
Nëndega e LDK-së në Bavarinë e Epërme kërkon shtesë të vend-votimeve

Numrat e shortit dhe iluzionet elektorale

Isuf Bajraktari, Suedi
Si zëvendësohet vizioni politik me simbolikë të rastësishme
Në çdo vend demokratik shorti zgjedhor është vetëm procedurë teknike.
Në Kosovë, ai po trajtohet si ngjarje mistike.
Menjëherë sapo u shpallën numrat, partitë nisin garën e improvizuar për t’i dhënë secilit numër kuptim filozofik, historik e pothuajse hyjnor.
Një teatër i njohur në politikën tonë, ku shifrat zmadhohen, ndërsa programet zvogëlohen.
Kjo është një analizë e ftohtë e mënyrës se si secila parti po i shfrytëzon numrat për të fshehur çfarë ndodh realisht: pasiguritë, mungesat dhe betejat brenda vetes.
116 – LVV dhe fitorja që tingëllon më shumë si apel se sa si realitet
Deklarimi i kryeministrit Kurti për një “fitore edhe më të madhe” me numrin 116 është retorikë e parashikueshme, por jo e padëmenduar.
Në politikë, një lider shpall fitoren e ardhshme, kur:
- e ndjen se energjia e bazës është zbehur,
- e di që pjesë e elektoratit është e ftohur,
-
kupton se fitorja nuk është më vetëkuptuese.
116 nuk është flamur triumfi.
116 është alarm i heshtur që LVV duhet të ringjallë mobilizimin e humbur.
E thënë thjeshtë: fraza “fitore më e madhe” tingëllon më shumë si nevojë, sesa si epërsi.
130 – PDK dhe stabiliteti që promovohet sepse ende nuk evidentohet
PDK e shpalli numrin 130 si “numër të stabilitetit, zhvillimit dhe fitores”. Në analizë politike, kur një parti nxjerr lista të gjata fjalësh të mëdha, zakonisht flet më shumë për atë që i mungon sesa për atë që ka.
130 është përpjekje për ta projekuar PDK-në si alternativë të gatshme qeverisëse, por fjalët për stabilitet janë të përsëritura ngaqë partia:
- nuk ka prurje të fuqishme të reja,
- kërkon të krijojë kontrast me qeverinë,
- tenton të rikthejë perceptimin e partisë “shtetformuese”.
PDK duket ambicioze, por ende jo bindëse në risi. 130 është slogani i rikthimit që akoma nuk është siguruar.
129 – AAK dhe guximi që mbetet produkti i vetëm i sigurt
Ramush Haradinaj e shoqëroi numrin 129 me premtimin e radhës për “përfaqësues të guximshëm dhe të pakompromis”.
Guximi është marka e AAK-së.
Por edhe dëshmia më e qartë se partia:
- ka bazë të fortë emocionale,
- nuk ka platformë të re zhvillimore,
-
nuk ka arritur të modernizojë ofertën e saj.
129 është thirrje emocionale, jo ofertë programore.
AAK mbetet e fortë në identitet, por e dobët në horizontin politik.
123 – LDK dhe diplomacia e heshtur që flet përmes imazhit
LDK prezantoi listën si “listë e vlerave, integritetit dhe meritës”. Një deklaratë pothuaj akademike e qëllimshme dhe diplomatike.
Në këtë retorikë të qetë fshihet strategjia:
- LDK nuk garon me zhurmë,
- nuk dëshiron të hyjë në konflikt të drejtpërdrejtë,
-
synon rikthimin te identiteti historik i seriozitetit dhe moderimit.
Kjo është gjuhë e partive që nuk luftojnë me thika, por me imazh. LDK nuk po garon me premtime të mëdha, por me besueshmëri, një koncept që elektorati e kupton vetëm nëse lexon mes rreshtave. 123 është numri i një partie që i fton votuesit të reflektojnë, jo të zemërohen.
Numrat janë letër – frikërat janë reale
116, 130, 129, 123, 122… Asnjë prej tyre nuk e përcakton fituesin. Por mënyra se si i përdorën partitë tregon shumë:
- LVV zbuloi ankthin e rënies së entuziazmit,
- PDK zbuloi nevojën për rikthim me narrativë,
- AAK zbuloi kufijtë e identitetit të saj,
-
LDK zbuloi strategjinë e imazhit të qetë.
Numrat janë rastësi.
Retorikat janë zgjedhje.
Zgjedhjet i fiton ai që di të ndërtojë besim jo ai që i jep kuptim shortit. Kosova nuk ka nevojë për numerologji politike, por për politikë reale. Dhe deri sa partitë t’i kthehen substancës, avazi i numrave do të mbetet vetëm perde tymi mbi një fushatë që nuk guxon të flasë sinqerisht për sfidat e vendit.
Përmbysja e mitit neo-otomanist: Shqiptarët nuk u çliruan, por u pushtuan nga Perandoria Osmane

Një pakicë studiuesish me prirje neo-otomaniste dhe disa klerikeve qe flasin per historine turko-osmane sipas historiografise turke dhe serbe, pretendojnë se shqiptarët nuk u pushtuan nga Perandoria Osmane, por u “çliruan” dhe u “integruan” në të. Ky interpretim i mohon faktet historike, injoron dokumentet arkivore dhe fshin qëllimisht rezistencën shekullore të shqiptarëve kundër një pushtimi të gjatë e të dhunshëm. Përballë këtij përmbysimi të së vërtetës historike, qëllimi i kësaj eseje është të argumentojë se shqiptarët u pushtuan me dhunë nga osmanët dhe se ata zhvilluan një rezistencë të vazhdueshme për ruajtjen e lirisë, identitetit dhe tokës së tyre.
Së pari, për të kuptuar natyrën e marrëdhënieve shqiptaro-osmane, duhet të shqyrtojmë faktin se pas shembjes së Perandorisë së Dushanit në fund të shekullit XIV, shqiptarët ngritën principata të pavarura në territorin e tyre, si ajo e Balshajve, Kastriotëve, Dukagjinëve, Topiajve, Muzakajve, etj. Këto formacione shtetërore ishin pasardhëse të drejtpërdrejta të traditës politike arbërore që kishte nisur qysh në shekullin e XII, duke treguar një vazhdimësi të subjektivitetit politik shqiptar. Pushtimi osman, që nisi në fund të shekullit XIV dhe u intensifikua në shekujt XV-XVI, shkatërroi këto struktura dhe vendosi mbi to një rend të huaj, teokratik dhe centralist, të përqendruar në Stamboll.
Rezistenca e shqiptarëve ndaj këtij pushtimi nuk ishte e përkohshme apo e fragmentarizuar. Përkundrazi, ajo ishte e pandërprerë dhe mbulon më shumë se katër shekuj histori. Që nga kryengritjet e para të vitit 1423 në More, tek kryengritjet e Gjergj Arianitit dhe ato të Skënderbeut (1443–1468), e deri te kryengritjet masive të shekujve XVIII dhe XIX, shqiptarët nuk u pajtuan kurrë me sundimin osman. Rrallë ndonjë popull në Evropë ka një histori kaq të gjatë dhe të dendur rezistence ndaj Perandorisë Osmane. Në vitin 1481, menjëherë pas vdekjes së Sulltan Mehmetit II, shqiptarët u ngritën masivisht në kryengritje, një dëshmi e qartë se pushtimi nuk ishte as i pranuar dhe as i padiskutueshëm. Edhe më tej, kryengritjet e vitit 1571 në prag të betejës së Lepantos, kryengritjet e Kelmendit, të Kosovës më 1668, dhe përfshirja e shqiptarëve në planet e aleancave evropiane kundër Turqisë në shekujt XVII-XVIII dëshmojnë për një vetëdije të lartë etnike dhe gradualisht edhe të kombësisë së veçantë që meriton të paavrësohet.
Së dyti, ideja se shqiptarët “u integruan” në Perandorinë Osmane është një keqinterpretim i qëllimshëm i realitetit historik. Po, është e vërtetë që disa përfaqësues të elitave shqiptare zunë poste të larta në Perandori, nga jeniçerë e vezirë, tek sundimtarë lokalë si Ali Pashë Tepelena. Por kjo nuk është dëshmi e një integrimi të barabartë, por një strategji tipike e çdo pushtimi imperial: përdorimi i elitave vendase për të kontrolluar më lehtë provincat e pushtuara. Këto elita shpeshherë u distancuan nga populli i tyre, u konvertuan në fenë islame, humbën identitetin kombëtar dhe u bënë pjesë e aparatit represiv që shtypte vetë shqiptarët. Ndaj nuk mund të flitet për integrim të lirë, por për asimilim dhe bashkëpunim me pushtuesin, një fenomen i njohur në të gjitha sistemet koloniale.
Së treti, dokumentet historike flasin qartë për karakterin pushtues të Perandorisë Osmane në tokat shqiptare. Rënia e qyteteve shqiptare ishte e përgjakshme, shoqëruar me masakra, djegie dhe shpërngulje masive. Kështjella si ajo e Krujës, Shkodrës, Beratit dhe Ulqinit u rrethuan me dhunë dhe u morën vetëm pas betejash të përgjakshme. Pas çdo rezistence, Perandoria vendoste në krye të krahinave pashallarë që mbanin kontrollin përmes taksave të rënda, rekrutimeve të dhunshme dhe ndalimit të gjuhës e shkollave shqipe. Liturgjia në gjuhën shqipe, për shembull, ndalohej rreptësisht. Në të gjitha këto, Perandoria vepronte si çdo pushtues tjetër.
Së fundmi, argumenti më i fuqishëm kundër narrativës neo-otomaniste është vetë kronika e kryengritjeve shqiptare gjatë pesë shekujve të pushtimit osman. Lista e ngjarjeve historike nga viti 1423 deri më 1912, si ajo e përpiluar nga At Zef Valentini, tregon se shqiptarët nuk e kanë pranuar kurrë me vetëdije sundimin osman. Lufta për liri, që kulmoi me Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912 dhe shpalljen e Pavarësisë, nuk lindi papritur, por ishte fryt i një tradite të gjatë lufte kundër një pushteti të huaj dhe shtypës.
Përfundimisht, përpjekjet për ta paraqitur pushtimin osman si një çlirim apo integrim janë interpretime ideologjike dhe të pasakta. Ato mohojnë të kaluarën dhe dinjitetin e një populli që ka luftuar shekuj me radhë për lirinë e vet. Historia e shqiptarëve gjatë epokës osmane është historia e një pushtimi brutal dhe një rezistence të palëkundur.
Ajo duhet të kujtohet dhe studiohet në të vërtetën e saj, jo të shërbejë si vegël për projekte nostalgjike të influencës neo-otomane në Ballkan.
Tradhëtia dhe masakra ndaj Shqiptarëve nga Sulltan Mahmudi II Han
Më 9 qershor 1830, sulltan Mahmudi II Han, urdhëroi vezirin e madh që të ekzekutoi në pabesi 500 feudalët shqiptar myslimanë të Shqipërise se Jugut dhe asaj te Mesme!
Ftesa për takim në Manastir u arsyetua se do te bisedohet për çështjen e organizimit të ushtrisë dhe të pagesave të prapambetura. Sapo shqiptarët mbërrijten në vendin e ceremonisë, ushtaret osman që stërviteshin, i kthyen pushkët kundër tyre, hapen zjarr mbi ta, duke i vrarë të gjithe ne vend.
Një veprim të ngjajshëm dhe të pabesë e kreu i biri i Mehmet Reshit Pashes, Vezirit të Madh, Emin Pasha ndaj parisë shqiptare të Çamërisë në Janinë.
U masakruan 100 krerë shqiptarë!
Këto masakra që zhduken krerët me të rëndesishëm shqiptar te kohës, dëshmoi të ishte nje goditje me pasoja dhe hendikep i madh për shqiptarët dhe pozitën e tyre në Ballkan gjatë shekullit XIX. Krime te tilla u bënë vetëm ndaj shqiptareve.
Për 500 vite, kështu janë respektuar dhe dashur shqiptarët nga gjoja “vëllezërit” e tyre turq.
Hyrje e studjuesit Mark Palnikajt rreth librit Formula e Pagëzimit
Hyrje
Dokumenti të cilin po e botojmë është shkruar rreth gjashtëqind vjet më parë dhe pjesa që konsiderohet më e rëndësishme e tij është shkruar me datë 8 nëntor 1462.
Për afër dyzet vjet ky dokument është ruajtur në Kryedioqezën e Durrësit nga e cila vareshin një numër i madh dioqezash. Nga dokumentet që kemi studiuar del se në periudha të ndryshme kohore, kjo Kryedioqezë ka pasur tetëmbëdhjetë dioqeza sufragane, të cilat po i radhitim më poshtë:
- Albano (ose Arbano ose Albanopoli), sufragane e Dioclesë dhe më pas sufragane e Durrësit në shek. XII.
- Alesio (Lezha), sufragane e Durrësit shek. VI.
- Amantia, në Epirin e Ri, sufragane e Durrësit në shek. IV.
- Apollonia, në Epirin e Ri, sufragane e Durrësit shek. V.
- Aulona (Avelona, Valona, Vlora), në Epirin e Ri, sufragane e Durrësit në shek. V.
- Benda, në Epirin e Ri, sufragane e Durrësit shek. XIV.
- Bullido (Bylis, Gradishta), në Epirin e Ri, sufragane e Durrësit shek. V.
- Kanovia (Hunavi), në Epirin e Ri, sufragane e Durrësit në shek. X.
- Kruja (Croia), në Epirin e Ri, sufragane e Durrësit në shek. XIII.
- Graditzio (Gradishta), sufragane e Durrësit shek. X.
- Durrazzo (Durrës, Durrësi) Kryedioqezë Metropolitane e Epirit të Ri, e dokumentuar nga shek. IV.
- Lestrona, në Epirin e Ri, sufragane e Durrësit në shek. V.
- Scampa (Elbasan), në Epirin e Ri, sufragane e Durrësit në shek. V.
- Scutari (Skodra, Scodra, Shkodër), në Epirin e Ri, sufragane e Durrësit në shek. IV.
- Stefanico (Stefanika) në Epirin e Ri, sufragane e Durrësit, shek. IX.
- Tzernico (Cernica), në Epirin e Ri, sufragane e Ohrit dhe më vonë e Durrësit, shek. IX.
- Wregen (Fregen ?), në Epirin e Ri, sufragane e Durrësit në shek. XIV.
- Prizren, Dardania, sufragane e Durrësit.*) Burimi, Lorenzo Tacchella, Il Catolicesimo in Albania nei secoli XVII e XVIII (Dalle Visite ad Limina Apostolorum e dal Processi Concistoriali), Verona 1984, faqe 92, 93, 94.
Ky fakt tregon se kjo Kryedioqezë dhe kryeipeshkvi që e drejtonte atë, ishin mjaft të rëndësishme për Selinë e Shenjtë në Vatikan nga e cila vareshin.
Sipas kronikave dhe dokumenteve të shekullit XVI, Durrësi apo siç e cilësojnë ato “Konstandinopoja e Dytë”, u pushtua nga turqit më 13 gusht 1501.
Pushtuesit turq grabisnin çdo gjë që u hynte në punë dhe ato që nuk u duheshin ose i digjnin ose i shkatërronin. Kjo praktikë e këtyre pushtuesve njihej nga popullsia vendase më shumë se njëqind vjet para pushtimit të Durrësit prandaj mbas pushtimit, një pjesë e madhe e popullsisë dhe pothuajse të gjithë klerikët katolikë u larguan kryesisht në drejtim të Gadishullit Apenin.
Fakti që kopja e dokumentit që po botojmë me fotografi, është ruajtur në Bibliotekën Laurenziana të qytetit të Firences, na bën të mendojmë se mbas largimit nga Durrësi, disa nga të larguarit u strehuan në këtë qytet dhe në rrethinat e tij.
Mendohet dhe është pranuar nga shumica e studiuesve se ky dokument u kopjua me kujdes mbas vitit 1502 dhe u ruajt në këtë bibliotekë. Dokumenti origjinal deri më sot nuk ka qenë e mundur të gjëndet.
MBI DOKUMENTIN
Ky dokument përbëhet prej 37 fletësh të shkruara nga të dyja anët (recto e verso) në pergamenë. Ka gjithsej 74 faqe të shkruara me dorë dhe ruhet në Bibliotekën Laurenziane të Firences në Itali, (Biblioteca Medicea Laurentiana) në Kodin Ashburnham, Reg. II, 1167, dhe mban titullin: Constitutiones, Ordinationes et Statuta (Vendime, Urdhëresa, dhe Statute) lëshuar nga: Paulus Angelus, Miseratione Divina Archiepiscopus Durrachiensis et Illiricae Regionis (…) in Eclesia Sancte Trinitatis de Emathia Anno Dei MCCCCLXII, Indictione Decima Dievero Lune octava mensis Novembris.
Ky dorëshkrim në të cilën ndodhet dokumenti i parë i shkrimit shqip që nga studiuesit mbas vitit 1915 është quajtur Formula e Pagëzimit, u zbulua dhe u botua nga historiani rumun Nicola Jorga, i cili e botoi në gjuhën frënge duke ia bërë të njohur këtë fakt botës akademike në vitin 1915.*)(Shih: N. Jorga, Notes et extraites pour servir à l’histoire des Croisades au XV-e siècle, vol. IV, (1453-1476), Bucurest, 1915, faqe 194-197).
Në këtë kodeks janë riprodhuar me shkrim dore 13 dokumente historike të bashkëlidhura – krisobula perandorake, bula papale, dekrete venedikase, akte kancelareske, qarkore kishtare – nga të cilat dy kanë për autor Pal Engjëllin, dy të tjerat kanë lidhje me Durrësin dhe Drishtin, – i pari selia e kryeipeshkvisë së tij, i dyti qytet i lindjes së tij. Të gjitha aktet, përfshirë edhe krisobulat perandorake bizantine, janë në latinisht, në atë kohë gjuha zyrtare e kishës.
Përmbajtja e tyre e renditur e tyre është si vijon:
- Vendimet, urdhëresat dhe statutet e shpallura nga Pal Engjëlli më 8 nëntor 1462 (faqe 2r deri 9r), i cili përmban edhe nëntë fjalët e qenësishme të njohura si “Formulën e Pagëzimit”;
- Çështje të liturgjisë kishtare nga Pal Engjëlli (faqe 9v deri 11r);
- Nga libri i arkivit të qytetit të Durrësit (faqe 11r deri 13v);
- Bula papale e Piut II, Romë, 4 nëntor 1463 drejtuar kardinalit të Durrësit, Pal Engjëllit (faqe. 14r deri 20r);
- Krisobula e perandorit bizantin Mihal për venomet*)Venome quheshin të ardhurat e qytetit nga taksat që merreshin qytetarëve nga tregëtia, bujqësia, qeratë, dogana të cilat ndaheshin midis kishës dhe shtetit.
e qytetit të Drishtit, lëshuar më 25 prill 1292 (faqe 20v deri 22r);
- Marrëveshja e Venedikut me bashkësinë e Drishtit më 9 maj 1443 (faqe 22v deri 25r);
- Marrëveshja e Anton Venierit, duka i Venedikut, me Gjergj Thopinë, për çështjen e qytetit të Durrësit, më 18 gusht 1392 (faqe 25r deri 27v);
- Gjenealogjia e Engjëll Komnenëve të Drishtit, datuar më 21 nëntor 1460 (faqe 27r deri 32r);
- Dekreti i guvernatorit të Durrësit për Pal Engjëllin, më 3 qershor 1461 (faqe 32r deri 33r);
- Letër e Pasquale Maripetro-s, dukë i Venedikut, drejtuar Pal Engjëllit, më 9 qershor 1461 (faqe 33r deri 33v);
- Letër e Gabriel Trevizanit, proveditor*)Trevizano ishte provizor-prokuror i cili shkruante në emër të dukës së Venedikut. i Venedikut, drejtuar Pal Engjëllit më 25 korrik 1465 (faqe 33v deri 34v);
- Provizioni i Këshillit të të Dhjetëve të Venedikut për Lekë Spanin, zot i Dukagjinit, më datë 27 qershor 1484 (faqe 34v deri 35v);
- Krisobula e perandorit bizantin, Isak Engjëlli, drejtuar Papa Çelestit, më 14 mars 1194 (faqe 36r deri 37r).
Dokumenti është kopjuar nga e njëjta dorë, me shkrim të bukur, me ngjyrë të fortë e të purpurtë. Fakti se grafia e tekstit veçohet për anën e tij estetike, të bën të mendosh se ai duhet të jetë kopjuar nga “scriber”(shkrues) të njohur në këtë disiplinë në fillim të shek. XVI, mbasi në fund të aktit të parafundit (akti nr. 12) është shënuar data 14 qershor 1503, çfarë lë të nënkuptohet qartë se tekstet e codexi-t nuk janë kopjuar mbas kësaj date.
Përveç mungesës së materialeve origjinale, nuk kemi asnjë të dhënë lidhur emrin e kopjuesit si dhe kohën në të cilën ky dorëshkrim ka hyrë në bibliotekën e Firences. Kodeksi i Pal Ëngjëllit nuk është botuar deri më sot plotësisht në mënyrë integrale. Fillimisht, u botua vetëm fleta 4, në të cilën ndodhet dokumenti i parë i shkrimit shqip, Formula e Pagëzimit, e cila më pas u shoqërua me një botim të dytë bashkë me një riprodhim fotografik që u bëri këtyre akteve në vitin 1926, e më pas në vitin 1932, njohësi i shquar i teksteve të vjetra të shqipes, filologu frëng, Mario Roques.
Duhet theksuar se faksimilja e këtij dokumenti në botimet shqiptare fillimisht u botua nga Lumo Skëndo (Mithat Frashëri) në revistën “Dituria”, në vitin 1926, në numrin 6 të saj të muajit prill, por botuesi për lehtësi paraqitjeje, në mënyrë që ta paraqiste sa më të plotë kontekstin e dokumentit, i bashkëngjiti në një faqe të vetme faqet 3v dhe 4r, si faksimile që u rimor në këtë publikim për t’u ribotuar më pas në të gjitha studimet dhe tekstet shkollore deri në vitin 2005. Në vitin 2005, një pjesë e kodeksit ku ndodhet “Formula e Pagëzimit”, e titulluar “Constitutiones, Ordinationes et Statuta”, e cila zë fletët 2r deri 9r, pra gjithsej 15 faqe nga 74 të tilla që ka i gjithë kodeksi, është botuar për herë të parë në vëllimin “Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke në shek. XV. *)Burime dokumentare shqiptare”, përgatitur nga Kristo Frashëri, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Toena, Tiranë 2005, në origjinal faqe 122-137, dhe në përkthimin shqip faqe 138-143, ndërkohë që një tjetër shqyrtim i këtij autori gjendet edhe në monografinë kushtuar Skënderbeut: (Shih: Kristo Frashëri “Skënderbeu. Jeta dhe vepra”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2002, faqe 397-401).
Në vitin 2007, në Muzeun Historik Kombëtar u mbajt një tubim shkencor ku studiues nga Shqipëria paraqitën tetë tema studimore mbi këtë dokument.
Në vitin 2008, nga Muzeu Historik Kombëtar këto tema u botuan në një libër me titull “Formula e Pagëzimit” duke i shtuar si pjesë të dytë edhe gjashtë artikuj studimor të shkruar vite më parë. Artikulli i parë nuk ka autor kurse pesë artikujt e tjerë janë shkruar përkatësisht nga Mario Roques, Eqerem Çabej, Kristo Frashëri, Injac Zamputi dhe Kol Ashta.
Komente dhe artikuj mbi këtë dokument kanë bërë edhe shumë studiues të tjerë në revista, gazeta, në faqe të ndryshme në internet dhe në forma të tjera.
Po përmendim disa nga studiuesit që kanë bërë shkrime si, Mario Roques, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Giuseppe Valentini, Injac Zamputi, Kolë Ashta, Justin Rrota, Lumo Skëndo, Norbert Jokli, Namik Ressuli, Shaban Demiraj, Kolec Topalli, Seit Mansaku, Engjëll Sedaj, Dhimitër Shuteriqi, Zeqirja Neziri, Ledi Shamku, Kristo Frashëri, Shaban Sinani, Mahmud Hysa, Anila Omari, Behar Gjoka, Dilaver Kurti dhe shumë studiues të tjerë.
Në të gjitha shkrimet e publikuara, bie në sy fakti se të gjithë shkruesit janë marrë kryesisht me nëntë fjalë të shkruara në dy rreshta të faqes katër të këtij dorëshkrimi që studiuesit e kanë pagëzuar me emrin “Formula e Pagëzimit” dhe ky term është shkruar aq shumë sa dokumenti në tërësi nuk njifet me emrin e tij të vërtetë siç e shkroi autori i tij por me këtë emër të ri që nuk është emri i vërtetë i dokumentit.
Një dokument me shtatëdhjetë e katër faqe dorëshkrim, i cili përmban të shkruar një porosi të shkruesit të dokumentit në gjuhën shqipe me germa latine me gjithsej nëntë fjalë dhe vetëm dy rreshta, me të padrejtë emërtohet me këtë emër. Në asnjërën nga faqet e këtij dokumenti nuk shkruhet fjala “Formula e Pagëzimit” nga autori i shkrimit.
PUBLIKIMI I DOKUMENTIT
Ne nuk jemi në gjendje të themi se sa studiues e kanë kaluar nëpër duar nga viti 1503 deri në vitin 1914 kur studiuesi rumun Nicola Jorga e gjeti dhe e publikoi.
Është i pa mohueshëm fakti që deri në vitin 1915 kur Jorga e publikoi ekzistencën dhe një pjesë të këtij dokumenti në gjuhën frënge, askush para tij nuk e kishte publikuar këtë dokument.
Për disa nga publikimet mbas vitit 1915 folëm pak më sipër por një publikim i plotë i tij në gjuhën latine dhe i përkthyer në gjuhën shqipe nuk u bë asnjëherë.
Për këtë arsye, ne vendosëm të bëjmë një botim fototipik të dokumentit të rishkruar në gjuhën latine dhe të përkthyer në gjuhët shqipe dhe angleze.
Botimi i dorëshkrimit dhe përkthimi në gjuhën angleze besoj se do ju shërbejë studiuesve të huaj dhe dokumenti do të ketë edhe njohje ndërkombëtare. Kjo gjë ka rëndësi për historinë e vendit tonë.
RËNDËSIA E DOKUMENTIT PËR HISTORINË E KOMBIT SHQIPTAR.
Do ti shënojmë me pika të veçanta dhe me komente ato aspekte që paraqesin më shumë rëndësi nga ky dokument.
- Në aspektin e historikut të gjuhës tonë të shkruar.
Pa asnjë diskutim, dy rreshtat e faqes katër të dokumentit që tashmë botërisht janë bërë të njohura si “Formula e Pagëzimit” konsiderohen si fjalët e para të shkruar në gjuhën tonë të njohura deri më sot. Besoj që është e tepërt të ndalem mbi këtë pikë mbasi, absolutisht të gjithë ata që kanë shkruar deri sot mbi këtë dokument, kanë folur gjatë për formulën e pagëzimit dhe unë nuk do ti shtoja me komentet e mija ndonjë gjë me rëndësi.
- Në aspektin kombëtar.
Nga sa kemi mësuar deri më sot nga shkrimet e ruajtura, Pal Ëngjëlli është i pari në listën e gjatë të prijësve fetarë me kombësi shqiptare, të cilët përveçse propogandimit të fesë së krishterë si barinj shpirtërorë të besimtarëve, pa e ndarë idenë e fesë nga atdheu, në të gjitha kohërat e pushtimit të atdheut nga pushtuesit e ndryshëm, kanë udhëhequr popullin në luftë për liri dhe të drejta kombëtare.
Në dorëshkrim, në faqen 13v (nga ana e pasme sipas numrit të shënuar nga biblioteka që e ka ruajtur dokumentin në fund të faqes nga ana e djathtë) shkruhet pa asnjë mëdyshje se Pal Ëngjëlli ishte djali i motrës së nënës së Skendërbeut.*) Në gjuhën shqipe, për djalin ose vajzën e xhaxhait, të hallës, të dajës dhe të tezes, ne përdorim të njëjtin emër duke i konsideruar kushërinj të parë. Në gjuhën latine fjala consobrini e përdorur për Pal Ëngjëllin, sipas fjalorit latinisht – italisht të Cesare Bione “Vocabolario della Lingua Latina”, botues “Carlo Signorelli – Milano, viti 1940, faqe 131 përkthehet kushëri (nga ana e nënës) (cugino per parte di madre) kurse në fjalorin e Ferruccio Calonghi “Dizionario Della Lingua Latina” Vol. I, Torino 1957, faqe 623, po kjo fjalë në gjuhën latine përkthehet në gjuhën italiane “figlio o figlia della sorella della madre” (djali ose vajza e motrës së nënës) duke hequr çdo hije dyshimi rreth këtij fakti. Në Shqipëri, disa studiues kanë hedhur hije dyshimi për lidhjen e gjakut midis Gjergj Kastriotit dhe Pal Ëngjëllit duke thënë se në mesjetë, shumë herë persona të ndryshëm shkruanin sikur kishin lidhje me figura të famshme të asaj kohe edhe kur këto lidhje nuk ekzistonin. Për këtë problem, ne u konsultuam me profesorët e gjuhës latine pranë Shkollës së Paleografisë në Arkivin Apostolik të Vatikanit dhe ata na konfirmuan pa asnjë mëdyshje se sipas këtij dokumenti ata i kishin nënat motra. Këtë pohim e forcon edhe një e dhënë tjetër ku thuhet se vëllai i madh i Pal Ëngjëllit, Pjetër Ëngjëlli, ka shërbyer si kapiten në ushtrinë e Skendërbeut. Pal Ëngjëlli, përveç karrierës si Kryeipeshkv i Kryeipeshkvisë së Durrësit, ka kryer edhe funksione shtetërore dhe diplomatike në qeverinë e kohës të udhëhequr nga Skendërbeu.
Siç del nga sa thamë më sipër, familja Ëngjëlli ishte pjesë e qëndresës së udhëhequr nga heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skendërbeu kundra pushtuesve turq. Edhe funksioni si Kryeipeshkv i Dioqezës së Durrësit i Pal Ëngjëllit ishte një post mjaft i rëndësishëm në atë kohë. Kjo Kryedioqezë kishte në varësi të sajë shumë dioqeza të tjera. Afër dhjetë vite mbas ardhjes së Gjergj Kastriotit si udhëheqës i principatës së trashëguar nga i ati i tij Gjon Kastrioti, Pal Ëngjëllit i krijohet mundësia të vizitojë dioqezat sufragane që vareshin nga ai. Ai ka vërejtur se ishin shtuar shumë zakonet e këqia si rezultat i pushtimit turk dhe vështërsive të tjera ndër besimtarët e tij.
Prandaj ai ja del të organizojë në kishën e Shën Trinisë në Lis të Matit ku ishte njëra nga dioqezat e tij sufragane një sinod kishtar me udhëheqësit fetarë, por edhe me pjesëmarrjen e parisë dhe të një numri të madh të popullit. Kjo dioqezë njifej si Dioqeza Eumathia por Lisi historikisht kishte qenë qytet afër Matit dhe sipas pohimeve të vjetra, aty kishin qenë 40 kisha dhe kapela. *) Burimi: Fulvio Cordignano S. J. Geografia Ecclesiastica Dell’Albania Dagli Ultimi Deceni Del Secolo XVIo Alla Metà Del Secolo XVIIo, Orientalia Christiana, Vol. XXXVI. -4, Num. 99, Decembri 1934, Roma 128, faqe 18.
Nga ky sqarim kuptojmë që në Lis ishte infrastruktura e përshtatëshme për tu mbajtur ky sinod për arësye të komoditetit dhe të sigurisë që ofronte, sepse ishte shumë pranë me Kalanë e Stelushit ku heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skendërbeu kishte njërën nga qendrat kryesore të veprimtarisë së tij.
Nga sa kemi informacione deri më sot dhe sipas këtij dokumenti, një sinod kishtar ishte mbajtur në trojet arbërore nga paraardhësi i Pal Engjëllit. Ky sinod është udhëhequr nga Antoni nga Aleksandria në vitin 1340, i cili e ka drejtuar Kryeipeshkvinë e Durrësit nga viti 1349 deri në vitin 1363 kur këtë detyrë e ka marrë Dimitri, një tjetër prelat.*) Conrad Eubel, Hierarchia Catholica, Vol. I, faqe 232.
Duhet shënuar se sinodi vitit 1462, u mbajt me mbështetjen dhe ndihmën e dy shqiptarëve, Gjergj Kastriotit dhe Pal Ëngjëllit.
Vetëm pak kilometra larg dioqezës së Lisit, në kishën e Shën Aleksandrit të fshatit Dukagjin të Matit, në vitin 1602, plot njëqind e dyzet vjet më vonë është mbajtur Kuvendi i Dukagjinit me pjesëmarrjen e 2656 burrave nga të gjitha principatat arbërore për të lidhur besë për luftë kundra pushtuesit dhe për çlirimin e vendit. Ky kuvend është drejtuar nga një tjetër prelat i kishës katolike, Nikoll Mekajshi, çka përforcon idenë e klerikëve për të mos e ndarë fenë nga qëndresa për atdhe.
Do të kalonin plot dyqind e dyzet e një vjet deri në vitin 1703, kur Papa Klementi XI dhe Vinçens Zmajeviqi, edhe këta të dy me origjinë shqiptare, do të organizonin në fshatin Mërqinjë të Lezhës sinodin tjetër të njohur si Kuvendi i Arbërit. Të dy këto sinode kishtare kishin si objektiv kryesor ndalimin e valës së islamizimit të popullsisë arbërore dhe çlirimin e vendit nga pushtuesi. Këtu qëndron rëndësia kombëtare e këtij sinodi.
- Në aspektin fetar.
