
Prof. Dr. Sabri Tahiri
Në shoqëritë demokratike politika konsiderohet një formë e lartë e shërbimit publik. Ajo kërkon përgjegjësi, integritet dhe përvojë profesionale, sepse vendimet politike ndikojnë drejtpërdrejt në jetën ekonomike, sociale dhe kulturore të një vendi.
Megjithatë, përvoja e më shumë se dy dekadave në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare në përgjithësi ka zbuluar një fenomen problematik: hyrjen në politikë të individëve që nuk kanë pasur më parë një profesion të qëndrueshëm dhe që nuk kanë ndërtuar një karrierë reale jashtë saj.
Ky fenomen krijon një deformim të natyrës së politikës. Kur politika bëhet profesioni i parë dhe i vetëm i një individi, rreziku është që pushteti të mos shihet si përgjegjësi ndaj qytetarëve, por si burim ekzistence dhe përfitimi personal. Në këtë mënyrë politika humb karakterin e saj të shërbimit publik dhe shndërrohet në një mekanizëm të mbijetesës ekonomike për individë të caktuar.
Praktika politike në Kosovë ka ofruar shembuj të shumtë të këtij realiteti. Individë që nuk kanë ndërtuar një identitet profesional jashtë politikës, sapo arrijnë një post publik – qoftë si deputet, ministër apo funksionar tjetër – priren ta shohin atë si një mundësi që duhet ruajtur me çdo kusht. Pagat e larta, privilegjet institucionale dhe mundësitë për ndikim e përfitime anësore krijojnë një motivim të fortë për të qëndruar sa më gjatë pranë pushtetit. Si pasojë, krijohet një kulturë politike ku rotacioni demokratik zëvendësohet nga qarkullimi i të njëjtëve individë në poste të ndryshme.
Edhe kur humbasin një funksion, ata përpiqen të kalojnë në një tjetër, duke lëvizur brenda strukturave të pushtetit dhe duke mbetur gjithmonë pranë burimeve shtetërore. Në thelb, një post politik duhet të kuptohet si mandat i përkohshëm shërbimi ndaj shtetit. Ai që zgjidhet deputet ose merr një detyrë të rëndësishme shtetërore duhet ta shohë atë si një përgjegjësi të kufizuar në kohë.
Gjatë mandatit ai duhet t’i lërë anash interesat dhe obligimet e tjera dhe të përkushtohet plotësisht për të bërë më të mirën për vendin dhe për qytetarët. Pas përfundimit të mandatit është normale dhe e shëndetshme që individi t’i kthehet profesionit të vet, jetës familjare dhe veprimtarisë së tij në shoqëri. Vetëm nëse ai të ketë treguar rezultate të jashtëzakonshme dhe qytetarët e vlerësojnë punën e tij, mund të vazhdojë edhe për një mandat tjetër.
Të mbetesh përherë në politikë nuk është domosdoshmërisht shërbim ndaj shtetit. Politika është një fushë që të konsumon dhe, me kalimin e kohës, shumë politikanë humbasin energjinë, vizionin dhe aftësinë për të qenë të dobishëm për shoqërinë. Vetëm në raste të rralla ndodh që individë me aftësi të jashtëzakonshme udhëheqëse të mbeten produktivë për periudha të gjata në jetën politike.
Pasojat e një politike të dominuar nga njerëz pa përvojë të thellë profesionale janë të dukshme. Vendimmarrja shpesh bëhet sipërfaqësore dhe e orientuar nga interesat afatshkurtra.
Politikat publike nuk ndërtohen mbi ekspertizë dhe vizion afatgjatë, por mbi kalkulime të ngushta politike dhe interesa personale. Kjo gjendje ka kontribuar edhe në një fenomen tjetër shqetësues: largimin e të rinjve dhe profesionistëve nga vendi. Kur ekspertët dhe njerëzit e arsimuar nuk shohin mundësi reale për të kontribuar në zhvillimin e vendit të tyre, ata zgjedhin të kërkojnë mundësi jashtë tij.
Në këtë mënyrë shoqëria humb potencialin e saj më të rëndësishëm zhvillimor – kapitalin njerëzor. Megjithatë, përgjegjësia për këtë situatë nuk qëndron vetëm te politikanët.
Në një sistem demokratik qytetarët janë ata që përcaktojnë përbërjen e klasës politike përmes votës së tyre.
Për këtë arsye, vetëdija qytetare dhe kërkesa për standarde më të larta për përfaqësuesit politikë janë elemente thelbësore për përmirësimin e jetës politike. Politika duhet të jetë vazhdim i një karriere të ndershme dhe të dobishme për shoqërinë, jo zëvendësim i mungesës së saj.
Vetëm atëherë ajo mund të rikthejë funksionin e saj të vërtetë: drejtimin e përgjegjshëm të shtetit dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
Gjilan, 9. Mars 2026


