I motivuar nga një postim i portalit Gllavica, po e postoj një verzion timin të shkurt për gjendjen para, në luftë e pas lufte.
KOSOVA PARA LUFTËS, KOSOVA PAS LUFTËS DHE DËSHTIMI I QEVERISJES SË SOTME!
Përgjegjëje portalit Gllavica në pyetjen a e mbani mend këte kohë?
Kjo kohë nuk është aspak e largët. Deri në vitin 1997, kur filloi lufta e UÇK-së, Kosova ishte një vend tejet i varfër, ku shumica e qytetarëve jetonin në kushte të rënda ekonomike.

Ishin të pakta familjet që kishin arritur të blinin traktorë dhe mekanizëm bujqësor për punimin intensiv të tokës. Lopët, buallicat, qetë, kuajt dhe kafshët e tjera të punës ishin mjetet kryesore për punimin e tokës dhe transportin e njerëzve e të mallrave. Traktorët filluan të paraqiteshin në tokat shqiptare në mesin e viteve ’60, fillimisht në kooperativat bujqësore, ndërsa më vonë edhe në ndonjë familje më të pasur.
Kjo është historia jonë dhe këtë realitet nuk duhet ta harrojmë!
Prandaj, të gjithë ata që thonë se në Kosovë nuk është punuar asgjë për 20 vjet pas luftës, le të kthehen pak në histori dhe ta shohin se nga çfarë gjendjeje është nisur vendi ynë.

Kosova jo vetëm që ishte e varfër dhe e pazhvilluar para luftës, por gjatë luftës u shkatërrua edhe ajo pak pasuri që kishin krijuar qytetarët me mund e sakrifica shumëvjeçare. Serbia vrau mbi 13 mijë qytetarë, dogji dhe shkatërroi rreth 100 mijë shtëpi, duke lënë pas një vend të rrënuar ekonomikisht dhe infrastrukturorisht.
Kosova e paraluftës kishte mungesë të theksuar të infrastrukturës bazike. Shumica dërrmuese e fshatrave shqiptare nuk kishin rrugë të asfaltuara, ujësjellës e kanalizim. Zhvillimi ekonomik ishte i kufizuar, ndërsa ekonomia mbështetej kryesisht në disa ndërmarrje shoqërore, eksploatimin e pasurive minerare dhe kooperativat bujqësore.

Por, çfarë ndodhi pas luftës?
Qeveritë e pasluftës, pavarësisht mangësive, gabimeve dhe kritikave që mund t’u adresohen, arritën të realizojnë një transformim të jashtëzakonshëm të vendit.
– U ndërtuan dy autostrada dhe mijëra kilometra rrugë në qytete e fshatra.
– U zgjeruan rrjetet e ujësjellësit dhe kanalizimit në shumë vendbanime.
– U rindërtuan dhe rehabilituan mbi 100 mijë shtëpi të shkatërruara nga lufta.
– U ndërtuan dhe renovuan qindra shkolla, çerdhe dhe objekte publike.
– U krijuan institucione shtetërore dhe u hodhën themelet e shtetit të pavarur.
– U zhvilluan shërbime, biznese private dhe sektorë të rinj të ekonomisë.
E gjithë kjo u realizua me buxhete shumë më të vogla sesa buxheti që ka sot në dispozicion qeveria Kurti.
Dhe këtu fillon paradoksi i madh!
Sot kemi një qeveri që disponon me miliarda euro buxhet, por që nuk po arrin t’i shndërrojë ato në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, investime kapitale, vende të reja pune dhe perspektivë për qytetarët.
Gjashtë vjet qeverisje nuk mund të justifikohen vetëm me propagandë, konferenca, premtime dhe fajësimin e qeverive të kaluara. Një qeveri matet me punën që lë pas, me investimet që realizon, me zhvillimin që krijon dhe me mirëqenien që ua siguron qytetarëve.
Sot, shqetësimi më i madh nuk është vetëm mungesa e investimeve dhe zhvillimit ekonomik. Është humbja e besimit të të rinjve në të ardhmen e këtij vendi. Ata që duhet ta ndërtojnë Kosovën, gjithnjë e më shumë po e shohin të ardhmen e tyre jashtë saj.
Kosova nuk ka nevojë për një qeveri që jeton nga lavdia e së kaluarës dhe fajësimi i të tjerëve. Ka nevojë për qeverisje që ndërton të ardhmen!
Ne nuk duhet t’i mohojmë meritat e qeverive të kaluara vetëm për interesa partiake. Ato kanë pasur gabimet dhe dështimet e tyre, por kanë lënë edhe vepra konkrete që sot i shfrytëzojnë të gjithë qytetarët.
Historia nuk shkruhet me propagandë, por me fakte dhe vepra.
Kosova është ndërtuar me mundin e qytetarëve dhe me kontributin e shumë gjeneratave. Është koha që të ndalemi së humburi kohë dhe perspektivë, sepse të rinjtë tanë nuk mund të presin pafundësisht!



