ARKIVI:
10 Mars 2026

Kalvari i harruar i Zeqir Gërvallës dhe Hanës: Atdhetarë të flijuar, të lënë pa dinjitet nga shteti

Shkrime relevante

Sulmi i frymëzuar nga ISIS pranë shtëpisë së Mamdanit në Nju Jork

Hans Rustad / Document.no Policia ndalon Emir Balatin pasi ai u përpoq...

A janë të detyruar deputetët që të qëndrojnë në sallë dhe të marrin pjesë në votim?

Prof. Dr. Kolë Krasniqi, ekspert i sigurisë, Pejë Sipas Kushtetutës së Republikës...

Fillimi i fundit të perandorisë politike kurtiane

Agron Mani, Ferizaj A është sot Vjosa Osmani vaksina kundër përhapjes së...

Të drejtat e gruas jashtë botës perëndimore: regresi ligjor dhe beteja për të drejta njerëzore edhe pas 8 Marsit

Shqipe Bytyçi, poete, Zvicër Të drejtat e grave nuk janë vetëm çështje...

A është Kosova republikë, apo juristokraci, pyetja është tani…?

Agim Vuniqi, Vashington “Juristokracia i referohet një sistemi qeverisjeje ku gjyqtarët e...

Shpërndaj

Ky shkrim për poetin Zeqir Gërvalla nga Lupçi i Poshtëm i Llapit, që prej luftës së Kosovës së vitit 1999 jeton në SHBA, është shkruar kah fundi i shtatorit 2025. Jo vetëm që është tragjedi që zor të ketë shpjegim, por është turp kombëtar që një poet kaq i natyrshëm i kombit, njeri me butësi që zor t’ia gjeje krahasimin; kaq i sinqertë dhe aq i pa sherr në mbarë jetën e tij, të harrohet nga mbarë një komb të cilit ia ka kushtuar jetën e vet tokësore.
___
Historia e Kosovës është e mbushur me dhimbje, por edhe me figura të qëndresës që i dhanë shpirt e frymë rezistencës kombëtare. Një ndër ta është poeti nacional Zeqir Gërvalla, bashkëpunëtori më i afërt i Adem Demaçit, i cili u përball me të gjitha format e represionit jugosllav. Sot, në moshë të thyer, ai dhe bashkëshortja e tij, arsimtarja Hana Gërvalla, ndodhen përballë një tjetër padrejtësie: ndërprerja e pensionit nga shteti i Kosovës – shteti për të cilin ata sakrifikuan gjithçka.
Poeti i anatemuar gjatë komunizmit
Zeqir Gërvalla nuk ishte thjesht poet. Ai ishte simbol i rezistencës intelektuale ndaj ideologjisë komuniste dhe kolonializmit serb. Për vargjet e tij, për qëndrimin e tij, ai u dënua me burgime të gjata politike. Në qelitë e errëta, në mungesë të lapsit, shkruante poezi me gjakun e tij, për të mos lejuar që fjala të shuhet.
Me qindra herë ai sfidoi censurën duke përdorur dhjetëra pseudonime. Shpesh fitonte konkurse letrare pa u ditur se pas vargjeve fshihej një emër i ndaluar nga regjimi. Ai ishte poeti i padukshëm, i cili jetonte mes fjalës së lirë dhe frikës së persekutimit, i anatemuar madje edhe nga një pjesë e intelektualëve shqiptarë të kohës që ishin nën ndikimin e ideologjisë komuniste.
Veprat e tij – “Prania e sfinksit”, “Det e moçal ballëpërballë”, “Daullet e pranverimit”, “Në rrugën e dritës”, “Ekspozita e mëmëdheut”, “Lulëzimi i rrënjës” – mbeten dëshmi e një krijimtarie që e sfidoi kohën dhe diktaturën.
Kalvari i Hanës – shtylla e familjes
Ndërsa Zeqa vuante burgjet politike, bashkëshortja e tij, Hana, mbante mbi supe gjithë peshën e jetës: arsimtare e përkushtuar, ajo rriti katër fëmijë në kushte të rënda, duke përballuar varfërinë, izolimin dhe stigmën që shoqëria ia veshte familjeve të të burgosurve politikë.
Në të njëjtën kohë, ajo nuk u thye kurrë. Me dinjitetin e saj, ajo mishëroi figurën e nënës shqiptare që e mban gjallë familjen dhe kombin në kohë të errëta.
Nga burgu i komunizmit tek poshtërimi i burokracisë
Sot, pas dekadash sakrifice, Zeqir dhe Hana Gërvalla nuk përballen më me hetuesit e UDB-së, por me sportelet e ftohta të Ministrisë së Mirëqenies Sociale. Prej muajsh atyre u është ndërprerë pensioni, duke i detyruar të “riaplikojnë personalisht” – një kërkesë absurde për një burrë që pas një sulmi në tru nuk ka mundësi as të lëvizë vetë.
Është ironike dhe tragjike që ndërkohë që qytetarët serbë në Kosovë përfitojnë dy pensione – një nga Serbia e një nga Kosova – atdhetarë si Zeqir Gërvalla, të cilët i dhanë kombit gjithçka, mbeten pa të drejtën e tyre elementare njerëzore. Ky është vazhdim i padrejtësisë historike, ku gjenerata e baby boomers, që ngriti themelin e arsimit, kulturës dhe ekonomisë së Kosovës, trajtohet si rend i dytë qytetarësh.
Një thirrje për dinjitet
Shteti i Kosovës nuk mund të krenohet me flamurin e pavarësisë ndërkohë që harron ata që sakrifikuan për të. Rastet si ai i Zeqir dhe Hana Gërvallës janë turpi ynë kolektiv. Ata nuk kanë nevojë për mëshirë – ata kanë të drejtë për respekt, për pension, për status të posaçëm, për nderim publik.
Nderi i kombit matet me mënyrën si trajton heronjtë e gjallë, pa ata pushkatohet historia.

K O M E N T E

3 KOMENTE

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu