Dhimbja dhe zhgënjimi
Lamtumirë, malesor që frymëzove breza dhe mbajte të ndezur flakadanin e lirisë. Akademik, djalë Shqipnije, syzet e tua karakteristike të dallonin në mesin e njerëzimit. Dallohej fjala jote, pesha e saj, e sidomos pesha e heshtjes, ajo heshtje që nuk thuhet me fjalë, por me ofshamë.
Breza janë rritur me emrin tënd. Djem e vajza kanë qëndruar pa u thyer përballë burgjeve politike të armikut, duke e mbajtur emrin tënd në mendje, jo vetëm në gojën e heshtur, por si një bindje të brendshme dhe si një qëndresë të pashprehur.
Edhe unë jam rritur me ty, me bisedën e pambaruar dhe me porosinë e madhe. Si dëshmitar i kohës tënde historike, në një periudhë kur Shqipërisë dhe Kosovës vdekja u vinte nga të fshehtat e treguara, nga të vërtetat e vonuara, nga ideologjia e shpërbërjes, nga pushteti i korruptuar dhe sidomos nga zemra e plagosur prej vuajtjeve të një populli të ndaluar, siç ishim ne.
Shumë vite do të kalojnë dhe vendin tënd nuk do ta zëvendësojë askush. Hija e syzeve tua, me të cilën dikur shkruhej liria, sot është kthyer në lot.
Dhe as lotin e fundit për ty nuk na lejove ta derdhim, të çmalleshim me ty. Na i thave zemrat kur, në fund të jetës, fillove të arsyetosh një ideologji që deshi dhe vazhdon të kërkojë asimilimin tonë.
Akademik, në të vërtetë, vdekja jote nisi më herët, në çastin kur ia ktheve fjalën Mihal Gramenos, Pjetër Bogdanit, Gjergj Fishtës, Idriz Seferit, Teki Dervishit, Ibrahim Rugovësdhe the se “Turkun e kemi vëlla dhe Islamin fe”.
Gjergj Kastrioti do të ishte hidhëruar nga amshimi për këtë fjalë. U hidhëruam edhe ne. U mërzitëm. Dhe sot nuk dimë më si të mërzitemi, sepse na u mor figura e akademikut që e njihnim dhe u shndërrua në një simbol që na dhemb.
Më 24 prill 2026



