ARKIVI:
6 Mars 2026

Ibrahim Kelmendi rrëfen se si kishte shpifur në “Dosjen” për të Sigurimi famoz shqiptar

Shkrime relevante

Rugovishtja mes ruajtjes dhe asimilimit gjuhësor

MSc. Adem Lushaj, Deçan (Vështrim rreth librit, Ndryshimi i varietetit gjuhësor (Rasti...

Donna Dafi vjen me superhitin provokues për fuqizimin e grave “Touch Me Like That”

Shtutgart, 7 mars 2026 Skena ndërkombëtare e muzikës pop-dance po tronditet nga...

Kur ideologjia fetare bëhet filtër i arsyes

Basri Beka, Prishtinë Debati me mikun tonë X është një shembull klasik...

Kur pushteti gabon dhe opozita dështon: Kosova peng i ambicieve politike

Luan Dibrani, Gjermani Në politikën e Kosovës po përsëritet një gabim i...

Shpërndaj

“DOSJE” E SHPIFUR – NGA SIGURIMI FAMOZ
Javën e kaluar mora “dosjen” nga Autoriteti i Dosjeve në Tiranë. Në CD ishin 250 fletë të skanuara në variantin elektronik PDF. Fatkeqësisht nuk ishte e kompletuar, meqë mungonin raportimet që i kanë bërë diplomatët e angazhuar në ambasadat e Shqipërisë në Perëndim (Austri, Francë, Suedi, SHBA) dhe në Turqi. Ta zëmë, aty nuk e gjeta “informacionin” e formuluar dhe të dërguar nga Parisi nga diplomatët Kujtim Hysenaj (i cili më vonë u bë kryeshef i SHIK-ut) dhe Idajet Hoxha, më 17 korrik 1981. Ai “informacion” i ka 1544 fjalë, të daktilografuara në katër faqe, format standard A4, etj. Ndërkohë më sqaruan se ato raportime (kabllograme) ende ndodhen në arkivin e Ministrisë së Jashtme dhe nuk qenkan deklasifikuar për t’ia dorëzuar Autoritetit të Dosjeve.
[Një kopje të atij “informacioni” dhe të disa kabllogrameve m’i kanë dhënë ca miq.]
Duke shfletuar “dosjen”, më tronditi sidomos “informacioni” i punëtorit operativ Frederik Ymeri, i cili mban datën 22 janar 1991, ndërsa në “dosje” fleta ka numrin 200. Më tronditi, sepse me Frederikun jam njohur në fund të vitit 1990, kur ai po shfaqte interesim për ndeja me mua. Qysh në takimin e parë ma kishte treguar se ishte kuadër i Sigurimit, që “përkujdeset” për të huajt të cilët vizitojnë Shqipërinë. Shumë kohë e kalonte në hotel “Dajti”, më pak në “Tirana”. Kemi bërë debate edhe grindavece, deri sa jemi lodhur. Tani u zhgënjeva, pse shoku Frederik ka shkruar “informacion”, duke u bazuar në spiunimin e Fatmir Çelës, i cili na ka pritur në Portin e Durrësit më 26 dhjetor 1990.
Po sjell një fragment nga “informacioni” i Frederikut, për të ofruar mundësinë për t’u informuar se edhe me çfarë broçkullash janë marrë kuadrot e Sigurimit famoz:
“Unë, punëtori operativ Frederik Ymeri, në takimin që pata me shoqëruesin Fatmir Çela, midis të tjerash më tha: – Më datë 26 dhjetor ka ardhur nga Norvegjia një grup turistik, në përbërjen e të cilit ishin edhe Ibrahim Kelmendi së bashku me vëllain e tij, emri i të cilit nuk më kujtohet. Me sa mbaj mend, me të kam zhvilluar debate shumë të ashpra, pasi nuk ishte njeri i mirë. Konkretisht shprehej se: ‘… gjendja ekonomike tek ju është shumë e keqe, paskemi folur e na është ngjirur zëri nëpër mitingje. Akoma me Partinë e Punës që keni ju nuk ecet, zhvillimet demokratike besoj se do ta ndryshojnë në të gjithë planet tek ju. Alergjinë më të madhe e kam për punonjësit e Sigurimit, si dhe për politikën që po ndiqni. Çfarë po bëni ju për Kosovën, kur po e ndihmon gjithë Europa?’
Në raste të shkëputura Ibrahimi nxirrte para të thata nga xhepat dhe ua jepte kalamajve rrugës. Nisur nga raste të tilla ai ironizonte ‘zhvillimin e madh që ka në Shqipëri’.
Në përgjithësi Ibrahimi ishte figurë negative. Në Durrës erdhi dhe e takoi një burrë i vjetër, që, siç më tha, ishte xhaxhai i tij. ‘Ja, ma tregoi, shiko çfarë fukarallëku keni, ky s’ka me se të vishet, deri këtu e keni katandisur popullin.’
Në një rast tjetër kam takuar një mikun tim, emri i të cilit nuk më kujtohet, por kur më pa që po e shoqëroja grupin dhe Ibrahimin, më tha: ‘… Ibrahimi para disa ditësh ka qenë tek Haxhi Lleshi. Aty kishte folur shumë keq kundër Shqipërisë. Haxhiu e kishte përzënë dhe nuk e kishte pranuar më në shtëpi. Me sa më tha, i kishte incizuar edhe bisedat që Ibrahimi kishte bërë.’”
Më korrekte dhe më konstruktive do të kishte qenë që Frederiku t’i rrëfente ato që ia kam thënë atij, e jo Fatmirit, sepse me Frederikun i kemi debatuar këto tematika pothuajse përditë. Akoma më korrekte do ishin “informacionet” e mia, meqë disa herë ia kam shprehur gatishmërinë që t’i shkruaja kritikat e mia për gjendjen që gjeta në Shqipëri, siç i pata shkruar ca gjëra për gazetën berlineze TAZ, të emetuara edhe nga VOA (“Zëri i Amerikës”), në gjuhën shqipe, në janar 1991, sepse ishin më “diskredituese” ndaj meje se ky spiunim i Fatmirit. Me Fatmir Çelën fare nuk kemi debatuar në port, meqë ai u prezantua si mësues i anglishtes, i angazhuar nga Albturizmi për ta shoqëruar “grupin turistik”, që e përbënim 6 veta. Fatmiri vetëm se ka dëgjuar debatin e ashpër që pata me oficerin madhor Luan Pobrati, i cili u prezantua në funksionin që ushtronte në Sigurim dhe tha se kishte dalë për të vendosur nëse do të më lejonte të hyja në Shqipëri, meqë Ambasada shqiptare në Stokholm “gabimisht” më kishte dhënë vizë për ta vizituar Shqipërinë. Diçka nga ai debat e ka perifrazuar Fatmiri.
Në fund të “informacionit” Frederiku ka shkruar:
“Sqarim:
Ibrahimi ka ardhur si turist dhe ka qëndruar pa adresë në Shqipëri; thuhet se ka lidhje miqësore, aktualisht banon në Tiranë.
Masa operative:
Informacioni t’u jepet për vlerësim e masa të mëtejme drejtuesve.”
Pra, Frederiku, i cili aktronte mrekullisht dashurinë dhe respektin për “vëllain kosovar”, fshehurazi paskësh shkruar kësi “informacionesh” kuturu. Fatkeqësisht.
Sqarim:
Në port nuk na ka pritur xhaxhai, por kushëriri i nënave tona, meqë “grupin turistik nga Norvegjia” e kishte organizuar tezaku Qerim (Ukë Luni) Dreshaj, atëherë me banim në Oslo, i cili kishte firmë turistike dhe ma pati bërë dhuratë vizitën e parë në Shqipëri, meqë e kisha djalë tezeje. Emrin “xhaxhai” e kishte Xhemë Veseli / Iberdemaj, i arratisur pas Luftës nga Rugova e Pejës në Shqipëri, sepse kishte qenë hitleruc SS në divizionin “Skënderbeu”…
Në vesh e pyeta Qerimin: “Mos po shtihohet Daja Xhemë, që t’i japim dhurata?”
Qerimi m’u përgjigj: “Po u durore pa kjajt, kur ta vizitojmë në kasollë në Mamurras, do ta bëj një dhuratë ma të mirë.”
Në atë moment m’u kujtua Daja Mustafë – ndjesë pastë, sepse vdiq para pak ditësh – të cilin e pata ndihmuar në vitin 1971 të dërgonte një pako të madhe në postë në Erlangen (Gjermani). Ai atëherë punonte në fabrikën e tekstilit “Erba”, bashkë me shumë kushërinj e miq. Pakon e kishte mbushur me basma për familjen e Xhemës. Më pati thënë: “Nip, mos e ba t’madhe, por Bacin Xhemë e kemi fukara të këputur në Shqipëri…”
Vizita te Haxhi Lleshi (ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë) ndodhi sepse një farefis i tij, nga Dibra e Madhe, me banim në Kassel (Gjermani), ma dha një pako të vogël, dhuratë për Haxhi Lleshin. Haxhiu nuk më ka dëbuar nga shtëpia, edhe pse u grindëm, sepse më shkoi në nerva me një magnetofon që rrapllonte si një traktor, duke e ndërprerë e hapur, për ta incizuar bisedën që patëm bërë.
Për përjetimet në Shqipëri, nga 26 dhjetori 1990 deri në gusht 1992, kam rrëfyer dhe reflektuar në librin tim “Zjarr dhe acar”. Po pati ndokush interesim, mund t’i rrëfej më “telegrafikisht” edhe në FB.
Si ilustrim keni fotografinë e “informacionit” nga “punëtori operativ” Frederik Ymeri, fleta nr. 200, e datës 21 janar 1991.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu