HOMAZH PËR PROFESOR LATIF BERISHËN
Profesor Latif Berishën e kam pasur pedagog dhe pastaj edhe koleg. Ishte njeri dhe pedagog i shkëlqyeshëm. I kam ndjekur rregullisht ligjëratat tek ai në vitin e dytë të studimeve dhe kam hyrë në provim. I kam dy dhjetëshe në indeks nga lënda e tij: Histori e letërsisë shqipe -Romantizmi. Nuk e them për mburrje, por si fakt, në një kohë kur notat ishin shumë më të shtrenjta se ç’janë sot.
Kur u zgjodha asistent, në vitin 1972, profesor Latifi ka qenë anëtar i komisionit. Dy të tjerët ishin Enver Gjerqeku dhe Rexhep Qosja.
Latif Berisha i takonte brezit të intelektualëve shqiptarë që kishin kryer studimet në Beograd. Në vitin 1965 fillon punën në Fakultet. Ishte studiues i letërsisë dhe poet, autor i përmbledhjes me poezi “Tufa” (1957), njërës njërës nga veprat e para të këtij lloji në Kosovë.
E kam përjetuar rëndë vdekjen e tij më 24 mars 1999.
Me atë rast në ditarin tim shkrova: “Lajmi për vrasjen e profesor Latif Berishës në shtëpinë e tij në Mitrovicë jehoi rëndë edhe në atmosferën e tmerrshme të këtyre ditëve në Kosovë. Gjithçka e kam pritur këto ditë, por jo edhe vdekjen e profesor Latifit, i cili ishte një njeri me virtyte të rralla njerëzore. E kam pasur profesor kur isha student dhe pastaj koleg plot njëzet vjet. Kurrë prej gojës së tij nuk kam dëgjuar fjalë të keqe për njeri. Vetëm fjalë të mira dilnin prej gojës së tij dhe vetëm shikime dashamirëse rrezatonin sytë e tij tashmë të mbyllur përgjithmonë. Pas marrjes së këtij lajmi tragjik, i mbyllur në banesën time në Prishtinë, në ditarin tim shënoj, ndër të tjera, edhe këtë fjali: ‘Njerëzit që vrasin njerëz si Latif Berisha nuk janë njerëz po bisha!’. Nuk kam fuqi të shkruaj më shumë për të. Së paku jo hëpërhë”. Prishtinë, 25 mars 1999.
Profesor Latif Berishën e kam nderuar edhe për së gjalli. Në vitin 1980 kam mbajtur, bashkë me studentët, në Fakultet, një tribunë letrare kushtuar profesor Latifit si poet. Fjalën e mbajtur me atë rast e pata botuar te gazeta e studentëve “Bota e re”. E kam këtu fotokopjen e këtij shkrimi: “Lirika e një kohe“ (Mbi Tufën e Latif Berishës), 15 mars 1980. Në hyrje Redaksia ka vënë këtë shënim:
“Në kuadër të Grupit letrar «Jeronim De Rada» të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, i cili me organizimin e orëve të shumta letrare dhe kohëve të fundit Tribunës letrare është duke treguar një gjallëri të plotë në jetën tonë kulturo-letrare studenteske, para do kohe u organizua edhe një mbrëmje, apo si e quajnë ndryshe TRIBUNË LETRARE, kushtuar poetit tonë të mirënjohur Latif Berishës, kontributi i të cilit mbeti i madh jo vetëm në lëmin e poezisë.

Në atë mbrëmje të këndshme në sallën e mbushur plot e përplot dashamirë të fjalës së shkruar artistike, e ku ishte i pranishëm edhe vetë poeti, me të cilin u zhvilluan edhe disa dialogje përkitazi me veprimtarinë e tij poetike, poezitë i lexuan anëtarët e Grupit recitativ «Aleksandër Mojsiu», ndërsa fjalën e rastit e mbajti ligjëruesi i Fakultetit Filozofik të Prishtinës, Mr. Agim Vinca, të cilën për hir të lexuesve tanë po e botojmë në tërësi”.
Të them se tribunën e parë ia patëm kushtuar Esad Mekulit (ishte i pranishëm vetë poeti, “baca Esad”), të dytën Latif Berishës. Pas kësaj të dytës një koleg i Degës, kritik letrar, më tha: “E ke ulur nivelin!”. Nuk u pajtova me të, natyrisht dhe këtë mospajtim e shpreha me gojë dhe me shkrim. Po lexoj një paragraf nga shkrimi “Lirika e një kohe”, paragrafin e parë.
“Latif Berisha është njëri nga krijuesit e gjeneratës së parë të shkrimtarëve shqiptarë të pasluftës në Jugosllavi. Poezia e tij, modeste, si përkah sasia, ashtu edhe përkah cilësia, mbeti për një kohë të gjatë në kujtesën e lexuesit të kësaj ane. Duke qenë para së gjithash një lirikë e ngrohtë dhe e sinqertë, e shkruar në frymën dhe formën e poezisë sonë tradicionale, ajo vazhdon t’i ketë ithtarët e saj edhe në kohën tonë. Historiani i nesërm i kësaj letërsie do të shënojë pa tjetër se «Tufa» e L. Berishës është njëra nga përmbledhjet e para të poezisë origjinale në Kosovë. Ndaj veprave të tilla pioniere, sado modeste që të jenë, duhet pasur respekt. Ato duhet shikuar në kontekstin e kohës kur janë shkruar, të momentit kur kanë lindur”.
