Blerim Nika
____
Përkatësia ime fetare myslimane nuk ishte zgjedhje personale. Ajo u vendos nga familja ime, sepse të tillë ishin edhe ata. Ashtu siç ka ndodhur me të gjithë shqiptarët që sot e quajnë veten myslimanë, edhe për mua feja erdhi si trashëgimi, jo si thirrje e brendshme. Prindërit e mi ishin myslimanë sepse edhe prindërit e tyre kishin qenë të tillë. Por historia e familjes sime nuk fillon aty. Ajo shkon më thellë. Katërgjyshërit e mi ishin katolikë. Ata nuk e lanë besimin nga bindja, por nga dhuna. Pushtuesi osman i detyroi të mohonin fenë e të parëve të tyre, dhe bashkë me fenë u godit edhe identiteti, kujtesa dhe rrënja jonë perëndimore. Që nga ajo kohë, përkatësia myslimane në familjen time u trashëgua si një fat i imponuar, brez pas brezi, deri tek unë, derisa vendosa të kthehem te besimi i të parëve të mi, te krishterimi katolik perëndimor.
Isha mysliman sepse rrethi im ishte i tillë. Sepse edhe atij rrethi i ishte imponuar të ishte i tillë.
Gjyshi im, vëllai i gjyshit tim dhe shumë familjarë të tjerë më të moshuar na tregonin shpesh për historinë e Nikës, katolikut të fundit të familjes time, ose më saktë, martirit të familjes sime dhe të fshatit tim. Nika nuk pranoi kurrë ta ndërronte besimin dhe të konvertohej në mysliman. Për këtë arsye, në ditën e Kurban Bajramit, ai u masakrua nga Perandoria Osmane përmes sejmenëve të saj shqipfolës që kishte gjetur atëherë. Nikën e lanë pa varr.
Ashtu siç i zhdukën krejtësisht edhe varret e të parëve tanë katolikë, jo vetëm në familjen time dhe në fshatin tim, por pothuajse në të gjitha hapësirat shqiptare ku Islami u përhap në mënyrë të dhunshme. Ishte strategji e Kishës Ortodokse Serbe, që përmes Islamit dhe përmes mësimeve të hoxhallarëve, që na thonin të mos vendoseshin gurë apo mbishkrime mbi varreza, të na zhdukte historikisht e masovikisht nga faqja e dheut. Edhe ato pak varre që dihen, janë përpjekur t’i etiketojnë si “varreza të shkijeve”, siç ndodhi me varrezat e shqiptarëve të krishterë në Carrallukë të komunës së Burimit. Andaj sot është detyrë dhembi detyrë që të kujdesemi për të ardhmen, që mos të na zhduket as e kaluara e as e ardhmja.
Që në moshë të re fillova të përjetoja kontradikta të forta që më trazonin mendjen dhe zemrën. Nga gjyshi im, nga familjarët më të moshuar dhe nga shkolla mësoja se Perandoria Osmane kishte qenë pushtuese, ashtu siç në të vërtetë ishte. Por në anën tjetër, nëpër xhami dhe nga hoxhallarët më thuhej se e njëjta perandori osmane na paska qenë çlirimtare. Nga gjyshërit dhe nga shkolla mësoja se ishim pasardhës të ilirëve, dardanëve dhe pellazgëve, pra autoktonë në këto troje. Ndërsa nëpër xhami na thuhej se ne paskemi ardhur nga Turqia. Nga babai im, nga gjyshërit dhe nga shkolla mësoja për rëndësinë e heronjve tanë kombëtarë, si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe të tjerë. Ndërsa nga disa hoxhallarë nëpër xhami shahej Gjergj Kastrioti dhe fyheshin figurat tona kombëtare, veçanërisht flamuri shqiptar. Këto përplasje të vazhdueshme mes asaj që mësoja si shqiptar dhe asaj që më imponohej si besimtar, e copëtuan ndërgjegjen time.
Isha mysliman dhe presionin e ndjeja thellë në shpirt. Të jesh mysliman dhe të jetosh një jetë shqiptare nuk është e lehtë. Islami filloi të përzihej ngadalë në çdo aspekt të jetës: si të vishesha, çfarë të haja e çfarë të pija, si të zgjohesha e si të flija, si të martohesha dhe me kë, si të punoja dhe ku, si të tregtoja, ku të jetoja dhe çfarë zgjedhjesh të bëja. Gradualisht e ndjeja se liria ime po ngushtohej.
Kur isha mysliman dhe falësha, lexoja dhe besoja, brenda vetes ndjeja një shqetësim të thellë. Ndjeja se ta duash Atdheun me gjithë qenien tënde, me gjak e me lot, ishte pothuajse mëkat. Në filozofinë islame, të jesh mysliman dhe patriot për vendin tënd nuk shkojnë bashkë. Të luftosh për Atdheun nuk ka vlerë shpirtërore, ndërsa të luftosh në emër të Allahut, xhihadi, shpallet detyrë dhe sevap i madh. Kjo përplasje më copëtonte nga brenda. Unë jam shqiptar dhe nuk mund ta mohoj Atdheun tim. Sot jam katolik sepse në besimin e të parëve të mi, Krishti dhe Atdheu ecin bashkë. Të dy janë dashuri, sakrificë dhe jetë.
Për ta ruajtur veten time, jetën time, familjen time, gjakun tim dhe lirinë time, vendosa të kthehem në Kishën Katolike. Isha mysliman dhe nuk e ndjeja praninë e Zotit në zemrën time. Nuk mund t’i flisja Zotit në gjuhën time. Më ishte mësuar se Zotit duhej t’i drejtohesha vetëm në arabisht. Por shpirti im fliste shqip. Arabisht nuk dija dhe nuk doja të mësoja. Ato që më mungonin i gjeta në Kishën Katolike. Aty e gjeta Zotin. Një Zot që më kupton shqip, sepse lutjet e mia janë në gjuhën e nënës sime, të tokës sime, të gjakut tim.
Duke u nisur nga historia e dhimbshme e Nikës tim dhe e shumë shqiptarëve të tjerë katolikë, varret e të cilëve i kanë zhdukur qëllimisht, unë kam vendosur të bëhem guri i varrit të Nikës, që ai të mos harrohet kurrë. Kam vendosur që mbiemrin tim ta bëj Nika. Prej gati një viti, unë dhe familja ime, si të rikthyer, e mbajmë këtë mbiemër me krenari dhe do ta trashëgojmë brez pas brezi, si kujtim dhe nderim për qëndresën, sakrificën, por edhe për rilindjen tonë kombëtare dhe shpirtërore.
Isha mysliman, por po të më jepej zgjedhja e lirë, kurrë nuk do ta pranoja një përkatësi të tillë fetare. Sot jam thellësisht i lumtur që jam shqiptar katolik. Krishti na mëson ta duam tokën e etërve tanë dhe ta mbrojmë atë. Kisha Katolike Shqiptare historikisht i ka mbrojtur dhe i mbron vlerat kombëtare shqiptare. Prandaj, përveç që ndjej lumturi shpirtërore sot për besimin tim, të cilin e kishin edhe të parët e mi, ndjej edhe një krenari të ligjshme. Këtë krenari e ndjejnë të gjithë ata që janë rikthyer në besimin e të parëve; këtë krenari dhe këtë lumturi e ndien edhe toka jonë, që bijtë e saj po kthehen te rrënjët e saj, të cilat janë të vaditura me gjak e me lot.
Krishti na mëson t’i duam njerëzit tanë si veten tonë; këtë gjë e thotë edhe kultura e tradita jonë e vjetër. Prandaj them, kultura dhe tradita jonë është e mishëruar me krishterimin. Kombi ynë dhe krishterimi janë si mishi dhe ashti; asnjëra pa tjetrën nuk bëjnë. Ashti e mban mishin dhe mishi e ruan ashtin. Ashti është identiteti ynë i gjakut që na mban në këmbë, dhe mishi është mbrojtësi i identitetit tonë që e ruan ashtin të mos thyhet.
Në Kishën Katolike unë e gjej gjakun tim, lirinë time, Atdheun tim, nënën time dhe të ardhmen e vendit tim. Gjej veten time të plotë. Gjej paqen. Gjej shqiptarinë time të vërtetë.
Dhe kështu do të vazhdoja të shkruaja me ditë të tëra për arsyet që më shtynë të kthehem te rrënjët e të parëve të mi katolikë, por këto mjaftojnë sa për fillim.
Sinqerisht,
Blerim Nika
28.01.2026



Respekto fénë tënde, por mos urrej fénë e tjetrit!