Kreu Blog Faqe 844

Shqiptarët e Zvicrës dhe dygjuhësia shqiptare – zvicerane

0

Nexhmije Mehmetaj, arsimtare e mësimit plotësues, Gjenevë

(Vazhdim i artikullit ” Shqiptarët e Zvicrës dhe e folmja e tyre”)

Në Zvicër sipas statistikave zvicerane jetojnë rreth treqind mijë shqiptarë, që kanë gjuhë amtare gjuhën shqipe, një pjesë e konsiderueshme e tyre e ruajnë përkatësinë e tyre etnike, e ndjejnë veten shqiptar e shprehin në radhë të parë në përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe traditat e tjera shqiptare. Ndërsa të tjerët e kanë bjerrë gjuhën shqipe.

Pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare të Zvicrës përbëhet nga dy gjuhë. Përveç shqipes ata dinë edhe njërën nga gjuhët e mjedisit zviceran. Pasja e dygjuhësisë për bashkësinë shqipfolëse ka rëndësinë e vet. Gjuha shqipe është një mjet i rëndësishëm për të ruajtur identitetin kombëtar shqiptar dhe lidhjen me atdheun. Ndërsa mësimi i gjermanishtes apo frëngjishtes për të u integruar në shoqërinë pritëse.

Natyrisht, e me kohë, nevojat e jetesës në vendin e ri, i cili mbi 50 vjet u bë atdheu i dytë, i detyruan shqiptarët të nxënë edhe njërën nga gjuhët zyrtare të Zvicrës, kryesisht gjermanishten apo frëngjishten duke kaluar, ku më shpejt e ku më ngadalë, ku në masë e ku vetëm një pjesë e mirë apo vetëm një pakicë, në dygjuhësi: shqip – gjermanisht apo shqip – frëngjisht.

Deri para disa vjetësh, pjesa dërmuese e mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër kryesisht brezi i parë i mërgimtarëve nuk dinte të fliste të shkruante dhe të lexonte asnjërën nga gjuhët e mjedisit zviceran. Ata që dinin mirë të dy gjuhët: shqip – gjermanisht apo shqip frëngjisht numëroheshin në gishta. Për shërbime të ndryshme shërbehej përkthyesi. Nga ana e shqiptarëve u bënë dygjuhësh më parë burrat, sepse ata ishin në kontakte më të drejtpërdrejta me popullsinë zvicerane, kurse gratë shqiptare, kanë qenë më të lidhura me familjen dhe traditat shqiptare, prandaj edhe gjuhët e mjedisit zviceran  i kanë nxënë më pak. Më vonë dygjuhësia shqip- një gjuhë zvicerane u shtri edhe në pjesën  femërore të popullsisë.

Dygjuhësia gjermanisht – shqip apo frëngjisht – shqip tashti është normë për të gjitha grupet sipas moshës. Ka situata kur folësit e moshuar e përdorin shqipen për shumicën e qëllimeve, ndërsa folësit e rinj njërën nga gjuhët e mjedisit zviceran. Folësit e moshës mesatare kanë aftësi dygjuhësore dhe mund të u përshtaten bashkëbiseduesve shqipfolës dhe atyre që nuk janë shqipfolës.

Megjithatë, ne theksojmë se ka mërgimtarë që janë vetëm një gjuhesh, sidomos të moshuarit e brezit të parë. Kjo shtresë ishte edhe më pak e arsimuar, punoj në punët më të izoluara si në bujqësi e blegtori prandaj edhe gjuhët e mjedisit i kanë mësuar vetëm pak.

Një pjesë e intelektualëve shqiptarë, veprimtarë shoqëror, studentë e doktorantë, gazetarë/e mësues e mësuese, shkrimtarë e shkrimtare njohin relativisht mirë të dy gjuhët të cilët e dëshmojnë në shkrimet e tyre, na shfaqen me një kompetencë gjuhësore të plotë, janë dy gjuhësor.

Nga ana tjetër, shqiptarët e rinj të lindur në Zvicër, së paku nga mosha 30 vjeç e poshtë, kanë mësuar në shkollat zvicerane të shkruajnë e të lexojnë gjuhën e mjedisit, por janë të paktë ata që dinë të shkruajnë e të lexojnë edhe shqip, prandaj edhe dygjuhësia e tyre nuk mund të quhet cilësore. E përdorën shqipen në variantin e folur me një kompetencë mjaft të ulët, e kanë nxënë shqipen në mënyrë joformale dhe jo nëpër mjet mësimit në shkollë ( një varietet komunikues) kryesisht në rrethin familjar dhe në kontaktet me të afërmit e tyre.

Porse dygjuhësia kolektive nder shqiptarët ose më saktë të nxënit e gjermanishtes apo frëngjishtes në mjedisin zviceran nga shqiptarët fillon në moshën kur fëmija shkon në shkollë. Fëmija shqiptar derisa hynë në shkollë është një gjuhësh, folës burimor i shqipes me të hyrë në shkollën fillore, fillon të nxë një gjuhë të re, gjuhën e shkollës. Shumë prindër gabojnë kur ia ndërprerjen fëmijës gjuhën amtare, me mendimin se gjuha amtare e pengon mësimin e gjuhës së shkollës. Përkundrazi nxënësit që vijojnë mësimin plotësues shqip arrijnë të përdorin më lehtë të dy gjuhët, shqip dhe gjuhën e shkollës e formojnë një dygjuhësi me kompetencë fillestare për moshën e tyre.

Shumë prej shqiptarëve kërkojnë mësimin e gjuhës shqipe, jo për të qenë të shkëputur e të mbyllur në vete, por, përkundrazi, për t’u integruar edhe më tej në mjedisin zviceran, veçse pa bjerrë as trashëgiminë kulturore as atë gjuhësore amtare: ata kërkojnë që nxënësit shqiptarë të shkojnë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe të ushtrohet dygjuhësia: shqip- gjermanisht apo shqip frëngjisht.

Në dygjuhësinë shqip-frëngjisht, gjatë bisedës në shqip dukuria më e shpeshtë është ( code switching ) ndërhyrja e një fjale nga frëngjishtja brenda një fjalie të shqipes dhe struktura e fjalisë mbetet shqip. P.sh. A duhet të mësoj vjershën par coeur (përmendsh)? Kam harruar mes devoirs (detyrat e mia) në shtëpi.

Ndërrimi i kodit është edhe i përzier (codsmixting) hyjnë në veprim karakteristikat strukturore të dy gjuhëve, në një fjali kemi dy fjalë nga frëngjishtja. Ndërhyrja bëhet si pas dy mënyrave: fjalë nga frëngjishtja të përshtatura në fonetiken e shqipes dhe fjalë të pa asimiluara.

Sa i përket gjuhës së folur shqipe në një masë të madhe është prekur sistemi leksikor i cili pasurohet dukshëm edhe përmes gjermanishtes apo frëngjishtes. Tashmë mund të vërehen një serë ndikimesh të rëndësishme ndërgjuhësore, si në nivelin fonetik – leksikor edhe në atë gramatikor e sintaksor. Huazimet leksikore, kalket semantike, përzierja gjuhësore, theksi i huaj,  janë dukuri e rregullt te folësit dygjuhësh.

Tejkalimi i këtij problemi në bashkësinë shqipfolëse është i mundshëm përmes ndërgjegjësimit të mësimit të gjuhës shqipe: që çdo shqiptar/re të bëhet dygjuhësh i përsosur, krahas gjuhës dhe kulturës zvicerane duhet të dijë edhe gjuhën e kulturën shqiptare.

Gjenevë, 01. 04. 2024 

Kur e njoha dhe si komunikoja me kolonel Ahmet Krasniqn 

Sinan Kastrati, Suedi

 Nga Arkiva ime  

Ky është shkrimi i dytë për Kol. Ahmet Krasniqit. I pari për Ahmetin ishte ”Hajdin Abazi e Bardhyl Mahmuti u betuan se do ta vrasin Ibrahim Rugovën e kolonel Ahmet Krasniqin”  

Me Bajrush Morinën njihesha qysh kur ai punonte në Bota Sot, si kryeradektor apo përgjegjës për Kosovë. Të drejtëm me thënë Botën e lexoja por nuk i dërgoja i dërgoja shkrimet në Bota Sot vetëm për një një arsye se aty komentohej e komentuesit në vend së të komentonin për temën, një pjesë e tyre fyenin e ofendonin me fjalë banale madje edhe flisnin për jetën private e familjare, nëse e njihnin autorin. Ato mua nuk më pëlqenin e nuk mund ti duroja. Edhe vetë komentoja me nofka të ndryshme por pa e ofendua askend. 

Ndodhte që Bajrushit i tregoja ndonjë ngjarje që ka ndodhur e ai më propozonte dhe kishte dëshirë që ta publikonte por unë nuk doja. 

Por edhe Bajrushi, kur ishte në pyetje LDK-ja dhe udhëheqja e saj, nuk dëshironte ti publikonte shkrimet kundër saj. Kjo më vonë më ka ndodhur edhe me Rexhep Katrati, në fokusi.org. Edhe ai nuk donte me ia prek Isa Mustafën. Por unë i jam mirënjohës Bajrushit sepse ai mi dërgonte shpesh shkrimet e Botës e të Bota Pres në E-mailin tim privat. 

”Si e vrava Ibrahim Rugovën në mars të vitit 1998!”, Hajdin Abazi, Botapress, 13/11/2014

Pas disa mosmarrëveshjeve që ai kishte pasur me Xh. Mazrekun, Bajrushi fillon me daljen e portalit të vetin, me Bota Pressin.  

Është Bota Press, dmth Bajrushi ai i cili më ka detyrua që ti publikoj disa letra, si opinione dhe pas tyre, unë kam dalur publikisht. Dëshira ime ishte që të vazhdoj të shkruaj por jo me emrin tim por Bajrushi më tha se nuk është serioze të shkruaj për personalitete e ngjarje të mëdha, si ato të vitit 1981, 1097, 1998, 1999 si autor anonim, e të mos dihët kush është autori.  

Sot kam zgjedhur një shkrim nga arkiva ime për kolonel Ahmet Krasniqin, ish Ministrin e Luftës e mikun tim, të publikuar në Bota Press, më 21 shtator 2018 me titull:”Si komunikoja me kolonel Ahmet Krasniqin?” dhe me nëntitull, ”Copëza të shkëputura kujtimesh nga Ditari im” 

”Kur heronjtë largohen nga skena, atëherë hyjnë kllounët!” (Hajnrih Hajne).  

Reagim ”Po, ti Hajdin Abazi me gojën tënde ke thënë: Unë do ta vras Ibrahim Rugovën”, Sinan Kastrati, Botapress, 12/11/ 2014

Familja Muja 

Pakë fjalë për familjen Muja-Krasniqi nga Zhilivoda që edhe Ahmeti ishte bir i kësaj familje. 

Muja ishte emri i plakut, të parit të kësaj familje që më vonë e gjithë e mori emrin e tij, si emër familjar, Familja Muja. 

Reagim: ”Ja cila është e vërteta për mbështetjen e Luftës Çlirimtare dhe të pavërtetat e Sinan Kastratit”, N. Zeqiri, Z. Rrustemaj, N. Mazreku dhe F. Meha, Botapress, 20/11/ 2014

 Muja kishte pas jetuar ne Gllavotin, katund 4, 5 km. në veri lindje te Zhilivodës, afer lumit Sitnicë, afër Prilluzhës venbanimi më i madh me serb e qendër lokalileteti. Sipas asaj që tregojnë pasardhësit e tij, Muja e kishte mbytur një qaush të mbretit me 11 zapti e mandej bashkë me familje e kishte lënë Gllavotinin e kisht ikur nga Gllavotini, në katundin më të largët të asaj ane, të rrethit të Artakollit, në jug-lindje të Gllavotinit, Bivolakit e Strofcit, në Zhilivodë, rrëzë maleve të Qiqavicës, jo larg katundit Gradicë, krahina e Drenicës. 

”Edhe njëherë rreth Hajdin Abazit dhe argatëve të tij”, Sinan Kastrati, Botapress, 24/11/2014

Latifi 

Djali më i madh i Mujes ishte Latifi. Ai kishte tre djem, Hisenin, Mustafën dhe Shabanin 

Hiseni, djali më i madh i Latifit kishte pasur 6 djem: Bajramin, Muharremin, Ramadanin, Sherifin, Arifin dhe Hakifin.  

Mustafa, djali i dyte i Latifit, kishte pasur 3 djem e 5 vajza:  

Azizin (Aziz Zhilivoden), Hajrizin (babën e Kolonel Ahmet Krasniqit) dhe Azemin, si dhe vajzat Hafizen, Hanen, Faten, Minën dhe Fazën. 

Shabani ishte djali i tretë, më i vogë i Latifit. Ai kishte dy djem Qerkinin dhe Qerimin. 

Shabani ishte pushkatua para fëmijëve, 4 e 6 vjet, Qerkinit e Qerimit nga ushtria serbe më 1918). Azizi ishte betua se ka me ia marr hakin axhës Shaban. 

”E vërteta nuk është aspak siq thua ti thua ti, z. Sinan Kastrati, Botapress, 01/12/2014

Si e njoha Ahmet Krasniqin? 

Unë isha dhëndërr i Qerim Shaban Krasniqit nga Zhilivoda. Qerimi e Azizi ishin djemt e dy vëllezërve, Mustafës dhe Shabanit. Në Zhilivodë njoha, pash e dëgjova për trimëritë Azizit, Qerimit, Hajrizit dhe Fatës, motrës së Azizit, hallës së Ahmetit. 

Me Ahmet Krasniqin jam takuar për herë në korrik të vitit 1982, në odën e Qerim Shabanit, te vjehrri im, në Zhilivodë. 

Te Qerimi, për herë të parë Ahmetin e pash e ndejtëm 1 ditë e gjithë natën. Ishte një ditë e nxehtë, si në korrik kur korren grunet. Dielli përcëllonte. Qerimi kishte rendin e të fshimeve të grurit, ose Ditën e Lames a të Fshimet. Një makinë e madhe DRESH e Xhemajlit të mixhës Musli dhe 20 puntor punonin sa mundin. Unë, Shefqeti dhe Ahmeti i bajtëm thasët me grurë dhe e mbushëm hambarin me drith. Pasi hëngrem darke, ”Darken e të fshimeve”, me Ahmetin e Shefqetin ndejtëm gjithë natën duke biseduar, vetëm na tre. Ahmeti pinte shumë duhan, po as unë e Shefqeti nuk e linim keq. 

”Si komunikoja me kolonel Ahmet Krasniqin”, Sinan Kastrati, Botapress, 09/04/ 2015

Ahmeti atëherë, sa më kujtohet ishte major dhe shërbente në ish APJ-në dega e këmbësorisë, në Zagreb (?). 

Ishte i gjallë, i gjatë e i hollë me një trup atleti e mustaqe të zeza. Kur fliste, të habiste me gjuhën e pasur, të pastër e figurative. Të linte gojëhapur kur fliste për art e letërsi. Kishte lexua shumë vepra të letërsisë klasike dhe i njihte aq bukur autorët e veprat e tyre saqë shpesh tregonte pjesë nga goja e personazheve të veprave që i kishte lexua, sikur ai të kishte lexua letërsinë antike, klasikët e hershëm e të vonshëm. Nuk linte vend për dyshim dhe çdo fjalë e ngulte që s`kish erë e furtunë që e shkundëte.  

Dy librat e Ahmet Krasniqit, ”Shtatëmbëdhjetë shtatori” (ditar nga burgu) dhe ”Shqiptarët në luftën kroate” (analizë ushtarake) dhe libri ”E vërteta për FARK-un”, Agim Mehmeti

Ishte shumë i thjeshtë, serioz e tepër i arsyeshem. Dallohej nga të tjerët për modesti në të folur, në ndejë, në punë, në sjellje e qendrime. Kur vinte në Zhilivodë, për pushime ose në dasma a vdekje, ai kishte deshirë të takohej me të gjithë ish moshatarët e vetë të kohës së fëmijërisë e të rinisë së hershme, me Rrustën e mixhës Smajl një nga ish çobanët, njeri i thjeshtë, pa sherr e fukara. 

Kur Ahmeti ishte Kapiten i Klasit të Parë, Rrusta i thonte:  

-Ahmet, ti je kapiten e unë jam major. 

-Ani bre Rrustë, qeshte e nuk e kundërshtonte Rrustën. . 

Rruga e mergimit, rrugë e pa kthim. 

Në fund të Qershorit 1992 (22/06/1992) unë bashkë me familjen, gruan (Nexhmien) dhe tre fëmijët (Mimozën, 10 vjet, Entelën, 9 dhe Nënorin, 7) kisha vendosur të largohem nga Kosova, për shkaqe të njohura, ekonomike si pasojë e shkaqeve politike. Nga Prishtina me aurobus doja të udhtoja për në Shkup e nga Shkupi, për në Suedi. 

Shefqet Qerim Krasniqi nga Zhilivoda, vëllai më i madh i gruas, mësues dhe Ibush Bislim Asllani, tash i ndjerë, nga Beçuku, me vendbanim në Mihaliq, baxhanak i cili më ka ndihmua shumë, erdhën e na përcuallën. 

Ibushi e kishte gjetur dhe ai e kishte paguar një minibus, sepse ishim shumë dhe na përcolli deri në stacion të autobusve në Prishtinë. Kur u ndamë, të gjithë u mërzitëm. Shefqeti më bëri me shenjë me krye që të largohem pak anash e më zë të ngadaltë me tha: ”Ne Shkup keni me u takua me Ahmetin, Ahmet Krasniqin”! Ahmeti kishte ikur nga armata ish jugosllave dhe donte të shkoj në Shqipëri e atje, të takohej me Sali Berishën, liderin historik të PD-së e shtetit e axhën, Aziz Zilivodën. 

Rrugën deri në Maqedini, e kishte ndihmua Skënder Zogaj, me direktivat e prof Fehmi Aganit dhe të Ibrahim Rugovës. 

Nuk u takuam me Ahmetin në Shkup, për shkaqe sigurie, për Ahmetin. 

Bisedat me Ahmetin me telefon nga Rovinji 

Para se të vinte Ahmeti në Shqipëri (për së dyti, më 1998), ai jetonte në Rovinj me familje, në kushte shumë të vështira, ndonëse nuk ankohej. Punonte punë krahu, në treg shiste pemë e perime në një tezgë të vogël. Ndodhte që kur e thirrja në telefon, gruaja ose femijet i benin zë e ai vraponte me te shpejtë që të mos harxhoja shumë! Pra, ishte maksimalisht i vëmendshëm dhe kursimtar. Me duket se edhe sot po i degjoj zhurmën e shkallëve që zbriste e të ramet e makinës së shkrimit ”Unis”, kur qëllonte duke shkruar. 

Ahmet Krasniqi, Ministri i Parë i Luftës 

Në vitet që pasuan, Ahmeti e shtoi aktivitetin e tij. Ahmet Krasniqi, si ministër i parë luftes,1998. ne fund të Marsit 1998, me thirri nga Zvicrra nga një banesë e një shqiptari, emrin e të cilit nuk dua ta bëjë të ditur. ”-Dhanerr, pyete Milazim Krasniqin në Prishtine, a e kam perkrahjen e LDK-se si Ministër dhe thuaj Milazimit le t’i thotë Agim Krasniqit (nga Vll. Drenovci, ish kapiten i APJ-se) që të vije deri në Tiranë e të flasim!” 

Reagim: ”Katër musketarët e ”luftës” dhe ”betejave” të lavdishme dhe vrasjës së paqes”, Sinan Kastrati, Botapress, 16/12/ 2014

Milazimi më tregoi se me Kolonel Ahmet Krasniqin ishte takuar në Tiranë, ku kishte qenë në një konferencë, i ftuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Shqipërisë. Më tha ishin takuar dhe kishin biseduar me Kolonel Krasniqin bukur gjatë, por e theksoi se të dytë kishin qenë të rezervuar, por se i kishte premtuar Ahmetit që do ta njofotnte presidentin Rugova dhe do ta përcillte mesazhin për Agim Krasniqin, gjë që e kishte bërë. 

”Marreveshja e Oslos” ? 

Shume njohes, analiste, gazetare, ushtarake e ”eksperte”, këtë takim e quajnë si ”Marreveshja e Oslos”, çka nuk ka qenë ashtu. Nuk ka pasur marrëveshje e as kurrfarë dokumenti nuk është nënshkruar. Mbetet të shihet më vonë kur të dalin edhe dëshmitë e tjera e të flasin edhe akterët e tjerë. Sipas Agim Mehmetit, Zv, Minister i Luftës, i Kolonel Ahmet Krasniqit dhe pjesmarrës ne atë takim dy ditor, nuk ka pasur marrëveshje me shkrim (libri: ”E Verteta per FARK-un”, fq. 104-115.). Ky togfjalësh, ”marreveshje” sikur është ngulitur në mendjet e shumë njerëzve dhe vazhdimisht sa herë që flasin për atë takim, bisedë, ndejë,  e quajnë ”Marreveshja“, ”Marreveshja e Oslos” pasi që ishte mbajtur në Osllo, kryeqytetin e Norvegjisë.   

Letrat me Kolonel Agim Mehmetin rreth organizimi të luftës 

Në një letër të cilën ia shkruajta Agim Mehmetit, me 28. 03. 2015, kerkova nga ai pergjigje: ”A ka pas marrëveshje në Oslo në muajin Maj 1998, në takimin që ke marrë pjesë ti, Ahmet Krasniqi dhe Adem Demaqi e… Xhavit Haliti”? 

Përgigja e letrës së Kol. Agim Mehmetit ishte kjo: ”Qëllimi i takimit me Demaqin ka qenë fuqizimi i punës tonë në vazhdimsinë e përpjekjeve tona në formimin, krijimin e FARK-ut dhe pastaj përpjekjet më tutje për tu organizua dhe veprua për çlirimin e Kosoves. Takimin e Oslos unë e përjetova si një takim të vullnetit të mirë, pa kushtëzime ku biseduam sikurse ceka më parë, por takimi, bisedat në ditën e tretë, ditën e fundit, unë i përjetova edhe si një marrëveshje spontane gojore në të cilën u muarem vesh për disa gjëra si psh. Ardhja e tyre në Shtab në Tiranë, Përzgjedhja e shokve te tyre që do të vinin në Shtab, Mos me pas politikë partiake e ideologjike, Pas hyerjes në Kosovë te riorganizohen njësitë në Kosove, të plotësohen me eprorë profesionistë të lëmive dhe gjinive të ndryshme; Gradimi të bëhet në bazë edhe të vullnetit dhe suksesit të njësive ekzistuese, komandantet të caktohen në bazë të njesive ekzistuese. Jemi mar vesh edhe për Fondet e gjëra tjera të cilat i kam cekur në libër (”E vërteta për FARK-un” shën. imi). Unë përsëri i shkruajta dhe kërkova sqarime shtesë nga Kolonel Mehmeti e ai mu gjegj kështu: 

”Kemi bisedue për të gjitha gjërat me Demaçin rreth situatës në Kosovë, rreth UÇK-së, dy ditë e netë dhe natën e tretë është bërë një rekapitullim i gjithë asaj çka kemi bisedue në pika të shkurtëra dhe jemi marre vesh si të veprohet më tutje. Kane marrë pjesë per pos Ahmet Krasniqit, Demaçit, Xh. Halitit, Shaban Mujës dhe Fatmir Zyberaj. Nuk kemi bërë Marrëveshje me shkrim.  

Te fala nga A. Mehmeti”  

Takimi i tretë i dështuar me Ahmetin dhe pse unë nuk shkova në Oslo 

Ahmeti me thirri edhe mua të shkoj në Oslo por për shkaqe shëndetësore familjare, nuk munda të shkoj. 

Ahmeti më thirri e më tha, po vije unë një i besueshëm por nuk tregoi kush ishte ai. Mendoi se ai ishte Kolonel Agim Mehmeti. 

U bëmë gati ta prisnim Ahmetin në Halmstad, Suedi. Blemë ushqime, pemë, perime e pije. Bile u bëmë gati të piqnim edhe flia. Por, nuk qe e thënë e nuk erdhën. Sa e mbaj mend, Ahmeti me ka thënë se kishte probleme me pasaporta diplomatike … dhe nuk munden me ardhur (me Kolonel Mehmetin). Me gjatë ai nuk më ka treguar e as unë nuk e kam pyetur. 

”Hajdin Abazi e Bardhyl Mahmuti u betuan në vitin 1998 se do ta vrasin Ibrahim Rugovën e kolonel Ahmet Krasniqin”, Sinan Kastrati, Botapress, 12/11/ 2014

Ahmeti gjithashtu me pat thënë: ”Dhânerr, nëse njeh ndonjë oficer shqiptar në Suedi ose shtet tjetër, thirre dhe jepja adresën, nr. e tel. se ku të lajmerohet (Unë i kisha adrsat). Në Suedi i kam thirr dy oficerë: Sinan Rrahmanin që banonte në Falkenberg të Suedisë, qytet në mes të Halmstadit dhe Göteborgut, nje ish oficer me gradën kapiten i cili kishte shërbyer në Maqedoni, në APJ-në dhe tjetri, një ish pilot shqiptar që kishte shërbye, edhe ai në ish APJ-në, në aviacio , por tash (1998) punonte si shofer autobusi në Stokholm, Avni Kastrati. 

Vrasja e Kolonelit, atentati ne Tirane. 

Për vrasjen e Kolonelit dëgjova nga Rame Ademi- Nikqi, një fqinj imi nga Rugova e Pejës, pasi u ktheva nga një kurs kompjuteri që e vijoja në Halmstad, qytetin ku jetoja, të nesërmen, dmth më 22 shtator 1998  Për vrasjen e Ahmetit nuk dija më shumë nga ajo që është publikuar në Radio, TV-e e gazeta e në QIK (Qendra për Informim e Kosovës) 

Thirra Behxhetin, vëllain e Ahmetit, në Gjermani dhe i shpreha ngushllimet e mia. Thirra edhe Muhamet Shatrin, kryetar i komisionit për 3%, në Skandinavi. Nga ai kërkova numrin e tel. të Ministrit të Financave, Isa Mustafës. Në numrin që ma dha prof Shatri, thirra në Gjermani. Mu lajmërua Ministri i Drejtësisë, Halit Muharremi me të cilin fola për Ahmetin. Deshiroja të dije sa më shumë për ate që kishte ndodhur në Tiranë, më 21 shtator 1998 në mënyrë institucionale ta ndihmojmë familjen e Ahmetin. 

Për mua atëherë e sot Bujar Bukoshi dhe ”qeveria” që ai udhëhiqte, është po aq e dyshimte sa edhe disa ”komandantë” te uçk-së, krahu i majtë, marksist-leninisnit-nanist (Fatos Nano e Klosi), Hashim Thaçi, Xhavit Haliti po edhe Adem Demaçi, Bardhyl Mahmuti, RTSH-ja dhe shteti shqiptar.   

Si e njohin ushtarët shqiptar Ahmet Krasniqin? 

Për Ahmetin më kishte folur një kusheri i aferm, Fehmi (Haradin) Din Kastrati. Ai shërbimin ushtarak e ka kryer në Zagreb më 1978/1979 kur Ahmeti shërbente si kapiten i klasit të parë në kazermën ”Marshall Tito”. ”Isha shofer dhe vozisnja një dajc. Njëherë kur kishim ushtrime ushtarake, para kamionit tim erdhi një ushtarak, burrë i fortë, kapiten i klasit të parë. Ai i udhëhiqte ato ushtrimeve dhe sa e di unë, ka zënë vendin e pare në ish APJ-në, në Jugosllavi, si eprori më i zoti në ato ushtrime, vazhdoi Fehmiu. Pasi i raportova ushtarakisht, ai më përtshëndeti e me foli shqip:  

”Mire, bac, vazhdo!’ dhe u ul në kamionin tim, afer meje”. 

Reagon Bardhyl Mahmuti rreth shkrimit në ”Botapress” rreth Rugovës. Betimi i UÇK-së dihet, Presheva Jonë, 2015-11-15

Pastaj e kam takuar disa herë në pistë, dhe në fund, më tha Fehmi Kastrati. Ushtarët shqiptar Ahmetin e quanin Mic Sokol, ndërsa të tjerët ushtarë, jo shqiptar i thonin Gjems Bond. Ishte i gjatë dhe i hollë. Pak zeshkan e me floke të zeza korb. 

Per Ahmetin, si edhe për Azizin, Hajrizin, Qerkinin e Qerimin: “Dashuria për atdheun ishte çdo gjë”. Ndaj edhe këto fragmente ditari, janë vetëm një nderim i vogël për ata. 

Shkrimin nga Ditari im për Ahmetin e kam shkruar që nga dita kur e kam njohur e deri në natën kur është bërë atentati dhe e kam publikua në muajin prill 2015 por pasi Bota Press i ka largua shkrimet e mia, unë e mora një kopje publikimi të datës 21/09/2018, me rasin e 20 vjetorit të vrasjes së Kolonelit në Tiranë. 

Në shkrimet tjera, të asaj kohe flas edhe për natën kritike të 21 shtatorit dhe tubimin e ish lpk-istve, markistë në Shoqatën ”Liria” në Malmö, Bardhyl Mahmuti në një pyetje të mërgimtari: se a do ta vrisni edhe Kolonel Ahmet Krasniqin, ai do të thoshte me bindje e plotë gojën: 

-Po, edhe Ahmet Krasniqin do ta vrasim. Pas dy orëve, ende pa u shprënda mërgmitarët shqiptar nga ”Liria”, Ahmeti vritet në Tiranë. 

Adem Demaçi edhe pse dha dorëheqje si përfaqësues politik, kurr nuk e foli asnjë fjalë.  

Për Ahmetin, në çdo përvejor e kam kujtua me nga pakë fjalë, ato që dija dhe bisedat që kisha me familjarët e nipat e Ahmetit, Xhemajl Breznicën, Avdi Grajqevcin dhe studjuesit e Ahmetit: Skënder Zogaj, Sefë Krasniqi etj. 

Për Ahmetin kam edhe 8 orë bisedë të inqizuar me Xhemal Breznicën, njohësi më i mirë që ka ndejtur më së shumti me Azizin dhe më pakë me Ahmetin në Shqipëri. Nëna e Xhemajlit është motra e Azizit, Hajrizit e Azemit. 

Malmö, 1 prill 2024  

sinankastrati09@hotmail.com 

Lëvizja e Deçanit- islami politik dhe shqiptarët përballë ndryshimit historik

3

Lekë Pervizi: Një zë prej andej – Në 95-vjetorin e lindjes 

Nga Frank Shkreli 

Lekë Pervizi, piktori i  kampeve të vdekjes të regjimit barbar të Enver Hoxhës dhe dëshmitar i krimeve dhe i vuajtjeve të mijëra shqiptarëve anti-komunistë, në burgjet dhe kampet e përqendrimit të regjimit.

Lekë Pervizi, autor, piktor shkrimtar, publicist, poet, ish i përndjekur politik – mbi të gjitha, dëshmitar i krimeve dhe i vuajtjeve të mijëra shqiptarëve anti-komunistë, në burgjet dhe kampet e përqendrimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës – ndër më çnjerëzorët në Evropë e në botë, ç’prej Luftës II Botërore festoi në fillim të Marsit që posa kaloi, 95-vjetorin e lindjes; larg vendlindjes, atje në Belgjikë, ku është; vendosur me familjen e tij pas shembjes së Murit të Berlinit ku edhe sot jeton e ku, edhe në këtë moshë, vazhdon të merret me shkrime, boton libra dhe revistën Kuq e Zi, në vazhdimësi, për 30-vjet tani. Nr 180 Jus (Récupéré).pdf

Në librat dhe në revistën Kuq e Zi, por edhe me vizatimet unike (për botën ish-komuniste) nga jeta e përditshme në kampet e përqëndrimit dhe në burgjet komuniste të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, Pervizi ka përshkruar sistemin çnjerëzor komunist të regjimit kominist në Shqipëri. Ai ka informuar botën në shqip dhe gjuhë të tjera, mbi mizoritë që ndodhnin në burgjet dhe kampet e përqendrimit të Shqipërisë staliniste, por tërthorazi ishte një testament edhe mbi krimet staliniste. Janë vepra që përshkruajnë krimet kundër njerëzimit në kampet staliniste të punës, por në të njëjtën kohë, veprat e Lekë Pervizit, vazhdojnë të jenë një testament i shpirtit dhe i fuqisë dhe vullnetit të njeriut për të mbijetuar edhe në rrethanat më çnjerëzore. Është vështirë të besohet sot, ndoshta, se ishte një triumf të mbijetoje kampet dhe burgjet e komunizmit në Shqipëri. Veprat e Lekës janë dokumente reale me të cilat autori përshkruan vuajtjet e pabesueshme dhe krimet e errëta që njeriu është i aftë të bëjë kundër njeriut dhe të afërmve të vet, por janë gjithashtu dëshmi se njeriu dhe popujt e shtypur nga regjimet diktatoriale komuniste, naziste dhe ideologji të tjera shtypëse gjatë historisë, nuk pranojnë të dorëzohen as të kapitullojnë përballë të keqes. Lekë Pervizi është një ndër ata shqiptarë të kampeve të përqendrimit të Enver Hoxhës që nuk u dorëzua, as nuk pranon të kapitullojë as sot para së keqës – ndonëse në moshën 95-vjeçare! Z. Pervizi mbetet ende njëri prej atyre shqiptarëve, që vazhdon të punojë dhe të flasë me drejtësi dhe me përgjegjësi morale – madje edhe në moshën 95-vjeçare. Ai ishte dhe mbetet një prej zërave që gjithnjë vjen prej andej; prej kampeve të përqëndrimit dhe burgjeve të diktatorit Enver Hoxha. Kur ai flet, ne dëgjojmë zërin e mijëra shqiptarëve kundërshtarë të komunizmit që u zhdukën atje e shumë prej të cilëve; ndër më të mirët e Kombit, që as varri nuk u dihet.

Shqiptarët patriotë të vërtetë si Lekë Pervizi janë kontribuesit e vërtetë të lirisë. Ai është monument dhe dëshmitar i gjallë i aq shumë vdekjeve martire dhe të pa zë, as atëherë, as sot. Lekë Pervizi edhe moshën 95 – vjeçare, vazhdon të jetë zëri që vjen prej “andej”, prej andej dhe përtej kampeve të përqendrimit dhe të burgjeve vrasëse të komunizmit enverist, ku mbijetesa ishte një triumf.

Lekë Pervizi edhe në moshën 95 – vjeçare, vazhdon të jetë zëri që vjen prej “andej”, prej andej dhe përtej kampeve të përqendrimit dhe të burgjeve vrasëse të komunizmit enverist, ku mbijetesa ishte një triumf. Shqiptarët patriotë të vërtetë si Lekë Pervizi janë kontribuesit e vërtetë të lirisë. Ai është monument dhe dëshmitar i gjallë i aq shumë vdekjeve martire dhe të pazë, as atëherë, as sot.

Ndërsa falënderojmë Zotin që ai “triumfoi” kundër komunizmit, duke mbijetuar në kampet e përqendrimit dhe burgjet e komunizmit shqiptar, ndër më të tmershmet e ish-kampit komunist-stalinist në botë, Z. Lekë i urojmë, në këtë 95-vjetor të lindjes, jetë të gjatë e shëndet në vazhdimësi, ashtu që të vazhdojë të dëshmojë për brezat, krimet më të ligshta çnjerëzore të diktaturës prej pothuaj gjysëm shekulli të komunizmit në Shqipëri.

Le ta dëgjojmë zërin e Lekë Pervizit, në këtë editorial që ai ndan me ne në numrin më të fundit të revistës së tij, Kuq e Zi! – me rastin e 95-vjetorit të lindjes së tij -Nr 180 Jus (Récupéré).pdf

    

Editorial 180 nga Lekë Pervizi, botuar në revistën më të fundit, “Kuq e Zi”, në Bruksel:

“Muaji Mars nis me 95-vjetorin e ditëlindjes së nënshkruarit e drejtorit të revistës Kuq e Zi. Një dhuratë e çmueshme e të Madhit Zot, i qofshim falë. Kjo jetë e gjatë, nuk asht se ka kalue fjoll, e gjithsesisht normale dhe e bukur. Si shëmbëll i ngan asaj barkës ose anijes që niset me det të qetë, vaj, dhe papritur e zenë stuhitë qiellore e tallazore në rrëzik të përmbyset. Por ja, që qiell e det rikthehen normalë e të qetë, dhe arrijnë në bregun e shpëtimit për ku ishin nisur. Stuhitë e tallazët harrohen, e jeta vazhdon të lulëzojë përsëri mes miradinave që njerëzimi ka krijuar për mirëqenje e begati tonë. Ky përshkrim alegorik, i përshtatet fort bukur jetës reale të njeriut, e në mënyrë më të vërtetë të jetës sonë. Në kuptimin e vetvetës ku sigurisht përfshihet familja, të afërmit e shoqëria. Eh, të dashur lexues, alegoria u kthye në ngjarje reale faktike. Ndërsa jeta kishte filluar e mbarë, me perspektiva të kënaqshme, si për vetveten, familjen e shoqërinë, erdhi kataklizma, përmbysja. Luftë botërore, përfshiu njerëzimin, duke mbjellur armiqësi midis tyre. Bota u nda në të mirë e të këqij. Në Kainë e Abelë. Në këtë rast Kaini mori emrin Komunizëm revolucionar, e Abeli demokrat paqësor, ku ishim të përfshirë. Ne nuk po merremi me botën, por me vetvetën si shqiptarë që jemi. Komunizmi në Shqipëri mori tiparet e dinozaurve, të përbindëshve gllabërues. Dhe i nënshkruari bashkë me mijra të tjerë u përfshinë në kthetrat e monstrave me tipare njerëzore e huqe kafshore. Kemi tregue mjaft se si shkuen punët në Shqipëri. Por meqë asht fjala për të nënshkruarin, edhe ai u katandis si mos më keq, duke e kalue atë lloj jete skitërrore, në burgje e kampe internimi, ku mund të kishte lanë jetën, si bashkëvujtës të tjerë që e pësuan dhe e humbën atë jetë që Zoti u kishte falë, por robi ua grabiti me dhunë. Ne vërtetë që ia dolëm më anë asaj stuhije mortore, po ama lamë pas një ushtri të tanë nën dhe me varre e pa varre. Nuk po hyjmë në detaje, se lexuesi i ka të qarta ato situata të rënqethëshme, ku të gjallë e të vdekur ecnin së bashku, alegorikisht e dhe përfundimi, përsëri alegoria. Ne arritëm në brigjet e shpëtimit e i shpëtuam stuhisë tallazore. E tashti në moshën shekullore i themi vetës, a jemi a s’jemi. Si u bë që u munduam kaq vjet dhe me një trishtim të madh? Thuej si të thuej, po kjo ashtë jeta me të mirat e të këqijat e saj. Shikojmë si bashkëvuejtësit me të cilët ndamë vuejtjet e mundimet, nuk janë më. Ia bana jetëshkrimin vetes, si alegorikisht ashtu faktikisht. 

Tashti, vazhdojmë me revistën ‘Kuq e Zi’, me kalue dhe këto vjetët që na mbetën, për të përmbushë një si detyrë, që ia kemi ngarkue vetës, me qëllim të rikambjes nga shkatërrimi që komunizmi i shkaktojë Shqipërisë e gjithë shoqërisë së zgjedhur bashkë me popullin.

Me rastin e 95-vjetorit më erdhën këto mendime, të pëlqyeshme, apo të papëlqyeshme. Njerëz jemi, dhe bashkë me të mirat mbajmë dhe të metat. Errare humanum est, thotë latini, dhe ne e mbështesim këtë thënje, që pak a shumë na shoqëron si justifikues i veprimeve tona, ku edhe mund të gabojmë.

E mbyllim këtë shënim për t’iu kushtue realitetit që jetojmë. Për ne, ky realitet, reflektohet në jetën që kemi rifituar në Belgjikë, me liri e demokraci, shoqëruar me respektin e njohjen e të drejtave themelore të njeriut, që komunizmi nuk i njihte, mohonte e shtypte, mizorisht, me terror, dhunë e krime të shëmtuara. Me kaq vazhdojmë të merremi me materialet e tjera për revistën Kuq e Zi.

Parqitëm një si hyrje për këtë numër të revistës. Dhe thamë se duheshin nja dy fjalë për të përndjekurit politikë, që janë strumbullari i revistës Kuq e Zi. Përveç faktit se ata e fituan lirinë, pas shumë vjet vuajtjesh. Vjen pyetja, a i fituen të drejtat e tyre themelore? E, mjerisht, rezulton se jo. Si është e mundur? Në ç’kuptim, thuhet, a nuk u mjafton fakti që ata u shpëtuen burgjeve e kampeve të përqëndrimit, dhe gëzojnë lirinë e pakufizuar, saqë nga qelitë e burgjeve bredhin nëpër botë sipas qejfit. Po, kjo është e vërtetë. Por, me një klecckë. E drejta është se ata, që meritonin të merrnin frenat e shtetit në dorë për drejtimin e vendit tashmë i lirë e demokrat u qitën jashtë loje. Mbetën si peshku pa ujë ose në zall. Ishin po ujqërit qimekuqë, që morën shtetin në dorë e duke ndërrue qimen e kuqe në blu ose rosë, (pa ndërrue vesin).

Ju të përdjekurit rrini rehat e mos pretendoni, sepse jemi ne që ju përfaqësojmë veç na jepni votat. E kështu si ajo që thuhet se vathit iu vu roje ose bari ujku qime kuq. Kështu që të përndjekurve, duke ua fërkuar shpinën, e marrë me të mira, nuk iu mbeti tjetër veçse të njihen moralisht e t’u qahet halli për vuejtjet që pësuan. Ndërsa, ujqërit, po ujqër mbetën, pa çka që e kthyen qimen në blu e rozë. Lene pastaj që përveç anës morale, ata mbetën me gisht në gojë nga ana materiale, as ua kthyen pronat dhe as i morën shpërblimin e plotë të vitëve të burgjeve e kampëve. Ndërsa pjesë e tyre vdiqën pa marrë asgjë. Fati, por drejtë të thuhet, Zoti, i mëshirojë duke i ndihmuar ata të marrin vetën me forcat e tyre, moralisht, siç është dhe puna jonë me revistë, e mundësinë e shkrimit e botimit të librave, kushtuar asaj jete të humbur, por edhe asaj të fituar pas një gjysmë shekulli, shumë të gjatë. Qoftë lëvdue e nderue i Madhi Zot.” 

Editoriali i nënshkruar nga Lekë Pervizi —(Editorial nga Lekë Pervizi, #180, numri më i fundit i revistës “Kuq e Zi”. Nr 180 Jus (Récupéré).pdf –)

KUSH ËSHTË LEKË PERVIZI: Piktor, përkthyes, publicist, botues, i biri i gjeneral Prenk

Pervizit. Lindi më 26 qershor të vitit 1929, në fshatin Skuraj të Kurbinit. Shkollën fillore dhe një të mesme tre vjeçare i kreu në Institutin «Santa Maria», në Romë. U kthye në Shqipëri më 1944. Nën diktaturën komuniste, familja Pervizi u persekutua për shkak të Gjeneral Prenk Pervizit, në burgje e kampe internimi; ai shpëtoi pranë librarisë së familjes Pepo në Tiranë. Më 1949 arriti të fillojë Liceun Artistik në Tiranë, por në maj të vitit 1950 u arrestua bashkë me të vëllanë, Valentin Pervizin. U internua në Porto Palermo. Një vit më vonë u transferua në kampin e Tepelenës, ku u takua me të ëmën (gjyshja ndërkaq kishte vdekur). Aty arriti të vizatojë skena e portrete nga jeta e kampit, si dhe të krijojë disa poezi, një pjesë e të cilave shpëtuan dhe u botuan pas rënies së diktaturës. Pas mbylljes së kampit më 1954, u transferua në Plug të Lushnjës. Një vit më vonë, u dërgua në Shtyllas të Fierit e prej këtu në Kuç të Kurveleshit. Më 1958 u kthye në Plug (deri më 1990). Pas rënies së komunizmit, u vendos familjarisht në Belgjikë, ku jeton edhe sot. Atje merret me shkrime dhe boton e drejton revistën «Kuq e Zi».

Vepra: Në vorbullën e Skëterrës, «Dorian», Bruksel 2014; Në rrathët e Ferrit (album), ISKK, Tiranë 2014; Tingllime të vona, «Dorian», Bruksel 2016; Lek Pervizi, Odiseja e pafajsisë, «Dorian», Bruksel 2017; Gjenerali, «Gjergj Fishta», Lezhë 2017. Përkthime: Dhimitër Frangu, Historia e Gjergj Kastriotit   Skënderbeut, «Arbëria», Tiranë 2005.kthye në Shqipëri më 1944. Nën diktaturën komuniste, familja Pervizi u persekutua për shkak të Gjeneral Prenk Pervizit, në burgje e kampe internimi; ai shpëtoi pranë librarisë së familjes Pepo në Tiranë. Më 1949 arriti të fillojë Liceun Artistik në Tiranë, por në maj të vitit 1950 u arrestua bashkë me të vëllanë, Valentin Pervizin. U internua në Porto Palermo. Një vit më vonë u transferua në kampin e Tepelenës, ku u takua me të ëmën (gjyshja ndërkaq kishte vdekur). Aty arriti të vizatojë skena e portrete nga jeta e kampit, si dhe të krijojë disa poezi, një pjesë e të cilave shpëtuan dhe u botuan pas rënies së diktaturës. Pas mbylljes së kampit më 1954, u transferua në Plug të Lushnjës. Një vit më vonë, u dërgua në Shtyllas të Fierit e prej këtu në Kuç të Kurveleshit. Më 1958 u kthye në Plug (deri më 1990). Pas rënies së komunizmit, u vendos familjarisht në Belgjikë, ku jeton edhe sot. Atje merret me shkrime dhe boton e drejton revistën «Kuq e Zi».

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist VI (Tiranë: ISKK, 2017), 260.

Me Prillin 1996 nisi kalimi i kufirit nga Kosova në Shqipëri pa viza dalëse

Te tryeza e mbledhjes së qeverive Shqipëri-Kosovë – 23 mars 2015

___

Behlul Jashari, Prishtinë

-Pas botimit të reportazhit tim të Marsit 1996 “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, që edhe u përkthye dhe arriti edhe te diplomatë më erdhi edhe mesazhi se kurrë më nuk do të jetë ashtu ai kufi

PRISHTINË, 1 Prill  2024/ Para 28 viteve, në 1 Prill 1996 për herë të parë kalova kufirin Kosovë-Shqipëri nëpër vendkalim kufitar, në Vërmicë-Morinë, ishte dita e parë e heqjes së vizave dalëse. Viteve më parë udhëtoja drejt Shqipërisë duke kaluar nëpër Mal të Zi, e ilegalisht në një rast i nisur nga Ulqini duke ecur këmbë drejt Shkodrës, e në një rast tjetër duke ecur këmbë nga Kumanova në Maqedoni drejt Preshevës – Kosovës Lindore…

“Lajmi i fundit” në gazetën e Kosovës “Bujku”  në ballinë, i shkruar në 1 Prill 1996  nga Prizreni e Kukësi,   kishte titullin “Kufiri Kosovë-Shqipëri kalohet pa viza dalëse”  dhe në fund paralajmëronte: “Raport më të gjerë nga të dy anët e kufirit ndërshqiptar japim në numrin e nesërm”.

Në pasditën e 1 Prillit 1996 shkova deri në Kukës dhe u ktheva në Prizren e natën vonë në Prishtinë për të shkruar raportin nga ai udhëtim. Një fragment të atij raportimi e kam ribotuar me titull “Kronikë kufiri” para më shumë se çerek shekulli kur kam shkruar reportazhin e ardhmërisë – futuristik “Udhëtimi për në Prizren” botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996. Këtë reportazh futuristik që paralajmëronte bashkimin kombëtar – heqjen e kufirit Shqipëri-Kosovë e lidhjen edhe me autostradë e gjejë në Arkivin Shtetëror të Kosovës të botuar në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, dhe në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë të botuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja që dilte në Tiranë pasi në Prishtinë u ndalua me dhunë nga Serbia okupatore. Brenda reportazhit është edhe shënimi “Kronikë kufiri” – pjesë nga shkrimi që kam bërë në 1 Prill 1996 nga kufiri Kosovë-Shqipëri,  të cilin vetëm zogjtë e kalonin pa pengesa…

“Udhëtimi për në Prizren” ishte reportazhi i dytë i ardhmërisë që kam shkruar. I pari ishte “KOSOVË: REPORTAZHI I ARDHMËRISË – Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995 dhe është botuar në atë fundvit në të dy kryeqytetet shqiptare, ndërsa i treti ishte  “Kufiri i ëndrrës”  që e kam shkruar në fundvitin 1997, botuar në 3 Janar 1998…

Reportazhet e ardhmërisë i botoja edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip edhe me shumë raportime që bëja si korrespondent në Prishtinë i Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë që nga 24 Maji i vitit 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë, kur lideri historik i lëvizjes për liri e pavarësi Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President.

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet e ardhmërisë – futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur nga 17 Shkurti 2008…

Reportazhi i ardhmërisë II “Udhëtimi për në Prizren” i para më shumë se çerek shekulli ishte ky:

 UDHËTIMI PËR NË PRIZREN

(Reportazhi i ardhmërisë II)

Behlul JASHARI

Nuk kishte arritur as t’i shfletojë mirë botimet e  mëngjesit, të gazetave që i kishte marrë në Tiranë, e as ta pijë deri në fund kafenë. Udhëtimi me aeroplan nga Rinasi deri në Sllatinë kishte zgjatur vetëm njëzet e tre minuta. Kishte fluturuar mbi brerimat e bardha të reve, e nga dritarja nuk kishte mundur as përafërsisht të shohë a të përcaktojë se ku mund të jetë vija e kufirit, prej nga vinte lajmi i ditës, që e kishin botuar të gjitha gazetat: “Hiqen gurët e kufirit…”  Njoftohej se lumjanët me daulle, si në dasma, kishin dalë t’i hiqnin gurët, që para shumë e shumë viteve kishin venë kufi midis tokave të tyre. Nuk ishte ky kurrëfarë incidenti kufitar, por edhe paralajmërim i një ngjarjeje, për të cilën reporteri nga Tirana ishte nisur për në Prizren.

            Kishte ardhur më parë në Prishtinë për të shfletuar kronikat e viteve të bujshme të Kosovës. Donte të bënte edhe një kronikë ngjarjesh që i paraprinë një Kuvendi të madh kombëtar, që do të mbahej pas një kohe në Prizren, në kryeqytetin e Lidhjes Shqiptare. Në Prizren pritej edhe  manifestimi qendror i përurimit të autostradës Lezhë-Prizren-Prishtinë, të ndërtuar nëpër shtigjet e rrugës së vjetër  Lis-Dardani…

            Pikërisht udhëtimet Kosovë-Shqipëri nëpër vite ishin një nga interesimet gjatë shpalimit të kronikave në Bibliotekën Kombëtare e Universitare  në Prishtinë. Viti 1996 iu duk se ishte një vit kthesë. Më 1 prill të këtij viti,  për herë të parë pas shumë viteve,  shqiptarët e Kosovës së pushtuar filluan të udhëtojë për në Shqipëri pa viza dalëse, që i kishte aplikuar regjimi i Beogradit për të penguar komunikimet ndërshqiptare. Rexhimi i vizave ishte tepër rigjid. Vetëm brenda një viti mbi një mijë shqiptarëve të Kosovës iu kishin konfiskuar pasaportat e u ishin shqiptuar dënime nga policia e nga gjyqet serbe vetëm e vetëm pse kishin udhëtuar në Shqipëri pa viza dalëve. Po, udhëtimet nuk ndaleshin me gjithë vrasjet në kufirin e ndodhur nën kontrollin e hekurt të forcave serbe.

            Pasi ishte hequr regjimi i vizave dalëse, sipas kronikave të kohës, Prizreni priste të bëhet qendër shumë e rëndësishme e komunikimeve ndërshqiptare nëpër magjistralin Prishtinë-Lezhë. Magjistrali është quajtur rrugë e ardhmërisë nëpër shumë shkrime gazetash  të vitit 1996, kur nga Prishtina për në Tiranë udhëtohej më shumë nëpër Podgoricë apo Shkup dhe udhëtimi zgjaste deri shtatëmbëdhjetë orë. Ishte llogaritur se magjistrali Lezhë-Prizren do të shkurtonte për tre herë rrugën nga Kosova për në bregdetin shqiptar. Midis këtyre dy qyteteve shqiptare  ai magjistral i shtrirë nëpër luginat e lumenjeve Fani i Vogël e  Drini i Bardhë do të kishte maksimum 130 kilometra…

            Tek shfletonte kronikat e vitit 1996 në Kosovë, gazetarit nga Tirana përshtypje të veçantë i bëri edhe një titull i madh në faqen e parë të gazetës: “Jemi zotuar për të ardhmen  e lirinë tuaj”. Ishin këto fjalët e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit Xhon Kornbllum në hapjen e Zyrës Amerikane në Kryeqytetin e Kosovës, më 5 qershor. “Kjo është një ditë historike për Kosovën”, deklaronte me këtë rast presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.

            Shfletimi i kronikave për përfaqësinë e parë të një shteti të hapur në Kosovë ia përkujtoi se duhet të shkojë brenda ditës në ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë, në kuadrin e ambasadave në kryeqytet…

            Derisa po kthehej, kishte rënë nata, rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të ndriçuara me neon ishin të mbushura plot njerëz.  Masa e njerëzve që shëtitinin në atë mbrëmje të këndshme ia kujtoi të dhënën se numri i banorëve të Kosovës kishte arritur në mbi tre milionë.

            U ndal më gjatë para reklamave të kinemave e teatrove të kryeqytetit. E shihte se do ta kishte vështirë të përcaktohej ku të shkojë, por as nuk kishte kohë. E priste takimi me kolegët gazetarë të Prishtinës në hotelin “Bozhurët e Kosovës”, ku ishte vendosur. I pihej edhe një raki rrushi e Rahovecit…

            Po, kishte pirë edhe ca më shumë, dhe derisa po lexonte teletekstin shqiptar dhe gazetat e mbrëmjes, e kishte zënë gjumi. E kishte zgjuar herët cingërrima e telefonit. Ishte një telefonatë nga Tirana, që e paralajmëronte se pas një ore duhej të paraqitej drejtpërdrejt me raport për lajmet e mëngjesit në Televizion.

            Raportin e kishte në mendje, po, megjithatë, po e shkruante edhe në letër: “Në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën pritet me interesim shumë të madh  Kuvendi gjithëkombëtar, që do të mbahet në Prizren. Pritet edhe përurimi i magjistralit…Heqja e gurëve që shënonin kufirin është manifestim i entuziazmit e gëzimit të popullit për bashkimin kombëtar që paralajmërohet…”

            Pas festës së madhe që paralajmërohej me mbajtjen e Kuvendit kombëtar në Prizren po e priste edhe një festë e bukur: Dita e Verëzes – Dita e Luleve.

Është kjo një festë e lashtë iliro-pagane, që, pos në Prizren e rrethinë, nga të gjitha trojet shqiptare festohet vetëm edhe në Elbasan, në të njëjtën ditë, më 14 mars,  po me emër ca ndryshe: Ditë e Verës – Ditë e Luleve. Prandaj, në këtë festë në Prizren udhëton edhe një delegacion nga qyteti i Elbasanit.

            Kështu, si një surprizë hyn edhe Festa e Luleve në reportazhin e ardhmërisë të reporterit në udhë për në Prizren, prej nga do të kthehet përsëri në Tiranë, për herë të parë nëpër magjistralin e sapoperuruar, vetëm për afër dy orë. E, në Vermicë s’do të jetë më pika kufitare, s’do të jetë më kufiri…

KRONIKË KUFIRI

Kufiri Kosovë-Shqipëri nuk është më si fundi i botës. Pas shumë vitesh kalohet sot për herë të parë pa viza dalëse nëpër pikën kufitare të Vermicës. Po, megjithatë, aty ende ndalojnë forcat serbe dhe është një kontroll i hekurt.

Në njërën anë – bunkerët e betonit, që kanë mbetur si të harruar e janë mbuluar nga ferrat e bari.

Në anën tjetër – “piramidat e betonit”, kaherë të vendosura në zonën kufitare si “pengesa antitanke”.

E, mbi të gjitha pejzazhet shqiptare, midis të cilave sikur mbytet vija e mallkuar e kufirit të aq shumë ndarjeve. Mbi malet e ashpra me borë të Sharrit, Pashtrikut e Koretnikut fluturon një Shqiponjë, nëpër qiellin e përflakur nga dielli në pranverë si në sfondin e flamurit.

E, jo vetëm stinën, por edhe kohën që vjen, sikur e paralajmërojnë dallëndyshet e lejlekët që fluturojnë mbi syprinat e kaltra të lumit të Drinit.

Megjithatë, vetëm zogjtë kalojnë kufirin pa pengesa…(Vermicë, 1 prill 1996)

NGA REPORTAZHI IM I MARSIT 1996 “MURI NDËRSHQIPTAR SI ‘FUNDI I BOTËS’”:

E më pak se dy javë para 1 Prillit 1996, jo rrugës po nëpër male fshehtas nëpër shtetrrethimin e forcave serbe shkova deri afër kufirit Kosovë-Shqipëri dhe nga një kodrinë shihja si dukej e çka ndodhte në vendkalimin kufitar në Vermicë-Morinë, prej nga shkrujta reportazhin “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, të cilin e botova në gazetën e rezistencës “Bujku” më Prishtinë para 27 viteve, në 18 Mars 1996.

Reportazhin e dërgova edhe në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë. Në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetura” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se reportazhi është botuar në 19 Mars 1996 edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë. Në atë reportazh mes tjerash, kam shkruar:

“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.

Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 Marsit.

Donin të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”…

***

Pas botimit të reportazhit “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, që edhe u përkthye dhe arriti edhe te diplomatë më erdhi edhe mesazhi se kurrë më nuk do të jetë ashtu ai kufi…

Në gazetën “Bujku” reportazhi ka nënshkrimin edhe të korrespondentit të saj në Prizren, Fatmir Pireci, bashkë me të cilin shkuam drejt kufirit…

Begaj: Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë

0

Nga: Almarina Gegvataj

TIRANË, 1 prill/ATSH/-Më 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në NATO.

Presidenti Bajram Begaj, përcolli sot një mesazh për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Begaj thekson se anëtarësimi në NATO realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar dhe është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

“Data e 1 Prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës sonë. Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare”, shprehet presidenti në një postim në rrjetet sociale.

Ai shpreh mirënjohje ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve, të cilët mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi.

“Shqipëria në këto 15 vite në NATO ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën Euroatlantike. Krenar për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje. Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe”, deklaroi presidenti Begaj.

Agjencia Telegrafike Shqiptare /ATSH

“Unë jam shumë i lumtur që kam mundësinë t’i flas publikut amerikan përmes The Christian Science Monitor”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Prill 2024 

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të martën e 31 marsit 1942, në faqen n°8, letrën e hapur të Mbretit Zog drejtuar asokohe popullit amerikan, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Mbreti shqiptar u flet amerikanëve

Burimi : The Christian Science Monitor, e martë, 31 mars 1942, faqe n°8

Burimi : The Christian Science Monitor, e martë, 31 mars 1942, faqe n°8

Zogu flet për besimin e tij në rolin e rëndësishëm që Shtetet e Bashkuara luajnë në krijimin e një bote më të mirë pas luftës. 

Roli i pasluftës i Shteteve të Bashkuara në lidhje me qeveritë aktuale – në mërgim dhe angazhimet e Kartës së Atlantikut është një çështje me interes të madh. Në deklaratën shoqëruese, Mbreti i Shqipërisë përcakton bazën e bashkëpunimit në shërbim të ndërsjellë të lirisë. 

Nga Zogu I

Mbret i Shqipërisë 

Londër, 

Unë jam shumë i lumtur që kam mundësinë t’i flas publikut amerikan përmes The Christian Science Monitor. 

Populli amerikan ka luajtur dhe do të luajë një rol të madh në organizimin e një bote më të mirë. Dashuria e tyre për lirinë dhe besimi i tyre në domosdoshmërinë e një drejtësie të vërtetë ndërkombëtare në përputhje me ligjin moral (në një drejtësi të pa gjymtuar nga konsideratat e interesit vetjak dritëshkurtër), përbëjnë një fuqi me të cilën njerëzit e Shteteve të Bashkuara do fitojnë për vete mirënjohjen e botës së civilizuar. 

Për sa i përket vendit tim, tashmë në të kaluarën amerikanët kanë treguar simpatinë e tyre për të kur Presidenti Roosevelt kundërshtoi fuqishëm dhe me sukses propozimin që Shqipëria, për shkak të amputimit të pjesëve vitale të territorit të saj, të sakrifikohej më tej për të ashtuquajturin ekuilibër të pushtetit në Ballkan.

Presidenti Roosevelt ka treguar gjithmonë me guxim interesimin e tij për ne gjatë viteve të fundit të pavarësisë sonë, dhe ai ka vazhduar ta bëjë këtë duke refuzuar në asnjë mënyrë të njohë aneksimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Mendoj se mund ta interpretoj mirëpritjen që morën motrat e mia nga autoritetet dhe populli i Shteteve të Bashkuara, si një dëshmi e simpatisë së tyre ndaj popullit shqiptar.

E gjithë bota e qytetëruar kujton me tmerr (megjithë numrin e madh të krimeve ndërkombëtare që janë kryer që atëherë) sulmin e turpshëm të një vendi me 40.000.000 banorë mbi një komb prej vetëm 1.000.000 banorësh, i cili, pavarësisht gjithçkaje, ishte përpjekur të besonte në mundësinë e mbajtjes së marrëdhënieve miqësore. Kundër flotës italiane, ushtrisë italiane dhe skuadriljeve ajrore italiane të dërguara kundër nesh, ne nuk kishim rrugë tjetër veç besimit në të drejtat tona. Sulmi nisi pikërisht në ditën kur lindi djali im. Fakti që kjo ditë ishte e Premtja e Madhe (Shenjtë) nuk i pengoi operacionet ushtarake nga ana e një fuqie që e quan veten kampione të qytetërimit të krishterë.

Mbretëresha, e cila është krenare për gjakun e saj amerikan, vuajti shumë nga udhëtimi. Por që atëherë ne kemi vuajtur edhe më shumë duke mësuar për vuajtjet e bashkatdhetarëve tanë. Ata nuk kanë reshtur së kundërshtuari pushtuesin dhe jam i sigurt se do të vazhdojnë ta bëjnë këtë derisa ushtari i fundit i huaj të largohet nga territori ynë kombëtar.

Gjatë luftës italo-greke (të cilën e kishim parashikuar që në momentin e sulmit kundër nesh), shqiptarët bënë gjithçka që mundën për të ndihmuar grekët kundër armikut të përbashkët. Ne besojmë se do të shfaqen mundësi të reja bashkëpunimi.

Sigurisht që Deklarata e Atlantikut, e zbatuar sinqerisht, do t’i japë fund të gjitha pretendimeve territoriale që nuk bazohen në vullnetin e vetë njerëzve që banojnë në territoret në fjalë. Kjo Kartë do të ndihmojë në rivendosjen e drejtësisë së vërtetë për të gjithë njerëzit.

Ne jemi të gatshëm të shërbejmë në luftën për fitoren e lirisë dhe demokracisë për popullin tonë dhe për të gjithë ata kombe që po vuajnë si ne.

Shtetet e Bashkuara, nën Presidentin Roosevelt, janë të destinuara të udhëheqin këtë luftë për të mirën kundër së keqes. Kombet e vogla dhe sidomos shqiptarët, prej të cilëve disa mijëra jetojnë në vendin tuaj dhe janë të lidhur me marrëveshjet tuaja, kanë besim tek ju.

Si u detyruan shqiptarët për të ndërruar fenë

Shkruan: Qazim Namani, Prishtinë

Me pushtimin e trevave shqiptare nga P. Osmane, fillon edhe procesi i islamizimit të popullatës shqiptare. Në shkulte XV e XVI, disa qytetar për ta ruajtur pasurinë e tyre dhe për të fituar poste në P. Osmane, e pranuan fenë islame. Deri kah mbarimi i shekullit XVI, islamizimi ishte i përkufizuar te një numër i vogël i familjeve. Prej fillimit të shekullit XVII, fillon një proces i organizuar i islamizimit duke aplikuar metodat e diskriminimit social përmes taksës, si dhe presionit të madh politik, që ushtronte P. Osmane ndaj popullatës shqiptare. Presioni kryesisht ushtrohej ndaj feudalëve, dhe popullatës që banonin në qytete. Më vonë në shekullin XVIII, fillojë edhe zëvendësimi i spahinjve të krishterë, me spahinjtë mysliman.

Në fillim të shekullit XVII, P. Osmane, për ti shuar kryengritjet shqiptare, dhe për ta zvogëluar veprimtarinë e klerit katolik, e hartojë programin për përhapjen e sektit të bektashizmit, në të gjitha trevat shqiptare. Përhapja e bektashizmit ndër shqiptarë, ndikojë shumë, në dobësimin e faktorit të shqiptarëve në rajon gjatë shekujve të më vonshëm.

Gjatë shekullit XVII, fillojë rënia e ndikimit të klerit katolik, të cilët në aspektin e religjionit dhe arsimit bënin përpjekje për vazhdimin e lidhjeve të hershme, me Vatikanin dhe shtetet evropiane perëndimore.

Zhvillimi i lëvizja së bektashizmit gjatë shekullit XVII, arriti ta krijojë edhe rrymën e vet letrare të bejtexhinjve, që ishin tërësisht të ndarë nga rryma letrare e më hershme, që kishte traditë në trojet shqiptare.

Gjatë shekullit XVIII, toleranca fetare që mbretëronte në mes konfesioneve të ndryshme fetare te shqiptarët, kishte krijuar kushte të përshtatshme dhe të favorshme, për përhapjen e bektashizmit në qendra urbane, dhe disa fshatra pranë rrugëve të rëndësishme tregtare.

Në shekullin XIX, pas reformave që bëri P. Osmane në vitin 1839, me të cilat u bë identifikimi i kombit me fe, u aprovuan ligje për krijimin e mileteve sipas përkatësisë fetare.

P. Osdmane i klasifikonte banorët e saj që i sundonte jo si mbas kombësisë etnike, por sipas fesë, një grup homogjen fetar quhej milet ose një komb, kështu myslimanët formuan miletin e islamit, ortodokset formuan miletin grek e serbë, bullgar etj.

Kjo ndarje ndikoi negativisht dhe i dëmtonte shumë shqiptarët, meqenëse në ato vite ishin të ndarë në tri konfesioneve fetare.

Njësimi i kombësisë me besimin, i shtyri disa priftërinj ortodoks në trevat shqiptare, ta përkrahin kishën greke, serbe, malazeze e bullgare duke shkelë mbi interesat kombëtare për tu pavarësuar nga P. Osmane.

Në vitin 1843, kur porta e lartë, e proklamojë “Hatisherifin e Gjylhanes” në Kosovë, kjo nuk u prit mirë nga popullata shqiptare, menjëherë filluan trazirat, dhe popullata u ngrit në kryengritje. Në fillim qendra e kryengritjes u bënë sanxhaku i Shkupit dhe ai i Prizrenit. Zemërimi i madh i shqiptarëve ishte shtuar, kur përveç shtimit të madh të taksës, regrutimit të dhunshëm në ushtrinë osmane, porta e lartë fillojë zëvendësimin e feudalëve shqiptar, me funksionar osman dhe, shtimin e masave represive për islamizimin e popullatës dhe osmanizmin e administratës.

Ushtria e rregullt e sulltanit, e dërguar në trojet shqiptare, ndërmerrte masa çnjerëzore, dhe bënë presion shumë të madh ndaj kriptkatolikve shqiptar, në Shqipërinë veriore, me qëllim që të shtoi zhvillimi e procesit të islamizimit të popullatës shqiptare.

Një numër i madh i popullata shqiptare në viset veriore, edhe pas shumë sakrificave deri në këtë periudhë, ju kishte përballuar të gjitha presioneve të pushtetit osman, që kishte ndërmarrë për islamizimin e dhunshëm të shqiptarëve.

Pas shpalljes së reformave të reja, ku identifikimi i kombit bëhej sipas religjionit, shqiptarët e islamizuar detyroheshin të regjistrohen si osmanlinj. Pjesa dërmuese e shqiptarëve për ti shpëtuar këtij procesi, u detyruan të regjistrohen si bullgar, serbë dhe kroat. Numër i madh i shqiptarëve të besimit ortodoks shkuan në drejtim të Beogradit, dhe atje u serbizuan, ndërsa një numër që mbeti rreth qyteteve dhe fushave në Kosovën e sotme, pas dy dekadave, me hapjen e shkollave laike serbe dhe kishtare në Kosovë, këta shqiptar u serbizuan.

Gjatë viteve 1843-1846, u shtuan masa të posaçme ndaj shqiptarëve që paraqiteshin si mysliman të rrejshëm (kriptokatolik të fshehtë).

Këtë dhunë në familjet shqiptare për ta pranuar procesin e islamizimit, mund ta vërtetojmë me shumë argumente, dhe përmes kujtimeve të popullatës për gjenezën familjare në shumë fshatra të Kosovës.

Masa të ashpra u zbatuan sidomos ndaj popullatës kriptokatolike, në fshatrat e Malit të Zi, në anën jugore të Gjilanit.

Për shkak të rezistencës që ta pranojnë më dhunë procesin e myslimanizmit, banorët e këtyre fshatrave malore, u arrestuan nga feudalët shqiptar me ndihmën e ushtrisë së sulltanit. Feudalët shqiptar i mbushen burgjet me të burgosur, i torturuan dhe të lidhur në pranga e s’ngjire i dorëzuan të ushtria osmane, të cilët u internuan si kundërshtar të islamizimit në Filadorë të Azisë së Vogël.

Në internim u dërguan 207 shqiptarë, të cilët gjatë rrugës pësuan tortura më të dhimbshme që njeh historia nga ushtria e sulltanit. Nga torturat e shumta shumë prej këtyre shqiptarëve të ndaluar ndrruan jetë rrugës për në Filador dhe në burgjet osmane. Pas tri viteve të qëndrimit në burgjet e P. Osmane, me ndërhyrjen e diplomacisë franceze, arritën që të kthehen në vendlindje vetëm 102 shqiptar.

Në këto rrethana të procesit të dhunshëm për islamizimin e shqiptarëve, diplomacia evropiane dhe françeskanët nuk patën mundësi, që ta përcjellin gjendjen e popullatës shqiptare kriptokatolike në zonat e thella malore.

Gjatë fushatës së ndalimeve të kryengritësve shqiptarë në anën veriore të Prishtinës, zonën e Kushumlisë, Krushecit, Prokuplës, Nishit, Leskocit, dhe Vrajës, françeskanët nuk mund të kishin ndonjë informatë për fatin e shqiptarëve në ato treva. Popullata shqiptare kriptokatolike në zonat në mes të këtyre qyteteve, nga masat represive të ushtrisë së rregullt osmane, përfundimisht u detyrua që ta pranojnë islamizimin në familjet e tyre.

Hysein Pasha në pashallëkun e tij të Vrajës shpesh herë ndërmerrte ekspedita ndëshkuese, duke i djegur fshatrat e arbërorëve të krishterë, dhe kryente plaçkitje e eliminime të arbërorëve para familjeve të tyre për të krijuar presione për nënshtrim dhe islamizimin e tyre.

Kryengritjet e arbërorëve edhe në këto rrethana vazhduan, te arbërorët e Toplicës, Kushumlisë, Llapit, Gallapit dhe trevave tjera arbërore në veri.

Një pjesë e popullatës shqiptare e këtyre anëve, duke mos mundur ta pranojnë islamizimin u detyruan që të shpërngulen në zonën e Nishit, Aleksincit, Qyprisë dhe qyteteve tjera ku presioni i ushtrisë osmane ishte më i vogël.

Përveç largimit të arbërorëve nga viset malore në qytete, një numër i madh i tyre shpërnguleshin në shtete tjera, e shume prej tyre shkuan për të jetuar në qytetet e mëdha të P. Osmane.

Popullate e krishterë arbërore që jetonte në zonat malore në mes të Nishit e Prishtinës, ishte varfëruar dhe me vështirësi i përballonte presionet që ushtronin pashallarët shqiptar ndaj tyre. Kjo gjendje e rëndë ishte në të gjitha trevat e banuara me arbëror.

Sipas njoftimeve të Tihomir Djordjeviq, i cili shkruan se numrin më të madh të osmanlinjve në Beograd e përbënin arnautët. Ai po ashtu shkruan se edhe në Aleksinc dhe në Qypëri, shqiptarët kanë jetuar shumë kohë më përpara. Mes tjerash Tihomiri njofton se në vitin 1821, në Qypëri vijnë për të jetuar edhe 15 familje shqiptare nga malësia e Galabit.

Kjo ndjekje e shqiptarëve nga malet e Galabit, kishte ndodhur për shkak të pjesëmarrjeve në kryengritje, dhe represalieve të ashpra të ushtrisë osmane, ndaj tyre. Po ashtu një numër i madh, i familjeve shqiptare ortodokse, nga fshatrat e Artanës, Dardanës, Gjilani dhe viseve tjera shqiptare, gjatë kryengritjeve të viteve dyzeta të shekullit XIX, u shpërngulën në zonën në mes të Nishit, Prokuples dhe Leskocit, ku presioni i ushtrisë osmanë ishte pak më i vogël. Në anën tjetër serbët të shtyrë nga politika ruse, stimuloheshin që të lëvizin në drejtim të Krushecit, Qyprisë, Aleksincit me qëllim që të shtojnë ndikimin e tyre në qytetin e Nishit.

Shqiptarët e zonës së Krushecit, Prokuples, e të cilët që nga fillimi i kishin përkrahur, lëvizjet e kryengritjeve shqiptare, nën udhëheqjen e Mustafa Pashë Bushatliut, e kundërshtonin lëvizjen e serbëve drejt vendbanimeve të tyre.

Bazuar në dokumentet arkivore serbe, Sadullah Brestovci shkruan se, në fshati Gërgur të Arnautkllukut, agjentët serbë e kishin eliminuar një spahi shqiptar. Si reagim ndaj kësaj gjëje në Krushec, ishin mbledhur për të kundërshtuar 5000 shqiptar.

Është me rëndësi të ceket se, gjatë gjithë kryengritjeve shqiptare, që u zhvilluan gjatë shekullit XIX, popullata shqiptare, kriptokatolike e zonave më të thella veriore shqiptare, u bashkuan me kryengritësit, pa marrë parasysh se kush i udhëhiqte kryengritjet, pashallarët apo klerikët mysliman shqiptar. Kjo u dëshmua edhe gjatë kryengritjes së Mustafa Pash Bushatliut dhe Dervish Carës.

Popullata shqiptare ortodokse që u serbizua, në gjysmën ë dytë të shekullit XIX, dhe gjatë shekullit XX, me ndikimin e politikës dhe kishës ortodokse serbe, i përvesuan të gjitha objektet e kultit, dhe përmes procesit të konservimit e restaurimit, më qëllim të falsifikimit të historisë së tyre u dëmtuan.

Si shembull po ofrojë të dhënat, sipas qytetarëve serbë për bartjen e gurëve, prej manastirit të Moçarës, në kishën e Reçanit (Hajnocit), në komunën e Dardanës.

Sasha njoftojë se babai i tij kishte qenë punëtorë gjatë konservimit të Kishës në Reçan ( Hajnoc), dhe në manastirin e Maqarës (Shih Fig. 19).

Sipas rrëfimeve të babait të tij, gurët me motive zomorfe ( zogjë ), dhe kanelyrat që janë murosur te porta e Kishës së Hajnocit janë bartur atje prej manastirit të Moçares. Mendoj se kjo është bërë me paramendim me qëllim të falsifikimit të vjetërsisë së Manastirit të Moçares.

Politikat e zhvilluara gjatë shekullit XIX në mes të Rusisë dhe P. Osmane, ishin të koordinuara sipas marrëveshjeve të nënshkruara pas armë pushimeve në mes të këtyre dy perandorive. Këto marrëveshje ishin nënshkruar në dëm të popullit, tokave, identitetit dhe kulturës shqiptare.

Pas ndarjes së popullatës në milete, ishin planifikuar projekte për asimilimin e popullit shqiptar, andaj nga P. Osmane u shtuan aksionet ushtarake, për përndjekjen dhe eliminimin e shqiptarëve, që nuk bindeshin për ta ndërruar identitetin e tyre kulturor, fetar e gjuhësor.

Popullata e krishterë shqiptare, por edhe ata që e kishin pranuar islamizimin, por për shkaqe të ndryshme që binin në kundërshtim me politikat e P. Osmane deri në vitin 1867, koncentroheshin në Beograd, dhe në qytete tjera të Serbisë autonome.

Pasi këta qytetar shqiptar shkonin në Serbinë autonome, përmes Kishës Ortodokse Serbe, dhe politikave ruse, frymëzoheshin për të luftuar kundër P. Osmane.

Një numër i të rinjve shqiptar, u dërguan në Rusi, për tu aftësuar për luftë në shkollat ushtarake, ndërsa një numër tjetër përgatitej për punë administrative e shkencore.

Në trojet shqiptare që ende ishin nën sundimin e P. Osmane, depërtuan shumë misionar rusë, klerik fetar mysliman, dhe ortodoksë të shkolluar në shtetet perëndimore, të cilët si mision të tyre e kishin vëzhgimin e terrenit, zhvillimin e propagandës dhe përshkrimin e gjendjes politike e sociale të popullatës shqiptare.

Deri në vitin 1877, shumë të rinj shqiptar që kishin migruar në Beograd nga të gjitha qytetet shqiptare, ishin shkolluar në shkollat ushtarake ruse, kishin marrë grada të larta ushtarake, dhe u mobilizuan në luftë kundër P. Osmane dhe popullatës shqiptare. Veprimet e tyre kundër shqiptarëve, arsyetoheshin para opinionit ndërkombëtar e vendor, se po luftojnë për pastrimin e tokave evropiane, prej mbetjeve dhe elementit osman në trojet shqiptare.

Gjatë kësaj periudhe P. Osmane i mobilizonte më dhunë shqiptarët, për të luftuar për interesat e saj, dhe përmes klerikëve bënte trysni dhe propagandë në popull, që popullata shqiptare të islamizohet.

Me qëllim të realizimit të programit të saj P. Osmane i kishte hapur disa shkolla fillore të ciklit të ulët, ku kryesisht mësohej për komentim të kuranit dhe rregulla të fesë islame. Shumë imam që ishin sjellë në qytetet shqiptare, ishin shkolluar në Rusi, dhe nuk ishin shqiptar.

Për ta realizuar sa më shpejtë programin, për islamizimin e popullatës shqiptare, në dekadat e fundit të shekullit XIX, nga territori i Kosovës, ishin caktuar dy përfaqësues që të hartojnë platformën për bindjen e popullatës, për ta pranuar fenë islame.

Nga territori i Rrafshit të Dukagjinit, ishte caktuar Tahir Mulliqi (Gjakova), ndërsa për Rrafshin e Kosovës, ishte caktuar Tahir Popova. Të dytë këta i hartuan programet dhe i paraqitën në Stamboll para sulltanit.

Shqiptarët në disa rajone të thella, rreth brezit kufitar të ri që u krijua mes P. Osmane dhe Serbisë, pas një gjendje pa shpresë në dekadën e fundit të shekullit XIX, dhe fillim të shekullit XX, u detyruan që përfundimisht të islamizohet.

Siç shihet edhe nga hulumtimet në terren, në shumë trungje të familjeve shqiptare, islamizimi i këtyre familjeve shkon prej brezit të 6 e deri në brezin e 8, që përputhet në kohë , me reformat e tanzimatit dhe krijimin e mileteve sipas përkatësisë fetare.

Gjatë hulumtimeve në terren, kemi hasur në shumë familje shqiptare myslimane, dhe familje shqiptare ortodokse, që janë nga një trung familjar por që u serbizuan gjatë shekullit XIX.

Procesi i shpejtë i serbizimit të shqiptarëve ortodoks, u mundësua pas reformave të tanzimatit, dhe pas hapjes së shkollave dhe seminareve kishtare në gjuhën serbe në trevat shqiptare, brenda kufijve të P. Osmane.

Popullata shqiptare në këto rrethana të vështira, ishte ndarë në fraksione sipas religjionit, dhe kishte hyrë në një konflikt të brendshëm, duke shkaktuar edhe dhunë të ndërsjellët, që inicioheshin nga të dy palët sunduese.

Konfliktet në mes të shqiptarëve mysliman, dhe atyre që ende nuk e kishin pranuar zyrtarisht islamizimin (Poturët), bëheshin për shkaqe pronësore, vjedhje të bagëtive, për martesat e ndërsjella, etj. Nga kjo periudhë e kemi edhe këngën popullore të Hasan Agës dhe çikës poturesh.

Pas kongresit të Berlinit, kur u krijuan shtetet sllave, në dëm të tokave shqiptare, në shtetet e reja të krijuara, fillojë presioni për asimilimin e popullatës shqiptare, që kishte mbetur jashtë kufijve te P. Osmane. Shqiptarët në ato vende për një kohë të shkurtë u asimiluan, fëmijët e tyre u dërguan në shkolla ushtarake dhe përmes tyre kontrollonin situatën në trevat tjera shqiptare. Shumë të rinj shqiptar të shkolluar në Rusi e serbi u përfshinë në ushtri dhe organizata nacionaliste serbe, të cilët u keqpërdorën, për të kryer kri me kundër popullatës së pa mbrojtur shqiptare.

Ndër organizatat nacionaliste serbe që u formua nga bijtë e shqiptarëve që dekada më parë kishin migruar në Serbi, dhe të cilët u bënë oficer të armatës serbe, është themeluar “Dora e Zezë” në vitin 1901. Kjo organizatë që nga themelimi i saj e deri në mbarimin e Luftës së Parë Botërore, ndaj popullatës së pa mbrojtur shqiptare, bëri kri met më të tmerrshme, që mund të paramendohen në luftërat e zhvilluara në historinë e civilizimit njerëzor.

Nga historian e misionar sllav, të gjitha incidentet e iniciuara, nga shërbimet sekrete ruse e serbe, që vepronin brenda kufijve te P. Osmane, prej vitit 1878 e deri në vitin 1913, përshkruheshin dhe dërgoheshin si letra diplomatike ne Stamboll dhe Beograd. Këto letra diplomatike për incidentet e evidentuara më vonë u përmblodhën në një botim të veçantë në librin “Zulumi Aga i Begova u Kosovskom Vilajetu (1878-1913)”, shkruar nga Branko Perunicic që u botua në Beograd, në vitin 1989.
Si përfundim i gjithë kësaj që u përshkrua në këtë shkrim, mund të pohojmë se edhe pse kanë kaluar mbi 150, vite nga ndarja e popullatës shqiptare ne milete, dhe pasojat e kësaj ndarje janë të pranishme edhe në ditët e sotme.

Bazuar në burimet historike dhe në hulumtimet në terren, mund të pohoj se për islamizimin e shqiptarëve P. Osmane, përdori metodat ekonomike, fiskale, metoda tjera ndëshkuese dhe dhu në ushtarake.

Duke e nder rëndë gjendjen e krijuar për pesë shekuj të sundimit osman, është e domosdoshme që të bëhen hulumtime serioze nga fusha e historisë, për ti kuptuar pasojat dhe dëmet e një sundimi kaq të gjatë.

Ne shqiptarët duhet ta kuptojmë se, me ardhjen e pushtuesve osman në vendin tonë, u shkaktuan shpërngulje masive, u shkatërruan qytete, dhe u mbyllën minierat që ishin ndër më të njohurat në Evropë. Për 500 vite të sundimit osman, ne eksportuam fëmijë, popull dhe tru, pra në vendin tonë nuk u mundësua krijimi i inteligjencës shqiptare, por morëm sekte fetare, doke dhe sjellje orientale, që binin ndesh me kulturën dhe qytetërimin perëndimor.

Për të përballuar sa më lehtë këto pasoja, është e domosdoshme një lëvizje kulturore, që do të gëzonte përkrahje të fuqishme akademike, politike dhe financiare, nga të dy shtetet shqiptare.

Ne patjetër duhet të krijojmë një unitet kulturor kombëtar, që të ju bëjmë ballë ndikimeve të huaja, dhe të krijojmë imazhin e një populli të qytetëruar evropian.

Strategjia e jonë kombëtare duhet fokusuar, në drejtim të nxjerrjes në pah të vlerave tona kulturore evropiane, përkundër projekteve pansllaviste, greke e osmane për dominimin e tyre në trevat shqiptare, dhe zgjerimin e rrymave kulturore sllave e turke, drejt detit Adriatik dhe Evropës qendrore.

Mbështetja e hulumtimeve shkencore, në fushën e historisë dhe trashëgimisë tonë kulturore, do të ndriçonte ndryshimet në etapat kohore, duke e kuptuar rëndësinë e ndarjes së shtetit dhe religjionit për të krijuar institucione të mirëfillta kulturore.

Ne si popull duhet hequr dilemat e orientimeve tona mendore e kulturore, përballë projekteve shfarosëse ndaj popullit tonë, e të cilat mbështeten në rrymat e religjionit të kishave sllave, si dhe rrymave fetare orientale nga lindja që veprojnë sipas platformave politike, për të na mbajtur sa më larg nga përkatësia e jonë e lashtë evropiane.

Ne sot po ballafaqohemi edhe me një fenomen shekullor, që na ka përcjell me shekuj që njerëzit më të arsimuar të shkojnë në shtete tjera, si pasoj e pa sigurisë së tyre, mungesës së perspektivës, pa mundësisë së ushtrimit të profesionit, dhe presioneve të vazhdueshme nga elita e dobët politike. Duke qenë kohë të gjatë nën sundimin e të huajve, ne nuk arritëm që të krijojmë një elitë politike kombëtare, por u ri përsëriten gabimet nga e kaluar, duke ju mundësuar liderëve politik që ndaj elitës intelektuale të përdorën metodat nënçmuese dhe klasifikuese sipas përkatësive partiake, klanore dhe grupeve të interesit.

Lidhur me ndasitë tona fetare, ne sot nuk kemi arsye të distancohemi nga e kaluara e stërgjysheve tanë, por duhet të krijojmë një vizion për të ardhmen, të ndriçojmë pasojat e sundimtarëve tanë, dhe në mënyrë kritike të kundërshtohen dukuritë përçarëse, që sot e pengojnë unitetin tonë kulturor dhe kombëtar.

Peticioni i shkencëtarëve është i drejtë, por ai nuk mund t’i frenoj kërkimet e reja historike gjuhësore të brezit të ri!

0
Reshit Lala, studjues
___
Peticioni i shkencëtarëve kundër njerëzve mediokër, që pas viteve 90-të sulmuan ç’do vlerë historike e kombëtare dhe u bënë të gjithë më të “mëdhenj” se Çabej e Kadareja është i drejtë, por PETICIONI nuk mund të ndalojë kërkimet e reja shkencore, historike e gjuhësore të brezit të ri, që po futen në të gjitha bibliotekat e botës për të gjetur rrënjët historike të GJUHËS E TË HISTORISË së kombit Shqiptar.
Që në vitin 2016, kur fillova FB bëra një thirrje edhe unë: Të gjithë shqiptarët rrufegjatë- sidomos ata, që ndodheshin në vende të ndryshme duhet të futeshin në të gjitha bibliotakat e këtyre vendeve, për të nxjerrë nga këto biblioteka të vërtetat historike të kombit Shqiptar, që armiqtë tanë i kanë varrosur shumë thellë, që ne të mos i gjejmë. Është detyra jonë ti nxjerrim këto të vërteta dhe t’jua japim t’i lexojnë Shqiptarët dhe të huajt. Vendet, që e kanë varrosur historinë e shqiptarëve do t’i kundërshtojnë këto të dhëna, por shkencëtarët e huaj- BESNIK TË SHKENCËS- do ti mbrojnë këto të dhëna.
Kërkimet shekncore, historike e gjuhësore nuk janë monopol vetëm i shkencëtarëve të njohur, por edhe i armatës së studiuesve të rinj, që do të jenë shkencëtarët e ardhshëm. Ne nuk duhet të harrojmë, se shumë shkencëtarë kanë mohuar edhe egzistencën e kombit Shqiptar, si komb i krijuar prej turqëve. Por kur turqit ishin në shpellat e Mongolisë shqiptarët ishin pronarë të Dardaneleve dhe lanë emrin e tyre në Trojë dhe në këtë urë historike!
Ne duhet të luftojmë kundër SHTREMBËRIMEVE HISTORIKE të shkencëtarëve të Rusisë e Turqisë dhe ballkanit, që kanë interesa të na e varrosën historinë , sepse na kanë pushtuar trojet. Ne duhet ta zbulojmë historinë e kombit Shqiptar, që flen në bibliotekat vendeve të ndryshme! Bashkë me shkencëtarët e njohur brezi i riu i studiusëve do ti paraqesë studimet e veta në simpoziumet kombëtare e ndërkombëtare. Studiuesit e ri nuk duhet të promovojnë idetë e tyre si të vërteta historike, por të VËRTETËN HISTORIKE, që ata kanë zbuluar nga studimet e shkencëtarëve botërorë.
E vërteta historike nuk mbështetet me fjalë e dëshira, por me fakte historike, që i kanë shkruar historianë e gjuhëtarë, të cilët kanë qenë dëshmitarë të historisë, që ka ndodhur, ose JANË BËRË DËSHMITARËT E HISTORISË DUKE U TAKUAR ME FAKTET HISTORIKE NËPËRMJET STUDIMEVE SHKENCORE të epokave historike kur kanë ndodhur ngjarjet.
Ç’do vend ka historinë e tij, por historia e një populli është e përzjerë me historinë e popujve të tjerë. Shkencëtarë e studiues të historisë së lëvizjes së popujve e të gjuhës, që ata kanë përdorur – i kanë shkruar kërkimet e tyre shkencore. Ata e dinë kur kanë lëvizur popujt, kush ka pushtuar e kush është zhdukur. Detyra jonë është ta studjojmë trashgimin e tyre për Shqiptarët. Mos harrojmë. Historia është arma e mbietesë së një kombi DHE,
KËTË KOMBI SHQIPTAR SOT E KA MË TË NEVOJËSHME SE KURRË!

Intervistë e kolonelit Dilaver Goxhaj me ish refugjatin prej Prishtine në Korçë, Ismet Myftar Berishën dhe të bahkëshorten e tij, Nailen në Prishtinë me 20 dhjetor 2001

Nga Dilaver Goxhaj 

SA TË GËNJYER ISHIM!, BRE BURRË (!) 

Intervistë me ish refugjatin prej Prishtine në Korçë, Ismet Myftar Berishën dhe të bahkëshorten e tij, Nailen. Prishtinë 20 dhjetor 2001, 

 (Intervista është realizuar në familjen e tyre, te Lagja e Trimave)  

         D. Goxhaj: Kur dhe si u larguat nga Kosova? 

I.Berisha: Jemi larguar nga shtëpia, nga Prishtina dhe Kosova rreth nji javë pas fillimit të bombardimeve nga NATO-ja. Na nxorri policia serbe nga shtëpitë, ashtu, me çka ishim veshur. Vetëm paret munda me i marrë me vete. Morëm fëmijët dhe na detyruan të shkonim në stacionin e trenit, në Prishtinë. Atje ishte grumbulluar pothuaj e gjithë popullsia e Prishtinës. Nuk dinte askush se ku po na çonin. Treni që ndaloi për ne erdhi pas 2-3 orësh pritje. 

Nailia (ndërhyn): Më fal Ismet! Në se të kujtohet mirë, treni i parë që erdhi pas 2–3 orësh ishte për Nish. Nuk guxuam me hyp në të. Në orën 02 të mesnatës erdhi treni tjetër që hypëm, apo jo? Asaj kohe ishim nën zhurmat e krismave të kundërajrorëve si dhe zhurmave e avjonave dhe shpërthimi i bombave të tyre. Në tren kish mizëri njerëzish. 

Ismaili (vazhdon): Po, sak. Atje ku na zbritëm, mësuam se quhej Bllacë. Në Maqedoni. Nuk kisha qenë atje ndonjëherë më parë. Ndejtëm atje rreth një javë. Ishim si mos më keq. Dhë në një prej ditëve erdhën do persona e na thane, se do të na dërgonin diku gjetkë, për më mirë. Na hypën në autobuza. Gjithçka e drejtonte Milicia Maqedone. Edhe ata nuk na thanë se ku do të na çonin. Ishim gjithë frikë. Askush prej nesh nuk fliste. U nisëm aty nga mbrëmja. Aty nga mesnata mbritëm në një vend që na thanë se është doganë. Pasi kaluam kufirin maqedon dhe ndaluam përsëri, në një doganë tjetër, aty mësuam se ishim në Qaf – Thanë. Gjithcka flitej shqip. E kuptuam se po na çonin në Shqipëri. Me të thanë të drejtën, Bacë, u frikësova edhe më keq, por nuk i tregova Nailes. E din pse nuk iu shpreha Nailes? Me thanë të drejtën, nuk dëshiroja me shku në Shqipëri. Nailia pyeti një gru se për ku shkojshim, dhe më tha gjithë kënaqësi: “Ismail, jena tuj shku në Shqipni!” Dhe une i thashë: “Më mirë do të ishte të na çonin në Beograd se sa në Shqipni”. Kjo më pa gjithë habi, por nuk foli.  

           D.Goxhaj: Pse kjo dëshirë a frikë, si me e qujt? 

I.Berisha: Me thanë të drejtën, për Shqipninë në ato vitet e fundit kishim dëgjuar shumë gjana të këqija. Pata lexuar në gazetat tona, në Prishtinë, se Shqipnija ka veçse rebela. Madje, në njanën prej tyne pata lexuar se, do hajna prej Tropoje patën shkuar në një familje të një fshati të Gjakovës dhe i kishin lyp 25 mijë Dojç Marka, ndyshe, i patën thanë të zotit të shpisë, do të të vrasim djalin dhe ashtu patën ba. Kështu shkrunte gazeta. Po ka rrejt ajo, po të rrej dhe unë. Qashtu, besa. Jo vetëm unë, por të gjithë ata çka unë pata bisedu për Shqipninë, ashtu mendojshin ato vite.  

D.Goxhaj: Si vazhdojë “odisea” e juaj më vonë? 

I.Berisha: Udhëtum goxha gjatë, gati tri orë. Kur zbritëm nga autobuzët ishte mëngjes, rreth orës pesë ose gjashtë. Sakë. Qashtu ishte. Unë me fëmijët e mi zbrita i pari dhe isha po i pari, që hyna në një sallë sporti, për ku na drejtuan. Nuk dijshim ku ishim.  

D.Goxhaj: Sa fëmijë kishit me vehte? 

  1. Berisha: Të tre i kishim, dy djemtë dhe vajzën, 11, 9 dhe 6 vite.

D.Goxhaj: Po, dhe. . …? 

  1. Berisha: Sa hyna mbrenë pashë një mori bukë të rumbullakta e të mëdhaja, të cilat po qesnin avull. Ndjeva një farë ngrohtësie. Disa nuse të reja na dolën përpara. Fjalët ngrohëse të tyre ishin fjalët e para që ndigjoja prej gojës së shqiptareve të Shqipnisë. M’u duk sikur më flisnin nana dhe motrat e mia. Nuk kisha ndëgjuar kurrë zëra aq të ngrohtë e aq shqipe të pastër. Një pritje e ngrohtë, që s’di si me ta tregu. Ato momente besova se edhe për ne shqiptarët paska Parajsë. Ndoshta edhe nga që kishim një javë që as hanim, as pijshim e as flinim. Nuk e di. Qysh aty fillova të mallkoja vehten pse e pata aq jashtë zemre vajtjen në Shqipni. Sa të gënjyer ishim!, bre burrë.

Nailia (ndërhyn): Kur pamë atë mikëpritje na iku frika që na kish shoqëruar ato ditë. Dhe hera herës shikojsha nga Ismaili, për më i thanë: Ja që nuk asht ashtu si më the; por ky, me azalla se shihte prej meje, dhe merrej me fëmijët. 

Ismaili: E shifsha me bisht të synit por nuk dojsha me u kthy prej saj, se e kuptojsha cfarë dejshe me më thanë… Na sistemun me u ul, duke na dhënë bukë të ngrohtë dhe djath. Nga e folmia e tyre kuptova se ishin toskë, me nje lloj të folme krejt ndryshe prej nesh, por që e kuptojsha shkëlqyshëm cdo fjalë. Pas pak e mësuam se ishim në Korçë. Pasi na lanë 2–3 orë me u shlodh, erdhi policia dhe na morri me 5 a 6 komba, por ata sikur ishin ma të mirë se kombat tanë, e merrshin ma shumë njerëz.  

D.Goxhaj: Duhet të kenë qenë mikrobuza. 

            I. Berisha: Po besa. Na zbritën në afërsi të një shkolle fshati. Ora ish aty rreth tre pas dite. Na thanë se ishim në fshatin Vranisht. Nuk kishim zbritur ende prej kombeve, kur u mblodhën shumë fshatarë. Më shumë gra se burra! Ata na rrethun dhe nuk po flisnin, veçse na shifnin, tuj i pasë sytë plot me lotë! Kjo na bani edhe më shumë përshtypje. Shikojshim njani-tjetrin ne kosovarët, dhe po habitshim me ndjenjat që shprehnin sytë e vendasve. Këtë gjë nuk kam për ta harruar kurrën e kurrës. Thashë me vete: Gjaku qan për gjakun! U kujtonja cfarë i pata thanë grus në doganë, dhe më vinte përsëri turp prej vedit që iu pata shprehë grus në atë mënyrë, “se do të ish më mirë me shku në Beograd”! Më dukej sikur më patën dëgjuar deri këtu në Korçë. Dikush prej fshatarëve mundohej me na buzëqeshë, por e shihnja se e kishin të pamundur. Ne prej Kosove shikonim njani-tjetrin dhe, nuk po të rrej aspak, habiteshim. Por kjo zgjati shumë pak. Heshtjen e thyejti një grua, e cila mësuam se ishte mësuese. U afrua drejt meje dhe pasi më përshëndeti, më pyti: “Sa fëmijë keni?” “Tri, – i thashë,- si dhe unë e gruja”. “A dëshironi me ardhë e me u strehu te familia jeme?”, më pyti. “Falmnerës!”, i thashë… 

Nailia (ndërhyn): Pastaj ajo gruja m’u drejtua mua, duke më thënë se ishte mësuese dhe: “Nxënësit e mi kanë dëshirë me taku moshatarët e tyne prej Kosove. A mund të më prisni dhjetë minuta me i marrë e me i çu fëmijët në klasë”. Dhe nuk priti as përgjigjen teme, por mori për dore dy djemtë dhe iku me ta me të shpejtë drejt hymjes së shkollës. Ne po prijsnim në kambë. Nuk u vonua shumë dhe u kthyen të tre.  

D.Goxhaj: Sa familje ishit gjithsej që shkuat në Vranisht? 

  1. Berisha: Ishim rreth njëzetë familje. Përveç meje ish Hakifi nga Millosheva e Obiliqit (Kastriot) me dhjetë familje të fisit të tij; një mësues prej Vuçiterne, Destan e quanin, së bashku me familjet e tre djemve të tij; Ismet Kutlleshi prej Podujeve (Besjana) me tre familje, kushrinj të tij; ishin dy familje nga Bregu i Diellit të Prishtinës dhe tre familje prej Mitrovice.

D.Goxhaj: Ku u strehuat përfundimisht dhe sa qëndruat atje? 

  1. Berisha: Mësuesja na mori e na çojti në shpinë e saj. I shoqi i saj pat qenë kryetar i kooperativës në kohën e Enverit. Ai quhej Gëzim Kavolli, ndërsa të shoqen e thërrsnin Fiqo, mësuese. Kur shkuam në shtëpi, Gëzimi nuk ndodhej atje. Fiqua nuk na la me heq as këpucët, por na shtyni me zor mbrena me gjith këpucë. Na qerasi me gjithfarë të mirash, pastaj na tregoi se ku do të flinim. Na liroi dhomën ma të mirë, atë ku ata flijshin qysh kur ishin martu. U lajtëm në dush dhe ramë e fjetëm si të vdekun. Kur erdhi i shoqi në mbramje, na foli gjithë buzëqeshje dhe na tha: “Ma ka hudh gruja. Do të kisha dëshirë që unë me u marrë, por ja që ajo u tregue ma e shkathët se unë. . . Do të rrini te unë, na tha, jo një muaj e dy, por me vite të tana, deri sa të bahet mirë me u kthy në Kosovë. Mos kini dert, do të hamë së bashku e do të jetojmë së bashku. Ju nuk duhet të merakoseni për asgja, se gjithçka do ta përballoj unë me familjen teme. Unë do të ngrej edhe një shtëpi me dy dhoma dhe ajo do të jetë e jueja tanë jetën, nëse dëshironi. Edhe kur të shkojsh për Kosovë, edhe mund me e shit, nuk ka problem, ajo do të jetë e juaja. Ju u kanë përzënë nga vatani, por mos u sikletosni, çdo gja do ta kalojmë së bashku, të mirat dhe të këqijat. Jemi vëllazën. Pastaj, atje kena një ushtri të tanë që Lufton, dhe kushedi sa djem e burra të tjerë do t’u bashkohen atyne”.

Nuk po u besoja veshëve për çka dëgjoja. Edhe deri këtu paskan dëgjuar për UÇK-në!, thojsha me vedi dhe, po e them për herë të pare: në atë moment më erdhi turp prej vedit që nuk isha dhe unë në UÇK.  

D.Goxhaj: Dhe a ta ndërtoi shtëpinë? 

  1. Berisha: Si jo, madje për pakë ditë, me materiale pothuajse të gatshme.

D.Goxhaj: Si ja kaluat në Vranisht? 

  1. Berisha: Në Vranisht ndejtëm gati 4 muaj. Javën e parë pothujse e kalum nat e ditë me gjumë. Ishim shumë të lodhun nga udhëtimi, por më së shumti nga qëndrimi në Bllacë, ku pothujse nuk patëm fjetë as një natë, pasi binte shi gjatë tanë kohës dhe ishim jashtë. Ngroheshim në zjarre, ku tymi na pat qitë edhe sytë prej vendi. 

Të nesërmen e ditës së parë në Vranisht u zgjujta rreth orës 10, dhe shkova në shitore për të blerë cigare, pasi nuk e pashë që Gëzimi më pat lënë në dhomë një stekë me cigare. Kur dola prej shitores, fshatari i parë që më takoi në rrugë, më pyeti se a e pata njohun ma herët Gëzim Kavollin. Jo, i thashë, po pse më pyt? “Sepse ke ardhë te njeriu ma i mirë e ma i nderumi i fshatit tone”. Eh, sa m’u bë qejfi!  

D.Goxhaj: Po me fshatarët e tjerë a pate mundësi të takoheshe e të bisedoje? 

  1. Berisha: Çfarë të të them. Nuk guxojshe me dalë në rrugë se, porsa na takojshin neve prej Kosove na ktheshin me zor nga shtpijat e tyne. “Ktheu për nji kafe”, na thoshin dhe nuk na lëshojshin pa u shkuar në shtëpi. Mund të them pa droje, se gati në gjysmën e shtëpive të Vranishtit kena qenë mysafirë. Porsa fillonte muhabeti, dilte kafeja bashkë me rakinë. Atje mësova me pijt edhe rakinë, dhe, të them të drejtën, atje u shëndosha se kam qenë shumë shëndetlig. Kur nuk kalonin as disa minuta, fët e fët shtronin diçka për me ngranë. Ishin interesant! Po ç’pastërti, more vëlla! Kur largoheshim, na jepshin për më marrë qumësht për fëmijët, fruta, perime, mirëpo ku t’i çojsha, pasi ato nuk na mungojshin te Gëzim Kavolli, por dhe më dukej sikur po e ofendojsha qëllimisht.

D.Goxhaj: Po në qytetin e Korçës a mundët të shkonit? 

  1. Berisha: Po more. Më ka shëtit Gëzimi, duke më marrë me tanë familjen, çdo javë. Madje, kam shku disa herë edhe vetëm me familjen, kur mësova nga me shku e si me shku. Më ka bërë përshtypje se në të shumën e rasteve, kur ulsha me grun a vetëm, me pi kafe a diçka freskuese nëpër kafiterit e Korçës, porsa më dallojshin nga e folmia se isha prej Kosove, nuk pranojshin me m’i marrë parét.

D.Goxhaj: Ç’farë të ka bërë më shumë përshtypje gjatë qëndrimit në Korçë dhe Vranisht? 

  1. Berisha: Pastërtia dhe regullsia e qytetit, sjelliet e kulturuara të të gjithë njerëzve! Nuk di si ta them, por mbi të gjitha më ka bërë përshtypje jo veç zgjuarsija e atyne njerëzve, por edhe mënyra se si të mbushnin mendjen, mor vëlla! More, qoftë edhe me një puntor të regullimit të rrugëve, po të ulshe e të bisedojshe me të, të kthjellte më mirë ai se çdo politikan i Kosovës! Në daçë për politikën në përgjithësi, në daçë për UÇK-në. Thojsha me vedi: “Si ka mundësi që këta kanë kaq besim te UCK-ja?” Dhe druhesha se mos më pysnin, se pse nuk pata shku në luftë. Por shyqyr që nuk ma bani kush atë pyetje. U jam shumë mirënjohës që nuk më vuni kush në asnjë rast në pozitë të vështirë me atë pyetje. Sa të kujdeshëm që ishin!

D.Goxhaj: Kur u kthyet në Kosovë? 

            I. Berisha: Jena kthy në Korrik të atij viti. Na kanë sjellë tre autobusë me na marrë. Doli i gjithë fshati me na përcjellë. Shumica nga ne, por edhe prej tyne qanim. Sa njerëz të dashur!  

Na çuan në Korçë, ku ndejtëm gati një javë, sa ardhën e na muarrën helikopterat e na suallën në Kukës. Atë javë, derisa erdhën helikopterët, na vinin nga Vranishti familjarët ku kishim qenë, na vizitoshin e na sillnin bostana. 

Nailia (ndërhyn): Kur do të iknim prej Vranishtit desha me i lanë një kujtim Fiqiretit, dhe hoqa njanën prej unazave të mia dhe i thashë ta mbante kujtim prej meje. Ajo më shihte në fytyrë dhe qante, duke më thënë, se ju nuk dihet se si do ta gjeni shtëpinë në Kosovë, prandaj mos len kurgja këtu. Me zori ia lash atë kujtim.  

 D.Goxhaj: A u kërkoi kush prej fshatarëve në Vranisht të paguanit qëndrimin gjatë atyre katër muajve? 

  1. Berisha: E ke me gjithë mend, a ban hajgare? As unë dhe as një familje shqiptarësh prej Kosove, që ishim në Vranisht, nuk u kemi paguar as edhe pesë cent atyne fshatarëve. Gjithçka është përballun prej familieve që na kanë mbajtë. Asnji fjalë nuk po shtoj, pasha Allahun!

D.GOXHAJ: A mbani lidhje me familien e Gëzimit? 

  1. Berisha: Po. I marr shpesh në telefon. Madje, në një rast ka ardh edhe djali i tij në Kosovë dhe ka ndejt një natë. Kam bërë në jetë me shku këtë verë, me i vizitu.

D.Goxhaj: Ju faleminderit për intervistën. 

  1. Berisha: Ju faleminerës juve që më mundësuat me shpreh mirënjohjen për ata njerëz aq të mirë, që pashë, jetova e njoha në Korçë. Çdo e keqe e paska nji të mirë. Po mos pat ndodh ajo luftë, kurrën e kurrës nuk do ta besojsha se shqiptarët e Shqipnisë janë aq të mire!  

 Prishtinë, 20 dhjetor 2001