Kreu Blog Faqe 354

Maskat bien në Gaza

0

Dyshekë dhe një karrige plastike shtrihen në tokë brenda një tuneli në Rafah në Rripin e Gazës më 8 dhjetor 2025. Foto: Sam Mednick / AP / NTB.

 

Pas muajsh pune për përkthimin e dokumenteve në gjuhën arabe të sekuestruara nga ushtria izraelite në Gaza, NGO Watch më në fund mund të zbulojë se çfarë ka ndodhur vërtet në enklavën e sunduar nga Hamasi. Dhe kjo nuk është një pamje e bukur.

NGO Watch duhet të arrijë në përfundimin se praktikisht të gjitha të ashtuquajturat organizata humanitare që veprojnë në Gaza janë kontrolluar nga Hamasi, i cili ka qenë në gjendje të administrojë miliarda në ndihmë ndërkombëtare sipas gjykimit të vet – që do të thotë se shumë organizata ndihme (NGO Watch ka identifikuar 50) në realitet kanë paguar për terrorin dhe propagandën politike të Hamasit.

Organizatat – përfshirë aktorë të njohur si UNRWA, Mjekët pa Kufij, Oxfam dhe Save the Children – nuk mund të kenë pasur asnjë dyshim se për çfarë janë shpenzuar paratë. Rastësisht, Hamasi kërkoi si kusht për të vepruar në Gaza që një përfaqësues i Hamasit të përfshihej në udhëheqjen e tyre lokale, i cili më pas mund të mbikëqyrte aktivitetet e tyre.

Dokumentet tregojnë gjithashtu se çdo spital në Gaza ka pasur një repart të Hamasit – për të cilin Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) sigurisht që kanë qenë në dijeni, dhe gjë që mund të shpjegojë pse IDF ka bombarduar vazhdimisht spitalet pranë tyre.

Por sipas NGO Watch, është gabim të konsiderohet korrupsioni masiv si një problem lokal. Një pjesë e ndihmës financiare që shkon për Hamasin ridrejtohet për të financuar aktivizmin e Hamasit në Perëndim, për të paguar punonjësit me paga të larta në xhami dhe për të financuar demonstratat pro-palestineze, të cilat janë padyshim të organizuara mirë dhe të mirëorganizuara në kryeqytetet perëndimore.

Me fjalë të tjera, qeveritë e rreth 30 vendeve që në realitet përbëjnë “bashkësinë ndërkombëtare” dhe që derdhin shuma të mëdha parash në “ndihmë” për banorët e varfër të Gazës, po ndihmojnë për të paguar për rënien e tyre.

Sipas vlerësimeve të ndryshme, rindërtimi i Gazës do të kushtojë rreth 80 miliardë dollarë. Pyetja e madhe është se kush do të kontrollojë përdorimin e këtyre fondeve. Nëse janë “organizatat e ndihmës”, e dimë se si përfundon kjo.

Përfundon duke mbështetur terroristët dhe propagandën antisemite.

Maskene faller i Gaza

Kelmendi: Mënyra e imponimit të marionetës Kurti (2)

1

Ibrahim Kelmendi, Gjermani

MËNYRA E IMPONIMIT TË MARIONETËS KURTI / (Vazhdimi i dytë)

Ish-bashkëveprimtarja Sadete Zhitia ka pyet Inteligjencën Artificiale (IA) për ato që kam shkruar mbi Kurtin në pjesën e parë të këtij fejtoni. Qysh në fillim IA është përgjigj:
“Nuk ka prova të besueshme që Albin Kurti është marionetë e Serbisë. Ky është një qëndrim politik i Ibrahim Kelmendit, por nuk mbështetet nga fakte të verifikuara. Përkundrazi, Kurti ka qenë vazhdimisht kritik ndaj politikave serbe dhe ka artikuluar qëndrime të forta kundër ndikimit të Beogradit në Kosovë.”
Por a ka IA prova të besueshme se Kurti nuk është marionetë e Serbisë? Jo. Prandaj edhe IA detyrohet të përdorë deduksion logjik, duke arsyetuar se Kurti nuk mund të jetë marionetë, meqë “ka qenë vazhdimisht kritik ndaj politikave serbe dhe ka artikuluar qëndrime të forta kundër ndikimit të Beogradit në Kosovë”.
Për ta ilustruar se sa spekulativ është ky deduksion, po sjell një rrëfim të shkrimtarit Ramiz Kelmendi, i cili shpjegon mënyrën se si afirmoheshin marionetat e UDB-së:
“Në vitet ’50, UDB-ja e Beogradit e angazhoi Martin Camajn në gazetën “Rilindja” [ish-gazetën komuniste, organ i LDPP-së], sepse u besonte më shumë shqiptarëve që ishin arratisur nga Shqipëria dhe kishin marrë azil politik në Jugosllavi sesa shqiptarëve vendas – për t’i survejuar kolegët. Camaj, pasi ishte arratisur nga Shqipëria, u sistemua mirë si në studimet e sllavistikës në Beograd, ashtu edhe me banim në hotelin famëkeq ‘Slavia’. Madje, kryetari i komunës së Beogradit e bëri dhëndër, duke ia “dhurua” vajzën e tij për grua Martinit azilant.
Pasi na është imponua në Rilindje, Camaj vishej herë pas here me rroba folklorike shqiptare – tirq, plis të bardhë, kobure në brez – dhe bredhte nëpër shëtitore të Prishtinës duke imituar Dedë Gjo Lulin, si pjesë e taktikës për afirmimit si patriot i përflakët. Praktikonte edhe kritika pompoze kundër politikës serbomadhe…” (perifrazim)
Pra, UDB-ja – atëherë e komanduar nga Rankoviqi famëkeq, ministër i Brendshëm dhe zëvendëspresident i RSFJ-së – e kishte udhëzuar Martinin të fliste e të vishej pikërisht kështu, sepse shqiptarët naivë do ta besonin si “patriot shqiptaromadh”.
As sot UDB-ja (gjegjësisht pasuesja e saj, BIA) nuk lëshon dëshmi se Martin Camaj ishte marionetë e saj.
Kush e ka lexuar romanin “Mërgata e qyqeve” të shkrimtarit Nasho Jorgaqi, gjen informacion të hollësishëm se si Sigurimi i Shtetit i Shqipërisë e kishte përgatitur dhe afirmuar personazhin Manush Kelmendi (emri i vërtetë Jusuf/Cuf Emrullahu) për ta infiltruar si spiun në “emigracionin reaksionar” në Bruksel, konkretisht në Partinë e Legalitetit të “mbretit” Ahmet Zogu (edhe ai marionetë e Beogradit).
Cuf Emrullahun e kam takuar personalisht në Durrës gjatë vere 1991. Nga bisedat me të u binda se shërbimet sekrete, pothuajse kudo, përdorin metoda të ngjashme. Nuk më besohet se SHISH-i (pasues i Sigurimit) do të lëshonte tani dëshmi që z. Emrullahu kishte qenë marionetë e Sigurimit.
PSE, atëherë, nuk do të kishte interes RDB-ja (pasuese e UDB-së) ta rekrutonte Kurtin qysh në rininë e tij studentore, ashtu siç duhet ta ketë rekrutuar edhe Hashim Thaçin? A nuk i duheshin asaj marioneta të reja, ambicioze dhe të shkathëta, si këta dy?
Për mua ka mjaftuar fakti se regjimi fashistoid i Millosheviqit e toleroi gjatë luftës angazhimin e Kurtit në të ashtuquajturën “Zyra e UÇK-së” në Prishtinë – e ngritur sipas skenarit të RDB-së. Si mund të pres sot dëshmi nga BIA për ta bindur edhe IA-në se Kurti ishte dhe është marionetë e Beogradit, kur agjenturat serbe kurrë nuk kanë lëshuar dëshmi të tilla për askënd?
Nga ato që kam paraqitur në pjesën e parë rezulton se Kurti është faktorizuar dhe imponuar ngjashëm me Hitlerin dhe Millosheviqin, por pa bindje të sinqerta personale, autentike – sepse marionetat nuk kanë autonomi ideopolitike. Sloganet dhe angazhimet e tij agresive, në dukje nacionaliste, ishin simulime për t’i nervozuar ndërkombëtarët, rrjedhimisht, për ti penguar negociatat për shtetëzimin e Kosovës. Slogane fashistoide zgjedhore të LVV-së – “krejt dhe drejt”, “cep më cep” dhe tani “mos lësho pe” – ngjajnë me “America First” të Trump-it apo “Deutschland über alles” të Hitlerit. Por Kurti i përdori për kamuflim patriotik. Në thelb, Kurti ishte i urdhëruar nga Beogradi të simulonte agresivitet revolucionar, me qëllim që negociatat për statusin e Kosovës të dështonin.
As parullat “bashkim kombëtar” dhe “jo negociata – vetëvendosje” nuk ishin të sinqerta, por slogane për komplotimin e pavarësisë. Këtë e dëshmon fakti se, sapo Kurti e avancoi LVV në parti politike dhe filloi luftën për pushtet, i braktisi ato, sepse nuk i shërbenin më qëllimit komplotist. Më pas, ai e orientoi angazhimin e tij drejt keqtrajtimit arrogant të minoritetit serb në Kosovën veriore, për ta shfajësuar Serbinë për krimet e saj deri në qershor 1999 dhe për ta komprometuar shtetin tonë si shovinist e diskriminues – çka na solli sanksione nga BE-ja, SHBA-ja, Britania…

SHPËRDORIMI I PRIVATIZIMEVE

Kurti e shpërdori me mjeshtëri edhe procesin e privatizimit të ndërmarrjeve, fabrikave dhe kooperativave me pronësi të padefinuar – privatizim i nisur nën administrimin e UNMIK-ut në vitin 2002.
Ta zëmë, edhe vëllai im i madh, Jashari – gastarbajter në Berlin që nga viti 1969 – u kthye për të punuar në një firmë autopjesësh në Pejë, sepse paga pothuajse i barazohej asaj në Berlin. Sipas Rregullores së UNMIK-ut për privatizim, edhe Jashari konsiderohej bashkëpronar në atë firmë (pa investuar asnjë dinar), ndonëse ishte paguar mirë dhe madje kishte marrë edhe banesë me “kredi” nga e njëjta ndërmarrje. Ajo ndërmarrja pas çlirimit të Kosovës po vegjetonte si mall pa zot, ndonëse administrata shtetërore e Serbisë, në vitin 1992, ia kishte kaluar pronësinë “Crvena Zastavës” së Kragujevcit. Disa punëtorë u kthyen pas luftës, por nuk dinin çfarë të prodhonin, sepse nuk kishin më porosi, pos të grabisnin ndonjë copë metal për ta shit.
Michael Steiner, i transferuar nga kryeshef i Kanzleramt-it (kryeministrisë gjermane) në kryeshef i UNMIK-ut, më 14 shkurt 2002, e filloi procesin e privatizimit duke aplikuar përvojën e Gjermanisë Lindore: mjetet financiare nga shitja e ndërmarrjeve do të “ngriheshin” në xhirollogari në Deutsche Bank, derisa të përcaktohej pronësia përfundimtare, ndërsa 15 % do t’u ndaheshin ish-punëtorëve.
Kurti & Co iu kundërvunë ashpër, të shtyrë nga mendësia titiste, apo sepse synonin që ato prona të mbeteshin nën pretendimin serb. Ata e luftuan privatizimin si “kriminalitet”, ndonëse e dinin se në Kosovë po zhvillohej më drejtë se në Shqipëri dhe në vendet ish-socialiste.
I solla këto konkretizime për të dëshmuar se sa anakronikë ishin Kurti & Co. Dhe po të kisha informacion për privatizimet që po ndodhin, do të rezultonte se e njëjta mutsihanë po vazhdon, tashmë nën “koordinimin” e Kurtit si ish-kryeministër.
Shembujt janë të shumtë: Hotel Grand, KEK, KOSTT, Trepça – prona që po shpërdorohen për ta sabotuar zhvillimin ekonomik dhe konsolidimin e shtetit tonë, si dhe për punësim e pasurim personal të paramilitarëve të LVV-së.

SHPËRDORIMI I DEMARKACIONIT ME MALIN E ZI

Nga këndvështrimi i interesit të Republikës së Kosovës, ndodhën dy “mrekulli” historike në prag të shpalljes së pavarësisë dhe menjëherë pas saj:
– më 26 maj 2006 Mali i Zi u shkëput nga Serbia;
– më 9 tetor 2008 Mali i Zi e njohu Republikën e Kosovës.
Këto vendime e tronditën sidomos Serbinë.
Kur u paraqit nevoja për demarkimin e kufirit shtetëror – parakusht për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO – Kurti dhe Ramush Haradinaj u shpërfytyruan në flamurtarë të kundërshtimit të marrëveshjes të cilën e pat dakorduar komisioni dypalësh dhe e patën miratuar të dy qeveritë.
Kurti, – ndonëse vendlindja e babait të tij zyrtar është në Vladimir të Malit të Zi, – u tregua arrogant dhe agresiv, jo për arsye patriotike, por për ta komplotuar Republikën e Kosovës. Ndërsa Haradinaj, – mendoj për momentin, – ndiqte interesa meskine, duke i paraqitur kullosat e marra me qira në Plavë si “pronë historike” të fshtarëve të Gllogjanit. Këta arritën ta shantazhonin Kuvendin e Kosovës edhe më agresivitet anarshist – që të mos e ratifikonte marrëveshjen e demarkimit për disa vite. Agresiviteti i tyre u bë shqetësim ndërkombëtar, sepse Kosova po refuzonte kufirin e saj shtetëror me Mal të Zi, i njohur për herë të parë ndërkombëtarisht.
Informacionet nga terreni dhe nga specialistët kadastralë më bindën se asnjë pëllëmbë tokë e ish-KSAK-së nuk ishte cenuar. Kjo më çoi në përfundimin se Kurti, Haradinaj & Co po mbronin kufirin e vjetër mes Serbisë e Malit të Zi, duke e penguar konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Po të ishte fjala për patriotizëm, ata do të duhej të shqetësoheshin më shumë për territore nga Qakorri e Rozhaja deri në Ulqin e Tivar – e jo vetëm për “8200 hektarë” shkrepa e kullosa, për të cilat shpifnin se po “dhuroheshin” tradhtisht Malit të Zi.

(Vijon)

***
Vazhdimi i parë është edhe në këtë portal:

https://www.drini.us/pse-eshte-albin-kurti-marionete…/

Hamed Abdel-Samad: “Fashizmi Islamik”

0

Abdel-Samad lindi si fëmija i tretë nga pesë fëmijë, djali i një imami mysliman sunit.

“Fashizmi Fetar në Egjipt“: Ky ishte titulli i një leksioni të mbajtur nga Hamed Abdel-Samad në Kajro më 4 qershor 2013. Publicisti dhe shkencëtari politik argumentoi se “Islami i ka dhënë fund diversitetit fetar në Gadishullin Arabik, kërkon bindje të pakushtëzuar nga ndjekësit e tij, nuk toleron mendime të kundërta dhe përpiqet për dominimin e botës”.

Abdel-Samad foli për ideologjinë fashiste brenda Islamit, për “islamofashizëm”. Më pas, një grup studiuesish islamikë, anëtarë të Vëllazërisë Myslimane dhe salafistë debatuan këto pretendime në televizion, duke i klasifikuar ato si shpifje të Islamit dhe duke dhënë një vendim unanim: Hamed Abdel-Samad e kishte fyer Profetin dhe duhet të ndëshkohej me vdekje të menjëhershme. Thirrjet për vrasjen e tij u përhapën në internet dhe një foto me mbishkrimin “Kërkohet i Vdekur” qarkulloi. Hamed Abdel-Samad u detyrua të fshihej dhe që nga kthimi i tij në Gjermani, ai ka qenë nën mbrojtjen e policisë.

“Vëllazëria Myslimane është përmbysur në Egjipt, por e njëjta mentalitet është ende e pranishme atje”, thotë Abdel-Samad. “Njerëzit ende persekutohen, ndiqen penalisht dhe burgosen për shpifjen e fesë, për kritikimin e Profetit ose vetë fesë”.

Libri shumë i diskutueshëm i Hamed Abdel-Samad fillon me fetvanë me vdekje të lëshuar kundër tij, të cilën ai në fund të fundit e sheh si konfirmim të teorive të tij. Libri përfshin nga Kurani dhe traditat e Muhamedit deri te islamistët bashkëkohorë – dhe ai beson se njeh elementët themelorë të fashizmit jo vetëm tek ata.

“Islami sigurisht që ka një anë pozitive shpirtërore që është shumë e rëndësishme për miliona njerëz dhe u ofron atyre ngushëllim”, thotë Abdel-Samad. “Aspekti politik, megjithatë, është shumë i vjetëruar, shumë absolutist dhe na shqetëson në shekullin e 21-të. Islami nuk dëshiron të bëhet pjesë e demokracisë, por përkundrazi dëshiron të imponojë dhe përcaktojë sistemin politik nga lart. Për Islamin, ligjvënësi nuk është njeriu, por Zoti, dhe ligjet e tij nuk janë të negociueshme ose të ndryshueshme; ato janë të vlefshme përgjithmonë”.

Fashizmi Origjinal

Në kapitullin e parë, Abdel-Samad shpjegon se çfarë përbën fashizmin për të dhe ku sheh paralele me islamizmin. Duke iu referuar një teksti nga Umberto Eco, ai rendit karakteristikat kryesore të fashizmit origjinal: Këto përfshijnë respektimin e rreptë të mesazhit të zbuluar, refuzimin e modernitetit dhe iluminizmit, si dhe çdo lloj kritike, frikën nga e huaja dhe tendencën drejt irracionalizmit, por edhe paranojën dhe ndjenjën e vazhdueshme të të qenit i lënë pas dore.

Ashtu si Gjermania dhe Italia fashiste ishin “të vonuara”, sepse ishin vonë në lojë ose nuk u bashkuan kurrë vërtet, ashtu edhe shumica e vendeve myslimane janë të vonuara me një fe të vonuar. Islami u shfaq gjashtëqind vjet pas Krishterimit, gjë që ka shkaktuar vazhdimisht pakënaqësi, ndjenja inferioriteti dhe fantazi fashiste të plotfuqishmërisë.

Ashtu si fashizmi nuk është vetëm një ideologji politike, por edhe një fe, ashtu edhe Islami nuk është vetëm një fe, por edhe një ideologji politike, thotë Abdel-Samad. “Dhe këtu unë krahasoj fashizmin dhe islamizmin në tre nivele:

 Niveli i parë është ideologjia, e cila i hap rrugën dhunës.

Niveli i dytë është struktura organizative me udhëheqësin karizmatik në qendër, hierarkia, ritualet e inicimit, sekretet dhe milicitë terroriste, të cilat gjithashtu themeluan Vëllazërinë Myslimane në vitet 1930, të modeluara sipas SA dhe SS.

Niveli i tretë i krahasimit ka të bëjë me qëllimet: dominimin e botës, fitoren mbi të pafetë, veçanërisht hebrenjtë.”.

Vëllazëria Myslimane

Autori rrëfen në detaje historinë e Vëllazërisë Myslimane, një grup sa i diskutueshëm aq edhe i errët. I themeluar në vitin 1928 nga mësuesi i arabishtes Hassan al-Banna, një admirues i Hitlerit dhe Musolinit, tani ka degë në më shumë se 70 vende

“Profeti është udhëheqësi ynë, Kurani kushtetuta jonë, xhihadi rruga jonë dhe vdekja për Allahun është qëllimi ynë më i lartë”, citon autori, vetë një ish-pasues i Vëllazërisë Myslimane, moton e tyre. Bindja absolute mbetet parimi i tyre qendror deri më sot. Vëllazëria Myslimane hodhi poshtë një kushtetutë laike dhe përhapi ligjin e Sheriatit. Popullariteti i tyre pas Pranverës Arabe buroi nga shfrytëzimi i stanjacionit politik dhe prezantimi i tyre i aftë i vetes si një alternativë:

“Islamistët morën përsipër detyrat ku shteti ishte tërhequr. Ata kujdeseshin për të varfrit dhe të sëmurët, duke i bërë këta njerëz të varur prej tyre. Ata nuk luftuan varfërinë, por përkundrazi e menaxhuan atë me mjeshtëri. Dhe kjo i lejoi ata të mobilizonin njerëzit për të votuar për ta, sepse…”.

Me 8 prill 2017.

