
Lirim Gashi, Prishtinë
____
ZONJA ATIFETE JAHJAGA DHE MAKINA E SAJ E KOHËS: KUR BIOLOGJIA KAPITULLON PARA POLITIKËS
____
Zonja Atifete Jahjaga, ju jeni i vetmi fenomen biologjik në mbarë hapësirën shqiptare që nuk udhëtoni drejt pleqërisë, por drejt rinisë, madje me hapa kanguri dhe me shpejtësinë e një rakete të NASA-s.
Nuk e di nëse e keni zbuluar eliksirin e rinisë së përjetshme apo nëse e keni paditur kohën në gjykatë dhe e keni fituar të drejtën të udhëtoni në drejtimin e kundërt të akrepave të orës.
Por një gjë është e sigurt: biologjia ka filluar të dyshojë në kompetencat e veta dhe, me sa duket, po mendon të japë dorëheqje.
Ju lutem, mos na e fshihni më sekretin!
Nëse vazhdoni me këtë ritëm, së shpejti do t’ju shohim duke dalë nga materniteti i nënës suaj, ndërsa gazetarët do t’ju pyesin për përvojën tuaj si Presidente e Republikës.
Nëse një ditë vendosni ta rifilloni shkollën fillore nga klasa e parë, unë personalisht do t’jua blej abetaren, lapsat, gomën, ngjyrat dhe një çantë shkolle me figurën e arushit.
Madje, do t’jua paguaj edhe një mësuese private, që të mos lodheni shumë me mbledhjen dhe zbritjen. Sidomos me zbritjen, sepse në këtë disiplinë duket se tashmë e keni fituar edhe doktoraturë.
Por kam edhe një shqetësim serioz:
Nëse vazhdoni kështu, një ditë mund të përfundoni sërish në barkun e nënës suaj. Atëherë do të përballemi me një problem të madh protokollar:
A duhet t’ju organizojmë pritje shtetërore para lindjes, apo të presim derisa të mësoni të qani për gjendjen katastrofale të rendit tonë kushtetues?
Përfytyrojeni këtë skenë:
Ju jeni kthyer sërish në foshnjë, nëna juaj ju mban në krahë, ndërsa ndonjë politikan shqiptar „i mençur“ ju propozon për Ministre të Arsimit, me arsyetimin se më në fund kemi gjetur dikë që mund ta reformojë arsimin nga klasa e parë e fillores deri në shkallën më të lartë të doktoraturës!
Ndërkohë, unë do të jem në librari duke kërkuar një abetare të posaçme për ju, me shkronja aq të mëdha sa të mund t’i lexojë edhe vetë biologjia, së cilës tashmë i janë bërë të domosdoshme syzet.
Në Kosovë, të gjithë politikanët premtojnë se do të na çojnë përpara.
Ju, Atifete, përkundrazi, keni zbuluar mënyrën më ekonomike për ta zgjidhur problemin e plakjes:
Ia blini kirurgut plastik një çokollatë Milka dhe ai jua kthen kohën mbrapsht!
Dhe, nëse një ditë ju shohim duke luajtur me kukulla në park, mos u habitni. Ndoshta nuk jeni duke luajtur, por duke zhvilluar konsultime politike me gjeneratën e ardhshme të elektoratit.
P. S. Zonja Atifete, vetëm një lutje:
Mos e teproni me udhëtimet tuaja prapa në kohë. Sepse, nëse vazhdoni edhe pak, do të detyrohemi t’jua kërkojmë certifikatën e lindjes në Arkivin e Dinozaurëve.
E unë, me gjithë dëshirën e mirë, nuk kam ndërmend t’jua blej edhe vezën e parë!
Sepse në këtë vend kemi mjaft probleme me të ardhmen.
Nuk na duhet edhe një ish-presidente që kthehet në një të kaluar aq të largët, saqë mbërrin atje para se të shpiket e tashmja! 


