ARKIVI:
9 Mars 2026

Këndojini këngët e rinisë tuaj, sikurse une, ato me të cilat ju lidhin çaste e kujtime të rëndësishme, ndjesi të paharruara

Shkrime relevante

A është Kosova republikë, apo juristokraci, pyetja është tani…?

Agim Vuniqi, Vashington “Juristokracia i referohet një sistemi qeverisjeje ku gjyqtarët e...

Kanga e Gruas Shqiptare – 8 Marsi

Leonora Bruçaj - Keka _____ Kanga e Gruas Shqiptare – 8 Marsi _____ N’kët ditë...

Politika është mandat dhe jo vend për ata që nuk kanë bërë kurrë asgjë jashtë saj

Prof. Dr. Sabri Tahiri Në shoqëritë demokratike politika konsiderohet një formë e...

“Kopilhanja” pseudopolitike që iu hodh në qafë Albin Kurtit

Nga Sak Muji, Rugovë-Zvicër, i përndjekur politik (1981) 11 “KOPILËT” POLITIK QË...

Ky është udhëheqësi i ri i Iranit, Mojtaba Khamenei

Mojtaba Khamenei Foto: Zyra e Udhëheqësit të Lartë Iranian / Reuters...

Shpërndaj

Koha që jetojmë sot nuk na jep shumë mundësi për t’u ndalur tek gjërat e vogla, të mrekullueshmet e “pa vëna rè”, momentet që njeriun e bëjnë të jetë mirënjohës që ka ardhur në jetë. Rendja e nxitimi për të kryer detyrimet e përditshme e për të ndjekur edhe ca ëndrra a qëllime që i vëmë vetes e bëjnë edhe më të vështirë “kapjen e çasteve” që ikin, shpesh për të mos u përsëritur më.
Unë e kapa një çast të tillë këtë pasdite.
Herë pas here kur punoj në dhomën time, në kompjuter, në skrivaninë e mbushur plot e përplot, i rikthehem muzikës e këngëve të nostalgjisë së moshës së adoleshencës e rinisë së hershme. Shpesh ndodh të ndalem ndërsa jam duke punuar, e teletransportuar në kohë e hapësirë në fraksione minutash që duken orë duke u përhumbur në kujtime, grimca kohe që rikthehen fuqishëm nëpërmjet tingujve dhe e gjej veten duke rijetuar vetveten në një dimension tjetër. Të magjishme çastet e po aq dhe trishtimi i ëmbël që vjen pas ndërsa jam e ndërgjegjshme që vetja ime nuk është më vetja që ishte, që unë nuk jam më vetja ime e dikurshme e kjo disi më dhemb.
“Stacioni” i rradhës ku ndalova sot ishte kënga “Changes” e 2Pac Shakur, për ata që i përkasin brezit tim padyshim që është mjaft e njohur sikurse dhe historia e këngëtarit që shoqëron fabulën e tekstit. E kisha ngritur zërin mjaft e nuk e pata kuptuar, ndërkohë hapet dera e dhomës e hyjnë brenda im bir e ime bijë. Ata po studionin në dhomat e tyre, siç duket muzika me zërin e ngritur i ngacmoi dhe hynë në dhomën ku isha unë. Për çudinë time të dy ia dinin tekstin këngës përmendësh sikur unë e u gjendëm në pak sekonda duke kënduar të tre sëbashku një hit të fundviteve ’90. U emocionova mjaft, çasti ishte magjik. Nuk ndodh shpesh të ndjehesh në të njëjtën moshë me fëmijët e tu, të këndosh me ta të njëjtat balada, të vallëzosh të njëjtën muzikë e të përjetosh në dimension kaq të ndryshëm atë çka përjetoja ndërsa e këndoja me shokët e shoqet e mia të shkollës dikur.
Ja, këto janë çastet që duhen kapur nga e përditshmja që rend si tren i çmendur e nuk kemi kohë as të kuptojmë si na ikën 20, 25 a 30 vjet në këtë vrap të çdo-ditshëm të përbërë prej shumë detyrimeve, shqetësimeve, punëve për t’u kryer e kaq pak kënaqësive që shpesh as nuk i vëmë rè kur ndodhin.
Këndojini këngët e rinisë tuaj, ato me të cilat ju lidhin çaste e kujtime të rëndësishme, ndjesi të paharruara. Vallëzojini këto melodi në rrugë, në shtëpi, në shi, në diell, në plazh, në stacione metroje ku te jeni e ku të ndodheni sepse jeta është kaq e shkurtër e çastet nuk vijnë nëse nuk jemi ne që i bëjmë të ndodhin.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu