri sa u vetëdijesova, deri sa u rrita dhe e pash të vërtetën. Ishte një identifikim i gabueshëm, ishte një identifikim që vinte nga ndjenja kombëtare, nga emocioni kombëtar, dhe nuk donim që të shihnim asgjë të keqe me Shqipërinë, e aq më tepër kur propaganda e ish Jugosllavisë kundër Shqipërisë ishte shumë e fuqishme” tregon Luljeta Pula, e cila edhe pas vizitës së parë në Shqipëri, në vitin 1976, pas prekjes së realitetit, nuk pati guxim që të fliste për realitetin e parë.
“Nuk pata guxim të flas asgjë për të vërtetën që e kisha parë, sepse, propaganda jugosllave ishte aq e fuqishme kundër Shqipërisë, sa që një prononcim i yni kundër Shqipërisë do të binte në të njëjta linja me propagandën jugosllave, e cila bëhej e menduar mirë, me strategji dhe teknikë shumë të ndërtuar”, tregon Luljeta Pula për ballafaqimin e saj të parë me Shqipërinë dhe për mos deklarimet e saj se çfarë në të vërtetë kishte parë, por ishte pikërisht momenti kur ia hapi sytë Luljeta Pulës se Shqipëria nuk ishte ajo Shqipëri që e kishte ëndërruar prej kur ishte e vogël.
Ndërkohë, vitet ecin, zhvillimet në Kosovë gjithnjë e më shumë rëndoheshin, dhe pavarësisht faktit se Luljeta Pulën vitet e 80-ta e gjejnë të sistemuar mirë, si një profesoreshë e e lëndës “Kimi Fizike” në Fakultetin e Gjeoshkencave dhe Teknologjisë në Mitrovicë, kjo arritje profesionale nuk i mjaftonte që të gjente qetësinë.
Protestat e vitit 1981 profesoreshën Pula e gjejnë sërish në rrugë, bashkë më studentët e asaj kohe, dhe sipas rebeles me emrin Luljetë, ishte e vetmja intelektuale e asaj kohe që publikisht kishte mbështetë protestat e atij viti.
“Kam qenë e vetmja nga të gjithë intelektualët shqiptarë të asaj kohe që kam mbështetë haptas demonstratat e vitit 1981” vazhdon rrëfimin Luljeta Pula, e cila tashmë ishte nën llupën e UDB-së jugosllave, dhe, edhe pse nuk e kishin arrestuar me rastin e protestave të vitit 1981, në hollin e fakultetit tashmë kishin zënë vend rojtarët e UDB-së jugosllave, dhe të njëjtit po vëzhgonin çdo lëvizje të saj brenda dhe jashtë fakultetit.
Ajo kishte marr informacione të sigurta se dy kolegë të fakultetit po raportonin UDB-në jugosllave për çdo komunikim të saj me studentët. Sepse, edhe përkundër faktit se jepte një lëndë shkencore, ajo kishte dhënë një betim brenda vetes. Se me studentët, për çdo ligjëratë të ndante 15-të minuta për çështje kombëtare. Dhe e bënte, fliste për kombin, fliste për figurat e rëndësishme të kombit, për lirinë dhe për shumë gjëra të rëndësishme për kombin shqiptar, dhe pikërisht në orën kur do te duhej të ligjëronte për formulat e fizikës dhe kimisë.
“I pata vënë vetes këtë qëllim, se në gjeneratat e reja të investojmë edhe në edukim kombëtar”, tregon Pula për përjetimet e asaj kohe, dhe sipas saj, nuk kishte student që nuk i admironte ato biseda, edhe pse ishte thyer më pas kur kishte kuptuar se disa prej studentëve të saj ishin arrestuar në protestat e vitit 1981.

Por aktivizimi i saj kishte kosto. Luljeta Pulës po i ngushtohej rrethi. Si një grua e zëshme, një grua aktiviste, atë kishin filluar ta refuzonin si pjesë të shoqërisë. I kishin mbete njerëz të paktë rreth vetes, si kolegë ashtu edhe miq.
Emri i saj ishte tashmë i njohur për UDB-në, dhe një njohje e tillë krijonte më pas distancë. Dhe këtë distancë po e ndjente. “E kuptueshme, kishin frikë të shoqëroheshin me mua, ishin rrethana të vështira”, arsyeton Luljeta Pula distancimin e njerëzve të asaj kohe.

Dhe si në përralla, një grua që ishte shndërruar ‘mollë sherri’ për një pjesë të shoqërisë, te një profesor po krijohej një kimi, jo ajo kimia që ligjëronte Luljeta, por një kimi dashurie. Ata aksidentalisht po ndanin të njëjtin objekt universiteti, dhe po në atë objekt po krijohej një dashuri platonike që zgjati për dhjetë vjet, derisa vendosën ta lidhnin me martesë, martesë që u solli një vajzë e një djalë, e që prej asaj dashurie, Luljeta Pula sot gëzon edhe epitetin e gjyshes, epitetin më të dashur të krejt jetës së saj.
“Ndanim të njëjtin objekt, njohja me të kishte ndodhë në vitin 1971, atëherë isha 20 vjeçe”, kujton Luljeta, e cila shpjegon se afria me Ekrem Beqirin kishte ndodhë në një udhëtim për Vitin e Ri në Greqi, udhëtim ku kishte pas mundësi ta njihte pak më afër, por një afri që nuk i dha emër njohjes së tyre për dhjetë vjejt, përpos asaj, dashuri platonike.
Luljeta kujton se Ekremi ishte dhjetë vjet më i madh se sa ajo, dhe se lëndën e Operacioneve Teknologjike, lënda më fundamentale e drejtimit të saj e jepte po Ekremi. Duke mos u besuar emocioneve të saj, ajo kishte marr një vendim, që këtë lëndë ta jepte në Beograd, (mundësi e kohës për dhënie të provimeve mes Prishtinës dhe Beogradit), vetëm që të mos ballafaqohej me profesorin, burrin që i kishte trazuar ndjenjat.
Dhe në vitin 1982, ata dy e kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë, një martesë me burrin më të mençur që kishte njohur përgjatë jetës së saj, edhe pse, sipas saj, pavarësisht mençurisë, mbështetjes pa kushte dhe shumë virtyteve të tjera, ajo kujton se bashkëshorti i saj, asnjëherë nuk arriti të ikte nga mentaliteti konservativ dhe patriarkal i Pejës.
Idealet e saj nuk e lanë që të bënte rolin e nënës, të një nëne të përkushtuar
Vitet e 80-ta dhe 90-ta ishin vite uragani për jetën e Luljeta Pulës. Ajo nuk mjaftohej me një punë të rregullt prej profesoreje, me epitetin e bashkëshortes dhe asaj të nënës. Në këtë trekëndësh që kërkonte një dinamikë shumë të madhe, ajo kishte zgjedhë të fuste brenda familjes një çështje shumë madhore. Kosovën. Dhe Kosova, një vend me gjithë ato probleme vetëm sa s’po pëlciste muret e banesës së familjes katëranëtareshe, dhe po sipas Luljetës, ajo kishte mbështetjen e bashkëshortit të saj për aktivizimin e saj kombëtar, po pa iu lehtësuar në anën tjetër edhe roli i nënës, bashkëshortes e nikoqires së shtëpisë. Edhe pse, ajo thellë, thellë në palcë e ndjen se idealet e saj nuk e lanë që të bënte rolin e nënës, të një nëneje të përkushtuar.