Marre nga https://oe1.orf.at/artikel/374430/Der-islamische-Faschismus

Perketheu nga gjermanishtia

Paul Tedeschini, Milano

Shqiptarët krahpërkrah me amerikanët dhe Amerikën

0
Ne kemi ditur t’i shprehim ndjenjat tona nacionale dhe njerëzore më së miri në çastet kur historia vë në provë miqësitë e vërteta. Një nga ato çaste ishte 11 shtatori 2001, kur terrorizmi goditi mikun tonë historik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atë ditë, shqiptarët nuk ishin thjesht spektatorë të dhimbjes amerikane – ata ishin pjesë e saj.
Amerika ka qenë ëndrra e rinisë shqiptare shumë përpara se të bëhej aleat strategjik në luftë. Ishte ëndrra e lirisë dhe e fjalës së lirë, e një bote ku individi ka dinjitet. I riu shqiptar u lidh herët me Perëndimin përmes kulturës: përmes Beatles-ëve, Rolling Stones-ëve, Led Zeppelin-it, Pink Floyd-it, Santanës – muzikë që simbolizonte rebelimin kundër tiranisë dhe konformizmit. Flokët e gjata, veshja, muzika nuk ishin modë, por gjuhë rezistence.
Kjo afërsi u thellua edhe përmes letërsisë amerikane: Jack London, Ernest Hemingway, Pearl S. Buck, e veçanërisht “Kasolla e Xha Tomit” e Harriet Beecher Stowe, ku liria përbën thelbin moral të njeriut. Këto vepra i mësuan brezave shqiptarë se skllavëria, pavarësisht formës, është e papranueshme.
Nga lëvizjet studentore te lëvizja historike politiko-ushtarake e UÇK-së, rruga shqiptare drejt lirisë ishte e gjatë dhe e përgjakshme. Rebelimi kulturor i rinisë shqiptare u shndërrua në rezistencë politike: demonstratat e vitit 1968, kryengritja studentore e 1981-shit, protestat e 1 tetorit 1997 – të gjitha bartnin një frymë pro-perëndimore dhe pro-amerikane. Në ballë të kësaj rruge ishte rinia studentore, me figura si Albin Kurti dhe rektori i pavdekshëm Ejup Statovci, që synonin shkëputjen përfundimtare nga robëria.
Këtë ëndërr, ende të paplotë por të pakthyeshme, e materializoi brezi që u kyç drejtpërdrejt në luftën antikoloniale dhe çlirimtare të UÇK-së. Çdo lëvizje kishte heronjtë e vet. Në vitet ’50 dhe ’60, burgosja e ajkës intelektuale të Kosovës, me në krye disidentin Adem Demaçi, e forcoi ndërgjegjen e rezistencës. Më pas, vizioni i Prof. Ukshin Hotit e formësoi idenë e shtetësisë, duke e vendosur Kosovën në horizontin e integrimeve evropiane dhe perëndimore.
Akademik Rexhep Qosja, Dr. Ibrahim Rugova, Luljeta Pula dhe shumë të tjerë e thyen “akullin siberian” të izolimit, duke ia treguar botës – dhe veçanërisht Amerikës – gjëmën e Kosovës dhe perspektivën e saj demokratike. Ata artikuluan qartë se Kosova e së ardhmes do të ishte shtëpi për të gjithë qytetarët lojalë ndaj institucioneve demokratike.
Në fund të viteve ’90, përkrah viktimave të shumta, doli në pah figura e studentit disident Albin Kurti – simbol i brezit që nuk pranoi heshtjen. Simbolika e ecjes së Adem Demaçit, Albin Kurtit dhe Agim Çekut para gardës së TMK-së ishte më shumë se ceremoni: ishte dëshmi e vazhdimësisë së rezistencës shqiptare. Albini – student, i burgosur, përfaqësues i UÇK-së – mishëronte rrugën e vështirë të disidentit shqiptar drejt lirisë.
UÇK-ja u përball me makinerinë ushtarake të Serbisë. Historia u shkrua me gjakun e dëshmorëve, veçanërisht të Familjes Jashari – një familje, një ushtri, një epokë. Reçaku alarmoi botën për politikën gjenocidale të regjimit të Millosheviqit, ndërsa ambasadori amerikan William Walker e artikuloi të vërtetën e Kosovës para ndërgjegjes globale.
Në Rambuje, figura të spektrit politik e intelektual – Thaçi, Rugova, Qosja, Fehmi Agani, Surroi, Krasniqi, Buja – u përcaktuan për paqen dhe jetën. Qytetarët e Kosovës, të kthyer nga Perëndimi, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, i dhanë vendit gjallëri dhe shpresë.
“Give me liberty or give me death”, thoshte Patrick Henry. Në memorialin e Uashingtonit shkruhet: “Freedom is not free”. Kjo ishte filozofia e brezit që nuk u ngrit nga ahengu apo dollia, por nga sakrifica dhe përulja para eshtrave të Jasharajve. Ata u bënë ura më e fortë mes shqiptarëve dhe Amerikës.
Sot, Skënderbeu qëndron vigan në shesh, simbol i qëndresës shqiptare dhe i vlerave perëndimore, në një hapësirë ku kulturat e botës bashkohen. Shqiptarët gjithmonë kanë ditur të jetojnë me shumë kultura: dëgjonin Beatles-at, agjëronin Ramazanin, festonin Krishtlindjet dhe Vitin e Ri – duke dëshmuar se kultura është begati, jo ndarje.
Historia shqiptare lidhet ngushtë me atë amerikane: Woodrow Wilson mbrojti pavarësinë e Shqipërisë; Madeleine Albright dhe Bill Clinton ndalën spastrimin etnik në Kosovë; politika e vazhdimësisë amerikane mbeti mbështetje kyçe për paqen dhe sigurinë rajonale. Edhe sot, përballë sfidave të reja globale – agresionit, autoritarizmit dhe kërcënimeve hibride – aleanca me SHBA-të mbetet boshti i stabilitetit të Kosovës.
Në 11 shtator 2001, shqiptarët në Amerikë dhe kudo në botë ishin amerikanë. Mbi 600 shqiptarë në Fort Polk, Luizianë, pjesë e përgatitjeve për misionet paqeruajtëse në Kosovë, ndezën qirinj dhe ndanë dhimbjen me amerikanët. Ajo solidaritet u ndje nga Misisipi në Nju Jork.
Edhe sot, shqiptarët janë dhe do të jenë krahpërkrah me Amerikën. Kjo është një borxh historik, por edhe zgjedhje vlerash. Lavdi dëshmorëve të lirisë shqiptare. Nderim viktimave të 11 shtatorit. Mirënjohje atyre që rrezikojnë jetën për paqen dhe që mbeten pengesë e përhershme për diktaturat dhe totalitarizmin.
Tempulli i Lirisë është në zemrat e liridashësve – dhe në zemrat e shqiptarëve. Kurdoherë që historia thërret, jo vetëm në 11 shtatorët e dhimbshëm, ne shqiptarët do të jemi me Amerikën, sepse prej saj mësuam se si fitohet liria.

Prek Cali mbetet “Mbreti i Maleve” që nuk u gjunjëzua kurrë

0
Prek Cali nuk ishte thjesht një burrë; ai ishte një institucion.
I gjatë rreth 2 metra, “Bajraktari” i Kelmendit kishte kaluar një jetë të tërë me pushkë në dorë duke mbrojtur kufijtë e Shqipërisë në Plavë e Guci nga synimet shoviniste. Ai ishte njeriu që kishte hapur dyert e Kullës së tij për të gjithë atdhetarët.
Por, në vitin 1945, atdheu që ai mbrojti, u kthye kundër tij. Partizanët rrethuan Kullën e tij në Kelmend. Për të mos rrezikuar gratë dhe fëmijët që ishin brenda, Prek Cali bëri aktin sublim: u dorëzua.
Kur doli para gjyqit ushtarak, i akuzuar si “armik i popullit”, ndodhi dialogu që ka mbetur në histori.
Prokurori/Gjykatësi, duke u munduar ta poshtëronte këtë kolos, i tha:
“Ti je reaksionar, ke punuar kundër popullit!”
Prek Cali, i lidhur me zinxhirë, por me kokën lart, iu përgjigj me një qetësi që i ngrin gjakun kujtdo:
“Zotëri, kur unë luftoja për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë nga hasmi, ju ishit ende duke u pshurrë në shpërganj!”
Dhe shtoi fjalët lapidare:
“Bajraktar nuk më ka bërë as Kral Nikolla, e as Zogu, por më ka bërë populli im i Kelmendit. Shtëpia ime ka qenë kështjellë e Shqipërisë, kur ju nuk ishit asgjëkund.”
Prek Cali u pushkatua ditën e Zojës, më 25 Mars 1945. Kur e pyetën për dëshirën e fundit, ai tha thjesht: “Më lironi duart, se dua të bëj kryq.”
Një jetë luftë për kufijtë, dhe një vdekje me nder. Prek Cali mbetet “Mbreti i Maleve” që nuk u gjunjëzua kurrë.
Lavdi të paharruar! 🙏

Organizata terroriste iraniane Monafeqin nga këndvështrimi i një dëshmitari okular

0

Raport zyrtar
Organizata terroriste Monafeqin nga këndvështrimi i një dëshmitari okular
Bazuar në dëshmitë e Ebrahim Khodabandeh (ish-anëtar i organizatës)
Data: 3 dhjetor 2025

Ky raport synon të paraqesë një pasqyrë të saktë, të dokumentuar dhe të bazuar në standardet e të drejtave të njeriut mbi shkeljet sistematike të kryera nga organizata terroriste Monafeqin (Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit – MEK).
Dëshmitë e qindra ish-anëtarëve, të dhënat zyrtare gjyqësore të Republikës Islamike të Iranit, si dhe hulumtimet e pavarura, tregojnë qartë se kjo organizatë për dekada ka kryer shkelje të rënda dhe të organizuara të të drejtave themelore të njeriut, si edhe akte dhune kundër popullit iranian.

Raporti përfshin gjithashtu rrëfimet e Ebrahim Khodabandeh, anëtar i organizatës për 23 vjet dhe aktualisht drejtor i Organizatës Nejat. Dëshmia e tij përbën një “provë të gjallë” për natyrën reale të kësaj organizate.

Konteksti historik i organizatës terroriste Monafeqin

Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit — e quajtur në Iran “Monafeqin” për shkak të dhunës dhe strukturës së saj sektare — që në vitet 1970 adoptoi një ideologji të përzier midis marksizmit dhe islamit dhe nisi luftën e armatosur. Veprimet e para përfshinin vrasjen e civilëve, atentate në ambiente publike, sulme ndaj infrastrukturës dhe operacione kundër këshilltarëve të huaj.

Pas vitit 1981, organizata bashkëpunoi hapur me regjimin e Saddam Huseinit.
Ajo mori baza ushtarake, armatime të rënda, trajnim dhe financim të drejtpërdrejtë nga regjimi irakian. Gjatë kësaj periudhe, grupi kreu një sërë sulmesh terroriste kundër popullit iranian.

Shembuj të rëndësishëm

  • Në vitet 1980, qytete të shumta iraniane u goditën nga sulme dhe atentate të koordinuara nga MEK, përfshirë një shpërthim të madh në Teheran me dhjetëra viktima civile.
    • Njësitë operative të grupit vrisnin qëllimisht qytetarë të pambrojtur — punonjës shteti, tregtarë, kalimtarë, gra dhe të rinj.
    • Gjatë bashkëpunimit me ushtrinë e Saddam Huseinit, grupi mori pjesë në sulme tokësore kundër Iranit, përfshirë operacionin “Mersad”.

Këto fakte tregojnë qartë natyrën terroriste dhe kundërnjerëzore të organizatës.

Prezantimi i Organizatës Nejat

Organizata Nejat është një strukturë e përbërë nga ish-anëtarë të MEK dhe familjet e personave të prekur.
Qëllimi i saj është të mbështesë ish-anëtarët, të ofrojë ndihmë psikologjike, sociale dhe ligjore, si dhe të dokumentojë shkeljet brenda organizatës.

Prej dy dekadash, Nejat ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbledhjen e dëshmive dhe dokumentimin e shkeljeve. Shumica e të dhënave të përdorura në këtë raport bazohen në këto dokumentime.

Shkelja e të drejtave themelore të anëtarëve

Shkelja e lirisë së mendimit, fesë dhe dinjitetit njerëzor

Sipas dëshmive të Khodabandeh dhe ish-anëtarëve të tjerë:

Në kampin Ashraf:
• leximet e lira — përfshirë Kuranin — ishin të ndaluara;
• Massoud Rajavi e quante mendimin e pavarur “endje mendore” ose “devijim liberal”;
• aktivitetet ditore ishin të strukturuara për të penguar reflektimin personal.

Këto shkelin qartë nenin 18 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.

Izolim i detyruar dhe shkëputje totale nga bota e jashtme

Dëshmitë tregojnë:
• ndalim absolut të çdo kontakti me familjen;
• shumë anëtarë u përpoqën të arratiseshin sapo dëgjuan zërin e të afërmve;
• çdo dalje duhej të bëhej nën mbikëqyrjen e dy rojeve;
• kampi ishte i rrethuar me tela me gjemba të kthyer nga brenda për të parandaluar arratisjet.

Kjo përbën trajtim çnjerëzor dhe kufizim të paligjshëm të lirisë së lëvizjes.

Kontroll psikologjik dhe trauma pas shkëputjes

Ish-anëtarët vuajnë edhe pas daljes nga grupi:
• makthe të lidhura me kampin Ashraf;
• paaftësi për të marrë vendime të thjeshta;
• frikë të thellë nga vendimmarrja personale;
• ndjenjë faji të krijuar nga indoktrinimi i vazhdueshëm.

Këto simptoma përputhen me traumat tipike të shkaktuara nga organizatat sektare.

