Kreu Blog Faqe 51

Kur kriza bëhet metodë, shteti bëhet mjet

0

Isuf Bajraktari, Suedi

“Nuk më shqetëson vetëm kush e ushtron pushtetin sot; më shqetëson precedenti që pushteti i sotëm mund t’ia lërë Republikës nesër.”

Problemi politik i Kosovës nuk duhet reduktuar te Albin Kurti si individ. Individët vijnë dhe ikin, mandatet fillojnë dhe përfundojnë, partitë fitojnë dhe humbin zgjedhje. Por mënyra se si ushtrohet pushteti dhe precedentët që krijohen mund të mbeten gjatë pas tyre.

Pikërisht për këtë arsye, shqetësimi sot duhet të jetë më i thellë se përplasja ndërmjet pozitës dhe opozitës: çfarë ndodh kur kriza pushon së qeni vetëm pasojë e politikës dhe fillon të shndërrohet në metodë politike?

Zhvillimet rreth funksionimit dhe konstituimit të institucioneve duhet të analizohen pikërisht nga ky këndvështrim. Kur proceset kushtetuese dhe parlamentare futen në një cikël të vazhdueshëm kalkulimesh politike, kur kriza zgjatet në vend që të zgjidhet dhe kur funksionimi institucional fillon të kushtëzohet nga taktikat e ditës, problemi nuk është më vetëm kush e fiton betejën e radhës.

Problemi është precedenti që po i lihet Republikës.

Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë të drejtën demokratike të kërkojnë dhe të ushtrojnë pushtetin brenda mandatit që ua jep vota e qytetarëve. Por vota nuk është autorizim mbi institucionet. Ajo është mandat për të qeverisur përmes tyre dhe brenda kufijve që përcakton rendi kushtetues.

Vota të jep mandat për të qeverisur; nuk të jep pronësi mbi Republikën.

Kjo është arsyeja pse çdo tendencë për ta afruar vullnetin e një partie me vullnetin e shtetit, interesin e pushtetit me interesin publik apo mbijetesën politike të një lideri me stabilitetin e Republikës duhet parë me shqetësim demokratik.

Në politikë ekziston një mekanizëm i njohur: kriza krijon pasiguri, pasiguria prodhon frikë, ndërsa frika e bën më të lehtë paraqitjen e një force politike si garancia e vetme e stabilitetit.

Nëse kriza prodhohet, zgjatet apo shfrytëzohet politikisht; nëse alternativa paraqitet vazhdimisht si rrezik; nëse partia identifikohet me stabilitetin dhe lideri me zgjidhjen, atëherë kriza pushon së qeni vetëm problem që duhet zgjidhur. Ajo rrezikon të bëhet instrument politik.

Këtu fillon ajo që mund ta quajmë demagogji e frikës.

Rreziku më i madh nuk qëndron vetëm te një vendim apo te një përplasje e caktuar institucionale. Ai fillon kur qytetari mësohet gradualisht me idenë se pa një parti nuk ka stabilitet, pa një lider nuk funksionojnë institucionet dhe se kundërshtimi ndaj pushtetit mund të paraqitet pothuajse si kundërshtim ndaj vetë shtetit.

Kjo është një vijë që demokracia nuk duhet ta kalojë.

Republika e Kosovës nuk u ndërtua që varësia nga një pushtet të zëvendësohej me varësinë nga një tjetër. Ajo u ndërtua mbi idenë e institucioneve, pluralizmit politik, ndarjes së pushteteve dhe vullnetit të lirë të qytetarëve.

As LVV-ja, as LDK-ja, as PDK-ja, as AAK-ja dhe asnjë subjekt tjetër politik nuk janë shteti.

Shteti është mbi të gjithë ne.

Ky parim duhet mbrojtur jo vetëm kur politikisht na leverdis, por sidomos kur nuk na leverdis.

Dikur në muret e Kosovës shkruhej:

“Nuk i nënshtrohet një shtet një njeriu!”

Ajo fjali nuk duhet të ketë pronar partiak.

Nëse ishte parim dje, duhet të jetë parim edhe sot. Nëse vlente ndaj një lideri që e kundërshtonim politikisht, duhet të vlejë edhe ndaj një lideri që gëzon mbështetje të madhe qytetare.

Përndryshe nuk kemi mbrojtur parimin, por vetëm interesin e momentit.

Megjithatë, përgjegjësia nuk është vetëm e pushtetit. Edhe opozita duhet ta pyesë veten nëse po i përgjigjet situatës me pjekurinë dhe kohezionin që kërkon momenti politik. Një opozitë e fragmentuar, reaktive dhe pa alternativë të artikuluar qartë mund t’ia zgjasë jetën pikërisht modelit politik që pretendon se po e kundërshton.

Prandaj opozita nuk duhet ta ndërtojë strategjinë e saj vetëm mbi kundërshtimin e Albin Kurtit si person. Një strategji e tillë madje mund ta fuqizojë atë.

Albin Kurti politikisht është rritur në periudha krizash. Kriza i ka dhënë terren për mobilizim, polarizim dhe ndërtimin e një narrative politike të fuqishme. Për këtë arsye, kundërshtarët e tij do të gabonin nëse do të luftonin vetëm figurën e Kurtit, duke harruar të sfidojnë metodën politike që e ushqen dhe e fuqizon atë.

Kosovës nuk i duhet një betejë personale kundër Albin Kurtit.

Kosovës i duhet një kulturë demokratike që nuk lejon as Albin Kurtin, as një kryetar të LDK-së, PDK-së, AAK-së dhe as cilindo lider që mund të vijë nesër, të bëhet më i madh se institucioni.

Pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet kritikës partiake dhe përgjegjësisë shtetërore.

Institucione të forta nuk duhet të kërkojmë vetëm atëherë kur partia që mbështesim është në pushtet. Duhet t’i kërkojmë edhe kur qeveris kundërshtari ynë politik. Sepse demokracia provohet pikërisht atëherë kur parimin që kërkojmë nga kundërshtari jemi të gatshëm ta zbatojmë edhe ndaj vetvetes.

Qeveritë ndërrohen. Partitë fitojnë dhe humbin. Liderët vijnë dhe shkojnë.

Republika duhet të mbetet.

Prandaj debati i sotëm nuk duhet të përfundojë te pyetja nëse jemi me Albin Kurtin apo kundër tij.

Pyetja shumë më e rëndësishme është nëse jemi për një Republikë ku institucioni qëndron mbi liderin, Kushtetuta mbi interesin partiak dhe shteti mbi pushtetin e ditës.

Nëse përgjigjja është po, atëherë duhet të kemi guximin ta mbrojmë të njëjtën vijë të kuqe pavarësisht se kush ndodhet në pushtet:

Shteti nuk i nënshtrohet një njeriu — as dje, as sot, as nesër.

Kallauzi Isa Mustafa, me klanorët e tij, në ethe për rikthimin e PAN-it në pushtet!

0
Idriz Zeqiraj, Gjermani
____
     Situata në LDK deri më 30 korrik ishte në krizën më të thellë, gjatë një dekade e gjysmë. Një grup të pakënaqurish, në hierarkinë partiake, të porositur dhe të mbështetur nga PAN-i, sidomos, nga PDK-ja, provuan ta bëjnë puçin mafioz, kundër kryetarit Lumir Abdixhikut dhe Lidershipit të tij.
      Qëllimi ishte kundërshtimi i koalicionit LDK-LVV dhe vazhdimi i aleancës politike me opozitën PAN-iste, kryesisht, PDK-në. Ky grupim ka punuar në mënyrë klandestine, të fshehtë, në amnistimin e krimit dhe të kriminelëve. Dhe, tani, synojnë rehabilitimin e plotë të  gjithë atyre që kanë përgjakur LDK-në dhe Kosovën.
      Grupi mafioz puçist, me kallauzin Isa Mustafa, kishte punuar gjatë kohë me delegatët e Këshillit të Përgjithshëm, duke ua marrë nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit shkarkues të kryetarit.
      Ndërkohë, Lumir Abdixhiku kishte pranuar sfidën e garimit në kutinë votuese, pa bërë asnjë parapërgatitje, asnjë nënshkrim të delegatëve. Thirrja e vetme e kryetar Abdixhikut, drejtuar delegatëve ishte: “Votoni sipas ndërgjegjes dhe vullnetit tuaj, duke pasur me parësi interesin e LDK-së dhe të Kosovës.”
      Në ekspozenë sqaruese pse po bëhet ky “Kuvend i jashtëzakonshëm”, kryetar Lumiri ishte i saktë, i çiltër, i drejtpërdrejtë, por edhe qortues për bashkëpunëtorët e tij, dikur, të afërm, të cilët e kishin përzgjedhur dhe votuar në Kuvendin e 10-të.
       Projekti ogurëzi për pengimin e bisedimeve të filluara të LDK-së me LVV, si dhe pengimi i bashkimit dhe profilizimit të së djathtës të Kosovës dështoi. Kuvendi i thirrur për shkarkim, përkundrazi, e konfirmoi Dr. Lumir Abdixhikun serishmi për kryetar të LDK-së.
      Kuvendi aprovoi vendimin se të gjitha çështjet partiake të bisedohen brenda strukturave të partisë dhe të mos bëhen objekt përfoljesh në “çarshi”.
      Vendimet e organeve drejtuese të partisë, janë të obligueshme për zbatim, për të gjithë anëtarët e partisë.
     Askush nuk ka të drejtë të flas në emër të partisë, pa qenë i autorizuar nga Lidershipi i LDK-së.
      Palët në kundërshtinë e derisotme pranuan vendimet e Kuvendit dhe u zotuan për bashkimin e mirëfilltë, në interes të LDK-së dhe të Kosovës.
          Rugova dje, Albini sot, refuzuan PDK-në, “të pakënaqurit” u rreshtuan me atë!
      Reagimet e grupit të pakënaqur ishin tendencioze, madje edhe shpifëse, ndaj kryetarit dhe Lidershipit të LDK-së.
      Rrejshëm deklaruan se kërkesa për Kuvend shkarkimi vinte nga poshtë, nga baza. Kjo gënjeshtër u lansua, fillimisht, nga dy anëtarë Kryesie, klanorë të hershëm e besnikë të ish-kryetarit namkeq, Isa Mustafa. Kritikat u pasuan nga disa kryetarë komunash. Dhe, kulmuan nga disa deputetë arrivistë, të cilët e kanë mjelë LDK-në si lopën, ndër vite e dekada, me ofiqe patiake dhe qeveritare.
      Këtyre tellallëve, qëllimisht, u dhanë hapësirë të bollshme mediat, të cilat i dominon PAN-i, kryesisht, PDK-ja, duke ua bërë edhe fushatën zgjedhore për deputetë. Ata ishin të dyzuar: me Vjosën apo Isën. Por, ky i fundit kërcënoi me zhveshje të nga privilegjet. Dhe, preferuan nënshtrimin dhe poshtërimin. Tani mburrën, si Gania e PDK-së dhe Tima e AAK, duke numëruar mandatet e deputetllëkut, madje duke shprehur pakënaqësi për numrin rendor në listën e kandidatëve!
      I ndodhur para një fushate të egër, brenda partiake, unike në historinë e partive politike në Kosovë, kryetari Abdixhiku bëri thirrje të herëpashershme për mbledhjen e Kryesisë, por fjalamanët e “çarshisë” i bojkotonin ato! Madje, ndoca syresh, me urdhër të kallauzit të tyre, Isa Mustafa, dhanë dorëheqje nga Kryesia e LDK-së, me qëllim të dramatizimit dhe të thellimit të krizës në parti!
     Pala mbrojtëse, sidomos kryetar Lumiri, i ndodhur i papërgatitur nga breshëria e akuzave paushalle dhe aspak të bazuara në fakte, reagoi me përgjigje, goxha, të ashpra me kundra-akuza, deri në përmasën që kalonin standardin e kryetarit.
      Llumhania e disa analistë-banalistëve të përnatshëm, me reprizë ditën e nesërme, iu bashkuan fushatës së turpshme, qëllimkeqe, duke dëshiruar rrënimin, deri në shuarje të LDK-së.
      Megjithatë, kjo nuk do të ndodhë, sepse LDK-ja ka qenë dhe do të mbetet shtyllë kurrizore e skenës politike të Kosovës, nga e cila ka mësuar edhe rajoni ballkanik. Andaj, pavarësisht ngritjeve dhe rënieve, ajo do të gjejë forca , për ngritje dhe stabilizim të qëndrueshëm.
      Tashmë, Kuvendi i çuditshëm “i jashtëzakonshëm”, i imponuar nga një grup, rrast të shantazhuar nga PDK-ja, dha vërdiktin e duhur, madje të shumëpritur, jo vetëm nga LDK-ja, por edhe nga shqiptarët.
      Konfirmimi për vazhdimin e mandatit të kryetarit Lumir Abdixhikut, deri në zgjedhjet e rregullta, në vitin e ardhshëm, ishte vendimi i duhur i këtij Kuvendi, edhe pse tendencioz dhe krejt i panevojshëm.
 
          Kosovës i duhen dy dekada, për ta përgatitur një Vjosë të dytë
      LDK-ja, si shtëpi akademike, ka kuadro të gatshëm, intelektualë dhe profesionalë, për të marrë përgjegjësinë në drejtimin e partisë të Presidentit Rugova.
      Por, do të shquaja një ekip të përzgjedhur, për të mirën e LDK-së: Vjosë Osmanin, Ukë Rugovën, ushtarakët Anton Quni e Fadil Hadergjonaj. Kryetari Lumir Abdixhiku, mendoj se duhet ta bëjë kooptimin e tyre në hierarkinë partiake, pa i pritur zgjedhjet e rregullta. Kooptimi është një normë e pranuar e programit të LDK-së.
      Angazhimi i të cituarëve, krahas kuadrove tjerë të LDK-së, është përforcim i duhur, për bashkimin dhe profilizimin e të djathtës të Kosovës.
Dr. Vjosë Osmani ka një përgatitje supreme intelektuale, me personalitet dhe integritet të plotë, e dëshmuar në përballjet e shumta tej një dekade. Rebelimi i saj për ta sfiduar dhe larguar kryetarin e katapultuar nga PDK-ja, në kreun e LDK-së, Isa Mustafën ishte guxim qytetar dhe intelektual, pavarësisht pasojave.
      Qëllimi i saj madhor, për ta larguar nga pushteti PAN-in kriminal, me “komandantët” e tij dhe patericën e tyre, klanin Mustafa, ka justifikuar në plotëni bashkimin e forcave me LVV. Sepse vazhdimi i sundimit të mëtejmë të PAN-it, me një barrë krimesh dhe hajnish, ishte cinizëm i pështirosur, provokim i rëndë për popullin e Kosovës dhe të shqiptarëve të kudondodhur.
     Koha dëshmoi se vendimi i presidentes Vjosë Osmani, për shpërndarjen e Parlamentit, ishte i drejtë dhe nuk kishte të bënte asfare me “shkelje të Kushtetutës”. “Shpalosa Kushtetutën, konsultova specialistë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe u binda se vendimi për shpërndarjen e Parlamentit, ishte ligjor dhe i duhur në kohë”.
     Akrobacitë e Kurtit ishin tallje groteske, duke sjellur kandidatë, kinse, apartiakë. Dhe, kujt i duhet një president/e profan politik? Një shpikje irrituese dhe krejt iracianale. Vendimi “as mish, as peshk” i Gjykatës Kushtetuese, ishte mjegullnajë manipuluese, në shërbim të kundërshtarëve të Vjosë Osmanit, të cilët iu bashkuan propagandës leha-qene anti-Vjosë.
     Dhe, me gjithë sorollatjet bjerrakohëse, vendi shkoi në zgjedhje, duke dëshmuar drejtësinë e vendimit të presidentes Vjosë Osmani, për shpërndjen e Kuvendit në kohën e duhur.
      Rikthimi i Vjosë Osmanit në shtëpinë e saj lindake politike, ishte i duhur dhe i pranueshëm në kohë dhe hapësirë. Dëshmi e kësaj mirëseardhje është nga 141 votues të LDK-së, tej 93 mijë syresh e votuan Vjosë Osmanin.
     Dhe, kjo ndodhë pas gjithë asaj fushate shpifarake denigruese, të sinkronizuar të pozitës dhe të opozitës. Sulmi frontal kundër presidentes Vjosë Osmani ishte një paturpësi dhe rrugaçëri në shkallë kombëtare. Kosovës i duhen, të paktën, dy dekada, për ta përgatitur një Vjosë të dytë.
 
          Ukë Rugova u ndëshkua, për ta goditur babain Rugovë pas amshimit!
      Ukë Rugova u bë kurban i babait të tij, Ibrahim Rugova. PAN-i, në pamundësi për ta hequr nga -Panteoni i Lavdisë- Presidentin Ibrahim Rugova në gjallje, djallëzisht dhe poshtërsisht, provoi goditjen pas amshimit, përmes fëmijëve të Tij.
      Akuza e ngritur kundër Ukë Rugovës ishte në tërësi e sajuar dhe me qëllime të paracaktuar degraduese. Shefat e PAN-it bënë shumë për denigrimin e fëmijëve të Rugovës, për ta goditur vet Rugovën. Madje, në mes tjerash, dhuruan edhe dy poste zëvendëskryeministri, pa pasur as Kryesi të partisë, lëre më anëtarësi!
       Edhe pse zyrtarët e Ambasadës italiane i liroi nga akuza Gjykata italiane, për “Procesin vizat”, Ukë Rugova vazhdoi të mbetej peng i drejtësisë kosovare, sepse në “lojë” do ta fusnin motrën e Ukës, Teutë Rugovën. Ajo u veçua nga 120 deputetët, që ka Parlamenti i Kosovës, shefat PAN-istë shënjestruan viktimizimin e saj, për ta arnuar një qeveri fantomë të PAN-it.
      Ishte një shantazh, ishte një krim unik. Megjithatë, Presidenti Rugova i mbijetoi edhe kësaj furtune kriminale e rrugaçërore të armiqve të Tij politikë.
      Ukë Rugova ka një përgatitje intelektuale solide: i mençur, i dashur, komunikues dhe i matur, si trashëgimi biologjike të babait Ibrahim Rugova.
       Të gjitha palët e LDK-së, thirrën në emrin e Rugovës. Por, nuk kanë bërë diçka të veçantë, për përkujdesjen e fëmijëve të Rugovës. Ata u lanë në mëshirën e fatit, për t`u bërë pre e profiterëve, të lidhur “këmbë e krye” me PAN-in.
      Ukë Rugova vuajti shumë, vetëm pse ishte djali i Ibrahim Rugovës. LDK-ja nuk bëri “as lavrën e miut”, për ta denoncuar arsyen ë vërtetë për ndëshkimit e tij. Pafajësia e vonuar, zvetënon drejtësinë. Një borxh i mbetur peng, është koha për t`u larë. Ai duhet të marrë përgjegjësitë, për të mbrojtur krijesën hyjnore LDK-në e Ibrahim Rugovës, e cila bëri paqen, luftën dhe shtet-bërësen e Kosovës.
      Ushtarakët Anton Quni dhe Fadil Hadërgjonaj, me përvojë dhe njohuri të bollshme drejtuese. Me traditë e korrektësi ushtarake, të cilët barazinë drejtuese e kanë normë. Për atdhetarizëm të provuar në fushë-betejat për çlirim dhe liri. Ata i japin sharmë, hijeshi dhe krenari partisë të Presidentit Rugova. Lënia e tyre në periferi, konsiderohet bërryluese, sepse vendi i tyre është në qendrën vendimmarrëse të LDK-së.

Zgjedhja e Presidentit të Kosovës dhe debati për të

0
Debati mbi zgjedhjen e Presidentit në Kosovë ngre një çështje themelore, ngase Kushtetuta nuk krijon detyrim juridik për subjektet politike që të propozojnë kandidat për President?
Në doktrinën kushtetuese, një detyrim ekziston vetëm kur buron shprehimisht nga Kushtetuta ose nga interpretimi detyrues i Gjykatës Kushtetuese. Në mungesë të këtyre burimeve, çdo “detyrim” mbetet politik, jo juridik.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës (nenet 86–88) rregullon:
Zgjedhjen e Presidentit nga Kuvendi (neni 86),
procedurën e votimit dhe kandidimit (neni 87),
mandatin dhe kufizimet (neni 88).
Nga analiza tekstuale rezulton se asnjë dispozitë nuk imponon detyrim për propozimin e kandidatit. Kushtetuta rregullon vetëm procedurën e zgjedhjes, jo obligimin për krijimin e kandidaturës.
Mungesa e kandidaturës si çështje juridike
Mungesa e kandidatit nuk përbën shkelje kushtetuese, sepse kandidatura nuk është shndërruar në detyrim normativ. Kushtetuta rregullon votimin, jo detyrimin për të prodhuar objekt votimi.
Duhet dalluar qartë ndërmjet:
– Pjesëmarrjes në seancë,
– Kuorumit
– Ushtrimit të votës,dhe ekzistencës së kandidaturës.
Pa kandidat, procesi mund të mos zhvillohet, por kjo nuk nënkupton automatikisht shkelje kushtetuese

Shqiptarë apo Myslimanë, kjo është çështja kur një këcënim i heshtur po e gërryen ekziztencën tonë

0

Fëmijët e mashtruar shqiptarë nga Lugina e Preshevës, në të ashtuquajturen “Shkolla e Kuranit”-

Korab Rashiti, Zvicër

Mesazhi im përfundimtar, që shpjegon arsyen pse i kam ndarë opinionet e mia: nuk kam më kapacitet intelektual për të thënë më shumë apo më mirë se kaq për këtë çështje themelore të qytetërimit tonë.

Vëllezër të një gjaku, trashëgimtarë të një prejardhjeje mijëravjeçare që shtrihet nga brigjet e Adriatikut deri në majat e Ballkanit, ne jemi pasardhësit e Ilirisë, njërës prej themeleve më të lashta dhe më fisnike të kontinentit evropian.

‘Kemi kaluar nëpër shekuj duke i mbijetuar furisë së perandorive, copëtimit të trojeve tona dhe përpjekjeve të përsëritura për të na zhdukur. Megjithatë, sot, brenda vetë kombit tonë, një kërcënim i heshtur dhe pafundësisht më i rrezikshëm se krisma e armëve po e gërryen ekzistencën tonë intelektuale. Bëhet fjalë për nënshtrimin vullnetar të mendjes ndaj një ideologjie të lashtë politike, të maskuar mjeshtërisht si shpallje hyjnore.

Le ta vështrojmë këtë sistem me ftohtësinë e arsyes. Ajo që na kërkohet ta adhurojmë nuk është një dritë universale, por instrumenti më i përsosur i një imperializmi kulturor, i ndërtuar për të kolonizuar kujtesën e popujve. Një Krijues i vërtetë dhe universal do ta nderonte larminë e krijimit, pasurinë e prejardhjes sonë dhe bukurinë e gjuhës sonë. Por ky dogmë kërkon prej nesh fshirjen e plotë të identitetit tonë burimor.

Në mënyrë tinëzare, na kërkon t’i braktisim emrat e të parëve tanë për të përvetësuar emrat e fiseve nomade të një shkretëtire të largët; të lutemi në një gjuhë të huaj që nuk e kuptojmë; ta konsiderojmë të kaluarën tonë si një epokë paditurie; dhe pesë herë në ditë të kthehemi drejt epiqendrës së kolonizatorëve tanë të dikurshëm.

T’i përkushtohesh këtij sistemi do të thotë ta zbatosh, me shekuj vonesë, programin e asimilimit psikologjik të Perandorisë Osmane. Do të thotë të bëhesh peng vullnetar i një kulture të huaj, duke pështyrë mbi rrënjët tona për t’i përqafuar zakonet e atyre që na pushtuan. Historia jonë mbështetet mbi etikën e njeriut të lirë, të farkëtuar në ashpërsinë e gjeografisë sonë: Besa, fjala e dhënë, nderi i palëkundur dhe guximi individual. Është një moral i shqiponjës, i mbështetur mbi drejtësinë e shpirtit dhe përgjegjësinë absolute për veprimet tona.

Por mekanizmi i këtij dogme e zëvendëson këtë fisnikëri me një psikologji të robërisë dhe të interesit. Ai e shkatërron virtytin e painteresuar për ta zëvendësuar me terrorin paralizues të dënimit me zjarr dhe me lakminë tregtare për një parajsë shpërblimesh trupore. Ta zëvendësosh nderin shqiptar me bindjen e verbër, të diktuar vetëm nga frika dhe premtimi i shpërblimeve qiellore, do të thotë të heqësh dorë nga vetë thelbi i madhështisë sonë historike për t’u zvarritur përpara një arbitrariteti absolut.

Vendi që na takon me të drejtë në botën moderne nuk mund të bashkëjetojë me një sistem që e ngrin kohën dhe e atrofizon intelektin. Historia ka dëshmuar, me një ekuacion matematikor të pamëshirshëm, se çdo shoqëri që ia nënshtron të drejtën civile dhe mendjen e saj një teksti të ngrirë, të paaftë për të duruar qoftë edhe kritikën më të vogël racionale, e dënon veten me prapambetje.

Ndërkohë që Evropa, shtëpia jonë e vërtetë, ndërtonte modernitetin, shkencën dhe të drejtat e njeriut, ky sistem i ka mbajtur trojet tona në një natë të gjatë obskurantizmi. Një komb i kthyer kah e ardhmja nuk mund të ecë përpara me ligje beduine të shekullit të shtatë. Ky dogmë nuk është motor qytetërimi; ai e kriminalizon risinë, e mpin dyshimin dhe shpall se kulmi i gjendjes njerëzore qëndron në imitimin e verbër të një të kaluare të vdekur. Por rreziku më i madh qëndron në shkatërrimin sistematik të unitetit tonë. Ajo që i ka mundësuar kombit shqiptar të mos fshihet nga hartat e historisë ka qenë përparësia jetike e gjakut, gjuhës dhe vëllazërisë ndaj bestytnive dhe ndarjeve fetare.

Mirëpo, ky dogmë vepron si një helm përçarës. Ai kërkon që besnikëria ndaj një bashkësie fetare ndërkombëtare ta shtypë përkatësinë tonë kombëtare. Na programon nga brenda që të ndihemi më të afërt me një ekstremist të një kontinenti tjetër sesa me vëllanë tonë të gjakut, qoftë ai katolik, ortodoks apo mendimtar i lirë. Kjo është arma përfundimtare e përçarjes, e ndërtuar për ta thyer nga brenda të vetmen fortesë që na ka mbrojtur deri më sot: pandashmërinë e kombit shqiptar.

Zgjedhja historike që sot qëndron përpara çdo shqiptari, nga Tirana në Prishtinë, nga Tetova deri në diasporë, nuk është thjesht një përplasje teologjike; është një provë e mbijetesës qytetëruese.

Heroi më i madh i kombit tonë nuk e sakrifikoi jetën dhe nuk e ngriti shpatën për ta mbrojtur Evropën që, shekuj më vonë, bijtë e tij të gjunjëzoheshin vullnetarisht përpara ideologjisë politike të kundërshtarëve të tij.

Sovraniteti i vërtetë i një populli nuk qëndron vetëm në kufijtë e shteteve të tij, por në lirinë e paprekshme të ndërgjegjes së tij.

Të mos bëhemi zejtarët e zhdukjes sonë duke i mbajtur me zell zinxhirët e padukshëm të një perandorie të shuar, por ta ngremë kokën si trashëgimtarë të denjë, krenarë dhe të lirë të qytetërimit evropian.