Vijmë te një moment tjetër, më i vonë, i kohës së okupimit: promovimi i panoramës së krijuesve të Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skënderajt, “Degë me sytha”, që u bë në një shtëpi private në Mitrovicë më 24. 6. 1994. Profesor Latifi ishte, natyrisht, i pranishëm në atë promovim dhe ishte i përfshirë si krijues në atë botim. Ishte koha e mbijetesës. Në Mitrovicë vepronte një qerthull veprimtarësh dhe intelektualësh në krye me Profesor Latif Berishën. Pjesë e këtij qerthulli ishin edhe poeti i njohur Jakup Ceraja, profesori Fazli Hajrizi e shumë të tjerë. Edhe botimi i librit “Degë me sytha” ishte një formë e rezistencës. Në promovimin e këtij libri unë mbajta një fjalë (“Një degë e trungut letrar gjithëkombëtar”), të cilën në librin “(Po)etika e fjalës”, të botuar pas luftës (2010), ia kushtova profesor Latifit. (“Profesor Latif Berishës, me respekt e evari”). (Më lejoni të them se me atë rast pata zbuluar një poet të ri, që më vonë do të bëhet njëri nga krijuesit më të mirë të poezisë shqipe në Kosovë. Sigurisht jeni kureshtar për emrin e tij: Sabit Idrizi, poezinë e të cilit qysh atëherë e pata cilësuar si poezi “me thellësi ndjenje dhe dendësi shprehjeje”).
E pata përjetuar rëndë vdekjen e Profesor Latifit, si thashë më lart, duke cituar edhe shënimin në ditar. Por kjo që do të them në vazhdim është diçka e pazakonshme dhe pak e njohur për publikun.
Në vitin akademik 1998/1999 qeshë angazhuar në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Shkup. Shefi i Degës, prof. Avzi Mustafa, insistonte që unë të ligjëroja në degën të cilën e drejtonte ai. “Po du’ me ia ngrit rejtingun Katedrës”, më thoshte. Pas disa mëdyshjesh e hezitimesh pranova. Udhëtoja nga Prishtina në Shkup një herë në javë, me dy kolegë orientalistë, që mbanin mësim në Fakultetin e Shkencave Islame.
Ditët e para të bombardimeve i kalova në Prishtinë, në banesën time. Kur m’u ngushtua hapësira, kalova, me shumë vështirësi, në Maqedoni. U bëra refugjat në vendlindje!
Dhe erdhi dita që të shkoja në Shkup, për të mbajtur mësim, sipas orarit. Vesha kostumin e tim nipi (sepse kisha dalë me teshat e trupit), i hipa autobusit dhe shkova në Shkup. Arrita në fakultet dhe hyra në sallë. Salla ishte plot me studentë, mbi 30, shumica vajza. U thashë studentëve: “Unë nuk kam ardhur për të mbajtur mësim! Nuk mundem dhe nuk dua… Është vrarë, në shtëpinë e tij në Mitrovicë, Profesori im, i cili ma ka ligjëruar mua lëndën të cilën unë jua ligjëroj juve, Latif Berisha”.
Ishte 2 prill 1999. Në sallë qetësi absolute. “Ju ftoj ta nderojmë me një minutë heshtje Profesorin tim dhe gjithë të tjerët, që po vriten e masakrohen këto ditë në Kosovë”.
Studentët hopën në këmbë me lot në sy. Askush nuk lëvizte as qerpikun. Pas një minute të plotë unë shqiptova fjalën: “Lavdi”, kurse ata e përsëritën njëzërit! Ishte një moment i papërsëritshëm! Dhe, e tërë kjo zhvillohej në Universitetin
“Shën Kirili dhe Metodi” të Shkupit, që ishte çerdhe e albanofobisë, në një nga sallat e Fakultetit Filologjik “Dr. Bllazhe Koneski”, ku ishin mbajtur sa e sa tubime kundër nacionalizmit shqiptar, përfshirë edhe një tubim kundër shkrimeve të mia në “Danas”.
Maqedonasit protestonin para ambasadës amerikane kundër bombardimeve të NATO-s, kurse unë mbaja zi për profesor Latif Berishën dhe viktimat e tjera të terrorit serb në Kosovë aty ku ishte e ndaluar të flisje shqip! Në vitin tjetër akademik nuk u përsërit më angazhimi im.
Këtë rrëfim e kam bërë publik në gazetën “Koha” të Shkupit më 19 korrik 2014 dhe e kam përfshirë në librin tim “Jetë e vdekje përqafuar”, botuar në Prishtinë (2023).
Të gjitha këto për të cilat fola mungojnë, fatkeqësisht, në librin që po përurohet sot, i cili ka aq shumë material, tekste, faksimile, fotografi, programe konferencash, kopertina librash, postime në rrjetet sociale etj., madje edhe gjëra që nuk lidhen fare me Latif Berishën. Ia kam thënë gojarisht autorit, tani po i them publikisht. Gjithmonë kam konsideruar se është më e ndershme të flasësh hapur dhe sinqerisht, sesa pas shpine dhe tinëzisht. Kjo është kredo imja si njeri dhe krijues.
Unë po të isha autor do të bëja autokritikë dhe do të kërkoja falje publikisht.
Kërkoj ndjesë për këtë paraqitje timen pak të pazakonshme në këso rastesh, të nderuar miq dhe ju falënderoj për mirëkuptim.
(Fjalë e mbajtur në promovimin e librit të Prof. dr. Isak Shemës, LATIF BERISHA. JETA DHE VEPRA, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, më 10 shkurt 2026).



