ARKIVI:
7 Mars 2026

Sot, në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta Anton Çettës , atij që na mësoi se pajtimi nuk është dobësi, por madhështi…!

Shkrime relevante

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë

(7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 7 Marsi është një...

Arsyetimi, manipulimi, kontrolli i pushtetarëve

Nga: Aurel Dasareti Gënjeshtra kur një person me pushtet e arsyeton vetveten...

Padia në Gjykatën e Strasburgut, do të konstaton diskriminimin në pasivizimin e adresave në Luginën e Preshevës

Në foto: Gjykata e Strasburgut për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore   Nga:...

Cili është ujku të cilin nuk po e njohim?

Fahri Xharra, Gjakovë Asnjë popull tjetër i botës në të cilën ne...

Shpërndaj

Dijana Toska, Shkup
___
Sot, në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta, t’kujtojmë me mall e krenari.
Për ne, ti ishe Baba i kombit që na mësoj vlerën e fjalës dhe forcën e të falurit.
Anton Çeta
Ese e shkruar në kohë korone, 2020 reflektim në kujtim të Anton Çetës
GJORGU IM DHE PLAKU I URTË
Në kujtesën e popujve, disa ngjarje nuk plaken. Ato mbeten gjallë, sepse janë shkruar jo me bojë, por me gjak, lot dhe dashuri. Kështu është historia e pajtimit të gjaqeve në Kosovë, një akt i lartë i humanizmit që në vitin 1990, në zemrën e pushtimit, u bë mësim për botën: si falja mund të jetë më e fortë se hakmarrja.
Kur isha studente, lexoja me etje çdo faqe të letërsisë shqiptare. Por asnjë libër nuk më tronditi më shumë se Prilli i thyer i Ismail Kadaresë. Ishte hera e parë që ndjeva se një histori mund të të dhembë si plagë e hapur. E pafajshmja e Gjorgut, djaloshit që mbante në trup hijen e vdekjes, më përndiqte gjatë. Jetova ditë e net me frikën e tij.
Pyesja babën e axhën pse ndodh gjakmarrja, pse njeriu ia merr jetën njeriut për “nder” e “kanun”. Më sqaronin, por unë zemërohesha. Nuk pajtohesha. Isha shumë e re për ta kuptuar thelbin e kësaj lëngate shekullore që rridhte nga gjaku, por s’e shëronte kurrë.
Vite më vonë, tashmë gazetare në Televizionin e Prishtinës, jeta më përballi me një ngjarje që do ta ndryshonte përgjithmonë mënyrën si e shihja pajtimin, faljen dhe njeriun. Ishte viti 1990. Kosova e pushtuar lëngonte nën trysninë serbe, por brenda saj po ndizte një dritë e rrallë: Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve.
Një lëvizje që nuk kishte shembull tjetër në historinë tone, e lindur nga dhimbja, por e mbështetur në dashuri, urtësi dhe kulturë shpirtërore. Në një kohë kur burgosjet, torturat dhe ndalimet ishin përditshmëri, shqiptarët u ngritën për ta mbyllur plagën më të vjetër: gjakun kundër gjakut.
Ne gazetarët punonim nën survejim, por me një ndjenjë përkushtimi që e kapërcente frikën. Serbia mund të ndalonte mitingjet politike, por jo tubimet e pajtimit. Dhe kështu ndodhi: mbi gjysmë milioni shqiptarë u mblodhën te Verrat e Llukës më 1 maj 1990, në një ngjarje që i ngjante një rilindjeje kombëtare. Aty u falën dhjetëra gjaqe, plagë e ngatërresa që kishin mbetur hapur ndër breza.
Në qendër të kësaj fryme që bashkonte popullin ishte Anton Çeta plaku i urtë, profesori i brezave, mbledhësi i pasurisë folklorike, njeriu që e njihte shpirtin e shqiptarit më mirë se kushdo.
Ai nuk predikonte, por frymëzonte. Nuk urdhëronte, por bindte me butësi e mençuri. Me zërin e tij të qetë dhe sytë që rrezatonin dashuri, arriti të bënte të mundur të pamundurën: të kthente gjakun në falje, dhimbjen në shpresë.
Brenda një viti u falën 1169 gjaqe, pa imponim, pa dënim, pa dëmshpërblim. Një mrekulli njerëzore e lindur në zemër të dhunës.
Dhe aty, për herë të parë, gruaja shqiptare hyri në odat e burrave, tha fjalën e saj, mori vendime, fali. Ishte akti më i lartë i humanizmit dhe emancipimit në një kohë kur pushtimi kërkonte ta copëtonte shpirtin tonë.
Anton Çeta u bë idhulli ynë. E ndiqnim, e dëgjonim, e adhuronim. Në çdo rrëfim të tij gjenim forcë për të besuar se ky popull, me gjithë plagët, di të ringjallet.
E kujtoj sot, një çerek shekulli pas ikjes së tij në amshim, me të njëjtin mall e mirënjohje. Ai shpëtoi mijëra familje nga hakmarrja, por nuk arriti të shpëtojë Gjorgun tim, atë djalin e romanit që mbeti përjetësisht i vrarë në ndërgjegjen tonë.
Në kujtimin e Plakut të urtë kam dhembje e mall për burrninë e tij. Ai e bëri të mundur të pamundurën në një kohë të pamundshme. Mblodhi rreth vetes shqiptarët për t’i pajtuar, për ta mbyllur plagën shekullore që s’e mbyllte as lufta, as pushteti, as koha.
Por ideja e tij nuk ka mbaruar. Ëndrra e Anton Çetës vazhdon. Nevoja për pajtim dhe unifikim vjen e rritet në këto kohë të zorshme, kur politika e përçarë harron shpesh njeriun. Ai na mësoi se pajtimi nuk është dobësi, por madhështi. Se falja është gjesti më burrëror e më hyjnor që njeh shpirti njerëzor.
Anton Çetta me Zekeria Canen
Kosova ende nuk ka një shtatore të denjë për të. Një vend ku të përkulemi e ta falënderojmë që në vitet e 90-ta na ktheu shpresën, na mobilizoi e na bëri bashkë rreth kauzës kombëtare. Një shtatore për Plakun e urtë do t’i bënte nder Kosovës sepse ajo do të përfaqësonte fytyrën e paqes, kulturës dhe mençurisë sonë kombëtare.
Brezat që po rriten sot në liri ndoshta nuk e njohin dhimbjen e Gjorgut e as madhështinë e Plakut të urtë. Por duhet ta dinë se liria që gëzojnë nuk lindi vetëm nga lufta, por edhe nga falja. Nga burrat e gratë që zgjodhën të mos vrasin më, por të përqafojnë.
Nëse duam të jemi të denjë për gjakun e falur e për lirinë e fituar, duhet ta ruajmë këtë frymë të pajtimit, t’ia mësojmë fëmijëve se nderi nuk qëndron në hakmarrje, por në dashuri e mirëkuptim.
Kombi që di të falë, di edhe të ngrihet.
Dhe në këtë ngjitje shpirtërore, zëri i Anton Çetës vazhdon të na udhëheqë, i qetë, i përulur, por i përjetshëm:
“Mos e lë plagën të trashet. Shëroje me falje.”

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu