Pas furtunës së rrëmbyeshme dhe bubullimave që zbritën nga Alpet Shqiptare, duke u përplasur mbi madhështinë e Korenikut e duke përshkuar fushat pjellore të Podgurit, natyra la pas gjurmët e një miniapokalipsi. Breshëri goditi pemishtet, kopshtet e arat, duke lënduar mundin e bujqve dhe frytet e tokës sonë.
Por, siç ndodh shpesh në historinë e këtij vendi, pas stuhisë erdhi drita.
Mbrëmja e 23 korrikut 2026 u shndërrua në një ditë të veçantë për Studenicën, Podgurin dhe për të gjithë ata shqiptarë që e ndjejnë të shenjtë lidhjen me historinë dhe trashëgiminë e të parëve. Teksa dielli perëndonte mbi kreshtat e Ruselisë dhe rrezet e fundit përshëndesnin Bregun e Kishës, fytyrat e pjesëmarrësve rrezatonin qetësi, besim dhe krenari. Ishte një takim me rrënjët, me kujtesën dhe me historinë.
Rreth dyqind pjesëmarrës, të ardhur nga Studenica, Podguri dhe treva të ndryshme të Kosovës, u ngjitën në Bregun e Kishës për të marrë pjesë në Meshën Katolike, e cila u kremtua për të dytin vit radhazi në këtë vend të shenjtë. Ky kremtim shënoi vazhdimin e një tradite të rikthyer, duke i dhënë fund simbolikisht heshtjes shumëshekullore që kishte mbuluar këtë lokalitet.

Vëzhgim e kurreshtje tek themelet e Bazilikës së Studenicës, dje, më 23 korrik 2026
Ky tubim nuk ishte vetëm një ceremoni fetare. Ai ishte një akt kujtese historike, një shprehje e respektit ndaj trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve, si dhe një dëshmi e përkushtimit për ruajtjen e identitetit tonë historik.
Sipas të dhënave arkeologjike dhe studimeve të autorëve vendorë, Kisha e Studenicës lidhet me periudhën e Perandorit Justinian (527–565), kohë kur në Dardani u ndërtuan dhe u rindërtuan shumë objekte të kultit të krishterë. Tradita gojore, e ruajtur brez pas brezi, e konsideron këtë vend si një nga qendrat e hershme të jetës shpirtërore të banorëve autoktonë shqiptarë të kësaj treve. Këto dëshmi përbëjnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë historike dhe meritojnë të studiohen e të ruhen me seriozitet shkencor.
Rikthimi i Meshës së Shenjtë në Bregun e Kishës përfaqëson rikthimin e kujtesës historike dhe të lidhjes shpirtërore me të kaluarën. Ai dëshmon se identiteti i një populli nuk shuhet nga kalimi i shekujve, as nga pushtimet, as nga përpjekjet për të zbehur kujtesën historike.

Rëndësia e kësaj ngjarjeje tejkalon kufijtë e Studenicës dhe të Podgurit. Bazilika e Studenicës është pjesë e trashëgimisë së përbashkët shqiptare. Çdo gur i këtij lokaliteti, çdo mbetje muri dhe çdo gjurmë arkeologjike përbëjnë dëshmi të një historie që kërkon njohje, respekt dhe mbrojtje.
Monumentet e kultit nuk janë vetëm vende lutjeje. Ato janë dokumente të gjalla të qytetërimit, kulturës dhe historisë sonë. Prandaj, ruajtja e tyre është një detyrim moral, kulturor dhe kombëtar.

Pjesëmarrja e besimtarëve dhe e dashamirësve të historisë nga vise të ndryshme të Kosovës dëshmoi se kjo ngjarje tashmë ka marrë një karakter më të gjerë shoqëror e kombëtar. Ajo nuk i përket vetëm një fshati apo një krahine, por të gjithë atyre që e konsiderojnë trashëgiminë historike si pjesë të identitetit të tyre.

Prandaj, synimi është që Mesha në Bregun e Kishës të vazhdojë të kremtohet çdo vit, si një traditë e lutjes, e kujtesës dhe e nderimit për paraardhësit tanë. Njëkohësisht, ajo shpreh interesimin në rritje për njohjen e historisë sonë dhe për ruajtjen e monumenteve që dëshmojnë vazhdimësinë e qytetërimit në këto troje.

Tenda në Studenicë ku dje, më 23 korrik 2026, Prifti Fran Kola e mbajti meshën
Le të mbetet Bregu i Kishës së Studenicës vend i lutjes, i paqes, i kujtesës dhe i bashkimit. Le të jetë simbol i respektit për trashëgiminë historike e shpirtërore dhe një ftesë për studiuesit që, përmes kërkimeve shkencore, të ndriçojnë edhe më tej historinë e këtij monumenti.

Gjergj – Bajram Kabashi me Afrim Zeqirin. Foto e bërë dje me 23 korrik 2026 afër Bazilikës së Studenicës nga Beqir Sutaj
Lavdi kujtimit të të parëve tanë, që ruajtën dinjitetin, besimin dhe dashurinë për këtë truall.
Zoti e bekoftë Bazilikën – Kishën e Studenicës, popullin shqiptar dhe të gjithë ata që punojnë me përkushtim për ruajtjen e trashëgimisë sonë historike, kulturore dhe shpirtërore.


