Gjuha Shqipe dhe shqetësimi shqiptar në Zvicër

Shkrime relevante

Gjuha Shqipe dhe shqetësimi shqiptar në Zvicër

Sak Muji, Zvicër - Rugovë I dashur mik Enver Robelli, Shqetësimi yt është...

Pak fjalë të historianit Belisar Jezerci me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, patericën e BIK-ut…!

Msc Belisar Jezerci, Historian _____ Dy tri fjalë dialog nga distanca me Kryeministrin...

A i ka ardh fundi demokracisë librale ?

Ibrahim Kelmendi, Gjermani ____ FUNDI I DEMOKRACISË LIBERALE (?) : Meqë ky bashkëbisedim ka...

Gazeta finlandeze Helsingin Sanomat nxjerr zbuluar shqiptarin Armando Mema, që u shndërrua në zërin e Kremlinit

8 Nëntor, 2026 Korrespodenti Nga Korrespodenti Bëhet fjalë për Armando Memën, të...

Shpërndaj

Sak Muji, Zvicër – Rugovë

I dashur mik Enver Robelli,
Shqetësimi yt është edhe shqetësimi im, është shqetësimi ynë kombëtar për të ardhmen e gjuhës, kulturës dhe identitetit iliro-shqiptar në mërgatë!
Ne jemi një popull i lashtë, me rrënjë të thella historike, me katër tradita kryesore fetare, por mbi të gjitha na ka bashkuar dhe na bashkon gjuha shqipe, kultura jonë iliro-shqiptare dhe përkatësia jonë kombëtare.
Se cilit besim i përket shqiptari, në cilin Zot beson apo nëse nuk beson fare, është çështje e tij personale.
Askush nuk ka të drejtë t’ia imponojë besimin tjetrit, aq më pak ta vendosë fenë mbi identitetin tonë kombëtar.
Më shqetëson fakti se në Zvicër shohim mobilizime të mëdha financiare për xhami e objekte fetare, ndërsa shkolla shqipe, libri shqip dhe kultura jonë shpesh mbeten pa mbështetjen e duhur.
Më shqetësojnë edhe rastet kur, sipas dëshmive të bëra publike, individë me autoritet fetar janë shprehur kundër shkollës shqipe.
Këto raste duhen sqaruar dhe nuk mund të kalojnë pa përgjegjësi.
A nuk duhet të jetë ABC-ja SHQIPE përparësia jonë kombëtare në mërgatë?
Dhe këtë e them jo vetëm si shqiptar, por edhe si njeri që e ka përjetuar në lëkurën e vet persekutimin politik dhe dhunën e pushtuesit serbo-sllav.
Populli ynë ka kaluar tragjedi të tmerrshme: mbi 14 mijë shqiptarë të vrarë, rreth 20 mijë gra e vajza viktima të dhunës seksuale të luftës dhe qindra mijëra shqiptarë të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre.
Edhe unë isha njëri nga të përndjekurit politikë.
Nga viti 1981 deri më 1990 përjetova dhjetë vite të tmerrshme burgimi e persekutimi.
Zvicra demokratike më hapi dyert dhe më dha mundësinë të ndërtoja një jetë në liri e dinjitet. Këtë nuk do ta harroj kurrë!
Në këtë vend, që na strehoi kur në trojet tona shqiptarët përndiqeshin e vriteshin, fëmijët e mi patën mundësinë të shkolloheshin, të integroheshin dhe të mësonin jo vetëm gjuhët e vendit ku jetojmë, por edhe gjuhën tonë amtare shqipe.
Nga viti 1997 e deri sot, në vitin 2026, kam parë sa e rëndësishme është që fëmijët shqiptarë të rriten duke njohur gjuhën, historinë dhe kulturën e të parëve të tyre.
Fëmijët e mi e flasin mirë gjuhën shqipe dhe gjuhë të tjera.
Kjo është një pasuri dhe krenari për mua!
E në cilin besim janë?
Në cilin Zot besojnë?
Sinqerisht, këtë nuk ua kam bërë kurrë pyetjen vendimtare.
Sepse për mua më e rëndësishmja ka qenë që të bëhen njerëz të ditur, të ndershëm, të lirë dhe të mos harrojnë kurrë se janë shqiptarë.
Po, po, ndoshta një ditë do t’i pyes edhe se në cilin besim janë dhe në cilin Zot besojnë!
Por dashuria ime për ta nuk do të ndryshojë nga përgjigjja e tyre.
I dashur Enver,
Zvicra na mësoi vlerën e lirisë, demokracisë dhe respektit ndaj besimeve të ndryshme.
Ne shqiptarët duhet ta ruajmë këtë vlerë dhe të mos lejojmë që fanatizmi, manipulimi fetar apo interesat financiare të na largojnë nga gjuha dhe kultura jonë.
Nuk jam kundër fesë, xhamisë, kishës apo besimtarëve.
Jam kundër çdo përpjekjeje për ta zëvendësuar edukimin kombëtar me indoktrinim fetar dhe për t’i larguar fëmijët nga shkolla shqipe.
Na duhen më shumë shkolla shqipe, mësues, libra, biblioteka, qendra kulturore, shkencë dhe dije!
Feja le të mbetet e drejtë e lirë e individit, ndërsa ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqipe le të jetë përgjegjësi e përbashkët e familjeve, shoqatave dhe institucioneve tona.
Sepse ne mund t’u përkasim besimeve të ndryshme, por nuk duhet ta humbim atë që na bashkon prej shekujsh.

Mbi të gjitha, jemi SHQIPTARË!
🇦🇱 Na duhet ABC-ja SHQIPE!
🇨🇭
Mirënjohje për Zvicrën demokratike, që na hapi dyert në ditët tona më të vështira dhe u dha fëmijëve tanë mundësinë të rriten të lirë, të arsimuar dhe krenarë për prejardhjen e tyre!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu