
Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan
(Ese reflektuese) Autobusi ishte gati të nisej, por unë ende qëndroja në këmbë, me njërën dorë te valixhja dhe tjetrën në xhep, sikur aty të kisha harruar diçka të rëndësishme. Nuk kisha shumë gjëra me vete pos disa rroba, dokumentet dhe një ndjesi që nuk dija si ta emërtoja. Nuk po ikja nga lufta, as nga ndonjë ndalim.
Po ikja nga një vend që quhej i imi.
Askush nuk më detyroi të hipja në atë autobus. Dhe pikërisht kjo liri ma bënte vendimin më të rëndë. Gjatë rrugës, mendimi më kthehej gjithmonë te e njëjta pyetje: si iket nga një vend që ka emër, flamur dhe histori? Nuk po largohesha nga një tokë e huaj, por nga gjuha ime, nga rrugët që i njihja me sy mbyllur, nga ideja se këtu duhej të ishte vendi im. Liria për të qëndruar ekzistonte, por nuk përjetohej si mundësi reale. Ishte më shumë një kërkesë morale sesa një hapësirë për të jetuar.
Atdheun e doja si ide, por e jetoja ndryshe çdo ditë. Në përditshmëri, ai shfaqej si një rend i pashkruar ku disa gjithmonë prisnin dhe të tjerë gjithmonë kalonin përpara. Përpjekja nuk mjaftonte. As durimi për të qëndruar. As dëshira për të ndërtuar. Sakrifica personale humbiste diku mes premtimeve dhe heshtjes, dhe njeriu mbetej me ndjesinë se po kërkohej shumë, ndërsa po ofrohej pak. Nuk ishte mungesë dashurie ndaj vendit që të shtynte të ikje, por ndjenja se dashuria nuk kthehej mbrapsht.
Para se të nisesha, i kisha dëgjuar të gjitha: “Po ikën kur vendi ka nevojë.” “Kështu nuk ndërtohet shteti.” “Po të ikim të gjithë, kush do të mbetet?” Fjalë që nuk thuhen me mllef, por me bindje morale, dhe pikërisht për këtë dhembin më shumë. Ikja nuk përjetohej si akt i lirë, por si dështim personal ndaj një ideali kolektiv. Në vend që të ndihesha i lirë, ndihesha i jovetërealizuar. Jetonim në dy shtete tona, flisnim gjuhën tonë dhe e quanim veten të lirë. Ideja e bashkimit kombëtar ekzistonte, të paktën si e drejtë e ligjshme dhe si kujtesë historike. Por në përditshmëri, ajo rrallë përjetohej si horizont real.
Presionet e jashtme, frika për stabilitet dhe gjuha e kujdesshme e politikës ndërkombëtare e kishin zhvendosur bashkimin nga synim në temë të ndrojtur, që përmendej me zë të ulët ose lihej mënjanë.
Kur një ide e madhe mbetet pa përkthim në përvojë të përditshme, ajo fillon të zbehet, jo sepse është e gabuar, por sepse njerëzit lodhen duke e mbajtur vetëm me fjalë. Ikja ime, dhe e shumë të tjerëve, nuk ishte një akt kundër atdheut. Ishte një shenjë se diçka në marrëdhënien mes njeriut dhe vendit të tij kishte humbur ekuilibrin.
Nuk iket lehtë nga familja e shtëpia ku je lindur e rritur. Iket kur shtëpia pushon së qeni vend ku mund të rritesh pa u ndjerë i tepërt. Ndoshta pyetja nuk është pse po ikim, por çfarë po ndodh me një shoqëri që kërkon besnikëri, por nuk arrin ta kthejë atë në përvojë të përditshme.
Dhe ndoshta ideja e bashkimit kombëtar do të mbetet gjallë jo nga thirrjet e mëdha, por nga aftësia për ta bërë qëndrimin një mundësi reale, jo një sakrificë të heshtur.


