ARKIVI:
28 Prill 2026

Çdo ditë i shihje islamistët se si po shtoheshin në fillim të viteve ’90-ta në Mitrovicë , derisa ne të tjerëve na përndjeknin policët serbë 24 orë, na ndalonin, na maltretonin dhe na rrahnin në mes të rrugës

Shkrime relevante

Nuk është fare më çështje besimi , është çështje e demonstrimit të islamit politik në hapësirën publike

Basri Beka, Prishtinë Nuk është më çështje besimi. Është demonstrim force ideologjike...

Në prag të rrethit vicioz – Koha për përgjegjësi historike para se shteti të rrëshqasë drejt kolapsit institucional

Prof. Sabri Tahiri, Gjilan Kriza e vazhdueshme politike në Kuvendin e Republikës...

LDK plotësoi kushtin – LVV ta mbajë fjalën!

Idriz Zeqiraj, Gjermani _____      Fitorja, pothuaj se, plebishitare, për të tretën...

Mos na kërkoni ta quajmë këtë festë…, nuk është festë kur pushtimi vishet si spektakël

Genc Kastrati, Prishtinë A mund të ketë absurditet më të madh se...

Shpërndaj

Afrim Musliu, analist i Drinit
____

AfrimMusliu ka lindur në vitin 1973 në Mitrovicë. Pothuaj që nga fillimi është analist i portalit Drini, analizat e të cilit lexohen , mbahen në mend dhe kujtohen për përmbajtjen dhe porosinë e tyre. Afrimi është socionom – që është një program univerzitar suedez i kombinuar mes sociologjisë, psikologjisë dhe juridikut dhe është po ashtu nëpunës shumëvjeçarë si zyrtarë i institucioneve shtetërore suedeze. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë.

(Intervista me analistin e shquar Afrim Musliu është bërë në kuadrin e shumë intervistave për librin “Shqiptarët në luftë me Islamin Global”).

____

Një kohë të gjatë jeni analist i Drinit dhe shkruani vazhdimisht për islamizimin e shoqërisë së Kosovës dhe asaj shqiptare përgjithësisht. Cila ishte arsyeja e këtij preokupimi?

Afrim Musliu: Ka sigurisht 14-15 vite që shumë herë kam bërë statuse në profilin tim të Facebook-ut ku i kam shprehur vërejtjet e mia kundër tjetërsimit të shqiptarëve që ndodhte në trojet tona dhe jo vetëm. Disa shkrime disa miq i merrnin dhe i publikonin nëpër portale e platforma të ndryshne ku kishin kontakte apo që i menaxhonin vet. Para Facebook-ut i dërgoja shkrimet në disa portale e revista të internetit.

Që shkrimet e mia të publikohen në “Drini” u bë duke të falënderuar Ty, që ma dhe mundësinë që mendimet e mia t’i ndajë me një audiencë më të gjërë.

Nuk mund të them se e kam preokupim këtë çështje, por më shumë e shoh si një brengë se si popull jemi ka kthehemi mbrapa dhe me vetëdije apo pa, jemi ka e braktisim gjirin europian ku me shumë mund mezi hymë viteve të ´90-ta. Kjo edhe është arsyeja kryesore pse jam marrë me këtë çështje serioze e kombtarisht të dëmshme që i është imponuar me të madhe shoqërisë sonë.

Përpara lufte jetonit në Kosovë, përkatësisht në Mitrovicë dhe sigurisht e keni vërejtur një dallim të madh të Kosovës nën robërinë serbe dhe Kosovës së lirë që prej vitit 1999 nisi të islamizohej atëhere kur do të duhej të forcohej identiteti shqiptar gradualisht pas ardhjes se lirisë shqiptare të munguar me shekuj. Pse ndodhi kjo?

Afrim Musliu: Në Mitrovicë kam jetu deri ka fundi i vitit 1991. Isha dëshmitar i ndryshimeve drastike në qytetin tim, i cili, nga një qytet industrial e me papunësinë më të ulët në Europë mbi 10-15 vite rresht, me masat e dhunshme të regjimit të Millosheviqit që filluan në vitin 1990, përnjëherë Mitrovica u shndërrua në një qytet ku me të madhe filloi të mbizotëronte varfëri e madhe. Dhjetra mijëra punëtorë të kombinatit “Trepça”, si dhe dhjetra fabrika tjera në Mitrovicë që ishin nënkontraktorë të gjigantit “Trepça” u mbyllën përnjëherë. Nuk mbeti e paprekur as ekonomia e tërë qytetit. Puna ra edhe tek ne që kishim firma tregtare. Disa nga ne që importonim mallëra nga jashtë, mbijetonim duke zhvilluar tregëti me qytetet tjera të Kosovës, si dhe me Novi Pazarin, që ishte nja 75 kilometra nga Mitrovica.

Këtë gjendje e shfrytëzuan disa rryma islamike që më herët s’ishin të pranishme tek ne, të cilat filluan të shfaqen në Mitrovicë. Kur ishte kriza e madhe viteve të 90-ta, kur pothuajse të gjithë shqiptarët u dëbuan nga puna nga regjimi apartheid i Millosheviçit, rrymat ekstreme wehabiste e salafiste, të cilat u mbinë nga askund e përnjëherë tek shqiptarët në Kosovë, ia jepnin nga 200 dollarë secilit që anëtarësohej.

Kishte familje të tëra që për shkaqe të mbijetesës ekonomike anëtarësoheshin, ku femrat duhej të mbulohen, e meshkujt t’i lëshonin mjekrrat dhe t’i shkurtojnë pantollat “në tre-fërtal”, për me pasë të drejtë me i marrë ato para nga ato rryma të islamit radikal e të instaluara nga kush e di se kush.