Klithmat përgjat seksit, shkenca që zbuloi kuptimin e jetës, sipas Lirim Patriotit

Shkruen e knon: Lirim Patrioti
QIRJA E ZËSHME — SHKENCA QË ZBULOI KUPTIMIN E JETËS
Qirja e zëshme është disiplina më fisnike e qirjes dhe i vetmi kuptim i jetës, i sportit, i politikës, i arsimit, i edukatës dhe i kulturës.
Ajo bazohet në një parim të thjeshtë, por shkencërisht të pakundërshtueshëm:
Në një shoqëri vërtet qirëse, gjithçka duhet të jetë e qirë.
Politika duhet të jetë e qirë.
Sporti duhet të jetë i qirë.
Jeta duhet të jetë e qirë.
Madje edhe shkenca, nëse dëshiron të mbijetojë, duhet të dëshmojë të paktën një herë në vit se është mjaftueshëm e qirë.
Sipas teorisë themelore të qirjes së zëshme, njeriu nuk jeton për ta kuptuar jetën.
Ai jeton për ta bërë jetën sa më të qirë që të jetë e mundur.
Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e kësaj disipline:
Ajo nuk pyet:
„Pse jetojmë?“
Por:
„Sa të qirë jemi?“
Sipas themeluesve të saj, kjo pyetje është aq e rëndësishme, saqë çdo shoqëri duhet ta përfshijë në kushtetutën e saj, në programet sportive, në debatet politike dhe — për arsye krejtësisht të kuptueshme — edhe në edukatën seksuale.
Sepse aty ku nuk ka qirje të zëshme, fillon monotonia e heshtur.
Dhe aty ku fillon monotonia e heshtur, qytetërimi është vetëm një hap larg depresionit vetëvrasës.
Por shkenca moderne e qirjes së zëshme përballet me një problem jashtëzakonisht serioz :
Pse na qijnë pikërisht gjërat që nuk do të duhej të na qinin, ndërsa gjërat që, në të vërtetë, do të duhej të na qinin, këmbëngulin të mos na qijnë fare?
Kjo pyetje e shqetësoi aq shumë komunitetin shkencor, saqë një profesor filozofie e ndërroi universitetin tri herë, pa arritur askund ta gjente përgjigjen.
Njeriun, për shembull, e qin çmimi i bukës.
Ndërkohë, buka, në të vërtetë, nuk do të duhej ta qinte.
E qin fatura e energjisë elektrike.
As energjia elektrike nuk do të duhej ta qinte.
E qin burokracia.
E qin trafiku.
E qin politikani.
E qin politikani i opozitës.
E qin qeveria.
E qin fqinji.
E qin televizioni.
E qin interneti.
Madje e qin edhe njeriu që e pyet:
„Si je?“
Sepse kur tjetri i përgjigjet sinqerisht:
„Keq jam“,
ai ndihet i fyer, ngaqë qartazi nuk e pret një përgjigje kaq të sinqertë.
Dhe këtu arrijmë te paradoksi më i madh i qytetërimit modern:
Gjithçka që, në të vërtetë, nuk do të duhej të na qinte, na qin deri në palcë.
Ndërsa ajo që vërtet do të duhej të na qinte, nuk na qin fare.
Korrupsioni nuk na qin, për sa kohë që nuk e fut dorën në xhepin tonë.
Padrejtësia nuk na qin, për sa kohë që nuk troket në derën tonë.
Mjerimi i të tjerëve nuk na qin, për sa kohë që nuk fillon t’i ngjajë mjerimit tonë.
Budallallëku nuk na qin, për sa kohë që nuk e merr ndonjë post.
Hipokrizia politike nuk na qin, për sa kohë që nuk e kërkon votën tonë.
Hajnia nuk na qin, për sa kohë që nuk zbulojmë se dikush e ka vjedhur pikërisht atë që ne vetë kishim ndërmend ta vidhnim.
Dhe më e çuditshmja nga të gjitha:
Më së shumti na qijnë gjërat e vogla, ndërsa më së paku gjërat e mëdha.
Nëse arkëtarja na kthen dy euro më pak, ankohemi tri ditë rresht.
Nëse politikanët ia vjedhin shtetit dyqind milionë euro, e tundim vetëm kokën:
„Hajt, lëre. E tillë është politika.“
Këtu, sipas teorisë së qirjes së zëshme, shfaqet një disiplinë krejtësisht e re shkencore:
Qirja e diferencuar.
Kjo është shkenca që studion pse njeriu mund të tërbohet krejtësisht për shkak të një ashensori të prishur dhe, njëkohësisht, të rrijë i qetë e të shikojë si huti kur i gjithë sistemi falimenton para syve të tij.
Pse zemërohemi më shumë për një gropë në rrugë sesa për një gropë në buxhetin e shtetit.
Pse vonesa e autobusit na dhemb më shumë sesa vonesa e drejtësisë.
Pse e ofendojmë më shumë një kamarier për një supë të ftohtë sesa një politikan për një skandal të nxehtë.
Dhe pse e kalojmë një orë duke dëshmuar se fqinji na ka borxh dhjetë euro, por nuk pyesim asnjëherë se ku kanë përfunduar milionat e taksapaguesve.
Kjo, zonja dhe zotërinj, është maja e evolucionit qytetërues.
Njeriu ka mësuar ta zgjedhë me saktësi të jashtëzakonshme qirësin e tij më të madh.
Vetëm se ende nuk ka mësuar të zgjedhë se kush duhet ta qijë në të vërtetë.
Prandaj, qirja e zëshme nuk është vetëm ideologji.
Është mënyrë jetese.
Është sport.
Është politikë.
Është filozofi.
Është shkencë.
Dhe, mbi të gjitha, është përpjekja heroike e njerëzimit për t’i dhënë një kuptim një jete, për të cilën deri dje gabimisht besonim se duhej ta kishte patjetër një kuptim.
Sepse ndoshta problemi i vërtetë i ne njerëzve nuk është se lejojmë të na qijnë shumë.
Ndoshta problemi është se lejojmë të na qijnë personat dhe gjërat e gabuara.
Dhe për sa kohë që këpuca e dikujt tjetër mbi qilimin tonë na shqetëson më shumë sesa dora e dikujt tjetër në arkën e shtetit tonë, mund të konstatojmë me siguri:
Qytetërimi ende nuk ka marrë fund.
Thjesht është qirë në mënyrë të gabuar.
Prandaj, qirja e zëshme nuk është vetëm qëllimi i jetës.
Ajo është arsyeja pse jeta duhet të vazhdojë.

Bllaca, testamenti i kujtesës, humanizmit dhe qëndresës

Jahja Lluka, “BLLACA ‘99” Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe, II,  Botoi “Office Printy” Prishtinë, 2026

Një nga simbolet më domethënëse është treni. Ai nuk përfaqëson thjeshtë largimin fizik të të dëbuarve, por ndarjen mes dy botëve: asaj që mbetet pas, e mbushur me kujtime, dhe asaj që i pret në vazhdim, të panjohur dhe të pasigurtë. Brenda vagonëve të trenit, nuk udhëtojnë vetëm njerëzit, udhëtojnë plagët, shpresa dhe historia e një populli,  i detyruar me dhunë  të largohet nga trojet e veta.

Shkruan: Ajete Zogaj

Ngjarje dhe dëshmi të shumta në histori shënohen me data, por ka shumë prej tyre që mbeten të skalitura thellë në kujtesën e kombit tonë, përmes rrëfimeve autentike të dëshmitarëve që përjetuan ferrin e tmerrin, në zemër të Evropës, para syve të botës së qytetëruar!

Eksodi i Bllacës është njëra prej atyre ngjarjeve të hidhura ku luftohej mes jetës dhe vdekjes, është Ferri i Dantes së fundshekullit XX.  Ai nuk përfaqëson vetëm një moment të luftës në Kosovë, por një përvojë të përbashkët njerëzore, ku frika, pasiguria dhe shpresa ecën krah për krah. Pikërisht për këtë arsye, rrëfimet e të dëbuarve kanë një peshë të veçantë: ato nuk flasin vetëm për atë që ndodhi, janë përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga vatrat e tyre, nga Kosova që digjej flakë.

Në librin Bllaca ‘99”, dëshmitë e të dëbuarve ndërtojnë një mozaik kujtimesh që i sjellin lexuesit realitetin e asaj kohe të rëndë, që kurrë mos u përsëritë më!. Çdo rrëfim bart një përvojë të veçantë, por së bashku ato krijojnë një kujtesë të përbashkët që tejkalon fatin individual dhe bëhet pjesë e historisë së një populli. Përmes këtyre rrëfimeve, kuptohet se lufta nuk matet vetëm me zhvillimet ushtarake apo politike, por edhe me plagët që lë në jetën e njerëzve.

Ky punim i qaset librit duke e parë atë si një hapësirë në të cilën kujtesa personale ‘shkruan’ një kapitull historie dhimbje e krenarie, mbijetese e sakrifice! Librit i paraprinë fjala hyrëse e intelektualit Jahja Lluka kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta me seli në Prishtinë.

Në libër janë dhënë 32 rrëfime të të dëbuarve, të cilat ndërtojnë një dëshmi të besueshme për eksodin e vitit 1999, duke nxjerrë në pah vlerën e tyre historike, njerëzore dhe dokumentare. Në këtë mënyrë, libri nuk lexohet vetëm si një përmbledhje dëshmish, por si një kujtesë e shkruar dhe e përjetuar e cila ruan përvojën e atyre që u detyruan ta linin vendin e tyre, për tu rikthyer në Kosovën e lirë.

Dr. Qerim  Lika në recesionin e tij vlerëson rëndësinë e botimit të këtij vëllimi, si dhe shpalos disa nga mbresat e tij për rrëfimet e publikuara. Sipas Likës, “…vepra në fjalë duhet të jetë në funksion të dijes dhe e njëjta të përdoret si doracak në studimet e mëtejshme kërkimore – shkencore nga ana e studiuesve shqiptar  dhe jo vetëm”[1].

Për  prof. dr. Parim Kosova, rrëfimet e të mbijetuarve, janë “tmerret në kampin  e përqendrimit Bllaca e përjetësuar tani me muzeun “Bllaca ‘99”, që sipas tij “Vepra e Jahja Llukës, edhe përmes rrëfimeve të atyre që ishin në Kampin e Përqendrimit – Bllaca ’99, ofron dëshmi të sakta, të drejta dhe reale”[2]

Sabit Jaha, publicist në vështrimin e tij hedhë dritë mbi veprën “Bllaca ’99…”  duke vë theksin te kontributi i jashtëzakonshëm i Jahja Llukës, “Jahja Lluka hartues e mbarshtrues i kësaj vepre monumentale “ Bllaca ’99…” falë përkushtimit të pashembullt, gjatë këtyre 25 vjetëve (1999- 2024), më shumë se kushdo tjetër iu qas me devotshmëri publikimit të përjetimeve të të dëbuarve shqiptarë, të cilët në Bllacë me ditë e netë të plota ( që nga maji 1999)kush më pak e kush më shumë përjetuan çaste të dhimbshme, tragjike të DRAMËS KOSOVARE, ku shqiptarët ishin vetëm trupa(figura) statikë – duarthatë, të uritur e të etshëm, kurse rolet i luanin kriminelët, milicët, ushtarakët dhe efektivët e aparatit shtetëror serbo –sllav.”[3]

Sipas prof. Nebi Dervishit, “Ky është libër i veçantë, sepse e ka kuptimin e momentit që i është ngritur vuajtjeve, poshtërimit, ëndrrave dhe shpresave  të një populli, klithmave e lotëve të shumtë të tij dhe ndonjë buzëqeshje të rrallë….”[4]

Rrëfimet – monument i gjallë kujtese

Në rrëfimin e saj, gazetarja Ilire Zajmi, paralajmëron se ‘gjahu i shtrigave’ kishte filluar, ndërsa rrëfen për Masakrën e Reçakut dhe masakrën në Rogovë, për të vazhduar me rrëfimin e saj për eksodin në Bllacë.

Rrëfimet e familjes Kurtaj, janë një gërshetim rrëfimesh që skalisin dhimbjen, sakrificën dhe qëndresën ndër breza të një familje e cila përjetoi padrejtësi, dhunë e burgosje vrasje e tortura, kohë ku shumë fëmijë mbeten  pa prindër.

Sahadete Jaha, njëra ndër dëshmitaret e dëbimit me dhunë nga kryeqyteti – Prishtina, rrëfen katrahurat e dëbimit deri Bllacë e pastaj në Shqipëri- Korçë ku Sadetja tregon për mikpritjen e mrekullueshme të korçarëve.  “Për ne, që patëm fatin ogurbardhë që të mirëpriteshim në KORÇËN FAMËMADHE – vatër e civilizimit kulturor – arsimor – kombëtar, ne si sa e sa familje të tjera të dëbuarish kosovarë, vëllezërit e motrat e Juaja që atëherë (1999) e sot dhe përjetë, do t’u jemi mirënjohës DENBABADEN, siç thoshte dikur famëmadhi po(g)radecari Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko)në poemën e tij shumëdomethënëse “POEM KOSOVAR”: Ne (së bashku ishim, jemi dhe do të jemi NJË, ngase jemi si MISHI e ASHTI, të pandarë, meqë kemi NJË GJAK, NJË GJUHË, NJË SHQIPËRI ETNIKE as të VOGËL dhe as të MADHE, por NATYRALE, ku flitet e shkruhet SHQIP, ku Bukës, Ujit, Dheut, i thuhet: BUKË, UJË, DHE (fjalë këto që na i mësuan: BABAI (ATI), NANA (MËMA), ta duam AT(MËMË)DHEUN PËR JETË TË JETËVE!”[5].

Pjesë mbresëlënëse e këtij libri janë edhe rrëfimet e Dijana Bajramit, Ejup Maxheres, Ali Gashit, Xhevat Emërllahut, Filippo Landit, Zejnel Hajrizit, etj.

“Kalimi nëpër rrathë të ferrit” i Nergize Demollit, është një rrëfim që shndërron kujtesën individuale në një pasqyrë të historisë kolektive. Përmes një rrëfimi  të qetë, por mjaft emocional, zonja  Nergize tregon përvojën e dëbimit me dhunë jo vetëm si një ngjarje historike, por si një provë të thellë të shpirtit njerëzor. Kjo pjesë nuk  ndërtohet mbi heroizmin tradicional; heroizmi lind në heshtje, në durimin e njerëzve, në mbrojtjen e fëmijëve dhe në besimin se edhe nata më e errët  një ditë do t’i hapë rrugë ditës.

Në planin tematik, teksti trajton humbjen e shtëpisë, pasigurinë dhe ndarjen nga vendlindja, por mbi të gjitha trajton qëndrueshmërinë e njeriut. Personazhet (të cilët të gjithë janë reale) nuk përballen vetëm me rrezikun fizik; ata luftojnë për të ruajtur kujtesën, dinjitetin dhe identitetin e tyre. Çdo hap i tyre është një përpjekje për të mbrojtur jetën dhe për të mos lejuar që frika t’ua pushtojë shpirtin.

Titulli i tregimit “Kalimi nëpër rrathë të tmerrit” ka një domethënie të fuqishme simbolike. “Ferri” nuk është një vend mitologjik, por realiteti i krijuar nga lufta, ku çdo etapë e rrugëtimit sjell një sprovë të re. Megjithatë, ndryshe nga ferri i përjetshëm, ky udhëtim lë hapësirë për shpresë. Çdo ndihmë e vogël, çdo dorë e zgjatur dhe çdo fjalë ngushëlluese bëhen dëshmi se humanizmi mund t’i mbijetojë edhe dhunës më të egër.

Një nga simbolet më domethënëse është treni. Ai nuk përfaqëson thjeshtë largimin fizik të të dëbuarve, por ndarjen mes dy botëve: asaj që mbetet pas, e mbushur me kujtime, dhe asaj që i pret në vazhdim, të panjohur dhe të pasigurtë. Brenda vagonëve të trenit, nuk udhëtojnë vetëm njerëzit, udhëtojnë plagët, shpresa dhe historia e një populli, i detyruar me dhunë  të largohet nga trojet e veta.

Po aq domethënëse është edhe lindja e foshjes gjatë rrugës. Në mes të frikës dhe kaosit, ardhja në jetë e një fëmije fiton vlerën e një metafore universale: jeta nuk dorëzohet përballë vdekjes. Ajo dëshmon se natyra njerëzore ka forcën të rilindë edhe në rrethanat më të pamëshirshme. Ky episod e pasurin tekstin me një dritë shprese, duke krijuar një kontrast të fuqishëm me errësirën e luftës. Nga ana stilistike, rrëfimi karakterizohet nga një gjuhë e thjeshtë, por jashtëzakonisht shprehëse. Nuk mbështetet te retorika e tepruar; emocionet lindin nga natyrshmëria e rrëfimit dhe nga fuqia e detajeve. Heshtja, lotët e përmbajtur dhe shikimet e fundit krijojnë një atmosferë që prek lexuesin më shumë se sa përshkrimet dramatike. Kjo e bën tekstin autentik dhe bindës.

Në aspektin psikologjik, personazhet shfaqin një forcë hyjnore dhe mjaft admiruese. Ata përjetojnë frikë, ankth dhe pasiguri, por nuk humbin aftësinë për të ndihmuar njëri – tjetrin. Pikërisht solidariteti bëhet forma më e lartë e rezistencës.  Në një kohë kur lufta përpiqet të shkatërroj gjithçka, aktet e vogla të mirësisë ruajnë thelbin e njerëzores. Në rrëfimin e zonjës Nergize, momenti kur intelektuali e shkrimtari i njohur Arif Demolli i bashkëngjitet familjes së tij në kamp , është moment sa emocionues po aq edhe dramatik. Për Arifin ishte raportuar në medie se është vrarë nga forcat serbe bashkë me shumë intelektualë të tjerë në Prishtinë. Familjarët nuk u besonin syve të përlotur për humbjen e njeriut të dashur i cili erdhi i gjallë(Arif Demolli) dhe iu bashkua familjes!

Gjithashtu, Nergizja rrëfen edhe për kthimin e tyre në Prishtinë dhe angazhimin e Arif Demollit në përgatitjen e revistës “Pionieri” duke e shndërruar dhomën e banimit në zyre pune, si dhe edhe punën për ndryshimin e teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit në të cilën ishte i angazhuar Arifi, punë të cilën e kryente në zyrën e improvizuar të shtëpisë. Zonja Nergize, është falënderuese ndaj ministrit të arsimit Rexhep Osmani i cili kishte angazhuar Arif Demollin si zyrtar të lartë në Ministri të Arsimit  dhe ofrimin e një zyre pune, por edhe vizitat e tij në shtëpi derisa Arifi kryente punë nga shtëpia.

Rrëfimi i Nergize Demollit, “Kalimi nëpër rrathë të ferrit” është më shumë se një rrëfim për luftën; është një meditim mbi forcën e shpirtit njerëzor. Ai na mëson se njeriu mund të humbasë shtëpinë, vendlindjen  por jo dhe dinjitetin, solidaritetin dhe besimin te jeta. Ashtu si agimi që lind pas natës, edhe shpresa mbetet drita që i udhëheq njerëzit përmes çdo “rrethi të ferrit”. Kjo e bën veprën një testament të kujtesës, të humanizmit dhe qëndresës, me një mesazh që mbetet i vlefshëm për çdo kohë dhe çdo brez.

Bllaca ’99 në kohë lufte dhe në kohë paqeje” 

Rrëfimi i Fatmir Krasniqit, “Bllaca ’99 në kohë lufte dhe në kohë paqeje”  shquhet për autencitetin e tij, pasi ndërthur përvojën personale me historinë kolektive të rezistencës shqiptare. Përmes një narracioni kronologjik dhe të drejtpërdrejtë, autori dokumenton jo vetëm ngjarjet ushtarake dhe luftën heroike të UÇK-së, por edhe dimensionin njerëzor të luftës, duke e vendosur familjen dhe komunitetin në qendër të rrëfimit.

Ngjarjet e përshkruara  nga arsimtari Fatmir Krasniqi, zhvillohen gjatë viteve 1998-1999, periudhë kjo që përkon me luftën e Kosovës. Ishin vitet kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës  organizoi rezistencën kundër forcave serbe, ndërsa popullsia civile u përball me dhunë sistematike, granatime, dëbime dhe krime lufte. Rrëfimi i Fatmir Krasniqit pasqyron një realitet të hidhur, ku familjet nuk janë vetëm dëshmitare të konfliktit, por bëhen pjesëmarrëse aktive në mbështetjen logjistike të rezistencës.

Autori dëshmon se shtëpia e tij në Prishtinë ishte shndërruar në një pikë logjistike për furnizimin e UÇK-së. Ky fakt dëshmon se rezistenca nuk zhvillohej vetëm në vijën e frontit, por edhe në qytete, ku qytetarët organizonin transportin e ushqimeve, veshmbathjeve dhe materialeve të tjera të nevojshme për luftëtarët.

Një nga veçoritë e këtij rrëfimi është karakteri dokumentar. Mësuesi Fatmir Krasniqi, përmend data të sakta, vende konkrete dhe emra të shumtë  personash, duke krijuar një dëshmi historike me vlerë të veçantë. Përmendja e lagjes “Muharrem Fejza” në Prishtinë,  Malishevës, Tërpezës, Maleve të Berishës, dhe figurave konkrete e forcon besueshmërinë e narracionit.

Rrëfimi nuk ndërtohet mbi elemente imagjinare, por mbi kujtesën personale. Pikërisht kjo e bën tekstin një dokument të rëndësishëm për studimin e luftës, sepse historia rrëfehet nga perspektiva e një dëshmitari okular.

Figura e protagonistit

Fatmir Krasniqi paraqitet si një protagonist që mishëron përgjegjësinë qytetare dhe patriotike. Ai nuk paraqitet si një hero në kuptimin tradicional, por si një qytetar që ndjen detyrim moral për të kontribuuar në mbrojtjen e vendit. Ai merr pjesë në organizimin logjistik, strehon njerëz, transporton materiale dhe përjeton rrezikun së bashku me familjen. Heroizmi i tij nuk manifestohet përmes armës, por përmes solidaritetit, sakrificës dhe përkushtimit ndaj kauzës kombëtare.

Një nga temat më të rëndësishme të rrëfimit të tij, është shkatërrimi i jetës së zakonshme. Lufta depërton në çdo aspekt të përditshmërisë. Shtëpitë shndërrohen në pika logjistike, shkollat në strehimore, ndërsa familjet jetojnë nën granatime të vazhdueshme.

Protagonistit  i rrëfimit (Fatmir Krasniqit), paraqitet si simbol i qytetarit që kontribuon në mbrojtjen e vendit jo vetëm me armë, por edhe me organizim, përgjegjësi dhe solidarizim, bashkë me bashkëshorten e tij, humanisten (motër medicionale) dhe atdhetaren,  Naime Sopaj – Krasniqin.

Përshkrimi i granatimeve të 19 tetorit 1998 është ndër episodet më dramatike të rrëfimit. Autori nuk përqendrohet vetëm tek bombardimet si veprime të çmendura ushtarake policore të forcave serbe, por mbi pasojat e  tyre te popullata e pambrojtur. Viktimat janë gra, fëmijë dhe familje të degdisura si mos më keq.

 

Figura e Shpresës dhe simbolika e Nënës

Një nga momentet më prekëse të rrëfimit të mësuesit,Fatmir është plagosja e Shpresës dhe foshnjës gjashtëmuajshe, Albionit.

Nëna në rrëfim paraqitet simbolin  e sakrificës, ndërkaq instinkti i saj për ta mbrojtur  fëmijën me trupin e vet edhe në momentin kur bie granata, është diçka hyjnore që e bëjnë vetëm Nënat, sidomos Nënat shqiptare!. Ky episod përfaqëson një nga shembujt më të fuqishëm të dashurisë prindërore në rrethana të jashtëzakonshme!.

Fakti që copëza e granatës mbetet në trupin e Albionit edhe pas shumë vitesh ka një simbolikë të veçantë. Ajo nuk është vetëm plagë fizike, por edhe metaforë e traumës së luftës që vazhdon të jetojë në trupin dhe kujtesën e të mbijetuarve.

Solidariteti si formë e rezistencës

Në çdo etapë të rrëfimit  të Fatmirit, shfaqen individë që ndihmojnë njëri – tjetrin: transportojnë të plagosurit, sigurojnë automjete, organizojnë trajtimin mjekësor si dhe strehojnë familjarët.

Gjithsesi, kur flasim për solidaritetin dhe ndihmën mjekësore, të cilën e gjejmë në të rrëfyer me shumë modesti nga mësues Fatmiri, një meritë e veçantë i takon Naime Sopaj – Krasniqit,  motër medicionale në ORL e cila vë jetën e saj dhe të familjes në rrezik për t’i trajtuar të sëmurët e të plagosurit, (Albionin), duke i maskuar dhe improvizuar,  por edhe të tjerët që kishin nevojë në ato rrethana shumë të rënda dhe tejet sfiduese e me rrezik të lartë. Naimja aty ku nuk mund të kryente shërbime vet, angazhonte miq e të njohur në QKU, vetëm e vetëm që ndihma të mos u mungonte dhe trajtimi mjekësor të kryhej, me sigurimin e gjakut për të plagosur duke i kamufluar në forma të ndryshme që të mos hetohej nga policia serbe e cila vëzhgonte çdo gjë. Autori përmend shumë emra e personazhe, duke treguar se mbijetesa nuk ishte rezultat i veprimit individual, por i bashkëpunimit të njerëzve vullnetmirë e solidarë. Në këtë  mënyrë, solidariteti paraqitet si një formë rezistence po aq e rëndësishme sa lufta e armatosur.

Dëshmi e rëndësishme e luftës dhe sakrificës

Rrëfimi i Fatmir Krasniqit përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të luftës së fundit në Kosovë, ku përmes një narracioni autentik dhe kronologjik, ndërtohet një kapitull historie, duke  ndërthurur heroizmin, sakrificën, dhimbjen dhe shpresën se ky popull i shumëvuajtur do ta fitojë e do ta gëzojë LIRINË!.

Njëkohësisht, episodi i plagosjes  së Shpresës dhe foshnjës Albionit, e zhvendos vëmendjen nga lufta si konflikt ushtarak drejt pasojave të saj mbi civilët e pambrojtur. Kjo e bën rrëfimin jo vetëm një dokument historik, por edhe një tekst me vlera të rëndësishme humane, etike dhe letrare.

Gjithashtu,  është mjaft domethënës edhe momenti kur Noli, dali i mësuesit Fatmir (pasi së bashku me babanë kishin dërguar ndihma në zonën e luftës Terpezë dhe Malet e Berishës, ku kishte takuar pjesëtarë të UÇK -së) i thotë mësueses në klasë se ai kishte takuar UÇK-në, dhe gjetunia e mësueses në ato momente.

Eksodi si përvojë kolektive

Përshkrimi i largimit masiv nga Prishtina nuk paraqitet vetëm si një lëvizje e popullsisë, por si një përvojë e hidhur që shumë herë goditi popullin shqiptar.  Njerëzit  largohen nga shtëpitë e tyre, pa e ditur se a do të kthehen më!

Në këtë pjesë autori arrin të tregojë kontrastin ndërmjet jetës së zakonshme dhe realitetit të luftës. Hapësirat urbane, që zakonisht simbolizojnë normalitetin, shndërrohen në vende ankthi dhe pasigurie. Ky transformim i hapësirës është një nga elementet më të fuqishme të rrëfimit.

Rrëfimi është një kronologji e dhimbshme, sidomos pjesa e dëbimit në Bllacë, episodi prekës i foshnjës gjashtëmuajshe që humbet nga nëna në rrëmujën e largimit, solidariteti i familjes së Fatmir Krasniqit me këtë foshnje si dhe marrjen e saj nga Kryqi i Kuq, përshkrimi i kushteve të vështira në Kampin e Bllacës, pastaj vizita e gazetarit belg Tim Pauwelskampin e Stankovecit, intervista dhe kronika televizive që u transmetua në Belgjikë për gjendjen e refugjatëve shqiptarë të Kosovës. Pastaj vendimi i Belgjikës për të pranuar refugjatë nga kampi, publikimi i listave dhe momenti  kur gjen emrin e familjes së tij në mesin të përzgjedhurve që të shkoj në Belgjikë. Janë mjaft domethënëse edhe momentet kur protagonisti i rrëfimit mbërrijnë  në Belgjikë, mikpritjen që i bëhet atje dhe intervistat për televizionet belge. Gjatë këtij rrugëtimi dhe nisjes për në Belgjikë, në Kampin e Stankovecit, Albulena , vajza e mësuesit Fatmir edhe pse 15 vjeçare, dinte gjuhën angleze dhe në rolin e përkthyeses së improvizuar i ndihmonte të dëbuarit.

Vlenë të theksohet se, rrëfimi i Fatmir Krasniqit pjesë e librit “Bllaca ‘99”,  është ndër rrëfimet më mbresëlënëse të këtij libri. Duke lexuar me kujdes këtë rrëfim, përjetojmë një pjesë të freskët të historisë më të re të Kosovës, por edhe sakrificën dhe heroizmin e një intelektuali dhe mësimdhënësi shembullor, i cili në rrethana shumë të rrezikshme për familjen dhe shtëpinë e tij, vendosi Pikën Logjistike të UÇK-së në shtëpinë e tij në Lagjen “Muharrem Fejza” në Prishtinë, duke rrezikuar edhe jetën e tij dhe të fqinjëve.  Sot, ajo shtëpi nuk ekziston më, sepse është ndërtuar një objekt banesor, por ekziston një pjesë e oborrit të shtëpisë, janë personazhet e gjallë të atyre ngjarjeve: Fatmiri dhe Naimja, fëmijët dhe fqinji i tyre, motra e Namies me bashkëshortin, të cilët rrezikuan jetën e tyre dhe të fëmijëve për t’u dal në ndihmë UÇK-së dhe të plagosurve! Dhe sot, në këtë vend, në këtë PIKË Logjistike të UÇK-së, mungon të paktën  një PLLAKË NË OBORRIN E KËSAJ SHTËPIE, QË T’U  KUJTOJË BREZAVE QË VIJNË,  SE EDHE NË KRYEQITETIN E KOSOVËS,  NË  LAGJEN “MUHARREM  FEJZA” nga një shtëpi dhe nga një familje intelektuale është ndihmuar UÇK-ja!

 Përfundim

Letërsia dokumentare që trajton luftën e Kosovës përfaqëson një segment të rëndësishëm të kujtesës historike, memories dhe traumës që përjetuam  si popull  e si komb. Pjesë e kësaj memorie, është edhe libri “Bllaca ‘99” Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe, II, botuar nga Office Printy” Prishtinë, 2026.Libri përmbledhë rrëfime autentike të njerëzve që përjetuan luftën, dëbimin dhe pasojat e dhunës së ushtruar nga forcat serbe, të cilat duke u nisur nga narracioni, aspekti tematik dhe stilistik, dëshmojnë se si kujtesa individuale shndërrohet në dëshmi historike.

Nga aspekti stilistik rrëfimet karakterizohen nga një gjuhë e thjeshtë, e drejtpërdrejtë dhe dokumentare, pa shumë figura stilistike duke shmangur figuracionin e tepërt dhe duke u mbështetur në përshkrimin  sa më realist të  ngjarjeve.

Rrëfimet  nuk mbesin  vetëm histori personale. Përmes kujtimeve të atyre që kanë shpalosur katrahurën e Bllacës, ndërtohet kujtesa kolektive e  një pjese të luftës së së Kosovës.

Ngjarjet individuale përfaqësojnë fatin e mijëra familjeve shqiptare që përjetuan të njëjtat përvoja: largime, granatime, plagosje, humbje dhe sakrifica.

Në këtë kuptim, rrëfimet marrin  funksionin e një dokumenti kulturor që ruan kujtesën historike për brezat e ardhshëm!.

Prishtinë, 5 gusht 2026

[1] Jahja Lluka, “Bllaca ‘99” Përjetimet e dë dëbuarve me dhunë nga forcat serbe, II, botoi Office Printy, fq.12

[2]  Po aty, fq.20

[3] Po aty, fq.21

[4] Po aty, fq. 67

[5] Jahja Lluka, “Bllaca ‘99” Përjetimet e dë dëbuarve me dhunë nga forcat serbe,  II, botoi Office Printy, Prishtinë,2026, fq.118

I varur në litar nga dashuria për liri e demokraci

0

I VARUR NË LITAR NGA DASHURIA PËR LIRI DHE DEMOKRACI

Poezi

Hapin të qetë,
mendimin me peshë,
vigjilent për të dalluar
miqtë nga armiqtë.

S’dilte nga dera e oborrit
pa u përshëndetur me prindërit.
Edhe kur kishte halle e derte,
ikte dhe kthehej i buzëqeshur.

Nuk ankohej
për ditët e gjata
e netët pa gjumë.

Kurrë nuk e hidhte
vargun në letër
pa e gdhendur mirë,
e mirë.

Dëshironte që
Deti Adriatik
të mblidhte ujërat e Drinit të Bardhë;
Deti i Zi,
ujërat e Ibrit, Sitnicës, Llapit,
Drenicës, Moravës e Binçës;
Deti Egje,
ujërat e Lepencit e Nerodimes.

Nga ky konglomerat ujërash,
që buronin nga trojet shqiptare,
dëshira e tij e vetme ishte
t’i shihte të lulëzuara
Dardaninë, Iliridën,
Shqipërinë dhe Çamërinë.

Skilet e lakenjtë,
të verbuar pas yllit pesëcepësh
dhe përqafimit me sllavë e kinezë,
vargun e tij prej floriri
e kthyen në vaj e zi.

Në shesh e varën Havzi Nelën —
me fajin e vetëm
se Shqipërinë e deshi
me kufijtë e caktuar nga Zoti,
jo nga hartat
e të shiturve dhe pushtuesve.

Arif Ejupi
Gjenevë, 18 shkurt 2026

Instituti studimor “Platforma për Referendum Kombëtar” – Tiranë

0

Nga Bordi Drejtues

  1. Kurti përballë dy krizave: vështirësitë e qeverisjes dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë.                                                                                                                                                                                                                                Çështjet me interes madhor kombëtar dhe institucional duhet t’u nënshtrohen më shumë vendimmarrjes së drejtpërdrejtë qytetare përmes referendumit dhe mekanizmave të tjerë të pjesëmarrjes demokratike.

    Zhvillimet e fundit politike në Republikën e Kosovës dëshmojnë se vendi po përballet njëkohësisht me dy kriza të rëndësishme: (mos)funksionalitetin e institucioneve kushtetuese dhe „përpjekja“ për ruajtjen e një raporti të qëndrueshëm me partnerët strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto dy dimensione janë të ndërlidhura, por nuk duhet të trajtohen si një dhe e njëjta çështje.
    1) Kriza institucionale: Shtyrja e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe vazhdimi i negociatave ndërmjet forcave politike dëshmojnë se sistemi institucional vazhdon të përballet me vështirësi në sigurimin e stabilitetit politik. Kjo situatë merr një rëndësi të veçantë duke pasur parasysh se vetëm pak muaj më parë ishte krijuar bindja se, pas formimit të qeverisë së re, periudha e zgjatur e bllokimit institucional kishte marrë fund. Rikthimi i tensioneve politike në një interval kaq të shkurtër kohor ngre shqetësime serioze për funksionimin normal të institucioneve kushtetuese dhe për aftësinë e sistemit politik për të prodhuar stabilitet afatgjatë.
    2) Përgjegjësia politike: Nga këndvështrimi institucional, përgjegjësia nuk mund t’i atribuohet vetëm një aktori politik. Sistemi parlamentar kërkon kulturë kompromisi, dialog dhe bashkëpunim ndërmjet shumicës dhe opozitës. Megjithatë, si drejtues i forcës më të madhe politike dhe Kryeministër i vendit, Albin Kurti mban një përgjegjësi të veçantë politike për krijimin e kushteve që institucionet të funksionojnë normalisht. Pamundësia për të ndërtuar konsensusin minimal të nevojshëm për funksionimin e Kuvendit dhe të institucioneve përbën një barrë politike që bie në radhë të parë mbi shumicën qeverisëse. Në të njëjtën kohë, edhe opozita parlamentare ka përgjegjësinë e saj për të kontribuar në funksionimin e rendit kushtetues. Kalkulimet politike lidhur me balancat e pushtetit apo me zhvillimet e ardhshme institucionale nuk mund të lejojmë edhe mëtej që të cenojnë interesin shtetëror dhe funksionimin normal të Republikës së Kosovës. Prandaj, reduktimi i krizës vetëm në çështjen e aftësisë ose paaftësisë së një lideri nuk pasqyron kompleksitetin real të situatës politike. Kriza është rezultat i ndërveprimit të shumë faktorëve politikë dhe institucionalë.
    3) Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Dimensioni i dytë lidhet me raportet ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe partnerit të saj strategjik më të rëndësishëm – Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është e dokumentuar se gjatë viteve të fundit kanë ekzistuar mospërputhje dhe tensione në disa çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë. Pezullimi i dialogut strategjik në një periudhë të caktuar dhe kritikat e shprehura nga disa qarqe politike e akademike amerikane dëshmojnë se niveli i besimit politik ka pësuar luhatje. Megjithatë, po aq e rëndësishme është të theksohet se marrëdhëniet institucionale ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së nuk janë ndërprerë. Kontaktet zyrtare, urimet pas formimit të qeverisë së re, takimet me diplomatë amerikanë dhe me anëtarë të Kongresit, si edhe diskutimet mbi sigurinë rajonale, anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe vazhdimin e pranisë amerikane në KFOR, tregojnë se partneriteti strategjik mbetet aktiv. Për këtë arsye, nuk do të ishte e saktë të konkludohej se Washingtoni e ka refuzuar përfundimisht Kryeministrin Kurti. Ne mendojmë se bëhet fjalë për një vlerësim më të balancuar, bazuar në argumetet që janë publikë, se është besimi politik ai që ka kaluar një periudhë vështirësish, ndërsa dialogu institucional vazhdon të mbetet i hapur.
    A) Vlerësimi i Bordit Drejtues: Bordi Drejtues i Institutit Studimor “Platforma për Referendum Kombëtar” vlerëson se stabiliteti institucional i Republikës së Kosovës është interes kombëtar shqiptar dhe njëkohësisht element i rëndësishëm i sigurisë dhe i pozicionit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Institucionet e Kosovës duhet të funksionojnë mbi bazën e Kushtetutës, dialogut politik dhe përgjegjësisë institucionale, duke shmangur polarizimin e tepërt dhe bllokimet e zgjatura. Po ashtu, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatët euroatlantikë mbetet një nga shtyllat themelore të sigurisë, zhvillimit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Çdo mospajtim politik duhet të menaxhohet përmes dialogut dhe koordinimit institucional, pa cenuar orientimin strategjik euroatlantik të shtetit. Në vlerësimin tonë, zgjidhja e krizës aktuale kërkon njëkohësisht përgjegjësi politike nga shumica dhe opozita, respekt të plotë të rendit kushtetues dhe rikthim të besimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve të saj strategjikë. Vetëm në këtë mënyrë, nga kënvështrimi jonë, mund të konsolidohen stabiliteti demokratik dhe pozita ndërkombëtare e Republikës së Kosovës do të përparonte në vazhdimësi…
    4) Dy qasje politike në raport me partneritetin strategjik: Nga këndvështrimi i leximit të argumentreve, zhvillimet aktuale nuk duhet të interpretohen si një përballje personale ndërmjet Kryeministrit Albin Kurti dhe administratës amerikane. Na takon ta themi se bëhet fajlë për një porces specifik dhe me këtë rast, një interpretim më i balancuar është se, kemi të bëjmë me dy qasje të ndryshme mbi ushtrimin e sovranitetit dhe mënyrën e koordinimit me aleatët strategjikë. Nga njëra anë, qeveria e Kosovës (ende në detyrë) ka theksuar vazhdimisht parimin se një shtet sovran duhet të marrë vendimet e tij në mënyrë të pavarur, në përputhje me Kushtetutën dhe interesin kombëtar. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët euroatlantikë kanë vënë theksin mbi rëndësinë e koordinimit strategjik ndërmjet aleatëve, veçanërisht në çështjet që lidhen me sigurinë rajonale, dialogun me Serbinë dhe stabilitetin në Gadishullin Ilirik (ose ish – Ballkanin Perëndimor). Kur këto dy qasje nuk arrijnë të harmonizohen, krijohen perceptime të ndryshme. Në Prishtinë, disa vendime mund të interpretohen si mbrojtje e sovranitetit shtetëror, ndërsa në Washington ato mund të perceptohen si mungesë koordinimi politik me aleatin kryesor. Pikërisht në këtë kontekst, në eksperrtiza të ndryshme ndërkombëtare janë përdorur vlerësime që e përshkruajnë qasjen e Kryeministrit Kurti si tepër të ngurtë ose shumë pak fleksibile në raport me partnerët strategjikë. Këto mbeten vetëm interpretime analitike, por jo edhe cilësime zyrtare të institucioneve amerikane.
    5) A mund të konsiderohet Albin Kurti “i padëshiruar” në Washington? Nga të dhënat publike nuk rezulton se ekziston ndonjë vendim apo qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara që e shpall Kryeministrin e Kosovës person të padëshiruar ose që vë në dyshim legjitimitetin e tij institucional. Megjithatë, është e arsyeshme të vlerësohet se niveli i besimit politik ndërmjet administratës amerikane dhe qeverisë së Kosovës ka pësuar luhatje të theksuar gjatë viteve të fundit. Në këtë kuptim, një formulim më i saktë është se marrëdhëniet politike kanë kaluar një periudhë vështirësish dhe se partneriteti ka kërkuar një proces rikonsolidimi. Një pjesë e analizave ndërkombëtare e kanë interpretuar vitin 2026 si një mundësi për rivendosjen e besimit dhe për rifreskimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet Washingtonit dhe Prishtinës, më tepër sesa si një shkëputje të pakthyeshme të marrëdhënieve.
    6) Paradoksi politik: Në vlerësimin e Bordit Drejtues të IS „Platforma për Referendum Kombëtar“, një nga paradokset më të rëndësishme të zhvillimeve aktuale qëndron në faktin se mbrojtja e sovranitetit shtetëror dhe ruajtja e partneriteteve strategjike nuk duhet të paraqiten si objektiva që përjashtojnë njëra-tjetrën. Republika e Kosovës e ka ndërtuar sigurinë dhe konsolidimin e saj ndërkombëtar mbi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, praninë e KFOR-it, bashkëpunimin me NATO-n dhe mbështetjen e aleatëve euroatlantikë. Po kështu, procesi i integrimit evropian mbetet i lidhur ngushtë me bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, i cili përfaqëson një faktor kyç në zhvillimin ekonomik, institucional dhe politik të vendit. Për rrjedhojë, çdo tension i zgjatur me partnerët strategjikë mund të prodhojë kosto më të mëdha për interesat afatgjata të Republikës së Kosovës sesa për pozicionin politik të çdo qeverie të veçantë. Në këtë kuadër, pyetja thelbësore nuk është nëse mbrojtja e sovranitetit është legjitime, sepse ajo është një e drejtë themelore e çdo shteti demokratik, por nëse strategjia politike e ndjekur arrin të balancojë në mënyrë efektive sovranitetin me nevojën për koordinim dhe partneritet me aleatët kryesorë.
    B) Vlerësimi parimor i Bordit Drejtues: Bazuar në zhvillimet e deritanishme, Instituti Studimor “Platforma për Referendum Kombëtar” – Tiranë vlerëson se:
    1) Kriza institucionale në Kosovë është përgjegjësi e të gjithë aktorëve politikë, megjithëse barra kryesore politike bie mbi forcën që ushtron qeverisjen dhe ka detyrimin të krijojë kushtet për funksionimin normal të institucioneve.
    2) Nuk është e drejtë të cilësohet Kryeministri Albin Kurti si “i paaftë” vetëm mbi bazën e krizës aktuale. Megjithatë, vështirësitë në ndërtimin e kompromisit politik dhe të shumicave funksionale përbëjnë një sakrificë reale me rreziqe të mëdha, që ndikon në vlerësimin e kapaciteteve të qeverisjes.
    3) Ndonëse, ende nuk mbështetet në prova publike pohimi se Shtetet e Bashkuara e kanë refuzuar ose delegjitimuar Kryeministrin e Kosovës, trumbetimet publike nuk mungojnë. Megjithatë, ekzistojnë elemente që tregojnë se niveli i besimit politik ndërmjet palëve ka pësuar dobësim dhe kërkon rikonsolidim.
    4) Në analizat profesionale ndërkombëtare janë përdorur vlerësime kritike për stilin negociues dhe shkallën e fleksibilitetit të Kryeministrit Kurti. Këto janë interpretime analitike dhe (ende) nuk përbëjnë qëndrime zyrtare të institucioneve amerikane.
    5) Vështirësitë kryesore strategjike mbetet aftësia për të harmonizuar mbrojtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës me ruajtjen dhe forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët euroatlantikë. Një politikë e suksesshme duhet të arrijë të ndërtojë njëkohësisht legjitimitet të brendshëm dhe besueshmëri ndërkombëtare. Nëse kriza institucionale vazhdon, sakrifica politike nuk do të kufizohet vetëm te funksionimi i institucioneve, por do të lidhet gjithnjë e më shumë me aftësinë e klasës politike për të ndërtuar konsensus, për të garantuar stabilitet demokratik dhe për të ruajtur partneritetet strategjike që përbëjnë një interes themelor të Republikës së Kosovës.
    6) Me këtë rast po citojmë edhe këtë mendim: „Një element që meriton vëmendje të veçantë është dallimi ndërmjet sigurisë dhe stabilitetit, dy koncepte që shpesh përdoren si sinonime, ndonëse nuk janë të njëjta. Stabiliteti politik është një vlerë e rëndësishme për çdo shoqëri demokratike, por ai nuk përbën qëllimin përfundimtar të shtetit. Detyra themelore e shtetit është garantimi i sigurisë: mbrojtja e qytetarëve, e rendit kushtetues, e sovranitetit, e institucioneve dhe e interesave kombëtare. Stabiliteti është i dëshirueshëm vetëm kur mbështetet mbi sigurinë, ligjin dhe besimin e qytetarëve, përndryshe ai mund të jetë vetëm një ekuilibër i përkohshëm“, (Dr. Pajtim Ribaj).
    Në marrëdhëniet ndërkombëtare, aktorët e jashtëm shpesh e vendosin theksin te ruajtja e stabilitetit rajonal, sepse ky lidhet me interesat e tyre strategjike dhe me parandalimin e krizave. Megjithatë, përgjegjësia për garantimin e sigurisë kombëtare mbetet, para së gjithash, detyrë e institucioneve të vetë shtetit. Askush nuk mund ta njohë, ta mbrojë dhe ta ndërtojë interesin kombëtar më mirë sesa vetë shteti dhe qytetarët e tij. Në këtë këndvështrim, po krijohet edhe një diferencë në mënyrën se si Shqipëria dhe Kosova po përballen me problemet e tyre. Të dy shtetet shqiptare veprojnë në rrethana të ndryshme politike dhe gjeopolitike, por të dyja përballen me të njëjtin detyrim strategjik: të ndërtojnë institucione që garantojnë sigurinë, të ruajnë besimin e qytetarëve dhe të forcojnë partneritetet me aleatët pa humbur busullën e interesave kombëtare. Pikërisht këtu lidershipi fiton rëndësi vendimtare. Busulla e tij nuk mund të orientohet vetëm nga nevojat e momentit politik, por duhet të drejtohet nga vlerat kombëtare dhe nga interesat afatgjata të shtetit. Sepse një komb nuk mbështetet vetëm mbi territorin që administron. Ai mbështetet mbi kujtesën e përbashkët, gjuhën, historinë, kulturën, traditat, simbolet kombëtare dhe vullnetin për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët. Këto janë themelet shpirtërore që krijojnë kohezionin shoqëror dhe rrisin aftësinë e shtetit për t’u përballur me krizat. Në këtë kuptim, shteti është trupi, ndërsa kombi është shpirti. Kur shteti largohet nga interesat kombëtare, dobësohet legjitimiteti i tij dhe kur kombi humbet besimin te shteti, dobësohet kohezioni kombëtar. Prandaj kultura strategjike kombëtare duhet të ndërtohet mbi bindjen se interesat afatgjata të kombit dhe të shtetit përbëjnë pikën e përbashkët që duhet të bashkojë forcat politike përtej dallimeve të tyre. Vetëm mbi këtë themel mund të ndërtohen siguria, stabiliteti dhe zhvillimi i qëndrueshëm i Shqipërisë dhe Kosovës.
  2. Rama – Kurti – Osmani: rivalitet politik, perceptime publike dhe krizat e lidershipit

