Kreu Blog Faqe 910

“Njohja e tabelave” dhe falenderimi i BE-së ndaj Serbisë “për zbatimin e detyrimit”

0

Nga: Gani Mehmeti

NJOHJA E TABELAVE TË RKS NGA SERBIA, BE-ja FALËNDERON PËR ZBATIMIN E DETYRIMIT 

Me njohjen e tabelave të RKS në Serbi, BE, përmes zëdhënësit të saj tha se e kanë mirëpritur. Normal, por sa është për ta mirëpritur dhe çka do të thotë kjo, kur pas plot 12 viteve nga nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen e tyre, ajo e bëri këtë?!  Me këtë, duhet të kuptojmë se, i kotë është “presioni” i BE ndaj Serbisë, ajo do të zbatojë vetëm kur i teket asaj, jo edhe kur nënshkruhet, jo edhe kur ka “presion”, jo edhe kur e lusin të tjerët. Kjo lë të kuptohet se, me Serbinë nuk mund t’ia dalë BE-ja. Me këtë, mbetet të kuptohet se, edhe kur qenka ky farë presioni, dikush, e kush tjetër, përveç Lajçakut e Borellit, i tregojnë Serbisë se kur dhe si duhet të veprojë, por jo kur këta i thonë me majë të gjuhës të zbatojë marrëveshjet.  

Ndoshta është pak i papritur vendimi mbi pranimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje për qarkullim të lirë të veturave mes dy shteteve Serbi – Kosovë, por edhe ashtu, vendimi që erdhi për zbatim pas 12 vieteve, u tha se ”ky është një hap pozitiv në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit, teksa shtoi se pret nga Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”. 

Krejt në rregull. Por, për zbatimin e detyrimit, nuk ka vend për  mirënjohje, është obligim. 

Nga Kosova ende nuk janë deklaruar për këtë vendim të qeverisë së Serbisë, por besoj se ky hap do të merret edhe nga qeveria e Kosovës, për çka, edhe atëherë, Peter Stano, duhet të thotë se vendimi është i mirëpritur dhe pozitiv në zbatimin e marrëveshjes për normalizim.  

Mirëpo, Stano e ka synimin e tij për tek asociacioni I komunave me shumicë serbe, që nuk do të mund të pritet të bëhet pa e njohur Serbia Pavarësinë e Kosovës, sepse këto të dyja më pastaj do të tregojnë se vërtet janë për normalizim, ani që Kosova asgjë nuk i ka borxh Serbisë. Serbia është ajo që i ka borxhe Kosovës që nga pushtimi i saj më 1912. Që atëherë, Serbia ka përgjysmuar apo ka zvogëluar me dy të tretat popullsinë e  Kosovës. Një e treta e popullsisë ka qenë vrarë, një e treta e popullsisë a më shumë ka qenë detyruar të shpërngulet nga Kosova dhe një e treta i ka qëndruar torturave serbe dhe ka mbijetuar në vendin e vet, në Kosovë.  

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka qenë detyrim mbi 12-vjeçar dhe këtu është treguar “forca” e BE përmes njerëzve të dialogut për (ç)normalizim të dy shteteve, sepse vijnë nga dy shtete që nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës, sikur t’i kishte zgjedhur vetë Serbia!  

Dhe për fund, dyshoj se me këtë, Serbia do të ndërmarrë diçka tjetër që vetëm ajo e di. Kosova dhe NATO me KFOR-in duhet të kenë shumë kujdes, pse nuk i dihet dhe nuk i besohet.

Kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët për media me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz

0

Prishtinë, 27 dhjetor 2023

  • Kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët për media me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz pas mbledhjes së 180-të të Qeverisë, të fundit për vitin 2023

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të dashur qytetarë të Republikës,

Mirë se po takohemi në këtë konferencë të rregullt për media për këtë vit, për këtë fundvit, pas mbledhjes së 180-të të Qeverisë sonë.

Në 2023 i kemi mbajtur gjithsej 62 mbledhje, në të cilat, duke llogaritur tash edhe vendimet që sapo i morëm, janë miratuar 564 vendime, prej të cilave 78 projektligje;  66 emërime; 18 koncept-dokumente; 5 nisma legjislative; 23 projekt-rregullore; 8 udhëzime administrative; dhe 366 vendime të tjera.

Në adresimin që e kisha në mbledhjen e Qeverisë paraqita një rezyme të vendimeve kryesore që janë marrë në mbledhjet përgjatë këtij viti. Por, ato paraqesin vetëm një pjesë të punës, sepse qeverisja është më shumë, shumë më shumë sesa vetëm vendimet që i marrim.

Ka shumë politika e rezultate që kanë ndodhur për herë të parë gjatë qeverisjes tonë. Edhe viti 2023 ka qenë i tillë në këtë drejtim, e në çdo fushëveprimtari të qeverisë.

Përmes Ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve, lansuam platformën SuperPuna, nëpërmjet së cilës janë punësuar rreth 8500 të reja e të rinj nën moshën 25 vjeç. Krijuam Skemën Pensionale Parciale Kontributive për pensionistët, që u patën përjashtuar nga puna gjatë viteve të 90-ta, si rezultat i masave të dhunshme atë botë. Dhe, për herë të parë filluam procesin e regjistrimit të ndërmarrjeve sociale, që ofrojnë shërbime për grupet e cenueshme apo punësojnë mbi 30% të stafit nga këto grupe.

Në fushën e drejtësisë, këtë vit u finalizua pakoja e vettingut, u themelua me ligj Instituti për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, si dhe u miratua Ligji për Byronë  Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Byroja do ishte funksionalizuar deri në fund të këtij viti, për ta filluar punën e saj të madhe në vitin tjetër, por të gjithë e dimë se opozita e paralizoi këtë ligj duke e dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila e ka në trajtim prej muajit shkurt, pra qe 10 muaj dhe ende pa përgjigje.

Në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, këtë vit për herë të parë u organizua Festivali i Këngës në RTK, Kosova u shpall nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030, dhe u anëtarësua në Organizatën Ndërkombëtare Shoqata Evropiane e Kartës Rinore.

Pas pilotimit të suksesshëm të arsimit dual vitin e kaluar, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e zgjeroi këtë vit me programet në 12 profile, pra nga 4 në 12 në gjithsej 21 shkolla dhe 14 komuna në Kosovë. Ndërkohë e filloi edhe rishikimin e teksteve shkollore të lëndës së gjuhës shqipe dhe matematikës për klasat 1-9, si dhe organizoi për herë të parë konferencën ndërkombëtare STEMinist, përmes së cilës promovohet avancimi profesional i grave dhe i vajzave në fushat STEM. Janë 4630 bursa gjithsejtë për vajza në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë që ka bërë që në vendin tonë sot, 50 për qind të studentëve STEM të jenë vajza dhe gra

Në shëndetësi krahas investimeve, shtuam shërbime të reja për qytetarët, që ofrohen në institucionet publike si Sedacioni Inhalator në stomatologji; Ultrazëri endoskopik; Shërbimi falas për rikonstruktimin e gjirit për pacientët e prekur nga kanceri, dhe tash së fundmi me pajisjen e re në Klinikën e Oftalmologjisë edhe diagnostikimi i retinopatisë të foshnjat e lindura parakohe (ROP). Njëkohësisht, me ligjin e ri të Pagave, mjekët tanë për herë të parë kanë pagë të dinjitetshme, teksa këtë vit është trefishuar numri i inspektorëve në këtë fushë.

Sa jemi te inspektorët, sivjet është shënuar numri më i lartë ndonjëherë i inspektimeve në historinë e Inspektoratit Qendror të Tregut, mbi 3000 sosh, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Kemi miratuar për herë të parë që nga shpallja e Pavarësisë, dhe ka hyrë në fuqi, Strategjia për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030. Po ashtu, kemi nënshkruar marrëveshjen për përfshirjen e Kosovës në njërin nga programet më të mëdha të BE-së, në vlerë prej 4.2 miliardë euro që i dedikohet sektorit të bizneseve.

Ministria e Ekonomisë për të parën herë e lansoi skemën për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për energji, për bizneset, pas skemave paraprake të cilat kanë qenë të dedikuara  për ekonomitë familjare. Këtë vit po ashtu, kjo ministri hapi ankandin e parë solar me kapacitet prej 100 megavatë, i cili do të ndërtohet në tokë publike në fshatin Kramovik të Rahovecit, tashmë janë ndarë 365 hektarë, prej të cilave përzgjedhen 120 sosh për kapacitet 100 megavatë me panele solare. Sivjet u arritë edhe mbulushmëria e plotë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me internet të shpejtë.

Për bujqit dhe fermerët, në vitin 2023 kishim buxhetin më të lartë ndonjëherë, me mbi 100 milionë. Po e përfundojmë vitin e po hymë në vitin e ri pa obligime dhe borxhe ndaj tyre, që është rezultat i drejtpërdrejt i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Kurse për zhvillimin e mëtejmë të këtij sektori të rëndësishëm, për herë të parë e kemi miratuar Programin Kombëtar për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2023-2027.

Sivjet Ministrisë së Mbrojtjes ia ndamë buxhetin më të lartë ndonjëherë, 200 milionë euro, apo më shumë se 2% e BPV-së që është kriter i NATO-s. Ushtrinë e fuqizuam edhe më shumë duke u pajisur për herë të parë me Dronë Luftarakë Bayraktar. Kurse bashkëpunimin bilateral e ndërkombëtar në këtë e fushë e thelluam dhe zgjeruam përmes akreditimit për herë të parë të atasheve të mbrojtjes në Holandë, në Kanada dhe në Slloveni.

Në fushën e sigurisë dhe çështjeve të brendshme, Republika jonë ka vendosur zyrtarin ndërlidhës në EUROPOL. Kemi qenë vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor, me të cilin EUROPOL-i nuk ka pasur marrëveshje bashkëpunimi dhe rrjedhimisht nuk ka pasur as mundësi të shkëmbimit të informacioneve, me qëllim të luftimit të  krimit të rëndë dhe atij të organizuar. Ky vit ka qenë sfidues, sidomos në pjesën veriore të vendit. Jemi sulmuar, por kemi ngadhënjyer. Ky vit ka qenë i rëndë sepse sulmet të cilat janë zhvilluar një herë kanë qenë për të bllokuar qarkullim e më pastaj edhe për të goditur personelin tonë të sigurisë. Policia e Kosovës këtë vit ka arritur të identifikojë dhe sekuestrojë armatim dhe mjete shpërthyese në katër (4) depo në komunat veriore të vendit tonë.

Krahas luftimit të bandave kriminale, që u shndërruan në grupe paramilitare, këtë vit,  në komunat në veri të vendit janë shënuar edhe disa arritje të tjera, që përmirësojnë jetën e qytetarëve. Pas më shumë se dy dekadave, janë hapur Zyret Kadastrale Komunale në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan e në Zubin Potok. Ndërkohë që pas po aq vitesh, ka filluar rindërtimi dhe renovimi i shtëpive të shqiptarëve që ishin dëmtuar në periudhën 1998-99. Këto dyja falë angazhimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Për komunitetet joshumicë janë kujdesur Ministria për Komunitete dhe Kthim dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Kemi ndarë fond të veçantë prej 3 milionë euro për të mbështetë bizneset e vogla, fermerët e organizatat jo-qeveritare nga radhët e komuniteteve joshumicë, me qëllim punësimin dhe fuqizimin e tyre. Kemi mundësuar ndertimin dhe renovimin e shtëpive të komuniteve joshumicë në komuna përmes një programi të veçantë që do të vazhdojë edhe në vitin tjetër. Dhe sot e miratuam Strategjinë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre 2023-2027, të cilën e prezantoi ministri Rashiq e që është dokumenti më i rëndësishëm për bindjen tonë i dekadës së fundit për sa i përket komuniteteve.

Për më shumë zhvillim rajonal, Ministria e Zhvillimit Rajonal ka organizuar për herë të parë Forumin me temën: “Mundësitë e bashkëpunimit rajonal Kosovë-Shqipëri”, i cili ka dalë edhe me propozime konkrete për projekte të përbashkëta. Gjithashtu janë nënshkruar një mori marrëveshjesh bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare dhe institucione publike me qëllim zhvillimin socio-ekonomik të rajoneve tona, sidomos të zonave të cilat janë neglizhuar në të kaluarën.

Për fund, në fushën e punëve të jashtme dhe Diasporës, po e veçoj vetëm një arritje, meqë me neve është zëvendëskryeministrja dhe ministrja Donika Gërvalla Schwarz e cila do të flasë shumë më gjatë e më mirë, më hollësisht, për punët dhe sukseset e saj. Ajo është vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Kjo ka qenë një arritje si rezultat i një ndërmarrjes së gjerë të Qeverisë dhe padyshim që arritje e përbashkët.

Besoj që po e përmbyllim vitin 2023 me suksese për të cilat unë si kryeministër bashkë me zëvendëskryeministren jemi krenar si për angazhimin, ashtu edhe për sukseset.

Kush dhe pse po e shtrembëron të vërtetën për interesa politike, në përralla, mite e në legjenda? 

0

Sinan Kastrati, Suedi

Edhe njëherë po i këthehem shkrimit të djeshëm ”Si u shndërrua Hashim Thaçi prej një njeriu në mit e legjendë?”, 26 dhjetor 2023. 

Si i mbet nofka ”gjarpëri” Hashim Thaçit? 

Unë, mora 3 shembuj por ka shumë e shumë të tjerë se si dhe pse u quajt apo, pse Hashimi e mori emrin e një shtaze, mishngrënëse, ”Gjarpëri”. Mishngrënës është edhe qeni, ujku, luani, tigri por si gjarpëri, krokodili, peshkaqeni, nuk janë shtazë neveritëse e të frikshme. 

I pari: Nuri Bexheti, ish-shoku i presidentit Hashim paska thënë:  

“…Ne vijmë nga fusha e historisë, në mitologjinë antike ilire, gjarpri, bolla e shtëpisë është ogur i mirë, kujdeset për shtëpinë, është simbol i mirësisë, jo në kuptimin negative të fjalës”, 

Nurio, ti jo nga ”historia” por edhe po të vish nga hëna, marsi e mërkuri, nuk mund ta lidhësh gjarpërin me Hashimin, me histori pos me mite. Miti, legjenda, përralla dhe historia janë shumë larg njëra me tjetrën. Po, kanë lidhje psh kur thuhët ”Ura e Fshajtë” (Ura e shenjtë, shejtë). ana historike është se dihët që kjo urë është mbi lumin Drinï i Bardhë, në mes të Gjakovës dhe Rahovecit. Se si është ndërtua ajo, se a është murrosur nusja në themelet e urës etj. këto janë elemente të përrallës, legjendës, pra nuk është për tu besuar por ne kur e dëgjojmë si tregim ose këngën, na pëlqen melodia, teksti, na dhimset nusja e re e fëmiu por, edhe ka shumë si porosi, punën, besën, fjalën e dhënë. 

Garpëri, i gatshëm për sulm

Edhe nofka e gjarpërit që mundohesh me e lidh që nga koha ilire, nuk qëndron. 

Se sa të mira ka helmi i gjarpërit, është punë e mjekësisë por gjarpëri, te shqiptarët është një shtazë neveritëse, është mishngrënës, kanibal*)  

Nuri, a shumë është kujdesur Hashimi për Kosovën (gjarpri, bolla e shtëpisë është ogur i mirë, kujdeset për shtëpinë)? 

I dyti: mësuesi, arsimtari apo profesori i Hashim Thaçit, Zymber Hasani tregon se Hashimi ishte trim dhe e kapte gjarpërin me dorë. 

I treti, është Hashimi i cili flet për vetveten, tregon se si e ka kaluar kufirin shpesh Shqipëri – Kosovë, Kosovë – Maqedoni, përmes Presheve, përmes trekëndëshit Kosovë – Mali i Zi – Shqipëri, si zvarranik, gjarpër apo si James Bond*). 

Nuk është për tu besuar asnjëra nga këto pse Hashimi e mbajti llagapin ”gjaprëri” që e thonë ish shoku, ish mësuesi i Hashimit dhe Hashimi që deklaron rrejshëm se shokët e thërrisnin ”gjarpër”. 

Për gjarpërin, dje tregova si si ia nxirrnim dhëmbët ne çobanët e Turjakës por, më shpesh gjarpërinjëve, kur ata dilnin të rreziteshin nëpër bjeshkën me gurë, iu shkurtonim bishtin me shtaga e iu shtypnim kokën. Pastaj kokën e gjarpërit e digjnim në zjarrë e pluhurin, hirin e ruanim për ndonjë varrë, kur vraheshim duke luajtur ne çobanët, e pështillnim me fletë të bimëve dhe e lidhnim varrën. 

Gjarpëri duke e sulmuar njeriun

Hashimi ka mundur ta marrë nofkën psh ”Kingji”, ”Dashi”, …  që janë shumë më të dobishëm se sa ”Gjarpëri”. 

*) Gjarpërinjtë janë zvarranikë. Ata kanë një trup të hollë dhe formë cilindrike të trupit. Gjarpërinjtë janë gjakftohtë dhe mishngrënës, dhe disa janë kanibalë, pra hanë individë të së njëjtës specie. Disa lloje kanë zhvilluar një organ të ndjeshëm ndaj nxehtësisë në hundë, me të cilin mund të ndjejnë nxehtësinë e trupit të një gjahu në errësirë. Lista më e vjetër e mbijetuar e gjarpërinjve të ndryshëm gjendet në Papirusin e Bruklinit. 

(Ormar (Serpentes), sued. är en underordning i ordningen fjällbärande kräldjur. De har smal kropp och cylindrisk kroppsform. Ormarna är växelvarma och köttätare, och vissa är kannibaler, det vill säga de äter individer av samma art. Några arter har utvecklat ett värmekänsligt organ i nosen, med vilket de i mörker kan känna kroppsvärmen av ett bytesdjur. Den äldsta bevarade förteckningen över olika ormar återfinns i Brooklyn-papyrusen.)  

*) James Bond (i njohur edhe si Agjenti 007) është një spiun fiktiv britanik i krijuar në vitin 1953 nga Ian Fleming. Pas vdekjes së Fleming në vitin 1964, Bond ka vazhduar si një krijim letrar në duart e Kingsley Amis dhe John Gardner, ndër të tjera. 

James Bond (även Agent 007) är en fiktiv brittisk spion som skapades 1953 av Ian Fleming. Efter Flemings död 1964 har Bond fortsatt som litterär skapelse i händerna på bland andra Kingsley Amis och John Gardner.  

James Bond har blivit kanske mest känd genom de 26 långfilmer som är några av de mest framgångsrika i filmhistorien. Filmerna har haft ett stort inflytande på hur actionfilmgenren utvecklats.  

Malmö, 27 dhjetor 2023 

sinankastrati09@hotmail.com 

“Lëvizja e Deçanit”, ndër organizimet më revolucionare pas Lëvizjes Kombëtare për pavarësi të Kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit

0
Nga: Zekeria Idrizi
___
“LËVIZJA E DEÇANIT” – PARAROJË NË MBROJTJEN E KAUZËS SONË KOMBËTARE
___
Pajazit Jashari , Arber Gashi, Saim Tahiraj, Shefqet Cakiqi-Llapashtica dhe Bajram Kabashi , të shumëçmuar miq, vëllezër shqiptarë e atdhedashës të flaktë, ju përshëndes përzemërsisht! Në rrugëtimin tuaj drejt shtet-ndërtimit të Kosovës dhe Shqipërisë Natyrale, si dhe drejt orientimit të shëndoshë kombëtar dhe euro-atlantik perëndimor të kombit tonë iliro-dardano-arbëror do ta keni përkrahjen dhe ndihmesën time të pamasë.
Të çmuar miq, ky rrugëtim kërkon punë, aktivitete dhe përkushtim të lartë. E këto virtyte patriotike ju i keni pa dilemë.
Në këtë rrafsh ne bashkë me atdhetarët e tjerë shqiptarë në atdhe dhe në mërgatë, do të bashkëveprojmë ngushtë dhe me zemër. Së këndejmi, do të punojmë edhe me përzemërsi në drejtim të luftimit të të gjitha tendencave fundamentaliste të disa shqipfolësve radikalë e vehabito-selefistë, veçanërisht kundër disa imamëve dhe hoxhallarëve radikalë, të cilët po i bëjnë argatinë djallit dhe shërbimeve anti-shqiptare turko-arabo-serbo-ruso-sllave. Puna e këtyre mercenarëve e tradhtarëve shqipfolës po çon ujë në mulli të pansllavizmit e në dëm të kauzës sonë kombëtare.
Puna dhe aktivitetet tuaja në këtë rrafsh janë për t’u përshëndetur dhe përkrahur fuqimisht.
Gjergj Kastrioti
***
Miqtë e mi të shtrenjtë, Lëvizja e Deçanit, që ju e keni themeluar, është ndër organizimet më revolucionare pas Lëvizjes Kombëtare për pavarësi të Kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Lëvizjes së demonstratave për liri e pavarësi dhe Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve dhe hasmërive midis shqiptarëve. Lëvizja e Deçanit është kushtrim, pezmë, rebelim dhe protestë gjithëshqiptare për mbrojtjen e kauzës sonë kombëtare nga përdhosja, degradimi dhe rrënimi.
Këto pseudo-vlera anti-shqiptare e fundamentaliste ne do t’i luftojmë bashkërisht pa kompromis dhe pa pardon.
Mos keni dert miq, sepse do ta keni përkrahjen dhe mbështetjen time të fuqishme.
Kjo detyrë është sa prioritare aq edhe emergjente dhe akute për rrethanat në të cilat gjendemi ne sot. Veprimi aktiv në këtë rrugëtim sublim është KRYEIDEAL i yni më i lartë kombëtar.
Për fund, ju uroj shëndet dhe suksese të shumta në jetë dhe në aktivitetet kombëtare!
Respekt pa fund për Ju!
Zoti ju bekoftë juve dhe gjithë shqiptarët!🙏
Me respekt të thellë, miqësisht, idealisht dhe vëllezërisht:
Hoxhë Zekerija Idrizi , Berlin /Shkup

Imam Zekerija Idrizi: Puna klerikale/imameske profesioni më primitiv në jetë

1
Zekeria Idrizi
___
Në jetë timen kam ushtruar detyrën baritore të një imami mysliman, në botën shqiptare të këtij besimi, së cilit i përkas familjarisht , ashtu plot 20 vite, por ama arrita te bindja që në atë mënyrë konzervative Zoti dhe komplet energjia e frymëzimi imi spiritual konzervoheshin e mbylleshin në pranga, përkatësisht përkufizoheshin, ta them metaforikisht, në një guaskë , në një objekt të akullt, ku shpirti përshkohej me pakëz frymë e dritë hyjnore, e, rrjedhimisht, me më shumë syefaqësi, hipokrizi e ritualizëm formal e joproduktiv në pikëpamje të përjetimit të një ekstazeje të mirëfilltë shpirtërore.

 

Fillova ngadalë, me shumë shpirt „të transferoja” Zotin fillimisht brenda zemrës sime, mandej dhe kudo, në shtëpi, në natyrë dhe ngado në glob e univers. Kjo për arsye se, si besimtarë, nuk guxojmë të mbyllim Zotin vetëm në tempuj: xhami, teqe, kisha, sinagoga e manastire.
Nuk mohoj faktin që pikërisht këso periudhe, në këto faza spiritualiteti, unë përjetoja ndjesi nga më të larmishmet, por dhe nga më kontrastivet. Më shfaqeshin dy botëvështrime diametralisht të kundërta ballë besimit e bindjes sime fetare: dashuri e ekzaltim hyjnor, por edhe skepticizëm e rebelim teologjik. Në „bisedat” e mia të gjata e të mundimshme me Zotin, më janë shpërfaqur përsiatje, vegime e mendime që përplaseshin herë me: gjuhën e filozofëve, psikologëve, skeptikëve e agnostikëve…, e herë me: gjuhën thellësisht religjioze të profetëve, shenjtërve e mistikëve. Gjuhë këto që, ndonëse zhvilloheshin konfliktualisht, çonin esencialisht drejt përqafimit të dritës dhe dashurisë kulminante hyjnore, drejt Zotit, për t’u shkrirë në unison me Të…
Botëvështrime kontradiktore më shfaqeshin edhe në mes dy rrugëve: hedonizmit dhe shpirtëroritetit. Fakt që preferoj të bëj edhe jetën e një bohemi, përkatësisht jetën e një endacaku i dhënë pas qejfeve të kësobotshme. Të jesh bohem do të thotë, të jesh artist. Fuqia që ngërthen arti në shpirtin e një bohemi e tejkalon fuqinë e mjerimit, pikëllimit dhe vetmisë morbide.
Kur zura ngojë punën baritore, më duhet të jem i sinqertë. Kisha ndjesinë se bëja punën e një varrmihësi, e një pastruesi kufomash dhe të një vdekjendjellësi të pështirë, i cili siguron kafshatën e gojës mbi vrragët e shpirtit dhe mbi kufomat e besimtarëve!!! Vallë, a ka mëkat më të rëndë se ky?!!!
Dorën në zemër, dy faktorë më kanë nxitur të ushtroj detyrën e imamit:
1. I pari, faktori ekonomik. Kurrë nuk do të kisha punuar si imam me vetëdëshirë. Në fakt, në fillim, pas studimeve teologjike, kam punuar si referent i arsimit fetar në zyrat e Bashkësisë Islame në Shkup plot katër vite. Mandej, duke qenë se nuk kisha dhomë timen personale në familje si fëmija i shtatë më i vogli, për t’u bërë shtëpi qesh i detyruar të dalë në kurbet/mërgim për të punuar si imam në një xhami të shqiptarëve mërgimtarë. Praktikisht, në vitin 1997 u punësova imam në Berlin plot 9 vite. Mandej dhe 5 vite të tjera punova po imam nëpër xhami në Gjermani dhe Zvicër.
2. I dyti, faktori ardhetar/kombëtar. Në mbarëvajtjen e punës sime imamore më mbajti aspekti i atdhedashurisë. Paralelisht me ushtrimin e ritualeve fetare veproja aktivisht në rrafshin e aktiviteteve dhe organizimeve kombëtare. Në këtë rrafsh vizitoja rregullisht klubet dhe shoqatat shqiptare dhe mbaja kontakte të rregullta me veprimtarë të devotshëm kombëtarë, me intelektualë të profileve të ndryshme dhe me studentët tanë të universiteteve të ndryshme gjermane e zvicerane. Kështu, gjatë zhvillimit të luftërave shqiptaro-sllave në atdhe arrita me sukses xhaminë ta shndërroj në vatër shqiptare, në një klub kombëtar. Aty bashkëvepronim të gjithë shqiptarët pa dallim në ishin myslimanë, katolikë apo ortodoksë. Kështu veprova në Berlin, Bielefeld, Aachen, Cyrih, Luzern, Sant Gallen dhe Basel.
Pra, pikërisht aktivitetet kombëtare më mbanin aktiv edhe si imam nëpër xhami.
Tani, aktualisht, e them botërisht: nëse do të më emëronin si imam edhe në xhamitë e Mekës, Kairos o Bagdadit, unë nuk do të pranoja kurrsesi. Nuk do t’i lejoja vetes të mbyllem hermetikisht nën petkat (xhyben dhe çallmën) e një imami, e një kleri mysliman e të lozi rolin e moralistit e demagogut, duke i predikuar e ligjëruar botës e duke lënë fare mënjanë vetveten, personalitetin dhe moralin tim. Sa groteske po aq edhe tragji-komike është puna e një dërdëllonjësi që merret me llafazanëri mbi fenë dhe moralin, ndërkohë që vetë nuk i posedon, dhe që kryen punën e një pastruesi kufomash dhe të një varrmihësi, me ç’mënyrë siguron kafshatën e bukës dhe jetën në përgjithësi !!!
Pikërisht për këto arsye shumica dërrmuese e hoxhallarëve, imamëve, priftërve, shehlerëve, dhaskalëve, pastorëve, famullitarëve dhe rabinëve do të përfundojnë në shkallët e guvat më të errëta të skëterrës (xhehenemit) !
P.S.
Përfundimisht, pas shumë rropatjesh e sorollatjesh bohemiane e hamendësimesh skepticiste, më në fund arrita të çlirohem nga prangat e hermetizmi klerikal dhe të dogmatizmit konvencional teologjik, duke fituar kështu lirinë time absolute individuale.
Dorën në zemër, ka shumë pak imamë e hoxhallarë patriotë. Një pjesë e madhe e tyre o janë “drżavni imamë” (imamë shteti), spiunë e bashkëpunëtorë të UDB-së, o janë argatë të djallit e të turko-arabo-ruso-sllavizmit.
** Pjesëz nga dorëshkrimi im “Monolog mbi monopolin religjioz”

Liridonë Hyjnorja, vrasja yte lëndoi miliona zemra!

0
Idriz Zeqiraj
___
Pak histori për origjinën e nënës Zyrafete të Liridonës:
___
Origjina familjare e Zyrafete Ademaj, nëna e Liridonës, vjen nga familja Meshi nga Kusuri i Hasit, e arratisur nga Shqipëria në Kosovë, në vitet `50-a. Kjo familje, fillimisht, u vendos në Podujevë dhe që andej u bart në fshatin Lubozhdë, për t`u vendosur, më vonë, në Banjë të Istogut, Ganiu me familjen e ngushtë, njëri nga djemtë e plakut Hysen Meshi dhe tre djemtë të tjerë në vendbanimet përrreth. Familje e shkolluar, u punësuan, kryesisht, në arsim, përfshirë edhe vajzat.
Kryefamiljari i Meshëve, me gjithë dyshimin se po ndahej përjetësisht nga vajza e tij e fejuar, në natën e ikjes nga Shqipëria diktatoriale, nuk deshi ta linte -fjalën peng- dhe lëndimin e miqëve. Vajzën e dërgon, fshehurazi, në familjen e të fejuarit. “Përhajr të qoftë çika jeme, mik i nderuar”,  dhe lotët i rrëshqitën faqeve, nga kjo ndarje e trishtë!
Dhe, vetëm pas 45 vitesh, vëllezërit do të takoheshin me motrën, por, jo edhe babai, tashmë, i amëshuar! Ndërkohë që, UDB-a dhe Sigurimi kriminal shqiptar, pavarësisht zënkave në mediat eterike, bashkëpunimi i tyre ka qenë i përhershëm dhe gjithmonë në dëm të shqiptarëve, në të dy anët e kufirit, që therte si heshtë zemrat e shqiptarëve.
Familja Meshi e mbetur në Shqipëri, me dajallarët e tyre të fisit Paci, u goditën rëndë nga regjimi fashizoid-stalinist i Enver Hoxhës. Një i ekzekutuar me plumb zyrtar, një i varur dhe 150 vjetë burg politik të vuajtura. Në vitet `70-a dhe `80-a kemi vuajtur burgun e Burrelit, me njërin nga anëtarët e familjes të martirizuar Meshi.
Në Luftën e Kosovës, dy djemtë e familjes Meshi, Bashkimi dhe Afrimi, në Lubozhdë të Istogut, në përleshje ballore me policinë serbe, ranë dëshmorë. Ende -pa dhënë shpirt- ata, vëllai i tyre, Kujtimi, fyta-fytas, i rrëmben armën policit dhe i vret dy policët. Një hakmarrje dhe shpagim i përflakshëm, pa një rast të dytë në Kosovë! Ai me dy kunatat e veja, i rritën, edukuan dhe shkolluan të 6 (gjashtë) fëmijtë bonjakë, të dëshmorëve të lirisë.
Nisur nga kjo lidhje e tërthortë, sapo mësova për monstrumët vrasës të Liridonës, shkrova se trupi i pajetë i Liridonës të zhvendoset nga varrezat e Cërmjanit, për t`u rivarrosur në fshatin lindak Rracaj. Jo pse fshatrat kishin 25 km., distancë, por nuk kishte asnjë kuptim që Liridona të prehej atje, së bashku me jetëmarrësit e saj kriminelë brutalë.
 
Komunikimi ngushëllues me familjen e Liridonës
Ndërkohë, në Facebook, ngushëllova familjen e Liridonës, tashmë, vetëm Ademaj, siç lëshoi porosinë xhentile emërtuese, juristja e diplomuar Doarsa Kica-Xhelili, duke shënuar edhe numrin e telefonit tim. Në mbremjen e asaj dite, me telefonoi Leonardi, vëllai i Liridonës: “Kemi kërkuar nga Prokuroria zhvarrimin e Liridonës në varrezat tona”,- më tha ai. Ishim të një mendje që vendin e hakmarrjes, ta zejë drejtësia, me besimin e një trajtimi korrekt ligjor.
Çështja e dy fëmijëve të Liridonës, një brengë që brenë, për gjyshërit Ademaj. Pasja e tyre në përkujdesje, lehtëson dhimbjen, sikur ta kenë gjysmë Liridone në familjen e tyre. “Vëllai me familje jeton në Gjermani, tri motrat në Zvicër dhe një në Kosovë. Unë jam i fejuar, prindërit e moshuar nuk mund t`i lëmë të vetmuar. Aktualisht, fëmijtë janë te gjyshërit Murseli, sepse në familjen tonë gjendja është tmerruese, gjithë lot e vajë dhe fëmijtë do ta kuptojnë tragjedinë e nënës së tyre. Zgjidhja e pranueshme e tashme, do të ishte përkujdesja shtetërore suedeze”, – sqaroi Leonardi, përmes dhimbjes të skajshme.
I bashkohem opinionit gjithëshqiptar se vrasja e nusës-nënë, Liridonë Ademaj, është përjetuar dhimbshëm e përvajshëm. Akti i shëmtuar vrastar, i planifikuar ngeshëm dhe me gjakftohtësi sadiste, është shokues dhe unik. Edhe pse krim familjar, përmasa e krimit është e jashtëzakonshme, me veçantinë dalluese, ngaqë skenari është i bashkëshortit, duke paguar dorasin. Asnjë ndjesi për dy fëmijtë e mitur, tashmë, të mbetur bonjakë, pa nënën e tyre të dashur dhe fort përkushtuese në rritjen e tyre.
 
Rivarrimi i Liridonës – një lamtumirë mortore unike
Si dëshmitar okular, së bashku me familjarët e mi, në rivarrimin e Liridonë Ademaj, shumëçka ishte origjinale në këtë ceremoni mortore, ndoshta, e papërsëritshme, sidomos dhimbja e thellë, e heshtur kolektive, e shprehur me lot e dënesje të përmbajtura, të menaxhuara dinjitetshëm, nga prindërit, motrat, vëllezërit dhe njerëzit e afërt dhe të largët, nga Kosova dhe Shqipëria. Fotografitë e shumëta të Liridonës, një fotogjene me natyrshmëri proverbiale, të cilat rrezatonin mirësi, bukuri, fisnikëri dhe dashuri të pakufishme, me shikimin maxheps, kryqëzoheshin me mijëra sytë e pjesëmarrësve në ceremoninë madhore mortore.
Shumësia masive e njerëzve, në shprehjen e ngushëllimeve, për disa orë radhazi; sjellja e trupit të pajetë të Liridonës, e shoqëruar nga zyrtarët prokurorë dhe policorë; përcjellja e arkëmortit ke varrezat; përgaditja e përkryer e ceremonisë mortore; nxënësit me bluzat uniformë, me fotografinë e ëngjellores Liridonë në gjoks dhe shkrimin -Drejtësi për Liridonën- në shpinë, flisnin më shumë se mijëra fjalë.
Mësuesja Teutë me fjalë prekëse për nxënësen Liridonë
Drejtoresha e nderuar e shkollës së fshatit Rracaj, Teutë Haxhiu, shpalosi kujtimet dhe cilësimet epërore, për nxënësen e saj të shumëdashur – Liridonë:
“U tmerrova për vrasjen e Liridonës. Ende jemi të trishtuar nga vdekja mizore e saj kaq e hershme, e porositur nga njeriu i kthyer në përbindësh, nga një frikacak dhe i pa burrë. Ka qenë vajzë shumë e hareshme dhe shumë e zgjuar. Ka reflektuar gjithmonë pozitivitet. Asnjëherë nuk do të largohet prej mendjes time. Nuk e harroj momentin kur Naimi me ftohtësi, vendosi tre gishta në ballin e saj dhe nuk e përqafoi. Nuk nxori një lot. U thashë kolegëve, si është e mundur që bashkëshorti nuk e përqafon nusen, në këtë ditë, kur ai nuk do ta shohë më?!
Nuk do e largoj kurrë prej mendjes time. Zëri i motrave që e thirrnin: “Liridonë, çohu se ka ardhë mësuesja Teutë!”
Liridonë e dashur, sot në këto momente të rënda, për gjithë ne, kur jemi të detyruar të themi lamtumirën e fundit, krahas dhimbjes së madhe, që na gërryen, e gërryen edhe gurin”, – tha, në mes tjerash, mësuesja e Liridonë Ademaj, Teuta Haxhiu.
 
Femrat, krijuese të njerëzimit, i përgjakë drejtësia e dështuar
Trajtimi kriminal i grave, deri në vrasjen e tyre, padyshim, është shqetësues, në shoqërinë shqiptare, në përgjithësi, dhe në Kosovë, në veçanti. Trajtimi i grave si -pronë private-, ngujimi i tyre në shtëpi dhe bredhja e shfrenuar e burrave, pa dhënë llogari askujt, madje as bashkëshorteve të tyre, ndaj të cilave, me rastin e kurorëzimit kanë marrë obligime, madje me nënshkrim, kur bëjnë atë deklaratën e famëshme, të përbotshme, për besnikëri dhe përkujdesje reciproke, para personit zyrtar dhe, të paktën, në prani të dy dëshmitarëve.
Krimet ndaj grave, femrave, krijuese të njerëzimit, gjinisë së bukur e hyjnore, të shprehura në shifra, në Kosovën tonë, të memëzi pame të lirë, janë jo vetëm shqetësuese, por edhe tmerruese. Rasti kulmor tragjik, siç është vrasja sadiste e Liridonës, shton dozën e krimit, sepse përfshihen njerëz nga politika dhe me uniformën zyrtare, të cilët janë të thirrur për mbrojtjen e qytetarëve dhe të Atdheut-Kosovë!
Dështimi i drejtësisë në mbrojtjen e femrës-nënë, madje edhe atëherë kur është denoncuar dhe kërkuar mbrojtja nga organet përkatëse, krimi ka ndodhur. Për çudë, edhe pse krimet ndaj grave janë përsëritur, nuk janë marrë në përgjegjësi organet e thirrura, për mbrojtjen e tyre, nga partnerët kriminelë!
 
Amnestimi i kriminelëve, inkriminon shoqërinë kosovare!
Pyetja e shtruar nëse besojmë në veprimin dhe gjykimin e drejtë, ndaj kryersve të vrasjes të Liridonë Ademaj, pavarësisht lidhjes së tyre politike, duhet pritur rrjedhën e mëtejme të procesit në hetim e sipër. Fillimi i këtij procesi hetimor e zbulues, është premtues, falë veprimeve amatoreske në kryerjen e krimit dhe të fshehjes së tij. Për rastin në fjalë, drejtësia është vënë nën llupën e opinionit të gjerë. Por, përvoja e hidhur në bërjen e drejtësisë, të pas çlirimit të Kosovës, nuk na liron nga skepticizmi dhe zhgënjimi i mundshëm.
Në Kosovë, sikur nuk mjaftuan krimet masive të pushtuesit serbo-sllavë, me vrasjet dhe masakrat numerike. Lufta për pushtet dhe para, e disa “biçim komandantëve”, të instruktuar nga oficerët-mbeturina të regjimit stalinist të Enver Hoxhës, hapi një front të dytë, luftimin e egër të kundërshtarëve politikë shqiptarë. Me përkrahjen logjistike e njerëzore të Tiranës zyrtare social-komuniste, përndoqen, burgosen, dhe maltretuan, deri në vrasje, në burgjet rurale, në Shqipëri dhe Kosovë, luftë-berësit e FARK-ut dhe veprimtarët atdhetarë, kundërshtarë politikë të komandantëve vrastarë.
Për të pamundësuar ndalimin dhe ndeshkimin e krimeve, komandantët të thirrur në luftën e pabërë, rrënuan sistemin e drejtësisë në Kosovë. Shumë mijëra dosje të krimeve faktike, u arkivuan pa i trajtuar fare, në pritje për t`u parashkruar dhe skaduar afati, sepse pjesë e krimeve serike, ishin edhe komandantët, të cilët, me dajak e plumb, rrëmbyen pushtetin e përgjakur në Kosovë.
Kosova është rast unik në botë, që shifra e vrasjeve politike ndërshqiptare, gjatë dhe pas luftës, tejkalon atë të dëshmorëve, të rënë në mbrojtjen e Atdheut. Drejtësia e pas luftës dështoi në luftimin e krimit dhe të kriminelëve. Dhe, amnestimi i kriminelëve, vazhdon ta inkriminojë shoqërinë kosovare. Bojkotimi, deri në bllokim, të -Vettingut -, nga rrënuesit e Sistemit të Drejtësisë në Kosovë, është kambanë alarmi: “Que vadis Kosovë?!” Sllogani fushator: “Kriminelët dhe hajnat në burg”, u harrua, pa u lëndëzuar fare! E dhimbshme dhe, skajshëm, zhgënjyese!
Andaj, pavarësisht pritjes shpresuese, për jetësimin e drejtësisë, në rastin e Liridonës tonë, tashmë, pjesë dhimbjes kombëtare, zhgënjimi është i mundshëm, siç ka ndodhur me shuarjen e dhunshme të jetëve të shumë -liridonave- tjera, simotra të saj dhe të mijëra krimeve të pandeshkuara, përgjatë 23 viteve të shkuara.
Megjithatë, shpresa vdes e fundit, na ngushëllon urtësia.