E kur jemi te epiteti nënë, po si pasojë e angazhimit të saj për lirinë e Kosovës, në njërën nga protetstat në fund të 80-tave, ajo humbi fëmijën. Po, si pasojë e gazit lotësjellës që e hodhën serbet në turmën e protestuesve, turmë që ishte edhe Luljeta Pula, ajo humbi fëmijën në muajin e shtatë të shtatzanisë, pikërisht në atë periudhë kur Kosovës iu morr Autonomia.

Megjithatë, disi përballohej situata deri sa në familjen Pula-Beqiri trokitën arrestimet e njëpasnjëshme. Zonja e shtëpisë përfundonte shumë shpesh prapa grilave, e edhe më shpesh në biseda informative. Jo a zakonshme për rrethanat e kohës, por shumë e pritshme, sepse ajo tashmë kishte ‘kaluar’ caqet, dhe sipas sistemit, kush kalonte caqet duhej ndëshkuar.
E arrestuan pikërisht më 2 korrik të vitit 1990, në ditën kur po synonin ti vendosnin themelet e shtetësisë së Kosovës, ditën kur edhe u shpall Deklarata e Pavarësisë. Luljeta Pula u arrestua bashkë me shtetasen amerikane Eva Brendlli.
“Eva Brendlli erdhi në shtëpinë time, ishte një grua që bëri shumë për Kosovën, një profesoreshë që ligjëronte në gjashtë universitete amerikane dhe ishte anëtare e e Lidhjes Shqiptaro- Amerikane. Si hebreje që ishte, vuajtjet e tona i shihte po prej atij këndvështrimi. Eva ishte ajo që bëri thirrje për shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë, jashtë objektit të Kuvendit. Si rezultat i insistimit të saj edhe u bë. Atëherë nuk e dinim, por mos të ishte ajo, nuk do të ishte shpallë Deklarata e Pavarësisë më 2 korrik, sepse po të arrestohej ndonjë delegat nuk do të kishte kuorum për shpalljen e Pavarësisë. Dhe menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, mua dhe Evën na arrestuan mu para Kuvendit të Kosovës. Menjëherë e lajmërova vëllain tim që të më siguronte një avokat, i cili ishte edhe këshilltari im. Ai më angazhoi avokatin e njohur Bajram Kelmendin, dhe menjëherë erdhi. Gjatë marrjes në pyetje ata më kërcënuan se do të ngrisin aktakuzë për disa vjet burgim, por pas gjashtë orëve na liruan të dyjave. State Departamenti kishte kërkuar lirimin e Evës, dhe pas presionit të madh na liruan të dyjave. Mirëpo Evën e përzunë prej Kosovës me një dënim që mos të hyjë në Kosovë për tri vjet. Pas tri viteve, ajo ka ardhë vazhdimisht në Kosovë, gjithmonë ka qenë mysafire në shtëpinë time, e kisha shoqen më të ngushtë”, tregon Luljeta, e cila është e zhgënjyer, shumë e zhgënjyer me institucionet e Kosovës që asnjëherë nuk u kujtuan që ta dekoronin Eva Brendllin, një grua që ishte realizatore e shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë.

Dhe të mendosh rrethanat e kohës dhe patriarkalizmin e asaj kohe, nuk pranohej lehtë aktivizmi i një gruaje në krye të proceseve, aktivizëm që në të shumtën e rasteve injorohej nga shumica e burrave, për të kapërcyer më pas edhe në xhelozi.
Ishte periudha e vitit 1990, kur shqiptarët përjetuan dëbimin masiv nga puna, e që Luljeta Pula edhe në atë kohë ishte prijëse e refuzimit të sistemit.
“Kam vërejte një injorim nga burrat, sepse, përderisa nuk kishin guximin të rezistonin e të flisnin hapur, unë vazhdoja të luftoja dhe të mbaja flamurin e rezistencës e të isha prijëse e proceseve. Kur u futën masat e dhunshme në fakultet, na urdhëruan që për çdo ditë të paraqitemi në vend të punës. Vendosa të kundërshtoj këto padrejtësi me një letër proteste me titullin Akuzoj, ku akuzova politikën shoveniste të Serbisë ndaj Kosovës në përgjithësi, dhe si pasojë, menjëherë më përjashtuan nga puna, isha e para që u përjashtova. Dhe aty e pashë hezitimin dhe mllefin e shumë kolegëve të mi. Tentuan që atë aktivizëm timin të ma mveshnin si përpjekje timen për lavd. Dhe kjo më pat prekë shumë, se nuk kam ditur dhe nuk kam dashur asnjëherë të punoj për lavde dhe merita. Ishin rrethana të vështira dhe përpjekja ime e vetme ishte që të punoja për çështje kombëtare”, ka shpjeguar Luljeta Pula.
Dhe zonja me perla, zonja me një veshje tejet ekstravagante për kohën, shumë larg kohës, po bënte namin. Ajo po trazonte ujërat, dhe sistemi nuk e duronte ujin e trazuar. Përgjatë viteve të 90-ta ajo përjetoi tetë arrestime, dhe më të rëndin e kujton atë që kishte ndodhë në Istog, ku e kishin arrestuar në prani të fëmijëve. Traumat që ua shkaktoi fëmijëve përgjatë gjithë jetës, Luljeta Pula i ka peng edhe sot, dhe sikur përcolli te fëmijët e saj fatin e fëmijërisë së humbur. Ajo nuk kishte fëmijëri, dhe fëmijëri të rehatshme nuk u fali as vajzës e as djalit të saj.
“Ishte një konferencë që do të mbahej në Gjermani, dhe në makinë kisha materialet e asaj konference. Isha me bashkëshortin dhe dy fëmijët e mi në makinë kur na ndali policia. Gjatë bastisjes më gjetën materialin dhe na urdhëruan menjëherë, edhe mua edhe bashkëshortin që të shkonim në polici. Na përcollën deri në stacion me tyta të automatikëve në shpinë, krejt këtë ngjarje e panë fëmijët e mi. Dhe neve na dërguan në stacion, fëmijët mbetën në makinë. Vajza ishte shtatë vjeçe, djali vetëm pesë. Ju luta, u thash që me mua të bënin çfarë të donin, sepse, kur kam hyrë në këto punë i kam ditë edhe pasojat, por i luta që të më lejonin që ta thërras kunatin që të vij e ti merrte fëmijët. Nuk më lejuan, më thanë se kur punon kundër shtetit jugosllav, duhet të jesh e gatshme edhe për pasojat. ‘Edhe fëmijët e tu janë punë e jona’, më thanë policët serb. E përderisa më merrnin në pyetje, nga zyrat e dëgjoja vajin e vajzës në makinë.
