ARKIVI:
6 Mars 2026

Krishterimi në Kosovë: Gënjeshtrat serbe per luftë fetare

Shkrime relevante

Rugovishtja mes ruajtjes dhe asimilimit gjuhësor

MSc. Adem Lushaj, Deçan (Vështrim rreth librit, Ndryshimi i varietetit gjuhësor (Rasti...

Donna Dafi vjen me superhitin provokues për fuqizimin e grave “Touch Me Like That”

Shtutgart, 7 mars 2026 Skena ndërkombëtare e muzikës pop-dance po tronditet nga...

Kur ideologjia fetare bëhet filtër i arsyes

Basri Beka, Prishtinë Debati me mikun tonë X është një shembull klasik...

Kur pushteti gabon dhe opozita dështon: Kosova peng i ambicieve politike

Luan Dibrani, Gjermani Në politikën e Kosovës po përsëritet një gabim i...

Shpërndaj

Katedralja “Nëna Terezë” në Prishtinë, aktualisht më e madhe se çdo xhami ne kryeqytetit, qëndron në kryqëzimin e Bulevardit “Bill Clinton” me Rrugën “George Bush”. Në afërsi të saj ndodhet banesa e ipeshkvit katolik të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. I veshur me petka të zeza të thjeshta dhe me një kryq druri të varur në një zinxhir argjendi, ai na pret për një bisedë mbi gjendjen e komunitetit katolik në Kosovë – një pakicë që përbën rreth 2 përqind të popullsisë së përgjithshme. Më shumë se 90 përqind e shqiptarëve të Kosovës janë myslimanë të regjistruar, ndonëse feja ka pak ose aspak ndikim në jetën e përditshme të shumicës.
Ndër temat e bisedës është edhe një fenomen që ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare vitet e fundit: rritja e konvertimeve nga islami në katolicizëm në mesin e shqiptarëve të Kosovës.
Imzot Gjergji e konsideron këtë proces si një kthim natyral te rrënjët: “Të gjithë shqiptarët kanë qenë të krishterë në të kaluarën,” pohon ai. Gjetjet arkeologjike nga periudha e vonë romake dëshmojnë për praninë e kishave të krishtera në Kosovë. Sipas ipeshkvit, konvertimi në islam nisi gjatë pushtimit osman dhe ndodhi kryesisht nën presion: “Pranimi i islamit nuk ishte vendim shpirtëror, por mënyrë mbijetese.” Ai shton se, në atë kohë, të krishterët paguanin taksa më të larta, kishin më pak të drejta në gjykata dhe nuk lejoheshin të ndërtonin kisha të reja.
Historiani britanik Noel Malcolm, në veprën e tij standarde mbi historinë e Kosovës, vë në dukje se shumë të krishterë u konvertuan për të shmangur taksën e jomyslimanit (xhizjen), e cila rëndonte veçanërisht mbi burrat. Në disa raste, vetëm burrat u konvertuan ndërsa gratë dhe vajzat mbetën të krishtera. Ai përmend një prift katolik i cili, në vitin 1651, shkruante se burrat e një fshati i kishin thënë: “Jemi të krishterë në zemër, por kemi ndryshuar përkatësinë fetare për t’iu shmangur taksave.”
Kleri i asaj kohe, sipas Malcolm, e mbështeste fshehurazi ruajtjen e krishterimit: priftërinjtë hynin në shtëpitë ku gratë ishin ende të krishtera dhe në këtë mënyrë ofronin shërbesa edhe për burrat e familjes. Në shumë raste, komunitete të tëra jetonin zyrtarisht si myslimanë, por në mënyrë të fshehtë mbanin besimin katolik.
Imzot Gjergji e quan këtë fenomen “kripto-katolicizëm” dhe e konsideron procesin aktual të konvertimit si një “kthim” dhe jo një “braktisje” të fesë islame. Ai thekson se që prej pavarësimit të Kosovës në vitin 2008, shumë qytetarë kanë rifilluar të pyesin vetveten për përkatësinë e tyre fetare dhe historike: “Pse duhet të jemi myslimanë, nëse kjo nuk ishte feja jonë origjinale?”
Megjithatë, pyetja që ngrihet është: nëse kthimi te rrënjët është synimi, përse shqiptarët nuk kthehen në besimin politeist para të krishterimit? Ipeshkvi përgjigjet se distanca historike është tepër e madhe për të rikthyer një besim të tillë.
Në lidhje me reagimin e udhëheqësve myslimanë në Kosovë ndaj konvertimeve, Imzot Gjergji thekson se krahasimi i Islamit në Kosovë me versionet më konservatore në Lindjen e Mesme është i gabuar. Ai nënvizon se në jetën politike të Kosovës, e cila është thellësisht laike, feja nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë, dhe se asnjë parti që do të propozonte ligjërimin e Sheriatit nuk do të kishte sukses në zgjedhje.
Sipas ipeshkvit, Kisha Katolike nuk kryen aktivitete misionare, por thjesht mirëpret ata që dëshirojnë të “rikthehen”. Ai përmend “disa mijëra” raste pagëzimi të ish-myslimanëve gjatë viteve të fundit, duke përfshirë edhe ata në diasporë.
At Ndue Kajtazi nga Gjakova jep një shifër më të saktë: rreth 3500 konvertime që prej shpalljes së pavarësisë. Në rajonin e Gjakovës, i njohur si zemra historike e katolicizmit shqiptar në Kosovë, përqindja e katolikëve arrin deri në 20 përqind, ndonëse emigracioni ka ndikuar ndjeshëm në zvogëlimin e numrave. Sipas tij, aktualisht mbi gjysmën e rreth 100.000 katolikëve të Kosovës jetojnë jashtë vendit. Edhe norma e lindshmërisë, që ka rënë në 1.55 fëmijë për grua, ndikon njësoj si tek katolikët ashtu edhe tek myslimanët.
At Kajtazi kujton me emocion pagëzimin e parë të konvertitëve në vitin 2008 – një grup prej 36 vetash që jetonin si katolikë në rrethin e familjes. Ai vetë ka pagëzuar rreth 60 “rikthyes”. “Është një histori e bukur dhe e rëndësishme,” thotë ai. “Pagëzimi është kthimi shpirtëror në fenë që kishim para ardhjes së Perandorisë Osmane.”
Tragjedia e familjes Marku
Një tjetër dëshmi vjen nga Marijan Marku, shqiptar katolik nga fshati Korenicë, afër Gjakovës. Familja e tij ka qenë gjithmonë katolike. Ai rrëfen historinë e dhimbshme të nënës së tij, Pashkë, e cila, pas vrasjes së dy djemve të saj gjatë luftës së vitit 1999, vendosi të ndërpresë jetën. Trupat e Jovalimit dhe Milanit, të zhdukur për vite me radhë, u gjetën në një varr masiv në Serbi dhe u kthyen për t’u varrosur në Kosovë. Ky akt i dha fund çdo shprese dhe e shtyu Pashkën të vetëflijohej më 27 maj 2003.
Kjo tragjedi është pjesë e kontekstit të masakrës më të madhe të luftës në Kosovë, të ndodhur në prillin e vitit 1999 në Korenicë dhe Mejë, ku forcat serbe vranë mbi 350 burra dhe djem shqiptarë si hakmarrje për një sulm të UÇK-së. Kufomat u hodhën në varre masive dhe më pas u transferuan fshehurazi në Serbi.
Në këtë kontekst, disa qarqe të djathta në Europë dhe SHBA kanë pretenduar se NATO “bombardoi anën e gabuar”, duke ndihmuar shqiptarët myslimanë në vend të serbëve të krishterë. Por ky interpretim nuk qëndron: viktimat e masakrës më të madhe ishin shqiptarë katolikë, të krishterë evropianë, të vrarë nga po të krishterë të deklaruar.
Kur pyetet nëse katolikët shqiptarë ndiheshin më të sigurt për shkak të përkatësisë së përbashkët fetare me serbët, Marijan Marku përgjigjet prerë: “E kishim parë çfarë u kishte bërë Millosheviqi kroatëve katolikë. Katolikët shqiptarë ishin edhe më të rrezikuar, sepse përgënjeshtronin narrativën serbe se lufta ishte ndërmjet islamit dhe krishterimit.”
At Kajtazi konfirmon këtë: “Serbët na thoshin se nuk kishin gjë me ne katolikët, por kjo ishte një gënjeshtër. Në fakt, donin të përçanin shqiptarët.” Ai i kishte paralajmëruar besimtarët: “Mos u mashtroni. Do të jeni thjesht pjata e fundit në sofrën serbe.” Masakra në Mejë dhe Korenicë dëshmoi se kishte pasur të drejtë. Shqiptarët në Kosovë nuk u vranë për shkak të fesë – por për shkak të përkatësisë së tyre etnike.
Me gjeresisht:
Frankfurter Allgemeine Zeitung
Michael Martens
04.07.2025, 20:37