Vlerësim i Bordit Drejtues të Institutit Studimor “Platforma për Referendum Kombëtar” – Tiranë

Marrëdhëniet ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës nuk mund të analizohen vetëm përmes deklaratave publike. Në politikë, interesat strategjike shpesh peshojnë më shumë se retorika, ndërsa përplasjet politike nuk përjashtojnë bashkëpunimin institucional kur këtë e kërkon interesi shtetëror. Raporti ndërmjet Kryeministrit Edi Rama, Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani përfaqëson tri qasje të ndryshme politike. Deri më sot nuk ka prova që të mbështesin pretendimin për një koordinim të fshehtë ndërmjet Ramës dhe Kurtit. Megjithatë, në çështje të caktuara interesat politike ose shtetërore mund të kenë prodhuar përputhje taktike, pavarësisht rivalitetit publik.
Presidentja Vjosa Osmani, nga ana e saj, është identifikuar me një profil institucional më të orientuar drejt koordinimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Vlerësimet pozitive ndaj saj janë publike nga shumë diplomatë ndërkombëtarë. Kryeministri Kurti ka theksuar më shumë dimensionin e sovranitetit dhe pavarësisë vendimmarrëse, ndërsa Kryeministri Rama ka ndjekur një linjë më pragmatike në raport me partnerët euroatlantikë.
1) Episodi Spiropali dhe perceptimi publik: Vizita e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në Prishtinë është komentuar në mënyra të ndryshme nga analistë dhe opinionistë. Një pjesë e analizave kanë vlerësuar se polemikat publike të krijuara gjatë asaj vizite mund të kenë prodhuar një efekt të kundërt nga ai i synuar. Në Kosovë ekziston një ndjeshmëri e lartë ndaj çdo perceptimi për ndërhyrje në vendimmarrjen e brendshme. Për këtë arsye, një debat publik me përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë mund të ketë forcuar narrativën politike të Kryeministrit Kurti si mbrojtës i sovranitetit të vendit. Megjithatë, në mungesë të të dhënave të konfirmuara dhe sondazheve të besueshme, nuk mund të konkludohet si fakt se njëra palë fitoi ose humbi betejën e opinionit publik. Mund të thuhet vetëm se ky episod krijoi një perceptim politik që, sipas disa analizave, mund të ketë favorizuar pozicionimin e Kryeministrit Kurti, i cili megjithatë ende nuk po arrinë të bëjë funksional institucionet shtetërore, përmes konstituimit legjitim?…
2) Një krahasim i domosdoshëm politik: Instituti ynë vlerëson se, ndonëse në kontekste të ndryshme, si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë përjetuar tensione politike që lidhen me raportin ndërmjet qeverive dhe partnerëve strategjikë.
a) Në Shqipëri, gjatë muajve të fundit janë zhvilluar protesta dhe reagime opozitare kundër politikave të qeverisë Rama, duke përfshirë kritika për mënyrën e qeverisjes dhe për çështje që lidhen me besimin publik dhe orientimin politik të vendit.
b) Në Kosovë, nga ana tjetër, debati është përqendruar më shumë te marrëdhëniet e qeverisë Kurti me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët euroatlantikë. Në një pjesë të opinionit publik është shprehur shqetësimi se tensionet e krijuara me partnerin strategjik më të rëndësishëm mund të kenë pasoja për interesat afatgjata të Republikës së Kosovës. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit treguan një rënie të mbështetjes elektorale për Lëvizjen Vetëvendosje krahasuar me ciklin e mëparshëm zgjedhor. Megjithatë, shkaqet e kësaj rënieje janë të shumëfishta dhe nuk mund t’i atribuohen vetëm një faktori të vetëm.
3) Analistë të ndryshëm: Ndër të tjera kanë përmendur, polarizimin politik, mënyrën e ushtrimit të qeverisjes, marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe pritshmëritë e papërmbushura të një pjese të elektoratit. Po kështu, edhe debatet politike që lidhen me raportet ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani janë interpretuar në mënyra të ndryshme në hapësirën publike, shumë herë të panevojshme. Nuk është e mundur të pohohet si fakt se një zhvillim i caktuar ndërkombëtar ose një emërim i propozuar në një forum të caktuar ka qenë shkaku i këtyre tensioneve, pasi për këtë nuk ekzistojnë prova publike të mjaftueshme.
C) Vlerësimi i Bordit Drejtues: Bordi Drejtues i Institutit Studimor “Platforma për Referendum Kombëtar” vlerëson se një nga kërkesat më të mëdha të lidershipit politik në Shqipëri dhe në Kosovë është aftësia për ta balancuar legjitimitetin e brendshëm me besueshmërinë ndërkombëtare. Asnjë qeveri nuk mund të mbështetet vetëm te mbështetja elektorale, as vetëm te mbështetja ndërkombëtare. Stabiliteti politik ndërtohet mbi aftësinë për të krijuar konsensus të brendshëm, për të respektuar institucionet demokratike dhe për të ruajtur partneritetet strategjike. Në këtë kuptim, si Kryeministri Edi Rama ashtu edhe Kryeministri Albin Kurti përballen me rrethana të ndryshme, (të lejuara me vetëdije nën hijen e neglizhencës), por me një emërues të përbashkët: nevojën për të forcuar besimin qytetar dhe për të konsoliduar marrëdhëniet me aleatët strategjikë të kombit shqiptar. Instituti ynë gjykon se dialogu politik, maturia institucionale dhe koordinimi me partnerët euroatlantikë mbeten rruga më e sigurt për të garantuar stabilitetin demokratik dhe mbrojtjen e interesit kombëtar shqiptar.
Një këndvështrim alternativ është se legjitimiteti i çdo qeverie në një demokraci nuk matet vetëm nga rezultati zgjedhor, por edhe nga aftësia për të qeverisur në mënyrë efektive, për të garantuar sigurinë, për të ruajtur besimin e qytetarëve dhe për të menaxhuar marrëdhëniet me partnerët strategjikë. Kur këto elemente dobësohen në mënyrë të vazhdueshme dhe nuk ka më kapacitet për të rikthyer stabilitetin institucional, rruga demokratike mbetet kërkimi i një mandati të ri ose largimi nga qeverisja. Në Shqipëri, kriza e besimit ndaj qeverisë është shoqëruar prej kohësh me protesta të vazhdueshme dhe me kritika të forta, të cilat kanë tërhequr vëmendjen edhe në arenën ndërkombëtare. Në Kosovë, situata është e natyrës tjetër: debati nuk lidhet kryesisht me protesta masive qytetare, por me tensionet rreth marrëdhënieve me partnerët strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një sërë mosmarrëveshjesh politike dhe perceptimit për mungesë koordinimi. Në të dy rastet, megjithëse për arsye të ndryshme, sakrifica dhe rreziku mbetet i njëjtë: një qeveri që nuk arrin të ruajë funksionalitetin institucional, besimin e qytetarëve dhe marrëdhëniet strategjike, përballet me një sprovë serioze të legjitimitetit të saj politik. Për këtë arsye, Instituti ynë vlerëson se dialogu politik, maturia institucionale, garantimi i sigurisë kombëtare dhe koordinimi i ngushtë me partnerët euroatlantikë mbeten rruga më e qëndrueshme për mbrojtjen e interesit kombëtar dhe forcimin e demokracisë në të dy shtetet shqiptare.
1) Ngërçi i zgjatur politik dhe bllokimi i përsëritur i formimit të institucioneve kushtetuese dëshmojnë se kultura e kompromisit demokratik ende nuk është konsoliduar në hapësirën politike shqiptare. Përkundrazi, praktikat e bllokimit institucional, të kushtëzimeve të skajshme dhe të interesit partiak mbi interesin shtetëror kujtojnë modele politike të trashëguara nga e kaluara autoritare, të cilat bien ndesh me standardet e një demokracie funksionale. Kjo tregon se shumica e klasës politike ende nuk ka përcaktuar kufirin etik dhe institucional përtej të cilit interesi i Republikës duhet të prevalojë mbi interesin partiak. Prandaj, deklarimet e vazhdueshme për respekt ndaj sakrificës së dëshmorëve, të luftëtarëve të lirisë dhe të qytetarëve që ndërtuan shtetin e Kosovës duhet të dëshmohen me përgjegjësi në qeverisje, me funksionim të institucioneve dhe me mbrojtje të interesit publik. Respekti për sakrificën kombëtare nuk provohet me ceremoni përkujtimore, por me kulturë shtetformuese, përgjegjësi politike dhe besnikëri ndaj vlerave për të cilat u ndërtua shteti.
2) Nga këndvështrimi i Institutit Studimor “Platforma për Referendum Kombëtar” – Tiranë, zgjidhja afatgjatë nuk kufizohet vetëm në ndryshimin e aktorëve politikë, por kërkon edhe ndryshimin e vetë modelit të vendimmarrjes. Për këtë arsye, Instituti ynë rithekson domosdoshmërinë e reformimit të sistemit politik përmes zgjerimit të instrumenteve të demokracisë së drejtpërdrejtë, në përputhje me programin e Platformës për Referendum Kombëtar. Çështjet me interes madhor kombëtar dhe institucional duhet t’u nënshtrohen më shumë vendimmarrjes së drejtpërdrejtë qytetare përmes referendumit dhe mekanizmave të tjerë të pjesëmarrjes demokratike. Vetëm një sistem që e bën qytetarin pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në vendimmarrje mund të kufizojë arbitraritetin politik, të forcojë përgjegjësinë e institucioneve dhe të pengojë që interesat shtetërore të mbeten peng i kalkulimeve apo i qëndrimeve të ngurta të liderëve politikë.

III. Mendim unifikues për një paralelizëm politik ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës

Një element që nuk mund të anashkalohet në këtë analizë është se si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, po evidentohet një rritje e polarizimit politik dhe e pakënaqësisë qytetare, megjithëse për shkaqe të ndryshme. Në Shqipëri, prej muajsh janë zhvilluar protesta dhe kundërshtime të vazhdueshme ndaj qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, të lidhura me mënyrën e qeverisjes, standardet demokratike, transparencën institucionale dhe akuzat e opozitës për keqqeverisje. Këto zhvillime tregojnë një krizë të besimit ndërmjet një pjese të qytetarëve dhe qeverisë. Në Kosovë, sfida kryesore ka marrë formën e bllokimit institucional dhe të debatit mbi marrëdhëniet me partnerët strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pse Kryeministri Albin Kurti vazhdon të gëzojë mbështetje të konsiderueshme, rezultatet e zgjedhjeve të fundit treguan një rënie të mbështetjes për Lëvizjen Vetëvendosje krahasuar me ciklin e mëparshëm zgjedhor. Analistë të ndryshëm e kanë lidhur këtë rënie edhe me faktorë të tjerë, edhe me tensionet e krijuara në raport me aleatët strategjikë dhe me perceptimin se qeveria ka treguar fleksibilitet të pamjaftueshëm në ndërtimin e konsensusit politik. Nëse këto prirje vazhdojnë, është e arsyeshme të pritet që pakënaqësitë qytetare të shprehen edhe përmes protestave demokratike, ashtu siç ndodh në çdo shoqëri pluraliste. Kjo nuk përbën një parashikim, por një mundësi politike që lidhet me aftësinë ose pamundësinë e qeverive për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të menaxhuar marrëdhëniet me partnerët strategjikë. Në vlerësimin e Institutit Studimor “Platforma për Referendum Kombëtar” – Tiranë, si Kryeministri Edi Rama, ashtu edhe Kryeministri Albin Kurti përballen me një sfidë të përbashkët: ruajtjen e legjitimitetit të brendshëm dhe njëkohësisht forcimin e besueshmërisë në raport me aleatët strategjikë. Asnjë qeveri nuk mund të sigurojë stabilitet afatgjatë vetëm mbi shumicën parlamentare. Por, stabiliteti kërkon besim qytetar, institucione funksionale dhe partneritete të qëndrueshme ndërkombëtare.  (07.08.2026)

***

Nga Bordi Drejtues: Instituti Studimor: „Platforma për Referendum Kombëtar“ Safet Sadiku, Dr. Pajtim Ribaj, Dr. Sandër Marku, Dodë Luli, Feriz Deliu – (Kabashi).   

Zllakuqani i Lugut të Drinit dhe roli i Kishës Katolike në dokumentet e arkivit shtetëror austriak (1890 – 1918)

0

Meshë e dikurshme në Kishën e Zllakuqanit

Nga: Lekë Mrijaj

(Hulumtim shkencor)

Ky hulumtim shkencor është hartuar mbi bazën e dokumentacionit të ruajtur në Österreichisches Staatsarchiv (ÖStA) në Vienë, posaçërisht në Haus-, Hof- und Staatsarchiv (HHStA), Politisches Archiv (PA), si dhe, për kufirin kronologjik të Luftës së Parë Botërore, në fondet e Kriegsarchiv-it. Argumentimi mbështetet vetëm në aktet diplomatike dhe konsullore të identifikuara në këto fonde, pa u mbështetur në monografi lokale, fjalorë enciklopedikë, kujtime, botime përkujtimore ose interpretime të mëvonshme. Qëllimi është të rindërtohet roli i Kishës Katolike në Zllakuqan vetëm në masën që e lejon dokumentacioni arkivor. Njëkohësisht, këto burime duhen lexuar në mënyrë kritike, sepse janë hartuar nga përfaqësues të diplomacisë austro-hungareze dhe pasqyrojnë këndvështrimin, informacionet dhe interesat institucionale të administratës që i prodhoi.

Dokumenti i parë me rëndësi për hapësirën rajonale ku bënte pjesë Zllakuqani është relacioni i konsullit Peez, i dërguar nga Prizreni më 15 maj 1890. Sipas aktit, një ditë më parë famullitari katolik i Pejës, Padre Roberto Gabos da Cles, ishte paraqitur në konsullatë së bashku me një përfaqësues të parisë katolike dhe ishte paraqitur si përfaqësues i interesave të katolikëve, si dhe të një numri myslimanësh. Çështja lidhej me rrezikun e humbjes së tokave në brezin prej Gjurakovcit deri në Klinë.¹

Zllakuqani nuk emërtohet shprehimisht në këtë pjesë të relacionit; për këtë arsye, dokumenti nuk mund të përdoret si dëshmi e drejtpërdrejtë për një ngjarje të zhvilluar brenda fshatit. Rëndësia e tij qëndron në faktin se ndihmon të kuptohet mekanizmi rajonal i përfaqësimit: kleri katolik i Pejës komunikonte me konsullatën austro-hungareze edhe për çështje që tejkalonin shërbesën fetare dhe preknin sigurinë juridike e pronësore të bashkësive katolike të zonës. Lidhja e drejtpërdrejtë me Zllakuqanin shfaqet në relacionin nr. 39 të konsullit Piliński, të datës 26 qershor 1890. Në akt thuhet se dy të dërguar të katolikëve nga “Zlogučan” — forma me të cilën dokumenti shënon Zllakuqanin — kishin mbërritur në konsullatë me një letër të famullitarit katolik të Pejës. Ata kërkonin mbrojtje në emër të katolikëve të fshatit dhe të aleatëve të tyre myslimanë nga Llapusha, në lidhje me një konflikt me banorë të Isniqit. Në themel të mosmarrëveshjes qëndronte një pronë në Zllakuqan dhe pretendimi i fqinjëve për të drejtën e përparësisë në blerjen e saj. Konsulli raportonte se kishte kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve osmane lokale pranë mutasarrifit të Pejës në favor të banorëve që ndiheshin të kërcënuar.²

Ky dokument është themelor për temën e kumtesës, sepse dëshmon një mekanizëm veprimi të dallueshëm në burimin arkivor: përfaqësuesit e bashkësisë së Zllakuqanit mbërrinin në konsullatë të pajisur me letrën e klerikut, çështja i paraqitej përfaqësisë austro-hungareze dhe kjo e fundit kërkonte veprim nga administrata osmane. Kisha shfaqet, rrjedhimisht, jo vetëm si institucion kulti, por edhe si hallkë komunikimi ndërmjet bashkësisë lokale dhe përfaqësisë diplomatike. Kjo nuk do të thotë se kleri kishte kompetencë juridike mbi konfliktin: vetë relacioni tregon se zgjidhja kërkohej nga autoritetet osmane, ndërsa kleriku dhe konsullata ushtronin një funksion ndërmjetësues. Relacioni i 4 nëntorit 1890, po nga Piliński, e vijon të njëjtën çështje. Konsulli raportonte se konflikti i Zllakuqanit nuk kishte përfunduar në përleshjen që ishte druajtur. Në dokument përmendet edhe kreu katolik Sefia Gioni, i cili, pas këshillimit konsullor, kishte zbutur qëndrimin dhe pritej të ndikonte në qetësimin e njerëzve të vet, duke shpresuar në ndërhyrjen e administratës lokale.³

Kjo dëshmi e plotëson tablonë e vitit 1890: veprimi shoqëror nuk përqendrohej vetëm te prifti, por zhvillohej në një rrjet ku përfshiheshin krerët lokalë, famullitari, konsulli dhe administrata osmane. Rëndësia e Kishës qëndronte edhe në aftësinë e saj për ta lidhur bashkësinë me këtë rrjet më të gjerë komunikimi. Një tjetër akt me rëndësi të drejtpërdrejtë është relacioni i konsullit Zambaur, i datës 28 maj 1904 në Mitrovicë. Dokumenti njofton për një delegacion të katolikëve të rrethit të Pejës, të udhëhequr nga Pren Paloka i Gjurakovcit, në të cilin përfaqësoheshin shprehimisht Gjurakovci, Zllakuqani, Leskoci dhe “Ralonce”, sipas formës së shënuar në akt. Delegatët ankoheshin për trajtimin e katolikëve në procesin e pranimit në xhandarmëri, si dhe për trajtimin e tyre në konfliktet me popullsinë ortodokse. Relacioni shënon se deri pak më parë në Pejë shërbenin rreth tridhjetë xhandarë serbë, kundrejt vetëm pesë katolikëve. Në të njëjtin dokument, Pater Angelo Palić [At Engjëll Palaj — shën. i autorit], famullitar i Pejës dhe drejtues i hospicit françeskan, paraqitet nga konsulli si “përfaqësuesi i natyrshëm” i katolikëve dhe si kleriku që kishte mbështetur me shkrim veprimin e delegacionit.⁴

Për Zllakuqanin, rëndësia e relacionit të vitit 1904 është e dyfishtë. Së pari, fshati përmendet shprehimisht si pjesë e një përfaqësimi të organizuar rajonal. Së dyti, dokumenti tregon se kleri vazhdonte të shfaqej në korrespondencën konsullore si ndërmjetës i interesave të popullsisë katolike. Nga vetë akti nuk mund të nxirret përfundimi se çdo veprim i delegacionit drejtohej nga Kisha e Zllakuqanit; ajo që mund të thuhet me siguri është se përfaqësimi i Zllakuqanit ndodhej brenda një rrjeti ku autoriteti kishtar dhe konsullata austro-hungareze kishin rol të dukshëm. Dokumentacioni i vitit 1913 e bën rolin e klerit të lidhur me Zllakuqanin edhe më të qartë. Në relacionin nr. 173, dërguar më 21 janar 1913 nga Umlauf në Mitrovicë ministrit të Jashtëm Leopold Berchtold, burimi i informacionit identifikohet si “Pater David Pepa aus Zlokučan” — At David Pepaj nga Zllakuqani.⁵

Sipas relacionit, ai kishte sjellë të dhëna për gjendjen në Pejë nën administrimin malazez. Përfaqësuesit katolikë të Pejës dhe rrethinës, sipas informacionit të transmetuar, ishin thirrur disa herë dhe ishin shtyrë të hiqnin dorë nga ideja e Shqipërisë së pavarur e të bashkëpunonin me Malin e Zi. Raportoheshin gjithashtu përpjekje për sigurimin e deklaratave në favor të aneksimit, konfiskime, mbledhje detyrimesh dhe rekuizime. Vlera e këtij akti për historinë e Kishës në Zllakuqan qëndron te funksioni informues i klerikut. At David Pepaj del në dokument si bartës i informacionit politik dhe shoqëror nga terreni drejt përfaqësisë austro-hungareze. Kjo dëshmon se, në rrethanat e ndryshimit të pushtetit pas Luftës së Parë Ballkanike, një klerik i lidhur me Zllakuqanin mund të shërbente edhe si kanal përmes të cilit gjendja e popullsisë lokale arrinte në dokumentacionin diplomatik të Vjenës. Duhet megjithatë të ruhet dallimi midis dëshmisë dhe vërtetimit të pavarur: relacioni dëshmon se këto informacione iu raportuan konsullatës nga At David Pepaj; ai, i vetëm, nuk provon domosdoshmërisht çdo hollësi të raportuar. Dokumenti më i plotë për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë ushtarake ndaj bashkësisë katolike të Zllakuqanit është relacioni nr. 192 i Pözelit për Berchtoldin, dërguar nga Prizreni më 27 qershor 1913 dhe i ruajtur në HHStA PA XXXVIII/Kt. 405.⁶

Relacioni paraqet atë që mund të quhet “çështja e Zllakuqanit”, duke u mbështetur në rrëfimin e At Filip Palajt. Sipas këtij raportimi, më 25 maj 1913 një repart serb, nën drejtimin e një majori, kishte hyrë në fshat për kontroll armësh, me dyshimin se armë dhe municion mund të fshiheshin edhe në objektet e famullisë katolike. Burrat u ndaluan pasi dolën nga mesha dhe u urdhëruan të dorëzonin armët. Pas dorëzimit të disa pushkëve pasoi, sipas relacionit, një keqtrajtim i rëndë: rreth njëzet persona duhej të dërgoheshin me qerre në shtëpi, ndërsa një person raportohej se kishte vdekur si pasojë e rrahjes. Dokumenti shënon gjithashtu keqtrajtimin e grave që kishin tentuar t’u ndihmonin familjarëve të tyre. Relacioni vazhdon me kontrollin e famullisë. Sipas rrëfimit të At Filip Palajt, gjatë kontrollit ai kishte gjetur nën altar një brez me rreth 75 fishekë dhe e kishte dorëzuar; kontrolli i mëtejshëm nuk kishte zbuluar armë të tjera. Megjithatë, prifti ishte mbajtur i ndaluar dhe kishte raportuar kërcënime me pushkatim e rrahje, si dhe kërkesë për para nga një nënoficer në këmbim të lirimit. Pas lirimit, lëvizja e tij ishte kufizuar. Relacioni e lidh drejtpërdrejt këtë kufizim me pamundësinë e ushtrimit normal të shërbesës pastorale dhe shënon se katër besimtarë kishin vdekur pa marrë sakramentet.⁷ Në të njëjtin akt shënohet se më 12 qershor kishte arritur kryeipeshkvi, i cili e kishte marrë At Filip Palajn me vete në Prizren dhe kishte vendosur në Zllakuqan At David Pepajn. Dokumenti regjistron edhe ndërhyrjen konsullore lidhur me të drejtën e priftit për të kryer vizitat pastorale, me kalin e famullisë dhe me çështjen e portretit të perandorit austro-hungarez. Sipas relacionit, autoriteteve lokale u ishte përcjellë urdhër që kleriku të mos pengohej në ushtrimin e detyrës së tij.⁷

Këtu roli i Kishës del në formën e tij më të qartë: kufizimi i priftit nuk trajtohej vetëm si çështje personale, por si pengesë ndaj funksionimit të jetës fetare të bashkësisë, ndërsa çështja u bë objekt i komunikimit diplomatik austro-hungarez. Nga dokumentet e cituara mund të nxirren disa përfundime pa i tejkaluar kufijtë e burimit arkivor. Në vitin 1890 kleri katolik shfaqet si kanal ndërmjetësimi në çështje pronësore dhe sigurie që preknin Zllakuqanin. Në vitin 1904 Zllakuqani paraqitet brenda një delegacioni rajonal katolik, ndërsa kleri i Pejës mbështet me shkrim përfaqësimin e interesave të popullsisë katolike. Në janar 1913 At David Pepaj nga Zllakuqani shërben si burim informacioni për përfaqësinë austro-hungareze. Në maj–qershor të po atij viti, përmes rastit të At Filip Palajt, dokumentacioni tregon se presioni ushtarak mbi fshatin preku drejtpërdrejt famullinë, lirinë e veprimit të klerikut dhe administrimin e sakramenteve. Këto elemente, të mbështetura në akte me datë dhe signaturë të përcaktuar, përbëjnë boshtin dokumentar më të sigurt të këtij hulumtimi.

Kufiri kronologjik 1914–1918 kërkon kujdes të veçantë. Aktet konkrete të identifikuara këtu për Zllakuqanin arrijnë deri në vitin 1913. Në Kriegsarchiv të Österreichisches Staatsarchiv ekziston fondi AT-OeStA/KA FA NFA HHK MV MGG Montenegro, që mbulon vitet 1915–1920 dhe përfshin material të administrimit ushtarak të periudhës së Luftës së Parë Botërore.⁸

Vetë ekzistenca e këtij fondi nuk lejon që Zllakuqanit t’i atribuohen ngjarje të caktuara për vitet 1915–1918 pa identifikuar dosjen dhe aktin konkret. Prandaj një kumtesë rigorozisht arkivore duhet ta shënojë këtë si kufi të hulumtimit: për vitet 1914–1918 nevojitet kontroll i mëtejshëm i njësive të Kriegsarchiv-it dhe citim i dokumenteve individuale para se të formulohen përfundime të reja për fshatin.

Në përfundim të këtij hulumtimi faktik dokumentet e Vjenës nuk e paraqesin praninë dhe veprimtarinë e Kishës Katolike në Zllakuqan vetëm në rrafshin liturgjik. Në aktet e viteve 1890, 1904 dhe 1913 kleri shfaqet si kanal komunikimi, ndërmjetësimi, përfaqësimi dhe informimi në periudha tensionesh shoqërore e politike. Vlera historike e këtyre burimeve qëndron pikërisht në faktin se ato lejojnë të shihet se si një bashkësi lokale e Lugut të Drinit hynte në korrespondencën diplomatike austro-hungareze përmes çështjeve konkrete të pronës, sigurisë, përfaqësimit dhe lirisë së shërbesës fetare. Duke iu përmbajtur vetëm këtyre akteve, pa plotësime nga literatura dytësore, numri i dëshmive mbetet i kufizuar, por baza dokumentare e përfundimeve bëhet më e kontrollueshme dhe metodologjikisht më e qëndrueshme.

______________________________

Fusnotat — vetëm në dokumente të Österreichisches Staatsarchiv, Vjenë

  1. Österreichisches Staatsarchiv (ÖStA), Haus-, Hof- und Staatsarchiv (HHStA), Politisches Archiv (PA) XXXVIII, Kt. 279, f. 23r–25v, Peez për Kálnoky, Prizren, 15.05.1890, raporti nr. 37 (N° 60 res.). 2. ÖStA, HHStA, PA XXXVIII, Kt. 279, f. 32r–34r, Piliński për Kálnoky, Prizren, 26.06.1890, raporti nr. 39 (N° 83 res.). 3. ÖStA, HHStA, PA XXXVIII, Kt. 279, f. 130r–132r, Piliński për Kálnoky, Prizren, 04.11.1890, raporti nr. 47 (N° 158 res.). 4. ÖStA, HHStA, PA XXXVIII, Kt. 385, n. f., Zambaur për Gołuchowski, Mitrovicë, 28.05.1904, raporti nr. 101 (Nro. 36). 5. ÖStA, HHStA, PA XII, Kt. 388, f. 416r–417r, Umlauf për Berchtold, Mitrovicë, 21.01.1913, raporti nr. 173 (N° 3). 6. ÖStA, HHStA, PA XXXVIII, Kt. 405, n. f., Pözel për Berchtold, Prizren, 27.06.1913, raporti nr. 192 (N° 48). 7. Po aty, relacioni nr. 192, 27.06.1913. 8. Österreichisches Staatsarchiv, Kriegsarchiv, AT-OeStA/KA FA NFA HHK MV MGG Montenegro, 1915–1920 (Teilbestand).

Burimet arkivore:

Österreichisches Staatsarchiv, Haus-, Hof- und Staatsarchiv, Politisches Archiv, PA XXXVIII, Kt. 279.

Österreichisches Staatsarchiv, Haus-, Hof- und Staatsarchiv, Politisches Archiv, PA XXXVIII, Kt. 385.

Österreichisches Staatsarchiv, Haus-, Hof- und Staatsarchiv, Politisches Archiv, PA XII, Kt. 388.

Österreichisches Staatsarchiv, Haus-, Hof- und Staatsarchiv, Politisches Archiv, PA XXXVIII, Kt. 405.

Österreichisches Staatsarchiv, Kriegsarchiv, AT-OeStA/KA FA NFA HHK MV MGG Montenegro, 1915–1920. 

Klinë, më 8 gusht 2026

Një drejtësi që vepron me integritet nuk ka arsye t’i frikësohet transparencës – Kufizimet e reja ndaj medias nga GJKKO

0
Frank Shkreli: AT GJERGJ FISHTA PËR ROLIN E SHTYPIT TË LIRË
Frank Shkreli
____
Liria e shtypit ka qenë dhe mbetet një nga temat që kam trajtuar më shpesh gjatë dekadave, si në shkrimet e mia për Shqipërinë, ashtu edhe për zhvillimet në botë. E kam bërë këtë jo vetëm si gazetar, por edhe si qytetar që beson se një shtyp i lirë është një nga shtyllat themelore të demokracisë. Ai nuk mbron vetëm të drejtën e gazetarit për të shkruar; ai mbron të drejtën e qytetarit për të ditur.
Si një gazetar që kam jetuar dhe punuar për dekada në Shtetet e Bashkuara, ku liria e shtypit gëzon mbrojtje të veçantë kushtetuese përmes Amendamentit të Parë të kushtetutës, nuk mund të mos ndiej shqetësim kur shoh se në Shqipëri ndërmerren, vazhdimisht, hapa që kufizojnë transparencën e proceseve me interes të madh public, siç është liria e shtypit. Frank Shkreli/ Liria e shtypit, kjo “ferrë“në sy të politikanëve shqiptarë | Gazeta Telegraf.  Pikërisht për këtë arsye, është zhgënjyese dhe njëherazi shqetësuese që në Shqipëri — një vend që aspiron të konsolidojë shtetin e së drejtës dhe standardet evropiane — miratohet një rregullore që kufizon më tej ushtrimin e lirisë së shtypit, kësaj radhe, në raportimin e proceseve gjyqësore. Ndonëse këto kufizime paraqiten si masa administrative ose sigurie të brendshme, ato nuk mund të mos ngjallin shqetësim, sepse çdo kufizim i transparencës prek të drejtën e publikut për t’u informuar. Historia na mëson se liria e shtypit rrallëherë humbet me një goditje të vetme.  Më shpesh ajo ngushtohet gradualisht, përmes kufizimeve që, të marra veçmas, duken të vogla, por që së bashku krijojnë një realitet të ri, më pak të lirë dhe më pak transparent. A mund të ndërtohet besimi te drejtësia duke kufizuar të drejtën e qytetarëve për të parë dhe për të ditur të vërtetën?
Pikërisht për këtë arsye, vendimi i fundit i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që vendos kufizime të reja ndaj raportimit të medias, nuk mund të kalojë pa një debat serioz publik. Drejtësi e re? Kryetari i GJKKO-së rikthen censurën ndaj mediave: Tani gazetarëve, u duhet leje edhe për të ndjekur seancat gjyqësore pa kamera e pa telefona | Gazeta Telegraf   Ka raste kur një rregullore e brendshme kalon pa u vënë re. Ka raste të tjera kur ajo bëhet pasqyrë e marrëdhënies që pushteti dëshiron të ndërtojë me qytetarin. Rregullorja e re e GJKKO-së i përket kësaj kategorie të dytë.  Askush nuk e mohon se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkon institucione të forta, të pavarura dhe të sigurta. Gjithashtu, askush nuk kundërshton nevojën për të mbrojtur gjyqtarët, prokurorët, dëshmitarët apo integritetin e proceseve gjyqësore. Por po aq e vërtetë është se historia e demokracive na mëson një ligj tjetër. Se sa herë që pushteti kërkon të zvogëlojë hapësirën e vëzhgimit publik, ai duhet të japë arsye jashtëzakonisht bindëse. Ky nuk duket të jetë rasti, kësaj radhe.
Drejtësia administrohet në emër të popullit. Kjo nuk është një formulë ceremoniale por duhet të jetë burimi i legjitimitetit të saj. Qytetarët kanë të drejtë të dine, jo vetëm vendimet që merren nga gjykatat, por edhe mënyrën se si arrihet deri tek ato vendime. Në këtë mision, media nuk është armike e drejtësisë. Ajo është dëshmitarja e saj.  Sepse një sallë gjyqi nuk mund të jetë një dhomë sekretesh. Ajo është vendi ku shteti ushtron një nga pushtetet më të mëdha që ka: të gjykojë, të dënojë ose të shpallë të pafajshëm. Pikërisht për këtë arsye, mbi të duhet të bjerë drita e transparencës dhe jo hija e dyshimit.
Në demokracitë perëndimore, transparenca nuk shihet si rrezik. Përkundrazi, ajo konsiderohet garanci kundër arbitraritetit. Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara e vendos lirinë e shtypit në themelin e republikës amerikane. Në vendimin historik New York Times Co. kundër Shteteve të Bashkuara (1971), Gjykata e Lartë e SHBA-së riafirmoi se një shtyp i lirë ekziston për të mbikëqyrur pushtetin, jo për t’iu nënshtruar atij. Po kështu, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut e konsiderojnë median “rojtare publike” të demokracisë.
Fatkeqsisht, historia shqiptare e njeh mirë çmimin e mungesës së lirisë së fjalës. Për gati gjysmë shekulli komunizëm, shtypi nuk informonte, ai propagandonte. Fjala e lirë dënohej, ndërsa e vërteta fshihej. Prandaj, çdo kufizim i ri ndaj transparencës në gjykata duhet të shqetsojë të gjithë dhe të na bëjë më të kujdesshëm. Liritë nuk humben gjithmonë me një akt spektakolar. Ato zbehen dalëngadalë, përmes kufizimeve që duken të vogla, por që me kalimin e kohës krijojnë një kulturë mbylljeje.  Megjithë të metat e saja, reforma në drejtësi në Shqipëri u mbështet sepse premtoi një drejtësi më të pavarur, më profesionale dhe më të besueshme. Por besimi, nuk ndërtohet duke u mbyllur gazetarëve dyertë  e gjykatave.  Ai ndërtohet me transparencë, me llogaridhënie dhe me gatishmërinë për t’u përballur me vështrimin kritik të medias dhe të publikut. Institucionet nuk fitojnë autoritet duke kufizuar informacionin, ato fitojnë autoritet duke dëshmuar se nuk kanë asgjë për të fshehur.  Ky nuk është një debat kundër GJKKO-së dhe as kundër reformës në drejtësi. Përkundrazi, është një debat në mbrojtje të suksesit të saj. Një drejtësi që kërkon besimin e qytetarëve duhet të jetë jo vetëm e pavarur, por edhe e dukshme. Ajo duhet të jetë e fortë kundër korrupsionit dhe krimit, por njëkohësisht e hapur ndaj transparencës që kërkon një shoqëri vërtetë demokratike. Frank Shkreli: Mbrojtja e lirisë së shtypit dhe medias, mbron drejtësinë dhe demokracinë! | Gazeta Telegraf
Mendimi i madh shqiptar na ka lënë një trashëgimi të vyer në këtë fushë. Gjergj Fishta na mësoi se një komb nuk mbrohet vetëm me kufij, por edhe me ndërgjegje. Frank Shkreli: At Gjergj Fishta për rolin e shtypit të lirë. Në përvjetorin e kalimit të tij në amshim | Gazeta Telegraf.  Faik Konica na kujtoi se qytetërimi fillon aty ku pushteti pranon kritikën. Arshi Pipa dëshmoi me jetën e tij se fjala e lirë është më e fortë se çdo përpjekje për ta nënshtruar atë. Këto nuk janë vetëm kujtime historike por janë mësime për të tashmen dhe të ardhmen.  Në fund të fundit, drejtësia nuk ka asgjë për të humbur nga e vërteta dhe nga drita. Ajo humbet vetëm nga errësira!  Dhe kur errësohet drejtësia, atëherë, nuk është vetëm shtypi që humbet. Humb qytetari. Humb besimi. Humb vetë demokracia.
Por megjithkëto sulme zyrtare “të brendshme” ndaj lirisë së medias dhe zhgënjimeve të njëpasnjëshme për zhvillimet politike në Shqipëri, përfshir kufizmet e lirisë së shtypit,  unë vazhdoj të jem një optimist i përjetshëm duke shpresuar se, “Shqypnia do të bëhet me shqiptarë që nuk kanë frikë nga e vërteta”
 — një thënje kjo që i atribohet At Gjergj Fishtës.