NAIM TËRNAVA, PSE HESHTË? KU ËSHTË TOLERANCA FETARE KUR PREKET NJË KISHË KATOLIKE?
Ajo që ndodhi në Zogaj të Vushtrrisë nuk është një çështje që mund të kalohet në heshtje.
Nëse një komunitet fetar dëshiron të ndërtojë një objekt fetar në pronë të ligjshme dhe brenda procedurave të shtetit, atëherë askush nuk ka të drejtë ta pengojë me presion të turmës, kërcënime apo frikësim. Kjo vlen njësoj për xhaminë, kishën katolike apo çdo objekt tjetër fetar.
Prandaj pyetja ime publike për Myftiun Naim Tërnava është shumë e thjeshtë:
Pse nuk doli me një deklaratë të qartë për t’u bërë thirrje besimtarëve të tij që të respektojnë lirinë fetare dhe të mos pengojnë ndërtimin e një kishe katolike?
Sidomos kur vetë Tërnava ka folur publikisht në të kaluarën për tolerancën fetare dhe marrëdhëniet me Kishën Katolike. (Zemra Shqiptare)
Kur ndërtohen xhami, institucionet fetare dhe besimtarët kërkojnë respekt për lirinë e tyre fetare. Të njëjtin respekt duhet ta kenë edhe katolikët.
Kosova është shtet laik. Askush nuk duhet të ketë privilegjin të vendosë se cilit besim i lejohet të ndërtojë dhe cilit jo.
Dhe kjo është ajo që më shqetëson më shumë:
Çfarë mesazhi po u dërgojmë ambasadave të SHBA-së dhe vendeve të QUINT-it?
A është kjo Kosova demokratike, evropiane dhe tolerante për të cilën kemi luftuar?
Nëse një kishë katolike pengohet vetëm sepse është kishë katolike, atëherë kjo nuk është më thjesht çështje e një gurthemeli.
Është një test për shtetin ligjor, për tolerancën fetare dhe për karakterin laik të Republikës së Kosovës.
Nuk kërkoj privilegj për katolikët.
Kërkoj barazi.
Nuk kërkoj që askush të ndërtojë pa ligj.
Kërkoj që ligji të jetë i njëjtë për të gjithë.
Dhe nga Naim Tërnava pres një përgjigje të qartë:
A e dënon çdo përpjekje për pengimin e lirisë fetare të katolikëve në Zogaj – PO apo JO?
Sepse heshtja, në një moment të tillë, krijon shumë pyetje.
Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke lejuar që feja të përdoret si instrument presioni ndaj një feje tjetër. 