Pra, paguheshin me dollarë amerikanë, jo me marka gjermane, e cila edhe ishte valuta më e zakonshme që përdorej në ato territore.

E tëra filloi në lagjen “Gori Mahalla”, sepse në fillim të asajë lagjeje jetonte njëri nga protagonistët kryesorë të një rryme të paparë më herët tek ne të islamit radikal. Fillimisht, në ato rryma i anëtarësuan të rinjtë që ishin fqinjët e parë të personit në fjalë. Përnjëherë, ata të rinjë u shndërruan në diçka që nuk ishin më herët. Filluan të lëshojnë mjekrra e t’i shkurtojnë pantollat “në tre-fërtal”. Filluan të mos dalin nëpër kafeteri ku mblidheshim zakonisht, sepse aty shitej dhe pihej alkooli. Filluan të përshëndesin me “selam alejkum”. Madje, ata që kishin emra shqip apo internacional, u ripagëzonin në emra arabë. E tërë kjo ndodhi shumë shpejt.

Çdo ditë i shihje se si po bëheshin më shumë e më shumë. Derisa neve na përndjeknin policia serbe 24 orë, na ndalonin, na maltretonin dhe na rrahnin në mes të rrugës saherë që na shihnin që ishin tre apo më shumë të tubuar, ata ashtu me mjekrra e veshje karakteristike të tyre lëviznin dhe vepronin lirshëm nëpër qytet në grupe nga 15-20 persona pa i ndalu e pa i ngucë kurrë askush. Njërit nga protagonistët kryesorë në atyre rrymave të islamit radikal, në një rast, policia serbe i hyjnë në shtëpi në vitin 1998 dhe i’a marrin mbi 800 mijë dollarë amerikanë para të gatshme.

Dikush sigurisht me të drejtë mund të pyes, “përse dollarë amerikanë?”. Përgjigja është mëse e qartë, se vendet arabe dhe afrikane, valutën kryesore që e përdorin ishte/është pikërisht dollari amerikan. Poashtu, simbas disa publikimeve nga ish-zyrtarë të shumtë amerikanë, se invazioni në Irak në vitin 2003, ishte pikërisht për shkak se në Irak shtypeshin në mënyrë të pakontrolluar me miliarda dollarë amerikanë, gjë që ishte jashtë kontrollit të FED-it amerikan e që e dëmtonin bindshëm ekonominë dhe balancin ekonomik të ShBA-ve. Poashtu dihet se Iraku dhe Irani ishin vendet e vetme të cilat e thyenin embargon ndaj Serbisë dhe Malit të zi (FRJ) viteve të ´90-ta duke e furnizuar Serbinë me derivate të naftës. Poashtu, vlenë të theksohet, se, kur udhëheqësia politike e sistemit paralel të shqiptarëve, bënë thirrje në rezistencë paqësore, disa persona nga ato rryma ekstreme, e shfrytëzuan atë moment që të shpërndanin tek të rinjtë e qytetit tespihë që t’i mbajnë në duar si pjesë e “rezistencës paqësore”.

Gjë që, kur shkova për konsultime tek Prof. Latif Berisha, shpirti dritë i bëftë, se çka janë ato rruaza, ai mbeti i habitur të cilat mi mori nga dora e i hodhi dhe më tha që t’iu them të gjithëve që i njoh që t’i hedhin ato, sepse ku me ditë se kush e me ç’farë qëllimi është ka i shpërndanë ato rruaza. “Ne po bëjmë rezistencë për liri e pavarësi, e jo revolucion islamik”, më tha ndër tjerash Prof. Latif Berisha, atëherë kryetar i LDK-së për Mitrovicë, e i vrarë nga forcat serbe më 24 mars 1999 ndër personat e parë që u vranë në Mitrovicë kur filluan bombardimet e NATO-s për ta çliruar Kosovën nga robëria shekullore.

Pas çlirimit, në Mitrovicë ishte atmosferë goxha në regull në aspektin fetar deri diku në vitin 2011-2012. Atëherë, çuditërisht, filloi të islamizohet me hapa të shpejtë. Mendoj se kishin ndikim të madh organizatat arabe të stacionuara në Vushtrri, si dhe marokienët që ishin të stacionuar në Mitrovicë.

Sigurisht e keni vërejtur se politikanët e Kosovës, menëherë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, shtyheshin me njëri tjetrin se kush po bënë më shumë “për Islamin”, duke u futur këshu në një grackë të huaj agjenturore, që s’ka mundur ta paramendonte askush…?!

Afrim Musliu: Mendoj se e keqja e madhe në këtë aspekt ndodhi pas vitit 2011 kur në pushtet hynë AKR-ja e Behgjet Pacollit dhe PD-ja e Ferid Aganit, dy subjekte politike që ishin shumë të afërta me Erdoganin dhe Turqinë. Kjo e dyta ishte edhe subjekt politik me program të qartë islamist. Atëherë filloi me të madhe edhe ndërtimi i panevojshëm i xhamive, gjersa kryemyftiut të BIK-ut i´u dha shumë ndikim në jetën politiko-shoqërore në Kosovë. I gjithë xhamizimi masiv i Kosovës bëhej me pretekstin se në qendër të Prishtinës po ndëretohej Katedrala katolike, apo siç thonin eksponentët e BIK-ut, ”tërë ajo katedrale për tre për qind katolikë”. Gjërat filluan të ndodhin shumë shpejt drejtë islamizimit të shoqërisë kosovare. BIK-u me vite të tëra ka tentu që ta krijojë një komunitet mysliman. Dhe, mendoj se ja ka arritë atij qëllimi shumë të dëmshëm në aspektin kombëtar. Kjo, mendoj, se ishte edhe arsyeja pse subjektet politike filluan të flirtojnë me atë ”komunitet” për një grusht vota.

Flirtimi i qarqeve politike shqiptare me islamin politik duhet të ndalojë dhe të respektohet në plotni Neni 8 i Kushtetutës së Kosovës! Sepse, në fakt, shqiptarët janë populli më sekularë në ruzullin tokësorë, e që, edhe ashtu, kurrëfarë lavërdie nuk kanë politikanët e Kosovës që të flirtojnë me islamin politik, ngase numerikisht nuk janë as sa një fshat i vogël.

Akademiku nacionalist serb, historiani Vaso Çubrilloviq ka bërë elaborate për zhdukjen e shqiptarëve, duke i paraparë edhe metodat e kësaj zhdukje, ngatërresën ndërshqiptare “për shkak të islamit” si dhe krijimin e një mosdurimi ndaj vetvetës dhe botës, si pjesëtar të një kombi që për interesat e Serbisë, duhej t’i jipej “identitet religjioz”, pra ai ka paraparë që t’e islamizoheshim sa më shumë dhe që të shkatërrohemi me Islam. Ku kanë ardhur parashikimet e tij ogurzeza?

 Afrim Musliu: Një gjë duhet ta kemi të qartë, se Akademia serbe e Shkencave (SANU) ekziston më shumë se 100 vite. Sikurse në kohën e mbretërisë SHS të Jugosllavisë së kohës së Çubrilloviqit, politika serbe është dirigju në plotni nga SANU dhe Kisha Pravosllave Serbe. E njejta ka ndodhë edhe gjatë Jugosllavisë komuniste, ndonëse jo aq shlirshëm sikurse në kohën e mbretërisë, mirëpo gjithësesi se në mënyra të ndryshme i realizonin politikat e paracaktuara nacionaliste e ekspansioniste serbe. Ndër ato vlenë të theksohet se Marrëveshja Ataturk-Pashiq (Turqi-Sërbi) nga viti 1937, për depotimin e shqiptarëve për në Turqi, e njejta marrëveshje vazhdoi edhe në Jugosllavinë komuniste deri në vitin 1966, siç tek ne njihet si ”koha e Rankoviqit”.

Serbët dhe Serbia çdoherë janë munduar të na paraqesin si ”myslimanë” e si ”fundamentalistë islamik” në Evropë, e si të tillë edhe si rrezik i madh për zgjërimin e islamit në Evropë, ndaj të cilës Evropa çdoherë kishte dhe ende ka averzion dhe frikë. Të njejtën po e bëjnë pandërprerë edhe tani. Historikisht na islamizonin detyrimisht dhe propagandonin njëherit për “islamizimin tonë”. Prandaj i kanë aktivizuar të gjitha mekanizmat e tyre përbrenda popullit shqiptarë që të na tjetërsojnë në diçka që nuk jemi. Pra, në ”popull” mysliman. Sidomos tek ne në Kosovë, ngase, me pavarësimin e Kosovës edhe u ndaluan ëndërrat dhe përpjekjet e përhershme serbe për dalje në Detin Adriatik. Serbër shpresojnë se me islamizimin e shqiptarëve të Kosovës, Europa do ta zhbëjë shtetin e Kosovës dhe Serbisë do t´ia mundësojë që prapë ta aneksojë atë territor, siç i´a ka mundësuar në vitin 1918 dhe në vitin 1945. Të njejtën politikë Serbia e zhvillon edhe sot.

Rastësisht pata ra në një shkrim të gazetës “Politika” të Serbisë nga 26 gushti 2014, në rubrikën “Bindja e gabuar për sekularizmin e shqiptarëve”.

Ky shkrim ishte një shkëputje nga një elaborim shkencor të bërë në revistën univerzitare serbe “Politikologija religije” të nisur në vitin 2002 nga profesori dhe studjuesi i Fakultetit të Shkencave Politike pranë Univerzitetit të Beogradit, Miroljub Jevtić, e cila kryesisht merret me islamizmin e shqiptarëve të cilët i paraqet si “rreziku më i madh i Europës”.

Duhet poashtu të theksohet se në vitin 2009, ky institut e ka lansuar në disa gjuhë të botës një elaborim shkencorë me këtë temë prej 316 faqeve me të njejtin titull sikurse edhe revista. Por, edhe në vitin 2008 në gjuhën angleze, “Religion and Power-Esseys on Politology of Religion. ed. Prizren: Dioceze of Ras-Prizren and Kosovo-Metohija”, ku në mënyrë shkencore e “argumenton” se Kosova “xhihadiste” është “djepi i Serbisë”.

Në këtë shkrim, simbas kryeredaktorit të kësaj reviste, arrestimi i 40 shqiptarëve të Kosovës (2014), të cilin ai e quan ‘Kosmet’, me akuzat se janë të lidhur me shtetin islamik (ISIS) në Irak dhe Siri, simbas tij, qenka tregues i qartë se në Kosovë në masë të madhe ekziston prania e islamit radikal.

Ai poashtu thotë se janë mashtruar nga Vuk Karaxhiqi, i cili ka thënë se “ne nuk dimë të veprojmë si shqiptarët, t’i harrojmë ndasitë fetare dhe të na bashkojë gjuha si një komb”, sepse, simbas tij, poqese nuk do të binin pre e mashtrimeve se shqiptarët janë sekularë, atëherë nuk do t’iu lejonin zhvillimin dhe përfshirjen e shqiptarëve në jetën politike e shoqërore të Jugosllavisë, e me atë edhe ta humbin Kosovën”. Që mes rreshtave na lenë të kuptojmë, se moti na kishin zhdukë nga faqja e dheut, nëse do të kishin mundësi ta bindnim Europën se shqiptarët janë baza e islamizmit në Evropë.

Është tejet qesharake që të etiketohen shqiptarët si popull josekularë nga një popull tjetër të cilëve tërë politikën shtetërore mbi një shekull u’a dirigjon Kisha Ortodokse Serbe, ndërsa kryepopi i tyre, Nikolaj Velimirović, njihet si ideologu kryesorë i nacionalizmit savist serb.

Pra, pikërisht këtu qëndron qëllimi i politikës largpamëse serbe!

Që, sikurse edhe në kohën e Njegoshit para dyqind viteve, e të vazhduar nga Garashanini, Pashiçi e Çubrilloviçi para më shumë se një qind viteve, kur neve shqiptarëve para Evropës na portretizonin si “mbetje osmane”, apo siç Njegoshi na quante “poturaci”, e duke na paraqitur si “popull ku mbretëron islami radikal me rrezik të madh për Europën krishtere”, me qëllim që Europa – prapë – të i mbyllë sytë e ta shohin edhe të arsyeshme e të pranueshme që serbët për qëllimet e tyre ekspansioniste e shoveniste me pretendime të pashuara e të përhershne territoriale të tokave shqiptare dhe daljen e tyre në Detin Adriatik, të na vrasin, të na dëbojnë nga trojet tona dhe të na i marrin e përvetsojnë tokat tona ku ne shqiptarët ishim prej kur dielli e ka nxehë atë tokë.

E njejta politikë vazhdon edhe sot, të cilës ne shqiptarët, fatkeqësisht, po i paraprijmë vetë me xhamizimin masiv, të panevojshëm e qëllimkeq të Kosovës, si agjendë e politikës largpamëse serbe, si dhe me pamje tendencioze ku edhe fëmijët e vegjël dalin dhe thuan “jemi krenarë që jemi myslimanë” dhe (keq)përdoren si pjesë e propagandës së islamit politik të BIK-ut dhe të xhamive duke u fotografuar në xhami si reklamë ramazanit dhe agjerimit.

Në atë shkrim të Jevtiqit thuhet diçka shumë interesante, që patjetër na shtyn të mendojmë , ta vëmë gishtin në kokë dhe ta analizojmë thellë.

Thotë: “Kemi pasë trysni nga ambasada amerikane që ta luftojmë dhe ta shuajmë xhihadin islamik në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë e Metohi. Ne të mashtruar nga sekularizmi i shqiptarëve, jemi përqëndruar vetëm në BeH, mirëpo jo edhe në KeM. Mirëpo, në BeH nuk u arrestuan 40 islamikë radikalë sikurse në KeM. I pari ballkanas shofer vetëvrasës që vrau dhjetra ushtarë irakianë ishte shqiptar nga KeM. Asnjë nga Bosnja nuk i’u ka pre kokat pengjeve sikurse shqiptari nga KeM Lavdrim Muhaxheri. Kështu që, duhet ditur se baza e islamit radikal në Ballkan është pikërisht në KeM tek shqiptarët”.

Ja, pra, se me çka – prapë – e frikësojnë Europën dhe botën perëndimore në përgjithësi, e cila faktikisht edhe na çliroi nga robëria shekullore dhe na bëri shtet të pavarur dhe sovran. Akademiku britanez, T. J. Winnifrith, në librin e tij, “Shattered Eagles, Balkan Fragments” (1995), shkruan: “Apparently the slavics decided to live with their myths and lies for the constant amusement of the rest of the world”. [ Shq. “Me sa duket sllavët vendosën të jetojnë me mitet dhe gënjeshtrat e tyre për argëtimin e vazhdueshëm të pjesës tjetër të botës”].

Prandaj, afro 20 vite e theksuam se xhamizimi masiv , i panevojshëm e qëllimkeq i Kosovës duhet të ndalet, sepse është pjesë e agjendës politike largpamëse serbe.

Fatkeqësia më e madhe është, se demantimi dhe luftimi i propagandave dhe miteve serbe bëhet në nivelin e vegjëlsisë sime dhe shumë bashkëmendimtarëve të mi, e jo nga niveli më i lartë akademik e univerzitar i Kosovës, të cilët shumica janë në amnezi totale, ndërsa një pjesë e tyre edhe dalin e i konfirmojnë propagandat tendencioze e të pavërteta serbe e të ndihmuar edhe me veprime të papërgjegjshme të krerëve shtetërorë dhe qarqeve tjera politike të Kosovës.

Një fjalë e jona e vjetër thotë “Uji flenë, ndërsa armiku nuk flenë”, e që krahas vetëdijes së plotë të domethënjes së kësaj fjale, ne prapë bijmë në gjumë të thellë islamik, me vetëdije apo pa, duke lejuar vetëshkatërrimin e të gjitha të arriturave të deritanishme si komb me shkurtpamësinë tonë duke e lejuar riosmanizimin sistematik të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, e duke e xhamizuar e islamizuar Kosovën dhe shqiptarët, pikërisht simbas planeve dhe agjendave të politikës largpamëse ekspansioniste serbomadhe.

A e vëreni Afrim se islamizimi i shoqërisë po bëhet gjithnjë e më i theksuar dhe islami, tashmë global, ka dalur nga “shtrati i vet i dikurshëm” dhe është shndërruar në një paradë islamike, që duhet të duket dhe të shihet publikisht?

Afrim Musliu: Z. Bajram, islami politik ka marrë hov të madh në tërë botën. Madje edhe nëpër vendet shumë të fuqishme perëndimore¨. E shfrytëzojnë mikpritjen e vendeve perëndimore si dhe sistemet e tyre demokratike e të lirive të njeriut për ta përhapë islamin sa më shumë dhe sa më shumë të marrin edhe ndikim në politikat e atyre vendeve. Po e sheh se sot kryetar i Parisit është një algjerian mysliman. Po e sheh se kryetar i Londrës është një pakistanez mysliman. Po e sheh se kryetar i New York-ut është një mysliman. Dhe, që të tretë i takojnë spektrit të majtë politik. Janë socialistë. Kjo na bënë të kuptojmë se këtu ka gisht edhe globalizmi i shpifur i Soroshit, i cili që nga viti 2000 i ka investuar mbi 20 miliardë euro në partitë e majta politiken në mbarë Evropën.

Ne si popull i vogël e i pafuqishëm e me aq shumë armiq përreth, e kemi të pamundur të mbrohemi nga ky virus ideologjiko-fetar. Pastaj, edhe rrjetet sociale mendoj se kanë pasë ndikimin e tyre negativ në këtë aspekt. Jam mëse i bindur se po të lexonin shqiptarët literaturë të mirëfilltë aq sa lexojnë statuse të kota të Facebook-ut, do të ishim të parët në botë për gjithëçka. Ndërsa, demagogjitë dhe filozofitë kuranore apo biblike, assesi nuk kishin mujtë me zënë vend tek ne, njejtë siç nuk munden me zënë vend e me ndiku tek popujt dhe vendet e zhvilluara perëndimore.

Këto pamje që i shohim ne sot tek shqiptarët kurrëfarë lidhjeje nuk kanë me islamin  si fe që e praktikonin shqiptarët hiç më larg se para 30 viteve. Kjo që po e shohim sot është një islam politik ku individi del dhe shkarravitet nëpër tokë midis sheshit apo rrugës dhe bëhet kinse po falet e po kryen rituale fetare. Pra, nëpër ambiente publike ku shumë njerëz kanë shkelur me këpucë me të cilat ndoshta posa kanë dalë nga toaleti, ku shumë njerëz kanë pështy, ku shumë qenë, maca e kafshë tjera kanë urinu, ata mu në ato hapsira shtrihen e falen. Ndërsa, simbas regullave myslimanet e riteve të tyre fetare, vetëm me i´a prekë dikujtë dorën e prishë “abdestin”, e lere më me e prekë tokën në ndonjë shesh apo rrugë. Kjo na tregon qartë se ata nuk po e bëjnë këtë për shkak se janë fetarë të devotshëm, por po e tregojnë qartë se po zhvillojnë islam politik me qëllime të errëta anti-shqiptare për llogari të armiqëve tanë dhe qëllimeve të tyre politike e ekspansioniste, të cilat gjërësisht i ceka në përgjigjen time më lartë.

Një krahasim që duhet ta dijnë shqiptarët, për shembull, si ishte Mitrovica dikur dhe si është sot? A mos erdhëm në situatë që konfliktit historik me serbët për territore, t’i jipet karakter religjioz…?

Afrim Musliu: Mitrovica, fatkeqësisht, është ka islamizohet me të madhe. Sigurisht se është njëra ndër qytetet ku më së shumti vërehet një tjetërsim i mentalitetit që kishte dikur ai qytet. Për shembull, kur u nda Mitrovica në dysh më 15 qershorë 1999, disa vite më vonë serbët e ndërtuan një kishë të madhe në Kodrën e Minatorëve e në truallin e shqiptarëve të dëbuar nga veriu. Menjëherë në jug u aktivizua BIK-u dhe rrymat tjera të islamit radikal, të cilët përhapën në opinion dokrrat se shqiptarët duhet t’iu kundërpërgjigjen serbëve duke ndërtuar xhami. Me ç’rast, e rrënuan Xhaminë e Zallit që ishte te tregu i vjetër, e aty Diyaneti turk në vitin 2014 e ndërtuan një xhami gjigante prej 2500 metra katrorë e që i zë brenda 4200 persona, ndërtimi i të cilës ka kushtuar dy milionë euro, ku i tërë materiali ndërtimorë është importuar nga Turqia, përfshirë këtu edhe zallin. I’a hoqën emërtimin shqip dhe e zëvendëzuan me Bayram Pasha Isa Bey, një pushtues i egër otoman i Shek. XVII i cili ishte me origjinë ruse nga Armenia e i osmanizuar në atë kohë, të cilin Sulltan Murati IV e dërgon si vezir në Egjipt e që kurrëfarë lidhje nuk ka as me Kosovë, e aq më pak me shqiptarët. Kjo ishte një pjesë e atyre investimeve 400-milionëshe turke, të cilat i ka përmendur në një rast Erdogani se ka investuar në Kosovë nga të cilat as shteti i Kosovës e as ndërmarrësit kosovarë nuk kanë përfituar asnjë cent të vetëm nga ky “investim” 2-milionësh nga Turqia. Pra, derisa serbët krijonin Sërbinë e vogël në veri, në jug dhe në pjesët tjera të Kosovës shqiptarët kundërpërgjigjeshin duke krijuar Turqi të vogël, që gjithnjë e më shumë do të sjellin pas sherre të mëdha. Kundër popullit shqiptar, parasëgjithash! Me qëllim që, siç thoshte Çubrilloviqi në Memorandumin e tij të vitit 1937, ”Shtyllën kurrizore të nacionalizmit shqiptar mund ta thyejë vetëm feja islame”. Pikërisht kjo është ka i ndodhë Mitrovicës. Pikërisht kjo është ka i ndodhë Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Fatkeqësisht, kjo pothuajse veç i ka ndodhur shqiptarëve në Maqedoninë Veriore dhe atyre në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

Ka kohë që flitet për domosdonë e rindërtimit të “Xhamisë së Boshnjakëve”, në pjesën andej Ibrit…Si e sheh ti si mitrovicas këtë preokupim?

Afrim Musliu: Edhe me këtë temë, prapë jemi aty çka e ceka pak më lartë. Pse duhet të i kundërvihemi serbëve me xhamia? Pse lufta jonë politike me serbët duhet të bëhet duke ndërtu xhamia? Çka i duhet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ta lidhë historinë dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve me atë xhami? Të gjithë ne në Mitrovicë e dimë se serbën atë xhami e kanë kallë gjatë luftës së fundit në Kosovë për t´i zhdukur krimet e luftës që i kanë bërë në atë xhami. Thuhet se ishte përplotë me fëmijë, gra e pleqë shqiptarë kur i´a kanë vënë flakën. Ekzaminimin e atijë vendi ku ishte xhamia e Ibrit e patën kryer disa kriminologë nga Franca, Greqia e disa vende tjera. Asnjë ekspert nga Kosova nuk ishte prezent kur ata e kanë kryer ekzaminimin e atijë vendi. Ku me e ditë se për çfarë shkaqesh apo qëllimesh politike thanë se nuk kishte shenja të krimit në atë vend. Ku ta dimë ne?! Me ndërtimin e një xhamie të re në atë vend, ne përfundimisht i shaktërrojmë, i mbulojmë dhe i varrosim përgjithmonë të gjitha gjurmët eventuale një gjenocidi e masakre serbe nga lufta e fundit.

Pastaj, kryeministri i Kosovës e tha një të pavërtetë të madhe për atë xhami se daton nga viti 1777. Kjo aspak nuk është e vërtetë! Atë xhami e kanë ndërtuar boshnjakët e ardhur nga Bosnja dhe Hercegovina, atëherë kur ishin nën juridikcionin e Austro-Hungarisë, diku mes viteve 1871-1875, të cilët erdhën si punëtorë të austro-hungarezëve për ta ndërtuar hekurudhën Mitrovicë-Shkup-Selanik. Ata u vendosën në atë pjesë buzë lumit Ibër dhe atë xhami e ndërtuan për nevojat e tyre fetare. Prandaj ajo lagje edhe quhet ”Lagjia e Boshnjakëve”.

Me qenë politikanët shqiptarë pak më të mençur karshi politikave serbe, ashtu siç bëhen të mençur ndëmes veti, kishin këmbëngulur që në atë vend të bëhet një simbol memorial i spastrimit etnik të veriut të Kosovës që ka ndodhë më 3 dhe 4 shkurt 2000. Bash në atë vend rrinte Oliver Ivanoviqi me rojet e tij të urës, të cilët edhe e kanë kryer atë spastrim etnik. E jo të kërkojnë rindërtimin e xhamisë aty në atë vend.

Goran Rakiq i Listës Serbe, qysh e din, ia pati tërhequr vërejtjen deputetit Mërgim Lushtaku, se nuk duhet të “qëndrohet gatitu për e-zanin”, pasi kështu shkilet Kushtetuta e Republikës së Kosovës. A kemi ardhur në situatë që Goran Rakiq t’ia tërheqë vërejtjen “një patrioti” që se respekton as Nenin 8 të Kushtetutës së Kosovës?

Afrim Musliu: Sinqerisht, këtë nuk e kam ditë. Tash po e ndëgjoj. Jam mëse i bindur se Rakiqi këtë e ka shfrytëzu për me e ngritë temën për të cilën folëm gjërë e gjatë në pyetjen Tuaj numër katër (4). Kjo është ajo platforma kryesore politike serbe të cilën ata e zhvillojnë tash e dyqind vite, atë të kinse të ”xhihadizmit të shqiptarëve”. Jam mëse i bindur se Goran Rakiqit dhe rakiqëve të tjerë u bëhet zemra mal kur përfaqësuesit politik shqiptarë rrinë gaditun apo i ndalin fjalimet e tyre kur ulërisin në arabisht zmadhuesit nga minaret e xhamive. Mendoj se përfaqësuesit politik shqiptarë duhet pasur shumë kujdes që mos me i´u ofru atë kënaqësi qarqeve politike serbe. Pastaj, është e dhimbshme që politikanët serbë të ”kujdesen” më shumë për respektimin e Nenit 8 të Kushtetutës së Kosovës, sesa politikanët shqiptarë.

Kur ka nisur islamizimi i Kosovës dhe prej nga erdhi…? Si u zumë ne befasi dhe orteku i së keqës u rrit pastaj…?

Afrim Musliu: E tëra filloi në mënyrë perfide nga Turqia e Erdoganit, kur në vitin 2000 Diyaneti turk kërkuan nga UNMIK-u dhe kryeadministratori i UNMIK-ut që programin e Bosnjes dhe Hercegovinës me meremetimin e xhamive të shkatërruara nga serbët dhe kroatët gjatë luftës katërvjeçare atje, ta nisin edhe në Kosovë, sepse, siç thuhet në kërkesë të Diyanetit, ”të i meremetojnë vlerat e vjetra të arkitekturës osmane”, ku hynin jo vetëm xhamitë, por edhe hamamet dhe urat e vjetra nga koha e Perandorisë Osmane. Dhe, është mirë të theksohet, se deri në vitin 2008, kryeadministratorët e UNMIK-ut ishin ata që mundeshin të lejojnë apo ndalojnë ndërhyrjen në çfarëdo forme të një shteti tjetër në Kosovë.

E ceka edhe më herët se e tëra filloi me qeverinë PDK-AKR-PD në vitin 2011. Të kujtohen edhe përpjekjet e një nxitjeje të një revolucioni islamik në vitin 2011, të nxitur nga imamët radikalë islamik, si Shefqet Krasniqi e Halil Kastrati?

Në vitin 2011 edhe në Parlamentin Europian është ngritur kjo brengosje e investimeve të mëdha në islamin radikal në Kosovë, kryesisht nga Katari e Turqia, që përnjëherë filluan me të madhe, të cilët një vit më pas e shtrojnë pyetjen se kjo rritje e islamit radikal në Kosovë, Maqedoninë Veriore (atëherë FYROM), Shqipëri dhe Bosnje a do të cenojnë stabilitetin dhe sigurinë në Bashkimin Europian.

Prandaj, Kosova asnjëherë nuk duhet të shmanget nga politika e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, i cili në mënyrë të shkëlqyeshme e ka prezantu Kosovën dhe shqiptarët si popull i lashtë europian, si popull sekularë e që më shumë është i lidhur me vlerat euro-perëndimore e krishtere, sesa me ato lindore e anadollake. Ai i theu të gjitha mitet dhe propagandat serbe të më shumë se një shekulli. Prandaj, atë moment që Kosova e braktisë Rugovizmin, atë moment rrezikon ta humbë mbështetjen e miqëve dhe aleatëve tanë perëndimorë. E, poqëse ndodhë ajo, atëherë dihet mirë se Rusia dhe Serbia, por edhe Turqia, do ta rikthejnë ndikimin e tyre në trojet tona.

Zotëri Afrim Musliu, sigurisht e keni vërejtur se me islamizimin e detyrueshëm, kur shfrytëzohet propaganda islamike, turpërimi për ata që “nuk agjërojnë”, mbyllja e lokaleve përgjat agjërimit njëmujor, fjalori orientalist si “Selam Alejkum” etj, por krijohet një shoqëri islamike, antikushtetuese dhe antishqiptare?

Afrim Musliu: Pikërisht për këtë lloj ndikimi nga fuqitë e errëta anti-shqiptare nga Lindja e pata fjalën pak më herët, z. Bajram Kabashi. Ky çorientim dhe devijim i shqiptarëve ka ardhë me ndikime kryesisht nga Turqia. Disa herë në shkrimet e mia e kam thënë se Rusia nuk do të futet në trojet tona përmes Sërbisë, ngase ne asgjë nuk pranojmë çka na vie nga Sërbia, por Rusia do të futet përmes Turqisë, ngase për shqiptarët është bërë e pranueshme gjithëçka që na vie nga Turqia.

Fatkeqësisht, ky pushtet aktual i ekstremit të majtë që tash e gjashtë vite udhëheqin me vendin, i kanë arritë disa marrëveshje shumë të dëmshme me Turqinë, e cila e ka shtri ndikimin e saj në komplet jetën politiko-shoqërore e ekonomike të Kosovës. Përveç se Kosova është stërmbushur me emigrantë nga Turqia, poashtu edhe ka deviju nga rugovizmi duke i´u mbyllë derën miqëve dhe aleatëve euro-perëndimorë, e duke i´a hapë Turqisë. Mbi 22 vizita ja kanë bërë Turqisë dhe Erdoganit gjatë këtyre gjashtë viteve, gjersa nëpër Europë e Amerikë vetëm sorollaten nëpër shoqata të shqiptarëve për me vjelë vota nga mërgata. Aq larg ka shku riosmanizimi i Kosovës, saqë në qytetin e Lidhjes së Prizrenit, ku edhe filloi qëllimi ynë imperativ për liri e pavarësi, sot në rrugët e atijë qyteti historik të shqiptarëve, turqit bëjnë parada me uniforma e me simbole osmane. Paramendoni pas edhe nja 70 viteve, serbët të bëjnë parada në Mitrovicë, Gjakovë apo Skenderaj me uniforma të çetnikëve. Është e njejta gjë edhe tani kjo me uniforma të osmanlinjëve në Prizren.

Kështu që, ndikimet nga orienti e përmes Turqis¨, ku edhe e kanë bazën ”Vëllazëria Myslimane” e Egjiptit, kanë fillu të praktikohen edhe në shoqërinë tonë dhe nëpër qytetet tona. Tek ne, thjeshtë, me lejen e shtetit, po i braktisin vlerat demokratike euro-perëndimore, e po përqafohen ato lindore. Me dashtë shteti i ndalon ato trysni sistematike për praktikimin e Sheriatit gjatë muajit të Ramazanit, por nuk po don me e hidhëru Erdoganin e po e lejojnë theçafjen kolektive e kombëtare. Po e lejojnë të thyhet kurrizi i nacionalizmit shqiptar. Mu ashtu siç e dëshironte Çubrilloviqi në Memorandumin e tij të vitit 1937.

Cili është roli i Turqisë neoosmane në këtë islamizim pasi edhe investimet religjioze (meremetimi e ndërtimi i xhamive etj) janë kryesisht të saj; a duan ta shtojnë numrin e turkofilëve e turkomëdhenjve neoosmanë që të na fusin në konflikt me vetën e botën apo?

Afrim Musliu: Mendoj se në disa raste më herët e ceka rolin e Turqisë në tërë këtë katrahurë. Një gjë duhet ta dimë të gjithë, se Turqia njejtë sikurse edhe Kina dhe Rusia dhe vendet islamike, është kundër të gjitha vlerave perëndimore. Kjo edhe i bashkon ata kundër Perëndimit, edhe pse janë në anë të kundërta me aleanca ushtarake. Kurse ne që gjindemi në mes të këtyre dy rivaliteteve kulturore, duhet të përcaktohemi për atë anë të cilës i takojmë edhe gjeografikisht. Ky ndikim i Turqisë dhe i islamit politik tek ne, na ka vënë si popull në mëdyshje dhe konfuzion të madh. Ndërsa Evropa assesi nuk na don me edhe-edhe mentalitet. Ose je me Evropën, ose nuk je. Evropianët mendojnë shumë bardh e zi për atë çështje.

Si e sheh ti Afrim Musliu si analist dhe mendimtar rrugëdaljen nga ky rrethim religjioz tashmë panislamik…?

Afrim Musliu: Për të shpëtuar nga kjo katrahurë, duhet vepruar sikurse edhe Presidenti Rugova – as hyrje, as dalje prej Bosforit e tutje. Respekt e miqësi reciproke po, por asgjë më shumë se aq. Prandaj, edhe një herë po e theksoj se Kosova assesi nuk guxon me deviju nga rugovizmi dhe politika dhe orientimi properëndimor i Ibrahim Rugovë. Vetëm në këtë mënyrë mundemi me dalë nga ky çorrsokak kulturor. Shiqo boshnjakët, të cilët i mashtroi Jugosllavia që si komb të quhen `muslimanë´. Ata ende kanë mbetë në kërkim të një identiteti kombëtarë. Ne e kemi të qartë identitetin tonë kombëtarë, të cilin po e hedhim në prrua për një fe të cilën nuke e kemi me të leme, por me të bleme. Poqëse vazhdojmë kështu, brenda dy dekadave edhe ne do të mbetemi sikurse boshnjakët duke kërkuar identitet kombëtarë.

Prandaj, akademikët tanë edhe përtej kufijve, duhet të bëhen bashkë dhe të shkruajnë një projekt kombëtar, sikurse që e kanë shumë popuj tjerë. Sikurse edhe serbët që e kanë ”Nacertanien” dhe grekët ”Megaliidean”. Një projekt kombëtar shqiptarë të cilin duhet ta ndjekin të gjitha pushtetet në Kosovë dhe në Shqipëri, e që do të i´u ndihmon edhe shqiptarëve nëpër vendet tjera. Duhet ta dinë cakun se ku do të jemi pas dhjetë viteve, pas pesëdhjetë viteve e pas një shekulli. Vetëm në atë mënyrë mendoj se mundemi me gjetë rrugëdalje nga kthetrrat pasislamike e antikombëtare.

Cili është roli i Vëllazërisë Myslimane, e ndaluar edhe në Egjipt me ligj sikurse edhe në disa vende arabe e SHBA , në gjithë këtë sulm mizor ndaj historisë, kulturës dhe traditave shqiptare…?

Afrim Musliu: Nuk mendoj se vetëm shqiptarët janë cak i ”Vëllazërisë Myslimane”. Caku i tyre është i njejtë sikurse edhe i Internacionales socialiste – pa kombe dhe pa shtete kombëtare. Globalizmi i Sorosit i ka bërë bashkë këto dy komponente. Prandaj, edhe është përhapë gjithandej ky problem shoqërorë. Vetëm të lejohet me pasë vëlla të fesë dhe/apo vëlla të idealit. Assesi nuk të lejohet me pasë të gjakut, poqëse nuk i takon fesë islame dhe/apo idealit socialist.

Si njërën, si tjetrën ne shqiptarët e kemi provuar në lëkurën tonë me dekada e shekuj të tërë. Të dyja këto ideologji na kanë përça e na kanë polarizu deri në vëllavrasje. Marksizëm-leninizmi dhe enveristo-stalinizmi është poashtu shpërlarje e trurit me ekstremizëm të majtë e revolucionar politik, e njejtë sikurse që është edhe ekstremizmi radikal islamik. Edhe ish-sekretari i shtetit të ShBA-ve në administratën e parë të presidentit Bill Klinton, Warren Christopher, në fjalimin e tij të parë si Sekretar i ShBA-ve në vitin 1993, thotë: “Pas suksesit të madh me mposhtjen e terrorit komunist në Evropë e më gjërë, tani e ka radhën që ta luftojmë e ta mposhtim edhe terrorin e fundamentalizmit islamik”. Nuk ishte e rastësishme ajo deklaratë e Christopherit e as tërheqja e një paraleleje të tillë.

Edhe islamistët, edhe socialistët i bashkon urrejtja ndaj Amerikës dhe Europës perëndimore dhe vlerave perëndimore e demokratike në përgjithësi. Faktin më të mirë për ta vërtetuar këtë, e ke tani kur Amerika don që ta demokratizojë Iranin. Islamistët shqipfolës në njërën anë, e socialistët shqipfolës në anën tjetër, e përkrkrahin terrorin iranian ndaj popullit të vet, vetëm për me dalë kundër Amerikës. Assesi nuk brengosen për faktin se të gjitha të mirat që i kemi si popull, si në Shqipëri, e sidomos ne në Kosovë, i kemi falë Amerikës. Mirëpo, urrejtja e tyre patologjike ndaj vlerave perëndimore, i bënë që të dalin kundër mikut dhe aleatit tonë më strategjik dhe të i dalin në krah Rusisë dhe Iranit, prej të cilëve vetëm të këqija kemi pasë, e kurrë asgjë të mirë. Kjo nënkupton se të dyja këto komponente e ideologji anti-shqiptare, nuk e duan paqen e as zhvillimin kombëtar. Nuk munden me funksionu në paqe, qetësi e harmoni. Ata çdoherë duan mjegull, kaos dhe anarki. Duan revolucion për t’i arritur agjendat e tyre të huaja e antishqiptare. Vetëm në atë mënyrë edhe mbijetojnë si ideologji. E duan nënshtrimin e secilit ndaj ideologjive të tyre respektive. Këto shqiptarët duhen t’i braktisin njëherë e përgjithmonë, poqëse e duan një të ardhme më të mirë e më të ndritur për kombin tonë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu