
Nga: Isuf Bajraktari
Në një demokraci funksionale, udhëheqja nuk matet me numrin e votave të fituara, por me aftësinë për të ndërtuar ura, për të bashkëpunuar dhe për të udhëhequr një popull me vizion dhe përulësi. Sot, Kosova është dëshmitare e një qeverisjeje që ka fituar besimin e qytetarëve më 9 shkurt, por që në vend se të shfrytëzojë këtë kapital politik për ndërtim institucional, po e shpërdoron atë në izolim, arrogancë dhe mungesë totale dialogu.
Ish-kryeministri dhe lideri i fituesit të zgjedhjeve ka zgjedhur të heshtë në vend të komunikojë, të bllokojë në vend të bashkëpunojë, dhe të komandojë në vend që të udhëheqë. Në vend që të jetë faktor stabiliteti dhe bashkimi, ai është kthyer në simbol të një kokëfortësie politike që ka futur në ngërç institucionet më të larta të vendit. E kemi një Kuvend të bllokuar, një vend pa Kryeparlamentar/e, dhe një qeveri që sillet sikur përfaqëson vetëm veten.
Udhëheqje pa dëgjim, pa partnerë dhe pa reflektim
Çfarë ndodh kur një lider refuzon të dëgjojë liderët e tjerë? Çfarë ndodh kur ai ngre mure në vend të urave? Kosova po e përjeton këtë në mënyrën më të dhimbshme. Udhëheqja nuk është vetëm pushtet – është përgjegjësi. Dhe përgjegjësia fillon me respektimin e institucioneve, jo me kapjen e tyre. Fillon me kultivimin e kulturës demokratike, jo me përçmimin e saj.
Në vend të një vizioni të qartë dhe një qasje bashkëpunuese, qytetarët shohin sjellje jo të denjë për një udhëheqës. Sjellje jo lideri. Një udhëheqës që nuk është i gatshëm të dialogojë me askënd, që nuk përfshin askënd, në fakt po udhëheq vetëm veten – dhe Kosova nuk është projekt personal.
Lidershipi shkatërrues: kur lideri kthehet në pengesë
Literatura moderne e lidershipit e njeh këtë sjellje si lidership shkatërrues – forma të udhëheqjes që dëmtojnë organizatën, institucionet dhe ndjekësit. Këto sjellje përfshijnë abuzimin me pushtetin, përjashtimin e zërave të tjerë, komunikimin unilateral dhe prirjen për të kontrolluar në vend të udhëheqjes.
Në rastin e Kosovës, kjo qasje manifestohet me arrogancën në vendimmarrje, me mungesën e bashkëpunimit dhe me dështimin për të krijuar një klimë konsensuale në mes të një krize të thellë sociale dhe ekonomike. Cilat janë pasojat? Institucione që nuk funksionojnë, qytetarë të zhgënjyer, dhe një shoqëri që humbet besimin në shtet.
Asnjë vizion nuk mund të qëndrojë mbi institucionet
Asnjë vizion personal, sado që të pretendohet se është i pastër, nuk mund të qëndrojë mbi rendin kushtetues, mbi bashkëpunimin institucional dhe mbi respektin për pluralizmin. Udhëheqja e vërtetë nuk matet me ndjekës të bindur, por me kundërshtarë që ndihen të përfaqësuar. Nuk matet me heshtje të detyruar, por me hapësira për debat.
Dhe nëse lideri nuk është i gatshëm të dëgjojë as kolegët e tij, si do t’i dëgjojë qytetarët? Si do të kuptojë realitetin e tyre, shqetësimet e tyre, varfërinë e tyre, pakënaqësinë e tyre?
Në vend të përmbylljes: nuk udhëhiqet një Republikë nga një zyrë e mbyllur
Shteti nuk është një zyrë private. Nuk është një bunker ku lideri fshihet nga përgjegjësitë. Është një sistem i ndërlikuar marrëdhëniesh që kërkon balancim, bashkëpunim dhe ndjeshmëri. Kosova nuk mund të përballojë më shumë kokëfortësi. Ajo ka nevojë për një udhëheqje demokratike, që dëgjon, që përfshin dhe që mban përgjegjësi.
Kush nuk arrin të bashkëpunojë, ka humbur të drejtën të udhëheqë.


