Ervina Toptani , Vjenë
___
Vështirësia jonë për të mbajtur përgjegjësi nuk është thjesht problem individual, është një produkt social, historik dhe kulturor. Në shoqërinë shqiptare, përgjegjësia shpesh perceptohet si faj, jo si pjekuri dhe pikërisht këtu nis problemi. Që tek moshat e reja fare, prindërit nga frika e papjekurisë së fëmijëve, i marrin vendimet në vend të tyre duke i hequr mundësinë e përgjegjësisë e duke i ofruar zgjidhje të gatshme. Shpesh as nuk i pyesin fëmijët për këto vendime. U heqin mundësinë e bisedës me ta, të kuptojnë këndvështrimin dhe arsyetimin e tyre edhe për gjërat që shpesh duken të parëndësishme.
Në prizme të tjera, ato politike, sociale e në punë po ashtu vendimet merren nga “lart” siç ne themi rëndom, ndërsa individi mësohet të mbijetojë, jo më të reflektojë. Kur nuk ke pushtet mbi jetën tënde, nuk ke zhvilluar as refleksin për të mbajtur përgjegjësi për të. Kjo trashëgimi nuk zhduket me ndërrimin e sistemeve, ajo mbetet në mënyrën si mendojmë, në paralizimin e reflektimit e arsyetimit personal.
Në nivel epistemik, ne shpesh ngatërrojmë shpjegimin me justifikimin. “S’kisha zgjidhje”, “kështu bëjnë të gjithë”, “sistemi është fajtor” etj etj. Këto në thelb janë narrativa që lehtësojnë ndjenjën e fajit, por na varfërojnë vetëdijen. Kur çdo veprim shpjegohet nga jashtë, subjekti zhduket dhe pa subjekt, nuk ka përgjegjësi.
Një tjetër faktor është mungesa e besimit te institucionet. Kur sheh që gabimet e mëdha nuk ndëshkohen dhe dështimet shpërblehen, mesazhi i heshtur është i qartë: përgjegjësia është për të dobëtit. Në këtë klimë, të pranosh fajin nuk shihet si forcë morale, por si naivitet.
Problemi thellohet edhe nga kultura e imazhit. Ne mësohemi të dukemi mirë, jo të jemi të ndershëm me veten. Pranimi i gabimit cenon imazhin, statusin, “fytyrën”. Dhe kështu, më mirë mohojmë realitetin sesa të rrezikojmë perceptimin e të tjerëve.
Por përgjegjësia nuk është akt dënimi ndaj vetes, është akt njohjeje. Është momenti kur individi pranon se ka qenë shkak, jo vetëm pasojë. Pa këtë akt, nuk ka mësim, pa mësim, nuk ka përparim dhe pa përparim, shoqëria mbetet duke përsëritur të njëjtat gabime, duke fajësuar gjithmonë dikë tjetër.
Pyetja nuk është pse gabojmë, në fund të fundit gabimi është njerëzor. Pyetja e vërtetë është: a kemi guximin të pranojmë se e vërteta për veten është më e rëndësishme se rehatia e justifikimit? Vetëm këtu fillon përgjegjësia dhe vetëm prej saj mund të lindë ndryshimi.