Shkelje të rënda të të drejtave të grave

Pavarësisht pretendimeve për “emancipim”, organizata ushtron:
• përdorim instrumental të grave për forcimin e pushtetit të liderit;
• emërime simbolike pa autoritet real;
• raste të dokumentuara të sterilizimit të detyruar;
• kontroll absolut mbi trupin dhe jetën e grave;
• ndalim të martesës dhe familjes;
• dhunë psikologjike dhe emocionale.

Këto shkelin Konventën CEDAW dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e grave.

Shkelja e së drejtës për jetën dhe sigurinë

Dëshmitë tregojnë:
• anëtarë që tentuan arratisjen u torturuan ose u vranë;
• shumë “vdekje të dyshimta” u deklaruan si vetëvrasje;
• presioni psikologjik i shtyu disa anëtarë drejt vetëdjegies ose vetëvrasjes.

Këto janë raste të ekzekutimeve jashtëgjyqësore dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Qëndrimi i organizatës ndaj proceseve gjyqësore

Gjyqi ndaj 104 anëtarëve të MEK (2023–2025) u mbështet gjerësisht nga ish-anëtarët: më shumë se 200 persona ofruan dëshmi.

Si reagim, udhëheqësja Zahra Merikhi deklaroi:
“Gjithçka që na akuzoni, e kemi bërë. Dhe nga tani, do ta bëjmë njëqind herë më shumë.”

Kjo deklaratë tregon qartë rrezikshmërinë e vazhdueshme të grupit.

Bashkëpunim i vazhdueshëm me shtete armiqësore

Sipas Khodabandeh:
• organizata ka marrë mbështetje financiare, operative dhe politike nga disa shtete perëndimore;
• politikanë perëndimorë marrin pjesë në aktivitetet e MEK kundrejt pagesave të larta;
• qeveria shqiptare ka lejuar operacione kibernetike të MEK kundër popullit iranian;
• bashkëpunimi me Saddam Huseinin gjatë luftës Iran–Irak përbën tradhti të rëndë.

Këto veprime bien ndesh me parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare.

Politizimi i mekanizmave të të drejtave të njeriut

Gjatë viteve të fundit, disa aktorë ndërkombëtarë — përfshirë ish-raportuesin special të OKB-së, Javaid Rehman — kanë marrë pjesë në aktivitete të MEK.
Kjo ka ngritur shqetësime serioze për paanshmërinë dhe besueshmërinë e mekanizmave ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut.

Përfundim

Organizata terroriste Monafeqin paraqet një kërcënim serioz ndaj sigurisë dhe të drejtave të popullit iranian.
Struktura e saj e brendshme bazohet në shkelje të rënda sistematike — veçanërisht ndaj grave, të rinjve dhe anëtarëve të pambrojtur.

Raporti u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të:

  1. shmangin politizimin e çështjeve të të drejtave të njeriut;
  2. vlerësojnë aktivitetet e organizatës në përputhje me standardet ndërkombëtare kundër terrorizmit;
  3. ofrojnë mbështetje për ish-anëtarët;
  4. parandalojnë përdorimin e mekanizmave të të drejtave të njeriut si mjet propagande nga ky grup.

KQZ-ja dhe dilema e sovranitetit të Kosovës 

0

Nga: Arif Ejupi 

Certifikimi i Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Zgjedhjet Parlamentare të 28 dhjetorit ka rikthyer në qendër të debatit publik një çështje thelbësore për funksionimin dhe legjitimitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës: kapacitetin e shtetit për të vepruar si autoritet sovran dhe i pavarur nga presionet e jashtme dhe nga grupet politike që historikisht kanë minuar rendin demokratik.
 

Ky certifikim, në vetvete një akt administrativ, në realitet përfaqëson një proces të ngarkuar politikisht, i cili ekspozon brishtësinë institucionale të vendit dhe shpërfilljen e dëmeve serioze që Lista Serbe i ka shkaktuar Kosovës , përherë e sidomos gjatë dekadës së fundit. 

Për të kuptuar domethënien e këtij vendimi, duhet të rikthehemi dhe t’i përmbledhim dëmet strukturore që ky subjekt, i dirigjuar nga Beogradi, i ka prodhuar në: 

  • rendin juridik-kushtetues, 
  • funksionimin e Kuvendit, 
  • sigurinë e brendshme, 
  • integritetin territorial, 
  • integrimin e komunitetit serb, 
  • ekonominë, përmes kontrabandës dhe krimit të organizuar. 

Një analizë e thelluar tregon se Lista Serbe ka funksionuar jo si një parti politike brenda sistemit demokratik të Kosovës, por si mjet i një strategjie shtetërore të Serbisë, për të mbajtur nën kontroll veriun e vendit dhe për të dobësuar kapacitetin e institucioneve të republikës së Kosovës. 

Në vend të përfaqësimit të komunitetit serb në kuadër të rendit kushtetues të Kosovës, Lista Serbe ka ushtruar një funksion bllokues. Duke i përdorur 10 ulëset e garantuara (dhe shpesh duke u bërë faktor përcaktues në krijimin e shumicave parlamentare), ky subjekt ka ndërtuar një praktikë sistematike të: 

  • bojkotimit të seancave, 
  • çrregullimit të kuorumit, 
  • pengimit të votimeve kyçe, 
  • kushtëzimit të vendimeve qeveritare. 

Kuvendi i Kosovës, si organi më i lartë përfaqësues dhe legjislativ, shpesh është gjetur në pozitë të bllokuar, jo për arsye procedurale të brendshme, por për shkak të ndërhyrjeve të Beogradit, të cilat Lista Serbe i ka zbatuar pa hezitim. 

Kjo përbën cenim të parimit të sovranitetit të brendshëm parlamentar, sipas të cilit asnjë fuqi e jashtme nuk mund të diktojë funksionimin e një organi të zgjedhur nga qytetarët. 

Një nga aspektet më shqetësuese të rolit të Listës Serbe është identifikimi i saj me figura të implikuara në krime lufte dhe aktivitete kriminale. Milan Radoiçiq, operator i strukturave paraushtarake serbe dhe i dyshuar për krime në qytetin e Gjakovës gjatë luftës së viteve 1998-1999.  

Radojçiq për shumë vite ka qenë figurë dominante politike e këtij subjekti.
Nën drejtimin e tij, Lista Serbe nuk ka përfaqësuar interesat e qytetarëve serbë, por ka: 

  • fuqizuar strukturat ilegale të sigurisë në veri, 
  • kultivuar klimë frike ndaj serbëve që kërkonin integrim në institucionet e Kosovës, 
  • sabotuar proceset demokratike, 
  • dhe mbrojtur rrjetet kriminale të kontrabandës. 

Ky fenomen është i paprecedent në Evropën bashkëkohore: një subjekt i certifikuar për zgjedhje parlamentare ka qenë i lidhur (hapur) me aktivitete terroriste, përfshirë sulmin e armatosur në Banjskë më 2023, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, një ngjarje që përbën cenim të rëndë të rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit. 

