
Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan
____
Asnjë rend politik nuk mbetet i shëndetshëm nëse nuk përjeton tronditje të herëpashershme.
Qeverisjet, partitë, institucionet dhe madje rendi botëror priren të grumbullojnë “llum”: interesa të ngushta, klientelizëm, arrogancë pushteti dhe shkëputje nga qytetari. Ndryshimi politik, qoftë përmes zgjedhjeve, reformave apo presionit qytetar, vepron si një mekanizëm pastrues që rikthen ekuilibrin mes pushtetit dhe moralit publik.
Historia tregon se aty ku rotacioni politik bllokohet, lind kalbëzimi institucional; aty ku ndryshimi ndodh, hapet mundësia e ripërtëritjes. Fenomeni i “llumit” politik është gjitmonë dhe gjithkund prezent. “Llumi” nuk është thjesht metaforë. Ai përbëhet nga kapja e institucioneve nga grupe interesi, shndërrimi i shtetit në pronë private të elitave, zëvendësimi i meritës me besnikëri partiake dhe varfërimi i idealit publik.
Kjo ndodh në një ndërmarrje të vogël po aq sa në një shtet të madh. Kur vendimet merren për përfitim personal, sistemi humb funksionin e vet themelor që është shërbimi ndaj së mirës së përbashkët.
Kosova është laborator tipik i kësaj dukurie
Pas çlirimit u krijua një klasë politike që, me kalimin e viteve, filloi të sillet si pronare e shtetit. Partitë u shndërruan në mekanizma punësimi, institucionet në arena pazari, ndërsa qytetari mbeti spektator.
Zgjedhjet demokratike të pasluftës në Kosovë treguan se shoqëria kosovare vazhdimisht kërkon drejtësi të barabartë, administratë profesionale, politikë që nuk ndërtohet mbi veteranizëm të përjetshëm, por mbi përgjegjësi.
Tronditjet elektorale nuk janë rrezik për demokracinë – rrezik është mungesa e tyre.
Shembulli i Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga lëvizje gjithëpopullore në vitet e ’90 u transformua në parti politike mbart peshën historike të rezistencës paqësore. Lideri i saj historik Dr. Ibrahim Rugova me trinomin e tij: “LIRI – DEMOKRACI PAVARËSI”, me vizionin dhe urtësinë arrijti “të lidhi vegzat me fuqitë e vendosjes”, për t’u rreshtuar në krah të kërkesave tona të ligjshme për çlirim nga një regjim i egër shtypës i Millosheviqit.
Në saje të kësaj lavdie LDK arriti të fitojë tri palë zgjedhje të njëpasnjëshme pas çlirimit. Dhe pikërisht kjo lavdi me kohë u shndërrua në pengesë për zhvillimin e saj të mëtejmë. Kur një parti jeton vetëm me kujtimet e së shkuarës si veterane, ajo humb ndjeshmërinë ndaj së tashmes. Krizat e brendshme në LDK treguan se: autoriteti moral nuk trashëgohet, por fitohet çdo ditë; uniteti artificial prodhon ikje elektorale; brezat e rinj kërkojnë gjuhë tjetër politike.
Ndryshimi aty nuk është mohim i Rugovës, por respekt i vërtetë ndaj frymës së tij demokratike. Edhe demokracia amerikane, e konsideruar model, po përjeton polarizim të thellë. Zgjedhjet, përplasjet mes institucioneve dhe lëvizjet qytetare dëshmojnë se asnjë sistem nuk është imun ndaj deformimit. Forca e SHBA-së qëndron pikërisht te mundësia për t’u korrigjuar: ndërrimi i administratave, gjyqësori i pavarur, media kritike.
Sa herë që pushteti tenton të bëhet absolut, mekanizmat demokratikë e “shkundin pemën”.
Bashkimi Evropian – kriza si motor reforme
BE-ja është shembull se si krizat prodhojnë evolucion: kriza financiare, Brexit-i, lufta në Ukrainë. Çdo tronditje nxori në pah dobësi, por edhe nevojën për solidaritet më të madh. Edhe aty llumi shfaqet në formë burokracie të ftohtë dhe interesash kombëtare egoiste. Reformat e vazhdueshme janë mënyra e vetme që projekti evropian të mos kthehet në strukturë të vdekur.
Në nivel global, ndryshimet janë edhe më dramatike. Fuqitë e mëdha ndërtojnë aleanca jo mbi drejtësi, por mbi interes. Megjithatë, historia dëshmon se asnjë hegjemoni nuk është e përjetshme. Luftërat, krizat ekonomike dhe revoltat shoqërore janë “tërmete” që riformatojnë rendin botëror.
Pyetja është: a do të ndërtohet një rend më njerëzor apo thjesht një formë e re dominimi?
Së fundi, ndryshimi nuk është vetvetiu i mirë. Ai bëhet i dobishëm vetëm kur udhëhiqet nga parime, me transparencë, drejtësi, meritokraci dhe përgjegjësi kombëtare. Shoqëritë që frikësohen nga ndryshimi përfundojnë në moçal. Ato që e përqafojnë me mençuri, pastrohen dhe ringjallen.
Prandaj, detyra e çdo qytetari nuk është të adhurojë partitë, por të mbrojë parimet; jo të ruajë liderët, por dinjitetin publik.
Vetëm kështu shkundja politike kthehet nga stuhi shkatërruese në shi pjellor dhe shperlarje nga llumi politik.


