Ka njerëz që vjedhin ide, ka të tjerë që vjedhin fjali, ndërsa një i njohuri im ka arritur një nivel aq të lartë të hajnisë intelektuale, saqë m’i vjedh edhe fyerjet me të cilat e ofendoj.
Nëse vazhdon kështu, së shpejti do të më duhet t’i kërkoj leje për ta sharë, që të mos e botojë edhe sharjen time me emrin e vet.
Së fundmi, m’u ankua se jeta e tij si plagjiator po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar.
Arsyeja është fare e thjeshtë: sa herë që përpiqet ta paraqesë si dije të vetën atë që ma ka vjedhur mua, unë e botoj ndonjë tekst të nivelit të Çmimit Nobel, të cilin ai nuk guxon ta prekë as me majën e gishtit.
Thjesht e kap frika se, po ta kopjonte, para gjithë botës do ta zbulonte atë që familja, miqtë dhe ish-shokët e tij të shkollës e dinë prej kohësh: se është një plagjiator i mjerë, që nuk di as të lexojë siç duhet, e lëre më të shkruajë.
E dëgjova me vëmendjen që zakonisht ua kushtoj njerëzve që ankohen se zanati i vjedhjes së teksteve të mia autoriale po u bëhet gjithnjë e më i vështirë, për shkak të cilësisë së mallit që ma vjedhin.
Pastaj e këshillova të mos dëshpërohej. Fundja, nuk e ka ai fajin që unë shkruaj më shpejt sesa që ai arrin të mendojë.
Po ashtu, nuk e kam unë fajin që unë botoj vetëm tekste, ndërsa ai prodhon vetëm autorësi. Secili i ka talentet e veta, ndonëse talenti i tij kryesor është aftësia për t’ia vënë emrin e vet një vepre të huaj, pa e kuptuar as vetë përmbajtjen e saj.
Prandaj i dhashë leje të vazhdonte të më kopjonte lirisht.
Nuk jam monopolist i plagjiaturës dhe as nuk e kam ndërmend t’ia shkatërroj karrierën një njeriu që, pas vitesh përpjekjesh, më në fund e ka gjetur një profesion ku nuk i kërkohet të krijojë absolutisht asgjë.
Ia vura vetëm një kusht:
Para se ta botojë ndonjë tekst timin duke u paraqitur si autor i tij, të paktën ta bëjë përpjekjen për ta lexuar.
E di, një kërkesë e tillë mund të tingëllojë radikale.
Në një shoqëri ku disa njerëz nuk i lexojnë as ato që i nënshkruajnë, leximi para botimit mund të konsiderohet luks intelektual, madje edhe burokraci e panevojshme. Megjithatë, ia shpjegova se ekziston një rrezik të cilin, për shkak të formimit të tij të kufizuar letrar, ai mund të mos e vërejë fare.
Për shembull, mund të ndodhë që ta thërras me emër e mbiemër dhe ta ftoj ta imitojë mutin tim, pikërisht në çastin kur ai del nga vrima e prapanicës sime dhe përfundon në gojën e tij.
E ai, i mësuar prej vitesh me një praktikë të tillë, mund ta kopjojë tërë tekstin, ta botojë krenarisht në Facebook dhe ta nënshkruajë me emrin e vet, pa e kuptuar fare se çfarë ka bërë.
Përfytyrojeni atë skenë.
Tekstin e lexojnë familjarët e tij. E lexojnë ish-shokët e shkollës. E lexojnë edhe miqtë e tij. Dikush shpërthen në të qeshura, dikush tjetër skuqet nga turpi në vend të tij, derisa një kushëri më guximtar e pyet:
— A e ke lexuar, të paktën, atë që ke shkruar?
Ai përgjigjet me dinjitetin e një akademiku të sapozgjedhur:
— Natyrisht. Është teksti im.
— Po atëherë, pse të fton autori ta imitosh mutin e tij?
Këtu nis kriza e tij e parë e vërtetë intelektuale. Jo sepse është fyer, por sepse, për herë të parë në jetën e tij, i duhet ta kuptojë tekstin që ma ka vjedhur mua dhe e ka botuar si të vetin.
Deri atë ditë, ai kishte jetuar sipas një filozofie të thjeshtë: nëse teksti tingëllon bukur, është i tij; nëse është madhështor, atëherë është kryevepra e tij; e nëse askush nuk e kupton, atëherë, gjoja, është intelektualisht tepër i avancuar për publikun e zakonshëm.
Vetëm një pyetje nuk i kishte shkuar kurrë në mendje: po sikur teksti të jetë shkruar pikërisht për ta demaskuar atë?
Pikërisht për këtë arsye i kërkova ta lexonte çdo tekst timin para se ta kopjonte.
Nuk dua që një ditë të më akuzojë se e kam vënë në një situatë të sikletshme pa pëlqimin e tij. Në fund të fundit, unë mund të mbaj përgjegjësi për fjalët që shkruaj, por nuk mund të mbaj përgjegjësi për njerëzit që m’i vjedhin tekstet dhe i botojnë pa e kuptuar përmbajtjen e tyre.
Për më tepër, do të ishte e padrejtë që ai, pas një jete të tërë të kaluar duke i kopjuar tekstet e mia, të përfundonte si personazhi i vetëm në historinë e letërsisë që është njëkohësisht plagjiator, objekt i satirës dhe dëshmitar i pavetëdijshëm i poshtërimit të vet.
Prandaj, këshilla ime mbetet e pandryshuar: vidh sa të duash, por së pari lexo!
Nuk po kërkoj prej teje të shkruash si unë, sepse kjo do të ishte një kërkesë e tepruar. As nuk po kërkoj të mendosh si unë, sepse për këtë do të nevojitej një ndërhyrje shumë më serioze sesa një kurs i shkrimit krijues.
Mjafton të kuptosh se një tekst mund të jetë edhe kurth për atë që e vjedh.
Dhe nëse ndonjëherë gjendesh në situatën që të botosh një tekst ku të ftoj të imitosh mutin tim, mos nxito ta vësh firmën tënde. Ndal, lexoje edhe një herë dhe pyete veten nëse vërtet dëshiron të bëhesh pjesë e atij muti.
Sepse Çmimi Nobel mund të mos të vijë kurrë, por gjithmonë ekziston mundësia të hysh në histori si i vetmi njeri që, i paaftë të ndërtojë qoftë edhe një fjali të vetme me mendjen e vet, arriti ta vjedhë madje edhe fyerjen që iu drejtua personalisht atij.
Dhe kjo, duhet pranuar, është një arritje para së cilës edhe akademitë më prestigjioze të botës do të mbeteshin pa fjalë.
Sepse një gjë është të ma vjedhësh mendimin dhe ta paraqesësh si të tëndin, por krejt tjetër është ta vjedhësh një tekst ku autori të fton ta imitosh mutin e tij, ta nënshkruash me emrin tënd dhe, ndërkohë, të mos e kuptosh se sapo je bërë personazhi kryesor i poshtërimit tënd.
Në atë çast, plagjiatura pushon së qeni vjedhje letrare dhe shndërrohet në formën më të sinqertë të autobiografisë: njeriu për herë të parë në jetën e tij boton diçka të vërtetë për vetveten, pa pasur nevojë të shpikë asgjë.



