Gjykimi nuk u bë ndaj Kosovës, as ndaj UÇK-së, edhe aktakuza kyçe ra, nuk kishte absolutisht krime ndaj popullatës serbe – drejtësia e pjesshme për vrasjet politike u arrit!

Shkrime relevante

“Kuajt” dhe “pelat e Trojës” në Parlamentin e Kosovës!

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë Në prag të vendimit të Gjykatës...

Molla e Kuqe , poezi nga Mirushe Musa

Mirushe H. Musa, Gjermani Poezi MOLLA E KUQE ___ Tokë dardane, atje ka qenë, shqip është...

Rusia dhe ndikimi i saj në trojet shqiptare

Qazim Namani - Dr, Arkeologji/ Trashëgimi kulturore Intervista ime dhënë Tv Dukagjinit Për shekuj...

Filmi dokumentar i Mentor Hazirit për Masakrën e Tivarit

Mentor Haziri, Prishtinë Shih videon e filmit dokumentar: Masakra e Tivarit (1945) -...

Shpërndaj

Gjykimi nuk u bë ndaj Kosovës, as ndaj UÇK-së, edhe aktakuza kyçe ra, nuk kishte absolutisht krime ndaj popullatës serbe – drejtësia e pjesshme për vrasjet politike u arrit!
Pa vrasjet politike këta sot do të shpalleshin të pafajshëm!
Vendet mike, SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, BE-ja etj, po bëjnë thirrje për qetësi, dhe stabiliteti duhet të ruhet. Nuk mundet dhe askush nuk duhet të lejohet apo të përkrahet që t’ia vë flakën Kosovës, dhe t’i sulmojë institucionet e Republikës. Nuk ka asnjë arsye pse të mbahet e rrethuar qeveria. Ajo asgjë nuk ka të bëjë me gjykimin në Hagë.
Gjykata e Hagës u krijua nga institucionet e Kosovës, dhe madje me trysninë kyçe të vetë Hashim Thaçit!
Gjykata në vendimin e saj e ka shmangur çdo implikim të mundshëm të UÇK-së, si forcë ushtarake, në kryerjen e krimeve dhe vrasjeve të çfarëdollojshme, duke e kthyer fajësinë në përgjegjësi individuale, dhe të një grupi të vogël!
Të gjithë ata që janë të pakënaqur dhe kanë provat bindëse, është Gjykata e Apelit, ajo që mund të korrigjojë çdo padrejtësi!
Mediat dhe eksponentët e dyshimtë duhet ta ulin zërin dhe të mos nxisin dhunë, duke e paraqitur si një situatë apokaliptike për Kosovën! Nuk ka dëmtim imazhi më të madh, se sa kur Thaçi u arrestua derisa ishte në detyrë.
Shteti i Kosovës nuk do të ketë asnjë pasojë, sikurse nuk ka pasur as deri më tash, përkundër propagandës së të njëjtëve se shteti do të pësojë. Të gjithë njerëzit e arsyeshëm dhe njohës të drejtësisë e kanë ditur që akuzat për krime ndaj popullatës serbe do të biejnë.
Gjykata vendosi: “Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krim kundër njerëzimit Trupi gjykues Konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”.
“ZPS nuk arriti të vërtetonte jashtë dyshimit të arsyeshëm që ky sulm u drejtua kundër një popullate civile”, tha gjykatësi Smith.
Pra, nuk ka se si të argumentojë Serbia, e cila ka kryer sulme masive, masakra dhe vrasje masive ndaj popullatës civile të pambrojtur, përfshirë dëbimin masiv, të mbi gjysmës së shqiptarëve, djegies masive të shtëpive dhe pronave të tjera e të tjera krime.
Por, nuk mund të quhen prova të sajuara vrasjet politike si e ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqi dhe dhjetëra e dhjetëra të tjerëve, përfaqësues e zyrtarë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të LDK-së.
Pra, para se të vjellni vetëm vrerë ndaj gjykimit në Hagë, kujtoni shpirtrat e Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Karadakut, Ilir Konushecit, Ali Ukajt, Beadin Hallaqit, Sadri Ramqajt, Haki Imerit, Xhemail Mustafës, Ismet Rracit, Shaban Manajt, deputetit e komandantit të luftës Smajl Hajdarajt, Bekim Kastratit, Besim Dajakut, vrasja e kolonelit Zemaj, i përmendur edhe në Hagë sërish, e dy policëve Sebehate Tolajt e Jusuf Haklajt, që të dy ish luftëtar në Koshare, vrasjen e gazetarit Bardhyl Ajeti (2005) plagosjen e rëndë të Sabri Hamitit, të Gani Gecit, rrahjet dhe arrestimet e deputetëve të Republikës së Kosovës në Likoc, rrëmbimet si i majorit Afrim Shurreci, Blerim Kuqit etj, shumë prej të cilave raste mbeten t’i zbardhin gjykatat në Kosovë, por si duket protestat janë kundër tyre.
Nëna e kolegut tim të çmuar Bardhylit, vdiq duke pritur drejtësi, zonja Mustafa e veja e kolegut tim Xhemail Mustafës, vdiq vetëm para pak muajsh duke shpresuar pak ngushëllim për Xhemën e saj dhe të Kosovës!
Babai i kolegut tim të dashur Bekim Kastratit axha Hajriz u largua nga kjo botë pa shpresën për drejtësi!
Konteksti i vrasjeve politike sipas Gjykatës së Hagës – Lufta për pushtet
Gjykata tha, Serbia ia hoqi me dhunë autonominë Kosovës në vitin 1989.
Shqiptarët po në vitin 1989 e krijuan LDK-në dhe kjo e kishte qëllim Pavarësinë e Kosovës. Pastaj LDK-ja e organizoi sistemin paralel dhe ajo e shpalli Republikën dhe e organizoi referendumin për Pavarësi, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran!
Por, grupi i të akuzuarve dhe të tjerëve, kryen vrasje dhe dhunë ndaj kundërshtarëve politik, figurave të LDK-së, por edhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat i mohonin. Nuk ishte vetëm mohim, por edhe ushtrim dhune, duke i rrahur, kërcënuar, arrestuar, vrarë etj., dhe këtë e bënin sepse e kishin për qëllim pushtetin, argumentoi gjykata.
Pra, gjykata po vë drejtësi mbi dhunën politike të ushtruar ndaj kundërshtarëve politikë!
Gjykata po thotë se këta kishin guxim të vrisnin shqiptarë, që po e luftonin në tërësi sistemin serb dhe të cilët e kishin qëllim Pavarësinë e Kosovës, dhe këtë kishin zgjedhur ta bënin në luftë!
Akuzat për llojet e vasjeve të tjera mund të rrëzohen në Apel, por vrasjet politike, vështirë se mund t’i rrëzojnë!
Ata janë gjallë dhe mund të ankohen, por sot asnjë nga kundërshtarët politikë nuk mund të zgjohet dhe asnjëherë atyre nuk iu dha mundësia të ankohen!
Natyrisht dhimbja për këto dënime është e madhe për familjarët, veçmas për fëmijët e të dënuarve të cilët janë të pafajshëm!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu