Prof. Ass. Dr. Gjylbehare Murati
Intervistë
Prof. Ass. Dr. Gjylbehare Murati është një nga profesoreshat më të dalluara në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe në të drejtën ndërkombëtare.
Prof. Murati është e doktoruar në një nga universitetet më prestigjioze të Bashkimit Evropian dhe njihet për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e saj të rëndësishëm në avancimin e studimeve të drejtësisë. Ajo aktualisht vepron dhe zhvillon hulumtime në University Haxhi Zeka, Pejë, Kosovë, dhe ka botuar punime shkencore në revista ndërkombëtare si Religion and Human Rights (Brill, 2025), duke i dhënë kontribut të rëndësishëm studimeve mbi sekularizmin dhe lirinë e fesë.
Pyetjet e saj që ia bënë Blerim Nikës, janë pjesë e një projekti kërkimor akademik mbi temën “sekularizmi dhe liria e fesë në Kosovë”, dhe në këtë material do të gjeni edhe përgjigjet e Blerimit lidhur me rikthimin e shqiptarëve në Kishën Katolike.
Blerimi e kishte parë të arsyeshme t’a bënte pjesë të gjykimit publik këtë material, duke i paraqitur pyetjet e profesoreshës dhe përgjigjet e tij, ashtu siç janë dhënë, për informim dhe transparencë ndaj opinionit publik.
Ky material ka qëllim akademik dhe hulumtues dhe nuk lidhet me gazetari apo publikime mediatike.
Bisedë e strukturuar ndërmjet Prof. Dr. Gjylbehare Murati dhe Blerim Nika
Si e shpjegoni ju fenomenin e konvertimit të disa shqiptarëve myslimanë në katolikë (në diasporë dhe brenda Kosovës)?
Blerim Nika: Shqiptarët nuk po konvertohen – ata po rikthehen. Ky nuk është një ndryshim fetar, por një kthim në gjirin e besimit dhe identitetit të lashtë të kombit tonë. Shqiptarët po kthehen aty ku ishin – në themelet e tyre shpirtërore e historike. Shqiptarët e pranuan krishterimin që në shekullin e parë, nga Apostulli i Kombeve, Shën Pali. Ky pranim ishte i lehtë dhe i natyrshëm, sepse krishterimi përshtatej me kulturën, traditat dhe mënyrën e jetesës shqiptare.
Ky fakt tregon se lidhja e shqiptarëve me fenë e krishterë nuk është e huaj, por është pjesë e natyrshme e shpirtit dhe identitetit tonë. Këtë e argumentoj sepse Kisha Katolike shumë prej ritualeve dhe traditave antike iliro-dardane i futi brenda Kishës Katolike në hapësirat shqiptare, për t’i ruajtur dhe kultivuar ato.
Zoti, në Fjalët e Urta 22:28, na thotë: “Mos lëviz kufirin e lashtë që kanë vënë etërit e tu.” Kjo tregon respektin dhe përkujdesjen për rrënjët dhe trashëgiminë tonë shpirtërore dhe kombëtare.
Kush janë kryesisht këta individë që konvertohen – a vijnë nga ndonjë rajon i caktuar i Kosovës apo janë nga zona të ndryshme?
Blerim Nika: Ky rikthim nuk është individual, por mbarëkombëtar. Pagezimet po ndodhin në të gjitha hapësirat shqiptare – në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, e deri në mërgatë. Kudo ku ka shqiptarë, po zhvillohet një lëvizje e gjallë dhe e sinqertë rikthimi në Kishën Katolike – një rikthim që po merr përmasa të një revolucioni shpirtëror kombëtar.
A është ky fenomen më i përhapur te brezat e rinj apo edhe te ata më të vjetër?
Blerim Nika: Kjo që disa e quajnë fenomen, në të vërtetë është proces natyror. Rikthimi i shqiptarëve në krishterim, saktësisht në Kishën Katolike, është rikthim te ADN-ja e identitetit tonë kombëtar. Kisha Katolike ndër shekuj ka qenë mbrojtësja më e fortë e gjuhës, kulturës dhe vetëdijes shqiptare – është bërë pjesë e mishit dhe shpirtit tonë. Pagezimet ndodhin kryesisht në kuadër familjar, duke përfshirë të gjitha moshat. Shembulli im personal e tregon qartë: jam pagëzuar bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mi të vegjël, në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë – Jezu Krishtit, që është drita dhe shpëtimi i çdo shqiptari që e kërkon të vërtetën.
II. Rreth motiveve të rikthimit
Cilat mendoni se janë arsyet kryesore që i shtyjnë shqiptarët në diasporë të konvertohen nga myslimanë në katolikë?
Blerim Nika: Shqiptarët në mërgatë janë pjesë e pandarë e kombit. Edhe pse jetojnë larg Atdheut, ata janë po aq të përfshirë në këtë proces rikthimi. Arsyet janë të shumta: nevoja shpirtërore, dëshira për të ruajtur identitetin kombëtar, dhe përputhja me mënyrën evropiane të jetesës – mënyrë kjo që shqiptarët e njihnin që para pushtimit osman, kur ishin pjesë e botës perëndimore në shpirt dhe kulturë.
A lidhet kjo më shumë me çështje shpirtërore apo me dëshirën për t’u përshtatur me shoqërinë perëndimore?
Blerim Nika: Çdo njeri ka nevojë për Zotin. Shqiptarët kanë qenë të lidhur me Zotin që në lashtësi – që nga Dodona, qendra e parë e besimit hyjnor. Ne nuk kemi nevojë t’i përshtatemi askujt, sepse jemi bijtë e qytetërimit të parë evropian – bijtë e Ilirisë. Kjo nuk është çështje mode apo dëshire, por çështje thelbi dhe vetëdijeje për të qenë vetvetja, në dritën e Jezu Krishtit që ndriçon udhën e shpirtit tonë.
