ARKIVI:
15 Mars 2026

Iftari i hipokrizisë politike, apo kur sofra e pushtetit shtrohet për të ngopurit, ndërsa të varfërit mbetën duke shikuar

Shkrime relevante

Gjunjëzim i ri ndaj islamit: Fëmijët nuk duhet të vizatojnë Jezusin, kjo mund të ofendojë myslimanët

Shkollat britanike në Veri të Anglisë në komunat e drejtuara nga...

“Thirrjet publike” të Mulla Mustafë Bajramit nga “minarja” e Facebook-ut!

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë  “Fshisat e Mullahut dhe ‘Urtësia’ e...

Asimilimi dhe orgazma e trefishuar

Lirim Gashi, Prizren ASIMILIMI I TREFISHTË PRODHON ORGAZMË TË TREFISHUAR Sipas disa historianëve...

Shpërndaj

Lirim Gashi, Prizren
____
Eh, more Albin – zhgënjyesi dhe shokuesi i miqve të tu më besnikë:
T’ia shtrosh iftarin Naim Tërnavës është njësoj sikur ta ushqesh me bukë një ujk që, ditë pas dite, shqyen dhjetëra dele.
Edhe më saktë: është njësoj sikur ta thërrasësh në iftari një derr të majmur nga të mirat e grabitura materiale e financiare, ëndrrat e të cilit janë asimiluese dhe grabitqare.
Pse nuk i fton në iftar të varfrit, ata që nuk po arrijnë t’i përballojnë faturat e paimagjinueshme të ushqimit dhe të energjisë elektrike, por pikërisht këtë pismilet, djali i të cilit lundron me jaht privat nëpër çdo det, dhe vajza e të cilit e shetit gjithë botën me Lamborghini Cabriolet?
T’i shtrosh iftar një njeriu që për shumëkënd mishëron pasuri të dyshimtë, arrogancë publike dhe afërsi me qarqe që këtij vendi nuk i kanë sjellë asgjë të mirë, tingëllon si një teatër moral me skenografi fetare dhe regji politike.
Jo si gjest solidariteti, por si një pamje e ftohtë e shkëputjes së pushtetit nga dhembja e sofrës së varfër.
Sepse iftari, në thelbin e vet, nuk është darkë për njerëz të ngopur me privilegje.
Iftari është kujtesë për të uriturin.
Është nderim për atë që e mbyll muajin me borxhe.
Është ngushëllim për nënën që numëron centët para rafteve me vaj, miell dhe qumësht.
Është shpresë për pensionistin që faturën e rrymës e sheh si letër kërcënimi.
Është dorë e zgjatur për atë që, në vend të një frigoriferi plot, ka një zemër të vrarë nga brengat.
Dhe pikërisht këtu lind zemërimi qytetar:
Pse shtrohet sofra e pushtetit për ata që kanë me bollëk privilegje financiare, materiale dhe shoqërore, ndërsa ata që e njohin urinë jo si metaforë, por si realitet, mbeten vetëm spektatorë të një morali ceremonial?
Ky nuk është më problem protokolli.
Ky është problem i dështimit moral në hierarkinë e dhembjes.
Sepse kur i jep nderim publik të pasurit të diskutueshëm, ndërsa të varfrit i ushqen me një mashtrim statistikor ngushëllues, ti, dashur pa dashur, dërgon një mesazh të hidhur: se pushteti e respekton më shumë ndikimin sesa nevojën, më shumë emrin sesa hallin dhe më shumë fotografinë sesa padrejtësinë.
Në planin moral, kjo krijon një çarje midis simbolit dhe përmbajtjes.
Në planin politik, kjo i jep opozitës municion falas dhe e lëndon besimin e elektoratit që ka pritur drejtësi shoqërore, e jo koreografi elitare.
Në planin shoqëror, kjo e thellon ndjenjën e përjashtimit te shtresat që mezi mbijetojnë.
Në planin ekonomik, kjo duket si tallje me qytetarin që përballet me çmime të rritura, me pagë të mjerë dhe me një shportë ushqimore që zbrazet më shpejt sesa mbushet.
Në planin psikologjik, kjo ushqen ndjesinë se politika, sapo ulet në kolltuk, fillon të darkojë me djajtë që dje i kritikonte.
Dhe këtu ironia bëhet edhe më therëse: askush nuk ka nevojë për iftar shtetëror kur tavolina i përkulet nga bollëku; nevojë ka ai që në mbrëmje e fik dritën më herët, jo për ibadet, por për kursim.
Nevojë ka ajo familje që mishin e ndan sipas kalendarit, e jo sipas oreksit.
Nevojë ka studenti që javën e mat me çmimin e një byreku.
Nevojë ka punëtori që djersin tetë orë dhe prapë kthehet në shtëpi me frikën se muaji është më i gjatë se paga.
Një pushtet që i harron këto pamje, rrezikon të bëhet administrator i imazhit të vet, e jo shërbëtor i popullit.
Prandaj zemërimi nuk është thjesht ndaj një ftese.
Është ndaj një simboli të gabuar. Ndaj një rendi vlerash ku sofrën nuk e meriton ai që ka nevojë, por ai që ka peshë.
Dhe sa herë që ndodh kjo, populli e lexon saktë: jo si akt mikpritjeje, por si një tradhti të vogël morale me pasoja të mëdha politike.
Nëse vërtet doje t’i jepje iftarit kuptim etik, do të duhej ta shtroje atë në një lagje të varfër, pranë pensionistëve, invalidëve, nënave vetushqyese, jetimëve, punëtorëve me paga qesharake dhe studentëve pa bursë dinjitoze.
Aty do të ishte feja në dinjitetin e saj.
Aty do të ishte shteti në ndërgjegjen e tij.
Aty do të ishte politika në shërbim të njeriut.
Përndryshe, kur sofrat e shenjta shndërrohen në skena për afrime të dyshimta politike, qytetari nuk sheh më bamirësi — sheh hipokrizi me pecetë të bardhë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu