Kreu Blog Faqe 64

A merr vesh Vuçiqi përmes reagimit shumë të butë të BE-së?

0

Gani I. Mehmeti

Mund të themi se ishte një reagim vetëm sa për të thënë. Edhe aq më shumë, kur ky reagim bëhet katër ditë pas deklaratës së Vuçiqit, i cili duke kërkuar nga ushtarët e rinj të tij për “mbrojtjen” e Kosovës, bën haptas kërcënim me luftë ndaj Kosovës.

BE-ja, duke u kujtuar që të bënte këtë reagim apo jo, u lajmërua pas plot katër ditësh. Edhe këtu, vetëm sa i kujton dialogun, përmes së cilës do të arrihet normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë, deri Serbia nuk është fare e interesuar as për BE, as për dialog e as për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ky farë dialogu ka zanafillën prej vitit 2011, pra 15 vite më përpara dhe vazhdimisht u është bërë thirrje Serbisë e Kosovës për normalizim të marrëdhënieve, por këtë normalizim Serbia ia ka kthyer mbrapsht BE-së, menjëherë pas Marrëveshjes së Ohrit, përmes letrës së Bërnabiqit, ndaj së cilës BE kurrë nuk ka reaguar.

Vetë teksti i reagimit të BE-së ishte sikur të ishin marrë vesh me Vuçiqin se si të reagohet. Pra të shkruhet vetëm rreth dialogut, i cili, me sa duket nuk ka dialog, dhe nuk do të duhej të kishte fare dialog, deri sa Serbia e mban në Kushtetutën e saj Kosovën si pjesë të sajë. Më parë do duhej ta hiqte nga kushtetuta, ta njihte Pavarësinë e Kosovës  e mëpastaj të flitej, të bisedohej vetëm për marrëdhëniet ndërshtetërore, jo rreth diçka tjetër.

Kështu, deri sa Kosova kërcënohet nga Serbia, nuk di se do të ketë kuptim edhe dialogu, sepse nuk do të ketë asnjë sukses.

Reagimi do duhej të ishte i ashpër nga BE, duke i kujtuar edhe ndërmarrjen e amsave ndaj saj, duke i vënë kushte  nëse vazhdon kështu, e jo të përkëdhelet me një reagim sa për të thënë.

At Pjetër Meshkalla, ndërgjegja e lirë që sfidoi diktaturen komuniste

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me publicistin Frank Shkreli - Politika
Nga Frank Shkreli
____
Në historinë e Shqipërisë së shekullit XX ka figura që nuk maten me postet që mbajtën, as me pushtetin që ushtruan, por me forcën morale me të cilën mbrojtën të vërtetën. Ata u bënë ndërgjegjja e një kombi në kohët kur ndërgjegjja kërkohej të heshtte. Një prej këtyre figurave është At Pjetër Meshkalla, jezuiti, edukatori, intelektuali dhe i burgosuri i ndërgjegjes, i cili mbeti i palëkundur përballë një prej diktaturave më të egra komuniste të Evropës.
Në 38-vjetorin e kalimit të tij në amshim, kujtimi i At Pjetër Meshkallës nuk është vetëm një akt nderimi për një meshtar të shquar të Kishës Katolike Shqiptare. Ai është një detyrim moral për të kujtuar një shqiptar që e mbrojti lirinë e ndërgjegjes kur ajo ishte shpallur armike e shtetit dhe që dëshmoi me jetën e tij se asnjë regjim nuk mund ta nënshtrojë shpirtin e lirë të njeriut.  I lindur në Shkodër më 26 shtator 1901, At Pjetër Meshkalla u formua në traditën intelektuale të Urdhrit Jezuit, duke kryer studimet në Austri, në Itali dhe në Slloveni. Ai u kthye në Shqipëri me bindjen se arsimi ishte themeli i qytetërimit dhe se edukimi i brezave ishte shërbimi më i madh ndaj kombit. Për nxënësit e tij, ai ishte më shumë se profesor: ishte formues i karakterit, që i mësonte të mendonin lirshëm, të kërkonin të vërtetën dhe të mbronin dinjitetin njerëzor.  Ky formim humanist dhe evropian e bëri të papajtueshëm me çdo ideologji totalitare, përfshir atë komuniste. Ashtu siç kishte kundërshtuar fashizmin, ai nuk mund të pranonte as komunizmin, i cili synonte të nënshtronte jo vetëm institucionet, por edhe mendimin dhe ndërgjegjen e njeriut. Për këtë arsye At Pjetër Meshkalla u arrestua në vitin 1946 dhe kaloi shumë vite në burgjet dhe kampet e regjimit komunist. Por burgu nuk e ndryshoi. Përkundrazi, ai e forcoi. Bashkëvuajtësit e kujtojnë jezuitin shqiptar si një njeri të qetë, me humor të hollë, të mbushur me besim dhe shpresë. Në qelitë e errëta ai vazhdoi të ishte mësues, duke u dhënë kurajë të burgosurve dhe duke u kujtuar se e keqja nuk është kurrë e përjetshme.
Në veprën monumentale “Rrno vetëm për me tregue”, At Zef Pllumi e përshkruan At Pjetër Meshkallën si një ndër figurat më fisnike të klerit katolik shqiptar, një njeri me kulturë të gjerë, urti të rrallë dhe qetësi shpirtërore të jashtëzakonshme. Për At Zef Pllumin, Meshkalla ishte një mësues edhe në burg, sepse predikonte me shembullin e jetës së tij dhe jo vetëm me fjalë.   Frank Shkreli: Porosia e At Zef Pllumit në 100-vjetorin e lindjes drejtuar intelektualëve dhe klasës politike shqiptare: Dashuria për njëri tjetrin dhe progresi i kombit | Gazeta Telegraf
Kulmi i qëndresës qytetare të At Meshkallës erdhi në vitin 1967, kur regjimi komunist ndërmori fushatën barbare për zhdukjen e fesë në Shqipëri, duke mbyllur e shkatërruar kishat, xhamitë dhe teqetë, ndërsa vendi u shpall, “shteti i parë ateist në botë”, duke i shpallur luftë edhe Zotit.  Frank Shkreli: Shkurti 1967, krimi që ende nuk quhet krim | Gazeta Telegraf
Në atë atmosferë terrori, At Pjetër Meshkalla ndërmori një akt që edhe sot mbetet ndër më të guximshmit në historinë moderne shqiptare.  Ai i dërgoi kryeministrit komunsit të asaj kohe, Mehmet Shehut një promemorie, ku kundërshtonte hapur dhunën ndaj fesë dhe shkeljen e lirisë së ndërgjegjes. Argumenti i tij ishte i qartë: shteti mund të ushtrojë forcë mbi trupin e njeriut, por nuk mund të sundojë ndërgjegjen e tij. Besimi nuk zhduket me dekrete, me propagandë apo me burgime. Ai e dinte se kjo letër do ta kthente sërish në burg. Megjithatë nuk e tërhoqi. Për të, heshtja përballë padrejtësisë do të ishte bashkëfajësi. Regjimi reagoi siç pritej: At Meshkalla u arrestua përsëri dhe u dënua me vite të tjera burgimi.  Promemorja e vitit 1967 mbetet edhe sot një nga dokumentet më të rëndësishme të rezistencës morale shqiptare ndaj totalitarizmit. Ajo nuk ishte një mbrojtje e privilegjeve të Kishës, por një mbrojtje e një të drejte universale: lirisë së ndërgjegjes. Në këtë kuptim, At Pjetër Meshkalla ishte jo vetëm një meshtar i madh, por edhe një nga mbrojtësit më të hershëm shqiptarë të të drejtave themelore të njeriut.
At Pjetër Mëshkalla i përket atij brezi të jashtëzakonshëm të klerikëve dhe intelektualëve shqiptarë, siç janë – Imzot Vinçenc Prennushi   Frank Shkreli: 70-vjet më parë ndërroi jetë nën tortura – Bariu i katolikëve dhe Engjëlli i myslimanëve | Gazeta Telegraf), At Gjon Shllaku, At Bernardin Palaj, Dom Shtjefën Kurti, (Frank Shkreli: “Fajtori” i pafajshëm! 50-vjetori i ekzekutimit të Dom Shtjefën Kurtit nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf )At Zef Pllumi e shumë të tjerë – që nuk pranuan ta sakrifikonin të vërtetën për hir të pushtetit. Në të njëjtën traditë kulturore dhe evropiane qëndrojnë, ndër të tjerë, edhe Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, të cilët, secili në mënyrën e vet, mbrojtën identitetin kulturor e kombëtar të shqiptarëve dhe për këtë u përballën me shpifje, (madje deri në ditët e sotëme), përndjekje ose mërgim. Këta burra nuk i bashkonte ideologjia; i bashkonte një ideal më i lartë: bindja se Shqipëria i përket qytetërimit perëndimor, se liria e mendimit është e shenjtë dhe se kultura nuk mund të ndërtohet mbi frikën.
At Pjetër Meshkalla ndërroi jetë më 28 korrik 1988, vetëm dy vjet para shembjes së regjimit që e kishte burgosur për një pjesë të madhe të jetës. Ai nuk e pa me sytë e tij rikthimin e lirisë fetare dhe pluralizmit politik, por jetoi mjaftueshëm për të dëshmuar se asnjë diktaturë nuk është e përjetshme.  Sot, kur shpresojmëp që Shqipëria të bëhet pjesë e botës demokratike dhe të forcojë institucionet e saj mbi vlerat e shtetit të së drejtës, figura e At Pjetër Meshkallës merr një domethënie edhe më të madhe. Kujtesa për ‘të nuk duhet të mbetet vetëm një ceremoni përkujtimore. Ajo duhet të shërbejë si kujtesë se liria nuk është e garantuar përgjithmonë, se demokracia kërkon qytetarë me ndërgjegje të lirë dhe se pajtimi me historinë është i mundur vetëm mbi themelin e së vërtetës.
Sot, në një kohë kur relativizmi moral dhe harresa historike rrezikojnë të zbehin kujtesën e brezave, jeta e At Pjetër Meshkallës mbetet një testament i gjallë. Ajo na kujton se njeriu mund të humbasë lirinë fizike, por jo domosdoshmërisht lirinë e ndërgjegjes; se besimi mund të përndiqet, por jo të zhduket; dhe se e vërteta mund të vonojë, por nuk mund të mposhtet.  Ky është mësimi që na lë At Pjetër Meshkalla sot. Nuk është vetëm mësimi i një meshtari katolik, por i një shqiptari të madh që e deshi vendin e tij aq shumë, sa ishte i gatshëm të vuante për të drejtën e çdo njeriu për të qenë i lirë.  Në këtë 38-vjetor të kalimit të tij në amshim, homazhi më i bukur nuk është vetëm ta kujtojmë. Është të mbrojmë ato vlera për të cilat ai vuajti: lirinë e ndërgjegjes, dinjitetin njerëzor, tolerancën, besimin dhe demokracinë e vërtetë. Ky shkrim modest është një homazh për një njeri që nuk e ndau kurrë fenë nga dashuria për Atdheun dhe nuk e ndau kurrë besimin nga mbrojtja e dinjitetit njerëzor. Njëkohsisht, për ata që interesohen, është një ftesë për brezat e sotëm që të njohin një nga personalitetet më fisnike të historisë shqiptare dhe të kuptojnë se liria, demokracia dhe të drejtat e njeriut kanë pasur mbrojtës të guximshëm të vlerave njerëzore dhe kombëtare edhe në vitet më të errëta të diktaturës komuniste.  Prandaj, në përvjetorin e kalimit të tij në amshim, nderojmë At Pjetër Meshkallën me bindjen se shembulli i tij vazhdon të ndriçojë rrugën e Shqipërisë drejt një të ardhmeje të mbështetur mbi të Vërtetën, Lirinë, Demokracinë dhe Dinjitetin Njerëzor.
 
Kjo është arsyeja pse emri i tij nuk i përket vetëm historisë së Kishës Katolike Shqiptare. At Pjetër Meshkalla i përket historisë së Shqipërisë!  Frank Shkreli*: Harmonia fetare në shkollën jezuite,“Atë Pjetër Meshkalla” në Shkodër | Gazeta Telegraf

Surpriza ka ardhur! Truri i një personi të moshuar është shumë më praktik sesa besohet zakonisht

0
Agim Vuniqi, Vashington
SUPRRIZA KA ARDHUR!*
Drejtori i Shkollës së Mjekësisë të Universitetit George Washington pretendon se truri i një personi të moshuar është shumë më praktik sesa besohet zakonisht. Në këtë moshë, ndërveprimi ndërmjet hemisferës së majtë dhe të djathtë të trurit bëhet harmonik, gjë që zgjeron mundësitë tona krijuese. Kjo është arsyeja pse në mesin e njerëzve mbi 60 mund të gjeni shumë personalitete që sapo kanë filluar aktivitetet e tyre krijuese.
Sigurisht, truri nuk është më aq i shpejtë sa në rini. Megjithatë, fiton fleksibilitet. Prandaj, me kalimin e moshës, ne jemi më të prirur për të marrë vendimet e duhura dhe jemi më pak të ekspozuar ndaj emocioneve negative. Kulmi i aktivitetit intelektual të njeriut ndodh rreth moshës 70 vjeçare, kur truri fillon të punojë me fuqi të plotë.
Me kalimin e kohës, sasia e mielinës në tru rritet, një substancë që lehtëson kalimin e shpejtë të sinjaleve midis neuroneve. Për shkak të kësaj, aftësitë intelektuale rriten me 300% në krahasim me mesataren.
Interesant është edhe fakti që pas 60 vitesh njeriu mund të përdorë 2 hemisfera në të njëjtën kohë. Kjo ju lejon të zgjidhni probleme shumë më komplekse.
Profesor Monchi Uri nga Universiteti i Montrealit beson se truri i një të moshuari zgjedh një rrugë që konsumon më pak energji, eliminon të panevojshmen dhe lë vetëm opsionet e duhura për zgjidhjen e problemeve. Është kryer një anketë në të cilën kanë marrë pjesë grupmosha të ndryshme. Të rinjtë ishin shumë të hutuar gjatë kryerjes së testeve, ndërsa ata mbi 60 vjeç morën vendimet e duhura.
Tani, le të shohim karakteristikat e trurit midis moshës 60 dhe 80 vjeç. Ata janë vërtet rozë.
*KARAKTERISTIKAT E TRURIT TE NJEREZIT E MOSHUAR.*
*1.* Neuronet në tru nuk vdesin, siç thonë të gjithë rreth jush. Lidhjet midis tyre thjesht zhduken nëse një person nuk merret me punë mendore.
*2.* Shqendrimi dhe harresa shkaktohen nga një tepricë informacioni. Prandaj, nuk duhet ta përqendroni gjithë jetën tuaj në vogëlsira të panevojshme.
*3.* Nga mosha 60 vjeçare, kur merr vendime, njeriu nuk përdor vetëm një hemisferë të trurit, si të rinjtë, por të dyja.
*4. Konkluzioni:* nëse një person udhëheq një mënyrë jetese të shëndetshme, është i lëvizshëm, ka aktivitet fizik të qëndrueshëm dhe është plotësisht mendërisht aktiv, *aftësitë intelektuale NUK RRITEN me kalimin e moshës, ato thjesht RRITEN,* duke arritur kulmin e tyre në moshën 80-90 vjeç.
*KËSHILLA PËR SHËNDETIN:*
*1)* Mos kini frikë nga pleqëria. *2)* Përpiquni për zhvillim intelektual. *3)* Mësoni zanate të reja, bëni muzikë, mësoni të luani instrumente muzikore, vizatoni piktura! Vallëzoni!
*4)* Tregohuni të interesuar për jetën, takoheni dhe komunikoni me miqtë, bëni plane për të ardhmen, udhëtoni sa më mirë.
*5)* Mos harroni të shkoni në dyqane, kafene, shfaqje.
*6)* Mos hesht vetëm, është katastrofike për të gjithë.
*7)* Ji pozitiv, është se gjithmonë jeni me mendimin: sa vijon: *_”të gjitha gjërat e mira janë ende përpara meje!”_*
*BURIMI: _New England Journal of Medicine._*
Ju lutemi përcillni këtë informacion familjes dhe miqve tuaj të moshës 60, 70 dhe 80 vjeç në mënyrë që ata të jenë krenarë për moshën e tyre 🙂

Replikë ndaj pikëpamjeve të Milazim Krasniqit mbi krishterimin dhe identitetin fetar të shqiptarëve

1
Islamizimi i fëmijëve
Nikollë Loka, Tiranë
___
Shkrimi i Milazim Krasniqit “Kriza e sotme e krishterimit në Perëndim dhe absurditeti i tendencave kryqtare në Kosovë” ngre disa çështje që meritojnë debat serioz. Megjithatë, një pjesë e argumenteve të paraqitura mbështeten në përgjithësime, lidhje logjike të pasakta dhe interpretime selektive të realitetit historik e sociologjik.
Së pari, është e vërtetë se krishterimi në Evropën Perëndimore po përballet prej dekadash me procesin e sekularizimit. Ky është një fenomen i njohur nga sociologjia e fesë dhe prek jo vetëm katolicizmin, por pothuajse të gjitha fetë tradicionale. Mirëpo, nga ky fakt nuk mund të nxirret përfundimi se krishterimi ka humbur rëndësinë e tij qytetëruese ose se nuk përbën më një element themelor të identitetit evropian. Kushtetutat, sistemet juridike, etika publike, arti, letërsia, universitetet dhe vetë koncepti modern i dinjitetit të personit janë formuar në një masë të madhe mbi traditën judeo-kristiane. Sekularizimi nuk e zhduk këtë trashëgimi; ai ndryshon mënyrën e raportit të individit me fenë.
Së dyti, autori krijon një lidhje artificiale midis rënies së praktikës fetare në Perëndim dhe pamundësisë së një individi në Kosovë për të zgjedhur lirisht fenë e tij. Këto janë dy çështje krejtësisht të ndryshme. Liria fetare nuk matet me numrin e besimtarëve të një feje, por me të drejtën e secilit për të besuar, për të mos besuar ose për të ndryshuar besimin pa presion. Nëse një qytetar i Kosovës zgjedh të pagëzohet në Kishën Katolike, kjo është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ashtu siç është e drejtë edhe konvertimi në Islam ose braktisja e çdo feje.
Një problem edhe më i madh paraqitet kur aktivitetet e disa organizatave cilësohen si “problem sigurie”. Kjo përbën një zgjerim të rrezikshëm të konceptit të sigurisë. Në një shtet demokratik, bindjet fetare ose ndryshimi i përkatësisë fetare nuk mund të trajtohen si çështje të sigurisë kombëtare, përveç rasteve kur provohet nxitje e dhunës ose shkelje e ligjit. Në të kundërt, stigmatizimi i konvertimeve fetare krijon një precedent që cenon vetë lirinë e ndërgjegjes.
Autori pohon gjithashtu se këto organizata nuk përfaqësojnë Kishën Katolike. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë përgjegjësia nuk mund t’i atribuohet Kishës Katolike në Kosovë apo Selisë së Shenjtë. Po aq pak mund të ndërtohet një tezë mbi ekzistencën e një projekti të organizuar për “katolicizimin” e shqiptarëve, pa paraqitur prova konkrete.
Një tjetër dobësi logjike është përdorimi i krizës së krishterimit në Perëndim si argument kundër konvertimeve individuale. Historia e feve dëshmon se zgjedhjet fetare nuk varen domosdoshmërisht nga fuqia numerike e një komuniteti. Në shekuj, njerëzit janë konvertuar në fe që ishin pakicë, madje edhe të përndjekura. Motivet e konvertimit janë personale, shpirtërore, kulturore ose filozofike dhe nuk mund të reduktohen në statistika demografike.
Po aq problematike është lidhja që autori krijon midis transhumanizmit dhe krizës së krishterimit. Transhumanizmi është një debat filozofik dhe bioetik që zhvillohet brenda shoqërive moderne dhe nuk përbën shkakun kryesor të sekularizimit evropian. Për më tepër, vetë Kishat e krishtera, përfshirë Kishën Katolike, janë ndër institucionet që kanë prodhuar analizat më të thelluara kritike ndaj transhumanizmit dhe inteligjencës artificiale. Prandaj nuk është e saktë të paraqitet sikur krishterimi është thjesht një viktimë pasive e këtyre zhvillimeve.
Edhe referimi ndaj deklaratës së George W. Bush se shqiptarët janë “muslimanë paqësorë” nuk mund të përdoret si argument për të penguar debatet mbi identitetin fetar. Paqja e shqiptarëve nuk buron nga përkatësia islame apo e krishterë, por nga tradita e bashkëjetesës ndërfetare dhe nga identiteti kombëtar që historikisht ka tejkaluar ndarjet konfesionale.
Në aspektin historik, paraqitja e katolicizmit si një element i jashtëm ndaj shqiptarëve është gjithashtu e pasaktë. Katolicizmi është pjesë autoktone e historisë shqiptare që nga antikiteti i vonë dhe mesjeta. Për shumë shekuj ai ka qenë një nga shtyllat e kulturës shqiptare, duke dhënë kontribute të rëndësishme në ruajtjen e gjuhës, arsimit dhe identitetit kombëtar. Figura si Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani dhe shumë klerikë të tjerë janë pjesë përbërëse e historisë kombëtare shqiptare, jo përfaqësues të ndonjë projekti të huaj fetar.
Po ashtu, shumica myslimane e shqiptarëve nuk është arsye për të kufizuar të drejtën e individit për të zgjedhur një identitet tjetër fetar. Demokracia nuk mbështetet mbi shumicën numerike të besimit, por mbi mbrojtjen e lirive individuale.
Në fund, debati nuk duhet të zhvillohet mbi pyetjen se cila fe është në rritje ose në rënie, por mbi respektimin e lirisë së ndërgjegjes dhe të pluralizmit. Kriza e sekularizimit në Evropë është një çështje reale, por ajo nuk mund të përdoret si argument për të delegjitimuar zgjedhjet fetare të qytetarëve të Kosovës. Po aq e papranueshme do të ishte që dikush të përdorte rritjen demografike të Islamit në botë për të argumentuar se shqiptarët katolikë duhet të konvertohen në Islam.
Shoqëria shqiptare ka ruajtur historikisht një ekuilibër të rrallë ndërfetar. Ky ekuilibër nuk mbrohet duke demonizuar konvertimet ose duke i trajtuar ato si kërcënim për sigurinë, por duke respektuar një parim themelor të qytetërimit demokratik: lirinë e plotë të ndërgjegjes, të besimit dhe të zgjedhjes fetare të çdo individi.
***
KRIZA E SOTME E KRISHTERIMIT NË PERËNDIM DHE ABSURDITETI I TENDENCAVE KRYQTARE NË KOSOVË

Shkruan Prof. Milazim KRASNIQI
___
Shoqatat hibride që kërkojnë braktisjen e fesë islame nga shqiptarët në Kosovë dhe disa inskenime të pagëzimit të disa individëve në ndonjë kishë në Kosovë, tentojnë të paraqesin një pamje tërësisht të rreme të katolicizmit në Perëndim. Ato po tentojnë të tregojnë se gjoja katolicizmi në Europë është i fortë, ofensiv dhe paraqet esencën e qytetërimit. Ndërsa e vërteta është se katolicizmi në Europë e në Perëndim është në krizë të thellë, gjithnjë e më pak prezent në jetën e njerëzve. Çdo vit katolicizmin e braktisin me qindra mijëra njerëz. Tashmë në literaturë ka hyrë sintagma “Europa post-kristiane”, për të treguar se Krishterimi e ka humbur ndikimin në Europë. Sipas Steve Bruce (i cituar nga Kose), “në Angli ose në Europën Perëndimore, feja ka mbetur vetëm tek gratë e moshuara, zonat rurale dhe tek emigrantët polakë, afrikanë ose aziatikë.” Pra, katolicizmi ka humbur ndikimin në kombet europiane e në SHBA dhe ka kaluar në rol defansiv.
“Sipas të dhënave të vitit 2012, në rajonet e Francës të njohura historikisht si katolike, përqindja e atyre që thonë “nuk ka fe” ishte 30%, ndërsa në rajonet e njohura si sekulare kjo përqindje arrinte në 50%. Përqindja e katolikëve luhatej mes 38- 50%, por vetem 4-5 % e tyre i kryenin rregullisht praktikat fetare. Ndër të rinjtë, përveç njohurive për ndërtesa historike si kisha, katedrale apo manastire, shumë pak veta dinin realisht se çfarë është katolicizmi,” konstaton Celini. Një autor tjetër, Peter Brierkley pohon se “ky problem nuk është vetëm i Anglisë, por edhe i Europës, madje i gjithë botës. Bota po braktisë modelet e vjetra. Edhe ata që ende shkojnë në kishë nuk e gjejnë më tek vetja zellin e dikurshem për t’ua përcjellë fetë të tjerëve.”
Brenda kësaj tablloje të ngrysur të gjendjes që po kalon katolicizmi në Perëndim, duket krejt e palogjkshme arroganca me të cilën po tentojnë ta imponojnë katolicizmin në Kosovë disa shoqata hibride e disa njerëz që më shumë duken të fantaksur se sa si besimtarë të krishterë. Iniciativa e tyre më shumë duhet të jenë objekt i organeve të sigurisë se sa i diksutimeve ndërfetare, pasi ata nuk përfaqësojnë fenë katolike si të tillë.
Këtu është rasti të bëj një digresion e të sqaroj se këto shoqata e këta individë nuk duken të kenë lidhje me sjelljet korrekte të katolikëve tradicionalë shqiptaarë në Kosovë e në botën shqiptare ndaj besimtarëve shqiptarë muslimanë. Lidhjet ndërmjet tyre dhe pjesës tjetër shqiptare janë në shumë raste edhe lidhje farefisnore. Por përtej asaj është identiteti kombëtar i përbashkët, kujtimet e përbashkëta të së kaluarës, kontributi i përbashkët në përpjekjet për çlirim e pavarësi. Pra, deri sa u shfaqën këto shoqata hibride, nuk ka pasur asnjë element, asnjë moment të ftohjes ose të përçarjes ndërfetare ndër ne shqiptarët në Kosovë. Prandaj fryrja e zjarrit të përçarjes nga këto organizata, sidomos nga “Lëvizja për Rikthim “ dhe “Lëvizja e Deçanit”, vërtet duhet të trajtohet si problem i sigurisë më shumë se sa si problem fetar. I vetmi problem i paqartë në këtë mes mbetet roli mund të ketë Ipeshkiva e Kosovës në raport me ato shoqata hibride dhe me veprimet e tyre. Veprimi kishtar (fjala vjen pagëzimi i ndokujt që konvertohet) është tjetër gjë nga promovimi që u bëhet aktiviteteve dhe figurave të atyre shoqatave tmerrësisht antiislame.
Sa i përket vetë krizës së katolicizmit e krishterimit në tërësi në Perëndim, ka disa shkaqe, po studiues të shumtë mendojnë se shkaku kryesor është konflikti i Krishterimit me shkencën. Nuk është rasti këtu të diskutohet kjo çështje. Po e përmend vetëm njërën nga pasojat e saj dramatike-transhumanizmin. Transhumanizmi paraqet një shkëputje të frikshme jo vetëm nga traditat fetare po edhe nga ato qytetërimore e morale të Perëndimit e të botës. Trans-humanizmi projekton një njeri tjetër, njeri të ri, i cili do të tejkalojë edhe kufijtë e vet biologjikë, me ndihmen e shkencës e Intelegjences Artificiale. Njeriu i tillë do të shkëpuett tërësisht nga e kaluara e vet, pra edhe nga tradita kristiane. “Njerëzit do t’i bashkojnë mendjet e tyre në një memorie artificiale (intelegjence koshere’/ hive mind/, duke krijuar një super intelegjencë të përbashkët. Do të shfaqet një njësi e vetme (singularity) që mund të përshkruhet me shprehjen: “Njëri për të gjithë, të gjithë për njërin.”Teknologjia do të arrijë Nirvanen. Si përfundim, njeriu do të përfitojë pothuajse cilësi hyjnore. Këto janë pretentimet themelore të trans-humanizmit në të ardhmen.” (Kose: 374) Bile ka autorë si Neil McArthur, që thonë se do të lind një religjion ri: “jemi dëshmitar të lindjes së një lloji të ri feje. Në vitet ose muajt e ardhshëm, do të shohim sektet e kushtuara adhurimit të Intelegjencës Artificiale.”
Në kuadër të këtyre zhvillimeve marramendëse e të paekuilibruara të shkencës a fantashkencës në Perëndim dhe presionit që i bëhet katolicizmit e krishterimit në tërësi, idetë për konvertimin e shqiprarëve muslimanë të Kosovë, duken krejt idiotike. Nuk e di nga cilat qendra financohen e nxiten, por cilat do që të jenë, janë donkishoteskle dhe idiotike. Shqiptarët vetë janë europianë dhe nuk kanë asnjë impuls fetar e kulturor antiperëndimor. Janë ashtu si ka thënë Xhorxh W. Bushi kur pati vizituar Shqipërinë në vitin 2007, “muslimanë paqesorë.” Prandaj nuk është interes i Perëndimit të nxitet konflikt me këta shqiptarë europianë e paqesorë. Betejat e krishterimit në Perëndim janë me Transhumanizmin dhe nusproduket e tij, sekularizimin galopant, në rend të parë. Sikundër pohon Dennet-La Scola, “nëse vazhdon kjo prirje, përqindja e të rinjve që besojnë në Bibel do të bjerë deri në 4%.“ Pra, Perëndimi e sidomos Vatikani ka problemet e veta fetare e nuk ka asnjë problem me përkatësinë islame të shumicës së shqiptarëve të Kosovës. Rrjedhimisht nuk duhet të nxitë sherre në këtë raport. Në sferën fetare ka dhe i teprojnë problemet e veta.
28 korrik 2026

Përgjigje kryeideologut të islamizimit

0

Kundërpërgjigje kryeideologut të tjetërsimit- Haxhi Qamilit të kohës sonë – Akademik Milazim Krasniqit Reagimi i fundit dhe gjuha stigmatizuese ndaj iniciativave për rikthimin e identitetit rrënjësor të shqiptarëve nuk janë gjë tjetër veçse vazhdimësi e një projekti të vjetër: frikës nga vetëdijësimi kombëtar.

Kur nismat qytetare e atdhetare cilësohen si “probleme sigurie” apo “shoqata hibride”, bëhet e qartë se mbrojtësit e status-quo-së nuk kanë problem me sigurinë e shtetit, por me prishjen e rehatisë së tyre ideologjike. “Lëvizja për Rikthim” dhe lëvizjet e tjera atdhetare erdhën si pasojë dhe nuk u importuan nga jashtë.

Ato lindën si një reaksion natyror mbrojtës ndaj një procesi të rrezikshëm, i cili ka vite që vepron në heshtje: tentativës për tjetërsimin e kombit shqiptar nga një popull me identitet europian, në një “ummet” pa kufij kombëtarë dhe në shërbim të agjendave gjeopolitike neo-osmane, serbe dhe arabe. Për dekada me radhë, nën petkun e “lirisë fetare”, shoqëria jonë u përball me një agjendë agresive që tentoi të tjetërsonte narrativën tonë historike. Nuk ishin lëvizjet atdhetare ato që nxitën përçarjen, por ishin pikërisht rrymat ekstreme dhe predikimet e mjaft hoxhollarëve që me vite të tëra e helmuan mendjen e rinisë tonë.

A nuk ishin pikërisht këta hoxhollarë që i nxitën dhe i çuan djemtë tanë të luftojnë e të vriten për tokat e shkretëtirat arabe, duke i përdorur si mish për top për kauza të huaja?

A nuk punuan ata drejtpërdrejt në favor të Serbisë, duke e paraqitur Kosovën para botës si çerdhe të ekstremizmit fetar e jo si një popull liridashës e europian?

Kemi parë pa ndërprerë tentativa për të zbehur e baltosur figurat më supreme të kombit, duke filluar nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, te At Pjetër Bogdani e deri te Nënë Tereza – simbole këto që nuk i përkasin një feje të vetme, por janë vetë shtyllat mbi të cilat qëndron qenia jonë kombëtare.

Tjetërsimi i shqiptarit dhe shndërrimi i tij në një besimtar pa atdhe, është projekt antikombëtar që historikisht u ka shërbyer qarqeve serbe dhe neo-otomane për ta paraqitur faktorin shqiptar në Europë, jo si një popull autokton me të drejta të plota të vetëvendosjes, por si një mbetje orientale dhe pa rrënjë kulturore europiane. Në këtë kontekst, tentativat për ta paraqitur orientimin kombëtar si “krizë të Perëndimit” ose si “fantazi”, janë vetëm retorikë e lodhtë për të mbuluar regresin.

Të quash të drejtën e shqiptarit për t’iu kthyer rrënjëve të veta si një “akt idiotik”, është armiqësi dhe trashëgimi e pastër e ideologjisë haxhiqamiliste, e cila identitetin e lidhte me nënshtrimin ndaj pushtuesëve e dogmave të huaja, dhe jo me lirinë e Atdheut. Përpjekja për ta paraqitur Katolicizmin apo Krishterimin si diçka “të huaj” për Kosovën, e injoron të vërtetën më themelore historike: Krishterimi te shqiptarët nuk është import, është autoktoni.

Rilindja Kombëtare Shqiptare, gjuha shqipe, alfabeti i Manastirit dhe vetë nocioni i shtetit shqiptar u ngjallën e u ruajtën nga klerikë e intelektualë katolikë. Po ashtu, aleanca strategjike e Kosovës me Uashingtonin, me Brukselin dhe me botën perëndimore nuk u ndërtua mbi kalkulime teologjike, por mbi vlera të përbashkëta qytetëruese.

Mbështetja historike e Perëndimit për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe u ushqye nga vizioni i një Kosove demokratike, sekulare dhe europiane – vizion të cilin e promovuan me ngulm arkitektët e shtetit tonë, me në krye Presidentin Ibrahim Rugova.

Prandaj, Lëvizja për Rikthim nuk kërkon urrejtje e as përçarje, por çlirimin e hapësirës publike nga diktati i frikës dhe etiketimit. Nëse çdo individ ka të drejtë të zgjedhë besimin e tij, përse na qenka “kërcënim sigurie” kur një shqiptar vendos t’i kthehet besimit të të parëve të tij?

Përse ndërtimi i një kishe apo konvertimi i lirë i disa qytetarëve na qenka “provokim”, ndërsa ndërtimi i mijëra xhamive me financime të dyshimta lindore na qenkan “normale”? Përgjigjja është e qartë: sepse rikthimi te rrënjët tona ua shkatërron narrativën atyre që duan ta mbajnë shqiptarin peng të një identiteti të tjetërsuar.

Shqiptarët nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen komplekseve të ideologëve të vjetër. Rruga jonë është ajo që ka qenë gjithmonë: e vetmja rrugë ku feja i nënshtrohet Atdheut, dhe ku identiteti ynë është Një me atë të Perëndimit.

Zoti e bekoftë popullin shqiptar!

Lëvizja për Rikthim Prishtinë, 29.07.2026 

Liria e ndërgjegjes nuk është “çështje sigurie”

0
___
Shkrimi i fundit i Prof. Milazim Krasniqit nuk është një analizë akademike e fenomenit fetar në Kosovë. Ai është një përpjekje për ta paraqitur ushtrimin e një të drejte themelore njerëzore si kërcënim për sigurinë. Pikërisht këtu bie e gjithë pesha e argumentimit të tij. Në një republikë demokratike dhe laike, askush nuk ka të drejtë ta shpallë problem sigurie një qytetar që, me vullnet të lirë, zgjedh të ndryshojë besimin e tij.
Liria e ndërgjegjes është e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Këto instrumente juridike nuk mbrojnë vetëm të drejtën për të besuar, por edhe të drejtën për të ndryshuar besimin, për ta braktisur atë ose për t’iu rikthyer një tradite tjetër fetare. Prandaj, përpjekja për ta paraqitur pagëzimin si “problem sigurie” nuk ka asnjë bazë juridike. Është një qëndrim ideologjik, jo akademik.
Po aq i dobët është edhe argumenti historik. Prof. Krasniqi përpiqet ta paraqesë rikthimin e shqiptarëve në krishterim si një fenomen artificial dhe të imponuar. Historia dëshmon të kundërtën. Për shumë shekuj para pushtimit osman, trojet shqiptare ishin pjesë e qytetërimit të krishterë evropian. Këtë e dëshmojnë ipeshkvitë mesjetare, dokumentet papnore, kronikat bizantine dhe autorët shqiptarë. Prandaj, kur një shqiptar zgjedh sot të pagëzohet, ai nuk po krijon një identitet të ri, por po ushtron të drejtën e tij për t’u lidhur me një trashëgimi historike që është pjesë e historisë së kombit shqiptar.
Autori përpiqet ta lidhë krizën e praktikës fetare në disa vende të Evropës Perëndimore me pagëzimet që zhvillohen në Kosovë. Kjo nuk është metodë shkencore. Sekularizimi në Evropë nuk është argument kundër lirisë fetare në Kosovë. Edhe nëse pjesëmarrja në jetën kishtare bie në disa vende, kjo nuk ia heq askujt të drejtën për t’u pagëzuar. Liria fetare nuk matet me statistika. Ajo matet me të drejta.
Një tjetër problem serioz është gjuha që përdoret në shkrim. Kur qytetarë që ushtrojnë një të drejtë kushtetuese etiketohen si “shoqata hibride” apo si “problem sigurie”, debati largohet nga fusha akademike dhe hyn në fushën e stigmatizimit. Kjo nuk është mënyrë shkencore e debatit. Akademia argumenton me fakte, jo me etiketime.
Po aq selektiv është edhe trajtimi i historisë së islamizimit të shqiptarëve. Historiografia serioze nuk e paraqet atë si një proces të zhvilluar vetëm përmes bindjes së lirë. Studiues të shumtë kanë dokumentuar ndikimin e faktorëve politikë, administrativë, fiskalë dhe shoqërorë gjatë sundimit osman. Mohimi i këtij realiteti nuk e ndryshon historinë. Përkundrazi, e varfëron debatin shkencor.
Është po ashtu e gabuar të identifikohet krishterimi në Evropë vetëm me statistikat e pjesëmarrjes në meshë. Qytetërimi evropian nuk është ndërtuar vetëm mbi praktika fetare, por mbi një trashëgimi juridike, filozofike, kulturore dhe historike, ku krishterimi ka pasur rol të padiskutueshëm. Reduktimi i këtij realiteti në disa statistika është metodologjikisht i mangët.
Në fund mbetet një pyetje e thjeshtë.
Nëse një shqiptar ka të drejtë të ftojë bashkëkombësit e tij në Islam, përse një shqiptar tjetër nuk paska të drejtë t’i ftojë ata në krishterim?
Nëse njëri është ushtrim i lirisë fetare, atëherë edhe tjetri është po i njëjti ushtrim i së njëjtës liri.
Parimet kushtetuese nuk funksionojnë sipas simpative ideologjike.
Ato vlejnë njësoj për të gjithë. Prandaj debati nuk duhet të jetë nëse shqiptarët kanë të drejtë të pagëzohen. Këtë e garanton ligji.
Debati duhet të jetë nëse jemi të gatshëm ta pranojmë lirinë e ndërgjegjes edhe atëherë kur nuk pajtohemi me zgjedhjen e tjetrit.
Ky është testi i vërtetë i një shoqërie demokratike.
29.07.2026
Në fotografi me gazetarin e njohur dhe veprimtarin e çështjes kombëtare, njëherësh dajë i gjyshit tim Bajram Kabashin, sot në një restorant buzë Drinit në Krushevë të Vogël.

Shqiptarët kanë të drejtë të studiojnë historinë e tyre, të rishqyrtojnë identitetin e tyre dhe të zgjedhin lirisht rrugën e tyre shpirtërore

0
Kur profesori i shpall luftë lirisë së ndërgjegjes… dhe Inteligjencën Artificiale e thërret dëshmitare!
Shkrimi i fundit i Milazim Krasniqit nuk është një analizë mbi krishterimin në Perëndim, sa është një dëshmi e shqetësimit të tij për një fenomen që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm: zgjimin e ndërgjegjes historike dhe identitare të një pjese të shqiptarëve. Paradoksi është i qartë. Në njërën anë na thuhet se krishterimi në Perëndim është në krizë të thellë, ndërsa në anën tjetër mobilizohet një arsenal i tërë argumentesh për të luftuar disa pagëzime dhe disa lëvizje qytetare në Kosovë. Nëse fenomeni qenka kaq i parëndësishëm, atëherë pse gjithë ky alarm?
Më shumë se sa debat akademik, ky tekst përpiqet ta zëvendësojë argumentin me etiketimin. Lëvizje qytetare quhen “hibride”, qytetarë që ushtrojnë lirinë e ndërgjegjes paraqiten si problem, ndërsa një zgjedhje personale fetare trajtohet sikur të ishte çështje sigurie. Në një shoqëri demokratike, liria e besimit nuk matet me pëlqimin e profesorëve, as me miratimin e ideologëve. Ajo është një e drejtë themelore që vlen për të gjithë.
Edhe më kurioze bëhet panorama kur në debat futen transhumanizmi dhe Inteligjenca Artificiale, sikur këto të ishin arbitrat e historisë së shqiptarëve. Inteligjenca Artificiale mund të analizojë tekste, të krahasojë burime dhe të përpunojë të dhëna, por nuk vendos bindjet shpirtërore të njerëzve. Aq më pak mund të përdoret si mburojë për të shpallur të papranueshme zgjedhjet e lira të qytetarëve.
Historia nuk ndryshon sepse dikush e quan një lëvizje “absurde”. Faktet historike nuk zhbëhen me epitete, ndërsa liria e ndërgjegjes nuk pezullohet me deklarata akademike. Shqiptarët kanë të drejtë të studiojnë historinë e tyre, të rishqyrtojnë identitetin e tyre dhe të zgjedhin lirisht rrugën e tyre shpirtërore, pa u etiketuar dhe pa u demonizuar.
Në fund mbetet një pyetje që nuk kërkon teori të ndërlikuara, por vetëm logjikë: nëse është e drejtë të mbrohet liria për të zgjedhur Islamin, pse nuk duhet të mbrohet me të njëjtin standard edhe liria për të zgjedhur krishterimin? Nëse njëra zgjedhje quhet e drejtë, ndërsa tjetra “problem sigurie”, atëherë nuk kemi të bëjmë me mbrojtje të lirisë fetare, por me një standard të dyfishtë.
Debati nuk fitohet duke shpallur alarm sa herë që dikush mendon ndryshe. Debati fitohet me argumente, me fakte dhe me respekt për lirinë e tjetrit. Pikërisht aty fillon akademizimi i vërtetë, dhe pikërisht aty përfundon propaganda.
Kur argumentet nuk mjaftojnë, shpallen ‘rrezik’ njerëzit që mendojnë ndryshe. Kjo nuk është fitore e dijes, por dëshmi e frikës nga liria !

Albert Leka nga Lëvizja e Deçanit për panikun e islamistëve politik nga ndryshimi që po vije gjithnjë e më shumë në ndërgjegjësimin kombëtar

0
PANIK NGA NDRYSHIMI? PSE MILAZIM KRASNIQI PO E SULMON PËRSËRI LËVIZJEN E DEÇANIT?
Kur dikush i kushton një shkrim të tërë sulmit ndaj Lëvizjes së Deçanit, besimit katolik dhe madje kërkon që shteti t’i trajtojë qytetarët me bindje të tjera si “problem sigurie”, lind një pyetje e thjeshtë: çfarë e shtyn drejt një gjuhe kaq përçarëse?
Në vend të debatit me argumente, zgjidhet etiketimi, frikësimi dhe përpjekja për të delegjitimuar çdo mendim ndryshe. Kjo nuk është shenjë force, por pasiguri përballë një zëri që nuk mund të heshtet me etiketa.
Lëvizja e Deçanit nuk do të frikësohet nga sulmet, shpifjet apo përpjekjet për kriminalizim. Në një shoqëri demokratike, askush nuk duhet të shpallet armik vetëm pse mbron identitetin, bindjet dhe lirinë e shprehjes.
Koha e anatemimeve ka kaluar. Qytetarët meritojnë debat me fakte, jo thirrje që nxisin përçarje dhe kërkesa të tërthorta për ndëshkimin e kundërshtarëve.

Kur helmi shitet si patriotizëm: Kush po përpiqet ta nxisë përçarjen ndërshqiptare?

0
Jam deklaruar publikisht se nuk do të merrem më me asnjë aktivitet sociopolitik. Megjithatë, po e ndiej të nevojshme ta bëj edhe një reagim — mbase të fundit. Më nxiti retorika e Milazim Krasniqit, sivëllami i të cilit ishte Boro Maraçiqi, si dhe soji e sorollopi politik e propagandistik i tipit të tij. Dhe këtu dua të jem shumë i qartë: nuk po them se ekziston një përçarje ndërshqiptare në këtë pikë. Përkundrazi, po flas për përpjekjet që, sipas vlerësimit tim, bëhen për ta prodhuar, ushqyer dhe nxitur atë. Kur dikush vazhdimisht kërkon armiq brenda shqiptarëve, demonizon organizata, lëvizje, grupe dhe individë intelektualë me orientim properëndimor dhe përpiqet t’i vendosë shqiptarët përballë njëri-tjetrit, atëherë duhet pyetur hapur: kush ka interes nga kjo? Kujt i shërben krijimi artificial i një konflikti ndërshqiptar? Helmi që derdhet me aq zell kundër organizimeve, lëvizjeve, grupeve dhe intelektualëve me orientim shqiptar dhe properëndimor nuk më duket thjesht si përplasje idesh.
Unë kam dyshimin tim se, për disa prej këtyre zërave, motivi mund të jetë shumë më pragmatik: sa më të rrezikshme të paraqiten nismat panshqiptare dhe properëndimor për interesat dhe ndikimet lindore, aq më e madhe bëhet nevoja për njerëz që t’i luftojnë ato — dhe rrjedhimisht aq më i madh mund të bëhet edhe interesi për t’i mbështetur ata që e bëjnë këtë punë. Sikur mesazhi drejtuar padronëve të tyre të mundshëm të ishte: “Këto organizata, lëvizje, grupe dhe intelektualë po e rrezikojnë seriozisht ndikimin dhe kulturën lindore. Rritni fondet për ne, që t’i godasim, t’i diskreditojmë dhe t’i ngulfatim këto lëvizje panshqiptare dhe panperëndimore.”
Nëse ekzistojnë financime apo lidhje të tilla, ato duhet të dëshmohen me fakte dhe dokumente. Unë nuk dua ta paraqes dyshimin si fakt të kryer. Por kam të drejtë të shtroj pyetjen politike: pse gjithë ky zell kundër çdo organizimi shqiptar që e sheh të ardhmen e vet në familjen evropiane dhe perëndimore? Dhe pse gjithë kjo përpjekje për të krijuar përplasje mes shqiptarëve aty ku ajo përplasje nuk ekziston? Kjo është pikërisht ajo që duhet demaskuar. Nuk kemi pse ta pranojmë tezën se shqiptarët qenkan të përçarë. Problemi është tjetërkund: ekzistojnë zëra që, sipas bindjes sime, po përpiqen t’i përçajnë. Soji politik e propagandistik i “Milazimëve” nuk po ka të ndalur. Por as ne nuk duhet të ndalemi së pyeturi: Kush përfiton nga një përçarje e tillë? Kush ka interes ta prodhojë atë? Kujt i shërben demonizimi i orientimit proevropian të shqiptarëve? Dhe, mbi të gjitha, kush do ta paguante çmimin nëse kjo retorikë do të arrinte qëllimin e saj? Përgjigjja e fundit është e thjeshtë: shqiptarët. Unë kam pushuar aktivitetin tim sociopolitik dhe flas vetëm në emrin tim. Por kjo nuk do të thotë se kam hequr dorë nga e drejta për të reaguar kur shoh përpjekje që, sipas gjykimit tim, mund t’i bëjnë dëm interesit shqiptar. Ky është qëndrimi im personal dhe përgjegjësinë për të e mbaj vetë.
Boik Breca (Pajazit Jashari)

Sak Muji, i burgosuri politik…, e fton vajzën Vesë Mujin, në ekspozitës artistike – ndërkombëtare: ME PRANGA E PA TO WITH CHAINS OR NOT

E dyshtuna bija ime Vesë Muji !

Me respekt të veçantë kam nderin t’ju ftoj të merrni pjesë në inaugurimin e ekspozitës sime artistike ndërkombëtare: ME PRANGA E PA TO WITH CHAINS OR NOT “Arti që mbijetoi burgun politik (1981–1990)” Një ekspozitë që paraqet 130 vepra arti, të krijuara gjatë viteve të burgut politik dhe në periudhën pas lirisë, si dëshmi e qëndresës, kujtesës historike dhe fuqisë së artit për të mbijetuar. Ekspozita është realizuar nga autorët: Sak Muji Hydajet Hyseni 📍 Vendi: Hamami i Haxhi Beut – Pejë 🗓 Hapja solemne: E diel, 02 gusht 2026 🕓 Ora 16:00 📅 Ekspozita qëndron e hapur deri më 16 gusht 2026 🕙 Çdo ditë: 10:00–20:00 Do të ishte nder i veçantë për ne që me praninë tuaj ta madhëroni këtë ngjarje kulturore, e cila i kushtohet kujtesës historike, lirisë, artit dhe trashëgimisë sonë kombëtare. Prania juaj do të jetë një vlerësim për autorët, për veprat artistike dhe për të gjithë ata që besojnë se arti mbetet dëshmia më e fortë e kohës. Me respekt dhe mirënjohje, Sak Muji Autor i ekspozitës Hydajet Hyseni Autor i ekspozitës ____________ “Arti është kujtesë. Kujtesa është liri.” Kontakt: 📞 Sak Muji: +383 49 758 563 📞 Hydajet Hyseni: +383 44 120 089 ✉️ sakmuji58@gmail.com