Kreu Blog Faqe 363

Servia emër rajoni në shërbim, jo emër etnie për Serbinë dhe serbët

0

Amerika, Hyremi dhe media e haremit

1

Nga Dritan Goxhaj

Para 6 ditëve, me datë 3 dhjetor në Komitetin për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan, në Nën Komitetin për Evropë u mbajt një seancë e veçantë dëgjimore.

Në këtë seancë që udhëhiqej nga kongresisti Keith Self u dëgjuan tre përfaqësues të tre institucioneve joqeveritare, Edward P. Joseph nga Instituti Johns Hopkins, Max Primorac nga Heritage Foundation dhe Luke Coffey nga Instituti Hudson, të cilët u pyetën dhe folën për çështjen e shqiptarëvë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Ata u pyetën rreth diskriminimit sistematik të shqipatëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Dhe kokretisht për atë që njihet si pasivizimi i adresave. Gjatë kësaj dëgjese për çështje të shqiptarëve në këto tre komuna etnike shqiptare në jug të Serbisë u deklarua nga kongresisti Self se “Pasivizimi administrativ dhe diskriminimi sistematik i shqiptarëve etnikë nga autoritetet serbe janë të papranueshme dhe përbëjnë rrezik të vërtetë për destabilizimin e rajonit”.

Në fund ky Nën Komitet në mënyrë unanime me të gjithë anëtarët e tij nga të dyja krahët politik në Kongresin Amerikan vendosën që çështja e shqiptarëve në Preshëvë, Medvegjë e Bujanoc duhet të jëtë këtej e mbrapa pjesë e politikës së jashtme të Amerikës, dhe se kjo çështje nuk duhet të anashkalohet më. https://youtu.be/dlO2gQEI5es?si=Ëë6iS_OPmP_9d2sm Ndërsa një ditë më pas, me datë 4 dhjetor, një nga Hyremet e Haremit të “Rilindjes” me detyrë Ministre e Punëve të Jashtme në Divanin (Qeverinë) e Sulltanit të Surrelit, mori pjesë në Vienë në mbledhjen e Këshillit Ministror të OSBE-së. Në këtë mbledhje sipas vetë Spiropalit në faqen e saj zyrtare në FB ajo ka thënë “Në Ministerialin e OSBE-së, rikonfirmova mbështetjen e plotë të Shqipërisë për ligjin ndërkombëtar, drejtësinë, llogaridhënien dhe dinjitetin njerëzor, përballë agresionit rus në Ukrainë. Paqja, stabiliteti dhe siguria kudo në Europë, vijojnë të jenë prioritetet tona kryesore. Siguria dhe përparimi i qëndrueshëm në rajonin tonë fillon me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”.

Sic edhe e lexoni, edhe pse një ditë më parë Kongresi Amerikan në një nga nën komisinet e tijë ka mbajtur një seancë të veçantë për çështje të shqiptarëvë në tre komunat etnike shqiptare, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Spiropali i Haremit të “Rilindjes” në Divanin e Sulltanit nuk ka thënë as edhe një fjalë në këtë mbledhje për diskriminimin e shqiptarëve dhe pastrimin etnik të tyre nga ana e Sërbisë në Preshevë, Medvegje e Bujanoc. Dhe jo vetëm kaq, por nuk kemi as edhe një deklaratë zyrtare në formën e një deklarate servile ndaj asaj që ndodhi në nën komisionin e Kongresit Amerikan. Jo, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, edhe pse e ka për detyrë kushtetuese që të mbrojë të drejtat etnike të shqiptarëve që jetojnë jasht territorit administativ të Shtetit Shqiptar, ajo nuk e ka thënë as edhe një llaf, as atë ditë, e akoma deri më sot asgjë.

Po kështu një heshtje totale edhe nga institucioni i Presidentit të Republikës, si mbrojtës direkt i Kushtetutës. Ndërsa Sulltani, drita Sorosit në nahinë tonë, Kryesuesi i Divanit (Qeverisë), Naltgjatësia e tij Ed(vin) Rama, është i zënë duke shëtitur nëpër disa vende arabe, e nuk ka aspak kohë që të shkruaj ose të thotë dy fjalë për këtë çështje për të cilën tashmë Kongresi Amerikan tregon shqetësim dhe interesim. Mos o Zot të ndodhi që këta derdimenët e “Rilindjes” të thonë ndonjë llaf që cënon pozitat e sivëllezërve të tyre serbë me në krye Vuçiçin. Por nuk është me kaq. Para 5 ditësh, me datë 4 dhjetor Komiteti i ekspertëve të Këshillit të Evropës ka publikuar raportin e ri mbi zbatimin e Kartës Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave, ku vlerëson se Serbia ende nuk i ka zbatuar plotësisht rekomandimet urgjente të bëra dy vite më parë.

Një pjesë e madhe e vërejtjeve lidhet drejtpërdrejt me pozitën e gjuhës shqipe dhe përdorimin e saj në institucionet publike, arsimin dhe jetën administrative në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Në këtë raport theksohet se ka nevojë për: “përmirësimin e cilësisë së teksteve mësimore, trajnimin e mësuesve të gjuhës shqipe, sigurimin e kushteve të barabarta për zhvillim arsimor, zgjerimin e mundësive që nxënësit shqiptarë të ndjekin më shumë lëndë në gjuhën e tyre amtare”.

Në fund Komiteti bën thirrje për masa proaktive që do të forconin pozitën e arsimit shqip në të gjitha nivelet. Pra e shkruar e zeza mbi të bardhë të gjitha këto më lart janë detyra që duhej t’i kishte bërë qeveria e Sulltanit të Surrelit, por që ka dështuar t’i bëjë. Jo se nuk ka mundur, por se qartësisht nuk dëshiron të bëjë asgjë që i prish terezinë dhe muhabetin me Serbinë.

Dhe kështu shqiptarët në Preshëvë, Medvegjë e Bujanoc, janë abandonuar totalisht nga Shteti Shqiptar dhe janë lënë në mëshirë të fatit. Por nuk mbetet larg moskokcarjes qeveritare për çështjen e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc as media e Tiranës, e në veçanti institucionet mediatike publike. As edhe një fjalë, e as edhe një kronikë, e as edhe një emision, ose diskutim për këto dy raporte, një i Kongresit Amerikan, e tjetri i Komitetit të ekspertëve të Këshillit të Evropës.

Si shkruante Faik Konica: “Në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: “U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët…”.

Më 10 dhjetor 2025

Shih videon:

Çështja e Luginës së Preshevës diskutohet në Kongresin amerikan

Albin Kurti jep detaje mbi të akuzuarit për shpërthimin në Ibër–Lepenc, përmend edhe Millan Radoiçiqin dhe segmente të tjera shtetërore të Serbisë

0

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me aktakuzën e ngritur më 8 dhjetor 2025 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndaj tre personave të dyshuar për shpërthimin terrorist në kanalin Ibër–Lepenc, ngjarje e ndodhur më 29 nëntor 2024.

Kurti përmes një postimi në Facebook, theksoi se aktakuza është rezultat i një bashkëpunimi të shkëlqyer ndërinstitucional dhe një hetimi të suksesshëm të zhvilluar nga institucionet e inteligjencës dhe sigurisë, si dhe nga partnerët ndërkombëtarë. Ai ritheksoi deklarimin që kishte bërë menjëherë pas shpërthimit, duke u bazuar në informacionet e sigurisë, se sulmi kishte ardhur nga Serbia.

Sipas tij, gjatë hetimeve janë mbledhur prova që tregojnë se tre të akuzuarit kishin qenë në vendin e ngjarjes natën e shpërthimit. Ai shprehu mirënjohje ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe FBI-së për punën profesionale në zbardhjen e rastit.

Kryeministri në detyrë deklaroi se, bazuar në informacionet e inteligjencës, të akuzuarit dyshohen të kenë qenë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë dhe të përfshirë drejtpërdrejt në realizimin e sulmit terrorist. Ai shtoi se procesi gjyqësor do të dëshmojë lidhjen e tyre me këto struktura, përfshirë, sipas tij, edhe lidhjet me Millan Radoiçiqin dhe me segmente të tjera shtetërore serbe të cilat dyshohet se kanë planifikuar dhe urdhëruar sulmin.

Pas një bashkëpunimi të shkëlqyer, hetimi të suksesshëm të kryer nga institucionet relevante të inteligjencës dhe sigurisë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me datë 8 dhjetor 2025, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave lidhur me shpërthimin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit të datës 29 nëntor 2024.

Siç e kam thënë në konferencën e jashtëzakonshme, pak orë pas shpërthimit të kanalit, në bazë të informacioneve që kam marrë nga institucionet e sigurisë, sulmi ka ardhur nga Serbia, fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor.

Tashmë është në rrugë të mbarë hetimi i këtij rasti, ku janë siguruar prova se pikërisht tre serbët e akuzuar ishin në vendin e ngjarjes natën kritike, për ç’gjë falënderoj institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës dhe FBI-në nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për punën profesionale të kryer në këtë rast.

Mund t’ju siguroj se, në bazë të informacioneve të inteligjencës, të akuzuarit kanë qenë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë dhe janë në mesin e të përfshirëve në realizim të sulmit.

Përkundër faktit se Beogradi zyrtar mohonte përgjegjësinë dhe u angazhua fuqishëm përmes veprimeve hibride në dezinformimin e opinionit, duke ngritur dyshime nga më të ndryshmet për përgjegjësit apo motivet e aktit terrorist, aktakuza e ngritur dhe epilogu i rastit, pa fije dyshimi, do të konfirmojnë të dhënat dhe vlerësimet e institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat me siguri të plotë i kam thënë edhe më parë në dy konferenca për medie (më 29.11.2024: https://kryeministri.rks-gov.net/…/adresimi-i…/ dhe më 24.12.2024: https://kryeministri.rks-gov.net/…/adresimi-i-plote-i…/) si dhe gjatë vizitës në Varagë të nesërmen (https://www.facebook.com/share/p/1AaYQ1whaq/?mibextid=wwXIfr).

Integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë, sundimi i rendit dhe ligjit për të gjithë qytetarët pa dallim, janë vlera jetike për të cilat angazhohemi ditë e natë dhe për të cilat nuk do të ndalemi asnjëherë. Rasti i fundit dëshmon që në Kosovë nuk kalon pa ndëshkim terrorizmi, sado perfid të jetë, dhe nuk mund të kalojë pa u vërejtur dhe dekonstruktuar dezinformimi.

Falënderojmë institucionet e sigurisë, partnerët ndërkombëtarë në krye me ShBA-të, institucionet, aktorët tjerë dhe qytetarët, për kontributin që po ofrojnë për një Kosovë gjithnjë e më të sigurt e paqësore, më të fuqishme në aspektin ekonomik, ligjor, integrues dhe demokratik.

Sërish jashtë listës për deputet!

0

Florim Zeqa

  • Reagim me shkas

Injorimi dhe anashkalimi i veprimtarëve më të devotshëm të LDK-së dhe zavëndësimi i tyre me “prurje” të reja apo më mirë të themi me anonimusa politik, jo vetëm që nuk do ta ndihmojë ngritjen e LDK-së, do t’i ndihmojë në masë të madhe rivalët politik të saj!

Dikush dhjetë herë kandidatë për deputet, dikush asnjëherë!

Nuk e kuptoj, se me çfarë fytyre dikush pranon të shndërrohet në kapës dhe uzurpator të Kuvendit duke u bërë pjesë e të gjitha legjislaturave, thuajse partia nuk ka njerëz më të mirë!