Mendoni se për disa ky proces përfaqëson një kthim te rrënjët historike apo më shumë një shprehje të identitetit evropian?
Blerim Nika: Rrënjët tona janë rrënjë ilire – rrënjë evropiane. Me këtë trashëgimi, identiteti ynë kombëtar është natyrshëm pjesë e Evropës dhe kulturës perëndimore.
A luajnë rol paragjykimet ndaj myslimanëve në vendet ku jetojnë, në vendimin për t’u konvertuar?
Blerim Nika: Shqiptarët nuk identifikohen me islamin në vetvete. Edhe pse një pjesë e historisë sonë ka kaluar përkohësisht nën ndikimin islam, ajo periudhë ishte e imponuar dhe e shkurtër. Shqiptarët nuk kanë me botën islame asgjë të përbashkët – as në kulturë, as në traditë, as në mënyrën e jetesës.
Sa ndikojnë priftërinjtë apo komunitetet katolike në diasporë në këtë proces?
Blerim Nika: Meshët në mërgatë mbahen në gjuhën shqipe. Në to flitet për kulturën dhe historinë shqiptare, nderohen figurat heroike të kombit, dhe ringjallet ndjenja e përbashkët kombëtare. Për shumë bashkatdhetarë në mërgatë, Kisha Katolike është bërë vendi ku gjejnë Atdheun shpirtëror dhe praninë e Jezu Krishtit, që bashkon besimin me atdhedashurinë.
- Rreth reagimeve dhe perceptimeve
Si reagojnë komunitetet shqiptare në diasporë ndaj këtyre rasteve?
Blerim Nika: Islami politik dhe ai radikal janë të pranishëm edhe ndër shqiptarët e mërgatës. Në xhamitë që frekuentohen nga shqiptarët, propagandohet kundër krishterimit, sidomos kundër shqiptarëve që po rikthehen në identitetin e tyre të vërtetë shpirtëror e kombëtar. Ky realitet kërkon vigjilencë, ndërgjegjësim dhe guxim për t’u përballur me të.
Si e shohin vetë personat e konvertuar këtë hap?
Blerim Nika: Fatkeqësia qëndron në keqkuptimin e procesit. Shpesh thuhet se shqiptarët po ndryshojnë fe, ndërkohë që në të vërtetë ata po kthehen aty ku ishin. Konvertimi i vërtetë ndodhi me ardhjen e Perandorisë Osmane, kur shqiptarët u detyruan me dhunë të braktisnin fenë e tyre të krishterë. Rikthimi në Kishën Katolike është një proces natyror që ndoshta është vonuar, por që po ndodh me vetëdije dhe bindje të plotë, me Jezu Krishtin në zemër.
A vëreni ndonjë ndryshim në lidhjet e tyre me Kosovën pas rikthimit?
Blerim Nika: Kosova është bërë qendra e këtij rikthimi të madh. Pagezimet po zhvillohen në të gjitha trojet shqiptare, por Kosova është bërë epiqendra e lëvizjes. Me aktin e pagëzimit, shumë familje shqiptare çlirohen shpirtërisht dhe largojnë çdo ndikim të anadollizmit që ka rënduar ndër shekuj mbi identitetin tonë.
Rreth përmasës shoqërore dhe kulturore
A lidhet ky proces me një krizë të përkatësisë?
Blerim Nika: Islami politik e radikal ka dëmtuar dhe ende dëmton identitetin tonë kombëtar. Ai nxit ndarje, përhap ideologji të huaja dhe i shtyn të rinjtë shqiptarë drejt luftrave fetare në vendet islamike, duke rrezikuar jetën dhe nderin e kombit. Shqiptarët nuk kanë nevojë të jenë “mish për top” për interesa të huaja. Ata kanë nevojë të jenë vetvetja – dhe duke qenë vetvetja, janë natyrshëm pjesë e Perëndimit, mish i pandarë i qytetërimit evropian, në dritën e dashurisë së Krishtit.
A ekziston ndonjë statistikë për këtë fenomen?
Blerim Nika: Për statistika të sakta mund të flasin vetë Kishat Katolike. Por është fakt që rikthime e pagezime po ndodhin gjithandej – në trojet shqiptare dhe në mërgatë, madje edhe në vende ku nuk ekzistojnë misione të drejtpërdrejta shqiptare.
Çfarë do të thotë ky proces për identitetin shqiptar në diasporë?
Blerim Nika: Rikthimi te rrënjët shqiptare, arbërore, ilire e kristiane nuk është fenomen, por proces natyror e njerëzor. Ky proces ndodh kudo ku jetojnë shqiptarët – në Atdhe apo në mërgatë. Për çdo shqiptar, pagezimi është akt jete, ringjalljeje dhe bashkimi me rrënjët e veta.
A mendoni se ky proces do të vazhdojë në të ardhmen?
Blerim Nika: Rikthimi në Kishën Katolike është një tren i pandalshëm. Binaret e tij janë të drejtuara kah destinacioni i vet – vetvetja jonë. Pagezimet ndodhin çdo ditë, në forma të ndryshme, por me qëllim të njëjtë: rikthimin shpirtëror e kombëtar. Historia na ka mësuar se çdo nismë për ruajtjen e identitetit kombëtar mund të vonohet, por kurrë nuk ndalet, sepse fryma e Jezu Krishtit nuk shuhet kurrë ndër bijtë e Ilirisë.
- Me respekt e përkushtim, Blerim Nika Lëvizja Shqiptare për Rikthim në Katolicizëm


