Kreu Blog Faqe 52

Adriatik Hipokrit Kelmendi, nuk na pikëllojnë më lotët e tu të krokodilit

0
ADRIATIK HIPOKRIT QELBMENDI, NUK NA PIKËLLOJNË MË LOTËT E TU TË KROKODILIT
____
Thua: “Burrë zotni ishte Dr. Ibrahim Rugova.”
Pikërisht për këtë arsye, sa herë që e nxjerr Rugovën nga albumi politik familjar për ta keqpërdorur si argument kundër Albin Kurtit, na detyron të të pyesim:
Sa i ngjashëm je ti me Rugovën?
Dhe:
A po e kujton Rugovën nga respekti që ke për të, apo vetëm po e keqpërdor emrin e tij kundër Albin Kurtit?
Sepse ekziston një dallim i vogël, por shumë i rëndësishëm.
Ta respektosh Rugovën do të thotë t’i respektosh edhe parimet mbi të cilat ai vepronte.
Ndërsa ta keqpërdorësh Rugovën do të thotë ta përmendësh emrin e tij pikërisht atëherë kur të duhet një dekor moral për qëndrimin tënd politik destruktiv, amoral, joparimor, selektiv, hipokrit dhe pervers.
Dhe këtu fillon problemi.
Na tregon se Rugova, edhe pse LDK-ja kishte marrë rreth 47 për qind të votave, nuk e trajtoi AAK-në si një insekt politik që duhej shkelur me këmbë.
Përkundrazi, e ftoi në bashkëpunim.
Shumë bukur.
Por le ta vazhdojmë tregimin deri në fund.
Rugova nuk e udhëhiqte Republikën e Kosovës në kushtet në të cilat e njohim sot.
Ai e udhëhiqte një Kosovë nën administrimin ndërkombëtar të UNMIK-ut, me status të pazgjidhur dhe me kompetenca të kufizuara, por pa shpatën e Listes Serbe mbi qafë.
Pra, njeriu që kishte më pak shtet në dispozicion, kishte mjaftueshëm sipërfaqe manovruese dhe mençuri politike për ta kuptuar se institucionet duhej të funksiononin.
Dhe pikërisht këtu qëndron ironia.
Sot kemi Republikën e Kosovës.
Kemi Kushtetutë.
Kemi institucione.
Kemi Kuvend.
Kemi zgjedhje.
Kemi mandate.
Kemi një shtet të njohur nga shumë vende dhe institucione shumë më të konsoliduara sesa në kohën e Rugovës.
Dhe pikërisht sot, disa prej atyre që na mbajnë ligjërata për Rugovën na shpjegojnë se me kundërshtarin politik nuk duhet të ulemi në tavolinë.
Kjo është vërtet një arritje e rrallë e filozofisë politike:
ta admirosh Rugovën për kompromisin dhe të refuzosh kompromisin në emër të Rugovës.
Nasradini ndoshta do të pyeste:
— Po çfarë lidhjeje ka Rugova me këtë?
Përgjigjja do të ishte:
— Fotografia.
Sepse fotografia është aty.
Parimi, ndërkohë, ka dalë të pijë kafe me Radoiçiqin.
Thua se Rugova, kur kishte forcë politike, nuk tha:
“AAK-ja është shumë më e vogël, prandaj le të presë në korridor.”
Ai, në thelb, tha:
“Jemi bashkë në Kosovë. Institucionet duhet t’i ndërtojmë bashkë.”
Dhe kur Ramush Haradinaj u largua nga posti për shkak të procesit në Hagë, Rugova nuk e keqpërdori ndryshimin e rrethanave si justifikim për ta prishur bashkëpunimin.
Koalicioni vazhdoi.
Bajram Kosumi.
Pastaj Agim Çeku.
Deri në fund të mandatit.
Kjo quhet vazhdimësi politike.
Sot, ndërkaq, kemi një opozitë që mund ta kundërshtojë Kurtin me çdo mjet demokratik.
Mund ta sfidojë në zgjedhje.
Mund ta kritikojë në Kuvend.
Mund të votojë kundër tij.
Mund të propozojë kandidatë të tjerë.
Mund të kërkojë marrëveshje.
Mund të kërkojë garanci.
Mund të vendosë kushte.
Por nëse refuzon të ulet në tavolinë dhe pastaj ankohet pse institucionet nuk po formohen, atëherë kemi hyrë në një territor të ri të logjikës politike:
“Unë nuk negocioj, prandaj ti je fajtor që nuk po arrijmë marrëveshje.”
Kjo është pak a shumë sikur të mos shkosh në dasmën tënde dhe pastaj ta akuzosh nusen pse nuk të dha pid*in.
Dhe këtu duhet ta bëjmë një dallim shumë të rëndësishëm:
Albin Kurti mund të jetë përgjegjës për çdo gabim që bën.
Por nuk mund të jetë automatikisht përgjegjës edhe për çdo vendim që merr opozita.
Nëse Kurti i fton në dialog dhe ata refuzojnë, refuzimi është i tyre.
Nëse Kurti propozon marrëveshje dhe ata nuk pranojnë të negociojnë, përgjegjësia për mungesën e negociatave është e tyre.
Nëse Kurti kërkon formimin e institucioneve dhe dikush vendos të mos marrë pjesë në proces, mungesa e pjesëmarrjes nuk mund të shndërrohet me ndonjë magji politike në faj të Kurtit.
Politika nuk është magji.
Megjithëse në Kosovë nganjëherë duket se kemi krijuar një shkollë të re të saj:
Shkollën e Përgjegjësisë së Tjetrit.
Parimi është shumë i thjeshtë:
Unë nuk bashkëpunoj.
Ti nuk mund t’i formosh institucionet.
Prandaj fajin e ke ti.
Kjo është aq e përsosur, sa mund të futet në ndonjë manual të ri të shkencave politike.
Dhe tani le ta kthejmë Rugovën në vendin ku duhet të jetë.
Jo në Facebook.
Jo në fotografi.
Jo në dekorimin e një statusi politik.
Por në parim.
Nëse Rugova ishte i madh sepse dinte të bashkëpunonte me kundërshtarët politikë, atëherë mos e keqpërdor emrin e tij për ta justifikuar bojkotin e opozitës.
Nëse Rugova ishte i madh sepse e vendoste Kosovën mbi partinë, atëherë mos e vendos partinë mbi funksionimin e institucioneve.
Nëse Rugova ishte i madh sepse dinte të bënte kompromise, atëherë mos e quaj kompromisin tradhti.
Dhe nëse Rugova, duke udhëhequr një Kosovë nën protektorat ndërkombëtar, e kuptonte se funksionimi i institucioneve kërkonte bashkëpunim, atëherë është pak e turpshme që sot, në një Republikë të pavarur, të na shpjegohet se dialogu me kundërshtarin politik qenka ndonjë lloj poshtërimi kombëtar.
Jo.
Dialogu nuk është dobësi.
Kompromisi nuk është tradhti.
Të ulesh në tavolinë me kundërshtarin politik nuk do të thotë se je bërë pjesë e partisë së tij.
Do të thotë vetëm se ke kuptuar një gjë elementare:
Kosova nuk është pronë e asnjë partie politike.
As e LVV-së.
As e PDK-së.
As e LDK-së.
As e AAK-së.
Dhe as e askujt që është fotografuar pranë bustit të Rugovës.
Prandaj, hipokrit i nderuar, nëse dëshiron ta mbrosh Rugovën, mos na trego vetëm se çfarë bëri ai.
Na trego se cilin prej parimeve të tij po e ndjek ti sot.
Sepse është shumë e lehtë të shkruash:
“Rroftë Rugova!”
Shumë më e vështirë është të sillesh si Rugova kur duhet të bësh kompromis me dikë që nuk e duron.
Aty fillon politika.
Aty fillon karakteri.
Aty ndahet Rugova i vërtetë nga Rugova i Facebook-ut.
Dhe ndoshta kjo është pyetja më e pakëndshme:
Nëse Rugova do të ishte sot në sallën e Kuvendit dhe do të shihte një klasë politike që refuzon të ulet me kundërshtarin për të formuar institucionet, kujt do t’i thoshte: “Bëni kompromis për Kosovën”?
Mos ma jepni përgjigjen me fotografi.
Ma jepni me vepra.
Sepse Rugova nuk ishte i madh pse kishte fotografi të bukura.
Ishte i madh sepse, kur Kosova kishte nevojë për shtet, ai dinte të sillej si burrë shteti.
Dhe pikërisht kjo është ajo pjesë e Rugovës që nuk mund të kopjohet me një status në Facebook.
Razumiješ li ti srpski samo onoliko koliko ti je potrebno da jebeš mater sopstvenoj državi, ili ga razumeš dovoljno dobro da bi shvatio i namere srpske države prema Kosovu?
Koliko malih krtica i velikih lisica svakodnevno hrani tvoj jebeni karakter lukavošću, licemerjem i podlošću?
(A e kupton ti serbishten vetëm aq sa të duhet për t’ia qirë nënën shtetit tënd, apo e kupton mjaftueshëm mirë për t’i kuptuar edhe qëllimet e shtetit serb ndaj Kosovës?
Sa urithë të vegjël dhe dhelpra të mëdha e ushqejnë çdo ditë karakterin tënd të qirë me dinakëri, hipokrizi dhe poshtërsi?)

“Ti je një perëndeshë” – Donna Dafi paralajmëron videoklipin e ri me mesazh të fuqishëm për vajzat dhe gratë

0

Manifesti i Islamit Politik, i maskuar si histori

0
Shkrimi i Indrit Vokshit nuk është analizë historike. Është propagandë e islamit politik, e ndërtuar mbi përzgjedhje të njëanshme faktesh, interpretime tendencioze dhe disa gabime elementare.
Traktati i Parisit i vitit 1856 nuk e “pranoi Islamin si europian”. Pranoi Perandorinë Osmane në Koncertin Europian të Fuqive për arsye të ekuilibrit strategjik, sidomos për të frenuar Rusinë. Të kthesh një marrëveshje gjeopolitike në “certifikatë europianizimi të Islamit” është manipulim.
Pastaj përdoret Skënderbeu me një citat të diskutueshëm e të paverifikuar si burim primar, ndërsa harrohet fakti themelor: Skënderbeu luftoi për dekada kundër zgjerimit osman dhe ishte pjesë e projektit europian të rezistencës ndaj tij.
Edhe pretendimi se shtetet italiane nuk ndërmorën luftëra kundër osmanëve për 400 vjet është thjesht i pavërtetë. Venediku zhvilloi luftëra të shumta me Perandorinë Osmane.
Dhe kur një “historian i internetit” ngatërron Kongresin e Vjenës 1814–1815 me ngjarjet e vitit 1833, pastaj na jep leksione për historinë politike të Europës, problemi bëhet edhe më i qartë.
Fakti që Franca, Britania apo fuqitë e tjera europiane herë luftuan me osmanët e herë bashkëpunuan me ta nuk dëshmon “europianizimin e Islamit”. Dëshmon realpolitikën dhe interesin shtetëror.
Por propaganda ka një qëllim të qartë: të ndërtojë ekuacionin absurd Islam = Europë = Perëndim, dhe prej aty të nxjerrë përfundimin se kush kundërshton islamin politik qenka kundër Europës.
Jo, zoti Vokshi.
Feja është e lirë. Islami është i lirë. Por Islami politik nuk është Europa dhe nuk është laiciteti.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për një identitet të importuar nga klerikë apo ideologë politikë. Kanë nevojë për shtet laik, qytetari europiane dhe liri të besimit pa pushtet fetar mbi shtetin.

Kishe e re në Zogaj të Vushtrrisë, si amanet i Gurëve të Arbërit

0

Luan – Asllan Dibrani, Durrës

AMANETI I GURËVE TË ARBËRIT

Poemë epike për ringjalljen e Kishës së lashtë në Zogaj të Vushtrrisë

KËNGA E PARË

Kur zgjohet guri

Mos thuaj se ky gur është i heshtur,
se guri i Arbërit ka gojë e kujtesë;
nën myshkun e shekujve ruan një emër,
nën plagët e kohës ruan një besë.

Ai i ka parë agimet ilire,
kur dielli përkëdhelte altarët e lashtë,
kur shqipja fluturonte mbi male të lira
dhe njeriu i kësaj toke e quante veten zot në vatër.

Ky gur ka dëgjuar psalme e këngë,
ka dëgjuar lutjen e nënës mbi djep,
ka parë luftëtarë të nisen pa kthim
dhe gra që i përcillnin me lot, por me kokën lart.

Në të janë gdhendur
emra që koha nuk mundi t’i shuajë,
gishta mjeshtërish,
djersë punëtorësh,
lutje priftërinjsh,
këngë trimash
dhe amanete të pathëna.

Prandaj sot,
kur mbi këtë tokë ngrihet përsëri një faltore,
nuk vendoset vetëm një gur mbi një gur.

