ARKIVI:
27 Prill 2026

Kisha e Studenicës, shpirt i lashtë i Dardanisë

Shkrime relevante

Ditëlindja e shkrimtarit Mikel Gojani, një jubile i denjë për një emër të respektuar e të spikatur të letrave shqipe

Lekë Mrijaj, Klinë Të shkruash për shkrimtarin e mirënjohur shqiptar, prof. Mikel...

Sejid Kutub , njeriu nga i cili më së shumti u frymëzua Osama bin Laden dhe Ajman El Zauahiri, por edhe tjerë

Driton Tali, Londër Ky është Sejid Kutub baba i islamit politik. Njeriu...

Lufta dhe njeriu i brendshëm: midis dehjes, dhunës dhe ndërgjegjës

Jeton Kelmendi, Prishtinë ____ Vepra “Lufta e fshehur, Anteu” e Jusuf Buxhovi paraqet...

Prizreni nuk është skenë për rikthimin e hijes osmane

Zamira Bytyqi, Prizren Dje 25.04 në Shadërvan, në zemrën historike të Prizrenit, u...

Shpërndaj

Nga: Afrim Zeqiraj

____

KISHA E STUDENICËS – SHPIRT I LASHTË I DARDANISË SHQIPTARE

Gojdhëna popullore, e ruajtur me fanatizëm brez pas brezi, thotë se familjet më autoktone, më të vjetra dhe më të rrënjosura në truallin e Studenicës dhe Vrellës janë

familjet Beli dhe Golani.

Belët në Studenicë, Golanët në Vrellë. Këto dy trungje familjare nuk janë vetëm emra, por shtylla të kujtesës historike, dëshmitarë të gjallë të vazhdimësisë shqiptare, fetare dhe kombëtare në këtë trevë të lashtë dardane.

Fisi Morin përbën shumicën në fshatin Studenicë dhe përbëhet nga familjet Beli, Stehaj ose Zeqiraj, Gorqaj, Ramqaj dhe Sefaj. Po ashtu, në këtë hapësirë jetojnë edhe fiset Kastrati ose Maxharraj, Gashi ose Sadikaj, Kuqi, Shoshi dhe Vuthaj, duke formuar një mozaik të pasur të strukturës fisnore shqiptare, me rrënjë të thella iliro dardane.

Në Bregun e Studenicës, aty ku edhe sot qëndrojnë muret e një bazilike të lashtë, dardanët e krishterizuar ndërtuan Kishën e Studenicës.

Gërmimet arkeologjike dëshmojnë se ky vend përfaqëson disa periudha ndërtimi me rend kronologjik të ndryshëm. Bazilika i përket periudhës së Perandorit Justinian, midis viteve 527 dhe 565, dhe ka ngjashmëri të theksuara me Bazilikën e Shën Florit dhe Laurit në Ulpianën antike pranë Prishtinës. Sipas Dedë Palokajt, Justiniani, me ardhjen e tij në fron, u ngut të ndërtonte mure fortifikuese për të mbrojtur Ilirikun nga rreziku i vazhdueshëm barbar.

Megjithatë, që nga shekulli i katërt dhe sidomos pas rënies së Perandorisë Romake Perëndimore në vitin 476, Dardania dhe mbarë Iliriku u kthyen në shënjestër të dyndjeve shkatërrimtare barbare. Visigotët shkatërruan Romën në vitin 410, ndërsa gotët, hunët, avarët dhe fise të tjera përmbytën këto troje, duke lënë pas rrënim, djegie dhe gjak. Perandoria Romake ishte ndarë në vitin 395 në dy pjesë, në Perandorinë Romake të Perëndimit me kryeqytet Romën dhe Perandorinë Romake të Lindjes, Bizantin, me qendër Konstandinopojën. Profesorja e historisë N. Sesa nga Universiteti Shtetëror i Ohajos thekson se qytetarët e Perandorisë së Lindjes e shihnin veten si romakë, çka dëshmon vazhdimësinë romake dhe jo një shkëputje artificiale të saj.

Autorët vendorë që kanë shkruar për Studenicën dhe Vrellën përbëjnë një thesar të çmuar historik. Gojdhënat tregojnë se nga Kisha e Studenicës deri te Kerrshi i Kuq mbi Vrellë ka ekzistuar një kanal nëntokësor që e lidhte kishën me një shpellë sallon. Nga ana juglindore ishte një hapje rrethore, një dritare vrojtimi prej nga shihej Rrafshi i Dukagjinit. Kjo hapje ekziston edhe sot, sipas dëshmisë së Dr. Sylë Dreshajt në librin e tij për Krye Vrellën. Deri vonë ruheshin edhe gjurmë të një qumështsjellësi të ndërtuar nga Bjeshkët e Korenikajve deri te Bregu i Kishës, me gjatësi katër deri pesë kilometra.

Ky sistem prej lugjesh druri sillte qumështin në kazanët e kishës. Vendi ku mjeleshin delet dhe derdhej qumështi quhej dhe quhet ende Kallugjer, dëshmi e jetës monastike katolike shqiptare. Kujdesi shpirtëror dhe mbrojtja e kishës ishin barrë dhe nder i familjeve Beli dhe Golani.

Në shekullin e trembëdhjetë, hordhitë mongole aziatike u derdhën mbi Evropë si stuhi shkatërrimtare, duke sjellë gjak edhe në Podgur. Në vendin e quajtur Rrahina, mes Studenicës, Kaliqanit dhe Orrobërdës, u zhvillua një betejë e përgjakshme. Varret e asaj lufte ekzistojnë ende, edhe pse sot fatkeqësisht janë lënë në harresë. Mongolet, si fitues, shkatërruan Kishën e Studenicës dhe masakruan popullsinë e strehuar në Bjeshkët e Korenikut.

Vendmasakrimi quhet edhe sot Lugu i Kallugjerit, një emër që mban brenda klithmën e martirizimit. Të mbijetuarit u shpërngulën në Malësinë e Shkodrës. Në shekullin e pesëmbëdhjetë, sipas Dr. Sylë Dreshajt, tre vëllezër pasardhës të kësaj familjeje u kthyen në vendlindjen e të parëve. Ata ishin Bila, Ndrela dhe një vëlla i tretë, emri i të cilit nuk u ruajt në gojëdhëna. Ky kthim ishte rikthim i gjakut në tokën e vet, rikthim i kujtesës dhe i identitetit shqiptar. Pretendimet serbe për autoktoni në Kosovë, të mbështetura në krishterimin ortodoks panisllavist, bien ndesh me faktet historike.

Shqiptarët deri në shekullin e gjashtëmbëdhjetë ishin katolikë perëndimorë. Me përkrahjen osmane dhe ndërhyrjen ruso greke, filloi përvetësimi i kishave katolike shqiptare dhe shndërrimi i tyre në objekte ortodokse. Kjo tragjedi preku edhe Studenicën.

Prifti shqiptar i familjes Beli u vra sepse kundërshtoi gjuhën dhe ritin e huaj.

Revolta e popullit çoi në vrasjen e priftit të sjellë nga Rusia, por dhuna dhe presioni nuk u ndalën. Përballë dhunës së vazhdueshme dhe të pamëshirshme, banorët e Studenicës nisën të pranonin islamin. Familja e parë që u konvertua ishte ajo e Belit, ashtu si në Vrellë familja e Golanit shkruan Milazim Maraj me nje bised me plakun e Studenicës Adem Mustafa Maxharraj.

Xhamia e Studenicës, sipas dëshmive gojore, u ndërtua rreth vitit 1830, kryesisht me gurët e Kishës së vjetër.

Disa nga këta gurë, sipas Shaban Mustafa Gorqajt, mbanin mbishkrime iliro romake, gurë që flisnin shqip edhe në heshtje. Kisha e Studenicës mbetet sot simbol i krishterimit katolik perëndimor, i autoktonisë shqiptare dhe i qëndresës shpirtërore e kombëtare në Dardani. Ajo është zemra e një historie që nuk mund të fshihet, sepse është gdhendur në gurë, në gjak dhe në shpirtin e këtij trualli.

19.01.2026 Newel- Gjermani

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Pergëzime per këtë studim serioz dhe te argumentumë me vlere te madhe per historine e trojeve shqiptare.
    Keto ngjarjet e Studenices jane krejtesisht te ngjashme me ngjarjet e krejte trojeve shqiptare.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu