Prof. Musa Sabedini, Gjilan
Gjilan – Halim Hyseni është një nga figurat më të rëndësishme të arsimit shqiptar në Kosovë, i njohur për kontributin e tij shumëvjeçar si pedagog dhe si ish-drejtor i Entit Pedagogjik të Kosovës. Veprimtaria e tij lidhet ngushtë me periudhat më sfiduese të sistemit arsimor, veçanërisht gjatë viteve kur arsimi në gjuhën shqipe përballej me presione politike dhe institucionale.
I ka të kryera studimet e larta për Pedagogji, i përfundoi në Universitetin e Prishtinës. Ai kujton ende ditën kur, për të ndjekur provimin pranues, kishte ecur më këmbë nga fshati deri në qytet. Ishin kohë të vështira, por të mbushura me ëndrra dhe përkushtim. Me nostalgji flet për vitet e Shkollës Normale, edhe pse nën regjimin e Rankoviqit jeta për shqiptarët në Kosovë ishte e rëndë dhe plot pengesa.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, u kthye në Kapit për të dhënë mësim. Në atë kohë, procesi mësimor zhvillohej në gjuhën serbo-kroate, ndonëse nxënësit ishin shqiptarë. Një nga momentet që e kujton me krenari është fillimi i mësimit në gjuhën shqipe, pas largimit të Rankoviqit, një kthesë me rëndësi të veçantë për arsimin shqiptar.
Pas shërbimit ushtarak dhe dy viteve në Shkollën Normale, Hyseni u bë pedagogu i parë në shkollën “Nikolla Teslla” në Ferizaj. Karriera e tij vazhdoi në Entin Pedagogjik të Ferizajt dhe më pas në Entin Pedagogjik të Prishtinës, ku u transferua në vitin 1975. Në vitin 1987 u emërua drejtor i këtij institucioni, në një kohë kur presionet politike ndaj arsimit shqip po shtoheshin.
Ai kujton se me të marrë drejtimin e Entit, Serbia po shtynte përpara idenë e një sistemi dygjuhësor në shkolla. Kjo u refuzua kategorikisht nga shqiptarët, të cilët kërkonin që planet dhe programet mësimore të hartoheshin nga vetë ata, në përputhje me ligjet në fuqi. Një nga veprimet e para të Hysenit ishte rikthimi në punë i Rexhep Osmanit dhe respektimi i plotë i të drejtave të punëtorëve arsimorë.
Ndërsa komuniteti shqiptar mobilizohej për hartimin e planeve dhe programeve mësimore, situata politike përkeqësohej, duke çuar në mbylljen graduale të shkollave. Hyseni u bë një nga zërat kryesorë që kërkonte vazhdimin e mësimit me çdo kusht. “Ndalimi nuk ishte alternativë”, kujton ai.
Në këtë kontekst, ai luajti rol kyç në themelimin e Lidhjes së Arsimit Shqiptar (LASH), si një mekanizëm mbrojtës për mësimdhënësit dhe për vetë sistemin arsimor. LASH-i u shndërrua në një organizatë funksionale jo vetëm në Kosovë, por edhe kudo ku kishte mësimdhënës shqiptarë.
Arritja për të cilën Hyseni krenohet më së shumti është organizimi i mësimit në shtëpi-shkolla, që shpëtoi rreth 430 mijë nxënës dhe studentë nga humbja e vitit shkollor. Ideja e tij fillimisht u prit me mosbesim dhe ironi, madje edhe brenda qarqeve politike. “Kush është ky i marrë që mendon se mësimi mund të zhvillohet në shtëpi?”, ishte një nga reagimet që ai kujton me buzëqeshje.
Megjithatë, këmbëngulja e tij nuk u ndal. Në mbledhje të gjata dhe të tensionuara, Hyseni insistoi në hartimin e një plani konkret. Nga aty lindën “variantet” e organizimit të arsimit paralel, përfshirë Variantin C për shkollat e mesme dhe Universitetin e Prishtinës. Brenda dy muajve u hartuan plan-programet për vitin shkollor 1990-91.
Pavarësisht mungesës së financave, kushteve të rënda infrastrukturore dhe pagesave të parregullta, mësimdhënësit vazhduan punën me përkushtim të jashtëzakonshëm. Librat shpesh vendoseshin në dysheme ose mbi shilte, por standardet akademike u ruajtën falë vullnetit dhe sakrificës së tyre.
Halim Hyseni kontribuoi në organizimin e arsimit në shtëpi-shkolla deri në fund të viteve ’90. Pas luftës së vitit 1999, ai vazhdoi angazhimin në reformimin e arsimit në Kosovë. Për të, dekada e viteve ’90 mbetet periudha më e vështirë, por edhe më domethënëse e jetës së tij, një kohë kur arsimi shqip mbijetoi falë guximit, vizionit dhe qëndrueshmërisë së njerëzve si ai./Rajonipress/