Por, akoma më të vështirë e kam që ta kuptojë ndërgjegjën e kandidatëve humbës nga zgjedhjet e kaluara, me çfarë fytyre ua zënë frymën të tjerëve për kandidim!

Por, nuk e kam të vështirë ta kuptojë atë që i pranon kandidaturat e tyre!

Sepse, në këtë mënyrë më së lehti shkatërrohet një subjekt politik dhe rrënohet një filozofi e shëndoshë politike!

Kjo është sindroma shkatërruese për LDK-në!

Ndodhë kështu, sepse klani i Riinvest-it nuk i donë njerëzit e fuqishëm dhe të guximshem, sikurse që nuk e donë LDK-në të bëhet zonjë e skenës politike kosovare siq ishte në të kaluarën e largët nën drejtimin e liderit historik Ibrahim Rugova, por e donë patericë dhe të poshtëruar nga partitë e tjera.

Këta drejtuesit aktualë, që sot mjaftohen me vendin e tretë, nesër do të mjaftohen edhe me vendin e katërt vetëm që vetë të jenë në kreun e këtij subjekti politik, për t’i thithur investimet nga buxheti i shtetit dhe për t’i gëzuar privilegjet e pushtetit të turpit me një subjekt tjetër politik.

Veprimtarët e orëve të para të LDK-së, të harruar dhe të anashkaluar nga falangat sorosiane dhe grupet e interesit të instaluara në ish ‘Kalanë Rugoviane’ i kanë vetëm dy rrugë: të heshtin ose të largohen përgjithmonë nga subjekti i zemrës!

Këtë që e themë po ua ilustroj me disa nga shëmbujt e ditëve të fundit, kur disa figura të larta të LDK-së e kundërshtuan qasjen e gabuar të kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, madje kërkuan edhe largimin e tij nga kreu i LDK-së, kur pa një pa dy e ndërruan çasjen e tyre progresive dhe u kthyen në mbështetës të tij!

Pa dyshim, në ndryshimin e pozicionimit politik të këtyre figurave politike ndikuan joshja me futjen në listë për deputet apo premtimi për përfshirje në qeverisjes eventuale të LDK-së!

Ndodhë pikërisht kur kështu për faktin pasi në këtë mënyrë fillon dhe mbaron patriotizmi dhe ideologjia politike e një karrieristi, i cili gjithçka e ndërlidhë me interesin personal!

U harruan ata që dhanë gjithçka për LDK-në!

Në listën e LDK-së më shumë ka figura të ricikluara politike sesa anëtarë të LDK-së!

Në arsyetimin e kryesisë së Degës së LDK-së në Klinë thuhet: “Të dy kandidatët: Shqipe Pantina dhe Astrit Desku rrjedhin nga familje që i kanë dhënë shumë Kosovës”.

Janë me qindra familje në komunën e Klinës që kanë dhënë më shumë sesa familjet e dy kandidaturave të sipërcekura!

Le të më thotë kryetari Alban Rraci apo dikush nga kryesia e degës së LDK-së në Klinë, se çfarë dhanë më shumë familjet e dy të nominuarve për deputet sesa familjet e tjera në komunën tonë?!

Apo më mirë, le ta thotë dikush hapur, cili është kontributi personal i dy kandidatëve për deputet nga Klina për LDK-në, në mënyrë që unë dhe shumë të tjerë të motivohemi për votimin e tyre!

Pra, le të më thotë dikush, ku ishin deri në këto zgjedhje dy të nominuarit (Shqipe Pantina dhe Astrit Desku) dhe çfarë kontributi dhanë për LDK-në?!

Përfituan dhe po përfitojnë antirugovistët dhe parashutistët, servilët dhe puthadorët e pushtetit, kurse po ndëshkohen vlerat më sublime dhe figurat më markante të partisë!

“Listë me vlera dhe integritet” fraza më utopike e kryetarit Abdixhiku

Pa dashur që ta personalizojë këtë çasje analitike dhe as të tërheqë paralele mes kandidatëve në garë për deputet, iu rikujtojë lexuesve të këtyre rreshtave, se unë Florim Zeqa me 43 vjet veprimtari atdhetare dhe 35 vjet shërbim në LDK nuk isha i përfshirë në listën për deputet në zgjedhjet e fundit, nuk jam as tani, e mbase nuk do të jemë as në të ardhmen derisa ta sundojnë LDK-në klanet dhe grupet e interesit, megjithatë unë nuk do të ndalem, por do ta vazhdojë betejën politike për ç’kapjen dhe reformimin e këtij subjekti politik!

Sipas kritereve të kreut të LDK-së, rugovistët e vërtetë kanë të drejtë vetëm të zgjedhin (votojnë), por jo edhe për të qenë të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve të Kosovës!

Me të tillë njerëz të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, LDK në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 jo vetëm që nuk do të ketë gjasa teorike për fitore, do të mbetet e kënaqur me vazhdimësinë e pozitës së tretë në skenën parlamentare!

Deklarimet e kryetarit të LDK-në për një “listë me vlera dhe integritet” janë fraza utopike, pasi jashtë asaj liste kanë mbetur figurat më markante të kësaj partie.

Me prurjet e reja pa kritere të Lumir Abdixhikut, duke marrë njerëz nga rruga për t’i futur në listë zgjedhore, e kanë kthyer këtë subjekt në ‘strajcë’ në të cilën gjenë gjithçka, por nuk gjenë asgjë me vlerë!

Këta që sot mjaftohen me vendin e tretë, nesër do të mjaftohen edhe me vendin e katërt vetëm që vetë të jenë në kreun e këtij subjekti politik për t’i thithur investimet nga buxheti i shtetit dhe për t’i gëzuar privilegjet e pushtetit me një subjekt tjetër politik.

Anashkalalimi i veprimtarëve të orëve të para do t’i kushtojë shtrenjt LDK-së në këto zgjedhje të jashtëzakonshme!

Nëse mendoni se do ta ngritni LDK-në me emërimin e parashutistëve dhe të ricikluarëve politik, duke i fashitur veprimtarët e guximshëm dhe themeltarët më të devotshëm do të gaboheni rëndë!

Kur ju gaboni me qëllim, elektorati ju ndëshkon me votë!

Bunë – histori më vete 

0

Arif Ejupi 

Bunë e legjendave dhe historive,
Bunë e qëndresës dhe trimërive. 

Shumëherë ujin ta kanë turbulluar
sulltanë, carë, gospodarë e krajla,
por rrjedhën s’ta ndërruan kurrë. 

Je skuqur me gjakun e djemve shqiptarë
të masakruar në Tivar. 

Të ndanë nga trungu me shpata, thika e topa,
të shigjetuan nga të gjitha anët,
por rrjedhën nëpër Ulqin, Shkodër, Velipojë e Shëngjin
prapë e vazhdove. 

Bunë e Oso Kukës,
e Jakup Ferrit,
e At Gjergj Fishtës dhe Filip Shirokës. 

Kala e pamposhtur atëherë dhe sot.
Bunë unike. Bunë burim jete.
Bunë – histori më vete. 

Gjenevë, 8 dhjetor 2025 

Ese politike kushtuar klasës politike të Kosovës, që as sot, pas nëntë muajsh, nuk ka arritur të ndërtoj një marrëveshje për të formuar qeverinë

0
Nga: Safet Sadiku
Ese politike
Dëshmorët e Paqes 
Kushtuar klasës politike të Kosovës, e cila as sot, pas nëntë muajsh (nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025), nuk ka arritur të gjejë maturinë, përgjegjësinë dhe guximin qytetar për të ndërtuar një marrëveshje të ndershme e për të formuar qeverinë që do ta çonte vendin përpara. 
Sot nuk u votua qeveria e Kosovës. Salla e Kuvendit, dikur e menduar si tempulli i demokracisë dhe zërit qytetar, mbeti bosh si një teatër pa publik, ku aktorët janë lodhur nga rolet e tyre dhe skena është mbuluar nga pluhuri i mosveprimit. Në atë sallë, ku duhet të dëgjohej zëri i përgjegjësisë, tashmë dëgjohet vetëm jehona e heshtjes. Dhe ajo heshtje është më e rëndë se çdo debat, më therëse se çdo fjalë, sepse ajo është heshtja e ndërgjegjes së fjetur, e moralit të zbehur dhe e shtetit të bllokuar. Në luftë, djemtë e këtij vendi ranë dëshmorë për ta çliruar atdheun nga okupatori, duke e derdhur gjakun jo për të ndarë poste, por për të ndërtuar një shtet. Ata luftuan jo për privilegje, por për ideale, jo për pushtet, por për liri. Në atë luftë, gjaku ishte garanci e besimit, dhe fryma e tyre ishte premtim për një të ardhme më të drejtë, më të denjë dhe më të njerëzishme. Por sot, kur liria është fituar, po e shohim shtetin të penguar në rrjetat e interesave personale, të marrëveshjeve të fshehta dhe të një amnezie morale që po gërryen çdo vlerë të përbashkët. Kallapsi politik është bërë simbol i një realiteti të mbyllur, të deformuar dhe të zhveshur nga çdo ndjenjë përgjegjësie. Liderët politikë, të zhytur në retorikën e akuzave të ndërsjella, shfaqen në publik me kostumin e patriotizmit, ndërsa në prapaskenë zhvillojnë lojëra që nuk kanë asnjë lidhje me idealet e lirisë. Secili e quan veten shpëtimtar, por askush nuk pranon të bëhet shërbyes i kombit. Secili flet për shtet, por askush nuk e mbron atë nga rrënimi i brendshëm. Kjo nuk është garë për parime, por po ngjaë se është tregti interesi, ku besimi qytetar shitet për përfitime momentale dhe shpresa kolektive bëhet monedhë politike. Në luftë, armiku kishte uniformë, ishte i dukshëm, i njohur dhe i përballueshëm. Sot, armiku është brenda nesh, dhe i padukshëm, i veshur me kostum e kollare dhe i ngujuar në korridoret e luftës për pushtetin, ku përgjegjësia është harruar dhe ndërgjegjja është zëvendësuar nga kalkulimi. Dëshmorët ranë që ne të kishim institucione, jo që t’i bllokonim ato me lojëra të pafundme pushteti. Ata dhanë jetën që shteti të bëhej realitet, jo që të shndërrohej në instrument të hakmarrjes politike. Çdo sabotim, çdo vonesë, çdo mosveprim është një goditje ndaj amanetit të tyre dhe një plagë e re në trupin e republikës. Nëse dikur dështimi politik quhej mosmarrëveshje, sot ai është bërë kulturë, është kthyer në strategji për mbijetesë dhe në mënyrë e të bërit politikë. Pyetja që lind nuk është më thjesht politike, por thellësisht morale: sa dëshmorë të paqes duhen që kjo klasë politike të kuptojë se shteti nuk është pronë private, por amanet i përgjakur i atyre që nuk janë më? Sa herë duhet të dështojë Kuvendi që të kuptohet se heshtja e sotme është më e rrezikshme se çdo betejë e djeshme? Nëse lufta për liri u fitua me armë, atëherë lufta për shtet po humbet me heshtje. Dhe kjo heshtje, në fund, do të gjykojë më rëndë se çdo përballje e kaluar. Në këtë realitet të zymtë, demokracia është reduktuar në një matematikë mandatesh, ku çdo votë përdoret si instrument shantazhi, dhe çdo qytetar trajtohet si statistikë. Por demokracia nuk është aritmetikë sepse ajo është moral, përgjegjësi, ndershmëri dhe shërbim publik. Kur këto parime zhduken, shteti kthehet në një skenë ku luhet një teatër absurd, ku aktorët janë të njëjtët, por rolet ndërrohen sipas interesit. Dhe në atë skenë, qytetarët mbeten spektatorë të pafuqishëm, me duart bosh e me zemrën e ngrirë. Historia nuk fal. Ajo i shënon me turp të gjithë ata që në emër të patriotizmit e shkelin moralin e shtetit. Boshllëqet morale që po i hap politika sot, nesër do të mbushen me ekstremizëm e urrejtje. Indiferenca qytetare do të kthehet në apati, dhe institucionet e dobëta do të bëhen pre e autoritarizmit. Nëse duam që emri i dëshmorëve të mos mbetet një dekor retorik në fjalimet e politikanëve, atëherë duhet të kërkojmë qeverisje transparente, drejtësi të vërtetë, dialog të sinqertë dhe përgjegjësi për çdo vendim që prek qytetarin. Por në këtë udhëkryq të lodhur, del pyetja më e madhe e kohës sonë: çfarë duhet të bëjmë ne, votuesit shqiptarë? A duhet të heshtim e të durojmë pafundësisht, duke parë sabotimin e shtetit që na u dhurua me gjak? A duhet të mbyllim sytë para atyre që janë rritur me mentalitetin e okupatorit dhe që sot, me duar të pastra në dukje, punojnë për ta delegjitimuar vetë shtetësinë e Republikës së Kosovës? Apo duhet, më në fund, të marrim qëndrim, të ngremë zërin dhe të kërkojmë llogari nga ata që e kanë shndërruar politikën në tregti dhe Kuvendin në teatër të mjerimit moral? Sepse loja e liderëve politikë tashmë ka marrë pamjen e një tragjedie kombëtare. Ata, me arrogancë e dinakëri, po e zbatojnë me përpikëri një skenar të njohur, të trashëguar nga mentaliteti sllav i manipulimit e i përçarjes, ndërsa ne qytetarëve po na mpihen dhëmbët nga pritja dhe po na mpaket shpresa. Dhe në fund të fundit, edhe kur grupet politike nuk janë të përkryera dhe bartin gabimet e tyre, ato duhet të kuptojnë se hakmarrja nuk është kurë zgjidhje! Ajo është helm që vret ngadalë, por me siguri. Nëse hakmarrja politike vazhdon të sundojë mbi përgjegjësinë kombëtare, atëherë shteti i Kosovës rrezikon të bëhet rrafsh me tokën, jo nga armiku i jashtëm, por nga dora jonë, nga duart e atyre që u betuan për ta mbrojtur. Hallall u qoftë dëshmorëve që dhanë jetën për këtë tokë, por mjerë ne që po lejojmë ta shkelim me heshtje amanetin e tyre. Sepse kush e anashkalon amanetin e dëshmorëve, ka shkelur vetë themelin e shtetit.

