ARKIVI:
10 Mars 2026

Si donin ta kalonin vjedhurazi dhe pa debat Kiço Blushi dhe Artur Zheji një kanal televiziv në gjuhën greke, në fund të tetorit 2004!

Shkrime relevante

Shqiptarët e Tivarit, Krajës dhe Anës së Malit, i duan të drejtat e veta për ta ruajtur identitetin e vet kulturor dhe gjuhësor

Pamje e Tivarit të Vjetër KrajaPress Komuniteti shqiptar në qytetin e Tivarit përballet...

Arbëreshët e Kalabrisë sjellin shpirtin e Arbërisë në Gjenevë

Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë Në Universitetin Popullor Shqiptar, arbëreshët e Kalabrisë sollën këngët,...

Presionet politike të momentit dhe rreziku i shkeljes së Kushtetutës

Arif Ejupi, Gjenevë Në momentin kur zonja Vjosa Osmani u zgjodh Presidente...

Nga ideali te spektakli: politika, qytetari dhe kriza e besimit

Isuf Bajraktari , Suedi Politika në hapësirën shqiptare, si edhe në shumë...

Unë e dua gjuhën time, historinë time dhe kombin tim

Fahri Xharra, Gjakovë  I zhytur në mendime , i thelluar në historinë...

Shpërndaj

Në foto: Kiço Blushi
Nga: Mark Marku
___
Nënshtrimi dhe toleranca në marrëdhëniet shqiptaro – greke
___
Botuar në gazeta «Shekulli», 29/10/2004 fq. 21
___
Hapja e një kanali televiziv të RTSH-së në gjuhën greke është bërë para dy ditësh objekt i një debati të ashpër në Këshillin Drejtues të RTSH-së. Disa protagonistë të këtij debati – anëtarë të Këshillit Drejtues, e kanë paraqitur dje në një të përditshme krejt të deformuar thelbin e debatit dhe të asaj që ka ndodhur në mbledhjen ku u diskutua projekti për hapjen e kanalit televiziv në gjuhën greke. Në prononcimet e pjesës më të madhe të tyre vihej re një përpjekje për ta paraqitur ngjarjen në një optikë rozë, që e përmbledhur në pak fjalë konsiston në këtë mesazh të thjeshtë: kishim të bënim me një projekt krejt normal, miratimi i të cilit u shty thjesht për disa verifikime dhe saktësime të mëtejshme.
Në të vërtetë as projekti, as mënyra se si u servir ai, nuk kishte ndonjë gjë normale.
SI DËSHMITAR DHE PJESËMARRËS NË KËTË DEBAT NË CILËSINË E ANËTARIT TË KËSHILLIT DREJTUES TË RTSH MË DUHET TË THEM SE PROJEKTI U PARAQIT NË MËNYRË TË PAPRITUR RRETH ORËS 11.00 TË NATËS PASI NE KISHIM BËRË NJA 5 ORË TË MIRA DISKUTIME PËR ÇËSHTJE TË TJERA QË LIDHEN ME FUNKSIONIMIN E RTSH-SË. E RËNDËSISHME TË THEKSOHET ME KËTË RAST ËSHTË FAKTI SE KJO ÇËSHTJE NUK BËNTE PJESË NË RENDIN E DITËS POR U FUT NË MËNYRË TË PAPRITUR NGA KRYETARI I KËSHILLIT DREJTUES Z. KIÇO BLUSHI.
Në fakt projekti nuk kishte asgjë të ngjashme me një material për debat pasi ishte një vendim i formuluar në emër të Këshillit Drejtues nga Drejtoria e Përgjithshme e RTSH-së. Miratimi i tij e bënte fakt të kryer ngritjen e kanalit televiziv në gjuhën greke. Kuptohet pra se koha e paraqitjes lidhet me mënyrën e paraqitjes, dhe nëse ky dokument nuk do të kishte asnjë problem dhe do të ishte aq virgjin sa pretendojnë autorët e tij, nuk kishte pse të tentohej të kalohej kështu vjedhurazi dhe pa debat, aq më tepër që natyra e tij nuk e bënte urgjente miratimin e tij. Këshilli kishte materiale shumë më urgjente për të miratuar si p. sh. miratimin e strukturave të RTSH apo të projektit për festivalin e radhës të këngës në RTSH. Në morinë e këtyre dokumenteve dhe të tjerave shumë të rëndësishme për veprimtarinë e RTSH, u gjet pikërisht ky dokument, dhe pikërisht në momentin kur vëmendja e pjesëmarrësve në mbledhje ishte më e dobët se kurrë.
Këtij anormaliteti i shtohet një tjetër: vendimi mbështetej në një kërkese të BE-së ndërkohë që në mbledhje nuk u paraqit asnjë dokument apo kërkesë nga ana e BE-së që të konfirmonte një fakt të tillë. Edhe në prononcimet për shtyp një rrenë e tillë përbënte argumentin kryesor ndërkohë që nuk jepej asnjë bazë dokumentare në mbështetje të argumentit. BE, me sa dimë, i komunikon mesazhet dhe kërkesat në rrugë zyrtare dhe me dokumentacion të rregullt. Vetëm shërbimet sekrete i komunikojnë mesazhet e tyre në formë gojore nëpërmjet individëve të përshtatshëm për këtë punë. Nëse BE e kishte një kërkesë të tillë, fare mirë kjo kërkesë mund t’i paraqitej mbledhjes së këshillit në çdo orë të ditës apo të natës dhe për të mund të diskutohej pa asnjë problem në çdo orë të ditës apo natës.
Në të vërtetë nuk ka asgjë të keqe në idenë e transmetimeve në gjuhën greke pasi kjo do të ndihmonte në mirëinformimin e atyre pak minoritarëve që ndodhen në Jug të Shqipërisë. Por problemi është se realizimi i një ideje të tillë kërkon reciprocitet nga të dyja palët dhe për këtë kërkohet një protokoll bisedimesh dhe një marrëveshje e shkruar nga të dyja palët, ku secila palë të marrë përsipër informimin e minoriteteve përkatëse në territorin e secilit shtet. Sipas kësaj marrëveshjeje reciproke edhe pala greke do të duhej të merrte përsipër të ngrinte një stacion në një qytet grek për transmetime shqip për pakicat shqiptare të zonës së Çamërisë në Greqi.
KUPTOHET QARTË SE NJË ZGJIDHJE E KËSAJ NATYRE KËRKON PROCEDURA JO TË PËRSHPEJTUARA PESËMINUTËSHE SI ATO PARA SË CILËS KËRKUAN TA NA VININ DREJTORI I PËRGJITHSHËM Z. ARTUR ZHEJI DHE KRYETARI I KËSHILLIT DREJTUES ZOTI KIÇO BLUSHI, POR DITË, JAVË E NGANJËHERË MUAJ TË TËRË .
Pikërisht reciprociteti ishte dhe argumenti kryesor i mbledhjes dhe kjo ishte arsyeja pse vendimi u rrëzua me votim nga anëtarët e këshillit drejtues.
Natyrisht një kanal transmetues në gjuhën greke dhe shqetësimi për të nuk ka asgjë të keqe, por nëse vërtetë nuk ka asgjë të keqe, atëhere pse duhet miratuar në formë gjysmë klandestine. Në vendimin e paraqitur, nuk saktësohej asgjë, as programacioni, as personeli, as fondet që kërkonte realizimi i tij, as hapësira që do të mbulonte. Vendimi të krijonte përshtypjen e një dokumenti që kishte mbërritur në këshill nëpërmjet ndonjë kanali që nuk merrte vesh nga punët e kanaleve televizive.
Shqetësimi i drejtuesve të RTSH-së bëhet edhe më paradoksal po të kihet parasysh fakti se pjesë të tëra të territorit shqiptar në Jug janë të pambuluara nga valët e RTSH-së dhe ka zona ku mbërrijnë vetëm sinjale televizive nga stacionet greke. Në të vërtetë minoritarët grekë në Jug të Shqipërisë janë më të mbuluar me informacion në gjuhën e tyre amtare prej stacioneve greke se ç’janë të mbuluar me informacion në gjuhën shqipe shqiptarët që banojnë në ato zona.
Shkurt vendimi u hodh poshtë jo për arsyet që përmendte dje në një të përditshme ndonjë nga anëtarët e këshillit sipas të cilit, dokumenti kishte nevojë për saktësim, por për shkak se miratimi i këtij dokumenti nga pala shqiptare kërkon patjetër nënshkrimin e një dokumenti të tillë nga pala greke. Ky mendim u shpreh qartë dhe prerë nga pjesa dërmuese e anëtarëve të Këshillit Drejtues. Por prononcimet e tyre në faqet e shtypit janë në disa raste krejt ndryshe me atë çfarë deklaruan në sallën e mbledhjes apo çfarë më kanë shprehur ditën e nesërme. Është e trishtueshme të vëresh se si kolegë me një profil intelektual të spikatur frikësohen dhe tjetërsohen kur vjen puna për t’u shprehur në një debat që ka të bëjë me një çështje “greke”. Përkundër impostimit atdhedashës të mëparshëm dhe retorikës patriotike, ligjërimi i tyre tjetërsohet në përputhje me standardet OJQ-iste të ligjërimit, gjë që megjithatë nuk arrin të fshehë kompleksin e thellë të inferioritetit, madje edhe të faktit se tashmë në Shqipëri ashtu si në Çekosllovakinë e pas ‘68-ës apo si në të gjitha vendet gjysmë të pushtuara kemi arritur në një pikë ku njerëzit kanë frikë të mbrojnë hapur interesat e vendit të tyre dhe aspak frikë të mbrojnë hapur të drejtat e të huajve.
P.S. Një detaj pikaresk: Në këto 15 muaj të funksionimit të Këshillit Drejtues të RTSH-së, kryetari i tij z. Kiço Blushi dhe drejtori i përgjithshëm i RTSH-së z. Artur Zheji kanë qenë në të gjitha rastet kundërshtarë të paepur të njëri-tjetrit. Ishte kënaqësi t’i shikoje një herë të vetme në konkordancë të plotë. Nuk e kanë kot grekët kur thonë se helenizmi është ideologji që bashkon. Shpresojmë që futja e kësaj shprehjeje këtu të jetë e papërshtatshme për rastin në fjalë.

E përgatiti, Agim Morina, Prizren

“Ja një artikull për Kiço Blushin, babën e Ben Blush moralistit, në të cilën dëshmohet përpjekja e tij, derisa ishte kryetar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, me kontrabandu një kanal televiziv në gjuhën greke në vitin 2004.

(Pjesët me germa të mëdha në shkrim janë nënvizime të miat.)

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu