
Nga Nafi – Çegrani
- Një profil akademik dhe reflektim mbi veprën e fundit “Studime Pedagogjike II”
Në horizontin e arsimit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, pak janë ata emra që, përveçse me autoritetin profesional, përmenden me një lloj përulësie të natyrshme, që buron jo nga pozitat që kanë mbajtur, por nga vepra që kanë lënë pas. Një nga këta emra është padyshim Prof. Dr. Tahir Zajazi, figurë emblemë e arsimit dhe pedagogjisë ndër shqiptarët e këtij rajoni, i cili me përkushtim të palëkundur ka ndërtuar një urë mes brezave – një urë dijesh, përvojash dhe vizionesh.
Vepra e tij më e fundit, “Studime pedagogjike II – Në tranzicion midis tradicionales dhe modernes” (2024), është kulmimi natyror i një rruge të gjatë të ndërtuar me seriozitet akademik, ndershmëri intelektuale dhe ndjeshmëri të thellë për nevojat dhe sfidat e arsimit shqiptar në kontekste tranzicioni.
Prof. Zajazi lindi në fshatin Zajaz të Kërçovës – një vend i thjeshtë por i pasur me njerëz të urtë, ku rrënjët e një dashurie për dijen zënë vend në moshë të re. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa rrugëtimi profesional e çoi fillimisht në Normalen e Shkupit, më pas në Universitetin e Shkupit ku studioi pedagogji, dhe më vonë në doktoraturë në Zagreb e Tiranë. Ky formim shumëdimensionor i dha atij një perspektivë të gjerë ndërdisiplinore dhe ndërkulturore për çështjet e edukimit.
Por nuk është vetëm arsimimi i tij akademik që meriton vëmendje. Biografia e prof. Zajazit është vetë historia e një mësuesi që nuk iu nda asnjëherë klasës, nxënësit, auditorit, apo procesit të edukimit në kuptimin më të thellë të fjalës. Nga mësues i thjeshtë deri te pozitat udhëheqëse si kryeshef i arsimit në Tetovë, mësimdhënës në Akademinë Pedagogjike të Shkupit, këshilltar arsimor, e deri te funksioni i dekanit dhe themeluesit të Universitetit Shtetëror të Tetovës – çdo rol që ai ka mbajtur ka qenë një mision.
Ai ka qenë gjithashtu pjesë e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, ku përvoja e tij është përkthyer në mentorim, drejtim akademik dhe ndihmesë konkrete në ndërtimin e një arsimi modern me bazë të fortë shkencore.
Një korpus veprash në shërbim të formimit pedagogjik, duke shtjelluar mendimin e thellë dhe kuptimin në fushën e shkencave të edukimit, vepra e prof. Zajazit është e konsiderueshme, ku përfshihen punime e studime në rradhë si:
“Efekti i mësimit të programuar laboratorik” (1994) – ku evidentohet roli i metodës laboratorike në përvetësimin aktiv të njohurive;
“Pedagogjia e arsimit” (1997) – që mund të konsiderohet një manual i sistemit të arsimit shqiptar në mjedise shumetnike;
“Metodologjia e mësimdhënies dhe mësimnxënies” (2003) – një studim i thelluar mbi përputhshmërinë ndërmjet strategjive pedagogjike dhe rezultateve të të nxënit;
“Metodologjia e hulumtimeve shkencore në shkencat shoqërore” (2017) – një tekst thelbësor për studiuesit e rinj që duan të kuptojnë metodologjinë si mjet kërkimi të së vërtetës shkencore;
“Memoare – Skicë e rrugëtimit pedagogjik të një jete në arsim” (2018) – një rrëfim i sinqertë dhe i rrallë mbi sfidat e edukatorit shqiptar në kohë të vështira;
“Metoda laboratorike në mësimin e fizikës dhe kimisë” (2020) – një kontribut për integrimin e shkencave natyrore në metodologjinë moderne;
Dhe së fundmi, “Studime Pedagogjike II” (2024) – një përmbledhje studimore me vlera të shumëfishta teorike, didaktike e praktike.
“Studime Pedagogjike II”: Ndërmjet rrënjëve dhe vizionit
Vepra e vitit 2024 nuk është vetëm një analizë e gjendjes së arsimit, por një manifest i përgjegjshëm për të ardhmen e tij. Ajo trajton me mjeshtëri tensionin e natyrshëm mes edukimit tradicional – shpesh i mbështetur në autoritetin e dijes dhe respektin për figurën e mësuesit – dhe qasjes moderne, që synon të zhvillojë mendimin kritik, kreativitetin dhe ndërveprimin digjital.
Në këtë vepër, Prof. Zajazi shfaqet si një balancues i urtë: ai nuk refuzon traditën, por e interpreton atë në dritën e nevojave bashkëkohore. Ai nuk bie në grackën e glorifikimit të së kaluarës, por as nuk i përkrah verbërisht reformat e sipërfaqshme që imitojnë modele të huaja pa u përshtatur në kontekstin kulturor dhe historik të shoqërisë shqiptare.
Stili i tij është i qartë, argumentues dhe gjithnjë i mbështetur në përvojë konkrete. Kjo e bën veprën të jetë një pasqyrë e mendimit shkencor të institucionalizuar, por edhe një guidë për brezat e ardhshëm të arsimtarëve, pedagogëve dhe politikbërësve në fushën e edukimit.
… Në një kohë kur arsimi rrezikon të humbasë frymën dhe etikën e shërbimit publik, figura e prof. Tahir Zajazit përfaqëson një model të qëndrueshmërisë etike, profesionalizmit dhe përulësisë intelektuale. Ai është një nga ata dijetarë që nuk e mat suksesin me gradat e fituara, por me ndikimin pozitiv që ka pasur në jetëra të panumërta studentësh, kolegësh dhe institucioneve që ka ndihmuar të formohen.
Epilog: Arsimi si amanet !
Në një nga pjesët më refleksive të veprës së tij memoaristike, prof. Zajazi shkruan se arsimi është një “amanet i përhershëm që nuk përfundon me pensionin, por që të ndjek si përgjegjësi edhe në heshtjen e viteve”. Pikërisht kjo ndjenjë e misionit të pashuar e përshkon të gjithë krijimtarinë e tij dhe vepra e fundit, “Studime Pedagogjike II”, është përfaqësimi më i plotë i kësaj fryme.
Në fund, mund të thuhet me plot bindje: Prof. Tahir Zajazi nuk është vetëm një studiues i arsimit, por një figurë që e ka mishëruar arsimin si mënyrë jetese dhe si përkushtim ndaj kombit.
Ai nuk ka shkruar për t’u lavdëruar, por për të lënë pas një testament pedagogjik – një fener në errësirën e tranzicionit arsimor shqiptar.
Prof. Dr. Tahir Zajazit në fushën e shkencave të edukimit, me fokus të veçantë mbi veprën e tij më të fundit “Studime pedagogjike II – Në tranzicion midis tradicionales dhe modernes” (2024). Përmes një analize pedagogjike dhe filozofike, shqyrtohet raporti midis sistemit arsimor tradicional dhe qasjeve moderne të mësimdhënies, me theks në kontekstin shqiptar të Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë. Artikulli trajton gjithashtu sfidat e tranzicionit arsimor, rolin e mësuesit si bartës i vlerave kulturore dhe humane, si dhe rëndësinë e mendimit kritik dhe të edukimit etik në kohën e sotme.
E domosdoshme është të theksoj se në historiografinë arsimore shqiptare në Maqedoninë e Veriut, figura e prof. dr. Tahir Zajazit përfaqëson një sintezë të rrallë të mendimit teorik, përvojës praktike dhe etikës së dijes. Ai është një nga themeluesit e arsimit universitar shqip në këtë vend, por më shumë se kaq, ai ka qenë një mësues në kuptimin sokratik të fjalës: nxitës i reflektimit, kërkues i së vërtetës dhe mentor i brezave të rinj.
Në veprën “Studime pedagogjike II”, autori vendos në qendër të analizës sfidën që paraqet kalimi nga edukimi tradicional – i bazuar në autoritetin, disiplinën dhe riprodhimin e dijes – drejt edukimit modern, i cili thekson mësimdhënien e personalizuar, ndërtimin e dijes dhe përdorimin e teknologjisë.
Në këtë kontekst, Prof Zajazi mbështet një qasje dialektike, ku e vjetra dhe e reja nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por ndërveprojnë përmes një pedagogjie të reflektuar. Ai është kritik ndaj reformave të sipërfaqshme që transplantojnë modele të huaja pa u përshtatur me realitetin kulturor të nxënësit shqiptar.
Një nga aspektet më të thelluara të kësaj vepre është mënyra se si Zajazi e koncepton mësuesin jo vetëm si një transmetues dijesh, por si formues karakteri dhe bartës të humanizmit etik. Kjo qasje lidhet me filozofët si John Dewey, i cili e shihte edukimin si proces demokratik dhe me Paulo Freire, që nënvizonte rëndësinë e emancipimit përmes edukimit.
Zajazi, ndonëse nuk i përmend gjithmonë drejtpërdrejt, lë të kuptohet se ndan shumë nga këto qasje: ai insiston në ndërtimin e një mendësie kërkuese te nxënësi, në vlerësimin e përvojës jetësore dhe në rolin transformues të edukimit. Ai vëren mungesën e një filozofie të qartë arsimore, ndërprerjet institucionale dhe mungesën e bashkëpunimit ndërmjet politikëbërësve dhe profesionistëve të arsimit.
Në rrafshin praktik, vepra e tij ka ndikuar në formimin e shumë mësimdhënësve dhe pedagogëve që sot punojnë në institucione të ndryshme në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe diasporë. Tekstet e tij përdoren në kurrikulat e shkollave të mesme pedagogjike dhe fakulteteve të edukimit.
Trashëgimia e prof. Zajazit nuk qëndron vetëm në tekstet, por në modelin që ai përfaqëson si njeri i dijes, etikës dhe qëndrueshmërisë profesionale – një tipologji gjithnjë e më e rrallë në kohët e sotme.
( Vijon )


