ARKIVI:
8 Mars 2026

Demokracia e papërfunduar, ekonomia e kapur dhe dilema e sigurisë së Kosovës

Shkrime relevante

Provokim në zemër të Kosovës: Flamuri i një shteti të huaj në Mitrovicë , policia e ruan atë…!

Luan Dibrani, Gjermani Ngjarja e fundit në Mitrovica, ku policia e Kosovo...

Përçarje brenda Iranit midis Gardës Revolucionare dhe udhëheqjes politike

Njerëzit vizitojnë Parkun Kombëtar Hapësinor të Gardës Revolucionare, pak jashtë Teheranit,...

Sipas historianit Kristaq Prifti, në Kosovë nuk ekzistonte popullsi turke

Msc Belisar Jezerci, historian POPULLSI TURKE NË KOSOVË NUK EKZISTON ! Ne bazë...

Urime për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit

Luan Dibrani, Gjermani  Sot, më 7 Mars, në këtë ditë të shënuar të...

Fjalë respekti dhe mirënjohjeje për Mësuesin tim, Sabri Raçi

Arif Ejupi, Gjenevë Disa njerëz kalojnë në jetën tonë pa lënë fare...

Shpërndaj

Edhe pse Kosova që nga qershori i vitit 1999 jeton nën pritjen e vazhdueshme për t’u bërë pjesë reale e debatit demokratik ndërkombëtar, pas thyerjes së regjimit militarist të Slobodan Millosheviqit – i cili riktheu fashizmin në Ballkan dhe e përdori gjenocidin e spastrimin etnik si instrument politik për zgjerim territorial – pritshmëritë e mëdha për rimëkëmbje ekonomike, shtetndërtim funksional dhe konsolidim institucional nuk u realizuan.
UNMIK-u erdhi me premtime për rindërtim dhe zhvillim ekonomik. Ajo që u pa në praktikë ishte një transformim brutal dhe i pakontrolluar i pronës shoqërore dhe shtetërore, përmes privatizimit të modelit spin-off, i cili në thelb prodhoi më shumë humbje sociale sesa zhvillim ekonomik. Punëtorët humbën vendet e punës, asetet strategjike u zhveshën nga funksioni publik, ndërsa përfituesit realë u shndërruan në një kastë të ngushtë komesarësh politikë dhe ekonomikë. AKM-ja u shndërrua në AKP, Kosova shpalli pavarësinë, por logjika e kapjes së shtetit mbeti e njëjtë. Partitë e dala nga lufta ndërruan uniformat ushtarake me kostume solemne dhe kollare, por jo edhe diskursin. Ata vazhdojnë, madje edhe sot e kësaj dite, ta mbajnë gjallë dhe ta privatizojnë narrativën e “çlirimit”, duke e shtrirë atë edhe në fushën e biznesit, sikur suksesi ekonomik të ishte derivat ekskluziv i luftës, e jo i dijes, konkurrencës dhe meritës. Ky diskurs jo vetëm që e mbyll debatin demokratik, por u dërgon të rinjve një mesazh të rrezikshëm: për të udhëhequr shtetin, nuk duhet të dish të menaxhosh institucione, por të “dish të luftosh”.
Zgjedhjet, biznesi dhe iluzioni i demokracisë partiake
Nëse zgjedhësit mendojnë se zgjedhjet shërbejnë për të hapur debat demokratik të mirëfilltë brenda partive politike, ata shpesh gabojnë. Jo për t’i dekurajuar nga votimi, por për të kuptuar realitetin: partitë politike në Kosovë janë struktura të mbyllura, me kryetarë që kanë “tapinë” e partisë, pa reforma të brendshme, pa demokraci funksionale dhe pa llogaridhënie.
Zgjedhjet e 9 shkurtit e hapën njërën nga temat më të ndjeshme të demokracisë kosovare: raportin mes biznesit dhe politikës. Zgjedhjet që janë në prag pritet ta thellojnë këtë debat. Arsyeja është e qartë: biznesi, si aktor shoqëror, është më dinamik, më pragmatik dhe shpesh më i guximshëm në kërkimin e një rendi të ri ekonomik dhe institucional sesa vetë politika. Përjashtim këtu mbetet diaspora, e cila vazhdon të jetë shtylla më stabile e ekonomisë së Kosovës.
Biznesi po hyn në këto zgjedhje më kërkues, më i artikuluar dhe më i drejtpërdrejtë ndaj elitave politike – jo domosdoshmërisht për ta çliruar shtetin nga kapja, por për të rinegociuar raportet e interesit.
Siguria e Kosovës, ombrellë apo përgjegjësi shtetërore?
Në këtë sfond institucional dhe ekonomik, shtrohet një nga pyetjet më strategjike për të ardhmen e Kosovës: A do të mbetet NATO dhe SHBA ombrella e përhershme e sigurisë së Kosovës, apo Kosova duhet gradualisht të marrë përgjegjësinë e plotë për mbrojtjen e vet?
Realiteti është i dyfishtë!
Nga njëra anë, NATO dhe SHBA mbeten garancia ekzistenciale e sigurisë së Kosovës. Pa praninë e KFOR-it dhe pa mbështetjen politike e ushtarake të Uashingtonit, Kosova do të ishte ende e ekspozuar ndaj aventurizmit destabilizues të Serbisë dhe ndikimit rus në rajon. Kjo ombrellë nuk është luks, por domosdoshmëri.
Nga ana tjetër, asnjë shtet serioz nuk mund ta delegojë përjetësisht sigurinë e vet. Transformimi i FSK-së në një forcë moderne, profesionale dhe interoperabile me NATO-n nuk është alternativë ndaj aleancës me SHBA-të, por parakusht për thellimin e saj. Marrëdhënia me SHBA-të nuk matet me retorikë patriotike, por me kapacitet institucional, sundim të ligjit dhe besueshmëri strategjike.
Kosova nuk duhet të zgjedhë mes ombrellës së sigurisë dhe përgjegjësisë shtetërore – ajo duhet t’i ndërtojë të dyja paralelisht. Çdo iluzion për neutralitet, për “rrugë të tretë”, apo për zëvendësim të aleancës amerikane me improvizime rajonale, do të ishte politikisht naiv dhe strategjikisht i rrezikshëm.
Kosova sot nuk vuan nga mungesa e zgjedhjeve, por nga mungesa e reformave reale. Nuk vuan nga mungesa e aleatëve, por nga mungesa e kapacitetit për ta merituar besimin e tyre afatgjatë. Demokracia nuk ndërtohet me mite lufte, ekonomia nuk zhvillohet me privatizime grabitqare, dhe siguria nuk garantohet vetëm me praninë e të tjerëve. Pa ndarje të qartë të biznesit nga politika, pa demokraci të brendshme partiake, pa institucione funksionale dhe pa orientim të palëkundur euro-atlantik, Kosova rrezikon të mbetet një shtet i mbrojtur, por jo plotësisht sovran; një demokraci formale, por jo funksionale; një ekonomi aktive, por e kapur. Dhe kjo është dilema reale e zgjedhjeve që po afrohen.

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Te gjitha keto te zeza i vijnë shqiptarve prej mentalitetit apo moralit aziatik anti prendimor, te imponumë per 4 shekuj rresht nga Kalifati Osman.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu