LETËR PUBLIKE
Presidentes së Republikës së Kosovës
Ne mungese te Kuvendit dhe Qeverise – subjekteve kryesore politik të Republikës së Kosovës
Këshillit Drejtues të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë
E nderuara znj. Presidente,
Të nderuar përfaqësues të subjekteve kryesore politike të Republikës së Kosovës,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues të Universitetit “Haxhi Zeka”,
Në interes të mbrojtjes së parimeve kushtetuese, ligjore dhe të standardeve evropiane të barazisë dhe mosdiskriminimit, ndjehem i detyruar të shpreh publikisht shqetësimin tim lidhur me caktimin e mbrëmjes së fundvitit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë për datën 24.12.2025, në orën 19:00, përkatësisht në Natën e Krishtlindjes, kohë kjo në të cilën zhvillohen ceremonitë tradicionale dhe familjare të komunitetit katolik, si dhe në raport me praktika të ngjashme që, fatkeqësisht, po vërehen gjithnjë e më shpesh në Kosovë.
Parimisht, caktimi i një aktiviteti te tillë institucional në një datë që përkon me një festë të shenjtë fetare për një komunitet të caktuar nuk përbën, në vetvete, domosdoshmërisht diskriminim të drejtpërdrejtë. Megjithatë, në kuptimin juridik, një vendim i tillë organizativ mund të kualifikohet si diskriminim indirekt, për shkak se rezultati praktik i këtij planifikimi sjell përjashtimin objektiv të pjesëtarëve të një komuniteti tjetër fetar nga pjesëmarrja në ngjarjen e planifikuar ceremoniale institucionale.
Kjo problematikë fiton peshë shtesë juridike kur vlerësohet në kontekstin e praktikave ekzistuese institucionale. Konkretisht, për festën e Bajramit, përkatësisht për Natën e Bajramit, nga ora 12:00 administrata lirohet nga puna me qëllim të përmbushjes së obligimeve ceremoniale dhe familjare. Ndërkaq, për Natën e Krishtlindjes, e cila ka të njëjtën rëndësi fetare dhe familjare për komunitetin katolik, pikërisht në kohën kur fillojnë ceremonitë festive, caktohet mbrëmja institucionale e fundvitit. Një dallim i tillë në trajtimin praktik të festave fetare krijon një pabarazi faktike në ushtrimin e të drejtave, edhe në mungesë të një qëllimi diskriminues.
Sipas Ligjit Nr. 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ndalohet çdo formë e diskriminimit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë (indirekt), përfshirë diskriminimin mbi bazë fetare, veçanërisht në rastet kur një praktikë, kriter apo vendim institucional, në pamje të parë neutral, prodhon pasoja disproporcionale dhe përjashtuese për një grup të caktuar shoqëror.
Institucionet publike, e në mënyrë të veçantë universitetet, nuk janë të obliguara vetëm të shmangin diskriminimin aktiv, por kanë edhe detyrimin pozitiv për të garantuar barazi reale, gjithëpërfshirje dhe respekt të diversitetit, në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe arsyeshmërisë administrative.
Po ashtu, standardet e Këshillit të Evropës dhe të Bashkimit Evropian, përfshirë Direktivën 2000/78/EC për barazinë në punësim dhe profesion, kërkojnë nga institucionet publike që të shmangin praktikat administrative që, edhe në mungesë të një qëllimi diskriminues, prodhojnë efekte përjashtuese mbi bazë të fesë ose bindjeve fetare.
Në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është konsoliduar parimi se barazia reale nënkupton trajtim të diferencuar për situata objektivisht të ndryshme, në mënyrë që të parandalohet diskriminimi faktik dhe jo vetëm ai formal.
Një vendim i tillë organizativ, edhe kur nuk buron nga një qëllim diskriminues, cenon ndjenjën e përkatësisë institucionale, dobëson kohezionin akademik dhe bie ndesh me misionin publik të universitetit si hapësirë e dialogut, respektit reciprok dhe bashkëjetesës pluraliste.
Mbrëmjet institucionale të fundvitit kanë një funksion të rëndësishëm simbolik në konsolidimin e komunitetit akademik; për rrjedhojë, planifikimi i tyre duhet të bëhet në mënyrë të tillë që të mos përjashtojë asnjë grup për shkak të përkatësisë se tyre fetare, kulturore apo identitare.
Në frymën e sundimit të ligjit dhe të barazisë kushtetuese, është e domosdoshme që në të ardhmen aktivitetet e tilla institucionale të planifikohen me kujdes të shtuar dhe, kur është e nevojshme, edhe përmes konsultimit paraprak, duke respektuar kalendarin festiv dhe parimin e gjithëpërfshirjes, me qëllim që të shmangen situata të cilat mund të perceptohen, apo edhe të kualifikohen juridikisht, si diskriminim indirekt mbi baza fetare.
Ky reagim nuk synon konfrontim institucional, por reflektim juridik dhe përmirësim të praktikave administrative, në përputhje me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe me standardet evropiane të të drejtave të njeriut.

Me respekt,
Kolë KRASNIQI