Dardania, jeta e vdekja!

0
Dradania gëlon nga elementet e huaj!
Histori që ngrehë pyetje!
Përse ndodhi, volterët tanë, shpresa e jonë, dezertuan në fillim të betejës për mbrojtjen e atdheut…
Natyrisht! Duhet shkruaj dhe të ngrihet një tjetër zë. Më vjenë keq për këtë shfaqje të shëmtuar të karakterit qeveritar.

Ç’janë këta që janë lëshuar si hordhitë me kërbaq në dorë duke rrahur e burgosur deputet! Koha do ta tregoi, ashtu siç shpresoj se do ta vërtetojë edhe ky popull, se kjo qeveri dha ata policë që duhen ta mbrojnë shtetin e jo pushtetin, kanë qenë të gabuar në gjithçka.
Shkruaj për të mos u befasuar nga të papriturat e ardhshme. Po shkruaj menjëherë, është kënaqësi e vërtetë për mua, të ndihmoj lëxuesit më pak të zellshëm. Çfarë mund t’ju thosha? Ndodhem këtu për t’u kujdesur dhe për të mbrojtur interesat e atdheut, e jo të miat. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Por ajo që më drithëronte, ishte sjellja, kapja e shtetit dhe ngulfatja e mendimit ndryshe.

Shteti ynë duket se është martuar me një shtrigë si hije që mbetet pasë. Duket sikur të vdekurit që zgjohen nga varri. Veprat e tyre janë:
“Përçarja, grabitja, tradhtia, shitje, shitje e interesave të atdheut për interesa të tyre dhe fuqive të huaja duke e luftuar edhe bashkimin kombëtar!”. Të gjithëve u hynin në punë këta faqezi dhe vetëm atdheut të tyre a’u kishin pa besën!
Shqiptarët e Dardanisë kanë vuajtur shumë nga tradhtarët e ndyrë dhe në këtë pikë vështrimi, unë i urrej dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm i urrejnë. Regjimet e egra i donin vallet, pikrisht pr këtë. Ju qeveritar jeni përpjekur t’ia mbushni mendjen vetes dhe të tjerëve se jeta popullit duhet të rregullohet sipas qejfit tuaj, por edhe prej ligjeve të egra e të shpikura prej jush. Për to, jeta shqiptarëve nuk mund të përftohej veçse e gjymtuar prej luftës së klasave, urrejtjes, korrupsionit dhe egërsisë së coptimit të saj. Në vendë se të sakrifikohen për te, do të ishte sublime dhe madheshtore për atdheun dhe kombin tragjik.
Një shpërblim paradoksal si ky, s’mundë të gjendët diku në botë!

Duke pasur parasysh rrezikimin e rëndë të qytetërimit shqiptarë në Kosovë, të identitetit dhe integritetit etnik, kulturor e shpirtëror të shqiptarëve, si dhe obligimet që duhet t’i merr çdo intelektual dhe çdo qytetar Pra, ne nuk mund të sillemi brenda rrethit të mbyllur. Duhet t’u prijmë ngjarjeuve e proceseve, e jo të shkojmë verbërisht pas qeveritarve të korruptuar dhe injorantë. Për ta, Dardania u duket sikur ndodhet në anën e përtejme të kohës. Janë gjashtë shekuj që na ndajnë nga robëria, nga “komedia tragjike e robërisë”:
“Një kohëzgjatje e tillë do të ishte e papërfillshme për çdo shqiptar, për shqiptarinë kjo robëri është jashtëzakonishtë e gjatë. Por më shumë se robëria kohore, është vetë natyra e kësaj vepre “gjigante” e të shëmtuar, që na bën këta firmëtar me stilolapsin e tyre!”.
Mjafton vëtm një togfjalësh hyrës për t‘ju shpjeguar, madje dhe lexuesit më pak të zellshëm për historinë e kësaj Debelldeje, Zajednice apo të Demarkacionit, ngjarje që i paraprijnë tragjedisë tjetër me serbinë.

Ne, sot, gjendemi në udhëkryqin historik kur vendoset për fatin tonë historik. Secili shqiptar duhet të mos kursehet në kontributin e tij për çështjen kombëtare. Të gjithë bashkarisht e me një program se kombëtar mund të bëjmë më shumë. Kështu, shumë më shpejt do të arrijmë integrimin gjithëshqiptar. Në këso kohe vendimtare, ç’është më e rëndësishme për intelektualët sesa të gjykojnë drejt të sotmen dhe të projektojnë ardhmërinë e popullit të vet. Se ata që nuk dinë çka do të bëjnë pas 5, 10 a 100 vjetësh, ata nuk dinë çka duhet të bëjnë as sot.
Ne jetojmë në një kohë ndryshimesh tepër të shpejta, në të cilat janë bërë të paqëndrueshme pothuaj të gjitha parimet dhe normat. Pasoja më e rëndë e njerëzve pseudodemokrat është shkretëtira që ka lënë në shpirtin e tyre Sot bëhet shumë aktual amaneti i Naimit, i shtruar si pyetje: si të bëhet Shqipëria dhe si të bëhet shqiptari? Dhe, ky amanet është kështu aktual për shkak se, siç është parë, lufta për krijimin e shtetit është e pandarë prej luftës për krijimin e qytetarëve të tij. Ne jetojmë në kohën e përpjekjeve për vendosjen e demokracisë në jetën tonë kombëtare dhe këto përpjekje s’janë të lehta, as pa pengesa.

Korrupsioni, shtetin e ka mbërthyer për fyti dhe po e zë frymën. Për shkak se nuk kemi pasur shoqëri demokratike, as ideologji liberale, në jetën tonë mungojnë tolerance shoqërore, marrëveshja dhe mirëkuptimi. Shtresa intelektuale, prandaj edhe ky popull, do të duhej të bënin çka mund të bëjnë, që të mos lejohet që mbi gërmadhat e diktaturës korruptive, shantazheve në jetën kombëtare të ngrihet ideologjia revanshiste, që shprehja e klaneve do ta zëvëndësonte me shprehjen demokraci, por, megjithatë, do të sundonte me mjetet dhe në mënyrat që dëshmojmë se totalitarizmi i majtë dhe totalitarizmi i djathtë janë vëllezër binjakë, që e kanë të ndryshëm vetëm epitetin që i ngjitet emrit të tyre të përbashkët: totalitarizëm i odave! Jemi brez i Lëvizjes për liri dhe për bashkim kombëtar. E jo për Zajednicë!

Dhe kjo brezin tonë e bën tragjik, por edhe brez historik. Bashkimi i popullit shqiptar dhe i trojeve të tij është Ideali ynë. Besoj se këtij ideali do t’i shërbejmë si duhet në qoftë se veprimtarinë tonë si intelektualët dhe qeveritarët e përcaktojnë mençuria e ndershme, mospajtimi me deformimet dhe guximi krijues… Pse jo edhe të flijohet për atdhe nëse është nevoja… Por, këtë qeveritarët tanë se bënë dot… Ndërtuan një qeveri klanesh, qeveri kafiterish dhe mbi të gjitha “Parti – Shtet”.

Rudina Morina: Frymëzim për të rinjtë shqiptarë

0
Historia e Rudina Morinës (vajzës së Hilmi Morinës dhe Flutra Pula Morinës) e diplomuar e Carnegie Mellon University dhe bashkëautore e studimeve në computational neuroscience, tregon se talenti dhe përkushtimi nuk njohin kufij. Ajo përdor matematikën, modelimin kompjuterik dhe inteligjencën artificiale për të kuptuar trurin dhe sjelljen njerëzore, duke treguar se ëndrrat shkencore mund të bëhen realitet.
Për të rinjtë shqiptarë, mesazhi është i qartë: guxoni të ëndërroni, punoni fort dhe kërkoni sfida që duken të pamundura. Çdo vizion i bazuar në pasion dhe disiplinë mund të shndërrohet në sukses global.
Rudina Morina: Një model frymëzimi për të rinjtë shqiptarë
Në një botë ku teknologjia dhe inovacioni përcaktojnë të ardhmen, rrallë gjen histori që të bëjnë të ndjesh se gjithçka është e mundur. Historia e Rudina Morinës, e diplomuar e Carnegie Mellon University në inxhinieri kompjuterike dhe bashkëautore e studimeve të avancuara në computational neuroscience, është pikërisht një prej këtyre historive.
Rudina tregon se arsimi i shkëlqyer, pasioni dhe puna e palodhur nuk njohin kufij. Duke integruar matematikën, modelimin kompjuterik dhe inteligjencën artificiale për të kuptuar funksionimin e trurit, ajo kontribuon në projekte që lidhen me njohuritë më të avancuara shkencore në botë. Kontributet e saj akademike nuk janë thjesht statistika në një CV — ato janë dëshmi e përkushtimit, e vizionit dhe e ekselencës.
Por historia e saj ka një mesazh më të gjerë. Ajo tregon se talenti shqiptar, i edukuar dhe i dedikuar, mund të konkurrojë globalisht, duke thyer kufijtë e hapësirës dhe mundësive. Rudina nuk është vetëm një hulumtuese — ajo është një model frymëzimi për të rinjtë shqiptarë, që u tregon se ëndrrat shkencore mund të bëhen realitet kur bashkohen përkushtimi, durimi dhe kureshtja.
Për të rinjtë që po lexojnë, kjo është një thirrje e qartë: guxoni të ëndërroni, punoni fort, kërkoni sfida që duken të pamundura. Shkenca, teknologjia dhe inovacioni nuk janë vetëm për elitat e një vendi të madh — janë për çdo individ që ka kurajon të përkushtohet, të eksplorojë dhe të mësojë.
Rrudina Morina tregon se rruga drejt sukseseve globale nuk është një histori e largët — ajo është një mundësi reale për brezin e ri shqiptar. Përmes saj, të rinjtë mund të kuptojnë: çdo ëndërr që ka themel në pasion dhe punë të palodhur mund të shndërrohet në realitet.
Rudina Morina është e punësuar në Google, jeton në New York, ku jeton edhe vëllai i saj Rinori, poashtu software engineer, aty ku jetojnë edhe prindërit e tyre në New York.

Il Piccolo di Trieste (1913) / Intervista ekskluzive me Prenk Bib Dodën, princin e Mirditës, mbi dorëzimin e Shkodrës dhe fatin e ardhshëm të Shqipërisë

0

Prenk Bib Doda (1860 – 1919)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Dhjetor 2025

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të mërkurën e 30 prillit 1913, në ballinë, intervistën ekskluzive asokohe me Prenk Bib Dodën në Trieste rreth dorëzimit të Shkodrës dhe fatit të ardhshëm të Shqipërisë, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një intervistë me Bib Dodën, princin e Mirditës

Burimi : Il Piccolo di Trieste, e mërkurë, 30 prill 1913, Ballinë

Burimi : Il Piccolo di Trieste, e mërkurë, 30 prill 1913, Ballinë

Prenk Bib Dodë Pashai, princ i Mirditës, ndodhet përkohësisht në Trieste. Pas një qëndrimi të gjatë në Itali, ku ka jetuar pothuajse në heshtje, duket se ka ndërmend të kthehet në Mirditën e tij malore, të cilën prej gati një viti nuk e ka parë.

Ai është një figurë madhështore shqiptari, me përmasa atleti dhe me një vështrim të gjallë inteligjence e dinakërie. Flet disa gjuhë; në italisht shprehet me qartësi të rrjedhshme dhe korrektësi. Një energji krenare i lexohet në fytyrë; dhe me të vërtetë, ai është prijësi i 50.000 mirditorëve dhe i rreth 150.000 shqiptarëve të tjerë që jetojnë në fise të shpërndara në kufi me Mirditën dhe që e njohin atë si krye të tyre shpirtëror. Njeri veprimi, ai ka qenë shumë i frikshëm për Abdul Hamidin, i cili për njëzet e tre vjet e mbajti në mërgim, larg atdheut. Megjithatë nuk ka mbajtur mllef ndaj sulltanit të vjetër gjakatar, i cili, ndonëse e internoi, e kishte emëruar pashë civil dhe ushtarak; përkundrazi, edhe sot ai vlerëson mendjen e ndritur dhe vullnetin e prerë të tij. Madje, në shpërthimin e revolucionit xhonturk, e kishte nxitur sulltanin të rezistonte me çdo kusht, por më kot, sepse Abdul Hamidi nuk kishte ditur tu qëndronte presioneve të shqiptarit inteligjent, i cili në ardhjen në pushtet të xhonturqve shihte anarkinë dhe shkatërrimin e Perandorisë Osmane.

Bib Doda më priti në dhomën që zinte në hotelin “Excelsior” të sheshit, ku shumë anëtarë të kolonisë shqiptare të Triestes kishin ardhur për ti bërë nderime. Duke pasur parasysh peshën e personalitetit të tij dhe momentin e rëndë politik, kisha frikë se princi do të kishte ndonjë hezitim për të dhënë një intervistë. Përkundrazi, sapo i ishte dorëzuar kartëvizita ime, më priti me përzemërsi dhe me një familjaritet shumë të sjellshëm.

Natyrisht, sipas zakonit të mirë shqiptar, ende pa hapur gojën për të formuluar pyetjen e parë, Bib Doda më ofroi një cigare. Pastaj, pa pritur që ta pyesja, filloi të fliste :

— E marr me mend tashmë qëllimin e vizitës suaj. Rënia e Shkodrës është një fakt që më ka hidhëruar thellësisht mua, ashtu si çdo shqiptar tjetër. Sidomos kushtet në të cilat ndodhi kjo rënie e kanë komplikuar edhe më tepër çështjen tashmë të ndërlikuar shqiptare, në një mënyrë vërtet të papritur. Megjithatë do të gënjeja po të thosha se nuk e kisha parashikuar tashmë dy javë më parë, duke biseduar pikërisht me disa shqiptarë të Triestes, goditjen — po ta quajmë kështu — të Esad Pashës.

— Shkëlqesia Juaj mendon se bëhet fjalë për një marrëveshje të mirëfilltë midis Esadit dhe Malit të Zi?

— Jo vetëm kaq mendoj, por shtoj se në organizimin e këtij mashtrimi ndaj Fuqive të Mëdha shoh dorën e Rusisë dhe pëlqimin e plotë të Turqisë. Esad Pasha ka vepruar me siguri nën trysninë e ardhur nga Stambolli dhe ka gjetur Malin e Zi të gatshëm ta ndihmojë lojën e tij.

— Si e shpjegoni dorëzimin e Shkodrës nga ana e gjeneralit, pasi e kishte mbrojtur kaq me ngulm dhe për kaq kohë?

— Esadi është mysliman dhe e gjithë forca e tij qëndron në ndikimin e madh që gëzon mbi elementin shqiptar mysliman, sidomos në Shqipërinë e Mesme. Pikërisht aty ai zotëron prona të mëdha feudale dhe aty dëshiron të krijojë bërthamën e mbretërisë së tij, e cila, për tu varur nga sovraniteti i Portës së Lartë, duhet patjetër të jetë një mbretëri thelbësisht myslimane. Shkodra katolike, përkundrazi, nuk përbën për të, as për synimet e tij, atë interes që mund të mendohej. Prandaj sakrifica që ai bën duke e dorëzuar — gjithnjë nëse versionet e dhëna deri tani nga shtypi janë të sakta — Malit të Zi, nuk është aq e rëndë.

— Shkëlqesia Juaj beson në suksesin e kësaj ndërmarrjeje të guximshme?

— Nuk është kurrë e mençur të bëhen parashikime në çështje kaq delikate: e keni parë sa befasi mund të ndodhin! Por nuk besoj se gaboj po të them se, nëse Xhavit Pasha i bashkon vërtet forcat e tij me ato të Esadit, pozita e mbrojtësit të Shkodrës në Shqipërinë e Mesme do të forcohet aq shumë, sa do tu shkaktojë jo pak shqetësime atyre që dje mendonin se, në rast të një pushtimi ushtarak, do të ndeshnin vetëm fise të varfra malësorësh të paarmatosur. Pas provës që ka dhënë në Shkodër, nuk ka nevojë të shpjegohen më tej cilësitë e tij si ushtar.

— Pra, më shumë se një “bluf”, Shkëlqesia Juaj mendon se bëhet fjalë për diçka serioze?

— Pikërisht kështu besoj.

Biseda u kthye më pas te qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj Malit të Zi.

Prenk Bib Doda e njeh shumë mirë mbretin Nikollë.

— A do të tërhiqet mbreti i vjetër?

— Jo, — u përgjigj princi. — E njoh shumë nga afër karakterin e mbretit malazez për të supozuar se ai do të heqë dorë nga Shkodra. Tani që është aty, do të bëjë gjithçka për të qëndruar.

— Cila zgjidhje i duket sot Shkëlqesisë Suaj më e dobishmja për Shqipërinë e re?

— Ka vetëm një zgjidhje, — u përgjigj Bib Doda pa hezitim. — Ndërhyrja evropiane, qoftë e Austrisë e vetme, e Austrisë së bashku me Italinë, apo kolektive e të gjitha Fuqive të Mëdha, është krejtësisht pa rëndësi. Ajo që ka rëndësi është që ndërhyrja të ndodhë, dhe të jetë energjike, sa më shpejt të jetë e mundur.

— Ndërhyrje diplomatike?

— Jo, ushtarake! Përndryshe, lamtumirë Shqipëri. Shqipëria ende nuk është e pjekur; pa një pushtim të përkohshëm të huaj, ne do ta shohim të copëtuar nga luftëra të brendshme ndërmjet fisesh e fisesh, ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve. Vetëm një sundim i jashtëm mund të baraspeshojë energjitë ende të egra që gjenden në vend. Çështja e sovranit duhet të kalojë në plan të dytë: më parë duhet të krijohet “shteti” dhe pastaj mund të mendohet për një mbret.

Dhe duke shqiptuar këto fjalë me theks të një bindjeje të sinqertë, Bib Doda Pashai ma shtrëngoi fort dorën në shenjë lamtumire.

Mario Nordio

Kur njeriu ndez zjarrin me zemër, hyjnitë e botës nuk qëndrojnë kurrë larg

0

Majlinda Nikçi 

“Nata kur hyjnitë afroheshin”
Në atë natë të qetë, zjarri nuk ishte thjesht një dritë që ngrohte, por porta e hapur midis botës së njeriut dhe botës së padukshme. Flaka ngrihej lart sikur të njihte emrat e vjetër të hyjnive tona: të Atdheut, të Tokës, të Dritës që rri pezull mbi ne si një amanet i lashtë.
Ata që ishin mbledhur aty nuk bënin ceremoni të zhurmshme; Besëlashta nuk kërkon as spektakël, as frikë. Ajo kërkon përulësi dhe një zemër që kujton. Dhe në heshtjen e asaj mbrëmjeje, secili prej tyre ishte bërë urë—midis brezave, midis kohëve, midis vetes dhe gjithësisë.
Nëpër ajër ndihej sikur frymonin hyjnitë e natyrës, jo si zotërues të largët, por si më të afërmit tanë. Ata që ruajnë rendin e jetës, që japin shenjë kur njeriu largohet shumë nga vetja. Dhe njeriu, përpara tyre, nuk kishte nevojë të kërkonte mrekulli; mrekullia ishte vetë ndezja e kujtesës.
Ritet që kryheshin aty ishin të thjeshta e të pastra: nderim ndaj dritës, nderim ndaj tokës, nderim ndaj asaj që na tejkalon. Sepse Besëlashta nuk është fe e fjalëve, por e frymës që ringjallet sa herë që një njeri zgjedh ta dëgjojë natyrën pa paragjykim.
Në atë natë, fryma e lashtë u rikthye për pak çaste. Dhe mjaftoi kaq—sepse kur njeriu ndez zjarrin me zemër, hyjnitë e botës nuk qëndrojnë kurrë larg.