Ngrihet një kujtesë.

Ngrihet një dëshmi.

Ngrihet një faqe e historisë
që të tjerët u përpoqën ta grisin,
por që gjaku ynë
e ruajti të shkruar në zemër.

Kjo kishë nuk ngrihet kundër askujt.

Ajo ngrihet kundër harresës.

Nuk ngrihet për të ndarë.

Ngrihet për të dëshmuar
se shqiptarët kanë rrënjë,
kanë qytetërim,
kanë histori
dhe kanë vendin e tyre
në sofrën e madhe të Evropës.

KËNGA E DYTË

Drita ilire

Para se hartat të vizatonin kufij,
para se mbretëritë të ndanin trojet,
këtu jetonte një popull
që i fliste detit, malit dhe diellit.

Iliria nuk ishte ëndërr.

Ishte tokë.

Ishte emër.

Ishte frymë.

Ishte jehona e një bote
që ngriti qytete,
fortesa,
faltore
dhe udhë që lidhnin brigjet me malet.

Në këto troje
krishterimi hodhi rrënjë të hershme,
u përhap si dritë mbi gurë
dhe u ndërthur me shpirtin e njerëzve.

Shqiptari nuk e priti qytetërimin
si lëmoshë nga të tjerët.

Ai ishte pjesë e tij.

Ai dha gjak,
mendje,
art,
besë
dhe qëndresë.

Nga këto brigje
dolën burra e gra
që i shërbyen Evropës,
që mbrojtën rrugët e saj,
që bartën kulturë,
që ndërtuan ura
mes Lindjes dhe Perëndimit.

Por historia shpesh
shkruhet nga duart e pushtuesve.

Ata marrin gurin,
i ndërrojnë emrin
dhe pastaj shpallin
se guri nuk ka pasur kurrë zot.

Ata marrin këngën,
ia ndryshojnë gjuhën
dhe pretendojnë
se melodia ka lindur në oborrin e tyre.

Por toka mban mend.

Guri mban mend.

Varri mban mend.

Dhe populli që nuk e humb kujtesën,
nuk humbet kurrë përfundimisht.

KËNGA E TRETË

Shekujt e pushtimit

Erdhën perandori
me flamuj të rëndë
dhe me ligje të huaja.

Erdhën me ushtri,
me taksa,
me zjarr
dhe me heshtje të detyruar.

Ndryshuan emra vendesh.

Shkatërruan dokumente.

Përvetësuan objekte kulti.

Mbuluan gjurmë të lashta
me shtresa sundimi.

Disa i quajtën tonat të vetat.

Disa i paraqitën kishat tona
si dëshmi të historive të huaja.

Disa i kthyen heronjtë tanë
në personazhe të tregimeve të tyre.

Disa kërkuan
që shqiptari të harronte
se kishte qenë këtu
para ardhjes së tyre.

Administrata osmane
e rëndoi gjatë jetën e popullit tonë,
e la gjuhën jashtë shkollës
dhe identitetin kombëtar
nën trysninë e perandorisë.

Shovinizmat sllave
u përpoqën të përvetësonin monumente,
të ndryshonin emra
dhe të vendosnin vula të huaja
mbi trashëgiminë e kësaj toke.

Rryma të caktuara greke
kërkuan t’i shkrinin shqiptarët
në histori të tjera,
duke mohuar gjuhën,
kishën
dhe veçantinë e tyre.

Por e vërteta nuk është pronë
e asnjë oborri mbretëror.

Ajo nuk mbahet mbyllur
në arkivat e pushtuesit.

Ajo del në dritë
si burimi që çan shkëmbin.

Sepse nuk mund ta vjedhësh
përjetësisht një kulturë.

Mund t’ia marrësh librin,
por jo kujtesën.

Mund t’ia rrëzosh faltoren,
por jo besimin.

Mund t’ia ndalosh gjuhën,
por jo këngën
që nëna ia pëshpërit fëmijës.

KËNGA E KATËRT

Shqiponja e Krujës

Pastaj erdhi një kohë
kur retë u mblodhën mbi Evropë.

Një perandori e madhe
ecte si stuhi
drejt zemrës së kontinentit.

Kështjellat binin.

Mbretërit dridheshin.

Ushtritë tërhiqeshin.

Por mbi malet e Arbërisë
u ngrit një burrë
që nuk e njihte gjunjëzimin.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Emër që tingëllon si shpatë.

Emër që ngrihet si flamur.

Emër që mbetet
mbi të gjitha kurorat e kohës.

Ai nuk kishte pas vetes
një perandori të pasur.

Kishte male.

Kishte burra.

Kishte besë.

Kishte një popull
që lirinë e çmonte
më shumë se jetën.

Në Torvioll,
në Krujë,
në Albulenë,
në fushat e Arbërisë,
ai shkroi me qëndresë
atë që diplomatët
nuk mund ta shkruanin me bojë.

Shpata e tij
nuk çante vetëm parzmore.

Ajo çante frikën.

Ajo çante errësirën.

Ajo i tregonte Evropës
se një popull i vogël në numër
mund të jetë i madh në shpirt.

Skënderbeu nuk mbrojti vetëm Krujën.

Ai mbrojti portat e Evropës.

Mbrojti qytetet
që nuk e kishin parë kurrë.

Mbrojti kambanat
që nuk i kishte dëgjuar.

Mbrojti një qytetërim
që shpesh e lavdëroi,
por jo gjithmonë
ia ktheu borxhin Arbërisë.

O Evropë,
kur flet për lirinë,
kujtoje edhe atë burrë
që për një çerek shekulli
e mbajti stuhinë larg pragut tënd.

Kujtoje popullin
që dha bijtë e vet
për një betejë
më të madhe se kufijtë e tij.

Sepse aty ku qëndroi Skënderbeu,
nuk qëndroi vetëm një princ.

Qëndroi Arbëria.

Qëndroi krishterimi shqiptar.

Qëndroi nderi i Evropës.

KËNGA E PESTË

Nëna e botës

Shekujt kaluan.

Shpatat heshtën.

Por nga i njëjti popull
u ngrit një tjetër madhështi.

Jo me përkrenare.

Jo me kalë lufte.

Jo me ushtri.

Por me një palë duar
që prekën plagët e njerëzimit.

Nëna Terezë.

E vogël në trup,
e pafund në shpirt.

Shqiptare në gjak,
nënë për botën.

Ajo hyri
aty ku të tjerët largoheshin.

U ul pranë të sëmurit.

Përqafoi të braktisurin.

I dha emër atij
që bota e kishte kthyer në numër.

Në sytë e saj
nuk kishte kufij.

Nuk kishte racë.

Nuk kishte pasuri.

Kishte vetëm njeriun
dhe dinjitetin e tij.

Skënderbeu
e mbrojti Evropën me shpatë.

Nëna Terezë
e pushtoi botën me mëshirë.

Ai ngriti mburojën
kundër ushtrive.

Ajo ngriti zemrën
kundër indiferencës.

Njëri u bë simbol i qëndresës.

Tjetra u bë simbol i dashurisë.

Të dy shqiptarë.

Të dy figura të rangut botëror.

Të dy dëshmi
se ky komb i vogël
ka ditur t’i japë njerëzimit
heronj të mëdhenj.

KËNGA E GJASHTË

Gjuha që nuk u vra

Na ndaluan alfabetin.

Na ndoqën mësuesit.

Na dogjën shkollat.

Na përçanë në krahina,
në fe,
në administrata
dhe në kufij të huaj.

Por nëna shqiptare
e ruajti gjuhën
si prush nën hi.

Në odë,
në kullë,
në mërgim,
në burg,
në këngë
dhe në vaj,
shqipja mbeti gjallë.

Ajo jetoi
në vargjet e rilindësve.

Në fjalën e Naimit.

Në kushtrimin e Fishtës.

Në urtësinë e Mjedës.

Në revoltën e Migjenit.

Në abetaret
që kalonin fshehurazi
nga një dorë në tjetrën.

Kombi ynë
nuk u ruajt vetëm me armë.

U ruajt me shkronjë.

U ruajt me këngë.

U ruajt me emrin e fëmijës.

U ruajt me flamurin
që pritej në heshtje
dhe hapej në ditën e lirisë.

Prandaj mos e nënçmoni gjuhën.

Ajo është kështjella
që nuk e pushtoi asnjë perandori.

Mos e nënçmoni librin.

Ai është ushtria
që mbron kombin
pa derdhur gjak.

Mos e harroni historinë.

Ajo është harta
që na tregon
se nga kemi ardhur
dhe ku nuk duhet të humbasim.

KËNGA E SHTATË

Kisha si kujtesë

Sot, mbi këtë tokë,
kur ngrihet kjo kishë,
le të mos shihet
vetëm si ndërtesë prej guri.

Ajo është një kthim.

Një dëshmi.

Një kujtesë e zgjuar.

Një urë
mes të parëve dhe brezave.

Në themelet e saj
nuk futet vetëm beton.

Futet historia.

Futet lutja.

Futet djersa e atyre
që nuk pranuan
të mbeten pa gjurmë.

Kjo kishë
nuk ia merr dritën askujt.

Drita nuk pakësohet
kur ndahet.

Ajo shtohet.

Respekti për një kishë
nuk e dobëson një xhami.

Respekti për një xhami
nuk e dobëson një kishë.

Por mohimi i historisë
e dobëson të gjithë shoqërinë.

Urrejtja
nuk ndërton as tempuj,
as kombe,
as të ardhme.

Prandaj le të ngrihet
me dinjitet.

Le të jetë shtëpi lutjeje,
por edhe monument kujtese.

Le t’u tregojë fëmijëve
se shqiptarët
kanë jetuar me besime të ndryshme,
por kanë pasur një atdhe,
një gjuhë,
një flamur
dhe një gjak.

Feja mund të jetë udha e shpirtit.

Kombi është shtëpia e përbashkët.

Dhe shtëpia nuk digjet
për shkak të dhomave të saj.

Ajo ruhet.

Ajo forcohet.

Ajo u lihet brezave.

KËNGA E TETË

Thirrja e brezave

O shqiptar,
mos ec mbi historinë tënde
si mbi një rrugë pa emër.

Nën çdo hap
mund të ketë një varr.

Një altar.

Një shkollë të djegur.

Një luftëtar të harruar.

Një nënë
që priti djalin gjithë jetën.

Mos ia fal harresës
atë që të parët
e paguan me gjak.

Mos lejo
që të tjerët të të tregojnë
kush ke qenë.

Lexo.

Kërko.

Ruaj.

Dëshmo.

Mos urre askënd,
por mos moho veten.

Mos merr historinë e tjetrit,
por mos lejo
të ta marrin tënden.

Mos e përdor fenë
si thikë kundër vëllait.

Mos e përdor kombin
si maskë për urrejtjen.

Ji shqiptar
me dije,
me kulturë,
me drejtësi
dhe me dinjitet.

Sepse kombi nuk mbrohet
vetëm me britma.

Mbrohet me shkollë.

Me punë.

Me art.

Me kujtesë.

Me ligj.

Me guxim për ta thënë të vërtetën
edhe kur ajo nuk pëlqehet.

KËNGA E NËNTË

Betimi para gurit

Sot vendos dorën
mbi këtë gur
dhe betohu:

Se nuk do ta shesësh historinë
për një interes të vogël.

Se nuk do ta mohosh gjuhën
për një duartrokitje të huaj.

Se nuk do ta ndash kombin
për shkak të fesë.

Se do ta ruash kishën,
xhaminë,
teqenë
dhe çdo vend lutjeje
si pjesë të jetës së njerëzve,
por mbi të gjitha
do ta ruash shqiptarin.

Betohu
se Skënderbeun
nuk do ta kujtosh vetëm në përvjetor.

Do ta kujtosh
sa herë që liria rrezikohet.

Betohu
se Nënën Terezë
nuk do ta përmendësh vetëm si emër.

Do ta kujtosh
sa herë që një njeri
mbetet i vetëm.

Betohu
se flamurin
nuk do ta mbash vetëm në dorë.

Do ta mbash në sjellje,
në ndershmëri,
në punë
dhe në dashurinë për vendin.

Sepse shqiponja
nuk është vetëm figurë mbi pëlhurë.

Ajo është përgjegjësi.

Dy kokat e saj
shikojnë larg,
por zemrën e kanë një.

Ashtu duhet të jetë edhe kombi.

Me shumë krahina.

Me shumë besime.

Me shumë histori familjare.

Por me një zemër shqiptare.

KËNGA E FUNDIT

Kur kambanat të bien

Dhe kur kambanat
të bien mbi këtë tokë,
le të dëgjohet më shumë
se tingulli i bronzit.

Le të dëgjohet zëri i Ilirisë.

Le të dëgjohet besa e Arbërit.

Le të dëgjohet kushtrimi i Krujës.

Le të dëgjohet lutja e Nënës Terezë.

Le të dëgjohet kënga e mërgimtarit
që e mbajti atdheun në zemër.

Le të dëgjohet zëri
i të burgosurit politik
që nuk e shiti bindjen.

Le të dëgjohet zëri
i artistit që ruan kujtesën
me penë,
me daltë,
me ngjyrë
dhe me fjalë.

Le të dëgjojë Evropa
se shqiptarët nuk kërkojnë
lavdi të huaj.

Kërkojnë njohjen
e së vërtetës së tyre.

Le të dëgjojë bota
se ne nuk jemi popull
që lindi nga pushtimet.

Ne jemi popull
që u mbijetoi pushtimeve.

Ne nuk jemi hije
në historinë e të tjerëve.

Ne kemi historinë tonë.

Kemi gjuhën tonë.

Kemi heronjtë tanë.

Kemi shenjtorët tanë.

Kemi plagët tona.

Kemi të drejtën
t’i kujtojmë pa frikë.

Dhe sa të ketë
një gur që flet shqip,

sa të ketë
një nënë që i këndon fëmijës në shqip,

sa të ketë
një flamur që valon mbi trojet tona,

sa të ketë
një zemër që rreh për Arbërinë,

nuk do të vdesë
emri shqiptar.

Do të jetojë
në male.

Në dete.

Në kisha.

Në kulla.

Në këngë.

Në libra.

Në kujtesën e Evropës
dhe në ndërgjegjen e botës.

Sepse perandoritë bien.

Fronet thyhen.

Hartat ndryshojnë.

Por populli
që ruan kujtesën,
besën
dhe gjuhën,
mbetet i pavdekshëm.

Ngrihu, o kishë,
mbi themelet e kujtesës!

Ngrihu si dritë,
jo si ndarje!

Ngrihu si dëshmi,
jo si hakmarrje!

Ngrihu si amanet
për fëmijët që do të vijnë!

Dhe thuaju:

Këtu jetoi një popull
që nuk u përkul.

Këtu luftoi Skënderbeu.

Këtu lindi shpirti
që i dha botës Nënën Terezë.

Këtu guri,
gjaku
dhe gjuha
kanë një emër:

SHQIPTAR!

Lavdi Ilirisë së lashtë!
Lavdi Arbërisë së pamposhtur!
Lavdi Skënderbeut, mburojës së Evropës!
Lavdi Nënës Terezë, zemrës së njerëzimit!
Lavdi kombit shqiptar dhe kujtesës së tij të pavdekshme!

Autor: Asllan Dibrani – Luani
Poet, publicist, piktor, skulptor, gazetar, ish i burgosur politik, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe veprimtar shumëvjeçar për çështjen kombëtare shqiptare.

“Historia nuk vdes për sa kohë jeton kujtesa e një kombi.”

Monolog i Hasan Ramadanit, poezi elegjiake nga Arif Ejupi

1

MONOLOG I HASAN RAMADANIT

Poezi

(Kushtuar dëshmorit të kombit Hasan Ramadani, vrarë më 7 gusht 1994, në Shajkoc të Podujevës, nga forca të shumta policore dhe ushtarake të Serbisë)

Kur pa se shtëpia,
nga të gjitha anët,
i ishte rrethuar
nga vrasës,
piromanë e narkomanë
të Serbisë,
Hasan Ramadani – Maçastena
vetvetes i tha:

“Mos u frikëso,
as mos u ligështo,
por lufto
dhe qëndro!

Se nuk ke ku të shkosh;
kjo farë e fëlliqur
të përzuri
edhe nga Maçastena
e Shqipërisë së vjetër,
e nuk ke
atdhe tjetër.”

Syrit i tha:

“Mirë shënjestro!”

Dorës i tha:

“Mos u dridh,
por godit
si të godiste topi,
nëse në deje
ke gjak Kastrioti!”

Dragoi
iu përmbajt premtimit.

Luftoi
me orë të tëra,
i ndihmuar nga e bija,
Fidajetja,
si dikur
Demë Ahmeti
nga Ajetja.

Në orët e mëngjesit
u dha lajmi
se u vra
Hasan Ramadani,
që nuk pranoi
nënshtrim,
as pranga.

Sa herë vjen
shtatë gushti,
përveç njerëzve,
edhe zogjtë e malit
e kujtojnë
këtë burrë trim,
që i mbeti besnik
amanetit të heroit
Ali Ajeti.

Hasan Ramadani
ra në altarin e lirisë,
duke mbrojtur
fortifikatën e tij
në Albanik
nga korbat e pafe
dhe të paatdhe
të Serbisë.

Kështu,
babë e bijë,
me armë në duar,
hynë në histori,
duke i lënë
Llapit dhe Kosovës,
si trashëgimi,
nder,
shkëlqim
e krenari!

Arif Ejupi, Gjenevë, 7 gusht 1996

Kërkah su bie tamam partive tona politik!

2

Gani I. mehmeti

Disi, ose ne nuk po i kuptojmë, ose vetë partitë tona janë krijuar për ta zhvatur Republikën e Kosovës. Hera e katërt që duan ta çojnë Kosovën në zgjedhje për asgjë, për kryeneçësi të tyre.

Janë çështje që, Kushtetuta e Kosovës nuk i ka paraparë gjithë këto eskivazhe të partive dhe të kryetarëve të tyre për formimin e institucioneve të Kosovës, ndërsa, pas zgjedhjeve të rregullta të shkurtit 2025, Kosova shkoi edhe dy herë të tjera në zgjedhje, më 28 dhjetor 2025 dhe më 7 qershor 2026. Të gjitha kanë mundur të kryhen me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sikur të mos luftonte secila parti për vete për të qenë në pushtet.

Dy herë partitë opozitare akuzuan se nuk kishte kërkesë për diskutime rreth qeverisë herën e parë dhe u shkua në zgjedhjet e 28 dhjetorit po të atij viti.

Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, u tha se nulk kishte diskutim për kryetarin e Kosovës. Tani kur kërkohen diskutime, partitë opoziotare e quajnë grushtshtet, pse kërkohet dakordim për zgjedhjen e kryetarët.

Secili përpiqet ta bëjë fajtorë njëri-tjetrin, por të gjithë janë fajtorë, të gjitha partitë, të gjithë kryetarët partiakë dhe të gjithë deputetët, janë fajtorë për gjendjen e sjellur deri këtu në të gjitha proceset e periudhat e kësaj kohe dhe për të gjitha zgjedhjet e panevojshme.

Të gjithë janë treguar të papërgjegjshëm dhe kundër formimit të institucioneve shtetërore.

Këta janë treguar më të ulët se edhe çdo qytetar tjetër.

Kur ne po kërkonim liri, barazi, demokraci, kur po kërkonim të çlirohemi prej çizmes serbe, nuk mbeti gjak pa u falur po për hir të Kosovës, të gjitha gjaqet janë falur për hir të Kosovës, për hir të popullit e rinisë, për hir të luftës kundër Serbisë, ndërsa sot, kur ne pretondojmë se kemi fituar lirinë, secili përpiqet të tregohet më i “mençur” se tjetri, gjithmonë në dëm të shtetit të Kosovës. Këta nuk do të kishin mundur të mendojnë e të veprojnë më keq se që vepruan tani kundër Kosovës.

Thirren në Luftën Çlirimtare të Kosovës, mbajnë në majë të gjuhës UÇK-në, por jo edhe në mendje. Ata që vërtet kujtojnë UÇK-në, nuk veprojnë në kundërshtim me shtetin. Ata janë për formimin e institucioneve, ata nuk harrojnë dëshmorët, heronjtë, të palgosurit, përndjekjet shqipatre nga serbët, torturat, të pagjeturit, gjenocidin.

Të gjtiha këto janë hedhur poshtë, deri sa mendojnë vetëm për poste e për pushtet dhe jo për shtet.

Po ju them se, kjo tingëllon sikur po punoni në favor të Serbisë dhe të Vuçiqit, i cili ende nuk është duke hequr dorë nga Kosova, për çka nuk e njef pavarësinë e saj. Jo, ata po ecin përpara me zhvillim e me armatim, e ne shtyhemi mesvetes, turp!

Krejt partitë kanë bërë grushtshtet. Të gjithë krekosen, sikur bota sillet rreth tyre, e nuk e dinë se deri sa nuk formojnë institucionet e shtetit, ata janë kërkushat. Faji është edhe tek subvencionet e deputetëve që ua ka dhënë kushtetuta. Sikur të mos paguheshin një vit pas skadimit të deputetit, ata do të vepronin më ndryshe, për të mos shkuar çdo gjashtë muaj në zgjedhje. Do t’i ruanin pagat e tyre të majme për katër vite.

Ka edhe shumë çrregullime të tjera, të cilat kanë mundësuar ardhjen deri këtu të gjendjes jostabile të Kosovës.

Dhe, disi, sot kur LVV kërkon diskutime e koordinim për zgjedhjen e kryetarit të Kosovës, ata i ikun! Edhe tani nuk po u bie tamam partive opoziztare, mbasi vet Kurti tha se unë kam mbajtur shënim, që, më parë se të bëhet marrëveshja për kryetarin, nuk do konstituohet as kuvendi e as qeveria. Por, edhe kjo tani nuk po u bie përshtati opozitarëve.

Nuk kanë thënë kot, qysh do të shkosh – je i sharë. ( e popullit)

Ky është mjerimi më i madh i të gjithë atyre që po i kontribuojnë kësaj. Dhe kërkah nuk po u boie tamam për partitë tona politike.

Kur përgjegjësia del nga shinat e trenit

0
Lekë Mrijaj, Klinë
____
Që nga përfundimi i luftës, Kosova ka përjetuar një numër shqetësues aksidentesh hekurudhore, shumë prej tyre me pasoja tragjike dhe materiale. Paradoksi është i rëndë: një vend i vogël, me pak trena dhe me një rrjet të kufizuar hekurudhor, vazhdon të numërojë viktima, ndërsa kambana e alarmit bie zakonisht vetëm pasi e keqja ka ndodhur.
Edhe sot, më 6 gusht 2026, u raportua një aksident i ri në Fushë-Kosovë, ku një tren u përplas me një veturë. Ngjarja e sotme nuk është vetëm një lajm tjetër i kronikës së zezë, por një paralajmërim i përsëritur se siguria në vendkalimet hekurudhore vazhdon të jetë një çështje që kërkon ndërhyrje të menjëhershme institucionale.
Në një shtet funksional, hekurudha duhet të jetë shenjë zhvillimi, lidhjeje dhe sigurie. Në Kosovë, ajo është shndërruar shumë herë në një vijë rreziku që kalon përmes qyteteve, fshatrave, fushave dhe zonave malore, aty ku rrugët kryqëzohen me binarët dhe ku qytetari shpesh mbetet i vetëm përballë rrezikut.
Përgjegjësia institucionale nuk përfundon me nisjen e lokomotivës dhe as me mbërritjen e saj në destinacion. Ajo shtrihet përgjatë çdo metri të hekurudhës dhe në çdo vendkalim ku qarkullojnë këmbësorë, automjete, nxënës, bujq dhe familje të tëra.
Trainkos Sh.A., si operator i transportit hekurudhor, Infrakos Sh.A., si administrues i infrastrukturës hekurudhore, institucionet shtetërore dhe komunat përkatëse nuk mund ta shohin sigurinë vetëm si çështje të përgjegjësisë individuale të qytetarëve. Aty ku mungojnë rampat, sinjalizimi, ndriçimi dhe mbikëqyrja, rreziku nuk mund të quhet thjesht rastësi.
Kur një pikë e rrezikshme njihet prej vitesh, kur banorët paralajmërojnë dhe kur aksidentet përsëriten, atëherë nuk kemi të bëjmë më vetëm me fatkeqësi. Kemi të bëjmë me dështim institucional.
Populli ynë thotë: “Mos e lër pusin të hapur pa kapak, sepse mund të vijë e keqja”. Mirëpo, pikërisht kështu po veprohet shpesh: vendkalimet lihen pa mbrojtje, sinjalet mungojnë ose nuk funksionojnë, ndërsa masat kërkohen vetëm pasi një jetë shuhet. Më pas vijnë deklaratat, ngushëllimet dhe premtimet, kurse përgjegjësia shpërndahet ndërmjet institucioneve derisa të mos i mbetet askujt.
Jeta e qytetarit nuk mund të humbasë në labirintin e kompetencave. Familjes së viktimës nuk i intereson se kujt i takonte vendosja e rampës, kush duhej ta mirëmbante sinjalizimin apo cili institucion duhej ta kontrollonte vendkalimin. Ajo mbetet me një karrige të zbrazët në sofrën familjare dhe me një dhimbje që nuk mbyllet me asnjë raport zyrtar.
Kosova ka pak trena, por tepër shumë dhimbje të lidhura me ta. Në kuptimin më të hidhur të ironisë, ky realitet mund të quhej një “rekord” për Librin e Guinness-it. Mirëpo, pas këtij rekordi nuk ka medalje, duartrokitje apo krenari. Ka jetë të humbura, njerëz të plagosur, familje në zi dhe institucione që vazhdojnë ta shtyjnë përgjegjësinë nga njëra zyrë në tjetrën.
Vetëm gjatë muajve të fundit janë raportuar disa përplasje ndërmjet trenave dhe automjeteve në pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshirë Klinën, Drenasin, Grabovcin dhe Fushë-Kosovën. Ky varg aksidentesh tregon se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, por për një problem të vazhdueshëm sigurie që kërkon trajtim të koordinuar dhe urgjent.
Çdo aksident fatal është më shumë se një lajm në kronikën e zezë. Është dëshmi se diku ka munguar parandalimi, kujdesi ose veprimi në kohë. Është një pyetje e rëndë drejtuar shtetit: Sa jetë duhet të humbasin që një rampë të vendoset, një sinjal të riparohet dhe një vendkalim të bëhet i sigurt?
Infrakos Sh.A., Trainkos Sh.A., ministritë përgjegjëse dhe komunat përkatëse duhet ta bëjnë publike gjendjen e të gjitha vendkalimeve hekurudhore në Kosovë. Duhet të hartohet një regjistër i plotë i tyre, të përcaktohen pikat me rrezikshmërinë më të lartë dhe të publikohet një plan konkret ndërhyrjeje.
Në çdo vendkalim të frekuentuar duhet të vendosen rampat, sinjalizimi zanor dhe ndriçues, shenjat paralajmëruese dhe, aty ku është e nevojshme, mbikëqyrja fizike ose elektronike. Duhet gjithashtu të caktohet qartë se cili institucion është përgjegjës për instalimin, mirëmbajtjen, kontrollin dhe funksionimin e secilit mekanizëm sigurie.
Nuk mjafton që qytetarëve t’u kërkohet vetëm të kenë kujdes. Kujdesi individual është i domosdoshëm, por nuk mund të përdoret si arsyetim për mungesën e masave institucionale. Qytetari duhet t’i respektojë rregullat, ndërsa shteti duhet t’i krijojë kushtet që ato të mund të respektohen.
Siguria kërkon përgjegjësi të dyanshme, por përgjegjësia më e madhe u përket atyre që kanë mandatin, buxhetin dhe kompetencën për ta parandaluar rrezikun.
Një rampë e vendosur në kohë kushton më pak se një ceremoni mortore. Një sinjal i mirëmbajtur vlen më shumë se dhjetëra deklarata ngushëllimi. Një vendim i marrë sot mund ta shpëtojë një familje nga zia e nesërme.
Aksidenti i sotëm në Fushë-Kosovë duhet të shërbejë si alarmi i fundit, jo si hyrje në tragjedinë e radhës. Nuk guxojmë të presim që një tjetër veturë të mbetet mbi binarë, që një tjetër familje të marrë lajmin e zi dhe që institucionet të dalin përsëri me deklarata të njëjta.
Prandaj, duhet ti çelim sytë përpara se të ndodhë tragjedia e radhës. Sepse, kur treni ecën mbi shina, ndërsa përgjegjësia del prej tyre, nuk dështon vetëm sistemi hekurudhor: dështon shteti në detyrën e tij më themelore-mbrojtjen e jetës së qytetarit.
Më 6 gusht 202

Nga Apple IIc te Inteligjenca Artificiale

0
Agim Vuniqi, Vashington
___
Në këtë kompjuter, një Apple IIc, u hodhën themelet e asaj që sot e njohim si revolucioni i inteligjencës artificiale. Në vitet ’80, ai përfaqësonte ëndrrën e kompjuterit personal, duke i afruar për herë të parë njerëzit me programimin, algoritmet dhe mendimin digjital. Pikërisht mbi këto themele u ndërtuan dekada inovacioni që sot kanë kulmuar me epokën e AI.
Në fotografi është Agon Vuniqi, software engineer në Bloomberg Industry Group, duke “biseduar” simbolikisht me një nga ikonat e historisë së informatikës në konferencën Ai4 2026 në Las Vegas. Është një takim mes dy epokave: teknologjisë që hapi derën e revolucionit kompjuterik dhe inteligjencës artificiale që po riformëson ekonominë, shkencën dhe mënyrën se si jetojmë e punojmë.
Nganjëherë, për të kuptuar se ku po shkojmë, duhet të kujtojmë se nga kemi ardhur. Nga një kompjuter me pak kilobajt memorie e procesor modest, deri te modelet gjigante të AI që analizojnë miliarda të dhëna në sekonda, historia e teknologjisë është dëshmi se përparimi ndërtohet hap pas hapi.
Kjo fotografi nuk është thjesht një kujtim nga një konferencë. Është një urë mes së kaluarës dhe së ardhmes – një kujtesë se çdo revolucion teknologjik nis me një ide, një makinë të thjeshtë dhe njerëz që besojnë se e pamundura mund të bëhet realitet.

Lirim Gashi, thotë: “Shteti paralel serb ka vdekur në veri të Kosovës”, une, Halil Geci, them se “bashkë me të edhe politika e bllokadës…”

0
___
Lirim Gashi, thotë: “Shteti paralel serb ka vdekur në veri të Kosovës”, une, Halil Geci, them se “bashkë me të po shuhet edhe politika e tregtarëve të bllokadës së Atdheut”
Duke iu referuar analizës së Lirim Gashit, edhe RTV shtetëror të serbisë, që vepron nën ndikimin politik të presidentit Aleksandar Vuçiq ,nuk po mund ta fshehë më realitetin në veri të Kosovës.
Sipas LIRIMIT strukturat paralele serbe janë shpërbërë.
— Institucionet dhe administrata ilegale janë mbyllur,
— Rrjetet e kontrabandës, trafikut të qenieve njerëzore dhe plantacionet e drogës janë goditur.
Armët dhe pajisjet e veprimtarive kriminale janë konfiskuar.
— Objektet e paligjshme janë rrënuar ose sekuestruar, ndërsa persona të dyshuar për veprimtari kriminale dhe bashkëpunim me shërbimet sekrete serbe janë arrestuar.
—Sipas tij, në veri po zbatohet gjithnjë e më shumë ligji i Republikës së Kosovës dhe, bashkë me rënien e strukturave paralele serbe, po shembet edhe rrjeti i atyre shçiptarellave që për vite me radhë përfituan politikisht dhe ekonomikisht nga bllokimi i shtetit.
Screenshot
Nëse shteti paralel serb në veri po merr fund, atëherë po merr fund edhe politika OPOZITARE që për vite me radhë e përdorën veriun si mjet për pazare politike, bllokada institucionale dhe përfitime personale.
Kur shtrihet ligji dhe forcohet autoriteti i shtetit, zbehen edhe interesat e atyre që mbijetuan nga kaosi, kontrabanda dhe krizat e qëllimshme.
Sa më i fortë të jetë shteti i Kosovës në çdo pjesë të territorit të tij, aq më pak hapësirë mbetet për struktura paralele dhe për politikën e atyre që ushqehen nga bllokimi i institucioneve dhe dobësimi i shtetit.
Bllokada e opozitës, sipas bindjes sime, vetëm sa e ka forcuar mbështetjen qytetare për koalicionin Kurti – Gërvalla – Alternativa – PSHDK.
Kudo që ndalem e bisedoj me qytetarë, shumë prej tyre më thonë: “Po presim me padurim ditën e zgjedhjeve. Thuaji Albin Kurtit të mos shqetësohet e të mos humbasë kohë duke u lutur opozitës. Përgjigjen do ta japim ne me votë.”
Shumë prej tyre shprehen se bllokada politike i ka zhgënjyer dhe i ka hidhëruar thellë. Sipas tyre, ata që kanë penguar funksionimin normal të institucioneve do ta marrin përgjigjen në kutinë e votimit.
Qytetarët me të cilët po bisedoj shprehen se janë thellësisht të hidhëruar me bllokadën politike. Shumë prej tyre thonë: “Nëse 51% nuk po i mjafton opozitës për ta respektuar vullnetin e qytetarëve, atëherë na priftë e mbara drejt 81%!”

Gazetari i “Mullarit”: Kush i thotë Albin Kurtit “Turpërohu”?

0
Baton Haxhiu paska dalë përsëri në skenë dhe i paska thënë Albin Kurtit: “Duhet të turpërohesh!”
Po kush po ia thotë këtë Kurtit?
Baton Haxhiu!
Pikërisht ai Baton Haxhiu që prej vitesh sillet në skenën publike mbarëshqiptare si gjykatës, analist, këshilltar, ndërmjetësues dhe, mbi të gjitha, si njeri që pretendon se ka përgjigje për çdo gjë. Por, para se t’i thuash dikujt “turpërohu”, duhet të kesh guximin të shikosh njëherë në pasqyrë.
Kush është Baton Haxhiu që të japë leksione për turpin?
Baton Haxhiu ka të drejtë ta kritikojë Albin Kurtin. Ka të drejtë ta kritikojë çdo politikan dhe çdo pushtet. Kjo është pjesë e lirisë së shprehjes.
Por populli ka po aq të drejtë ta pyesë:
Me çfarë autoriteti moral del Baton Haxhiu në rolin e gjykatësit të Kosovës?
Ky është problemi.
Sepse Baton Haxhiu nuk është më vetëm gazetari që bën pyetje. Prej vitesh ai është shndërruar në një personazh që përpiqet të ndikojë në politikë, të përcaktojë se kush ka të drejtë e kush jo dhe të japë verdikte për njerëzit që mbajnë poste politike.
Gazetari mund të jetë kritik. Por gazetari nuk është gjykatë.
Nga “Kazani” te “Mullari”
Baton Haxhiu ka folur shumë për “gazetarët e kazanit”. Por, nëse ai nuk është i “kazanit”, atëherë pyetja ime është:
I kujt është gazetari Baton Haxhiu?
Unë do ta quaja gazetari i “mullarit”.
Për rreth tri dekada pune në televizion dhe pas vizitave në shumë televizione, nuk më ka ndodhur të shoh një skenografi të tillë. Ajo ishte ndërtuar, me urdhër të Batonit, në TV Klan Kosova: një skenografi që i përngjante një mullari, në majë të të cilit ngjitej Batoni bashkë me mysafirin.
Më falni, por simbolika është e jashtëzakonshme.
Nga maja e mullarit, të gjithë poshtë duken të vegjël.
Dhe pikërisht aty duket se dëshiron të qëndrojë Batoni: mbi të tjerët, mbi politikanët, mbi kolegët, mbi opinionin publik.
Por Kosova nuk ka nevojë për gazetarë që qëndrojnë mbi popullin.
Ka nevojë për gazetarë që qëndrojnë përballë pushtetit.
Baton Haxhiu dhe Albin Kurti
Haxhiu e ka sulmuar Kurtin shumë herë dhe me një gjuhë që ndot debatin publik. Në shkrimet e tij ai i ka kërkuar vazhdimisht dorëheqjen. Madje, në disa raste, ka shkuar aq larg sa të kërkojë eliminimin e tij nga skena politike me çdo kusht, duke bërë krahasime historike e politike shumë të rënda.
Pra, nuk është problem që Batoni e kritikon Kurtin.
Problemi është tjetër:
A mendon Haxhiu se Kosova duhet t’i besojë atij si arbitër moral të politikës?
Këtë nuk e vendos Batoni.
E vendos populli.
Dhe në një shoqëri demokratike, edhe ai që kritikon pushtetin duhet të pranojë të kritikohet.
“Turpërohu” – fjalë që kthehet mbrapsht
Kur një politikan i thotë tjetrit “Turpërohu”, mund të jetë pjesë e luftës politike.
Por kur një gazetar ia thotë këtë një kryeministri, pyetja bëhet më interesante:
A po flet mullari, gazetari apo politikani?
Sepse, nëse Baton Haxhiu dëshiron të jetë politikan, le të hyjë në politikë. Nëse dëshiron të jetë gazetar, le të bëjë gazetari. Nëse dëshiron të jetë analist, le të analizojë.
Por të gjitha këto role njëkohësisht krijojnë një problem të madh: publiku nuk e di më nga cili pozicion po flet.
Dhe një pyetje për fund
Ti, Baton, ke të drejtë ta pyesësh Albin Kurtin:
“Pse nuk turpërohesh?”
Por unë do ta kthej pyetjen:
Baton, para se t’u kërkosh të tjerëve të turpërohen, a ke bërë ndonjëherë një bilanc të rolit tënd në gazetarinë dhe politikën kosovare e mbarëshqiptare?
Sepse në Kosovë askush nuk është mbi kritikën.
As kryeministri.
As presidenti.
As gazetari.
Dhe ndoshta kjo është e vetmja gjë që duhet t’i kujtohet gazetarit të “mullarit”:
Nga maja e mullarit mund të shohësh larg, por kjo nuk do të thotë se e zotëron horizontin.