Në këtë këndvështrim ky sinod ka rëndësi sepse bëhet një analizë e gjendjes së kishës katolike dhe e ruajtjes së besimit nga besimtarët. Vihen në dukje gabimet dhe shkeljet e doktrinës së krishterë që viheshin re në atë kohë dhe merren vendime me rëndësi për përmirësimin e gjendjes. Në këtë sinod u morën vendime dhe u miratuan “Kushtetuta, Urdhëra dhe Statute” (Constitutiones, Ordinationes et Statuta). Nga ana fetare kjo ishte një mënyrë për ti bërë ballë ekspansionit të islamizimit të popullsisë dhe tregoheshin edhe format se si do të arrihej ky qëllim. Gjithashtu, në këtë sinod u vendos se si do të veprohej për pregatitjen dhe ngritjen e nivelit të meshtarëve dhe të personelit tjetër të kishave.
- Në aspektin ndërkombëtar.
Ky sinod ishte një mesazh i qartë për Selinë e Shenjtë në Vatikan dhe për të gjitha shtetet dhe principatat e krishtera europiane se qëndresa kundra islamizimit dhe pushtimit në Arbëri nuk ishte shuar dhe kjo qëndresë po vazhdonte me vendosmëri. Ishte edhe një lloj thirrjeje për mbështetje dhe luftë kundër armikut të përbashkët.
- Në aspektin historik.
Në këtë këndvështrim, ky sinod është një dokument mjaft i rëndësishëm nga ku studiuesit dhe historianët nxjerrin të dhëna me rëndësi për të kuptuar gjendjen e vendit tonë në atë periudhë. Në atë kohë nuk kanë ekzistuar asnjë lloj mediash të ngjashme me ato që janë sot si gazeta, revista, radio, televizione etj. Nuk ishte shpikur as shkrimi me makina dhe shkrimet e dorës ishin shumë të rralla dhe ruheshin në pak kopje. Rreziku i zhdukjes së këtyre shkrimeve ishte i madh. Prandaj ky dokument ka një rëndësi shumë të madhe për historikun e kombit tonë.
Nga ky dokument marrim vesh edhe lidhjen familjare të Gjergj Kastriotit dhe të familjes së tij me Engjëllorët e Drishtit dhe është një goditje tjetër që i jepet idesë së trumbetuar me të madhe nga kundërshtarët se nëna e Skendërbeut ishte serbe. Dokumenti ndriçon faktin se nëna e Skendërbeut, Vojsava, ishte bijë e një princi të një principate arbërore dhe jo sllave.
Botimi i këtij dokumenti do të mbyllë një zbrazëti që ka shoqëruar studiuesit e gjuhës dhe të historisë së Shqipërisë për më shumë se njëqind e dhjetë vite nga zbulimi i tij. Botimi edhe në gjuhën angleze do të ndikojë që ky dokument të jetë i njohur edhe më shumë nga studiuesit e huaj që merren me historinë dhe gjuhën e shqiptarëve.

Mark Palnikaj, Tiranë më 5 dhjetor 2025.
Liria e pamenaxhuar, sfidë e Kosovës mes shpresës dhe zhgënjimit

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan
Kosova sot gëzon lirinë që gjenerata të tëra e ëndërruan dhe e paguan shtrenjtë. Megjithatë, ndjenja e lirisë shpesh shoqërohet me zhgënjim, pasiguri dhe një realitet shoqëror që duket larg pritshmërive të para pas luftës.
Rinia largohet, vendi po zbrazet, profesionalistët e arsimuar po i shërbejnë perëndimit e jo vendit të tyre, ndërsa qytetarët ndihen të varfër në një shtet që vazhdimisht shpall “rritje ekonomike”.
Pyetja themelore që shtrohet është: a po dimë ta menaxhojmë si e sa duhet lirinë? Kosova ka shënuar përparime në demokraci, siguri dhe integrime euroatlantike. Megjithatë, këto arritje politike nuk janë shndërruar në mirëqenie ekonomike. Papunësia, pagat e ulëta dhe mungesa e perspektivës dominojnë jetën e të rinjve.
Rritja ekonomike ekziston kryesisht në statistika, por në realitet është e përqendruar në sektorë jo-prodhuese si ndërtimtaria dhe tregtia, të cilat krijojnë pasuri të shpejtë, por jo zhvillim të qëndrueshëm.
Në qytete ngrihen pallate luksoze që shpesh mbeten pa banorë, në ndërkohë që fshatrat boshatisen. Toka bujqësore mbetet djerrinë për shkak të mungesës së investimeve, subvencioneve dhe vizionit agrar.
Kosova importon pothuajse gjithçka, edhe atë që mund ta prodhojë vetë. Pasojat janë të dyfishta: varësi ekonomike dhe dobësim i sigurisë ushqimore. Shpresa e të rinjve është zhvendosur jashtë vendit. Arsimi nuk lidhet me tregun e punës, profesionalistët shihen si barrë e jo si pasuri, dhe meritokracia shpesh zëvendësohet me nepotizëm e klientelizëm.
Kjo ikje masive e zvogëlon potencialin njerëzor të Kosovës, duke e bërë Serbinë përfituesen më të madhe strategjike të boshatisjes së vendit. Problemi i Kosovës nuk është mungesa e mundësive, por mungesa e menaxhimit dhe mungesa e organizimit shoqëror. Institucionet shpesh funksionojnë më shumë politikisht sesa profesionalisht. Zhvillimi ekonomik nuk mbështetet në planifikim afatgjatë, por në interesa personale. Ikja e rinusë – pjesës më vitale të shoqërisë është alarm kombëtar.
Mendoj që dalja nga kjo situatë kërkon disa veprime themelore:
• krijimi i politikave zhvillimore me fokus prodhimin dhe bujqësinë
• investime në arsim profesional dhe inovacion
• luftim real i korrupsionit dhe nepotizmit
• mbështetje e sipërmarrjes vendore
• rikthim i besimit te shteti Kosova ka potencial të madh, por ai nuk mund të realizohet pa organizim, pa vizion dhe pa një kulturë të re politike dhe shoqërore që vendos interesin publik mbi interesat personale.
Në fund, liria është një mundësi, jo garanci.
Kosova është sot një shtet i lirë, por jo ende një shoqëri e lirë nga varfëria, nga padrejtësitë dhe nga deformimet e tranzicionit. Pyetja e vërtetë nuk është vetëm pse jemi në këtë gjendje, por a jemi të gatshëm të marrim përgjegjësinë kolektive për ta ndryshuar atë.
Përse duhet votuar Skender Thaçi nr 36, pjesë “Vetëvendosje” nr 116?!

Leonora Laçi, New York
Jemi mësuar nga politikanët që, në kohë zgjedhjesh, premtojnë pafund. Jemi regjur nga premtime dhe madje shpesh kemi dalë të zhgënjyer.
Por rrallë kemi dëgjuar për njerëz që hyjnë në politikë pa ambicie personale, pa dëshirën për t’u quajtur “politikanë”, të udhëhequr nga ndershmëria përgjegjshmëria.
Njerëz që e kanë ndërtuar jetën e tyre me mund, me halle dhe me besim të palëkundur në veten e tyre.
Njerëz që politikën nuk e shohin si mjet për të arritur privilegje, madje janë të vetëdijshëm se angazhimi politik mund t’u sjellë më shumë dëm sesa dobi.
Por ai për të cilin do të shkruaj të gjjthë e njihni sepse ekranin e ka shfrytëzur për të ngritur problemet e turizmit në Kosovë, probleme që vetëm politika mund t’i zgjidhë. Dhe kur politika nuk i zgjidhi, ai vendosi t’i përveshë mëngët vetë dhe të bëhet pjesë e saj – që zëri i tij të dëgjohet e përmes tij dhe zëri i të tjerëve si ai.
Ne kemi nevojë për njerëz me parime, për njerëz që kanë vetëm një fytyrë dhe atë e mbajnë me vete edhe kur hyjnë në parlament por dhe kur dalin nga aty.
Skender Thaçi i përket pikërisht kësaj kategorie njerëzve që politikës i kanë qëndruar larg, por që duan të bëjnë diçka ndryshe.
Njerëz që nuk harrojnë kurrë nga vijnë dhe kush janë.
Politika ka nevojë për njerëz si Skender Thaçi që të rikthehet besueshmëria.
Ka nevojë për njerëz të udhëhequr nga ideale kombëtare, vlera të larta njerëzore, virtyte dhe familje të shëndoshë.
Ka nevojë për vizionarë për t’i dhënë drejtim shtetit dhe për idealistë që mbrojnë kushtetutën e vendit. Për njerëz që nuk e shesin Kosovën e as shpirtin tek djalli.
Skender Thaçi është biri i një nacionalisti si Imer Imeri që u zhduk pse nuk u përkulë, nacionalizmi i të cilit i kushtoi jetën, por Skenderi vazhdoi rrugën e të atit varrhumbur, me dinjitet, vendosmëri dhe përkushtim.
Po pse e mbështes Skender Thaçin?!
Sepse që nga fillimi i viteve ’90 ka bërë aq shumë për Shqipërinë dhe Kosovën, pa i dhënë zë asaj që po bënte, pa interes, vetëm me punë dhe përkushtim.
Sepse ka dëshmuar se suksesi arrihet edhe me punë të ndershme, jo me mashtrime apo pazare politike.
Sepse fjala është ajo që e udhëheq, dhe shqiptari nga fjala mbahet.
Sepse nuk është produkt i politikës dhe as i pazareve të saj.
Sepse nuk e sheh politikën si mjet për t’u pasuruar, por si një mision për t’i shërbyer qytetarëve.
Sepse për të politika nuk është armë e të fortëve, por detyrim ndaj njerëzve.
Sepse për të familja është e shenjtë.
Sepse për të kombi është i shenjtë.
Sepse ka përgjegjshmërinë e asaj që po bënë.
Shqipëria e lodhur: Psikologjia kolektive e një kombi që nuk ka më durim
As votë, as varr në Atdhe
Arif Ejupi, Gjenevë
AS VOTË, AS VARR NË ATDHE
Poezi
Disa shpirtligë e zemërprishur,
mërgimtarit që e la vendin jo me fajin e tij,
po ia mohojnë votën
dhe varrimin në Atdhe.
Mërgimtari i tretur nëpër botë me vite,
i ushqeu me bukë
e i bëri me strehë këta shpirtshitur,
që sot ia mohojnë
edhe një pëllëmbë tokë për varr.
Aty ku lindi e u rrit,
ku e përkundi dora e nënës në djep,
ku e shijoi përkëdheljen e ngrohtë
të gjyshërve.
Mërgimtari i përbuzur,
i katandisur nëpër botë,
ato dy metra vend për varr
i paguan,
ashtu siç i pagoi Faik Konica i Madh.
Pastaj, qirruni, o ju horra
e shpirtprishur,
në ekranet gri e zi!
Gjenevë, 9 dhjetor 2025
- S.Kjo poezi është një thirrje e fortë kundër padrejtësisë që u bëhet mërgimtarëve shqiptarë, të cilëve sot u mohohet jo vetëm vota, por edhe e drejta për t’u prehur në tokën e tyre. Një protestë morale që ngrihet mbi dhimbjen, dinjitetin dhe sakrificën e brezave në mërgim.
Aderimet politike nga Partia në parti, të ngjashme me transferimet e futbollistëve nga Klubi në klub

Nga: Arif Ejupi
Në Kosovë, aderimet partiake po ngjajnë gjithnjë e më shumë me transferimet e futbollistëve nga njëra skuadër tek tjetra: pa “dashuri ndaj stemës”, pa besnikëri konstante dhe shpesh me arsyetime që qytetari nuk i kupton kurrë.
Nuk është kalimi problem por është arsyeja pse ndodh kalimi. Në demokracitë e konsoliduara, lëvizjet politike ndodhin për shkak të dallimeve ideologjike ose programeve të papajtueshme.
Në Kosovë, në shumicën e rasteve, ato ndodhin për shkak të rehatisë personale, akomodimit në pushtet apo zhvendosjes drejt “kampit fitues”.
Shembujt janë të shumtë dhe të njohur për publikun: Kalimi i Edita Tahiri nga LDK në struktura qeverisëse të PDK-së u përjetua si goditje për elektoratin tradicional të LDK-së. Militantët, që dikur e shihnin si figurë simbolike të partisë, u ndjenë të tradhtuar kur e panë në një qeveri që deri dje e kritikonin zëshëm.
Ngjashëm veproi edhe Gjergj Dedaj, i cili nga pozicionet e pavarura politike u rreshtua në kampe të tjera pa shpjegime bindëse për publikun.
Milihate Tërmkolli kaloi nga LDK, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, duke lënë pas një elektorat që e kishte mbështetur për vite si figurë identitare të LDK-së.
Nuredin Ibishi ndërroi fanellën politike nga PDK në LDK, duke e shtuar edhe më shumë konfuzionin tek zgjedhësit.
Hysen Berisha është rast tipik i shëtitjes politike: AKR, LDK, PDK – një itinerar që vështirë të shpjegohet me ndryshim bindjesh.
Largimi i Fatmir Limaj nga PDK dhe krijimi i Nismës bashkë me Jakup Krasniqi dhe Bilall Sherifin ishte si largimi i një boshti të tërë të një skuadre që pretendon titullin e më të mirit.
Sabri Kiçmari – një fanatik i PDK-së, i cili më pas kaloi në Vetëvendosje dhe u emërua Ambasador në Japoni; është rast klasik i manovrës politike për avantazh personal.
Kjo katërshe ishte shtyllë e PDK-së, vite me radhë, prandaj krijimi i një subjekti të ri nuk u përjetua si protestë ideologjike, por si ndarje për pushtet dhe dominim.
As Lëvizja Vetëvendosje nuk mbeti jashtë këtij fenomeni. Nga radhët e saj u larguan figura si:
- Shpend Ahmeti
- Dardan Molliqaj
- Visar Ymeri
- Dardan Sejdiu
- Salih Salihu
- Shqipe Pantina
- Aida Dërguti
- Fatmir Humolli
- Ilir Deda etj.
Këto nuk ishin vetëm largime individësh, por çarje strukturore brenda një subjekti që pretendonte identitet ideologjik të fortë.
Rasti Deda, kur mendja racionale nuk përshtatet me militantizmin. Ilir Deda përfaqëson një kontrast të fortë me të tjerët. Ai nuk iku për pushtet. Ai nuk ndërroi parti për karrige.
Ai u largua sepse nuk mund të funksiononte në një ambient që shpërblen besnikërinë e verbër më shumë se mendimin kritik.
Ai ishte “mesfushori organizator” në një skuadër që kërkonte sulm të verbër dhe përplasje, jo qetësi dhe strategji.
Mimoza Kusari-Lila nisi karrierën politike në AAK, krijoi Alternativën dhe më pas u rreshtua me Vetëvendosjen, ndërrim partie që tregon jo evoluim ideologjik, por rikalkulim pushteti.
Donika Kada-Bujupi dhe Xhafer Gashi u shfaqën në AAK e LDK, sipas valëve politike të momentit.
Në Kosovë po ndodh ajo që është më e rrezikshme për një demokraci:politika po zbrazet nga idetë dhe po mbushet me manovra.
Në këtë “kampionat”: fitojnë ata që ndërrojnë fanellë, humbin ata që kërkojnë konsistencë, përçmohen ata që kërkojnë parim, mbijetojnë ata që përshtaten.
Kur politika shndërrohet në treg, qytetari mbetet gjithmonë blerës i mashtruar.
Në vitin 1784 Kraleva kishte vetëm 11 shtëpi serbe dhe 89 shqiptare

Dr. Qazim Namani, Prishtinë
Për shtrirjen e shqiptarëve edhe në pjesën qendrore të Serbisë gjatë shekullit XVIII e XIX, gjejmë burime të shkruara edhe nga autorët serbë (shih fig.1). Duke ditur se në këtë periudhë nuk kishte popullatë turke që jetonin nëpër qytetet e Ballkanit, mund të pohojmë se pjesa dërrmuese e banorëve të rajonit ishte me origjinë shqiptare. Mendoj se politika ruse dhe serbe sipas platformës së tyre i shfrytëzoni shqiptarët ortodoks që tani kishin hyrë në fazën e sllavizmit, pasi që ata e dinin gjuhën, traditën dhe depërtonin te liderët dhe feudalët shqiptarë pa asnjë problem. Fatkeqësisht liderët shqiptar në mungesë të platformës kombëtare dhe unitetit, nuk i kanë kuptuar në hollësi hilet e politikës ruso-serbe, dhe përmes këtyre njerëzve i zhvillonin bisedimet për çështjet më të rëndësishme në rajon.
Beograd ishin koncentruar, banorë të ndryshëm, që flisnin gjuhë të ndryshme, dhe kishin tradita të ndryshme, sa që edhe nuk kuptoheshin mes veti. Pas këtij viti u ndërmorën disa veprime politike, për asimilimin dhe serbizimin e pjesëtarëve të komuniteteve tjera që i vendosën për të jetuar në Serbi.
Autorët serbë duke u bazuar në dokumentet historike të arkivit të Beogradit dhe literaturës për kujtimet e qytetarëve të vjetër të Beogradit, ka mjaft emra. Po e përmendim që është Arnautovi Ilija, që ishte kolonel dhe oficer i shquar, është quajtur ashtu sepse kishte ardhur nga jugu, prej trevave shqiptare. Nga kjo kuptojmë se oficerët e parë të ushtrisë serbe, pjesa dërmuese kishin origjinë shqiptare që kishin shkuar në Beograd nga trevat shqiptare (shih fig. 5).
Përveç ushtrisë nga trevat jugore shqiptare, kishin shkuar për të jetuar në Beograd, edhe njerëz me profesione të ndryshme (shih fig, 6).
Nga territori i Maqedonisë së sotme në Beograd kishin shkuar, një numër i madh i banorëve, me origjinë shqiptare të besimit ortodoks që me kohë u serbizuan (shih fig. 7).
Siç do të shohim më vonë, këta shqiptarë që në këtë periudhë u vendosën në Beograd, e të cilët u serbizuan, dhe hynë në strukturat ushtarake serbe, ata i bënë krimet më të mëdha ndaj popullatës shqiptare, gjatë krizës lindore, dhe krimet më të rënda në të gjitha fushatat ushtarake që i zhvilloi Serbia më vonë ndaj popullit shqiptar.
Në dy dekadat e fundit të shekullit XIX, në Serbi u krijuan organizata të shumta rinore dhe institucionale që luftonin mes veti edhe për ta marrë pushtetin.
Në gusht të vitit 1901, një grup oficerësh të rinj, të udhëhequr nga kapiteni Dragutin Dimitrijevi Apis, e themeluan organizatën çetnike “Dora e Zezë”, ky ishte një grup konspirativ i organizuar kundër dinastisë s Obrenoviçëve.
Nga kjo organizatë e fshehtë që vepronte në Shkup, u kryen krimet më të rënda ndaj popullatës myslimane shqiptare. Shqiptarët nga aksionet e pjesëtarëve të kësaj organizate u masakruan në mënyra të ndryshme. Shqiptarët në vazhdimësi ishin të ndjekur, të vrarë, të dhunuar, dhe shpeshherë nga aksionet e bandave të tyre kufomat e shqiptarëve të vrarë hidheshin në lumin Vardar.
Vasilije Trbic, ishte një çetnik serbë, i cili gjatë vitit 1908, me bandën e tij, i kishte masakruar banorët shqiptar në fshatin Braillovë e Desovë, në komunën e Dellovës, që shtrihet në pjesën qendrore të Maqedonisë afër Prilepit. Në Braillovë nga plaçkitja që kishte bërë në familjet shqiptare ai e ndërtoi një kullë. Gjatë masakrës, të gjallë e kishte lënë vetëm një foshnje në djep.
Foshnja ishte një vajzë të cilën e kishte veshur në rroba serbe dhe në djep e kishte lëshuar në mes të fshatit. Pranë djepit ai e kishte shkruar dhe parullën se prej tash këtu do t’rriten vetëm foshnje serbe. Ajo foshnje e kishte emrin Emine, ishte një vajzë nga fshati Desovë e familjes Bajraktari. Familjarët shkuan natën e morën vajzën, të cilën e rritën, por nga presionet e shumta nga pushtetarët sllav, që kërkonin ti martonin me dhunë vajzat e kësaj familje me çetnik serbë, ajo detyrohet të shpërngulet në Turqi. Përveç masakrave të shumta që kryen ndaj familjeve shqiptare, këta çetnik cenuan edhe nderin familjarë të shqiptarëve në këto anë, duke marrë për gra vajzat e shqiptarëve.