Dëmet që Lista Serbe i ka shkaktuar Kosovës nuk janë vetëm politike: ato janë të prekshme dhe të dhimbshme.
Në vitin 2011, gjatë orëve të tensionuara në veri, u vra polic tjetër i Kosovës, Enver Zyberi, një incident i lidhur me strukturat ilegale që Lista Serbe i ka mbrojtur publikisht.
Në vitin 2023, me sulmin në Banjskë, u konfirmua qartazi karakteri paraushtarak i rrjeteve të lidhura me këtë subjekt. 

Asnjë parti politike demokratike nuk mund të ruajë statusin e saj ligjor kur mbështet, arsyeton ose bashkëpunon me struktura të dhunshme që: 

  • vrasin zyrtarë shtetërorë, 
  • shpallin “zona të ndaluara” për Policinë e Kosovës, 
  • krijojnë barrikada, 
  • e trajtojnë territorin e Kosovës si zonë të kontestuar. 

Kjo e bën Listën Serbe subjekt të përgjegjësisë juridike dhe morale, jo thjesht aktor opozitar. 

Lista Serbe ka qenë hallka kryesore e integrimit të strukturave kriminale në veriun e Kosovës. Përmes rrjeteve të kontrabandës, që përfshijnë: 

  • mallra pa doganë, 
  • derivate, 
  • cigare, 
  • mallra të luksit, 
  • dhe në disa raste armë, 

është krijuar një ekonomi paralele që jo vetëm e dëmton buxhetin e Kosovës, por largon perspektivën e stabilitetit ekonomik të rajonit.
Në disa raste, këto rrjete kanë bashkëpunuar edhe me grupe të caktuara shqiptare, duke treguar se kur bëhet fjalë për fitime të paligjshme, etnia pushon së qeni barrierë, ndërsa sovraniteti i shtetit bëhet viktimë. 

Ky është një dimension që shpesh është anashkaluar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka preferuar ta trajtojë veriun si zonë të ngrirë, në vend ta shohë si epiqendër të ekonomisë së zezë në Ballkan. 

Bojkotimet e organizuara nga Lista Serbe kanë synuar krijimin e vakumit institucional dhe delegjitimimin e autoritetit të Republikës së Kosovës.
Dorëheqjet masive të: 

  • policëve, 
  • gjyqtarëve, 
  • prokurorëve, 
  • zyrtarëve komunalë, 

janë përdorur si mjet presioni politik, i cili krijon jo vetëm kriza funksionale, por edhe perceptim ndërkombëtar të “paqëndrueshmërisë” së Kosovës. 

Ky është një mekanizëm i sofistikuar për të dëmtuar shtetin, duke krijuar situata që Serbia i përdor më pas si argument në tryezat diplomatike. 

Përmes Listës Serbe, Serbia ka ruajtur kontroll të drejtpërdrejtë mbi: 

  • proceset zgjedhore në komunat me shumicë serbe, 
  • sistemin e arsimit, 
  • shëndetësinë paralele, 
  • financimin ilegal të grupeve lokale, 
  • dhe presionin psikologjik ndaj qytetarëve serbë që duan integrim. 

Kjo ka krijuar një realitet të dyfishtë: Kosova formalisht është shtet sovran, por në veri zbatimi i këtij sovraniteti është i kufizuar nga ndërhyrjet e Beogradit përmes Listës Serbe. 

Certifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja, nuk mund të trajtohet si procedurë teknike. Është një vendim që i jep legjitimitet një subjekti i cili: 

  • ka sabotuar funksionimin e institucioneve, 
  • ka ushqyer paralelizma shtetërore, 
  • ka bashkëpunuar me struktura të dhunshme, 
  • ka qenë i lidhur me vrasje të zyrtarëve të shtetit, 
  • ka prodhuar destablizim të vazhdueshëm, 
  • dhe ka minuar integrimin e komunitetit serb në rendin juridik të Kosovës. 

Në çdo shtet demokratik, një subjekt me këtë histori do të ishte objekt hetimi dhe ndëshkimi institucional, jo certifikimi.
Prandaj ky vendim nuk flet për fuqinë e Listës Serbe, por për dobësinë e shtetit të Kosovës përballë presionit ndërkombëtar dhe mungesës së vetëbesimit institucional. 

Kosova nuk ka nevojë për stabilitet të rremë; ka nevojë për institucione të forta, të pavarura dhe të afta ta mbrojnë rendin kushtetues. Ky moment është një kujtesë se sovraniteti nuk humbet vetëm me invazion, por edhe me tolerimin e atyre që e minojnë çdo ditë nga brenda. 

Cilat tipe votuesish priten të votojnë për qeverinë e 28 dhjetorit?

0

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina

(Ad hoc analizë sociologjike!)

Duke u bazua në përvojën e procesit të votimit në tri palë zgjedhje që ndodhën brenda një viti, mund të konstatojmë se ekzistojnë ca tipe votuesish që me siguri i keni hasur edhe Ju gjatë procesit zgjedhor….
Mund ta gjeni veten në ndonjërin tip?
1. Votuesi klientelist, voton në këmbim të një përfitimi personal, punësimi apo favori material.
2. Votuesi militant, e sheh partinë si identitet politik dhe ideologjik, duke e mbrojtur verbërisht në çdo rast.
3. Votuesi servil, orientohet nga frika ose dëshira për t’u pëlqyer pushtetit, pa pasur bindje të qarta politike.
4. Votuesi përfitues, motivin kryesor e ka interesin ekonomik, përfitimin e drejtpërdrejtë apo indirekt nga rezultati zgjedhor.
5. Votuesi shantazhues, e përdor votën si mjet kërcënimi për të nxjerrë përfitime apo për të ndikuar në vendimmarrje.
6. Votuesi social, ndikohet nga opinionet e rrethit familjar, kolegëve apo komunitetit, më shumë sesa nga bindjet vetjake.
7. Votuesi programor, voton mbi bazën e programeve, ideve dhe ofertës konkrete politike.
8. Votuesi ideologjik, qëndron besnik ndaj një ideje apo ideologjie politike, pavarësisht interesave të momentit.
9. Votuesi krahinor, përcaktohet nga përkatësia rajonale apo emocioni lokalist, jo nga kriteret politike.
10. Votuesi subjektiv, udhëhiqet nga përshtypjet personale për liderët apo nga emocionet e çastit.
11. Votuesi konformist, ndjek shumicën për të mos u përjashtuar socialisht, pa mendim të pavarur politik.
12. Votuesi nepotist, voton për lidhje farefisnore, miqësore apo klienteliste, duke injoruar kriteret e përgjegjësisë qytetare.
13. Votuesi konjunktural, përshtatet me rrethanat politike dhe kalon nga një subjekt te tjetri sipas interesit të momentit.
14. Votuesi nga diaspora, që mund të cilësohet si: votues transnacional, normativ e simbolik, është i prirur të votoj më shumë mbi bazën e vlerave, narrativave dhe pritjeve morale, sesa mbi interesin e drejtpërdrejtë material apo përvojën e përditshme institucionale.
#logjikasociologjike

Ju ish-deputetë sabotues…!

0
JU DEPUTETË SABOTUES…
Ju deputetë sabotues që serish garoni për ulëse në Kuvend, në zgjedhjet e 28 dhjetorit, nuk jeni thjesht dështakë politikë, por jeni edhe bashkëpërgjegjës për paralizimin e qëllimshëm të institucioneve!
Ju deputetë sabotues, me veprimet tuaja nuk ndërtuat shtet, por e minuat atë. Sot, me çfarë fytyre mendoni t’u kërkoni votën qytetarëve dhe mbi 150 mijë pensionistëve, të cilët për vite të tëra u detyruan të mbijetojnë me 120 euro në muaj? Çfarë morali politik keni, kur i latë në harresë ata që u angazhuan për këtë vend me punë, sakrificë dhe durim?
Për muaj e vite me radhë, ju nuk ofruat zgjidhje, por vetëm bllokada. Gati një vit nuk prodhuat ligje, por kriza. Nuk i shërbyet interesit publik , por u barrikaduat pas interesave tuaja personale e klanore.
Për gati një vit të tërë nuk ju ra ndër mend të përmendni as edhe njëherë nevojën për një ligj dinjitoz për pensionistët. Heshtja juaj nuk ishte rastësi, por zgjedhje e vetëdijshme për të injoruar më të dobëtit.
Ju, deputetë sabotues, që shpërdoruat mjetet e taksapaguesve dhe e trajtuat buxhetin publik si pronë private, as që e përfillët këtë kategori të nëpërkëmbur. Pensionistët, të cilët në kohët më të errëta të historisë sonë mbajtën gjallë familjet, shoqërinë, për ju nuk ekzistojnë! Sakrifica e tyre nuk ju intereson, sepse nuk sjell përfitime të shpejta elektorale.
Edhe në fushatën e 9 shkurtit të vitit të kaluar, edhe sot, vazhdoni me të njëjtën arrogancë dhe përbuzje. Kërkesat legjitime të pensionistëve i injoroni me qëllim, sepse horizonti juaj politik nuk shkon më larg se dera e Kuvendit. Aty e keni mendjen: te privilegjet, te mëditjet, te imuniteti dhe te pushteti personal.
Për ju, Kuvendi nuk është tempull i demokracisë, por strehë interesash.
Interesi kombëtar dhe shtetëror për ju është një fjalë boshe, një slogan për fushatë, jo një obligim moral.
Harroni se Kuvendi ka për mision hartimin dhe miratimin e ligjeve që u shërbejnë qytetarëve. Në vend të kësaj, Kuvendin e patët shndërruar në një cirk banal fyerjesh, sharjesh dhe intrigash të ulëta, ku dominonte gjuha e kafeneve dhe jo përgjegjësia shtetërore.
Me këto qasje, ju nuk e degraduat vetëm veten, por e poshtëruat institucionin më të lartë përfaqësues të vendit.
Ju që serish kërkoni ulëse në Kuvend, nuk i meritoni se keni humbur besimin e qytetarëve dhe nuk keni as legjitimitet moral të flisni në emër të tyre. Se preokupim juaj është interesi individual e grupor, e jo ai publik, shtetëror e kombëtar.

Për Shefqet Gjocajn, kandidatin e LVV për Kuvendin e Kosovës

0

Shënim i Drinit

Biografia e Shefqet Gjocajt

Kandidat për Kuvendin e Republikës së Kosovës Shefqet Gjocaj shquhet si një nga zërat më të rëndësishëm dhe më të përkushtuar të jetës publike e kulturore në Republikën e Kosovës.

I lindur më 11 qershor 1962 në Istog, ai i përket brezit që ka ndërtuar themelet e zhvillimit kulturor dhe shoqëror të vendit që nga vitet ’80.

Me krijimtarinë dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm, Gjocaj është bërë një figurë kyçe në formësimin e dramaturgjisë, kulturës dhe identitetit artistik bashkëkohor të Kosovës.

Studimet universitare i përfundoi në Fakultetin Teknik, drejtimi Arkitekturë (1982–1988), ndërsa pas një përvoje të gjerë në art, teatër dhe organizim kulturor, iu rikthye akademisë duke diplomuar në Dramaturgji – Bachelor (2008–2012) dhe Master (2012–2013) në Fakultetin e Arteve.

Gjatë drejtimit të Ansamblit “Shota” (2014–2022), institucioni kaloi një fazë të rigjallërimit artistik, riorganizimit të brendshëm dhe prezantimit dinjitoz të kulturës shqiptare në skenat më prestigjioze, brenda dhe jashtë vendit.

Nën udhëheqjen e tij u zhvilluan dhjetëra produksione, turne ndërkombëtare dhe projekte të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë shpirtërore.

Përvoja e tij profesionale përfshin edhe angazhime në projekte të Bashkimit Evropian (2006–2013) si ekspert i marrëdhënieve me publikun, si dhe detyra në BE, UN dhe Kryqin e Kuq Austriak (1999–2005), ku ka drejtuar programe rindërtimi pas luftës, zhvillimi urban dhe trajnime profesionale. Kontributi i tij është i pranishëm në qindra projekte infrastrukturore e komunitare në Istog, Pejë dhe Mitrovicë.

Si gazetar dhe korrespondent i “Koha Ditore” dhe TVSH-së gjatë viteve të luftës, Gjocaj ka raportuar nga terreni mbi zhvillimet politike, sociale dhe kulturore, duke dokumentuar një periudhë vendimtare të historisë së Kosovës .

Ai është gjithashtu bashkëthemelues i revistës “Kronika e Istogut”. Karrierën e nisi si mësimdhënës (1986–1997), duke dhënë kontribut të paçmueshëm në edukimin e brezave të rinj në Istog dhe Mitrovicë.

Në fushën e artit skenik, Shefqet Gjocaj është një emër i njohur: aktor, regjisor, dramaturg dhe themelues i trupave teatrore.

Ka qenë pjesë e SHKA “Bajram Curri”, Ansamblit “Ramiz Sadiku”, Teatrit “Sander Prosi” dhe themelues i Teatrit “A. Moisiu” në Mitrovicë (1990) dhe Teatrit “Bindi” në Istog (1993).

Ai ka regjisoruar mbi 10 shfaqje dhe ka interpretuar në më shumë se 20 role teatrore. Është autor i dramave “Përvjetori”, “Ora e Matematikës”, “Engjëjt janë gjithkund”, “Kamera e Fshehur”, “Ëndrra e Lulit” dhe veprave të tjera ende të pabotuara.

Si skenarist, ka kontribuar në projekte filmike, ndër to edhe te filmi “Kthimi” ne regji te Blerta Zeqirit, fitues i çmimeve ndërkombëtare përfshirë Sundance Film Festival dhe Sarajevo Film Festival.