ARKIVI:
7 Mars 2026

Nëse libri ka thelb, mendim, cilësi, ai nuk ka nevojë për autorin që të shitet me prezencë fizike

Shkrime relevante

I forti dhe i ligu në shoqëri dhe servili në detyrë

Nga Safet Sadiku _____ Në shoqëritë ku administrata shtetërore është e dobët, ku...

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë

(7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 7 Marsi është një...

Arsyetimi, manipulimi, kontrolli i pushtetarëve

Nga: Aurel Dasareti Gënjeshtra kur një person me pushtet e arsyeton vetveten...

Shpërndaj

Ervina Toptani, shkrimtare, Vjenë
___
Pse kërkohet prania fizike e shkrimtarit në një panair? Dhe çfarë thotë kjo për vlerën e librit?
___
Një herë të vetme kam qënë në panair në Shqipëri në vitin 2022 në mos gaboj dhe ajo çka pashë më rrënqethi. Autorë në çdo qoshk, sa m’u krijua përshtypja se kish më shumë autorë sesa njerëz të interesuar për të blerë librat. Qëndrova jo më shumë se 10 minuta dhe u largova. I premtova vetes që deri ditën që panairi do i përkasë librit e jo autorëve, unë nuk do të kthehem më. Ndërkohë sa herë vij në Tiranë, siç bëj në çdo qytet tjetër europian kur udhëtoj, futem në librari e qëndroj me orë aq sa harrohem pse nuk ka vend më të bukur bota sesa libraritë.
Ka vite që panairet e librit janë shndërruar nga hapësira të dijes, në skena spektakli ku autori duhet të jetë prezent jo më si mendje, por si element marketingu. Si një shenjë fizike që “ja, unë jam këtu, pra libri im ekziston.” Sikur libri vetë të mos mjaftonte më.
Në thelb, dikur vlera e një libri matej me forcën e mendimit, qartësinë e vizionit dhe guximin e fjalës. Sot, shumë shpesh, ajo lidhet me zhurmën që autori bën rreth vetes. Me fotografinë, me autografët, me praninë e tij të pandalshme, gati rituale, për të shitur me dorën e vet diçka që duhej të shitej përmes mendjes së tij.
Dhe në këtë transformim ka diçka thellësisht të trishtuar për mendimin tim.
Kur libri ka vërtet vlerë, ai nuk ka nevojë për autorin si shitës. Ka nevojë vetëm për lexuesin që e gjen vetë, që tërhiqet drejt tij, që kërkon diçka në të, jo diçka nga autori.
Panairi i librit në Tiranë nuk e shmang dot këtë dukuri: qindra autorë rreshtohen pas tavolinave, si tregtarë të vetvetes. Shumë prej tyre nuk e bëjnë nga nevoja e brendshme, por nga presioni i një mode që po e zhvendos letërsinë nga një akt i thellë krijimi, në një akt shitjeje sa më të shpejtë.
Është një tension i keqkuptuar mes kulturës dhe konsumit, një farë paniku për të mos u harruar, për të mos mbetur jashtë vëmendjes, për të mos mbetur vetëm me librin dhe heshtjen e tij.
Nëse libri ka thelb, mendim, cilësi, ai nuk ka nevojë për autorin që të shitet me prezencë fizike.
Ai ka nevojë për kohë, për ndershmëri, për një lexues të vetëm që e hap e i jep jetë.
Ndërsa nëse libri ka vetëm zhurmë, ai kërkon autorin si shitës sepse pa trupin e tij, ideja zhduket.
Prandaj praninë e autorit e shoh si simptomë të një epoke që kërkon gjithnjë e më shumë imazh sesa mendim.
Në atë heshtjen e butë e të thellë të librarive, libra të vërtetë rrinë ende e presin. Nuk bërtasin, nuk të kapin për mëngë, nuk kërkojnë vëmendje.
Thjesht janë.
Dhe ka një bukuri të madhe tek autori që zgjedh t’i besojë librit të vet pa u bërë shitës i vetvetes.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu