Debati me mikun tonë X është një shembull klasik i një problemi që po shfaqet gjithnjë e më shpesh në hapësirën publike shqiptare: kur argumenti përballet me ideologjinë dhe ideologjia refuzon ta dëgjojë argumentin.
X e fillon diskutimin me një tezë alarmiste: sipas tij po vjen një “rritje e gjuhës përçmuese” nga komuniteti katolik ndaj shqiptarëve myslimanë, e nxitur gjoja nga “grupe fashiste”. Kjo është një narrativë e njohur në diskursin islamik politik: viktimizim paraprak dhe paralajmërim për konflikt, para se konflikti real të ekzistojë.
Por problemi nuk është parashikimi i tij. Problemi është mënyra se si ai e ndërton logjikën.
Në vend që të merret me argumentet historike dhe identitare që u paraqitën në debat, X përpiqet ta zhvendosë diskutimin në një fushë tjetër: në një konflikt imagjinar mes fesë dhe kombit, duke e paraqitur çdo kritikë ndaj islamizimit ideologjik si sulm ndaj myslimanëve si njerëz.
Kjo është një teknikë klasike e ideologjive fetare: çdo kritikë ndaj ideologjisë shpallet sulm ndaj besimtarëve.
Në debat ai arrin deri aty sa të bëjë një krahasim absurd: ta barazojë një argument për identitetin historik shqiptar me diskursin e Milorad Dodikut.
Ky është një manipulim i hapur nga miku im X. Dodik e mohon identitetin kombëtar të boshnjakëve për ta delegjitimuar ekzistencën e tyre politike. Ndërsa argumenti im është krejt i kundërt: mbrojtja e identitetit shqiptar nga çdo ideologji që përpiqet ta zëvendësojë atë me identitet fetar.
Pra nuk kemi të bëjmë me të njëjtën logjikë. Përkundrazi, kemi dy projekte diametralisht të kundërta.
Ajo që X nuk arrin ose nuk dëshiron ta kuptojë është një fakt elementar historik: identiteti shqiptar nuk është ndërtuar mbi një fe të vetme.
Shqiptarët ekzistojnë si popull shumë përpara periudhës osmane. Në atë kohë kjo hapësirë ishte pjesë e botës europiane të krishterë dhe pikërisht në atë kontekst u formuan elementet bazë të kulturës shqiptare: gjuha, struktura fisnore, kodi zakonor dhe organizimi shoqëror.
Kjo nuk është propagandë. Është histori.
Prandaj dua t’ju sjell argumentin dhe qëndrimin tim që mbajta në debatin me mikun tim X në Messenger, me qëllim që të nxis një debat më të gjerë dhe më të emancipuar.
Shoku im X, tani po flasim në një nivel tjetër.
Po ta them qartë: ky nuk është debat fetar. Ky është debat shkencor, historik, civilizues dhe identitar. Nëse ti e lexon si debat fetar, atëherë ose nuk e kupton, ose bën sikur nuk e kupton.
Ajo që po ndodh sot nuk është fushatë konvertimi, nuk është mision katolik dhe nuk është sulm ndaj myslimanëve si qytetarë të Kosovës. Është një reagim i vonuar, por i pashmangshëm, ndaj një procesi të gjatë tjetërsimi kulturor, deformimi historik dhe instrumentalizimi ideologjik të fesë.
Krishterimi nuk është fe kombëtare shqiptare. As Islami nuk është. Asnjë fe nuk është.
Por vetëm një injorant ose një ideolog i verbuar mund ta mohojë faktin se krishterimi është substrati historik dhe civilizues mbi të cilin u formua shqiptaria përpara pushtimit osman. Ky është fakt historik, jo narrativë politike.
Shqiptarët ekzistojnë si popull i dokumentuar shumë përpara osmanëve. Në atë kohë kjo hapësirë ishte pjesë e botës europiane të krishterë: katolike në veri dhe ortodokse në jug. Brenda kësaj matrice u formuan gjuha, ligji zakonor, familja, fisi dhe kodi i nderit.
Pra, shqiptaria nuk u krijua në xhami, as në medrese dhe as në administratën osmane. Ajo u krijua shumë më herët.
Islamizimi osman ishte instrument pushteti, jo projekt emancipimi. Ishte një proces administrativ, represiv, fiskal dhe politik. Ai ndryshoi besimin e një pjese të popullsisë, por nuk e rindërtoi shoqërinë shqiptare nga themelet.
Kanuni mbeti. Fisi mbeti. Familja mbeti. Nderi mbeti.
Kjo tregon qartë se civilizimi bazë shqiptar nuk është produkt i islamit.
Tradita kulturore e krishterimit – sidomos ajo perëndimore – prodhoi një koncept që islamizmi politik nuk e ka: individin si person juridik me përgjegjësi personale, jo si pjesë e një kolektivi fetar që i bindet autoritetit shpirtëror.
Nga kjo traditë buron ndarja mes fesë dhe pushtetit, ligji civil, shteti laik dhe autoriteti i kufizuar. Këto nuk janë çështje rituali, por arkitekturë shoqërore.
Krishterimi nuk e ndërtoi identitetin mbi fenë, por la hapësirë që identiteti shqiptar të formohej mbi gjuhën, traditën dhe kulturën. Pikërisht për këtë arsye shqiptarët mbijetuan si komb, ndryshe nga popuj të tjerë që u shkrinë në identitete fetare.
Kur sot flitet për “rikthim”, nuk flitet për pagëzim masiv. Flitet për rikthim të vetëdijes historike dhe për rivendosje të busullës kulturore. Kush e paraqet këtë si sulm ndaj myslimanëve, manipulon me vetëdije.
Dhe ta them troç.
Ky zgjim nuk do të ndodhte kurrë po të mos kishte pasur agresion të vazhdueshëm ndaj kujtesës historike shqiptare. Nuk do të ndodhte po të mos fyheshin simbolet kombëtare, po të mos relativizohej figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Kanuni dhe vetë ideja e rezistencës shqiptare.
Kjo vetëdije nuk do të ishte zgjuar po të mos ishte atakuar hapur identiteti ynë shqiptar europian, po të mos ishte tentuar tjetërsimi kulturor dhe rishkrimi i historisë, si dhe po të mos ishin bërë gjithë këto investime religjioze përmes meremetimit dhe ndërtimit të xhamive që nga paslufta në mbarë Dardaninë (tash edhe qendrave kulturore islamike!), nga ana e Turqisë neoosmane etj.
Dorën në zemër, për këtë zgjim të popullit që të mos rrëshqasë drejt tjetërsimit kulturor e etnik, një “meritë” ironike e ka edhe menaxhmenti aktual i Bashkësisë Islame të Kosovës, me figura si Naim Tërnava, Shefqet Krasniqi, Fatmir Latifaj dhe të tjerë.
Prandaj, shoku X, nëse sot ndihesh i lënduar nga ky zgjim, fajtorin mos e kërko as tek unë, as tek Organizata Shqiptaria, as tek Lëvizja për Rikthim dhe as tek Deçani. Kërkoje tek udhëheqësit tuaj shpirtërorë që kanë fyer simbolet kombëtare dhe figurat e rezistencës e të mbijetesës sonë si komb – Skënderbeun, Kanunin dhe vetë identitetin shqiptar.
Ky zgjim nuk është sulm.
Është një kundërpërgjigje kulturore dhe emancipuese që ka ardhur shumë vonë – sidomos pas faktit që një pjesë e të rinjve tanë përfunduan në luftën e Sirisë dhe pasojave që kjo krijoi për shoqërinë shqiptare.