Edhe në Gjermani islamistët dhe përkrahësit e tyre po i frikësojnë kritikët e Islamit, si Constantin Schreiber

0
Folësi i Tagesschau (lajmet kryesore të mbrëmjes, ora 20, në televizionin publik gjerman ARD), Constantin Schreiber, i cili njihet për njohuritë e tij të thella të gjuhës dhe kulturës arabe, në të kaluarën ka trajtuar në mënyrë kritike xhami të ndryshme dhe komunitete islame në Gjermani. Tani ai po tërhiqet nga kritika dhe debati mbi Islamin, sepse në fund të gushtit, anëtarët e grupit “E Majta Radikale jodogmatike” i hodhën një tortë në fytyrë gjatë një leximi në Universitetin e Jenës. Më pas ai njoftoi në gezetën “ZEIT” se nuk donte më ta kritikonte publikisht Islamin. Ai më parë kishte qenë i ekspozuar ndaj armiqësisë dhe kërcënimeve në disa raste për shkak të raportimeve të tij mbi Islamin. Ky incident është një shembull shqetësues i sulmeve ndaj lirisë së shprehjes që janë vërejtur kohët e fundit në Gjermani dhe veçanërisht në diskursin për religjionet.
(…) Fakti që kritikët e fesë po tërhiqen nga debati publik për shkak të kërcënimeve paraqet një humbje të madhe për diskursin faktik dhe të nevojshëm rreth Islamit dhe temave të tjera fetare në Gjermani.
Incidentet ngrenë shqetësime serioze për gjendjen e diskursit publik në vendin tonë. Duhet të jetë e mundur të shprehet kritika objektive dhe të ketë diskutime të hapura pa frikë nga sulmet personale. Shkëmbimi i argumenteve dhe opinioneve është themeli i një demokracie funksionale. Kur argumenti nuk ka më rëndësi dhe sulmet personale dhe frikësimet mbizotërojnë në diskursin, kjo është një shenjë alarmante e gjendjes së shoqërisë sonë. Këtë e vërejmë veçanërisht në diskursin rreth fesë. Një institucion që bazohet në histori dhe besime në vend të fakteve dhe njohurive duhet të merret me pyetje kritike.
Universitetet në veçanti duhet të jenë vende ku dëgjohen, diskutohen dhe respektohen mendime të ndryshme. Vetëm kështu është e mundur përparimi në një demokraci. Incidenti në Universitetin e Jenës tregon se këto hapësira tradicionale të mendimit të lirë dhe debatit të hapur janë gjithashtu nën kërcënim.
Ne, PdH, bëjmë thirrje për të mbrojtur dhe forcuar lirinë e shprehjes dhe diskursin e hapur në Gjermani. Ne duhet të punojmë së bashku për të promovuar një kulturë respekti dhe debati thelbësor në mënyrë që të ruajmë dhe forcojmë themelet e shoqërisë sonë demokratike.
*
Shqipëroj: Ibrahim Kelmendi
*
Teksti origjinal:

Eve (1926) / Legjenda shqiptare e Bletës – Çfarë nuk bëjnë shqiptarët kur kanë një koshere në shtëpi?

0

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Dhjetor 2023 

“Eve” ka botuar, të dielën e 28 marsit 1926, në faqen n°2, një shkrim rreth legjendës së bletës te shqiptarët, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Legjenda e Bletës

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Shqiptarët kanë një kult të vërtetë ndaj bletëve, një kult që shpesh shkon deri në idhujtari : një shqiptar nuk do të blasfemojë (mallkojë) kurrë në një shtëpi ku ka koshere. Ndër legjendat e vjetra të vendit, ka një, shumë kurioze, që ka të bëjë pikërisht me bletët : një grua shumë e moshuar dhe e sëmurë kishte tri vajza. 

E para, Merimanga, ishte flirtuese dhe kujdesej vetëm për veten e saj; e dyta, Gjinkalla, edhe më e shkujdesur (mëndjelehtë), i kalonte ditët duke kënduar; e treta më në fund, Bleta ishte punëtore dhe nuk humbiste asnjë çast të ditës. 

E gjora plakë, shumë e sëmurë dhe e paaftë për t’u kthyer në shtrat, thirri vajzën e saj të madhe : “Unë jam duke endur rrjetën time dhe nuk mund të shqetësohem,” u përgjigj ajo. Pastaj nëna tha : “Përgatite gjithmonë pa arritur kurrë ta mbarosh”. Dhe merimanga thur një rrjetë pa fund. E dyta u përgjigj : “Unë këndoj dhe nuk mund ta ndaloj këndimin tim”. “Këndo, këndo, derisa të vdesësh,” tha nëna plakë. Dhe gjinkalla ende këndon dhe vdes e tharë, me kurrizin e lidhur në një degëz bari. Vajza e tretë ndihmoi nënën e saj dhe i bëri një ëmbëlsirë që e ngushëlloi. 

Atëherë nëna tha : “Qofsh e bekuar ! Ti do të jesh drita e paraardhësve dhe ushqimi i të gjallëve !” 

Dhe bleta prodhoi dyllin për qirinjtë e të vdekurve dhe mjaltin e ëmbël për të gjallët…