SPAK arreston kryetarin e bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe biznesmenin Elman Abule! ‘Arrest shtëpie’ për Ajola Xoxën, ‘detyrim me paraqitje’ për 5 biznesmenë (EMRAT + VIDEO)
TIRANE– Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është arrestuar sot me vendim të GJKKO-së pasi akuzohet për për veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në 9 raste si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Në pranga ka përfunduar edhe Elman Abule, përfaqësues i RAMETAL (ish “METALFORM”), i cili bashkë me bashkëshorten konsiderohet mik i afërt i familjes Veliaj.
Ndërkohë është firmosur arrest shtëpie për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa dhe detyrim me paraqitje për 5 biznesmenë, Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha të cilët akuzohen nga SPAK për veprën penale korrupsion aktiv. Ata dyshohet se kanë marrë tendera të dyshimtë pranë Bashkisë së Tiranës.
Arrestimi i Veliajt
Agjentët e BKH-së u paraqitën sot në mesditë rreth orës 14:00 në ambientet e zyrave të bashkisë së Tiranës për t’i komunikuar kryetarit të bashkisë vendimin e GJKKO-së për masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Më pas me makinën e tij Veliaj u shoqërua drejt bllokut të sigurisë, në rrugën Mine Peza” në Tiranë.
Masa arrest shtëpie për Xoxën nuk u ekzekutua menjëherë, pasi ajo ndodhej në Itali për kurim. Pasi u njoh me masën e sigurisë, Xoxa fluturoi nga Roma për në Tiranë mbrëmjen e sotme, 10 shkurt, për të zbatuar masën. Agjentët e BKH e shoqëruan nga Rinasi për në banesë.
Dosja ndaj Veliajt po hetohet nga Olsi Dado dhe Altin Dumani dhe Erion Bani gjyqtari që firmosi masat e sigurisë. Ndërkohë kryeministri Rama ka anuluar takimet që kishte parashikuar ditën e sotme, 10 shkurt, në Shkodër.
Ajola Xoxa – ‘arrest shtëpie’ – E paekzekutuar masa
Elman Abule – Biznesmen – arrest me burg – Ekzekutohet masa
Shkëlqim Fusha biznesmen – Detyrim me paraqitje
Gentian Sula, biznesmen – Detyrim me paraqitje
Meriman Palushi, biznesmen – Detyrim me paraqitje
Fatmir Bektashi, biznesmen – Detyrim me paraqitje
Sokol Kryeziu, biznesmen – Detyrim me paraqitje
Si nisi hetimi?
Akuza e SPAK bazohet mbi kallëzimin e personit anonim, Nesti Angoni. Kallëzimi u dërgua me postë në SPAK. Nisur nga kjo u regjistrua dosja në hetim por nuk ishte regjistruar emri i kryebashkiakut si person nën hetim.
Në dhjetor 2024 Kryebashkiaku i Tiranës dëshmoi para agjentëve të BKH-së si person që kishte në lidhje me veprën penale të korrupsionit pasiv, ndërkohë që kishte nisur dhe hetim pasuror. Edhe familjarët e tij janë marrë në pyetje si persona që kanë dijeni.
Më 6 dhjetor 2024 SPAK sekuestroi telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Me vendim të GJKKO kontrolle u kryen dhe në studion ‘Harabel’ tek ish-Blloku ku u sekuestruan dhe dokumente që kanë të bëjnë me hetimet e nisura nga prokurori Ols Dado, në lidhje me pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij. Ndërsa i është ushtruar kontroll dhe në banesën e vëllait të Erion Velisë.
Akuzat
Veliaj u akuzua sot për veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në 9 raste si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndaj bashkëshortes së tij, SPAK thotë se rëndojnë akuzat korrupsion pasiv, pastrim parash e fshehje pasurie. Ndërkohë të 5 biznesmenët akuzohen nga SPAK për veprën penale korrupsion aktiv. Në hetim, SPAK njofton se ka vënë në hetim edhe një deputete (Klotilda Bushka), që sipas prokurorisë së posaçme ka penguar zbulimin e së vërtetës. Dy prokurorët që hetuan çështjen janë Ols Dado dhe Altin Dumani.
SPAK-u thotë se kryetari i Bashkisë së Tiranës, ka miratuar shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të.
“Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar ‘de jure’ dhe ‘de facto’ nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh” thekson SPAK.
Ky grup personash sipas SPAK, përvec pasurive të paluajtshme që kanë përfituar, kanë gjeneruar të ardhura, të cilat kapin shifrën e rreth 110.000.000 lekë informoi sot SPAK.
Organi procedues ka arritur në konkluzionin se, përveç pasurive të paluajtshme të përfituara nga shtetasit nën hetim (nën regjimin pasuror të bashkësisë ligjore), këta të fundit, vetëm përmes shoqërive “P. L.” shpk, “A. L.” shpk, “A. S.” shpk, “N. G.” shpk, “H.” OJF, “E.” OJF, “B.-A” OJF dhe “M.” OJF, për të cilat ekzistojnë prova të mjaftueshme se kontrollohen plotësisht nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, por edhe “RAMETAL” shpk dhe shoqëri të tjera të lidhura me shtetasin nën hetim Elman Abule, kanë gjeneruar të ardhura të cilat kapin shifrën e rreth 110.000.000 lekë” informon SPAK
Ndiqni më poshtë lajmet në zhvillim
Ajola Xoxa kthehet në Tiranë për të zbatuar masën arrest shtëpie! Momenti kur agjentët e BKH e shoqërojnë nga Rinasi (VIDEO)
GJKKO i caktoi arrest në shtëpi, Ajola Xoxa do kthehet sonte në Shqipëri për të zbatuar vendimin
Ajola Xoxa do kthehet në Shqipëri për të zbatuar masën arrest shtëpie të caktuar ndaj saj, pasi ndodhej në Itali për kurim.Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme ndaj Xoxës është firmosur masa e sigurisë ‘arrest në shtëpi’.Xoxa do niset për Shqipëri me një fluturim të mbrëmjes së sotme.
Arrestimi i Veliajt, GJKKO vendos në masë arresti në burg edhe biznesmenin Elman Abule
‘Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale, për një shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “……..” shpk;’, njofton SPAK.
Arrestimi i Erion Veliajt, ja dy akuzat që rëndojnë ndaj kryebashkiakut të Tiranës
Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion veliaj rëndojnë dy akuza, korrupsioni dhe pastrim parash.Arrestimi i Veliajt, avokatët pranë bllokut të sigurisë ‘Mine Peza’
Gjithashtu gazetari Sokol Dema ka përcjellë dhe pamjet e pranisë së avokatëve të Erion Veliaj pranë bllokut të sigurisë Mine Peza.
EMRAT/ Arrestimi i Veliajt, GJKKO vendos detyrim paraqitjeje edhe për 5 biznesmenë, mes tyre Fatmir Bektashi e Gentian Sula
Edhe Sokol Kryeziu është një biznesmen i përfshirë në sektorin e ndërtimit dhe projekteve infrastrukturore. Sokol Kryeziu është zotërues i kompanisë “GERARD – A” sh.p.k.
Arrestimi i Erion Veliajt, kryebashkiaku u dërgua në Bllokun e Sigurisë, ja momenti kur makina largohet
Nuk ekzekutohet masa arrest shtëpie për Ajola Xoxën, ndodhet jashtë shtetit për kurim
Arrestimi i Erion Veliajt, dërgohet te Blloku i Sigurisë
Arrestimi i Erion Veliajt, burime: GJKKO ka lëshuar edhe 5 masa sigurie
VIDEO/ Momenti kur agjentët e BKH-së marrin Veliajn nga godina e bashkisë së Tiranës


