Kreu Blog Faqe 65

18 Gushti në Zogaj të Vushtrrisë, një gurthemel për kishën, një ditë e madhe për kujtesën, besimin dhe identitetin shqiptar

0

Luan Dibrani, Durrës

THIRRJE KOMBËTARE PËR CEREMONINË E BEKIMIT TË GURTHEMELIT

“Një popull që njeh rrënjët e veta nuk ka pse të frikësohet nga e vërteta; ai ecën drejt së ardhmes me besim, dinjitet dhe kokën lart.”

Të dashur bashkatdhetarë, motra dhe vëllezër shqiptarë kudo që jetoni!

Këshilli Organizativ ju drejton një thirrje të hapur dhe vëllazërore: më 18 gusht 2026, ejani në fshatin Zogaj (Zagorë), Komuna e Vushtrrisë, për të marrë pjesë në ceremoninë solemne të bekimit të gurthemelit të Kishës së re Katolike Shqiptare.

Ceremonia fillon në orën 11:00.

Ky nuk është vetëm gurthemeli i një objekti fetar. Ky është një gur kujtese, besimi dhe shprese — një dëshmi e gjallë e lidhjes sonë me rrënjët e lashta të krishterimit në Dardani dhe me trashëgiminë shpirtërore të të parëve tanë.

Ejani pa frikë, me krenari dhe me kokën lart!

Nuk kemi arsye të heshtim dhe as të turpërohemi nga historia, prejardhja dhe trashëgimia jonë. Ne kemi të drejtë ta njohim të kaluarën tonë, ta nderojmë atë dhe t’ua përcjellim brezave të ardhshëm.

PROGRAMI I CEREMONISË

  • Bekimi solemn i gurthemelit të Kishës së re Katolike Shqiptare;
  • Pagëzimi i rreth 200 personave, të cilët, me vullnetin dhe bindjen e tyre të lirë, kanë zgjedhur të përqafojnë besimin katolik;
  • Informimi dhe paraqitja e kërkesave për ndryshimin e emrave në emra shqiptarë, ilirë, dardanë dhe arbërorë;
  • Program i pasur kulturor;
  • Muzikë dhe valle shqiptare;
  • Takime vëllazërore ndërmjet bashkatdhetarëve nga trojet shqiptare dhe diaspora.

Në këtë ngjarje historike pritet pjesëmarrja e rreth 3.000 qytetarëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe vende të ndryshme të diasporës shqiptare.

Të gjithë personat që dëshirojnë të pagëzohen ose të ndryshojnë emrin e tyre janë të mirëpritur të paraqiten pranë organizatorëve dhe të marrin informacionet e nevojshme.

Pagëzimi bëhet me vullnet të plotë dhe bindje personale. Ndryshimi zyrtar i emrit është procedurë civile dhe ligjore, e ndarë nga ceremonia fetare, dhe kryhet pranë institucioneve kompetente. Organizatorët do t’u ofrojnë personave të interesuar informacionet dhe udhëzimet e nevojshme.

Kjo nismë nuk drejtohet kundër asnjë feje dhe kundër asnjë qytetari. Ajo i kushtohet lirisë së besimit, rikthimit te rrënjët tona historike dhe ruajtjes së trashëgimisë së lashtë të krishterë në Dardani — trashëgimisë së të parëve tanë dhe të epokës së Gjergj Kastriotit–Skënderbeut.

Ndërtimi i një kishe nuk e cenon xhaminë, sikurse ekzistenca e një xhamie nuk e cenon kishën. Përkundrazi, liria e besimit, toleranca ndërfetare dhe respekti i ndërsjellë e bëjnë Kosovën më të bashkuar, më demokratike dhe më të denjë për familjen evropiane.

Ne nuk mblidhemi për të përçarë, por për të dëshmuar se shqiptarët janë të lirë ta njohin historinë e tyre, ta ruajnë trashëgiminë dhe ta zgjedhin vetë rrugën e tyre shpirtërore.

18 gusht, Zogaj do të bëhet vendtakim i kujtesës, besimit, kulturës dhe krenarisë shqiptare.

Ejani me familjet, miqtë dhe bashkatdhetarët tuaj!

Ejani nga Kosova, nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora! Le ta bëjmë këtë ditë një festë madhështore, paqësore dhe të paharrueshme!

Mos qëndroni vetëm spektatorë — bëhuni pjesë e kësaj dite historike!

Shpërndajeni këtë thirrje në çdo familje shqiptare dhe te bashkatdhetarët tanë në mbarë botën!

Vendi: Fshati Zogaj (Zagorë), Komuna e Vushtrrisë
Data: 18 gusht 2026
Ora: 11:00

KONTAKTI

E-mail: musemusa07@gmail.com
Telefon: +383 44 830 941
WhatsApp dhe Viber

Nga Këshilli Organizativ

Sak Muji dhe Hydajet Hyseni, të burgosur politik të vitit 1981, ftojnë në inaugurimin e ekspozitës artistike ndërkombëtare: “Arti që mbijetoi burgun politik (1981–1990)”

0

Pa struktura në terren, Serbia kërkon sy elektronikë në veri !

0
Sa herë që Serbia humb kapacitetin për të operuar përmes strukturave të saj në terren, ajo zhvendos aktivitetin drejt metodave të luftës hibride. Kjo nuk është një taktikë e re, por një evolucion i mënyrës së mbledhjes së inteligjencës. Në vend të rrjeteve klasike të vëzhgimit, përdoren mjete teknologjike që krijojnë një prani të vazhdueshme informative. Pikërisht në këtë kontekst duhet parë çdo rrjet i kamerave të vendosura në mënyrë të paligjshme në veri të Kosovës.
Nëse këto kamera funksionojnë me SIM kartela aktive dhe internet të paguar për të garantuar transmetim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, atëherë nuk kemi të bëjmë me pajisje të zakonshme të regjistrimit. Kemi të bëjmë me një infrastrukturë të aftë për të mbledhur inteligjencë në kohë reale, duke monitoruar vazhdimisht hapësirën ku veprojnë institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë.
Objektivi nuk është vetëm të shihet se çfarë ndodh në rrugë. Objektivi është të ndërtohet një pasqyrë e plotë operative mbi lëvizjet e Policisë së Kosovës, reagimet taktike, oraret e patrullimit, pikat e kontrollit, procedurat operacionale, si dhe aktivitetet e KFOR-it, EULEX-it dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë që kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Ky informacion mund të shfrytëzohet për analizë, planifikim dhe koordinim nga aktorë që synojnë të sfidojnë autoritetin institucional të Republikës së Kosovës.
Prandaj, largimi i këtyre kamerave nuk është thjesht një aksion teknik apo administrativ. Ai përfaqëson një operacion kundër një infrastrukture të mundshme të mbledhjes së inteligjencës. Në luftën moderne, kontrolli i informacionit është po aq i rëndësishëm sa kontrolli i territorit. Kush monitoron lëvizjet e forcave të sigurisë, fiton avantazh informativ që mund të përdoret për të shmangur veprimet policore, për të paralajmëruar rrjetet kriminale ose për të ndërtuar një pasqyrë të plotë të kapaciteteve shtetërore.
Policia e Kosovës meriton vlerësim për goditjen e çdo infrastrukture të tillë, por sfida nuk përfundon me çmontimin e kamerave. Hetimi duhet të shkojë deri te organizatorët, financuesit dhe administruesit e këtyre rrjeteve, duke zbardhur kush paguan SIM kartelat, kush financon trafikun e internetit, ku transmetohen të dhënat dhe kush i analizon ato. Duke pasur parasysh modelin e deritanishëm të operacioneve hibride kundër Republikës së Kosovës, një nga pistat kryesore të hetimit duhet të jetë verifikimi i çdo lidhjeje me strukturat shtetërore të Serbisë, përfshirë rrjetet e inteligjencës të lidhura me Agjencinë e Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë (BIA).
Nëse një lidhje e tillë provohet nga autoritetet kompetente, atëherë nuk do të bëhej fjalë për veprime të izoluara kriminale, por për një operacion të organizuar të mbledhjes së inteligjencës me mbështetje shtetërore.
Në këtë fazë shtrohen disa pyetje me rëndësi strategjike. Kush i vendosi këto kamera dhe kush i administronte ato? A ekzistojnë ende rrjete të vëzhgimit njerëzor, të financuara dhe të koordinuara në terren, pavarësisht shpërbërjes së strukturave të ashtuquajtura të “Mbrojtjes Civile”? A ishte ky operacion rezultat i koordinimit të plotë ndërinstitucional ? Cili është roli i mekanizmave të inteligjencës të KFOR-it dhe i strukturave monitoruese të EULEX-it në identifikimin dhe parandalimin e infrastrukturave të tilla para se ato të konsolidohen? Dhe mbi të gjitha, a ekzistojnë ende individë ose rrjete brenda Republikës së Kosovës që bashkëpunojnë me strukturat shtetërore të Serbisë, duke ofruar mbështetje logjistike, teknike apo operative për aktivitete të tilla?
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjejeve janë shumë më të rëndësishme sesa vetë çmontimi i kamerave. Ato do të tregojnë nëse kemi të bëjmë me një incident të izoluar apo me një arkitekturë më të gjerë të inteligjencës hibride, e cila vazhdon të funksionojë në veri të Kosovës përmes teknologjisë, rrjeteve mbështetëse dhe bashkëpunëtorëve lokalë.
Kosova nuk përballet më vetëm me kërcënime tradicionale. Sot sfida është një luftë hibride ku kamerat, rrjetet mobile, platformat e komunikimit dhe teknologjia përdoren si mjete për mbledhjen e informacionit dhe cenimin e sigurisë kombëtare. Çdo pajisje e vendosur në mënyrë të paligjshme duhet trajtuar si një kërcënim potencial ndaj rendit kushtetues dhe aftësisë së institucioneve të sigurisë për të vepruar pa u monitoruar nga aktorë armiqësorë.
Lufta hibride nuk zhvillohet vetëm me armë; ajo zhvillohet me informacion, teknologji dhe rrjete të fshehta që synojnë të sfidojnë sovranitetin e shtetit.
Shih videon:

Pesë rreze drite të Senekës në shqip, falë shqipërimit të Gjon Mark Krasniqit

1

Lekë Mrijaj, Klinë

Rreth një muaj më parë, shqipëruesi Gjon Mark Krasniqi nxori në dritë pesë vepra të rëndësishme të filozofit të madh romak Lucius Annaeus Seneca: “Mbi shkurtësinë e jetës”, “Mbi providencën”, “Mbi jetën e lumtur”, “Mbi qetësinë e shpirtit” dhe “Mbi zemërimin”. Botimi i këtyre veprave në gjuhën shqipe përbën një ngjarje me rëndësi të veçantë për kulturën, filozofinë dhe mendimin shqiptar, sepse përmes tyre lexuesit tonë i hapet një dritare e re drejt urtisë së lashtë greko-romake dhe drejt njërit prej mendimtarëve më të shquar të filozofisë stoike.

Ndonëse janë shkruar rreth dy mijë vjet më parë, veprat e Senekës mbeten jashtëzakonisht aktuale. Ato flasin për jetën, kohën, vuajtjen, lumturinë, qetësinë shpirtërore, zemërimin, vetëpërmbajtjen dhe marrëdhënien e njeriut me vetveten dhe me botën. Pikërisht për këtë arsye, këta pesë libra mund të cilësohen si pesë drita që e ndihmojnë njeriun ta kuptojë më mirë qenien e vet, dobësitë, pasionet, frikën dhe dëshirat, por edhe mundësinë për të jetuar me më shumë maturi, dinjitet dhe urti.

Në veprën “Mbi shkurtësinë e jetës”, Seneka ndalet te një nga shqetësimet më të mëdha të njeriut: kalimi i kohës. Ai e kundërshton bindjen se jeta është e shkurtër në vetvete. Sipas tij, njeriu nuk ka domosdoshmërisht pak kohë, por humb shumë prej saj në shqetësime të kota, në ambicie të pafundme, në lakmi, në angazhime të panevojshme dhe në varësi nga mendimi i të tjerëve. Koha është pasuria më e çmuar e njeriut, por edhe ajo që shpërdorohet më lehtë. Për këtë arsye, Seneka e fton njeriun të mos jetojë mekanikisht, por me vetëdije, duke ia dhënë secilit çast peshën dhe kuptimin që meriton.

Në parathënien e kësaj vepre, Anton Nikë Berisha vëren se filozofia e Senekës synon kuptimin sa më të thellë të jetës dhe të artit të të jetuarit. Sipas tij, një nga mendimet më të rëndësishme të filozofit romak është se e keqja nuk buron gjithmonë nga sendet apo rrethanat, por nga perceptimi i gabuar që njeriu krijon për to. Për këtë arsye, njeriu duhet ta edukojë vazhdimisht gjykimin e vet, në mënyrë që të arrijë një perceptim më të drejtë dhe, rrjedhimisht, një sjellje më të denjë.

Në librin “Mbi providencën”, Seneka trajton pyetjen e vjetër dhe të vështirë se përse njerëzit e mirë përballen me vuajtje, sprova dhe fatkeqësi. Ai mendon se vështirësitë nuk janë gjithmonë shenjë e braktisjes apo e padrejtësisë së fatit. Përkundrazi, ato mund të jenë prova përmes të cilave njeriu e forcon karakterin, e ushtron qëndresën dhe e dëshmon virtytin. Ashtu si luftëtari nuk mund ta tregojë trimërinë pa hyrë në betejë, edhe njeriu nuk mund ta njohë fuqinë e vet shpirtërore pa u përballur me sprova.

Anton Nikë Berisha, duke folur për këtë vepër, e lidh providencën me përpjekjen e hershme të njeriut për ta kuptuar botën, natyrën dhe dukuritë e pashpjegueshme. Përmes përfytyrimit, besimeve, miteve, gojëdhënave dhe legjendave, njeriu ndërtoi një botë shpirtërore që i shërbeu si ngushëllim dhe si mënyrë për t’u dhënë kuptim rrethanave të vështira të jetës. Në këtë mënyrë, providenca shfaqet jo vetëm si nocion filozofik, por edhe si kërkim i vazhdueshëm njerëzor për ta kuptuar rendin e botës dhe domethënien e vuajtjes.

Në veprën “Mbi jetën e lumtur”, Seneka shqyrton një nga synimet më të mëdha të njeriut: dëshirën për të qenë i lumtur. Mirëpo, sipas tij, lumturia nuk qëndron te pasuria, fama, pushteti apo kënaqësitë e çastit. Ajo buron nga jeta në pajtim me arsyen, natyrën dhe virtytin. Njeriu i lumtur nuk është ai që zotëron më shumë, por ai që nuk bëhet skllav i asaj që zotëron. Lumturia është një gjendje e brendshme, e ndërtuar mbi maturinë, vetëpërmbajtjen, drejtësinë dhe lirinë shpirtërore.

Në parathënien e kësaj vepre, Anton Nikë Berisha thekson se njeriun e kanë përcjellë gjithmonë dy synime themelore: dëshira për ta bërë jetën më të lehtë, më të denjë dhe më të lumtur, si dhe përpjekja për ta njohur sa më mirë vetveten dhe botën që e rrethon. Këto dy synime bashkohen në mendimin e Senekës, i cili e paralajmëron njeriun të mos e ngatërrojë lumturinë me kënaqësinë e përkohshme. Një njeri mund të ketë shumë pasuri dhe të jetë i trazuar, ndërsa një tjetër mund të ketë pak dhe të jetojë me qetësi, dinjitet dhe liri të brendshme.

Në veprën “Mbi qetësinë e shpirtit”, Seneka i kushtohet një prej nevojave më të thella të njeriut: ruajtjes së ekuilibrit të brendshëm. Qetësia shpirtërore nuk nënkupton mungesën e problemeve, por aftësinë për të mos u sunduar prej tyre. Njeriu i qetë nuk është ai që nuk përjeton vështirësi, por ai që nuk e humb drejtimin e arsyes dhe të ndërgjegjes kur ato shfaqen.

Anton Nikë Berisha e paraqet shpirtin si shtyllë të jetës së njeriut, të lidhur ngushtë me karakterin, virtytin, mirësinë, mendjen, ndërgjegjen dhe arsyen. Shpirti është burim fuqie për t’i përballuar të papriturat, ligësitë dhe vështirësitë e përditshme. Ky mesazh është veçanërisht i rëndësishëm për njeriun e sotëm, i cili jeton nën trysninë e shpejtësisë, shqetësimit, konkurrencës dhe pasigurisë. Seneka na kujton se qetësia nuk mund të kërkohet vetëm në rrethanat e jashtme, por duhet të ndërtohet brenda njeriut, përmes njohjes së vetvetes, masës, vetëkontrollit dhe pajtimit me atë që nuk mund të ndryshohet.

Vepra e pestë, “Mbi zemërimin”, është ndër trajtesat më të rëndësishme morale të Senekës. Ajo përbëhet nga tri libra dhe i drejtohet vëllait të tij, Novatusit, të njohur më vonë me emrin Gallio. Megjithatë, këshillat e filozofit nuk kufizohen vetëm te një person, por i drejtohen çdo njeriu që dëshiron të jetojë me maturi, drejtësi dhe qetësi shpirtërore.

Në hyrjen e kësaj vepre, Gjon Mark Krasniqi e paraqet zemërimin si një nga ndjenjat më të fuqishme dhe më të rrezikshme të shpirtit njerëzor. Ai lind shpejt, rritet me vrull dhe e shtyn njeriun drejt veprimeve të pamatura. Seneka nuk e konsideron zemërimin shenjë force, por dobësi të mendjes, sepse ai e errëson gjykimin dhe e largon njeriun nga veprimi i drejtë. Njeriu i zemëruar nuk është më zot i vetvetes, por rob i një pasioni që mund të shkaktojë pasoja të rënda si për të, ashtu edhe për të tjerët.

Në të kundërt, njeriu i urtë përpiqet ta ruajë qetësinë e mendjes, të veprojë sipas arsyes dhe t’i sundojë pasionet përmes maturisë dhe vetëpërmbajtjes. Në këtë kuptim, “Mbi zemërimin” nuk është vetëm një analizë filozofike e një ndjenje njerëzore, por edhe një udhërrëfyes praktik për jetën. Sipas Senekës, fitorja më e madhe e njeriut nuk është ajo mbi të tjerët, por ajo mbi vetveten. Kush arrin t’i sundojë pasionet dhe ta ruajë kthjelltësinë e mendjes, fiton një liri të brendshme që askush nuk mund t’ia marrë.

Anton Nikë Berisha vëren se asnjë filozof nuk është marrë aq gjerësisht dhe nuk e ka ndriçuar aq thellësisht zemërimin sa Seneka. Filozofi romak i kushtoi kësaj ndjenje tri libra, me rreth njëqind kapituj, duke analizuar natyrën, shkaqet, pasojat dhe mënyrat e mposhtjes së saj. Pikërisht kjo thellësi e bën veprën të rëndësishme edhe sot, në një kohë kur zemërimi shfaqet shpesh në familje, në shoqëri, në politikë, në rrjetet sociale dhe në jetën publike.

Shqipërimi i këtyre pesë veprave nga ana e  Gjon Mark Krasniqi përbën një kontribut të çmuar për kulturën shqiptare. Përkthimi i Senekës kërkon jo vetëm njohje të gjuhës dhe të filozofisë antike, por edhe ndjeshmëri stilistike, përgjegjësi ndaj tekstit dhe aftësi për ta përcjellë mendimin e ndërlikuar në një shqipe të qartë dhe të kuptueshme. Gjon Mark Krasniqi ka arritur t’ia afrojë këto vepra lexuesit shqiptar, duke ruajtur seriozitetin filozofik dhe, njëkohësisht, rrjedhshmërinë e ligjërimit.

Pikërisht një vlerë të veçantë këtyre botimeve ua shtojnë edhe parathëniet e Anton Nikë Berishës, të cilat nuk janë vetëm hyrje informuese, por trajtesa të përmbledhura që e ndihmojnë lexuesin ta kuptojë më mirë botën filozofike të Senekës dhe rëndësinë e saj për jetën e njeriut. Përmes tyre, lexuesi përgatitet të hyjë në tekst, t’i kuptojë çështjet themelore dhe ta lidhë mendimin e lashtë me përvojën bashkëkohore.

Këto pesë vepra nuk u drejtohen vetëm filozofëve, studiuesve apo studentëve. Ato i drejtohen secilit njeri që mendon për jetën, kohën, vuajtjen, lumturinë, shpirtin dhe marrëdhëniet me të tjerët. Në secilin libër, lexuesi mund të gjejë një pyetje që e shqetëson, një mendim që e ndriçon ose një këshillë që e ndihmon të jetojë me më shumë maturi.

Në një kohë kur jeta publike dhe private shpesh dominohen nga nxitimi, lakmia, pasiguria, zemërimi dhe humbja e masës, kthimi te Seneka është më shumë se një lexim kulturor. Ai është një ftesë për t’u kthyer te vetvetja, për ta shqyrtuar mënyrën se si jetojmë, si reagojmë, si e përdorim kohën dhe si i përballojmë sprovat.

Pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia e punës së Gjon Mark Krasniqit. Duke i sjellë në shqip veprat “Mbi shkurtësinë e jetës”, “Mbi providencën”, “Mbi jetën e lumtur”, “Mbi qetësinë e shpirtit” dhe “Mbi zemërimin”, ai nuk ka shqipëruar vetëm pesë libra, por ka hapur pesë dritare drejt urtisë antike dhe ka ndezur pesë drita të reja në hapësirën e kulturës shqiptare.

Këto vepra meritojnë të lexohen, të studiohen dhe të zënë vend në bibliotekat familjare, shkollore, universitare dhe publike. Ato dëshmojnë se mendimi i madh nuk plaket dhe se një vepër e shkruar para mijëra vjetësh mund t’i flasë me të njëjtën forcë edhe njeriut të shekullit XXI.

Për këtë punë të çmuar, Gjon Mark Krasniqi meriton mirënjohje dhe përgëzime. Përkushtimi i tij ndaj shqipërimit, fjalës së shkruar dhe kulturës shqiptare është dëshmi se puna e heshtur intelektuale mund ta pasurojë një gjuhë, ta zgjerojë horizontin e lexuesit dhe t’i sjellë një kulture vlera që i përkasin mbarë njerëzimit.

Nga këndvështrimi im publicistik, botimi në gjuhën shqipe i këtyre pesë veprave të Senekës duhet parë si një ngjarje e mirëfilltë kulturore dhe si një thirrje për ta rikthyer librin filozofik në vëmendjen e lexuesit shqiptar. Në një kohë kur fjala shpesh konsumohet shpejt, kur mendimi zëvendësohet nga reagimi i çastit dhe kur zemërimi, ankthi e humbja e masës janë bërë pjesë e përditshmërisë, Seneka vjen si një zë i largët në kohë, por jashtëzakonisht i afërt në përmbajtje. Pra, puna e Gjon Mark Krasniqit dëshmon se shqipërimi nuk është vetëm bartje e fjalëve nga një gjuhë në tjetrën, por edhe bartje e mendimit, e përvojës dhe e urtisë njerëzore. Duke i sjellë këto pesë vepra në shqip, ai ka bërë të mundur që një filozofi e lashtë të flasë natyrshëm me lexuesin tonë të sotëm. Ndërsa mesazhi që buron nga këta libra është i qartë: jeta nuk matet vetëm me gjatësinë e saj, por me mënyrën se si jetohet; lumturia nuk blihet, por ndërtohet; qetësia nuk vjen nga mungesa e sprovave, por nga forca për t’i përballuar ato; ndërsa fitorja më e madhe nuk është mbi tjetrin, por mbi vetveten.

Prandaj, këto pesë vepra meritojnë të mos mbeten vetëm në raftet e bibliotekave, por të lexohen, të diskutohen dhe të bëhen pjesë e kulturës sonë të përditshme. Sepse një shoqëri që lexon filozofi mëson të mendojë më thellë, të gjykojë më drejt dhe të jetojë me më shumë masë.

Me këtë punë të vyer, Gjon Mark Krasniqi nuk ka sjellë vetëm pesë libra në gjuhën shqipe, por pesë mesazhe të fuqishme për jetën, mendjen dhe shpirtin e njeriut. Ky është një kontribut që meriton jo vetëm përgëzim, por edhe vëmendjen e institucioneve kulturore, të studiuesve, të shkollave dhe të çdo lexuesi që kërkon te libri jo vetëm informacion, por edhe urti.

Më 31 korrik 2026

Një dramë shqiptare e lirisë së besimit, e ndërgjegjës njerëzore dhe e qëndresës kishtare në Pashallëkun Osman të Prizrenit

0

Dom Fran Sopi, Pejë

Libri “Relacion Sinoptik – Rreth ngjarjeve të ndodhura në Pashallëkun e Prizrenit nga data 26 gusht 1866 deri më 6 mars 1868”, i hartuar nga Dario Bucciarelli, Arqipeshkëv i Shkupit me seli në Prizren, dhe i përgatitur për botim nën kujdesin e studiuesit Mark Palnikaj, është një ndër dëshmitë më të rëndësishme dokumentare për gjendjen politike, juridike, shoqërore dhe fetare në Kosovën e gjysmës së dytë të shekullit XIX.

Vepra në fjalë, e botuar në Tiranë më 2022, nuk përmban vetëm një kronologji trazirash, grabitjesh dhe konfliktesh, por paraqet edhe dramën e një gruaje shqiptare, Maria Kaçinarit, e cila u bë simbol i qëndresës së ndërgjegjes dhe i së drejtës së njeriut për ta zgjedhur e dëshmuar lirisht besimin e vet. Relacioni është shkruar nga një bari i Kishës, që ndodhej brenda ngjarjeve, dhe jo nga një historian që i vrojtonte ato nga largësia e kohës.

Bucciarelli komunikonte drejtpërdrejt me autoritetet osmane, me famullitarët, me konsujt e huaj, me përfaqësuesit kishtarë në Stamboll dhe me familjet e dëmtuara. Ai vetë pohon se nuk synonte të krijonte një vepër letrare me stil të përpunuar, por t’u linte pasardhësve një dëshmi mbi atë që quhej tolerancë, siguri, drejtësi dhe qeverisje në Pashallëkun e Prizrenit. Për të, rëndësia e relacionit nuk qëndronte në bukurinë e frazës, por në vërtetësinë e fakteve që kishte parë, dëgjuar dhe dokumentuar.

Në qendër të kësaj vepre ndodhet çështja e Maria Kaçinarit, e cila në tekstin e librit herë paraqitet me emrin Maria dhe në traditën shqiptare mund të jetë njohur edhe si Mrika. Duhet bërë një sqarim i domosdoshëm lidhur me emrin e bashkëshortit të saj. Në fillim të relacionit përmendet një Prenk Kaçinari, katolik me prejardhje nga Mirdita, i vendosur në fshatin Kramovikë, në distriktin e Prizrenit dhe në juridiksionin e Famullisë së Gjakovës. Prenka përshkruhet si kolon relativisht i pasur, pronar bagëtish dhe zotërues i një punishteje bakri dhe armësh. Autori pohon se prej rreth dy vjetësh ai jetonte në një martesë të rregullt kishtare me një grua të quajtur Maria. Mirëpo, në shënimin redaktorial të vendosur në të njëjtën pjesë përmendet emri Mark Llesh Kaçinari si bashkëshorti i Mrikës, ndërsa në shënimin përfundimtar të relacionit thuhet shprehimisht se Maria u kthye në shtëpinë e saj dhe jetoi në paqe me burrin e saj, Marka Lleshin.

Kjo mospërputhje duhet trajtuar me kujdes shkencor. Duke u mbështetur vetëm në tekstin e botuar, nuk mund të pohohet me siguri absolute nëse Prenk Kaçinari dhe Mark Llesh Kaçinari janë i njëjti person, i shënuar me emra të ndryshëm, nëse Prenka ishte kryefamiljari, ndërsa Mark Lleshi bashkëshorti i drejtpërdrejtë i Marisë, apo nëse kemi një pasaktësi të kopjimit, përkthimit ose redaktimit të dorëshkrimit. Megjithatë, shënimi përfundimtar është i qartë se burri me të cilin Maria u ribashkua pas kthimit nga Stambolli quhej Mark Lleshi. Prandaj, në një trajtim kritik është më e drejtë që ajo të quhet Maria ose Mrika Kaçinari, bashkëshortja e Mark Llesh Kaçinarit, duke shënuar se në fillim të rrëfimit familja lidhet edhe me emrin e Prenk Kaçinarit.

Para martesës, Maria kishte kaluar një jetë të vështirë dhe të trazuar. Nga rrëfimi që ajo vetë i paraqiti Arqipeshkvit, kuptohet se kishte lindur në një familje myslimane. Sipas deklarimit të saj, nuk ishte përgjegjëse për përkatësinë fetare të fëmijërisë, sepse atë e kishin përcaktuar prindërit dhe vëllezërit. Me rritjen e saj, ajo kishte filluar të shprehte dëshirën për t’iu kthyer besimit të paraardhësve të saj dhe për t’u bërë e krishterë. Ky vendim nuk ishte rezultat i një presioni të jashtëm, por një bindje që ishte pjekur në ndërgjegjen e saj.

Familjarët nuk e pranuan vendimin e saj. Sipas dëshmisë së Marisë, sa herë që ajo shprehte dëshirën për ta përqafuar besimin e krishterë, përballej me fyerje, trajtim të ashpër dhe mbikëqyrje të shtuar. Ajo u kishte thënë familjarëve se, sapo t’i jepej mundësia, do të largohej për t’u pagëzuar dhe për të jetuar si e krishterë. Më në fund, arriti të ikte, qëndroi për një kohë e fshehur dhe mori Pagëzimin e shenjtë. Kjo periudhë e jetës së saj nuk paraqitet në relacion me hollësi të plota kronologjike, por dëshmia e saj është e qartë: kthimi në krishterim kishte ndodhur përpara martesës dhe ishte zgjedhje e lirë personale. Pasi u largua nga familja e saj, Maria endej nëpër zona malore, duke kërkuar një vend ku mund të jetonte e sigurt. Në një shtëpi ku ishte strehuar, u hap biseda për martesën. Ajo deklaroi se do të pranonte të martohej vetëm me një burrë që, edhe nëse do të ishte i varfër, do ta kishte frikën e Zotit dhe do të jetonte me ndershmëri.

Pikërisht në atë kohë, në të njëjtën shtëpi mbërriti burri që më vonë do të bëhej bashkëshorti i saj. Sipas rrëfimit, ata nuk njiheshin më parë. As ai nuk e dinte historinë e saj të plotë, por ndërmjet tyre lindi një vlerësim i ndërsjellë. Maria pa tek ai një burrë të përvuajtur dhe me frikën e Hyjit, ndërsa ai pranoi ta merrte me vete në familjen e tij.

Në shtëpinë e re, ajo u trajtua fillimisht si bijë e familjes. Kur erdhi koha, martesa u kremtua publikisht, sipas normave të Kishës Katolike. Vetë Maria dëshmoi se kurora ishte vënë në kishë dhe se në martesë kishin qenë të pranishëm si katolikë, ashtu edhe myslimanë. Prej asaj kohe, ajo njihej në fshat me emrin Maria, një emër i dallueshëm i traditës së krishterë, dhe askush nga fqinjët nuk e kishte kundërshtuar haptazi statusin e saj deri në shpërthimin e ngjarjeve të gushtit 1866.

Mëngjesin e 26 gushtit 1866, kur ende po zbardhte dita, shtëpia e familjes Kaçinari në Kramovikë u rrethua nga disa qindra burra të armatosur. Sipas Bucciarellit, ata drejtoheshin nga bajraktarë të zonave të Cërmjanit, të Pejës dhe të Polluzhës, ndërsa në krye ishte Hiqmet Hoxha, i quajtur në dorëshkrim edhe Hakmet Hoggia. Sulmuesit hynë me dhunë në shtëpi, kërkuan nëpër të gjitha dhomat dhe vendet e fshehta, morën armë dhe pasuri, keqtrajtuan familjarët dhe i morën peng burrat, gratë dhe fëmijët. Pas një pjese të rrugës, shumica e pengjeve u liruan, por Maria u mbajt. Ajo u pyet vazhdimisht nëse ishte e krishterë apo myslimane. Maria u përgjigj qartë se ishte e krishterë. Edhe familjarët deklaruan se e kishin marrë si grua duke e ditur se ishte e krishterë, se kurora ishte lidhur në kishë dhe se ajo njihej publikisht me emrin Maria. Megjithatë, këto dëshmi nuk u morën parasysh.

Maria u dërgua në Cërmjan dhe u mbyll në katin e sipërm të kullës së Hiqmet Hoxhës. Synimi ishte që, nëpërmjet kërcënimeve, izolimit, lodhjes dhe presionit psikologjik, ajo të deklaronte se ishte myslimane dhe ta mohonte besimin e krishterë. Relacioni pohon se mbi të u ushtruan edhe presione të lidhura me nderin e saj si grua dhe me besnikërinë martesore. Përballë tyre, Maria përsëriste se ishte dhe do të mbetej e krishterë, edhe sikur ta vrisnin ose ta mbanin të burgosur gjithë jetën.

Për një lexues të krishterë, qëndrimi i saj kujton fjalët e Ungjillit: “Kush do të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet”. Maria nuk ishte teologe e shkolluar dhe nuk kishte autoritet shoqëror. Ajo ishte një grua e thjeshtë, por, në çastin e provës, dëshmoi një forcë shpirtërore që as burgimi, as kërcënimet dhe as premtimet nuk mundën ta thyenin. Në të, ndërgjegjja u bë altar i brendshëm, ku njeriu qëndron vetëm përpara Hyjit dhe ku pushteti tokësor nuk mund të hyjë pa kryer dhunë mbi dinjitetin njerëzor.

E mbyllur në një kullë, Maria filloi të mendonte për arratisjen. Dritarja ishte në lartësi të madhe dhe kërcimi prej saj mund të ishte vdekjeprurës. Dera ruhej dhe nuk kishte mjet për ta shpërthyer. Në një qoshe të qelisë ajo gjeti një samar me një litar. Litari ishte vetëm sa gjysma e lartësisë së kullës, por ajo e lidhi në një dërrasë, u lëshua poshtë dhe, në fund, u detyrua të hidhej. Gjatë zbritjes, duart iu çanë dhe iu gjakosën nga fërkimi me litarin, ndërsa nga rënia pësoi lëndime dhe filloi të çalonte. Megjithatë, ajo u ngrit dhe vazhdoi rrugën, duke u fshehur nëpër gropa, male dhe vende të thepisura.

