Pamje nga lufta në Iran…

Ali Mehmeti, Gjenevë
Cilido shqiptarë që ia do të keqen ShBA-ve duhet të jetë i verbuar nga feja ose nga “drejtësia”. E keqja eventuale e ShBA-ve në mënyrë automatike reflektohet në uljen e sigurisë në Kosovë. Unë nuk jam fetar, kurse para drejtësisë, më shumë më intereson siguria e shtetit tonë, Republikës së Kosovës. Aq më parë kur në drejtësi botërore nuk kemi asnjë ndikim.
Fenomeni Tramp është diçka e re në politikën botërore. Pyetja që nuk do ketë përgjigje edhe për s’paku një dekadë të ardhshme është: a është zgjedhja e Trampit aksident, si pasojë e një të metë të demokracisë, e cila mundëson që në krye të një shteti më të fuqishëm në botë i të gjitha kohërave me mbi 300 milion banorë, të vijë një person sikur Trampi, apo është një orientim i ri dhe strategjik i popullit amerikan të mbledhur rreth lëvizjes MAGA (Make America Great Againta – ta bëjmë Amerikën prapë të madhe)?
Çka solli kjo lëvizje gjer me tani, me Donald J Trump në krye, për Shtetet e Bashkuar të Amerikës?
Lufta aktuale mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër Iranit ka krijuar një nga krizat më të rënda gjeopolitike, pas asaj të Kubës në vitin 1962, kur bota u afrua shumë pranë një lufte bërthamore midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Fillimisht, sulmi mbi Iranin u arsyetua me argumentin e ndalimit të programit bërthamor iranian, me ndryshimin e pushtetit teokratik (pushteti i Zotit) dhe me sigurimin e stabilitetit në Lindjen e Mesme, për të vazhduar pastaj, për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, që para fillimit të luftës ishte e hapur!
Gjer me tani, nuk ka prova se cilido nga këto objektiva është realizuar.
Infrastruktura kryesore bërthamore e Iranit është e shpërndara dhe e fortifikuara ndër malet e larta, gjë që e bën shumë të vështirë eliminimin e tyre përmes operacioneve ushtarake. Konfiskimi ose shkatërrimi i rezervave të uraniumit të pasuruar që është vlerësuar në rreth 440 kg, nuk është shkatërruar as konfiskuar.
Dobësimi i regjimit iranian deri në pikën e ndryshimit të tij nuk ka ndodhur. Përkundrazi, lufta mund të ketë forcuar kohezionin e brendshëm në Iran më shumë sesa që e ka dobësuar.
Një tjetër pasojë e rëndësishme është tensionimi i marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe aleatëve të saj, jo vetëm evropianë. Shumë vende evropiane ishin kundër kësaj ndërhyrjeje ushtarake, kryesisht për shkak të kostove ekonomike dhe rrezikut të destabilizimit të tregjeve globale të energjisë, arsye pse nuk i ofruan asnjë përkrahje ushtarake, madje shumë nga ato i ndaluan edhe fluturimet ushtarake mbi territorin e vet. Kjo çarje strategjike dhe humbje besimi, rrezikon të dobësojë unitetin transatlantik. Nëse politika amerikane vazhdon të ndjekë këtë linjë “Amerika e para”, nuk është larg koha kur shtetet evropiane të përafrohen me Rusinë, në kërkim të alternativave të reja. Rusia, pavarësisht tensioneve politike, mbetet një nga furnizuesit më të mëdhenj potencial të energjisë dhe burimeve natyrore për kontinentin evropian. A do ishte ky zhvillim në interes të ShBA-ve?!
Mosbesimi ka arrit atë nivel që edhe shtetet anglofone të grupit “Echelon”, SHBA, Britania e Madhe, Kanada, Australia dhe Zelanda e Re kanë refuzuar pjesëmarrjen e tyre në ndërmarrjen e Trampit. Echelon është emër për një sistem global të përgjimit, të ndërtuar në fillim të “luftës së ftohtë” dhe ka shërbyer për përgjimin e komunikimeve brenda bllokut komunist. Pas shembjes së komunizmit në Bashkimin Sovjetik, ky sistem përdoret për përgjimin e komunikimeve ndërmjet terroristëve dhe trafikantëve të dyshuar. Nga ana tjetër, kritikët e këtij sistemi thonë se ai shërben për përgjime ilegale nga sfera ekonomike dhe private. Si i
tillë ky sistem edhe më herret ka shkaktuar probleme, jo të vogla, ndërmjet Evropës dhe SHBA-ve, sidomos pas akuzave për përgjimin e ish kancelares gjermane Angela Merkel.
Një nga pasojat më të dukshme të luftës është kriza e energjisë të cilën po e ndjenë çdo banor i këtij planeti të quajtur Tokë, prej mbi 8 miliardë njerëz. Lindja e Mesme është njëri nga rajonet më të rëndësishme për furnizimin global me naftë dhe gaz. Çdo destabilizim në këtë rajon ndikon menjëherë në tregjet ndërkombëtare. Lufta ka shkaktuar çrregullime në transportin e energjisë dhe ka rritur pasigurinë në tregje, duke çuar në rritje të çmimeve të naftës, gazit dhe jo vetëm, sepse energjia rit koston edhe në të gjitha fushat tjera. Aq më parë kur kihet parasysh se në shtetet e Gjirit Persik prodhohen edhe sasitë e konsoderueshme të plehrave kimike të bazuara në amoniak dhe fosfate, prodhime këto që dikur prodhoheshin edhe në Kosovë, “Fafos” në Mitrovicë dhe “Azotiku” në Kastriot. Nëse kriza vazhdon botës i kanoset recesioni, por edhe nëse përfundon shpejt, bota nuk do jetë kur ma si më parë.
Një tjetër dimension i rëndësishëm është perceptimi i dobësimit të besueshmërisë amerikane. Aleatët e SHBA-së në rajon, sidomos me shtetet e Gjirit Persik, dhe jo vetëm, mbështeten te garancitë e sigurisë amerikane për mbrojtjen e tyre. Megjithatë, nëse konflikti zgjatet dhe SHBA nuk arrin rezultate të synuara, kjo mund të krijojë dyshime mbi aftësinë e saj për të garantuar stabilitetin e rajonit. Kjo mund të shtyjë disa prej këtyre vendeve të diversifikojnë marrëdhëniet e tyre strategjike, duke u afruar edhe me fuqitë e tjera globale.
Nxitësi i kësaj lufte, tanimë nuk është vetëm percepcion, por edhe është bërë e qartë, është Izraeli. Është e qartë, sepse u pa që edhe gjatë bisedimeve që po zhviloheshin mes ShBA-ve dhe Iranit në Islamabad, dhe gjatë armëpushimit të deklaruar dyjavor, ata përpiqeshin ta prishin duke sulmuar një lagje të Bejrutit ku me një goditje u vranë rreth 200 civil dhe qindra tjerë u plagosen. Për Izraelin, programi bërthamor iranian shihet si një kërcënim ekzistencial për sigurinë kombëtare. SHBA, si aleati kryesor strategjik i Izraelit, shpesh është ballafaquar me kërkesat e Izraelit për sulm ndaj Iranit, por presidentët paraardhës të Trampit i kanë rezistuar këtyre kërkesave. Siguria afatgjatë e Izraelit bëhet me krijimin e shtetit palestinez, me rregullimi e raporteve me fqinjët e tyre dhe jo me konfrontim të përhershëm.
Paradoksalisht, nga kjo luftë po përfiton Rusia. Çrregullimet në tregjet globale të energjisë kanë rritur kërkesën dhe çmimet për naftë dhe gaz, gjë që i sjell përfitime të konsiderueshme ekonomike Rusisë, pasi Trampi ia hoqi ndalimin e eksportit, sepse sulmoi Ukrainën. Kjo situatë i lejon Rusisë të rrisë eksportet e saj, të përfitojë nga çmimet e larta të energjisë dhe të vazhdoj luftën me Ukrainën, që në masë të madhe dëmton Evropën.
As vet Trampi nuk po del humbës. Sipas revistës Forbs, pas rikthimit të Trampit në pushtet, pasuria e tij është rritur për rreth 3 miliardë dollarë.
Ndarjet politike brenda vet ShBA-ve, të pasqyruara në protesta të përjavshme me qindra mijëra pjesëmarrës, nëpër dhjetëra qytete amerikane me parullën “Nuk duam Mbret” nuk duhet neglizhuar. Kostoja financiare, rreziku i përshkallëzimit dhe pasojat ekonomike, mund të rrisin presionin mbi administratën aktuale. Kjo mund të ndikojë edhe në zgjedhjet dhe në orientimin e politikës së jashtme amerikane, respektivisht të ndikoj pozitivisht në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike në luftën që po zhvillohet.
Përveç kritikave politike dhe ekonomike, lufta ka nxitur edhe reagime të forta në nivel moral dhe fetar. Sidomos pas deklaratës kërcënuese, skandaloze të Tramp se “një qytetërim i tërë mund të zhduket” nëse Irani nuk dorëzohet, dhe përmendjeve të shpeshtë publike nga disa zyrtarë amerikanë dhe Trampi vet, që deklaronin se herë Zoti, herë Krishti, janë në anën e tyre
në këtë konflikt. Këtyre deklaratave nuk mundi të mos ju përgjigjet edhe vet Papa Leoni XIV. Ai ka theksuar se “Jezusi është mbreti i paqes, i cili e refuzon luftën dhe askush nuk mund ta përdorë atë për të justifikuar luftën”. Krishterimi nuk mund të përdoret si justifikim për dhunë dhe se Zoti “nuk dëgjon lutjet e atyre që bëjnë luftë dhe kanë duart e mbushura me gjak”.
Për fund çka mund të thuhet, duke pasur parasysh se askush nuk e di si do përfundoj kjo lëvizje tektonike politike? Sido që të përfundoj, pasojat ekonomike, politike dhe strategjike do janë të dukshme dhe bota kur ma nuk do jetë siç ka qenë!
Për shqiptarët, andej e këndej, është mirë të mos sillen sipas asaj fjalës së urtë
BOTA PO DIGJET, “SHQIPTARËT (“KURVA”) PO KRIHEN!”