Pas një kohe u ndal vaji, tmerrin e asaj qetësie nuk e kam harru kurrë. Se nuk e dija se pse s’po qante më vajza, por kur dola nga aty, e kuptova që njëri nga policët ishte sjell shumë mirë me fëmijët, kishte arrite që ti qetësonte. Ia di shumë për nder atij polici serb, që nuk e gjeta kurrë që ta falënderoja, sepse ai bëri një punë shumë të madhe për qetësimin e fëmijëve të mi”, vazhdon Luljeta Pula.
Tetë arrestime dhe rreth 30 ftesa për marrje në pyetje është bilanci i ballafaqimit të Luljeta Pulës me policinë e atëhershme jugosllave
Tetë arrestime dhe rreth 30 ftesa për marrje në pyetje është bilanci i ballafaqimit të Luljeta Pulës me policinë e atëhershme jugosllave. Disa përfundonin me disa orë qëndrim, e disa zgjatnin edhe me ditë. Dhe kur e pyes se si ishte të kaloje natën në burgjet jugosllave, ajo thotë se edhe në ato raste se kishte hallin e saj, por të fëmijëve. Ishte përvjetori i Kuvendit të Bujanit kur u arrestua përsëri në prani të vajzës, dhe me atë rast e mbajtën më gjatë në burg.
“Ishte përvjetori i Kuvendit të Bujanit dhe organizuam një konferencë. Ishte viti 1996. Nuk kishim para për organizime të tilla dhe pata ftuar vajzën me shoqet dhe shokët e saj që ta këndonin himnin kombëtar. Brenda asaj konference hynë policia jugosllave dhe më arrestuan përsëri në prani të vajzës. Edhe këtë arrestim e kam shumë peng, se, përpos që më arrestuan në prani të vajzës, atë natë ishte edhe nata e Vitit të Ri, dhe ju prisha festën krejt familjes”, kujton Luljeta Pula ballafaqimet me sigurimin e asaj kohe, që ishte me shumë kërcënime e shantazhe.
Aktivizmi i saj për çështje kombëtare ditë për ditë po ndërtonte mozaikun e figurës së Luljeta Pulës, dhe po nga ky aktivizëm ajo bartë mbi supe tituj të prijëses për shumë procese, që nuk i kishte asnjë grua në rajon dhe historia di ti dhurojë vetëm njëherë.

Ajo është gruaja e parë që drejtoi një Shoqatë të Gruas Politike, ishte gruaja e parë që drejtoi një parti politike dhe gruaja e parë që u kandidua si presidente e vendit. Grua që kapërceu mendësinë e kohës se gratë mund të merren edhe me politikë, dhe jo vetëm me trajtim të çështjeve të grave dhe te fëmijëve.
Këto përplasje ishin në kohën kur drejtonte Shoqatën e Gruas së LDK-së (Forumi I Gruas së LDK-së) ku burrat e asaj kohe i kishin thënë se me gratë nëpër terren nuk duhej të fliste për politikë, po për rolin e tyre si gra e si nëna. Luljeta Pula shpjegon më tutje se ky adresim nga burrat bëhej më qëllim, se ata e kuptuan se gruaja po fuqizohej, dhe sipas tyre, shoqata e gruas nuk guxonte të dilte paralel me fuqinë e partisë ku dominohej nga burrat.
“U zgjodha kryetarja e parë e Shoqatës së Gruas në LDK dhe aktiviteti ishte i jashtëzakonshëm, për shtatë muaj tubuam 80 mijë gra. Bënim shumë aktivitete, protesta, aktivitete të padëgjueshmërisë së qytetarëve. Kishte aktivizëm të hatashëm të grave edhe nga fshatrat më të thella. Po burrat e LDK-së shumë shpejt e panë një rrezik prej shoqatës, dhe më akuzuan mua që po e minoja LDK-në, se sipas tyre gratë nuk kanë pse të merreshin me politikë. Dhe sipas tyre, shoqata e gruas duhet të merrej vetëm me gruan dhe rritjen e fëmijëve. Të gjithë burrat që ishin anëtarët e kryesisë së LDK-së me akuzuan, të gjithë, vetëm se disa e miratuan në heshtje, e disa të tjerë ishin shumë të zëshëm. Atë ditë kur deshën të më shkarkonin, e në fakt unë nuk lejova të vinte deri te shkarkimi, sepse dhashë dorëheqje. Shkova të Ibrahim Rugova dhe kërkova që të më përkrahte, që të mos lejonte shkatërrimin e gjithë asaj pune që e kishim ndërtuar. Sepse, sikurse i thash edhe Rugovës në atë takim, se vetëm gruaja mund të bëj sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për atë se çfarë po ndodhte në Kosovë. Më premtoi se do të më përkrahte, por në fakt në mbledhjen e kryesisë nuk e bëri. Më sulmuan anëtarët e kryesisë së LDK-së, por i kishin mobilizuar edhe gratë e kryesisë së Shoqatës, e kuptova se këtu më nuk do të mund të epja kontributin tim dhe dhashë dorëheqje, nuk prita që të më shkarkonin”, rrëfen Luljeta Pula për goditjen e parë që mori nga partia ku edhe kishte kontribuar shumë, dhe se sipas saj, pas dorëheqjes së saj, Shoqatës ia ndërruan edhe emrin nga Shoqatë në Forum dhe me këtë rast ia morën edhe autonominë, me të vetmin qëllim, që Forumi I Gruas së LDK-së të merrej veç me çështje të gruas dhe fëmijëve. “E ne, në çfarë rrethana ishim, nuk mund të merreshim vetëm te gratë dhe fëmijët, sepse nuk ishte një gjendje normale, por ishte gjendje lufte”, rrëfen Luljeta Pula.
Pikërisht kjo periudhë ishte kur shumica prej burrave të LDK-së e akuzuan për kapërcim kompetencash, dhe se sipas tyre ajo duhej të merrej me gratë dhe fëmijët.

Dhe erdhi pikërisht një moment kur me fëmijët duhej të merreshin jo vetëm gratë, por edhe burrat. Ishin helmimet e nxënësve në Kosovë, helmime që u bënë nga serbet, dhe pikërisht këto helmime, Luljeta Pulën e shpërfaqën në të gjitha mediet e Beogradit. Ishte gruaja më e komentuar e kohës, sepse, në Televizionin e Beogradit ishte po Luljeta Pula ku ua përplasi të vërtetën në fytyrë, gjë që se bënë burrat e Kosovës. Ose thënë më ndryshe, kur u morr me politikë, i thanë se duhet të merrej me gratë dhe fëmijët, dhe kur u desh të merreshin me fëmijët, burrat e kohës këtë barrë ia lanë një gruaje.
Luljeta Pula kujton se ka shkuar ti lus të gjithë doktorët e Spitalit të Prishtinës që të shkonin me të dhe të argumentonin për pasojat e helmimeve të nxënësve, sepse, sipas saj, ndryshe do të ishte kur do të argumentohej prej fushës së mjekësisë, por asnjë nuk u përgjigj pozitivisht, përpos dy burrave. Ishte Bujar Bukoshi dhe Kajmak Gazideda që kishin vendosë ta shoqëronin Luljeta Pulën për intervistën e famshme në Beograd, por ajo tregon se që të dy kishin edhe pasaporta shqiptare, dhe ishte rrezik që këtë detaj ta përdornin më pas serbet, dhe për këtë fakt, ajo vendosi të shkonte e vetme.

“Shkova vet në Televizionin e Beogradit, në atë emision u ballafaqova me serbet, me krerët më të fuqishëm intelektuale dhe ushtarake të Serbisë, me gjashtë akademikë dhe një gjeneral ushtrie, ku tregova të vërtetën se çfarë kishte ndodhë me fëmijët tanë. Kur u ktheva, u prita si heroinë. Nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte, se përgjatë jetës sime kisha bërë vepra edhe më të mëdha që e kisha rrezikuar jetën time dhe të familjes sime edhe me shumë, por dalja ime në Televizionin e Beogradit u vlerësua shumë, mbeti në mendjen e popullit. Nuk kish njeri që nuk më ndalte në rrugë dhe të më përgëzonte, dhe jo vetëm populli im, por më uruan prej krejt ish Jugosllavisë”, kujton Luljeta Pula.
Pas përfundimit të etapës me LDK-në, Luljeta Pula merr një ofertë tjetër. Të jetë drejtuesja e parë grua në një parti politike, gjë që as nuk ishte në imagjinatën e kohës e lëre më te jetësohej. Tre muaj mëdyshje, pikëpyetje, hezitim e ndanë Luljeta Pulën deri te vendimi, dhe pas tre muajve ajo pranoi që të jetë kryetarja e Partisë Social Demokrate, dhe ky vendim historik ndodhi në vitin 1992.
Luljeta Pula e kujton atë kohë me shumë dinamikë, e cila rolin e kryetares së partisë e kishte marr në vitin 1992, punë që pëlqehej nga masa, pasi që priroritet të partisë kishin interesin nacional, dhe po sipas Pulës, pikërisht performanca e jashtëzakonshme e partisë që e udhëhiqte dhe dallimi i deklaratave të PSDK-së prej atyre të LDK-së, u bë rrezik për këta të fundit, dhe sipas Pulës, filluan angazhimin për përçarjen e partisë, me qëllim të mënjanimit të Pulës prej aktivitetit politik. Dhe pikërisht duke pas si qëllim mënjanimin e saj prej aktivitetit politik, thirrën Kuvendin dhe shkarkuan Luljeta Pulën nga pozita e kryetares.
“Filluan punën në përçarjen e partisë, ideja kryesore ishte mënjanimi im politik, kjo ndodhi në vitin 1994. Fraksioni i ndarë nga partia mbajti një Kuvend farsë, dhe ky fraksion e ky kuvend udhëhiqej nga Fehmi Agani, edhe pse, kam pas shumë respekt për të, dhe më shkarkuan nga pozita e kryetares, dhe ky fraksion që ishte ndarë nga trungu i partisë, u proklamua si partia e vetme dhe e vërtetë Socialdemokrate”, shpjegon Pula, e cila këtë periudhë e vuajti sepse asnjë prej medieve nuk iu ofrua që të shpjegonte të vërtetën që po ndodhte.
“Krejt mediet kontrolloheshin prej LDK-së dhe asnjë nuk guxonte të më intervistonte. Atëherë e kam thirr Elez Biberaj dhe i kam thënë, më jep vetëm tre minuta kohë televizive në Radion e Zërit të Amerikës. Aty e kam shpjeguar situatën dhe pas kësaj dalje publike, fraksioni politik u detyrua të shpjegohet se janë dy parti social demokratike. Dhe pas kësaj, unë vazhdova punën me mbështetjen e të gjitha degëve të Kosovës, përpos që Gjakova nuk ma dha mbështetjen”, tregon Luljeta Pula e cila ishte në krye të kësaj partie deri në periudhën e pasluftës.
Përçarjen e kemi në AND, nuk kemi qenë të bashkuar as kur është bërë lufta
Luljeta Pula, një ndër gratë e pakta aktive në vitet e 90-ta, e vetmja që drejtoi shoqatë e parti si grua, përpos që kishte shumë përballje me pushtuesin, nuk e kishte të lehtë edhe me ndërskamcat e brendshme.
“ Unë kam luftuar kundër Serbisë, por kam luftuar edhe në ndërskamcat e brendshme. Duhet ta pranojmë këtë problem të popullit tonë, e kemi në ADN-në shqiptare, dhe nuk kemi se si ta ndryshojmë këtë fakt. Njihemi për përçarjet e brendshme, bajraktarizmin, idesë për me qenë i pari, xhelozinë dhe shumë e shumë veti negative që i bartim në popull, me ADN-në tonë.”, thotë Luljeta Pula.
“Këto përçarje na kanë kushtuar shumë si popull, përgjatë gjithë historisë. Ne nuk kemi qenë të bashkuar as kur është bërë lufta. Në njërën anë luftohej, e në anën tjetër Ibrahim Rugova dilte me deklaratë se UÇK-ja është dorë e zgjatur e Serbisë dhe e UDB-së jugosllave. Kjo deklaratë nuk u përgënjeshtrua asnjëherë, nga askush”, thotë Luljeta.
Gruaja që barti për shumë herë epitetin e prijëses, tashmë po provonte edhe një moment tjetër, si gjithnjë si e para grua në Kosovë. Kandidimin për presidente të Kosovës, si e vetmja kundërkandidate e Ibrahim Rugovës.
“Në fakt, e dija se nuk do të fitoja, por me kandidimin tim dëshiroja të tregoja para të gjithëve se ne ishim një vend që synonim demokracinë, dhe me kandidimim tim tentoja të fusja po këtë element, demokracinë e synuar. Dhe faktin tjetër që doja ta argumentoja ishte se, edhe përkundër rrethanave tejet të vështira, doja të dërgoja mesazhin se edhe gruaja mund të udhëheqë po në këto rrethana”, vijon Pula, e cila tregon më tutje se kandidimi i saj nuk mbeti gjatë, sepse ndodhi masakra e Likoshanit, dhe në dhimbjen e humbjes së gjithë atyre viktimave, dhe zhvillimit të përgjithshëm në Kosovë, ajo kishte tërheqë kandidaturën, vendim që sipas saj ia kishte kumtuar edhe Ibrahim Rugovës, se Partia Social Demokrate nuk është për zgjedhje, se ajo si kryetare e partisë dhe kandidate për presidente kishte tërheqë kandidaturën, me arsyetimin se në Kosovë nuk duhej të mbaheshin zgjedhjet, në një kohë kur një krahinë e vendit po digjej nga lufta.
“Dhe prej atij takimit me Rugovën, shkova në Likoshan dhe e thashë atë fjali ‘Fajtor për këtë terror që Serbia po e bën në Kosovë, është jo vetëm regjimi kriminal i Serbisë, jo vetëm injorimi i faktorit ndërkombëtar por edhe lëvizja politike e Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën”, kujton Luljeta Pula, e cila atë moment e kujton si momentin më linçues të jetës së saj.
“Unë nuk kuptoja as çfarë është duke ndodhë, nuk e kuptoja as ku gabova. Unë e thash atë që e mendova, sepse kishim 11 kufoma para nesh, në mesin e të vrarëve ishte edhe një grua shtatzënë, dhe si mund të mos reagoja, kur unë isha nënë, isha grua, nuk mund të mos reagoja dhe të mos thosha atë se çfarë mendoja”, vazhdon Pula, e cila edhe sot këmbëngulë se pasojat që po i vuante populli shqiptar, vinin edhe si rezultat i rezistencës paqësore ekstreme. “E koha e rezistencës paqësore shihej se kishte marr fund, kur shihje se serbet na kishin hyrë në prag të shtëpisë”, tregon Pula, e cila kujton Hamzë Jasharin që ishte njeriu që kishte ndikuar në uljen e tensionit në Likoshan, dhe e shpëtoi prej më të keqes.
Se kishte të drejtë që të kundërshtonte rezistencën paqësore ekstreme, sikurse e quante Luljeta Pula, ajo kujton se bashkë me Adem Demaçin, ishin të vetmet figura publike që e kishin mbështetur publikisht UÇK-në. Dhe, sipas saj, ishin periudha të vështira që të mbështetej publikisht dalja e UÇK -së, deklarata të Luljeta Pulës që u patën botuar edhe në mediet e Beogradit.
“Unë kisha rreth 90-të dëshmitarë, ku ishte edhe Hamzë Jashari, se si në vitin 1998, në Odën e Adem Jasharit kam bërë thirrje për luftë. E në të njëjtën kohë i kam pas dy fëmijë të vegjël vetëm 40 km larg prej vendit ku bëja thirrje për luftë. Nuk ka qenë e lehtë, por isha e vetëdijshme se ishte opsioni i vetëm që na kishte mbete, nuk kishte më kohë për rezistencë paqësore ekstreme”, kujton Pula, e cila shton se kjo thirrje e saj për luftë ishte vlerësuar lart nga Hamzai. E përderisa, në anën tjetër UDB-ja dhe forcat jugosllave deklaratat e kësaj gruaje po i futnin drejt një titullari të ri, si gruaja më e rrezikshme e Jugosllavisë.

Tre muajt e bombardimeve të NATO-s, tre muaj tmerri për Luljeta Pulën. U fsheh në tavanin e shtëpisë së Riza Alajt
Dhe një grua që motivoi kaq shumë shqiptarët, dhe në të njëjtën kohë ishte shndërruar një nga gratë më problematike për serbet dhe policinë jugosllave, koha e bombardimeve të NATO-së e gjeti në udhëkryq. Qëndrimi në banesën e saj ishte i pamundur, sepse ishte gruaja më e popullarizuar dhe më rebeluese e kohës. Për të lëshuar Kosovën nuk kishte mundësi, sepse nuk posedonte pasaportë, dokument që ia kishin konfiskuar policia serbe qysh në vitin 1995, dhe e fundit dhe më e dhimbshmja, asnjë nga familjarët, miqtë dhe të njohurit e tjerë nuk mund ti ofronin strehim, sepse ishte si të fusje bombën brenda mureve.
“Më njihnin të gjithë, jo vetëm politikanët serb, por edhe policët e trafikut, sepse isha shumë e pranishme në mediet e Beogradit. Ishte rrezik i madh të më merrnin, i kuptoja. Por më dhimbte shpirti në anën tjetër, unë nuk kisha punuar për vete, por për një çështje shumë më të madhe. Miqtë, dashamirët, shokët, shoqet, u zhdukën të gjithë. Ne mbetëm në rrugë ditën e 24 marsit të vitit 1999”, kujton Pula, e cila duke qenë e vetëdijshme se nuk mund të qëndrojë në shtëpinë e saj, menjëherë pas largimit të saj, policia serbe e kishte kërkuar në banesën e saj në Dardani, ku kishin shkatërruar gjithçka dhe kishin maltretuar të gjithë fqinjët e saj. “Po kërkojmë atë ambasadoren” u kishin thënë fqinjëve të mllefosur, kujton Luljeta, të cilës pas luftës i është dashur edhe njëherë të përgatisë doktoraturën, pasi që serbet ia kishin marr materialin e sapopërfunduar për doktoratë.
“Rreth orës 14:00 të datës 24 mars të vitit 1999 më është lajmëruar Riza Alaj, atëherë drejtor i Televizionit të Prishtinës, dhe në një formë të prerë më tha që bashkë me familjen të shkojmë të shtëpia e tij në Breg të Diellit. Mënyra se si më tha e kuptova që periudhën e bombardimeve do ta kaloja në shtëpinë e tij”, kujton Pula.
Tavani i shtëpisë së Riza Alajt ishte bërë strehë për Luljeta Pulën, e cila e ndarë prej anëtarëve të familjes, qëndroi e fshehur për tre muaj.
“Tri herë kanë hyrë policia e armatosur, nga vrima e tavanit i dëgjoja. I drejtoheshin bashkëshortit tim se ku isha, ku isha fshehur. Mbaj në mend se ju thoshte se nuk jam në Kosovë, se kisha shkuar në Maqedoni”, kujton Pula, e cila në fakt, fëmijët I kishte dërguar në Maqedoni, një muaj pas fillimit të bombardimeve të NATO-s.
26-të vjet pas, kur flet për momentin e ndarjes nga fëmijët, shihet se është një moment që nuk është shëruar as tash. Luljeta Pula fshinë lotët përderisa më tregon se ai moment ishte momenti më i vështirë i jetës së saj, sepse, ishte moment që e kishte frikësuar se kurrë më nuk do ti shihte fëmijët e saj.
“Vëllai i mori fëmijët dhe i dërgoi në Maqedoni, vajza ishte 16 vjeçe kurse djali 14. Kurrë nuk e harroj momentin e ndarjes, ishte ndarje që nuk na siguronte nëse do të shiheshim prap. Një javë kam mbete e shtrirë prej pikëllimit, ishte momenti më i vështirë në jetën time”, kujton Pula e cila përpos ndarjes nga fëmijët, si periudhën më të rëndë e kishte përjetuar edhe hyrjen e forcave ruse në Prishtinë.
“Natën e fundit kur hynë rusët, e patëm fituar bindjen se nuk do të shpëtonim të gjallë. Shtëpi të djegura, mitralozë gjithandej, ishte natë shumë, shumë e frikshme”, tregon Luljeta Pula, e cila të nesërmen, më 12 qershor të vitit 1999, nëpërmjet një ushtari britanik, që ishte ndalë para shtëpisë së Riza Alajat, ajo e kishte ndjerë aromën e lirisë, aromën e sigurisë.
“Kur e kam pa ushtarin britanik që u ndal para shtëpisë, pata dëshirë të shkoja e ta përqafoja, por më ndali mendësia ime konservative, mendësi nga e cila nuk u ndava ndava kurrë”, shpjegon Luljeta, e cila nëpërmjet këtij ushtari shijoi lirinë, dhe me takimin e fëmijëve pas përfundimit të luftës ajo ndjeu se kishte përmbushë një kapitull të rëndësishëm, kapitull që ishte shtrirë në të gjitha etapat e jetës.

Më 12 qershor, lirinë e vërtetë e pa në figurën e ushtarit britanik, pas luftës, kapadainjtë e rinj ia rrëmbyen lirinë e ëndërruar
Dhe lirinë që e kishte parë më 12 qershor në figurën e ushtarit britanik dhe lirinë që e kishte ëndërruar prej kur ishte e vogël, pas luftës, në sytë e Luljeta Pulës nuk ishte forma e lirisë së ëndërruar.
“Erdhën këta kapadainjtë e rinj, dhe Kosovën e shndërruan në pronë të tyre, me arsyetimin se e bënë luftën. Shumë korrupsion, shumë hajni, shumë krime, shumë uzurpime të pronave, vrasje për prona. Çfarë lirie është kjo, ne nuk kemi luftuar për një vend të tillë”, shprehë pakënaqësitë Pula, e cila është e vetëdijshme edhe për pasojat e këtyre deklaratave, por vazhdon të këmbëngulë se nëse do të heshte, nuk do të jetë ajo Luljeta e fëmijërisë, e rinisë dhe e viteve më të rënda të Kosovës.
Ne emër të lirisë e në emër të luftës, sipas saj pjesa dërmuese e krahut të luftës përvetësuan në Kosovë, e Luljeta Pula edhe sot e kritikon ashpër këtë përvetësim, sepse, sipas saj, kontributi për vend, lufta për vend është obligim i secilit qytetar. Ajo është ndjerë e fyer edhe për pjesën tjetër, se një pjesë e atyre që luftuan sikur nuk e vlerësuan aktivitetin politik që e solli Kosovën deri në ditët e lirisë, duke përfshirë edhe aktivitetin e saj jetësor.
“Kurrë nuk e menduan se lufta politike gjithmonë i paraparin luftës së armatosur. Dhe duke harruar se lufta politike është shumë më e vështirë, sepse në luftë e ke një armë për tu mbrojtur, ndërsa në luftën politike gjithë kohën je i pambrojtur dhe super i ekspozuar. E demoralizuar deri në fund me mënyrën se si e patën përvetësuar Kosovën”, thotë Pula, e cila menjëherë pas luftës u tërhoq edhe nga politika, pas debaklit në zgjedhjet e vitit 2000.
Dhe u mënjanua, një grua që gjithë jetën e saj ia dedikoi lirisë së Kosovës, liria e këtij vendi e gjeti këtë grua të përjashtuar nga shoqëria. Një grua që me dekada u përball me forcat jugosllave, në periudhën e lirisë u la në harresë.
Se ishte e lënduar me këtë tretman të shoqërisë, ajo përmend edhe disa libra që botoheshin në periudhën e pas luftës, për gratë që kishin lënë gjurmë, dhe në këto libra ajo nuk e gjente emrin e saj. “Nuk ishte e lehtë ta përjetoja gjithë këtë anashkalim” tregon më tutje, e cila krejt akumulimin e përballjeve me dekada, kontributin e saj për një Kosovë të lirë, sfidave të mëdha, pengun për familjen, dhe në fund nënvlerësimi nga institucionet përgjegjëse e patën një çmim, dhe e pagoi. Një vit e më shumë e kaloi në përballje me një depresion të rëndë, e që në ato momente iu gjind familja, pikërisht ajo familje që dikur kishte nevojë për kujdesin e saj. E që Luljeta Pula e këmbeu për një familje më të madhe, për Kosovën.
Luljeta Pula punoi për 44 vjet si profesoreshë universitare dhe tash e 25 vjet nuk është aktive në jetën publike. Dhe kjo tërheqje, pavarësisht se shumë e dhimbshme, dha një rezultat tjetër. Përgjatë kësaj periudhe ajo shkroi dy libra: librin autobiografik “Rrëfimi i një jete për Kosovën” dhe “Helmimet, krimi dhe mashtrimi”, libër ky që i dedikohet helmimeve të nxënësve në Kosovë e që është përkthyer edhe në gjuhën serbe, sikurse që është duke punuar edhe në librin e tretë, e që sipas saj, brenda një periudhë të shpejt edhe do të publikohet.

Kjo figurë e rëndësishme e kombit shqiptar, që është shndërruar në një institucion moral për popullin e Kosovës kishte edhe një peng, rikthimin tek rrënjët, pagëzim që e realizoi përgjatë këtij viti në Kishën e Llapushnikut, e që ajo e vlerëson edhe si përmbushje të misionit të saj, atë të kauzës kombëtare.
“Desha me i tregu këtij kombi se kthimi është te rrënjët, të tradita, te civilizimi, te rrënjët e popullit tonë që janë të krishtera. E ardhmja e këtij populli është rikthimi, dhe do të punoj në këtë drejtim deri në frymën e fundit. E di nuk është e lehtë, dhe ky proces është shumë i vështirë, por duhet të kuptojmë të gjithë se është kauzë kombëtare”, tregon Luljeta, e cila e konsideron vetën të rikthyer qysh në vitin 1998, pagëzim që ishte penguar atëherë nga policia serbe, dhe këtë mision të saj e ka realizuar më 6 korrik të këtij viti.
Dhe se kishte mision edhe pagëzimin, ajo tregon se duke kërkuar në trungun e saj familjar nga ana e babait, ka gjetur se të parët e saj janë familje e krishterë, familje Nikaj-Mertur, hulumtime që datojnë në mes viteve 1600-1650, familje kjo nga rajoni i Dukagjinit të Shkodrës.
Luljeta Pula, kjo grua me profesion inxhiniere por që të gjithë e kanë njohur si gruan më të zëshme për bërjen e Kosovës vlerëson se nuk ka kohë për një pikënisje të re, sepse, sipas saj, koha e saj ka mbaruar, por për aq sa do të jetojë do të vazhdojë të punoj deri në fund të jetës për kombin dhe popullin e saj.
Dhe kjo grua, që edhe sot e konsideron si rolin më të vështirë të nënës, dhe të më të dashurin të gjyshes, prej këndvështrimit të një gruaje që veproi në rrethanat më të vështira të Kosovës, mbështetë përfshirjen e grave në shumë institucione, por asnjëherë atë përfshirje me kuotë, e cila e quan si kuotë të turpit, injorimit dhe nënvlerësimit profesional të gruas.
“Kuota nuk i shërben emancipimit, sepse emancipimi nuk bëhet me dekret. Ky vendim më ofendon si grua. Kurrë nuk do të pranoja që të ulem në një karrige sipas kuotës, do të më kishte cenuar angazhimin jetësor”, ka thënë për fund Luljeta Pula, që sipas saj angazhimi ka çmim, dhe se e ka paguar me një çmim shumë të lartë. / KultPlus.com


Kryeministrja Mette Frederiksen (S), Múte Bourup Egede dhe Jens-Frederik Nielsen pas një udhëtimi me helikopterin Sea Hawk nga anija inspektuese e Forcave të Armatosura Vædderen në ujërat rreth Nuuk, të enjten më 3 prill 2025. (Foto: Mads Claus Rasmussen/Ritzau Scanpix)
Hans Rustad / Document.no
Komiteti i Jashtëm i Folketingut u mblodh në ora 18:00 për një mbledhje të thirrur posaçërisht për Grønland (Groenlandën) dhe marrëdhëniet me SHBA-të. Ajo ndodhi në një dhomë pa dritare. Të gjithë celularët duhej të dorëzoheshin. Edhe gotat e kafesë ishin të ndaluara. Përfaqësuesit duhej të mund të flisnin lirshëm.
Mette Frederiksen ka marrë mbështetjen e Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë në një deklaratë ku ata mbështesin qëndrimin e Danimarkës për Groenlandën. Kjo konsiderohet një fitore diplomatike. Por nuk ndryshon asgjë.
Këshilltari i mëparshëm i sigurisë kombëtare për Trump, John Bolton, rekomandon danezëve të flasin më pak publikisht për Grønland dhe Trumpin dhe të zhvillojnë bisedat në forume të mbyllura.
Zyra e Kryeministrit dërgoi të martën deklaratën nga shtatë vende:
“Grönlanda i përket popullit të saj. Është çështje e Danimarkës dhe Grönlandës, dhe vetëm e tyre, të marrin vendime që lidhen me Danimarkën dhe Grønland”, thuhet në deklaratë.
Deklarata është dhënë në emër të kryetarëve të shteteve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës, Britanisë së Madhe dhe Danimarkës.
Deklarata konfirmon se Mbretëria e Danimarkës – duke përfshirë Grønland (Grønland – është pjesë e aleancës ushtarake të NATO-s.
“Siguria në Arktik duhet të arrihet kështu kolektivisht, në bashkëpunim me aleatët e NATO-s, duke përfshirë SHBA-në, duke respektuar parimet e Kartës së OKB-së, përfshirë parimet e sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së kufijve”, thuhet.
Këto janë parime ‘universale’, vënë në dukje udhëheqësit, të cilat ‘nuk do të ndalen së mbrojturi’.
“SHBA është një partner i rëndësishëm në këtë punë, si aleat i NATO-s dhe përmes marrëveshjes së mbrojtjes nga viti 1951 midis Mbretërisë së Danimarkës dhe SHBA-së”, thuhet në deklaratë.
Marrëveshjet për të cilat bëhet fjalë janë nënshkruar gjatë dhe pas luftës.
Marrëveshja e mbrojtjes që përmendet në deklaratën e udhëheqësve europianë u nënshkrua në vitin 1951.
Marrëveshja përcakton se SHBA – nën drejtimin e NATO-s – duhet të ndihmojë Danimarkën në mbrojtjen e Grønland (Grenlandës), dhe se SHBA duhet të ketë akses të lirë në të gjithë Grenlandën.
Ajo zëvendësoi një marrëveshje mbrojtjeje nga viti 1941, e cila u nënshkrua nga i dërguari i atëhershëm danez në Uashington, Henrik Kauffmann.
Marrëveshja u rinovua në vitin 2004 me Marrëveshjen e Igalikut, ku Grønland u përfshi për herë të parë si një nënshkrues i pavarur.
Burimi: Leksikoni Kombëtar i Danimarkës
Utenrikskomiteen i Folketinget samlet til hysj-hysj-møte om Grønland
_____
Shënime për Grønland
Në Grønland jetojnë gati 57,000 njerëz. Kjo është rreth një për qind e numrit të njerëzve që jetojnë në Norvegji.
Greenlandi është rreth gjashtë herë më i madh se Norvegjia; mbi 2 milion kilometra katrorë.
Në bazën e SHBA-së Thule në Greenlandin verior, ka 150 persona nga SHBA-ja.
Në një rreze prej 500 km nga Thule, ka më pak se 2,000 persona.
Danimarka paguan çdo vit 6 miliardë korona daneze – 10 miliardë korona norvegjeze – për banorët e Greenlandit.
SHBA-ja ka një nevojë për siguri kundër “çmendurve” të botës dhe dëshiron të ndërtojë një mbrojtje raketore.
A nuk është e mundur që danezët të ndjehen pak më pak të fyer nga deklaratat e Donald Trump-it? A nuk e kuptojnë që ajo që ai thotë është pjesë e një loje negociatash dhe më shumë për lëvizjen e tij MAGA?
Izraeli është vendi i parë në botë që ka njohur rajonin separatiste somalez Somalilandin si shtet të pavarur, dhe të martën ministri i Jashtëm Gideon Saar vizitoi qytetin Hargeisa përkundër protestave nga Somalia. Foto: AP / NTB
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, vizitoi të martën rajonin separatist somalez Somaliland, të cilin Izraeli e ka njohur së fundmi si shtet të pavarur.
Saar njofton në X se gjatë vizitës zhvilloi biseda me presidentin e Somalilandit, Abdirahman Mohamed Abdullahi, në Hargeisa.
Izraeli është vendi i parë në botë që ka njohur Somalilandin si shtet të pavarur, një veprim që Somalia e ka dënuar me fjalë të ashpra.
Departamenti i Jashtëm i Somalisë dënoi gjithashtu të martën vizitën e Saar në Hargeisa dhe e quajti atë një shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Agjencia e lajmeve AP raportoi në mars të vitit të kaluar se SHBA-ja dhe Izraeli po vlerësonin transferimin e detyrueshëm të palestinezëve nga Gaza në Somaliland dhe vende të tjera afrikane.
Sipas disa mediave, Izraeli gjithashtu ka plane për të përdorur Somalilandin si bazë për sulme kundër Houthive të mbështetur nga Irani në Jemen.
Autoritetet në rajonin separatist mohojnë sipas Haaretz që të dyja gjërat janë të vërteta.
Sidoqoftë, Saar konfirmon se Izraeli planifikon një bashkëpunim strategjik
me Somalilandin në disa fusha, përfshirë edhe mbrojtjen, shkruan gazeta izraelite.
(©NTB)

Shkruan: Don Fran Sopi, Pejë
Sot, më 6 janar, Kisha Katolike në mbarë Kosovën, Shqipërinë ashtu si edhe Kishat e tjera në botë, kremton dhe përkujton ardhjen e tre Mbretërve Dijetarë në Shpellën e Betlehemit dhe momentin e adhurimit të Jezusit, Foshnjës Hyjnore, nga ana e tyre. Me këtë kremte, Kisha na bën të ditur se Jezu Krishti nuk ka ardhur vetëm për izraelitët, por për mbarë botën, pra edhe për ne shqiptarët. Pas lindjes së Krishtit, Atë e vizitojnë barinjtë, njerëz të thjeshtë. Sot, megjithatë, Atë e vizitojnë Tre Dijetarët apo Tre Mbretërit, të cilët i sjellin jo vetëm dhurata të çmueshme, por edhe e nderojnë Jezusin si Mbret. Sipas traditës së Kishës së Krishterë këta Tre Mbretër ishin Gaspri, Melhiori dhe Baltazari. Rrugën për në Betlehem ua tregoi Ylli. Besimi ynë në Krishtin duhet të jetë sikurse ky Yll ndriçues në përditshmërinë tonë, që na udhëheq drejt së vërtetës dhe të mirës së përgjithshme.
Gjatë këtij solemniteti bëhet gjithashtu bekimi i ujit, me të cilin meshtari i Kishës e bekon familjet dhe pasurinë tonë. Prandaj, jemi të ftuar të përgatitemi shpirtërisht për ta pranuar bekimin e Zotit, me të cilin do të vazhdojmë rrugëtimin tonë gjatë vitit kalendarik të sapofilluar ditë më parē. Në përvojën e krishterë, bekimi nuk është thjesht një zakon i trashëguar apo një gjest simbolik, por një akt i thellë besimi. Përmes bekimit, njeriu i drejtohet Zotit me falënderim dhe lutje, duke ia besuar jetën, familjen dhe të ardhmen e vet hirit hyjnor. Bekimi është njëkohësisht lavdërim i Hyjit dhe hapje e zemrës ndaj veprimit të Tij.
Këtë e shpreh bukur Shën Pali, kur thotë: “Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell, në Krishtin” (Ef 1,3). Në këtë fjalë apostolike shohim lidhjen e pandashme ndërmjet lavdërimit që i bëjmë Zotit dhe bekimit që Ai derdh mbi ne. Që nga shekujt e parë, Kisha ka zhvilluar rite dhe formula bekimesh, si në liturgji ashtu edhe në jetën e përditshme të besimtarëve. Këto bekime shoqërohen me lutje, me lexim të Fjalës së Zotit dhe me gjeste shenjëruese, si shenja e Kryqit, shtrirja e duarve dhe spërkatja me ujë të bekuar.
Edhe në traditën e popullit tonë shqiptarë, bekimi i familjeve dhe i shtëpive lidhet veçanërisht me festën e Dëftimit të Zotit, e njohur gjerësisht si Dita e Ujit të Bekuar. Megjithatë, pavarësisht kohës kur kryhet, thelbi mbetet i njëjtë: Jezusi, përmes Kishës së vet, hyn në shtëpitë tona për të sjellë paqe dhe gëzim. Vetë Krishti na porosit në Ungjillin sipas Lukës: “Në cilëndo shtëpi që të hyni, më parë thoni: ‘Paqja qoftë mbi këtë shtëpi!’” (Lk 10,5). Pra, festa e Epifanisë na ndihmon ta kuptojmë më thellë këtë realitet. Fjala Epifani do të thotë Shfaqje që do të thotë se Zoti nuk mbetet i fshehur, por shfaqet dhe flet. Ai u tregon njerëzve kush është dhe sa shumë i do. Epifania lidhet me ardhjen e Dijetarëve nga Lindja, por shkon edhe më thellë, sepse na zbulon Jezusin si Dritën e botës dhe si Birin e dashur të Atit, të shpallur në Pagëzimin e Tij në lumin Jordan. Pas Pagëzimit të Jezusit, qielli hapet, Shpirti Shenjt zbret mbi Të dhe dëgjohet zëri i Atit: “Ti je Biri im i dashur; në Ty kam pëlqimin tim” (Mk 1,11).
Kjo është zemra e Epifanisë-Shfaqjes dhe Zoti flet, qielli hapet dhe njeriu e kupton se nuk është i braktisur. Dhe kjo është një Lajm i Madh edhe për ne, sepse ajo që ndodhi me Krishtin ndodh edhe me ne në Pagëzim. Pra, edhe mbi ne hapet qielli, edhe ne bëhemi bij e bija të Zotit, të thirrur të jetojmë në bashkësi, ku askush nuk është i huaj dhe askush nuk është vetëm. Pikërisht kjo ditë na shpie edhe te rrënjët tona si popull. Dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip veç tjerash lidhet edhe me Pagëzimin. Në letrën e arqipeshkvit të Durrësit, imzot Pal Engjëlli i cili ishte bashkëpunëtor i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ruhet formula e shenjtë e Pagëzimit. Kjo dëshmon se për shqiptarët feja, gjuha dhe jeta kanë qenë gjithmonë të ndërthurura ngusht me njëra tjetrën.
Në këtë Ditë të Ujit të Bekuar, thirrja e Kishës është e qartë, veçanërisht për të rinjtë: të kthehemi te Pagëzimi ynë, të mos e shohim fenë si diçka të largët apo të vjetruar, por si burim jete dhe shprese. Në një botë që shpesh na huton dhe na largon nga vetvetja, uji i bekuar na kujton se Zoti na dëshiron të pastër, të gjallë dhe plot guxim. Të bekojmë shtëpitë tona, por mbi të gjitha të bekojmë jetën tonë duke jetuar si të pagëzuar: me dashuri, ndershmëri dhe përgjegjësi. Qielli që u hap mbi Jordan vazhdon të qëndrojë i hapur mbi çdo njeri që zgjedh të jetojë si bir apo bijë e Zotit, i rrënjosur në fe, në Pagëzim dhe në shpresën që nuk zhgënjen.
Në këtë event solemniteti të shenjtë të Epifanisë – Shfaqjes së Zotit, le ta lejojmë dritën e Krishtit të hyjë thellë në zemrat, familjet dhe në rrugët tona jetësore. Ashtu si Ylli i Betlehemit, që i udhëhoqi Dijetarët drejt Shpëtimtarit, edhe feja jonë le të bëhet dritë që ndriçon errësirat, forcon shpresën dhe na udhëzon drejt së mirës së përgjithshme.
Prandaj, edhe ne shqiptarët, le të rikthehemi me vetëdije te rrënjët tona të para dhe te Pagëzimi ynë, burimi i identitetit tonë të krishterë, dhe ta jetojmë atë çdo ditë me dashuri, paqe dhe përgjegjësi. Zoti që u shfaq në Krishtin nuk është larg nesh, që do të thotë se Ai ecën me ne, bekon jetën tonë dhe na fton të jemi dëshmitarë të dritës së Tij në botë.
Paqja e Krishtit qoftë mbi shtëpitë tona dhe mbi mbarë popullin tonë Shqiptarë!
Më 6 janar 2026