Më 2 shtator 1866, pas disa ditësh arratisjeje, Maria arriti në Prizren dhe u paraqit para Dario Bucciarellit, Arqipeshkëvit të Shkupit. Ajo i kërkoi të ndërhynte pranë qeverisë dhe t’i siguronte mbrojtjen e ligjit. Bucciarelli mbeti i tronditur kur e pa, sepse e dinte se ajo mbahej e burgosur dhe ruhej me rreptësi. Ai e interpretoi shpëtimin e saj në dritën e Provanisë Hyjnore, duke e krahasuar me lirimin e Shën Pjetrit nga burgu i Herodit.

Arqipeshkvi nuk e fshehu Marinë dhe as nuk e largoi fshehurazi nga territori. Ai e njoftoi qeverinë, duke besuar se ligjet perandorake të shpallura nga Sulltani garantonin lirinë e ndërgjegjes. Ky veprim është me rëndësi të madhe për ta kuptuar figurën e Bucciarellit. Ai nuk veproi si nxitës i rebelimit dhe nuk kërkoi ta zgjidhte çështjen përmes forcës. Ai hyri në rrugën ligjore dhe e vendosi qeverinë përballë detyrimit për ta respektuar ligjin e vet.

Më 4 shtator 1866, me kërkesën e Pashës, Maria u paraqit para Këshillit qeverisës, të njohur si Megjlisi. Ajo shoqërohej nga një meshtar. Para guvernatorit dhe anëtarëve të këshillit, Maria deklaroi me zë të qartë se ishte e krishterë, se këtë besim e kishte zgjedhur lirisht dhe se do të qëndronte e krishterë deri në vdekje. Këshilltarët përdorën pyetje të përsëritura, formulime të dykuptimta dhe forma të ndryshme presioni, me qëllim që të nxirrnin prej saj ndonjë deklaratë që mund të përdorej kundër saj. Megjithatë, ajo nuk e ndryshoi dëshminë. Pas Megjlisit, Maria u dërgua edhe para organit hetues ose gjyqësor, të quajtur në tekst Isintak. Edhe aty ajo përsëriti të njëjtën deklaratë. Kryetari i këtij organi, sipas relacionit, pohoi se nuk e kuptonte përse çështja ishte dërguar para tij: nëse gruaja donte të ishte e krishterë, duhej të lihej e tillë, sepse këtë e kërkonte ligji. Kjo deklaratë duhej ta kishte përfunduar çështjen, por ndërhyrjet politike dhe fetare të autoriteteve vendore e penguan lirimin e plotë të saj.

Duke parë se vendimi i qartë i Marisë nuk po respektohej, Arqipeshkvi i shkroi zyrtarisht Pashës më 16 shtator 1866. Ai ia kujtoi se Maria kishte dëshmuar para Megjlisit dhe Isintakut se ishte bërë e krishterë me vullnet të lirë, pa u detyruar nga askush, dhe se ishte martuar me një katolik. Bucciarelli e konsideronte përpjekjen për ta detyruar të mohonte deklaratën e saj si veprim të kundërt me ligjin dhe si shkak të mundshëm për trazira të rënda.

Në takimet e mëtejshme me Nazif Pashën, konflikti ndërmjet pushtetit vendor dhe Arqipeshkvit u bë gjithnjë më i hapur. Pasha kërkonte që gruaja t’i dorëzohej qeverisë, ndërsa Bucciarelli kundërshtonte, duke thënë se nuk mund ta braktiste një të krishterë, faji i vetëm i së cilës ishte dëshira për të qenë e krishterë. Ai deklaroi se ishte i gatshëm të humbiste shtëpinë dhe madje jetën, por jo ta dorëzonte vullnetarisht një person të pambrojtur në duart e atyre që mund ta detyronin të mohonte ndërgjegjen e saj.

Arqipeshkvi e vendosi çështjen mbi parimin themelor se askush nuk është mbi ligjin. Ai i tha Pashës se, sikurse një i krishterë kishte të drejtë të bëhej mysliman, po ashtu edhe një mysliman duhet të kishte të drejtë ta zgjidhte besimin e krishterë. Ligji nuk mund të vlente vetëm në një drejtim. Nëse lejonte kalimin në Islam, por ndalonte kalimin në krishterim, atëherë nuk ishte më ligj i lirisë, por instrument i privilegjit.

Bucciarelli nuk ia dorëzoi Marinë vullnetarisht. Ai i tha Pashës se qeveria mund ta merrte vetëm duke përdorur forcën. “Unë dhe Ju jemi nën ligjin e jo mbi ligjin”, ishte thelbi i qëndrimit të tij. Ai deklaroi se mund t’ia digjnin ose shkatërronin shtëpinë, por nuk do ta braktiste një grua që i ishte drejtuar Kishës për mbrojtje.

Çështja e Marisë u përcoll më pas në Stamboll. Këtu duhet korrigjuar shprehja “gjyqi i Sulltanit”. Nga dokumenti nuk rezulton se Maria është paraqitur personalisht para Sulltanit dhe se vetë Sulltani ka kryesuar një gjykim të drejtpërdrejtë. Rrjedha e dokumentuar tregon një proces administrativ dhe juridik të zhvilluar në emër të pushtetit perandorak, përmes Portës së Lartë, Ministrisë së Brendshme, të quajtur në tekst Babalia, autoriteteve qeveritare dhe përfaqësive diplomatike në Stamboll. Prandaj, më saktë duhet të flitet për shqyrtimin e çështjes nga autoritetet qendrore të Perandorisë Osmane në Stamboll, nën sovranitetin dhe ligjin e Sulltanit.

Fillimisht, Nazif Pasha i kishte dërguar Stambollit një raport, të quajtur mosbatë, ku çështja paraqitej sikur trazirat kishin shpërthyer për shkak të një gruaje myslimane të bërë e krishterë pas grabitjes. Bucciarelli dyshonte se raporti shtrembëronte faktet dhe i paraqiste të krishterët si pjesëmarrës në trazira. Ai druhej se autoritetet qendrore do të merrnin vendim duke u mbështetur mbi informacione të njëanshme.

Nga Stambolli erdhi urdhri që Maria t’i dorëzohej qeverisë dhe të dërgohej në kryeqytet. Bucciarelli kërkoi që urdhri t’i jepej me shkrim. Ai nuk e kundërshtoi parimin që çështja të shqyrtohej në Stamboll, sepse besonte se atje mund të dilte e vërteta dhe të respektohej ligji. Kërkoi, megjithatë, që Maria të shoqërohej nga ai vetë ose nga një person i besueshëm dhe që udhëtimi të bëhej me siguri.

Në praninë e Pashës dhe të këshillit, Maria e ndërpreu diskutimin dhe deklaroi se nuk kishte frikë të dërgohej në Stamboll apo kudo tjetër, sepse do të mbetej gjithmonë e krishterë, edhe sikur ta bënin copë. Kjo deklaratë përmbledh tërë dramën e saj: pushteti mund ta zhvendoste trupin e saj nga Prizreni në Stamboll, por nuk mund ta zhvendoste ndërgjegjen nga besimi që ajo kishte zgjedhur.

Maria u mor nga qeveria dhe u nis për në Stamboll. Bucciarelli protestoi se kjo po bëhej jo sipas forcës së së drejtës, por sipas “së drejtës së forcës”. Ai shkoi menjëherë në zyrën e telegrafit dhe njoftoi ambasadorët e Austrisë dhe Francës, përfaqësuesit konsullorë, Imzot Hassunin, primatin armen në Stamboll, dhe famullitarin latin në Selanik.

Në telegramet e tij, Arqipeshkvi theksonte se Maria ishte një grua e krishterë dhe e martuar, se ishte marrë me forcë vetëm për shkak të besimit dhe se fliste vetëm shqip. Kjo e fundit ishte veçanërisht e rëndësishme, sepse Maria mund të merrej në pyetje në një gjuhë që nuk e kuptonte dhe dëshmia e saj mund të përkthehej ose interpretohej gabimisht. Bucciarelli kërkonte që ajo të vihej nën mbrojtjen e përfaqësuesve kishtarë dhe diplomatikë.

Frika e Arqipeshkvit nuk ishte e pabazë. Ai kujtonte internimin e të krishterëve të Karadakut në vitin 1846, gjatë të cilit shumë njerëz kishin vdekur nga torturat, sëmundjet dhe kushtet e rënda të udhëtimit. Prandaj, druhej se Maria mund të zhdukej gjatë rrugës, të vritej ose të paraqitej në Stamboll si person që vullnetarisht kishte hequr dorë nga krishterimi.

Ndërhyrja diplomatike rezultoi vendimtare. Imzot Hassuni, përfaqësuesit e Ambasadës Austriake, Paolo Holas, murgeshat e dashurisë dhe persona të tjerë në Stamboll e morën Marinë nën mbrojtje. Dokumenti nuk jep një procesverbal të plotë të marrjes së saj në pyetje në kryeqytet dhe as tekstin e një vendimi të posaçëm të firmosur personalisht nga Sulltani. Megjithatë, rezultati përfundimtar tregon se përpjekja për ta detyruar të kthehej në Islam dështoi. Maria u njoh në praktikë si e krishterë dhe iu lejua të kthehej te bashkëshorti dhe familja e saj.

Shënimi përfundimtar i relacionit, i vendosur pas përmbylljes së tekstit, e plotëson historinë e saj. Aty thuhet se, pasi u kapërcyen vështirësitë në Stamboll, në muajin maj të vitit 1867 u morën masat për kthimin e Marisë. Ajo iu dorëzua xhaxhait të burrit të saj dhe një personi tjetër që do ta shoqëronte gjatë rrugës. Deri atëherë kishte qëndruar nën kujdesin e Paolo Holasit dhe të mbrojtësve të saj në kryeqytetin osman.

Më 22 qershor 1867, Maria dhe dy shoqëruesit e saj u nisën nga Stambolli. Më 27 qershor arritën në Durrës. Atje ajo u sëmur dhe u detyrua të qëndronte disa ditë. Konsulli i Nderit i Austrisë në Durrës, Vincenzo Ballarini, u kujdes për shëndetin e saj dhe bëri përpjekje që ajo të merrte ndihmën e nevojshme. Pasi u shërua, Maria vazhdoi udhëtimin.

Më 4 korrik 1867 arriti në Tivar, ndërsa më 5 korrik mbërriti në Shkodër. Të nesërmen u vu nën shoqërimin e një roje të Konsullatës Austriake, e cila e përcolli drejt shtëpisë së saj. Në fund, pas gati një viti ndarjeje, burgimi, udhëtimi dhe pasigurie, Maria u kthye pranë bashkëshortit. Relacioni pohon se ajo vazhdoi të jetonte “në paqe e në dashuri” me burrin e saj, Mark Lleshin.

Kështu, fundi i çështjes së Marisë nuk ishte rikthimi i saj me dhunë në Islam, siç kishte shpresuar Nazif Pasha, por kthimi si grua e krishterë në familjen dhe martesën e saj. Në planin juridik, kjo ishte një fitore e ndërgjegjes mbi arbitraritetin. Në planin kishtar, ishte një fitore e shërbesës baritore që nuk e braktisi personin e dobët. Në planin diplomatik, ishte dëshmi se dokumentimi, komunikimi dhe ndërhyrja ndërkombëtare mund ta pengonin një padrejtësi që autoritetet vendore përpiqeshin ta kryenin ose ta fshihnin.

Në këtë dramë, edhe bashkëshorti i Marisë duhet parë si figurë e vuajtjes. Teksti nuk jep një biografi të plotë të tij pas largimit të së shoqes, por fakti se martesa e tyre ishte lidhur publikisht në Kishë dhe se Maria u kthye për të jetuar me të, tregon se ai e kishte pranuar atë si të krishterë dhe i kishte qëndruar besnik lidhjes martesore. Shtëpia e tij u sulmua, prona u grabit, familja u poshtërua dhe gruaja iu rrëmbye. Për të, çështja nuk ishte vetëm konflikt fetar, por plagosje e familjes dhe e sakramentit të martesës.

Sipas frymës së teologjisë katolike, martesa nuk është vetëm marrëveshje shoqërore, por besëlidhje e shenjtë ndërmjet burrit dhe gruas para Hyjit. Kur autoritetet përpiqeshin ta ndanin Marinë nga burri dhe ta detyronin të mohonte besimin, ato cenonin njëkohësisht ndërgjegjen e saj dhe shenjtërinë e martesës. Prandaj, Bucciarelli nuk e trajtoi rastin si një çështje të vogël private, por si një provë të së drejtës, të fesë dhe të rendit moral.

Figura e Arqipeshkvit Dario Bucciarelli del në këtë rrëfim me një madhësi të veçantë. Ai nuk kishte ushtri dhe as pushtet politik. Fuqia e tij ishte fjala, ligji, autoriteti moral dhe përgjegjësia baritore. Ai ndërmjetësoi që të krishterët të mos hakmerreshin, sepse e dinte se hakmarrja do ta përshkallëzonte dhunën dhe do t’u jepte autoriteteve pretekst për shtypje të re. Në të njëjtën kohë, ai nuk e ngatërroi paqen me heshtjen. Paqja e krishterë nuk është pajtim me padrejtësinë, por përpjekje që e keqja të ndalet pa u shtuar një e keqe tjetër.

Bucciarelli i kujtonte pushtetit se ligji nuk mund të ishte dekor i zyrave perandorake, por duhej të mishërohej në mbrojtjen konkrete të njeriut. Ai pohonte se çdo qytetar i mirë kishte detyrën t’i njoftonte autoritetet kur ndodhnin veprime kriminale dhe se, si i krishterë, ishte i detyruar ta respektonte rrugën ligjore, ta pengonte të keqen dhe ta nxiste të mirën e popullsive.

Pikërisht në këtë pikë libri merr rëndësi të veçantë për një meshtar të sotëm të Dioqezës Prishtinë–Prizren. Historia e Marisë dhe e familjes Kaçinari nuk është vetëm një kujtim i vuajtjeve të katolikëve në shekullin XIX. Ajo është mësim mbi detyrën e Kishës për ta mbrojtur personin njerëzor, lirinë e ndërgjegjes, familjen dhe të drejtën.

Meshtari i Kishës Katolike nuk është vetëm ai që kremton Meshën dhe administron sakramentet. Ai, me fjalë të tjera, është edhe bari që duhet ta njohë plagën e grigjës, të qëndrojë pranë të përndjekurit, t’i drejtohet ligjit, të kërkojë drejtësi dhe të ndalojë hakmarrjen. Në figurën e Bucciarellit shihet modeli i një bariu që nuk e lëshon gruan e pambrojtur edhe kur kërcënohet shtëpia dhe jeta e tij.

Megjithatë, libri duhet lexuar me përgjegjësi kritike. Gjuha e Bucciarellit është nganjëherë e fortë dhe polemike. Ai shkruan i zemëruar nga dhuna që kishte parë dhe përdor disa përgjithësime fetare, që nuk duhet të shkëputen nga konteksti i shekullit XIX e të përdoren kundër myslimanëve të sotëm. Përgjegjësia për krimet u takon autorëve konkretë, grupeve të armatosura, zyrtarëve të korruptuar dhe atyre që shtrembëruan ligjin, jo një bashkësie të tërë fetare.

Edhe vetë relacioni dëshmon se kishte myslimanë që e njihnin Marinë si të krishterë, që dëshmuan të vërtetën dhe që, në komisione ose në organe të ndryshme, pranuan parimin e ligjit. Prandaj, vepra duhet të shërbejë jo për kultivimin e armiqësisë, por për të kuptuar se çfarë ndodh kur feja përdoret nga pushteti, kur ligji zbatohet në mënyrë të pabarabartë dhe kur njeriu gjykohet jo për veprat, por për ndërgjegjen e tij.

Në të vërtetë, Maria nuk luftoi kundër një populli dhe as kundër një bashkësie fetare. Ajo luftoi për të drejtën për të qenë vetvetja. Dëshmia e saj nuk ishte thirrje për konflikt, por pohim i lirisë së brendshme. Ajo nuk kërkoi hakmarrje ndaj familjes që e kishte kundërshtuar dhe as ndaj njerëzve që e burgosën. Kërkoi vetëm që të lejohej të jetonte si e krishterë dhe si bashkëshorte në familjen që kishte zgjedhur.

Në këtë kuptim, historia e Maria Kaçinarit është një nga dëshmitë më prekëse të ndërgjegjes femërore shqiptare në shekullin XIX. Ajo qëndron krahas atyre grave të panjohura që e ruajtën fenë, familjen dhe dinjitetin në kohë përndjekjeje. Jeta e saj tregon se historia nuk shkruhet vetëm nga pashallarët, konsujt dhe ipeshkvijtë. Ajo shkruhet edhe nga gratë e thjeshta, të cilat, në çastin vendimtar, bëhen më të forta se institucionet që kërkojnë t’i nënshtrojnë.

Rrjedha e çështjes së saj mund të përmblidhet kronologjikisht në këtë mënyrë: Maria lindi në një familje myslimane; me vetëdije të lirë dëshiroi të përqafonte krishterimin; u largua nga familja, mori Pagëzimin dhe u martua në Kishën Katolike; më 26 gusht 1866 u rrëmbye nga shtëpia e familjes Kaçinari; u burgos në kullën e Hiqmet Hoxhës në Cërmjan; u arratis dhe më 2 shtator mbërriti te Arqipeshkvi Bucciarelli në Prizren; më 4 shtator u mor në pyetje para Megjlisit dhe Isintakut; gjatë shtatorit u zhvilluan debatet ndërmjet Arqipeshkvit dhe Nazif Pashës; më pas u mor me forcë dhe u dërgua në Stamboll; atje u vu nën mbrojtjen e përfaqësuesve kishtarë dhe diplomatikë; në maj të vitit 1867 u përgatit kthimi i saj; më 22 qershor u nis nga Stambolli, më 27 qershor arriti në Durrës, më 4 korrik në Tivar, më 5 korrik në Shkodër dhe më pas u shoqërua deri në shtëpi, ku u ribashkua me Mark Llesh Kaçinarin.

Fakti që relacioni e përfundon këtë histori me kthimin e Marisë “në paqe e në dashuri” me burrin e saj ka një kuptim të thellë biblik. Pas natës së frikës, kullës, burgut, detit dhe rrugës së gjatë, ajo kthehet në vatër. Shtëpia që ishte dhunuar bëhet përsëri vend i bashkimit. Martesa që pushteti deshi ta copëtonte mbijeton. Besimi që kërkuan t’ia merrnin mbetet i paprekur.

Kështu, libri “Relacioni Sinoptik” nuk është thjeshtë një raport mbi ngjarjet e viteve 1866–1868. Ai është një dokument i ndërgjegjes së plagosur të një kohe. Në të, Maria Kaçinari përfaqëson personin e pambrojtur që refuzon të tradhtojë vetveten; Mark Lleshi përfaqëson familjen e dëmtuar, por të ribashkuar; Dario Bucciarelli përfaqëson Kishën Katolike që nuk e braktis grigjën; ndërsa procesi i Prizrenit dhe shqyrtimi në Stamboll përfaqësojnë përplasjen e përhershme ndërmjet ligjit të shkruar dhe vullnetit arbitrar të pushtetarit.

Vlera më e madhe e veprës qëndron pikërisht këtu: ajo na kujton se liria fetare nuk është dhuratë e një sunduesi, por e drejtë e lindur e personit njerëzor; se ligji humbet kuptimin kur nuk mbron të dobëtin; dhe se Kisha e përmbush misionin e saj vetëm kur, krahas shpalljes së Ungjillit, bëhet strehë për të përndjekurin, zë për të heshturin dhe mbrojtëse e dinjitetit të çdo njeriu.

Krejt nê fund nga këndvështrimi im meshtarak e përmbyll me një mesazh duke thënë se historia e Maria Kaçinarit dhe qëndrimi baritor i Dario Bucciarellit na mësojnë se besimi i vërtetë nuk imponohet me forcë, por dëshmohet në liri; se ndërgjegjja e njeriut nuk mund të burgoset, edhe kur trupi i tij mbyllet në kullë; dhe se Kisha nuk duhet të heshtë kur cenohet dinjiteti i personit. Kujtimi i kësaj gruaje shqiptare nuk duhet të përdoret për të mbjellë armiqësi ndërmjet njerëzve e besimeve, por për të mbrojtur të drejtën e secilit që ta jetojë fenë e vet pa frikë, pa kërcënim dhe pa dhunë. Vetëm aty ku respektohen ndërgjegjja, familja, feja dhe ligji, mund të ndërtohet një paqe e drejtë, e qëndrueshme dhe e denjë për njeriun.

Më 30 korrik 2026

Konsullata serbe në Shkodër dhe ajo shqiptare në Bujanoc

0

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan

Reciprocitet diplomatik apo interesa të ndryshme? – Ku është Kosova në këtë ekuacion?

Hapja e një konsullate, në pamje të parë, është një veprim normal diplomatik. Shtetet hapin ambasada dhe konsullata për t’u shërbyer qytetarëve të tyre, për të zhvilluar marrëdhënie ekonomike, kulturore e njerëzore dhe për të krijuar kanale më të drejtpërdrejta komunikimi.
Por në Ballkan, ku historia, identiteti kombëtar dhe interesat gjeopolitike ndërthuren vazhdimisht, asnjë veprim diplomatik nuk duhet parë vetëm në sipërfaqe.
Prandaj, lajmi për hapjen e një përfaqësie konsullore serbe në Shkodër dhe paralelisht për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme shqiptare në Bujanoc kërkon një pyetje më të thellë:
A kemi të bëjmë me reciprocitet të vërtetë diplomatik apo me dy veprime që duken të barabarta në formë, por kanë interesa dhe pesha krejt të ndryshme në përmbajtje?

Shkodra dhe Bujanoci nuk janë e njëjta gjë

Nëse një shtet hap konsullatë në një qytet ku jeton një komunitet i konsiderueshëm i shtetasve ose pjesëtarëve të tij, argumenti konsullor është i kuptueshëm.
Por rasti i Shkodrës kërkon sqarime.
Sipas të dhënave të Censit 2023, në qarkun e Shkodrës janë deklaruar 54 persona me përkatësi etnike serbe. Kjo nuk e mohon të drejtën e tyre për shërbime konsullore dhe as të drejtën e Serbisë për të zhvilluar marrëdhënie me Shqipërinë. Por shtron një pyetje të arsyeshme:
A është numri i këtij komuniteti arsyeja kryesore për një konsullatë të përgjithshme, apo pas kësaj zgjedhjeje ekzistojnë edhe interesa të tjera diplomatike, politike, ekonomike apo kulturore?
Kjo pyetje nuk duhet interpretuar si armiqësi ndaj Serbisë.
Përkundrazi, është pjesë e detyrës së çdo shteti serioz: të kuptojë interesat e shtetit tjetër përpara se të vlerësojë një hap diplomatik.
Në anën tjetër, Bujanoci është një realitet krejt tjetër.
Atje jeton një komunitet shqiptar autokton dhe ekzistojnë çështje konkrete që lidhen me arsimin, gjuhën, kulturën, zhvillimin ekonomik, përfaqësimin institucional dhe ruajtjen e identitetit.
Prandaj, konsullata shqiptare në Bujanoc duhet të shihet si shumë më tepër sesa një kundërpeshë ndaj konsullatës serbe në Shkodër.
Ajo duhet të jetë një instrument i politikës shqiptare për lidhjen dhe mbështetjen institucionale të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Por, ekuacionit i mungon një faktor vendimtar – Kosova. Dhe ky është elementi që nuk mund të anashkalohet.
Kosova është pjesa qendrore e këtij ekuacioni.
Nuk mund të flasim për marrëdhënie të reja Shqipëri–Serbi sikur Serbia të mos kishte një problem të pazgjidhur me Kosovën. Serbia ende nuk e njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur. Madje, në maj 2026, ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriq deklaroi qartë se dialogu Beograd–Prishtinë, sipas Serbisë, “nuk është dhe nuk mund të jetë” dialog për njohje reciproke. Ndërkohë, Bashkimi Evropian e përkufizon dialogun Kosovë–Serbi si proces që synon një normalizim gjithëpërfshirës dhe ligjërisht të detyrueshëm, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë me sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e gjithë rajonit.
Kjo do të thotë se problemi Kosovë–Serbi nuk është vetëm çështje bilaterale. Është çështje evropiane, rajonale dhe në mënyrë të veçantë çështje shqiptare.
Nuk mund të ketë marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe presion të vazhdueshëm ndaj Kosovës. Këtu duhet të jemi shumë të qartë. Serbia nuk mund të kërkojë marrëdhënie të mira me Shqipërinë ndërkohë që vazhdon ta trajtojë Kosovën si një çështje për t’u kthyer prapa.
Nuk mund të kërkohet miqësi e thellë me Shqipërinë dhe njëkohësisht të vazhdohet me politikën e mosnjohjes së Kosovës, me kundërshtimin e anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare dhe me retorikë që ushqen pasiguri e tension në raport me Republikën e Kosovës.
Normalizimi i marrëdhënieve me Shqipërinë nuk mund të jetë një proces i shkëputur nga sjellja e Serbisë ndaj Kosovës.
Shqipëria nuk është vetëm Shqipëria brenda kufijve të saj shtetërorë. Ajo ka një përgjegjësi të natyrshme politike, kombëtare dhe morale ndaj Kosovës dhe shqiptarëve kudo që jetojnë.
Kjo nuk do të thotë ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës.
Do të thotë vetëm se interesi strategjik i Shqipërisë është i lidhur pazgjidhshmërisht me sigurinë, stabilitetin dhe shtetësinë e Kosovës.
Serbia duhet ta kuptojë një realitet të ri shqiptar
Sot nuk kemi më realitetin politik të shekullit XIX apo XX.
Ekzistojnë dy shtete shqiptare: Shqipëria dhe Kosova. Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, i njohur nga një numër i madh shtetesh të botës dhe i mbështetur në sigurinë e saj nga partnerët euroatlantikë.
Prandaj, marrëdhëniet e Serbisë me Shqipërinë nuk mund të ndërtohen duke e anashkaluar Kosovën.
Nëse Serbia dëshiron marrëdhënie të mira, bashkëpunim ekonomik, tregti, turizëm, investime dhe lidhje rajonale me Shqipërinë, kjo është në interes edhe të Shqipërisë.
Por bashkëpunimi ekonomik nuk mund të zëvendësojë normalizimin politik.
Mund të kemi ura tregtare, rrugë, energji, investime dhe bashkëpunim ekonomik. Por, duhet të ndërtojmë edhe ura politike dhe të sigurisë. Dhe ura kryesore kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Konsullata në Shkodër nuk duhet të bëhet instrument për një agjendë tjetër.
Shqipëria nuk ka arsye të frikësohet nga prania diplomatike serbe. Por as nuk duhet të jetë naive.
Nëse Serbia dëshiron të ketë prani më të madhe diplomatike, ekonomike dhe kulturore në Shqipëri, ajo duhet të dëshmojë se këtë prani e sheh si urë bashkëpunimi dhe jo si instrument ndikimi politik.
Në mënyrë të veçantë, nuk duhet lejuar që një konsullatë të shndërrohet në qendër të ndonjë narrative që prek historinë, identitetin territorial apo pretendime të vjetra ndaj hapësirave shqiptare.
Shqipëria duhet të jetë e hapur për çdo komunitet, përfshirë edhe serbët. Por, respektimi i pakicave nuk mund të përdoret si mbulesë për interesa shtetërore që shkojnë përtej funksionit normal konsullor.
Nëse Serbia hap konsullatë në Shkodër dhe Shqipëria hap konsullatë në Bujanoc, kjo nuk duhet të shihet si lojë “një me një”. Duhet të jetë një mundësi që Shqipëria ta përdorë në mënyrë strategjike.
Konsullata shqiptare në Bujanoc duhet të jetë aktive në: mbështetjen e arsimit në gjuhën shqipe; ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës shqiptare; forcimin e lidhjeve ekonomike me Shqipërinë dhe Kosovën; mbështetjen e investimeve dhe sipërmarrjes; lidhjet universitare dhe profesionale; mbështetjen e përdorimit institucional të gjuhës shqipe; dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në përputhje me standardet evropiane.
Kështu Shqipëria nuk do të hyjë në një garë nacionaliste me Serbinë.
Do të bëjë diçka shumë më të fuqishme: do të tregojë se politika shqiptare mund të jetë njëkohësisht paqësore, evropiane, konstruktive dhe e vendosur në mbrojtje të interesit të vet.

Kosova nuk duhet të lihet jashtë këtij procesi

Pikërisht këtu kërkohet edhe një koordinim më i madh ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës.
Çështjet që prekin shqiptarët në rajon nuk mund të trajtohen gjithmonë në mënyrë të ndarë.
Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë koordinim strategjik, veçanërisht për çështjet që lidhen me sigurinë, diplomacinë rajonale, Luginën e Preshevës, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian.
Kjo nuk nënkupton krijimin e një politike konfrontuese ndaj Serbisë. Përkundrazi, një Shqipëri dhe Kosovë të koordinuara mirë mund të jenë shumë më të dobishme për paqen në rajon sesa një Shqipëri që negocion veçmas dhe një Kosovë që përballet e vetme me presionet e vazhdueshme serbe.

Serbia duhet të zgjedhë mes dy politikave

Në fund të fundit, Serbia përballet me një zgjedhje të qartë. Mund të vazhdojë me politikën e vjetër: të kërkojë bashkëpunim ekonomik me fqinjët, ndërkohë që vazhdon konfliktin politik me Kosovën, e cila është fakt real i politikës evropiane dhe rajonale. Ose mund të zgjedhë një rrugë tjetër:
normalizimin e vërtetë të marrëdhënieve me Kosovën dhe ndërtimin e marrëdhënieve të reja me Shqipërinë mbi bazën e respektit reciprok.
Kjo do të ishte në interes të të gjithëve. Sepse një Serbi që normalizon marrëdhëniet me Kosovën do të ketë më shumë mundësi për integrim evropian, investime, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal. Një Serbi që vazhdon ta mbajë Kosovën si konflikt të përhershëm politik, ndërkohë që kërkon marrëdhënie të ngushta me Shqipërinë, krijon vetë një kontradiktë që nuk mund të fshihet pas hapjes së konsullatave.
Mesazhi shqiptar duhet të jetë i qartë. Shqipëria nuk duhet t’i thotë Serbisë: “Nuk duam marrëdhënie me ju.” Por, duhet edhe qart t’i thotë: “Duam marrëdhënie të mira me ju, por ato duhet të jenë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë dhe në radhë të parë me Kosovën.”
Shqipëria nuk ka nevojë për konflikt me Serbinë. Nuk ka nevojë as për retorikë nacionaliste. Por, ka nevojë për dinjitet diplomatik, qartësi strategjike dhe reciprocitet real.
Së fundi, konsullatat mund të jenë ura, por Kosova është prova
Hapja e konsullatave mund të jetë një hap pozitiv.
Mund të sjellë më shumë komunikim, më shumë bashkëpunim dhe më shumë kontakte njerëzore.
Por vlera e vërtetë e këtij procesi do të matet jo me tabelat që do të vendosen në Shkodër apo Bujanoc. Por, të matet me atë se si sillet Serbia ndaj Kosovës.
Nëse Serbia dëshiron marrëdhënie të mira me Shqipërinë, duhet ta kuptojë se nuk mund të ketë një politikë të dyfishtë: miqësi dhe bashkëpunim me Shqipërinë, ndërsa ndaj Kosovës vazhdon presioni politik, mosnjohje dhe retorika konfrontuese.
Nëse Serbia dëshiron të afrohet me Shqipërinë, rruga më e mirë për këtë kalon edhe nga Prishtina.
Nëse dëshiron të fitojë besimin e shqiptarëve, duhet të dëshmojë se e respekton Kosovën si realitet politik dhe se është e gatshme për një normalizim të vërtetë dhe të qëndrueshëm.
Dhe Shqipëria duhet të jetë e qartë: Marrëdhënie të mira me Serbinë – po. Bashkëpunim ekonomik e rajonal – po. Dialog dhe fqinjësi të mirë – po. Por, jo duke e anashkaluar Kosovën.
Sepse paqja në Ballkan nuk mund të ndërtohet duke e izoluar Kosovën nga ekuacioni.
Dhe pikërisht këtu qëndron edhe mesazhi më i fuqishëm që Shqipëria mund t’i japë Serbisë:
Nëse dëshiron marrëdhënie të mira me shqiptarët, ndërto marrëdhënie të mira edhe me Kosovën.
Nëse dëshiron një Ballkan të qëndrueshëm, mos e kërcëno Kosovën.
Nëse dëshiron të afrohesh me Evropën, normalizo marrëdhëniet me fqinjët.
Konsullatat mund të hapin dyer.
Por, vetëm respekti reciprok mund t’i mbajë ato të hapura.

Më 31 korrik 2026

Nëse lajmi është i vërtetë për “konsullatën e Serbisë në Shkodër”, Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha nuk duhet të qëndrojë më në zyrë!

0
Nëse lajmi i bërë publik nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, është i vërtetë dhe Shqipëria ka rënë dakord për hapjen e një Konsullate të Serbisë në Shkodër, atëherë Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha nuk duhet të qëndrojë më asnjë ditë në zyrë!
Kjo nuk është një çështje teknike. Është një vendim me pasoja politike, diplomatike dhe strategjike për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin.
Hapja e një konsullate justifikohet kur ekziston një komunitet i konsiderueshëm që ka nevojë për shërbime konsullore ose kur marrëdhëniet kërkojnë prani shtesë diplomatike. Asnjë nga këto kushte nuk ekziston në Shkodër.
Censi 2023 e tregon qartë: në qarkun Shkodër janë vetëm 54 shtetas të vetëdeklaruar serbë. Ndërkohë, në Luginën e Preshevës jetojnë dhjetëra mijëra shqiptarë që përballen prej vitesh me diskriminim dhe mohim të të drejtave.
Vetëm pak ditë më parë, ministra serbë rikthyen retorikën për “spastrimin etnik” në Kosovë. Ministri Ferit Hoxha nuk e dënoi publikisht këtë gjuhë, ndërsa tani mësojmë nga Beogradi se në të njëjtin takim qenka diskutuar, në parim, hapja e konsullatave.
Ministri Hoxha duhet t’u përgjigjet shqiptarëve:
• A është arritur një dakordësi e tillë?
• Kush e ka autorizuar?
• Cili është interesi i Shqipërisë?
• Çfarë përfiton vendi ynë nga një konsullatë serbe në Shkodër?
Ministri Ferit Hoxha duhet të dalë urgjentisht para opinionit publik dhe të sqarojë çfarë është diskutuar, çfarë është dakordësuar dhe mbi çfarë baze është marrë një vendim kaq i rëndësishëm.

“Lufta” – një roman që i jep zë kujtesës dhe dinjitetit njerëzor

0

Adem Lushaj, Deçan

Në kuadër të aktiviteteve kulturore të Javës së Diasporës, në Deçan u promovua romani “LUFTA” i autores Leonora Lokaj, një vepër që trajton me ndjeshmëri një nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë – dhunën seksuale ndaj grave shqiptare gjatë viteve 1998–1999.

Ky roman nuk është vetëm një rrëfim letrar për luftën. Ai është një dëshmi artistike që depërton në dramën njerëzore, duke sjellë para lexuesit dhimbjen, qëndresën dhe shpresën. Përmes personazhit të Erës, autorja ndërton historinë e një gruaje që përjeton një nga format më të rënda të dhunës, por që nuk dorëzohet. Ajo sfidon plagët e së kaluarës, e mposht stigmën dhe rikthen dinjitetin e saj, duke dëshmuar se forca e njeriut mund të triumfojë edhe mbi tragjeditë më të mëdha.

Vlera e romanit qëndron në faktin se ai nuk e trajton dhunën si qëllim në vetvete. Përkundrazi, ajo shërben si sfond për të nxjerrë në pah qëndresën njerëzore dhe fuqinë e jetës. Mesazhi që përcillet është i qartë: e keqja mund ta plagosë njeriun, por nuk mund ta mposhtë vullnetin e tij për të jetuar dhe për të shpresuar.

Për lexuesin deçanas dhe kosovar, kjo temë ka një peshë të veçantë. Deçani ishte ndër komunat që përjetoi krime të rënda gjatë luftës, përfshirë edhe dhunën seksuale ndaj grave shqiptare. Prandaj, romani “LUFTA” nuk është vetëm një krijim artistik, por edhe një kontribut në ruajtjen e kujtesës historike dhe në nderimin e viktimave të kësaj tragjedie.

Vepra fiton një dimension edhe më të thellë nga fakti se autorja Leonora Lokaj e ka përjetuar vetë luftën. Përvoja personale, e ndërthurur me talentin letrar, e bën rrëfimin të sinqertë, të besueshëm dhe emocionalisht të fuqishëm. Ajo nuk shkruan vetëm për të treguar një histori, por për të ruajtur kujtesën dhe për t’u dhënë zë atyre që për shumë kohë kanë heshtur.

Në një kohë kur brezat e rinj po largohen gjithnjë e më shumë nga përjetimet e luftës, letërsia mbetet një nga format më të fuqishme për ta ruajtur të vërtetën historike. Romane si “LUFTA” nuk ushqejnë urrejtjen; ato kultivojnë kujtesën, ndërgjegjen dhe respektin për dinjitetin njerëzor. Ato na kujtojnë se paqja nuk ndërtohet mbi harresën, por mbi të vërtetën, drejtësinë dhe kujtesën.

Pikërisht për këtë arsye, “LUFTA” meriton të lexohet gjerësisht. Është një roman që tejkalon kufijtë e letërsisë artistike dhe shndërrohet në një akt kujtese, një homazh për gratë e mbijetuara të dhunës seksuale dhe një thirrje që plagët e historisë të mos mbulohen kurrë me heshtje.

Leonora Lokaj ka sjellë një vepër të guximshme, të ndjerë dhe me vlera të veçanta letrare e njerëzore. Me këtë roman, ajo i shton letërsisë sonë një zë që nuk flet vetëm për të kaluarën, por edhe për përgjegjësinë që kemi për ta ruajtur kujtesën dhe për ta mbrojtur dinjitetin njerëzor.

____

Video nga promovimi:

(4) Facebook

Gjurmët e krishterimit të hershëm në territorin e Vushtrrisë

0

Dedë Palokaj, Prishtinë

Kishat Paleokristiane dhe gjurmët e krishterimit të hershëm në territorin e Vushtrrisë

Territori i Vushtrrisë (Vicianumi antik) përbën një hapësirë me rëndësi të veçantë për studimin e zhvillimeve historike, urbane dhe fetare gjatë periudhës romake dhe të Antikitetit të Vonë. Pozita e saj gjeografike, pranë rrugëve të rëndësishme të komunikimit të Dardanisë antike, ndikoi në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe fetar të kësaj treve.

Pas legalizimit të krishterimit me Ediktin e Milanos në vitin 313, feja e krishterë filloi të përhapej me shpejtësi në provincën e Dardanisë. Gjatë shekujve IV–VI, në qendrat urbane dhe rurale të kësaj hapësire u ndërtuan objekte kulti të krishterë, veçanërisht bazilika paleokristiane, të cilat dëshmojnë për organizimin kishtar dhe përhapjen e besimit të ri.

Në territorin e sotëm të Komunës së Vushtrrisë janë evidentuar disa lokalitete me materiale arkeologjike të periudhës romake dhe të Antikitetit të Vonë. Megjithatë, nga pikëpamja shkencore duhet bërë dallimi ndërmjet lokaliteteve ku janë dokumentuar drejtpërdrejt objekte kishtare dhe atyre ku ekzistojnë vetëm indikacione ose tradita për praninë e mundshme të një objekti të krishterë.

1. Vicianum (Vushtrri)

Periudha: Shekujt IV–VI (Antikiteti i Vonë)

Vicianumi ishte një qendër e rëndësishme urbane e periudhës romake në Dardani dhe vazhdoi jetën edhe gjatë Antikitetit të Vonë. Në këtë lokalitet janë evidentuar gjurmë të ndërtimeve urbane, materiale ndërtimore, fragmente arkitektonike, qeramikë dhe monedha që dëshmojnë vazhdimësinë e jetës në shekujt IV–VI.

Prania e krishterimit të hershëm në Vicianum lidhet me zhvillimin e përgjithshëm të komuniteteve të krishtera në qytetet e Dardanisë. Edhe pse deri tani nuk është dokumentuar plotësisht një bazilikë paleokristiane përmes gërmimeve sistematike, karakteri urban i lokalitetit dhe gjetjet arkeologjike e bëjnë atë një pikë të rëndësishme për studimin e historisë së krishterimit të hershëm në këtë trevë.

Statusi: Qendër urbane e Antikitetit të Vonë me rëndësi të madhe historike; nevojiten kërkime të mëtejshme për identifikimin e mundshëm të objekteve kishtare.

2. Pestovë

Koordinatat afërsisht: 42.84° N, 20.95° E
Periudha: Shekujt IV–VI

Pestova paraqet një nga lokalitetet më të rëndësishme arkeologjike të territorit të Vushtrrisë për periudhën romake dhe të Antikitetit të Vonë. Në këtë zonë janë evidentuar materiale arkeologjike, fragmente ndërtimore dhe dëshmi të një vendbanimi të zhvilluar gjatë periudhës së vonë romake.

Ekzistojnë indikacione që mund të lidhen me praninë e një objekti kulti të krishterë, por deri tani mungojnë të dhëna të plota arkeologjike që do të dëshmonin një bazilikë paleokristiane të gërmuar dhe të dokumentuar.

Statusi: Lokalitet me rëndësi të lartë arkeologjike; kërkon hulumtime të mëtejshme.

3. Samadrexhë

Pozita: Fshati Samadrexhë, Komuna e Vushtrrisë
Periudha: Antikiteti i Vonë

Në territorin e Samadrexhës janë evidentuar materiale arkeologjike të periudhës romake dhe të Antikitetit të Vonë. Gjetjet sipërfaqësore dëshmojnë vazhdimësi banimi dhe aktivitet ekonomik gjatë kësaj periudhe.

Deri tani nuk janë zhvilluar gërmime sistematike që do të mundësonin identifikimin e sigurt të një bazilike ose kishe paleokristiane.

4. Lumadh

Pozita: Fshati Lumadh, Komuna e Vushtrrisë
Periudha: Shekujt IV–VI

Në këtë lokalitet janë evidentuar materiale arkeologjike që lidhen me periudhën e vonë romake dhe bizantine. Megjithatë, mungojnë të dhëna të mjaftueshme për identifikimin e një objekti të sigurt kishtar.

Statusi: Lokalitet me potencial për kërkime të ardhshme arkeologjike.

5. Zogaj – Gjurmë të mundshme të një objekti të vjetër kishtar

Pozita: Fshati Zogaj, Komuna e Vushtrrisë
Periudha e mundshme: Mesjeta e hershme ose Mesjeta (datimi i pasigurt)

Fshati Zogaj në pronën e Gjergj Musës paraqet një lokalitet me interes për studimin e trashëgimisë së krishterë në territorin e Vushtrrisë, për shkak të dëshmive lokale dhe gjurmëve të raportuara për ekzistencën e një objekti të vjetër kishtar.

Sipas traditës së banorëve vendas, në afërsi të fshatit kanë ekzistuar gjurmë themelesh të një kishe të vjetër. Ky lokalitet ka tërhequr vëmendjen edhe të studiuesve të trashëgimisë kulturore. Sipas dëshmive lokale, në vitin 1982 një grup arkeologësh nga Kroacia e kishte vizituar këtë vend me qëllim të evidentimit dhe vlerësimit të gjurmëve të objektit, themelet e të cilit ndodheshin rreth 100 metra larg një shtëpie familjare.

Gjatë hulumtimeve të mia në terren, si autor i këtij studimi, kam bërë verifikimin e lokalitetit në fjalë dhe kam mbledhur të dhëna plotësuese që përforcojnë ekzistencën e gjurmëve të këtij objekti të vjetër kishtar. Këto të dhëna, të ndërthurura me dëshmitë lokale dhe vëzhgimet arkeologjike në terren, e vendosin këtë lokalitet në kuadër të studimeve mbi trashëgiminë e krishterë në territorin e Vushtrrisë.

Megjithatë, deri tani nuk janë zhvilluar gërmime sistematike arkeologjike dhe mungojnë të dhëna të dokumentuara shkencore, si planimetria e objektit, elemente arkitekturore, mbishkrime, mozaikë ose materiale datuese, që do të mundësonin përcaktimin e saktë të periudhës së ndërtimit.

Për këtë arsye, Zogaji nuk mund të klasifikohet aktualisht si bazilikë paleokristiane e shekujve IV–VI, por duhet të konsiderohet si lokalitet me indikacione për ekzistencën e një objekti të vjetër kishtar, i cili meriton hulumtim të mëtejshëm arkeologjik. Statusi: Lokalitet me traditë dhe indikacione për objekt kishtar; datimi dhe karakteri i objektit mbeten të pakonfirmuara

Dëshmitë arkeologjike dhe historike tregojnë se territori i Vushtrrisë ishte pjesë e zhvillimeve të rëndësishme të krishterimit të hershëm në Dardani. Qendrat urbane dhe vendbanimet rurale të kësaj treve ishin të përfshira në procesin e përhapjes së krishterimit gjatë shekujve IV–VI dhe në periudhat pasuese mesjetare.

Tabela në vijim paraqet lokalitetet kryesore, periudhën kronologjike, koordinatat e përafërta dhe karakteristikat kryesore arkeologjike.

Lokaliteti Periudha Koordinatat (afërsisht) Përshkrimi
Llumkuq Antikiteti i Vonë (shek. IV–VI) 42.832° N, 20.942° E Janë identifikuar mbetje të një bazilike paleokristiane me materiale ndërtimore romake të ripërdorura. Lokalitet me rëndësi për organizimin kishtar të Dardanisë.
Pestovë Antikiteti i Vonë 42.846° N, 20.990° E Janë evidentuar gjurmë të një vile romake dhe materiale që tregojnë vazhdimësi banimi në periudhën paleokristiane; mendohet se ka ekzistuar një objekt kulti në afërsi.
Dobërllukë Antikiteti i Vonë 42.873° N, 20.948° E Lokalitet romak dhe i antikitetit të vonë. Janë gjetur fragmente arkitekturore dhe materiale që lidhen me praninë e një qendre të krishterë.
Mirash Antikiteti i Vonë 42.862° N, 20.975° E Vendbanim romak me vazhdimësi në shek. IV–VI. Materiali arkeologjik tregon ndikim të kulturës paleokristiane.
Zhilivodë Antikiteti i Vonë 42.909° N, 20.995° E Vendbanim i madh i antikitetit të vonë. Janë gjetur fragmente ndërtimore dhe qeramikë që lidhen me periudhën e krishterimit të hershëm.
Samadrexhë Mesjetë 42.858° N, 20.918° E Lokalitet me shtresa parahistorike dhe mesjetare. Ka dëshmi për një kompleks mesjetar ku mendohet të ketë ekzistuar edhe objekt kulti.
Zogaj (Prona e Gjergj Musës) Antikiteti i Vonë / Mesjetë (me dëshmi të traditës lokale) (koordinatat duhen verifikuar në terren) Lokalitet me interes për studimin e trashëgimisë së krishterë në territorin e Vushtrrisë. Sipas traditës së banorëve vendas, në këtë zonë kanë ekzistuar gjurmë themelesh të një kishe të vjetër. Lokaliteti është përmendur si vend me interes edhe nga studiues të trashëgimisë kulturore, ndërsa nevojiten hulumtime të mëtejshme arkeologjike për përcaktimin e periudhës dhe karakterit të objektit kishtar.

 

Lokaliteti Periudha Koordinatat (afërsisht) Përshkrimi

 

Vushtrria (zona e qytetit të vjetër – Viciana) Antikiteti i Vonë (shek. IV–VI) / Mesjetë 42.823° N, 20.967° E Qendër urbane me vazhdimësi nga periudha romake deri në mesjetë. Prania e elementeve romake dhe paleokristiane në territorin urban sugjeron mundësi të ekzistencës së objekteve të kultit të periudhës së krishterimit të hershëm, megjithëse nuk është identifikuar deri tani një bazilikë e gërmuar plotësisht.

 

Stanoc i Epërm Antikiteti i Vonë 42.820° N, 20.900° E Zonë me gjurmë të vendbanimeve romake dhe të antikitetit të vonë. Materialet ndërtimore dhe qeramika e periudhës sugjerojnë vazhdimësi të jetës komunitare, ku nuk përjashtohet prania e një objekti të vogël kulti.

 

Stanoc i Poshtëm Antikiteti i Vonë / Mesjetë e Hershme 42.810° N, 20.930° E Lokalitet me dëshmi të banimit të hershëm. Nevojiten hulumtime më të detajuara për të përcaktuar nëse ka pasur objekt kishtar.

 

Sllakoc i Madh / Sllakoc i Vogël Antikiteti i Vonë / Mesjetë rreth 42.87° N, 20.90° E Zonë me gjurmë të vendbanimeve të vjetra dhe materiale ndërtimore të shpërndara. Tradita lokale dhe gjetjet sipërfaqësore lidhen me vazhdimësinë e jetës së krishterë në periudhën mesjetare.

 

Banjskë (zona e manastirit dhe rrethinës) Mesjetë (shek. XIV), me shtresa më të hershme të mundshme 42.99° N, 20.89° E Një nga qendrat më të rëndësishme kishtare mesjetare pranë territorit të Vushtrrisë. Kompleksi i manastirit të Banjskës dëshmon zhvillimin e arkitekturës sakrale serbe të mesjetës së vonë, ndërsa zona ka rëndësi edhe për studimin e vazhdimësisë së traditës së krishterë.

 

Gojbulë Antikiteti i Vonë / Mesjetë rreth 42.90° N, 20.96° E Lokalitet me potencial arkeologjik për studimin e vendbanimeve të vona romake dhe mesjetare. Gjurmët sipërfaqësore kërkojnë hulumtim për identifikimin e mundshëm të objekteve të kultit.

 

Bibliografi orientuese

  1. Instituti Arkeologjik i Kosovës, Guide to Archaeological Sites of Kosovo.
  2. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Trashëgimia Arkeologjike e Kosovës.
  3. Haxhi Mehmetaj – studime mbi arkeologjinë dhe Antikitetin e Vonë në Kosovë.
  4. Milot Berisha – punime mbi lokalitetet arkeologjike të Kosovës.
  5. Dokumentet e trashëgimisë kulturore të Komunës së Vushtrrisë.
  6. CHwB/IPH – studime mbi trashëgiminë kulturore të Vushtrrisë.

Lamtumirë Rugovë, lamtumirë LDK!

0

Florim Zeqa

Ka vite dhe dekada që tri shkronjat e arta-LDK ofshajnë: ofë, ofë, ofë, ufa, ufa, ufa, wau, wau, wau nga dhunimi i hamshorëve që pamëshirshëm e shkërdhyen LDK-në post-Rugoviane!

Sikur të flisnin shkronjat

Sikur të flisnin shkronjat, sot do të piskatnin në kupë të qiellit:”Mjaftë më, boll na shkërdhyet për së vdekuri”!

Sërish vazhdojnë ankimin tri shkronjat LDK: “Po qysh nuk po merrni vesh o të mjerë se edhe Ne bashkë me Rugovën kemi ikur në përjetësi 20 vite më parë!

Prandaj, edhe unë sot po flas me gjuhën e shkronjave:

Homazh me shkronjat e shpirtit për LDK-në Rugoviane

Sa fortë po më dhëmb shpirti që nuk munda të marr pjesë në funeralin tënd!

Ngase, nga të gjitha anët isha i bllokuar nga yryshnikët e pushtetit dhe sundimtarët e LDK-së post-Rugoviane, të cilët i fashitën tri shkronjat e arta ‘Tre Pash nën Dhe’!

Ndjesë dashuria (partia) ime e parë dhe e vetme e jetës time që nuk munda të të nxjerrë nga duart e uzurpatorëve dhe kthetrat e varremihësve kobëzi!

Ndjesë miq dhe mbështetës besnik në qëllimin fisnik për ringritjen e LDK-së!

Turpi i mbuloftë miqtë e rremë që heshtën dhe ata që më kundërshtuan në misionin fisnik!

Lavdi LDK-së Rugoviane (23 dhjetor 1989-21 janar 2006), varrosur me 31 maj 2015-të nga Isa Mustafa me sejmenët e tij, zhdukur nga faqja e dheut nga Lumir Abdixhiku dhe klanorët e tjerë më 30 korrik 2026!

Ata (ato), delegatët që me votën (shpirtin) e tyre të shitur e varrosën përfundimisht frymën rugoviane në këtë subjekt emblematik të historisë së lavdishme 17 vjeqare të shqiptarëve të Kosovës do të mbetën faqe e zezë e historisë!

Kot kemi humbur kohë që 20 vite rresht duke shpresuar, nuk ka më frymë rugoviane në LDK!

Me vdekjen e liderit shpirtëror, hyjnorit Rugovë, është dashur të shpallet e vdekur edhe LDK-ja!

“Janë këto fjalë të idhëta, por të vërteta…”, kishte thënë rapsodi popullor pas vdekjes së presidentit historik Ibrahim Rugova, por akoma më të idhëta dhe më të rënda po më duken sot fjalët, kur po i themë Lamtumirë Rugovës, lamtumirë LDK-së!

LDK-ja rugoviane dhe Rugova për shqiptarët mbetën dy simbole të shenjta të historisë së lavdishme kombëtare, të papërseritshme, të paharruara dhe të pashlyerara në kujtesën historike të brezave.

Deri me 30 korrik të këtij viti jam angazhuar me tërë qenjën fizike dhe shpirtërore për shpëtuar atë pak frymë rugoviane që kishte mbetur në këtë parti, por kot, ngase varrëmihësit e saj ishin të shumtë dhe të fuqishëm kundrejt mbrojtësve të pakt dhe të pafuqishëm të kësaj fryme në LDK!

Tani e tutje ky subjekt mund të ndërroj edhe emrin e subjektit, mund te quhet si të donë shumica e klanorëve (“Lidhja e re” apo “Rruga e re”), pasi më nuk e mbanë targën rugoviane.

Uzurpatorët, puçistët, zvarranikët, kapësit, shpërdoruesit dhe rrënuesit e këtij subjekti do ta bartin targën e turpit dhe të tradhëtisë ndaj elektoratit besnik të frymës rugoviane! Brez pas brezi do të kujtohen si shkatërrues dhe rrënues të një trashëgime me vlerë kombëtare.

Vazhdoni t’i shkërdheni tri shkronjat “LDK”, por jo edhe mundin tim!

Nga kjo “LDK” do të ikte edhe Ibrahim Rugova

Në fund të këtij shkrimi memorial, ju drejtohem të gjithë simpatizantëve dhe mbështetësve besnik: “Faleminderit për respektin dhe mbështetjen e sinqertë që e treguat ndaj meje, por unë me dhëmbje shpirtërore dhe zemër të thyer më duhet t’ju informoj, si më poshtë: “Unë Florim Zeqa pas 37 vjetësh veprimtarie të pandalshme, nga sot, ditë e enjtë, 30.07.2026, nuk jam më anëtarë i LDK-së”!

Asnjëherë dhe në asnjë kohë nuk kam vrapuar pas posteve e privilegjeve, por kam vrapuar pa u ndalur edhe në kohërat më të vështira për interesat e popullit dhe vendit tim të shenjt.

Shpallja e kandidaturës time për kryetar nga fillimjanari i këtij viti ishte përpjekja e fundit për ta shpëtuar LDK-në, ishte qëllimi im fisnik për ta nxjerrur LDK-në nga kthetrat e uzurpatorëve dhe klanorëve morbid!

Kjo që ka mbetë, nuk është LDK, këto janë vetëm klane mafioze dhe grupe të interesit, pjesë e të cilave nuk kam qenë dhe as që do të bëhem ndonjëherë!

Nga sot e tutje do të mbetëm vetëm ushtarë besnik i atdheut dhe gardian i interesave të bashkatdhetarëve (mërgimtarëve) kudo që ndodhen ata, në Kosovë apo në vendet evro-perëndimore!

Lamtumirë Rugovë!

Lamtumirë LDK!

Florim Zeqa-veprimtarë i orëve të para, ish kandidat për kryetar të LDK-së!

Nga tani e tutje, gazetarë dhe analist i pavarur politik!

Orsago (Itali), 30.07.2026