K O M E N T E

6 KOMENTE

  1. Anakronike* dhe naive është mendësia që kërkon të gjejë rrënjët e “fesë më të vjetër” të shqiptarëve. Kjo ka shpjegimin e vet historik, ashtu siç ka shpjegimin historik pse feja islame u përqafua nga shumica e popullit shqiptar. Faktet gjinden dhe ndodhen në rrjedhën dhe logjikën e tyre historike. Janë faktorët historikë, shoqërorë e psikologjikë ata që kushtëzuan përqafimin e fesë islame nga shumica e popullit shqiptarë në të gjitha trevat e veta. Është absurde dhe naive të flitet për konvertim të detyruar, sepse feja nuk zë dhe nuk lëshon rrënjë, nëqoftëse nuk prek botën shpirtërore të njeriut. Akoma më naive tingëllon teza e “konvertimit të detyruar”- sot, kur një musliman shqiptar ka disa breza që e trashëgon besimin e tij.

  2. Eshte humbje kohe qe sot te diskutohet se a u perqafua tek ne islami me deshire apo me dhune. Ekzistojne aq shume dokumente sa qe kete debat e bejne te panevojshem. Ja se cka thot per islamizimin e shqiptareve gjate kohes se Perandorise Osmane profesoresha turke e Universitetit te Marmarasë, historiania Nuray Bozbora:
    ” …taksa qe paguante cdo vit cdo jomysliman (xhizja) nga 45 akce u rrit ne 305 akce, cka oishte nje shume , pagimi i se ciles ishte i veshtire. Aty nga mesi i shek. 17 kjo takse arriti ne 780 akce. Per te shpetuar nga kjo takse, kalimi ne fene islame u pa si nje rruge shpetimi. Mbi kete baze nje numer shume i madh shqiptaresh te krishtere kaluan ne fene islame.”
    Pra edhe nje profesoreshe turke eshte objektive dhe tregon per knvertim te detyruar, pra te dhunshem. Perse disa nga ne sot mundohemi qe ta ndryshojme historine me genjeshtra.

  3. Shqiptarët janë ndër popujtë më të vjetër jo vetëm të gadishullit Ballkanik por edhe të Evropës. Ata janë një ndër popujt me shumë probleme, si ekonomike dhe politike por me një tolerancë të rrallë ndërfetare. Kjo tolerancë mbështetet në vetëdijen kombëtare për faktin se të gjithë shqiptarët të të gjitha besimeve janë të një gjaku dhe të një gjuhe kanë origjinën, truallin dhe traditën e përbashkët. Kjo ka ndikuar fuqishëm në kohezionin kombëtar në përmasa më të gjëra dhe ka mobilizuar popullin shqiptar gjatë historisë për t’u bërë rezistencë përpjekjeve të vazhdueshme të të huajve që ta përçanin dhe më pas ta sundonin.

    • Nuk asht aspak e vertete.
      Ju qe per 500 vjet e keni quejt vehten “turqit elhamdulilah” keni ndrru kulturen shqiptare dhe keni marre tabjatet arabe aziatike te urrejtjes simbas kurantit dhe kalifatve musliman.
      Gjate 500 vjetve te pushtimit turk-osman ju keni ba ligjin dhe keni shtype kaurrat simbas parimeve te kuranit tuej. Keni marre pozita drejtuese ne pushtet ne ushtri e gjithkund. Juve ju ka dhane turku tokat e kaurrave si shperblim te sherbimeve qe ju i keni ba turkut.
      KJO NUK ASHT HARMONI. Ky asht KRIM per te cilin ju turqit elhamdulilah duhet tu kerkonI falje atyne qe ju i keni quejt kaurra. Kaurrat kan mbete kaurra me FLAMURIN E GJERGJ KASTRIOTIT, nders ju RRENEGATET KUISLING keni marre flamurin e pushtuesit turk, faqja e zeze e jueja.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu